Kurti kritikon Berishën që po ia mban krahun Thaçit

Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka thënë se pas dy protestave, lëvizja e radhës është protesta e tretë. Në një emision në Ora-news të Tiranës, Kurti ka folur për shumë çështje, si dhe për marrëdhëniet e politikës Kosovë-Shqipëri.

Kurti ka kritikuar qeverinë e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berishës me arsyetimin se po ia mban krahun qeverisë së drejtuar nga Hashim Thaçi, ndërsa ka thënë se drejtësia për ngjarjet e 21 janarit në Tiranë, sipas tij, duhet të vihet në vend.
Sipas tij, qëndrimi i qeverisë shqiptare për ngjarjet e fundit nuk ishte i drejtë. “Të gjithë ata që flasin keq për ne, vetë do ta pësojnë në fund, pasi na portretizuan në mënyrë jo të drejtë. Me Berishën jemi takuar me 28 nëntor në Presidencë, por nuk kemi biseduar”, ka thënë Kurti.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka dhënë edhe shpjegime se përse nuk është takuar me Thaçin. “Nuk jam takuar me të, kemi biseduar vetëm në Kuvend, ku ai lëshoi një lumë fyerjesh ndaj nesh. Nuk është e mundur të komunikojmë me të pasi ai na konsideroi ne armiq më të tmerrshëm se Serbinë”, është shprehur Kurti