Euro 2012, rast jetësor për Balotellin

Sulmuesi italian, Mario Balotelli, ka deklaruar se Kampionati Evropian do t’ia mundësojë atij që të shfaqë talentin dhe të dëshmojë se ai mund t’i kontrollojë emocionet e veta.
“Ky mund të jetë një shans jetësor për mua. Mendoj se sezoni im ishte i mirë. Jam i ri, kjo është periudha kur njerëzit bëjnë gabime”.

“Nuk jam i ndikuar nga përgjegjësia që trajneri Cesare Prandelli ma ka dhënë. Sikurse Roberto Mancini, edhe ai e ka vënë besimin e tij mbi mua”, u ka thënë SuperMario gazetarëve.

Lojtari i Manchester Cityt pritet ta udhëheqë sulmin e Azzurrëve në Poloni dhe Ukrainë, në kërkimin e trofeut të dytë në histori të përfaqësueses në këtë garë.

Ronaldo e dëshiron trofeun e dhjetë

Superylli portugez, Cristiano Ronaldo, është i bindur se Real Madridi do ta fitojë trofeun e dhjete të Ligës së Kampionëve në një të ardhme të afërt.
“Objektivi im është ta fitoj titullin e dhjetë të Evropës me Real Madridin”.

“Të gjithë flasin për Ligën e Kampionëve në Madrid, ndërsa ne lojtarët mendojmë se është shumë e rëndësishme për vendin dhe njerëzit”.

“Kemi qenë afër këtë vit dhe na duhen shumë gjëra për të pasur sukses, siç është fati dhe ekipet e mira në grupin tonë”.

“Trofeu i dhjetë do të vijë në vitin e ardhshëm ose një vit më pas”, u ka thënë CR7 gazetarëve

Benzema shpreson në qëndrimin e Higuain

Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, nuk dëshiron që bashkëlojtari i tij Gonzalo Higuain të largohet gjatë verës.
Edhe pse shënoi 26 gola në sezonin 2011/2012, argjentinasi nuk ka luajtur rregullisht për Los Blancos, ashtu që ka pasur spekulime se ai mund të largohet nga Santiago Bernabeu.

“Ai është ende një lojtar i Madridit, është lojtar i mirë dhe shpresoj të qëndrojë me ne”, ka deklaruar francezi

Pedro: Guardiola ma ndryshoi jetën

Sulmuesi i Barcelonës, Pedro, ka lëvduar Pep Guardiolën për rolin që ka pasur në karrierën e tij që nga akademia e klubit.
24-vjeçari depërtoi në ekipin e parë të Barcelonës nga akademia e klubit dhe kjo falë trajnerit Guardiola, i cili u largua pas tri sezoneve shumë të suksesshme.

“Pep ka dhënë më të mirën për këtë ekip. Ai ma ndryshoi jetën. Këto kanë qenë vite të gjata me shumë ndeshje. Është lodhëse. Ai ka nevojë për një pushim dhe e meriton këtë”, ka theksuar Pedro.

Galliani: Nuk do t’i blejmë Maxin dhe Aquilanin

Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, e ka bërë të qartë se Rossonerët nuk do të shfrytëzojnë mundësinë e blerjes së Alberto Aquilanit nga Liverpooli dhe Maxi Lopezit nga Catania.
Që të dy lojtarët ishin pjesë e kuq e zinjve në formë huazimi, por Galliani nuk do të shfrytëzojë mundësinë e blerjes së tyre, duke aluduar kështu se ka plane më të mira për klubin.

“Ne nuk do të përdorim opsionin e blerjes së Aquilanit. Ne do të rihapim bisedimet me Liverpoolin në qershor për këtë. Ne jemi të kënaqur me Maxin, por nuk do ta transferojmë. Maxi do të kthehet te Catania”, ka konfirmuar Galliani.

Zanetti: Palacio, lojtar fantastik

Legjenda e Interit, Javier Zanetti, ka lëvduar transferin e ri të Nerazzurëve, Rodrigo Palacion, duke thënë se ai i njeh cilësitë e ish-sulmuesit të Genoas.
Presidenti i Genoas, Enrico Preziosi, ka konfirmuar se Palacio do të nënshkruajë për Interin, pasi klubet kanë arritur marrëveshjen.

“Ai është dikush që e njoh mirë, ne po flasim për një lojtar tmerrësisht të mirë. Ai është lojtar që ende nuk ka shpërthyer në skenë”, ka theksuar Zanetti.

Kim mohon të jetë e varur nga barnat

Bukuroshja amerikane, Kim Kardashian, ka përgënjeshtruar pohimet se ajo është duke u bërë e varur nga tabletat.
Spekulimet e fundit kanë thënë se motra e saj, Khloe, ka filluar të shqetësohet për gjendjen shëndetësore të Kim, e cila, sipas thashethemeve, rregullisht përdor valium dhe barna tjera për të fjetur.

Megjithatë, zëdhënësi i yllit televiziv ka reaguar për të thënë se asgjë nuk ka të vërtetë nga këto spekulime.

“Kim herën e fundit ka përdorur barna kur është ndarë nga Reggie Bush”, ka deklaruar përfaqësuesi i Kim.

Ta pastrojmë Kosovën!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar qytetarët e Kosovës që të enjten, më datë 24 maj, t’i bashkohen nismës “Ta pastrojmë Kosovën”. Po ashtu Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njoftoi të mërkurën se do ta mbështesë aksionin që ka për synim vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit.
“Prioritet i rëndësishëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës është mbrojtja e mjedisit, si një nga parakushtet kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës. Në këtë angazhim, Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë duke miratuar legjislacionin më bashkëkohor në këtë fushë, si dhe me theks të veçantë duke marrë vendime që ndalojnë degradimin e mjedisit”, ka thënë kryeministri Thaçi, pas takimit me një delegacion të nismës “Ta pastrojmë Kosovën”, të kryesuar nga prijësi i grupit të kësaj nisme, Luan Hasanaj.

Edhe vullnetarët e AAK-së, anëtarë e simpatizantë, do të jetë prezente të enjten në mbarë vendin, në mbështetje të këtij aksioni. AAK konsideron se me këtë iniciativë, Kosova do të jetë pjesë e mbarë botës së civilizuar, e nismave të tilla në mbarë globin, për një ambient të pastër, që është edhe parakusht i një jete të shëndoshë për njerëzit dhe tregues i vetëdijes qytetare të tyre.

Edhe AAK fton të gjithë qytetarët e vendit që të jenë pjesë e kësaj nisme, duke pastruar ambientin e tyre që nga lagjja dhe komuniteti pjesë e të cilit janë. “Përderisa Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës obligohen që përmes strategjive, respektivisht ligjeve, të bëjnë mbrojtjen, ripërtëritjen e resurseve natyrore, është përgjegjësi individuale e secilit qytetar të Kosovës që të angazhohet në ruajtjen dhe pastrimin e mjedisit”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

“Kjo do të bëjë që Kosova të përmirësojë peizazhin estetik të saj dhe, në fund të fundit, kemi vetëm një tokë dhe kemi obligim ta ruajmë për gjeneratat që vijnë pas nesh. Aq më shumë, kjo bëhet alarmante, kur në mënyrën më të egër, po degradohet toka, pa plan e pa kurrfarë vizioni, në kuadër të anarkisë së plotë që kjo qeveri e ka toleruar në vendin tonë”.

Milani, miqësore ndaj Realit dhe Chelseat

Drejtori i Milanit, Umberto Gandini, ka bërë të ditur se Rossonerët do të luajnë ndaj Real Madridit në një ndeshje miqësore në kuadër të fazës përgatitore parasezonale.
Të dyja klubet do të udhëtojnë drejt SHBA-ve para sezonit të ri dhe tashmë kaknë aranzhuar takimin që do të zhvillohet në Yankee Stadium më 8 gusht.

“Milani dhe Real Madridi do të luajnë në një miqësore më 8 gusht në Yankee Stadium të New Yorkut. 16 Liga të Kampionëve janë në lojë. Më pas do të takohemi me Chelsean në Miami, në Sun Life Stadim më 28 korrik. Ndeshje e madhe në Florida”, ka potencuar Gandini.

Milani e përfundoi sezonin që sapo e lamë pas pa asnjë trofe të fituar.

Ronaldo: Gjithmonë e pres Anglinë të rrezikshme

Superylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, ka deklaruar se Anglia për të mbetet ndër rreziqet kryesore në Euro 2012, pasi beson se Tre Luanët kanë prej ekipeve më të mira në botë.
“Gjasat gjithmonë janë të njëjta. Anglia ka futbollistë fantastik, tani një trajner të ri dhe do të jetë fantastike”.

“Unë gjithmonë e pres Anglinë që ta fitojë një kampionat të madh. Anglia gjithmonë është aty pari sepse ka një prej ekipeve më të mira në botë. Ata do të jenë në maje”, është shprehur Ronaldo.

Tifozët e Bayernit i kërkojnë falje Robbenit

Tifozët e Bayern Munichut i kanë kërkuar falje Arjen Robbenit pasi anësori ishte vërshëllyer gjatë miqësores së kombëtares holandeze ndaj klubit bavarez, ka bërë të ditur drejtori Karl-Heinz Rumnenigge.
Gjatë ndeshjes së zhvilluar të martën në Allianz Arena, Robben ishte vërshëllyer nga tifozët vendas kur hyri në lojë si zëvendësues, me disa seksione të tifozëve të klubit gjerman që e fajësojnë holandezin për dështimin në finalen e Ligës së Kampionëve të shtunën e kaluar.

“Robben ishte i pikëlluar si të gjithë lojtarët, tifozët dhe miqtë e Bayernit. Sot ne kemi marrë shumë reagime nga tifozët tanë të cilët i kanë kërkuar falje Robbenit në emër të atyre që kanë vërshëllyer”, ka potencuar Rummenigge

Alonso: Duhet të jemi të përkryer në Euro

Mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso, ka thënë se Spanja duhet të jenë në formën më të mirë për të mbrojtur titullin e kampionit të Evropës.
Spanja niset në Euro 2012 si favorit për të fituar garën, pasi ka fituar edicionin e kaluar të saj si edhe Botërorin e vitit 2010. Por Alonso mendon se ky trofe do të jetë shumë më i vështirë se dy të kaluarit.

“Po bëhet gjithnjë e më vështirë të vazhdojmë të fitojmë. Ne kemi një skuadër të mirë, kemi përvojë, por po ashtu ka edhe skuadra të tjera të cilat janë mirë të përgatitura dhe janë shumë të etura për fitore”.

“Mendoj se do të jetë edhe më vështirë se në Euro 2008 dhe Kupën Botërore 2010, pasi ne do të duhet të jemi po thuajse të përkryer për ta fituar titullin”, ka thënë Alonso për GQ.

Heynckes: Do të shtojmë kualitet në ekip

Jupp Heynckes thotë se gjërat duhet të ndryshojnë te Bayern Munichu nëse ata dëshirojnë të kenë një sezon 2012/13 të suksesshëm.
Bavarezët humbën garën në të gjitha frontet, titullin e Bundesligës, finalen e DFB Pokal dhe finalen e Ligës së Kampionëve këtë sezon, pasi përfunduan të dytët në secilën prej tyre. Dhe Heynckes mendon se skuadra duhet të ngritë kualitetin.

“Ne duhet të ndryshojmë diçka. Kjo është shumë e qartë për mua. Ne do të përmirësojmë kualitetin e skuadrës. Ne nuk do të shtojmë vetëm thellësi në ekip, por edhe kualitet”, ka thënë Heynckes.

Ronaldo: Periudha e Barcës ka marrë fund

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, mendon se ata tashmë i kanë dhënë fund dominimit të Barcelonës në kampionatin spanjoll.
“Mendoj se cikli i Barcelonës ka mbaruar. Ne përfunduam në ligë nëntë pikë mbi Barcelonën”.

“Ende nuk e di nëse ky është fundi i Barcës, pasi për shumë vite ata kanë pasur një skuadër të shkëlqyeshme. Ndoshta tash ne jemi në gjendje ta fitojmë ligën për disa vite, siç bënë ata”, ka thënë Ronaldo.

Inter pas Giovincos

Interi është duke menduar të transferojë sulmuesin e Parmës, Sebastian Giovinco, shkruan portali sportiv Goal.com.
Nerazzurët ende nuk kanë kontaktuar me klubin ose agjentin e tij, por janë duke e përcjellë nga afër situatën e italianit.

Giovinco aktualisht është në bashkëpronësi të Parmës dhe Juventusit dhe një vendim për të ardhmen e tij pritet të merret gjatë kësaj vere.

Juventusi prite të riblejë edhe gjysmën tjetër të të drejtave të lojtarit, para se ta shndërrojë atë në para ose t’ia ofrojë atë Napolit si shkëmbim për Edinson Cavanin.

Megjithatë, po ashtu ka një shans që Parma të fitojë të drejtat e plota ndaj lojtarit, duke fituar lirinë për të negociuar me klubet e interesuara.

Sneijder fton Robbenin te Interi

Wesley Sneijder ka kritikuar tifozët e Bayern Munichut për sjelljet e tyre ndaj Arjen Robben gjatë miqësores së djeshme të Holandës me klubin gjerman.
Mesfushori i Interit mendon se bavarezët po e largojë atë nga klubi me reagimet e tyre si pasojë e humbjes së penaltisë nga ana e Robben në ndeshjen e të shtunës kundër Chelseat, gabim që i kushtoi skuadrës me dështim në garën për titullin e Ligës së Kampionëve.

“Reagimi i tifozëve ishte absolutisht i turpshëm. Dhe kjo nuk është e gjitha. Po ashtu është e dukshme se askush te Bayerni nuk e mbrojti”.

“Ata po e largojnë atë prej klubi në këtë mënyrë. Ka qenë një mbrëmje shumë zhgënjyese për Arjen. Nëse do të ishte në duart e mia, ai do të transferohej te Interi këtë verë”, ka thënë holandezi.

Pavarësisht ngjarjeve gjatë fitores 3-2 të Bayernit ndaj Holandës, një transferim i tij gjatë verës duket i parealizueshëm, pasi ai së fundi nënshkroi kontratë të re me bavarezët deri në vitin 2015.

Lotito pret vendimin e Chelseat për Di Matteon

Presidenti i Lazios, Claudio Lotito, është duke pritur Chelsean të marrë një vendim rreth menaxherit Roberto di Matteo.
Lotito e shndërruar trajnerin e Bluve në cakun kryesor për të zëvendësuar Edy Rejan, i cili u largua nga klubi i Romës javën e kaluar.

Lazio po ashtu është lidhur edhe me ish-bashkëlojtarin e Di Matteos te Chelsea, Gianfranco Zola, por preferon më shumë fituesin e Ligës së Kampionëve.

Pavarësisht suksesit në Euro, Di Matteo pritet të shkartohet nga Abramovich gjatë kësaj jave.

Agjenti fton Juven të bëjë ofertë për Dzekon

Agjenti i sulmuesit të Manchester Cityt, Edin Dzeko, ka ftuar Juventusin të bëjë ofertë për klientin e tij.
“Dzeko do të ishte një përforcim i shkëlqyeshëm për Juven. Ai ende ka një kontratë afatgjate me Cityn dhe i ka dhënë fund sezonit shumë mirë. Megjithatë, ne kemi shpresuar ai të luajë më shumë”.

“Ndoshta Roberto Mancini është gabim që e shfrytëzon atë aq pak, duke marrë parasysh shkallën e tij gola-shënuese, por sidoqoftë mendoj se ai është ideal për taktikat e Contes”, ka thënë Sead Susic.

Depp do të rikthehet me Paradis?

Johnny Depp raportohet se është duke u munduar t’i rregullojë gjërat me Vanessa Paradis.
Aktori i filmit “Dark Shadows” vazhdimisht ka mohuar spekulimet se është ndarë nga e dashura e kahmotshme dhe nëna e fëmijëve të tij, por spekulimet kanë vazhduar t’i mbajnë të ndarë ata. Megjithatë, duket se dyshja dëshirojnë të ribashkohen, pas një periudhe të shkurtër larg njëri-tjetrit.

“Për të parën herë pas një kohe të gjatë, ai flet për të. Ata të dy dëshirojnë t’i bëjnë gjërat të funksionojnë”, ka thënë burimi për E! News.

Leonora paralajmëron befasi

Pas një serie të suksesshme në disa reklama, këngëtarja Leonora Jakupi ka paralajmëruar se është duke punuar edhe në disa projekte të reja muzikore.
“Jam duke punuar në projekte të reja muzikore”, ka thënë ajo për Zëri.

“Nuk dua të flas shumë për këngët apo klipet sepse dëshiroj që adhuruesve të m’i t’iu sjell befasi me këto projekte”, ka thënë Leonora.

Kosova ka nevojë për rishqyrtim të decentralizimit

Akademia për Qeverisje Lokale ka diskutuar të mërkurën për procesin e decentralizimit në Kosovë dhe ka dalë me konkluzione se decentralizimi në Kosovë ka nevojë për rishqyrtim substancial.
Udhëheqësi i Akademisë për Qeverisje lokale, njëherësh drejtor i Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, duke folur për gjendjen e komunave në Kosovë dhe rezultatet e decentralizimit, theksoi nevojën e një rishikimi substancial të këtij procesi, në mënyrë që pushteti lokal të mbërrij më efektshëm tek qytetarët.

Tahiri po ashtu tha se reforma në qeverisjen lokale duhet të ndodhë më shpejt, por me një kujdes të shtuar të institucioneve qendrore gjatë bartjes së pushtetit nga niveli qendror tek ai lokal. “Me theks të veçantë them se nevojitet fleksibilitet i decentralizimit e sidomos përdorimit të ligjeve jo për të bllokuar, por që ligji të përdoret për të lehtësuar dhe bërë sa më efikase punën e qeverisë lokale”, tha Tahiri.

Në këtë modul të Akademisë për Qeverisje Lokale kishte edhe ligjërues ndërkombëtar.

Profesori Donald Curtis, specialist i manaxhmentit publik dhe zhvillimit institucional, me një përvojë të gjerë ndërkombëtare, gjatë diskutimeve me pjesëmarrësit e komunave që ndjekin këtë Akademi, tha se për një decentralizim të efektshëm, duhet të shfrytëzohen të gjitha resurset institucionale.

Edhe përfaqësuesit e komunave pjesëmarrëse në Akademi, mbështesin idenë e një rishikimi funksional të procesit të decentralizimit në mënyrë që të përmbyllet një fazë me sukses e cila ka nisur qe disa vite në Kosovë

Gruaja e Kosovës po bëhet gjithnjë e më e fuqishme!

Në këto vite të pasluftës është bërë progres në avancimin e rolit të gruas në aspektin politik, ekonomik dhe shoqëror. Gruaja e Kosovës është më prezente dhe më e fuqishme. Kështu ka thënë presidentja Atifete Jahjaga në konferencën e Gruas, të organizuar nga NAAC - Hope Fellowship.
 Por, sipas presidentes, mbetet akoma punë për t’u bërë që gruaja të zërë vendin e duhur, që i takon natyrshëm në shoqëri. “Jo pa qëllim e cilësova vendin e gruas në shoqëri si të natyrshëm. Sepse ne gratë jemi gjysma e shoqërisë dhe është më se e natyrshme që në këtë përqindje të jemi të përfaqësuara në çdo fushë të jetës”.

Presidentja ka thënë se pjesëmarrja dhe përfaqësimi i denjë i gruas në çdo segment të punës dhe jetës është një sfidë me të cilën përballen të gjitha vendet e botës, pavarësisht nivelit të tyre të zhvillimit Sipas saj, barazia gjinore tanimë është e drejtë dhe parim global, prandaj edhe kërkon dhe duhet të ketë trajtim global.

“Asnjë shtet nuk mund ta konsiderojë veten demokratik nëse gjysma e shoqërisë së saj nuk është e integruar. Askush nuk mund ta vë në mëdyshje nevojën e përfshirjes së gruas në proceset vendimmarrëse dhe politikëbërëse. Pjesëmarrja aktive e gruas në të gjitha proceset e ka dëshmuar sistemin e qeverisjes më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse, që i përgjigjet nevojave të grave dhe burrave të vendit. Është e dëshmuar gjithashtu se vendet ku hendeku gjinor është më i vogël janë vende më prosperuese që ofrojnë politika më gjithëpërfshirëse”.

Institucionet e Kosovës, sipas presidentes, kanë shfaqur vendosmëri të garantojmë përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e gruas në çdo nivel të vendimmarrjes dhe të jetës publike. “Kosova ka marrë praktikat më të mira të dala nga Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Gruan, Paqen dhe Sigurinë, duke përfshirë në legjislacionin e saj kuotat e përfaqësimi në nivel qendror dhe lokal; që kanë rezultuar që mbi 30 për qind e deputetëve të Kuvendit të jenë gra dhe që disa ministri dhe procese kyçe të udhëhiqen nga gratë. Këto rezultate janë indikatorë pozitivë të progresit kur kemi parasysh që shumë vende ende nuk e kanë arritur këtë nivel të përfaqësimit. Por, gjithsesi, kjo nuk është e kënaqshme”.

“Shpeshherë më është bërë pyetja nëse caktimi i kuotave është zgjidhja më e mirë. Dhe unë jam përgjigjur se gjithsesi që kuotat nuk janë zgjidhja përfundimtare, por janë rrugë drejt zgjidhjes. Sidomos në këtë periudhë transitore nëpër të cilën po kalojmë ne, duhet të synojmë të arrijmë në atë pikë të zhvillimit dhe përparimit demokratik kur caktimi i kuotave të mos jetë më i nevojshëm, sepse gruaja si e barabartë, e aftë dhe profesionalisht e përgatitur konkurron barabartë me mashkullin për secilin pozicion në shoqëri”, ka thënë ndër të tjera presidentja.

Popullariteti, në rënie!

Niveli i kënaqshmërisë me punën e Qeverisë dhe Kryeministrit ka shënuar rënien më të madhe që nga viti 2007. Sipas studimit të bërë nga UNDP, vetëm 21% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Qeverisë dhe rreth 24% të tyre janë të kënaqur me punën e Kryeministrit.
Këto janë vetëm disa nga faktet kryesore të Pulsit Publik Nr. 4 që u shpalosën të martën në një konferencë për shtyp nga UNDP. Anketa është zhvilluar gjatë muajit prill me 1,280 respondentë.

Ngjashëm, krahasuar me të dhënat e nëntorit 2011, qytetarët paraqiten të jenë më pak të kënaqur edhe me punën e Kuvendit, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit. Derisa nivelet e kënaqshmërive me punën e Kryetarit të Kuvendit nuk kanë shënuar një rënie të dukshme krahasuar me të gjeturat në qershor 2011, niveli i kënaqshmërisë me punën e Kuvendit ka rënë për rreth 8 pikë te përqindjes që nga nëntori 2011.

Gjithashtu niveli i kënaqshmërisë me gjyqësorin nuk përbën ndonjë përjashtim në trendin e rënies me institucionet tjera kryesore. Ndërkohë që niveli i kënaqshmërisë me punën Zyrës së Prokurorisë ka rënë për 4 pikë për qind. Nuk ka ndonjë ndryshim të dukshëm, kur krahasojmë me nëntorin 2011, me nivelin e kënaqshmërisë së qytetarëve me punën
e gjykatave të Kosovës.

Seedorf drejt Kinës?

Mesfushori në largim i Milanit, Clarence Seedorf, ka fluturuar drejt Kinës këtë javë për të diskutuar të ardhmen e tij.
Seedorf, i cili mbetet pa kontratë muajin e ardhshëm, do të zhvillojë negociata me klubin Guangzhou Evergrande, që drejtohet nga Marcello Lippi.

Holandezi 36-vjeçar, ka marrë ofertë edhe nga klubi brazilian Botafogo si dhe nga skuadra të kampionatit amerikan.

Megjithatë, Guangzhou Evergrande shpreson ta bindë atë të vazhdojë karrierën në Kinë duke i ofruar kontratë dyvjeçare të vlefshme 7 milionë euro në sezon.

NBA: Shpërthejnë James dhe Wade

Me LeBron James dhe Dwyane Wade të ndezur në maksimum, Miami Heat ka mposhtur Indiana Pacers me rezultat të thellë 115-83 për të marrë avantazhin 3-2 në serinë e ndeshjeve gjysmëfinale të playoffit të Konferencës Lindore të NBA-së.
James shënoi 30 pikë, 10 kërcime dhe tetë asistime, dhe Wade kontribuoi me 28 pikë, derisa Miami merr nën kontroll serinë e ndeshjeve pas fitores së dytë më të thellë në playoff.

Heat mund të sigurojnë vendin në finale nëse shënojnë fitore në ndeshjen e gjashtë, që zhvillohet të enjten në Indianapolis.

Fituesi i këtij dueli në finalen e Lindjes do të takohet me Boston Celtis ose Philadelphia 76ers.

Stramaccioni i ngazëllyer për të ardhmen e Interit

Trajneri i Interit, Andrea Stramaccioni, është i ngazëllyer derisa përgatitet për para-sezonin e tij të parë si trajner i seniorëve.
“Klubi më pushtoi menjëherë pasi ata dëshironin të fillojnë një periudhë të re me mua. Presidenti i ka parë shumë prej ndeshjeve tona në Serisë NextGen dhe jo vetëm finalen”.

“Ata më ofruan mua një kontratë të shkurtër dhe unë isha shumë i relaksuar edhe nëse kjo përvojë do të shkonte keq”, ka thënë Trajneri për Sky Sport Italia.

Stramaccioni po ashtu ka mirëpritur nënshkrimin e parë të klubit, tashmë ish-sulmuesin e Genoas, Rodrigo Palacio.

Benzema: Forma ime, falë Mourinhos

Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, ka falënderuar trajnerin Jose Mourinho për formën e tij të shkëlqyeshme këtë sezon.
Francezi është bërë zgjidhja e parë e sulmit në skuadrën e Mourinhos, që këtë sezon theu rekordin duke mbledhur 100 pikë nga 38 ndeshje në kampionat.
“Ai është trajneri më i mirë në botë. Ai na ka dhënë neve gjërat të cilat ne nuk i kemi pasur. Jam i lumtur që ai do të vazhdojë të jetë në klub”.

“Ne kemi bërë një progres falë tij, ne kemi fituar ligën”, ka thënë francezi.

United ofron Berbarovin për Lewandowskin

Manchester United është i gatshëm të përfshihet në një marrëveshje shkëmbimi me Borussia Dortmundin, ku përfshihet sulmuesi Robert Lewandowski.
Manchester Evening News shkruan se Djajtë e Kuq janë të gatshëm t’ia ofrojnë sulmuesin Dimitar Berbatovi klubit gjerman.

Përveç Berbatovit anglezët do të ofrojnë edhe një shumë parash për të marrë shërbimet e sulmuesit polak.

Edhe agjenti i Lewandowskit kishte konfirmuar interesimin e United javën e kaluar.

Sevilla nënshkruan me Diego Lopez

Sevilla ka nënshkruar me portierin e Villarrealit, Diego Lopez, raportojnë mediat spanjolle.
Lopez ka vendosur të largohet nga Villarreali pas rënies befasuese në divizionin e dytë javën e kaluar.

Portieri me përvojë ka nënshkruar me Sevillan kontratë pesëvjeçare.

Liverpool kthehet kah Redknapp?

Liverpool është duke menduar një ofertë befasuese për menaxherin e Tottenhamit, Harry Redknapp.
London Evening Standard shkruan se Redknapp është cak emergjent për t’u bërë menaxher i ri i Liverpoolit, pasi klubi shkarkoi Kenny Dalglish javën e kaluar.

Redknapp mendohet se i është shtuar listës pasi Frank de Boer, Jurgen Klopp, Didier Deschamps dhe Brendan Rodgers, që të gjithë kanë përjashtuar mundësinë për të drejtuar Redsat.

Besohet se pronarët e Liverpoolit, Fenway Sports Group, janë të impresionuar nga puna e Rednapp në White Hart Lane dhe stili i futbollit që ai aplikon

Shqipëria fiton miqësoren ndaj Katarit

Kombëtarja kuqezi ka triumfuar në një ndeshje miqësore ndaj Katarit. Sfida e zhvilluar në Madrid përfundoi me rezultat 2-1 në favor të Shqipërisë.
Në gjysmën e parë të takimit nuk pati gola, ndërsa në minutat e para të fraksionit të dytë u regjistruan tre gola të shpejtë.

Kuqezinjtë krijuan avantazh të dyfishtë me anë të Elis Bakajt (46’) e Erjon Bogdanit (50’), ndërsa goli i vetëm për Katarin u shënua nga pika e bardhë (63’).

Villa nuk luan në Euro 2012

Klubi i Barcelonës ka bërë të ditur se David Villa nuk do të jetë pjesë e përfaqësueses së Spanjës në Kampionatin e sivjetmë Evropian.
Përfshirja e sulmuesit në përzgjedhjet e Vicente del Bosques ka qenë në dyshim që nga koha kur lojtari theu këmbën (në dhjetor të vitit të kaluar), mirëpo pas kthimit të tij në stërvitje në muajin e kaluar, ka pasur shpresa se ai mund të luajë.

Megjithatë, pas analizave të reja mjekësore, stafi mjekësor i Barcës ka kërkuar që Villa të mos luajë në Euro 2012.

Vetë lojtari e ka shfrytëzuar profilin e tij në Twitter për ta konfirmuar mungesën, ndërsa ka thënë se është munduar maksimalisht që të riaftësohet, mirëpo nuk ka arritur ta bëjë këtë.

Prishtina s`i ka 180 mijë banorë, por 500 mijë

Komuna e Prishtinës pretendon se ka rreth gjysmë milioni banorë apo më shumë se dyfishi i shifrës që ka paraqitur Agjencia e Statistikave e Kosovës në të dhënat preliminare për numrin e banorëve të kryeqytetit, pas regjistrimit të popullsisë që u bë vitin e kaluar.
Drejtues të Komunës u kanë paraprirë rezultateve përfundimtare që Agjencia pritet t’i publikojë në muajin shtator, me deklaratën se numri i banorëve të Prishtinës është jo më i vogël se 450- 500 mijë banorë.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti, ka thënë se “Komuna e Prishtinës ka bërë një vlerësim të numrit të banorëve në Prishtinë, sipas të cilit në Prishtinë jetojnë dhe shfrytëzojnë të mirat publike rreth 450-500 mijë qytetarë”, njofton “Koha Ditore”.

Ai ka thënë se deri të kjo shifër kanë ardhur pas analizës së disa burimeve të të dhënave.

I pari, sipas tij, ka qenë fotografimi satelitor i datës 19 gusht 2010. Në atë datë, në orën 10:20 të mëngjesit në Prishtinë janë regjistruar rreth 120 mijë makina të parkuara dhe në qarkullim, duke mos përfshirë ato që kanë qenë në garazhe që nuk kanë pasur mundësi të identifikohen në fotografimin satelitor.

Nga kjo, një vlerësim i përafërt del se numri i banorëve është së paku 450 mijë, gjithnjë bazuar në numrin e këtyre veturave, ka thënë Hoti.

Burimi i dytë i të dhënave, Hoti ka theksuar se bazohet në numrin e shfrytëzuesve të shërbimeve publike si uji, energjia elektrike dhe volumi i mbeturinave urbane që prodhohen në Prishtinë.

Memorandum për sigurinë dhe edukimin me SHBA-të

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Christopher Dell dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, pritet të nënshkruajnë të mërkurën në Prishtinë një memorandum në fushën e sigurisë dhe edukimit.
Kjo është bërë e ditur përmes një kumtese për media nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

“Marrëveshja për mospërhapje të Armëve të shkatërrimit në masë, mbështetet në bashkëpunimin e suksesshëm, të cilën e gëzojnë shtetet tona, me ç’rast Shtetet e Bashkuara i ofrojnë Kosovës një spektër të gjerë programesh Kundër-përhapjes, që kanë të bëjnë me kontrollin e eksportit dhe sigurisë së kufirit, siguruar nga Qeveria Amerikane në bashkëpunim me programet e Departamentit të Shtetit”, thuhet në kumtesë.

Në fushën e arsimit ndërkaq, bëhet fjalë për memorandumin programin akademik “Fulbright’ të Shkëmbimeve, i cili mbështetet në programet që deri më tani, me sukses kanë shkëmbyer dhjetëra bursistë në mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Qeveria e Kosovës tani do të marrë pjesë në financimin e programit të shkëmbimeve dhe në tri vitet e ardhshme do të sigurojë nga 100.000 dollarë amerikanë në vit, për këtë program.

Reduktohet EULEX-i, mbetet vetëm në veri dhe Prishtinë

Gjyqtarët, prokurorët, hetuesit dhe zyrtarët e tjerë të EULEX-it janë vënë para sfidave personale. Deri më 15 qershor ata duhet t`i nënshkruajnë kontratat e reja me misionin e BE-së. Unioni Evropian po aplikon disa politika të reja në raport me shumën e ofruar në kontrata, kritere që kanë bërë që shumë gjyqtarëve, prokurorëve, hetuesve dhe zyrtarëve të tjerë të misionit t`u afrohen rroga më të vogla.
Sipas gazetës “Koha Ditore”, shkurtimet buxhetore nuk janë zvogëlimi i vetëm që prej 15 qershorit të këtij viti do ta përjetojë misioni më i madh i BE-së. EULEX-i do të jetë për rreth 40 për qind më i vogël në staf dhe do të ketë prezenca zyrtare vetëm në dy regjione: në veri të Kosovës dhe në Prishtinë.

Deri më tash EULEX-i ka pasur të drejtë të punësojë deri në tri mijë zyrtarë, 1 mijë e 900 ndërkombëtarë dhe 1 mijë e 100 vendës, ndërkaq që prej 15 qershorit do të ketë të drejtë të punësojë për 40 për qind më pak zyrtarë ndërkombëtarë.

Gjithsesi burime të gazetës kanë bërë të ditur se zvogëlimi prej 40 për qind nuk do të ketë këtë të njëjtin efekt në praktikë, ngase misioni asnjëherë nuk i ka arritur shifrat maksimale të stafit ndërkombëtar dhe rrjedhimisht i bie që stafi që vetëm ka qenë më i vogël, të reduktohet më pak.

Kuçi në dosjen “Tolaj & Bukoshi”

Nuk është vetëm një zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës i përfshirë në hetimet e EULEX-it, që është duke i zhvilluar përkitazi me rastin e ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajt.
Përveç Bujar Bukoshit, për të cilin ende nuk është saktësuar nëse do të jetë dëshmitar bashkëpunues kundër Tolajt apo i ulur në bankën e të akuzuarve, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen në këtë dosje figuron edhe emri i homologut të tij, zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçit, si dhe emri i ish-ministrit të Kulturës, që tashmë mban pozitën e zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Financave, Astrit Haraqija, njofton “Zëri”.

Haraqija, që konsiderohet si mik i ngushtë i Ilir Tolajt, i cili ka më shumë se katër muaj që gjendet në paraburgim si i dyshuar për korrupsion, e ka vizituar Tolajn gjatë qëndrimit në burg dhe kjo vizitë duket se do t’i kushtojë shtrenjtë.

Së paku burime të gazetës të afërta me rastin theksojnë se Haraqija i cili mban pozitën e zëvendësministrit të Financave e ka vizituar Tolajn në kohën kur ky i fundit po hetohej për “dallaveret” që ai dyshohet se i ka bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave.

Kjo vizitë, sipas burimeve të gazetës, është mundësuar pas intervenimit të bërë nga i pari i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

“Tolaj ka më shumë se katër muaj që gjendet në paraburgim. Dhe në kuadër të hetimeve ai ka qenë duke u hetuar edhe për lidhjet dhe parregullsitë që ai ka mundur t’i bëjë bashkë me Ministrinë e Financave dhe mu në atë kohë atë e viziton zv/ ministri Astrit Haraqija. Dyshimet ndërlidhen me atë se Haraqija ka shkuar të shohë se çfarë mund të bëjë në këtë drejtim. E kjo vizitë e Haraqisë është mundësuar pas intervenimit që ka bërë në burgje ministri Hajredin Kuçi”, thotë një zyrtar i afërt me rastin, në kusht anonimiteti.

Bozovic, agjent i AKI-së dhe i dyshuar për pedofili ?

Bojan Bozovic ndodhet i paraburgosur në Serbi. Gazetari nga veriu i Kosovës, që raportonte për mediat në Prishtinë, është prangosur si i dyshuar për pedofili dhe kërcënim të sigurisë në shtetin serb. Mendohet se Bozovic është rrahur shumë nga policia serbe. Ai veten e ka deklaruar shtetas të Kosovës, kurse autoriteteve të atjeshme ua ka shfaqur një dokument të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
Bojan Bozovic ndodhet në burg, në Beograd të Serbisë. Tash e disa javë, ish-korrespondenti i televizionit Klan Kosova, ndodhet i paraburgosur si i dyshuar për disa vepra penale, shkruan “Express”.

Bozovic, i cili u bë i njohur me raportimet e tij për këtë televizion, gjatë bllokadës së rrugëve, verën e kaluar, nga bashkëkombësit e tij në veri të vendit, në muajin prill të këtij viti është arrestuar nga policia e Serbisë.

Bazuar në raportimet e medieve serbe, Bozovic (39) është arrestuar për veprën penale të pedofilisë.

Këto media, duke u mbështetur në informacionet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, kanë raportuar se atij i janë gjetur materiale pornografike me vajza të mitura.

Përveç kësaj, ai është arrestuar edhe për veprën penale të kërcënimit të sigurisë.

Ndërkohë, burime të gazetës “Express”, të cilat në mënyrë të tërthortë kanë arritur të vënë kontakte me të afërm të tij, kanë treguar se Bozovic është rrahur dhe maltretuar nga policia serbe.

Autoriteteve serbe, pas ndalimit të tij, Bozovic u është prezantuar si shtetas i Kosovës.

Megjithatë, brutaliteti ndaj tij dyshohet se është shtuar shumë kur ai ka prezantuar një dokument të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

"Kur ai ka prezantuar këtë ID, autoritetet në fillim janë habitur duke pyetur se çfarë ishte. E, kur Bojani u ka shpjeguar se çfarë është, ai është rrahur e maltretuar në mënyrën më të rëndë", tregon burimi i gazetës

Bashkëpunojnë për kontabilitet

Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SHKÇAK) ka nënshkruar tw merkuren marrëveshjen e bashkëpunimit me Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar të Shqipërisë (IEKA). Kjo marrëveshje ka si objektiv vendosjen e bashkëpunimit midis të dy organizatave profesionale, në mënyrë që të krijohet një urë lidhëse midis profesionistëve të kontabilitetit dhe auditimit të këtyre dy vendeve, si dhe të bashkohen forcat në zhvillimin e profesionit dhe implementimin sa më të drejtë të standardeve ndërkombëtare të cilat janë të reja si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë.
Kryetar i Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, Nazmi Pllana, tha se me anë të kësaj marrëveshje vendosën themelet për një bashkëpunim afatgjatë në mes të dy shoqatave në fushën e kontabilitetit dhe auditimit. ai po ashtu tha se shoqatat do të punojnë bashkërisht në ngritjen dhe zhvillimin e profesionit të kontabilitetit. “Fushat tjera të bashkëpunimit janë në lëmin e përkthimit dhe interpretimit të dokumenteve dhe publikimeve të ndryshme të FNK-së, si dhe në shkëmbimin e publikimeve dhe materialeve të ndryshme në revistat profesionale në Shqipëri, Kosovë, si dhe në vendet tjera”, theksoi Pllana.

Kurse, Diana Ylli, Kryetare e Këshillit Drejtues të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar të Shqipërisë tha se kjo marrëveshje në është institucionalizimi i një bashkëpunimi disa vjeçar që ekziston ndërmjet organizatave tona. Ky bashkëpunim ka filluar me shkëmbimin e literaturës, trajnimeve të përbashkëta apo pjesëmarrjes së trajnerëve tanë gjatë trajnimeve të organizuara në Kosovë”, theksoi Ylli.

IEKA dhe SHKÇAK janë organizata anëtare të Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (FNK), e cila është një organizatë globale për profesionin kontabël në përbërje të të cilit janë 155 organizata anëtare dhe organizata të asociuara nga 118 vende të botës, që përfaqësojnë 2.5 milionë profesionistë kontabël, misioni i deklaruar i të cilit përfshin shërbimin ndaj interesit publik.

Vazhdon shkyçja individuale nga uji i pijshëm

Njëra ndër synimet e kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, sipas zyrtarëve të saj, është ngritja e standardeve të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, për t`u arritur një gjë e tillë, është më se e rëndësishme, që konsumatorët të paguajnë ujin e shpenzuar. Për këtë qëllim, kompania jonë ka përcaktuar si objektiv kryesorë të saj, ngritjen e shkallës së inkasimit që më pas të bëjë investime në ngritjen e sasisë dhe kualitetit të shërbimeve që ofrojmë.
KRU ”Prishtina” në vazhdimësi ka kontaktuar konsumatorët e saj borxhlinjë, me qëllim të ofrimit të mundësive për shlyerjen e borxheve që kanë ndaj ujësjellësit, në mënyrat më të leha për ta. Përkundër kësaj, një pjesë e konsumatorëve ka shpërfillur kërkesat tona lidhur me pagesën e borxheve të tyre.

Një pjesë tjetër e konsumatorëve të KUR ”Prishtina” iu kanë përgjigjur pozitivisht të gjitha pagesave për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, me ç’rast ne u jemi çdoherë falënderues. “Nga data 1 shkurt 2012, Kompania Ujësjellësi ‘Prishtina’ ka filluar të aplikojë shkyçjen e të gjithë konsumatorëve të cilët nuk i kanë paguar faturat e tyre për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit. Konsumatorët, janë të obliguar që t’i paguajnë të gjitha faturat e papaguara ndaj KUR ‘Prishtina’, në afatin sa më të shkurtër, nëse dëshirojnë të evitojnë shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit, ku ata mund të nënshkruajnë edhe marrëveshjen për pagesën e borxhit me këste”, thuhet në komunikatën e ujësjellësit të dërguar nga zëdhënësja Arjeta Mjeku.

Ka edhe mjaft raste të objekteve të reja, ndërtimeve kolektive në të gjitha zonat e shërbimit nga investitor të ndryshëm, të cilët ende nuk i kanë kryer taksat e legalizimit ndaj kompanisë tone, konform rregullave të Zyrës Rregullatore për ujë dhe mbeturina, andaj ne jemi të detyruar t’i shkyçim ata, deri në përgjigjen e tyre ndaj obligimeve që kanë

Kaos bëhen gati për verë

Anëtarët grupit kosovar të muzikës hip-hop, Kaos, janë duke punuar të sjellin projekte të reja muzikore.
Këtë verë grupi ka paralajmëruar ‘tërmet’ me projektet e tyre më të reja.

Këto ditë Kaos pritet të lansojnë një këngë të re e më pas kanë paralajmëruar edhe albumin e radhës.

Përveç kësaj Kaos janë nominuar në pesë kategori në Video Fest, i cili pritet të mbahet me pesë qershor.

Besnik Çaka demanton lajmin për keqtrajtim seksual

Besnik Çaka, lider i grupit NRG Band, i akuzuar se ka keqpërdorur seksualisht një të mitur, ka thënë se fjalët për këto akuza janë vetëm thashetheme dhe nuk ka asgjë të vërtetë.
Ai madje ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse pasi të kthehet në Kosovë do të paraqesë padi kundër gazetës apo portalit “Jeta Në Kosovë”, përderisa edhe do të vërtetohet lajmi se është apo nuk është e vërtetë.

“Më të vërtetë nuk kam kohë të merrem me thashetheme e, si duket, pseudo gazetarët pa kurrfarë etike të gazetarisë bëjnë kopje pas thashethemeve duke injoruar principin themelor të profesionit, hulumtimin para publikimit të gënjeshtrave”, ka thënë Çaka për Panoramën.

Genta me këngë latino-house


Genta Ismajli i ka përfunduar xhirimet e videoklipit më të ri, që do të jetë një këngë shumë ritmike në bashkëpunim me Dj Blunt dhe Real 1.
 Këngëtarja atraktive këtë herë ka zgjedhur të kombinojë muzikën house me atë latine. Teksti i këngës është shkruar nga Big Basta.

Videoklipi pritet të dalë në treg nga fundi i majit, apo fillimi i qershorit.

Nëse dëshironi të dobësoheni, bëni dush të ftohtë

Dushi i ftohtë çdo mëngjes do të nxisë trupin tuaj që të shkrijë yndyrat dhe kështu dukshëm do të shpejtojë metabolizmin prej 12 deri në 15 orë.
Patjetër duhet të bëni dush në ujë në temperaturë midis 15 dhe 20 gradësh celsius dhe të qëndroni në ujë më shumë se 15 minuta.

Mos “kërceni” menjëherë, por gradualisht, pastaj assesi mos provoni të ngroheni me dush të ngrohtë, në mënyrë që të mos humbni vetëdijen.

Vërejtje: Ndryshimet e temperaturës së trupit mund të ndikojnë përkohësisht në qarkullimin e gjakut. Mos përdorni dushin e ftohtë nëse keni probleme me zemrën, me shtypjen e gjakut apo me diabetin.

Shtatzënia nuk është shkaktar i kariesit

Nuk është e vërtetë se shtatzënia është shkaktar i drejtpërdrejt i kariesit. Nëse dhëmbët kanë qenë të shëndoshë para shtatzënisë, ata nuk do të prishen as gjatë nëntë muajve të tjera të shtatzënisë.
Paraqitja e kariesit gjatë shtatzënësisë është zakonisht si pasojë e ndryshimeve të shprehisë së nënës së ardhshme, para së gjithash lënia pas dore e higjienës orale duke u kujdesur më shumë për frytin, shprehia kah ushqimi i ëmbël, sasia e zvogëluar e kripërave minerale, mungesa e vitaminave, vjellje e shpeshtë, etj.
Të gjithë këta faktorë të përmendur shpijnë deri te ulja e pH (rritja e aciditetit) së pështymës dhe veprimi demineralizues i acidit në smaltin e dhëmbit.
Nëse nëna e ardhshme mban si duhet higjienën e gojës, kjo njëherazi do të shërbejë si motiv që kjo shprehi të përcillet edhe në fëmijën e saj.

Zenbook Prime me Ivy Bridge

Edhe pse informatat rreth Zenbook Prime disa herë rrodhën nëpër kanalet jozyrtar, portativët vetëm tani zyrtarisht u paraqitën për tregun amerikan. Një nga risitë më të mëdha është përdorimi i procesorëve Ivy Bridge të Intelit.
Zenbook Prime është në dispozicion në tri realizime – 11.6-inçësh UX21A, dhe versionet 13.3-inçësh UX31A dhe UX32A (versioni me diskun hibrid). Në të tri modelet mund të zgjidhet ekrani IPS me rezolucion prej 1,920 x 1,080 piksel, dhe me ndriçim prej 350 nit. Portativët zakonisht shiten me ekranet me rezolucion prej 1,366 x 768 piksel, vijnë me touchpad të avancuar, dhe tastierë me hap më të gjatë të tasteve se që ishte rasti më parë si dhe ndriçim të prapavijës. Edhe pse të gjithë portativët janë të pajisur me grafikën e integruar, në dispozicion është edhe modeli UX32VD me grafikën GeForce GT 620M të Nvidias.

Sipas paralajmërimit, çmimet e modeleve 13.3-inçësh në tregun amerikan do të jenë duke filluar nga 1,000 dollarë. Çmimi i modelit më të vogël për momentin nuk është i ditur.

Përjashtohet se vishej si vajzë (Video)

Një nxënës është suspenduar nga një shkollë në Maryland të SHBA-ve, pasi vishte rroba femrash, ndërsa incidenti ka nxitur reagime kontroverse në Qarkun Calvert.
Warren Evans, një biseksual, është përjashtuar nga shkolla e mesme për shkak të shkeljes së kodit të veshjes – duke veshur një fund.

Ai thotë se shkolla ka vepruar në mënyrë diskriminuese ndaj tij dhe se nuk beson që e ka thyer kodin e veshjes.

“Askund në kodin e veshjes nuk thuhet se djemtë nuk mund të vishen si vajza”, ka shpjeguar Evans.

Zyrtarët e shkollës kanë refuzuar të komentojnë rreth përjashtimit, ndërkohë që disa prindër pajtohen me vendimin e tyre duke thënë se është ç’orientuese për nxënësit që një djalë të vishet si vajzë në klasë.

Ukrainaset e zhveshura përpiqen ta vjedhin trofeun e Kampionatit Evropian

Trofeu prestigjioz – të cilin tifozët e futbollit duan ta shohin në duart e përfaqësueseve të tyre në fund të Euro 2012 në Poloni dhe Ukrainë – të hënën mbrëma ka qenë në duart e aktivisteve të organizatës ukrainase “Femen”, e cila lufton për të drejtat e femrave.
Aktivistet i janë ofruar trofeut të ekspozuar në qendër të qytetit ukrainas, Dnipropetrovsk, ndërsa njëra nga to e ka larguar bluzën për të zbuluar mbishkrimin në gjoks: “Fuck Euro 2012” dhe më pas e ka rrëmbyer trofeun.


Derisa sigurimi po intervenonte, një tjetër aktiviste e ka zbuluar të njëjtin mesazh.
Grupi “Femen” nga Kievi është i njohur për aksionet ‘topless’ në luftë për të drejtat e femrave.