Kuvendit i sfidohet integriteti

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar raportin gjashtëmujor të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën korrik-dhjetor 2011, ku janë përshirë notimet individuale për secilin deputet, grupet parlamentare si dhe mbarëvajtja e punës së Kuvendit në përgjithësi.

Në këtë periudhë janë mbajtur gjithsejtë 24 seanca, prej të cilave 2 kanë qenë të jashtëzakonshme dhe dy solemne, ndërsa 20 të tjera ishin seanca të rregullta të punës. Kuvendi, Isuf Zejnës, për këtë periudhë të vitit ka zhvilluar dy interpelanca, të thirrura nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.
“Rasti më i fundit është mocioni i Kuvendit për Reciprocitet me Serbinë. Konsiderojmë se interpretimi i këtij mocioni nga ana e Qeveris së Kosovës, por edhe i përfaqësuesve ndërkombëtarë, ka qenë i padrejtë dhe në kundërshtim me rendin juridik në Kosovë. Të gjitha vendimet e Kuvendit të Kosovës janë detyruese për Qeverinë, për shkak se i tillë është sistemi kushtetues i ndërtuar në Kosovë. Ne jemi Republikë Parlamentare dhe Kuvendi është organi më i lartë përfaqësues prej të cilit buron vullneti i popullit të Kosovës”, ka thënë Zejna.
Sa i përket transparencës së Kuvendit, konsiderohet se miratimi i rregullores për qasjen e medieve në Kuvendin e Kosovës, ka qenë regresi më i madh që ka bërë Kuvendi i Kosovës në raport me publikun dhe të drejtën e qytetarëve për të qenë të informuar.
Ndërkohë, lidhur me dinamikën e punës së komisioneve parlamentare në periudhën korrik-dhjetor 2011, KDI vlerëson se është rritur dukshëm në krahasim me sesionin pranveror të Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2011.
Në raport ceket se Komisionet parlamentare kanë organizuar gjithsej 22 dëgjime publike. Ndërsa, sa i përket monitorimit të zbatimit të ligjeve, kjo legjislaturë ka arritur që gjatë vitit 2011 të përfundojë monitorimin e 10 ligjeve, raportet e të cilave janë miratuar në Seanca plenare.
Raporti flet edhe për realizimin e planit të punës së Kuvendit për vitin 2011.
“Ky plan ambicioz parashihte që deri në fund të vitit 2011, Kuvendi të miratojë gjithsejtë 148 projektligje në leximin të dytë. Ky plan ishte kritikuar, se i tejkalon mundësitë e Kuvendit për të shqyrtuar në mënyrë përmbajtjesore një numër kaq të madh të projektligjeve dhe po ashtu Kuvendi do të bllokohej në kryerjen e rolit të vet përfaqësues dhe mbikëqyrës”, ka thënë Zejna.
Kuvendi gjatë vitit 2012 ka miratuar 65 projektligje në leximin e dytë (apo 44 për qind), ka miratuar vetëm në leximin e parë 22 Projektligje (apo 15 për qind) dhe nuk i ka trajtuar fare 61 projektligje të parapara në planin punës (apo 41 për qind).