Wenger: Kam dashur të nënshkruaj me Ibran

Arsene Wenger ka zbuluar se ai ishte përpjekur të nënshkruajë me sulmuesin e Milanit, Zlatan Ibrahimovic, kur ai ishte lojtar junior.
“Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm. Nëse ju shikoni në rekordin e tij, në atë çfarë ai ka fituar, ai e ka personalitetin e tij të bazuar në një besim të fuqishëm në veten”.
“Kjo është një kualitet i një niveli të lartë që ndonjëherë mund të shihet si vetëbesim i tepruar, por nuk mendoj se ai është kështu, pasi ai shpërthen me paraqitjet e tij në ndeshjet e mëdha”.
“Kjo është arseja se pse besoj se ai ishte në fushën stërvitore të Arsenalit para fillimit të karrierës së tij. Para se të kalonte te Ajaxi, ne ishim të interesuar në të dhe ai arriti të ndërtojë një karrierë të shkëlqyeshme”, ka thënë Wenger.

Fabregas: Bëmë një lojë të mërzitshme

Mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas, thotë se loja e Blaugranëve në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Leverkusen ishte ca e mërzitshme.
Kampioni në fuqi i Evropës shënoi fitore 3-1 në BayArena në ndeshjen e parë të 1/8-tës së finales, dhe Fabregas është i kënaqur me rezultatin, por jo edhe me lojën.
“Mbase kjo lloj loje është ca e mërzitshme, por ne kishim nevojë për një paraqitje të tillë për të na hyrë në punë”.
“Kishte arsye se pse luajtëm kështu në pjesën e parë: ata janë një skuadër shumë fizike. Ata mund ta komplikojnë të gjithë ndeshjen me një kundërsulm, por ne e dominuam situatën. Ne jemi shumë të kënaqur”, ka deklaruar Fabregas për faqen zyrtare të Barcës.

Zubizarreta: Reali mund të rrëshqasë

Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, thotë se ata nuk do të heqin dorë nga Liga, pavarësisht se janë dhjetë pikë prapa Real Madridit.
“Kjo nuk varet nga ne, por ne nuk do të ndalojmë duke luftuar. Ne do ta ruajmë fokusin pasi nëse diçka i ndodhë Madridit, ne duhet të jemi të gatshëm ta shfrytëzojmë këtë avantazh”.
“Real Madridi është një skuadër e fuqishme dhe është e aftë ta ruajë formën e nevojshme për të mbledhur pikët për ta fituar ligën”, ka thënë Zubizarreta.

Seedorf ende shpreson të luajë në Angli

Veterani i Milanit, Clarence Seedorf, thotë se ai dëshiron të luajë në Angli para se të pensionohet.
“Gjithmonë jam i hapur për aventura të reja. Gjithmonë kam dashur të luaj në Angli dhe nuk e di se pse kjo kurrë nuk ndodhi, por gjithçka mund të ndodhë të në ardhmen”, ka thënë Seedorf për MilanNews.
Holandezi pritet të jetë titullar në ndeshjen e sotme të Ligës së Kampionëve, kur Milani pret Arsenalin në San Siro.

Messi: Liga VËSHTIRË të fitohet

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, është i kënaqur me fitoren e Ligës së Kampionëve ndaj Bayer Leverkusen, por pranon se La Liga është jashtë duarve të tyre.
Barcelona pësoi disfatë nga Osasuna të dielën në kuadër të La Ligës, por u rikthye kah fitoret mbrëmë duke mposhtur Bayer Leverkusen në Ligën e Kampionëve.
“Ne duhej ta ndryshonim qasjen tonë. Kjo është Liga e Kampionëve dhe ne e dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë kundër një rivali gjerman. Ishte e rëndësishme ta ndryshojmë qasjen pas asaj çfarë ndodhi në ligë”.
“Liga është bërë shumë e vështirë për ne, por ne do të vazhdojmë deri në fund”, ka deklaruar Messi pas fitores ndaj Leverkusen. 

Ancelotti: Milani superior ndaj Arsenali

Trajneri i Paris Saint Germain, Carlo Ancelotti, mendon se Milani do ta mposhtë Arsenalin në ndeshjen e sotme të Ligës së Kampionëve.
“Futbolli italian ka bërë hapa përpara dhe futbolli anglez nuk është në formë të mirë, që tregon edhe eliminimi i Manchester Cityt dhe Manchester United”.
“Napoli tashmë ka arritur diçka të shënuar duke mposhtur skuadrën e Cityt që është dominuese në Ligën Premier, andaj nuk shoh arsye se përse ata nuk mund ta përsërisin. Mendoj se Milani është superior ndaj Arsenalit”, ka thënë Ancelotti.

Bora vonon tridhjetë kilometrat e reja të autostradës

Tridhjetë kilometrat e reja të Autostradës Vermicë Merdare, të cilat janë parashikuar të kryhen në prag të njëqindvjetorit të shtetit shqiptar, më 27 nëntor, mund të mos jenë gati në kohën e paraparë, për shkak të dimrit të madh.
Ka dy muaj në autostradë punohet me kapacitete minimale, ndërsa gjatë dimrit të kaluar puna nuk ishte ndërprerë fare.
Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka thënë për Koha Ditore, se beson që gjithçka do të shkojë sipas planit, përderisa e ka quajtur vendim të drejtë të ndërtuesit, ndërprerjen e punëve për shkak të motit të lig.
Jemi në gjendje të dorëzojmë punën brenda afateve të premtuara, por do të japim një vlerësim kur koha të përmirësohet, ka shpjeguar zëdhënësja e “Bechtel & Enka”, Ela Ruçi.
Kosovarët e presin me padurim përfundimin e kësaj autostrade, për ta parë një rrugë evropiane në vendin e tyre. 

Qeveria subvencionon me dy milionë euro Termokosin

Pas vështirësive në furnizim me ngrohje, për shkak të mungesë së mazutit dhe kërkesës së Termokosit për të ndihmuar financiarisht nga Qeveria e kovës, kjome fundit ka marrë vendim që ti ndaj dy milionë euro Termokosit.
Ministria e Zhvillimit Ekonomi (MZHE), kaq njoftuar nëpërmjet një njoftimi për media se ngrohtorja e qytetit do të subvencionohet me dy milionë euro, për deri sa Qeveria përmes MZHE-së gjatë këtij viti do të subvencionojë Termokos-in me tre milionë euro. Shumën prej një milion eurove do të paguhet në xhirollogarinë e Termokosit në vjeshtën e këtij viti.
“Nga mjetet e ndara për vitin 2012 me 13 shkurt në llogarinë e Termokos-it janë bartur 1.463,000 euro, ndërsa deri në fund të këtij muaji do të paguhen 540.000 euro, do të thotë se subvencionet vetëm në këtë muaj arrijnë shumën prej 2 milionë eurosh”, thuhet në njoftimit e MZHE-së për media.
Në komunikatë theksohet se edhe pse bëhet fjalë për ndërmarrje publike në pronësi të Komunës së Prishtinës, Termokos edhe gjatë vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës ka marrë subvencione në vlerë prej 1.525.000 euro, prej të cilave, para vitit të ri, në kohën kur kanë filluar ngricat janë paguar 904.000 euro.

Tkurret ekonomia e Eurozonës

Statistikat zyrtare tregojnë se ekonomia e Eurozonës është tkurrur për 0.3 për qind gjatë tremujorit të katërt të vitit 2011, çfarë është rënia e parë e tillë në zonën 17 anëtarësh, në më shumë se dy vjet.
Shifrat tregojnë se Holanda dhe Italia kanë hyrë zyrtarisht në recesion, ndërkohë që Franca ka treguar një rritje të papritur në prodhimin ekonomik.
Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, ka njoftuar po ashtu për një tkurrje të vogël. Këto njoftime vijnë në kohën kur huadhënësit ndërkombëtarë nuk kanë përfunduar ende programin e ndihmës për Greqinë, e cila mund të përballet me falimentim në muajin mars.
Ministrat e Eurozonës kërkojnë më shumë shkurtime dhe garanci nga pala greke.

Jahjaga në “luftë” me korrupsionin

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mbledhur sot atë që tash e tutje do të njihet si Këshilli Kombëtar Kundër Korrupcionit.
Jahjahga tha se ky trup - që në përbërjen vetë do të ketë krerët e të gjitha institucioneve të pavarura, që në një mënyrë apo tjetër e kanë detyrë luftën ndaj kësaj dukurie - do të ketë qellim të hartoj politika dhe koordinoj veprimet në këtë drejtim.
“Nuk do të lejojmë që krimi të jetë më i organizuar”, tha presidentja në fjalën e vet inauguruese.
Më tutje, e para e vendit është shprehur e vendosur që luftën ta vazhdoj deri në çrrënjosjen e plotë të korrupsionit.
Në takimin inaugurues ishin të pranishëm edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryeministri Hashitm Thaqi dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë.
Këshilli do të mblidhet një herë në muaj dhe do të dal me raporte për punën e vet ç do tre muaj.

Kuvendi, me deklaratë kundër referendumit në veri

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, në harmoni me grupet e tjera parlamentare, pritet të nxjerrë një deklaratë të përbashkët për të kundërshtuar mbajtjen e referendumit në veri të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se ky referendum është kundërshtuar nga të gjithë, si nga institucionet e vendit ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.
“Ne jemi dëshmitar që dje ka ndodhur një ngjarje në veri të vendit: mbajtja e një referendumi ilegal, siç është vlerësuar dhe siç është realitet edhe i kundërshtuar nga gjithë faktori ndërkombëtar, por edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë Grabovci, transmeton “Kosovapress”.
“Ne sot ishim në konsulta me gjithë shefat e grupeve parlamentare, prandaj unë këtu, në emër të gjithë grupeve parlamentare, i propozoj kuvendit që të lëshojmë një deklaratë. Ne do të harmonizojmë tekstin dhe do të prezantojmë për të votuar”.
Kjo kërkesë, me votim formal, ka hyrë në pikën e katërt të rendit të ditës.
Seanca është duke vazhduar me deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa më pastaj do të vazhdojë me pyetjet parlamentare. 

BE do të ndihmoj në integrimin e veriut

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka thënë se misioni i BE-së përkrahë Kosovën në rrugën evropiane.
“Për këtë qëllim është vendosur që zyra e Komisionit Evropian në Kosovë të jetë edhe ajo e përfaqësuesit të BE-së për Kosovë”, ka thënë Zbogar gjatë takimit me kryetari e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Sipas tij, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar BE-ja ka ndërmarrë vendime të rëndësishme për Kosovën, përfshirë fillimin e procesit për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet kontraktuale tregtare si dhe proceset tjera që do të vazhdojnë.
Ai e cilësoi të rëndësishme procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe ndihmën që BE-ja është e gatshme ta ofroj në këtë aspekt e që nënkupton integrimin e veriut, përfaqësimin rajonal të Kosovës etj.
Në anën tjetër, Mustafa ka thënë se LDK-ja ka pasur vërejtjet e saja rreth fillimit të procesit të dialogut Kosovë -Serbi, veçmas ndaj aspektit të përgatitjes jo të duhur, agjendës jo të qartë, dhe qasjes jotransparente ndaj Parlamentit dhe opinionit publik. 

Ndihma nga ajri për barinjtë e Restelicës

Pas njoftimit nga banorët lokalë të Restelicës dhe të fshatrave përreth, për pesë barinj të izoluar në vendin e quajtur ”Zlli Potok”, KFOR-i dje ka shpërndarë ndihma nga helikopterët.
 Sipas një njoftimi, Qendra e Situatave e Ministrisë së FSK-së, në bashkërendim me Qendrën e Situatave të Qeverisë, me KFOR-in, banorët lokalë dhe shoqatën ”Nëna Terezë”, arriti të koordinojë gjitha aktivitetet që ky operacion humanitar dhe emergjent të përfundojë me sukses.
Banorët nuk janë më në rrezik, pasi ndihmat e hedhura nga ajri - artikuj ushqimorë dhe gjëra tjera të nevojshme - do t’ua mundësojnë atyre një qëndrim më të gjatë në lokalitetin ku thuhet se janë duke u kujdesur për bagëtitë.
Banorët shprehen mirënjohës për të gjitha institucionet qeveritare dhe joqeveritare të Republikës së Kosovës, për KFOR-in dhe gjithë të tjerët që kontribuuan në këto momente të rënda për ta. 

Kosova si mësim për Sirinë

Bill Clinton, duke reflektuar mbi vendimin e tij për të ndërhyrë në Kosovë, ka shkruar: “Djegia e fshatrave dhe vrasja e të pafajshmëve i takon së kaluarës. E dija se ishte çështje kohe kur vet Miloshevici do t’i takonte, po ashtu, të kaluarës”. Në Siri ne sot shohim se si historia përsëritet. Ngurrimi i bashkësisë ndërkombëtare për të vepruar, po zgjatë mizoritë kundër civilëve sirian, shkruan për “Financial Times”, Radwan Ziadeh, analist i Institut amerikan të Paqes dhe anëtar i opozitës siriane.
Por, situata e Sirisë nuk është shumë e ndryshme nga ajo e Kosovës në fillim të vitit 1998, kur liderët perëndimorë bënin thirrje për përfundimin e dhunës, mirëpo goditja brutale e regjimit serb vazhdonte tutje. Numri i të vdekurve në mesin e shqiptarëve të Kosovës rritej, ndërsa me qindra-mijëra u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre.
Regjimi i Assadit ka adaptuar një politikë të ngjashme me atë të Slobodan Miloshevicit, duke shënjuar popullatën civile në vendet si Homsi dhe Hama. Në këtë moment kritik, kur është e qartë se Bashar al-Assadi nuk do të ndalë vrasjet dhe masakrat, anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare, në kërkimin për të shpëtuar popullsinë siriane, mund të nxjerrin mësime të vlefshme nga Kosova: se çfarë duhet bërë, dhe çfarë nuk duhet bërë.
Përkundër vetos ruse dhe kineze ndaj Rezolutës së Ligës Arabe në KS të OKB-së, ka ende shpresë se diçka mund të bëhet për Sirinë. SHBA ishte në gjendje të ndihmoj në krijimin e një Kosovë të pavarur jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pa humbur asnjë nga ushtar amerikan.
Bashkimi Evropian po debaton për një raund të ri të sanksioneve kundër z Assad dhe miqve të tij. Por, sanksionet, siç e di shumica, janë thikë me dy tehe. Derisa trupat, si BE, kanë punuar për sanksione kundër regjimit, për të kursyer civilët dhe infrastrukturën, regjimi Assad e ka ndërtuar një ekzistencë të izoluar, të ngjashme me atë të Koresë së Veriut. Prandaj, qeveria në Damask ka të ngjarë t’i tejkaloj sanksionet dhe këtë barrë. Gjëja e fundit për të cilën ka nevojë populli sirian - tashmë viktimë e terrorit dhe të shkatërrimit humanitar - është kampanja ndërkombëtare që dobëson më tej ekonominë dhe rindërtimin e bën më të vështirë.
Është e rëndësishme, megjithatë, që komuniteti ndërkombëtar të filloj të gjitha përpjekjet e mundshme për të bërë presion ndaj regjimit të Assadit dhe për të minuar mbështetjen për një status quo. Një strategji e harmonizuar e ndërhyrjes do të dukej si në vijim: Së pari, si në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare - qoftë kjo e misionit të OKB-së dhe Ligës Arabe apo e “Miqve të Sirisë” - duhet të caktoj zona të sigurta që do të mbrohen nga ajri. Një fushatë ajrore do të zvogëlonte rrezikun për akterët e ndërhyrjes. Bashkësia ndërkombëtare, megjithatë, duhet të ndihmojë të përforcojë këto streha, përndryshe i rrezikojnë bombardimet e tyre nga një Assad i pacipë dhe i trimëruar. Mbrojtja ajrore nga një koalicion i tillë mund të përdoret gjithashtu për të mbrojtur korridoret humanitare.
Kritikët e ndërhyrjes shqetësohen se një fushatë e tillë mund të nxisë terrorizmin dhe tensionet sektare në të gjithë rajonin. Opozita siriane, megjithatë, ka pasur pothuajse një vit kohë për ta planifikuar një Siri post-Assade, dhe Këshilli Kombëtar Sirian e ka organizuar veten në një mënyrë të tillë sa për t'iu përgjigjur frikës për grindjet sektare. Së pari, udhëheqja e KKS-së përfshinë anëtarë të çdo grupi etnik dhe fetar në Siri. Ajo ka edhe nga një plan për drejtësi kalimtare. Sekularistët dhe islamikët janë të bashkuar, në emër të krijimit të ardhmes paqësore dhe demokratike për Sirinë.
Frika e tensioneve sektare përhapet në gjithë rajonin, sepse po gabohet në lidhje me ndërhyrjet. Është mosveprimi i bashkësisë ndërkombëtare që kërcënon ta shtyjë Sirinë në luftë të plotë civile, gjë që do të nxiste, ndër të tjera, ndarje në Irak, Liban dhe Jordani. Nëse Siria bie në luftë civile, ashtu do të bie edhe rajoni.
SHBA-të mund të jenë të lodhur nga lufta, por ajo ende mund të bashkohet me anën e drejtë të historisë, duke mbështetur një koalicion ndërkombëtar për të ndihmuar e shpëtuar popullin sirian. Deri tash, civilët sirianë kanë qenë viktima të politikës ndërkombëtare. Tash, vetëm një ndërhyrje ndërkombëtare mund të ndalë mizoritë.

Vazhdon referendumi i serbëve në veri

vazhdon referendumi i serbëve, që ka filluar dje. Në Leposaviq referendumi fillon sot.
 Në këtë referendum, që është hedhur poshtë nga institucionet e Kosovës dhe nga ndërkombëtarët, duke u cilësuar si joligjor, serbët e kësaj pjese të Kosovës deklarohen për raportin e tyre ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.
Thuhet se në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës janë afro 35 mijë votues serbë. Dje në referendum kanë dalë 48 për qind e tyre.

Dacic kërcënon prapë me Rusinë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se Evropa do të bënte gabim të madh nëse Serbia në mars nuk e merr statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
 Duke folur për kushtet që Serbia duhet t’i plotësoj, përkitazi me këtë, Dacic ka thënë se zgjidhja varet nga dialogu me Prishtinën.
Në një intervistë për “Vecernji Novosti”, ai shton se Serbia duhet të insistoj në Rezolutën 1244, për “përfaqësimin asimetrik të Kosovës në forumet rajonale”.
“Nëse BE dhe Amerika nuk i kuptojnë qëndrimet tona dhe vazhdojnë të jenë në anën e shqiptarëve, atëherë është normale të pritet se në pushtet vjen një opsion politik i cili ndoshta do të kthehet kah Rusia”, ka thënë ai. 

Çitaku: Punojmë për 10, për me marrë 6

Kosova është duke e paguar haraçin e krizës së euros, fluksit të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore dhe probleme të tera aktuale të Bashkimit Evropian, thotë ministrja e Integrimeve Evropianeve, Vlora Çitaku, duke shtuar se vendet e tjera të rajonit përfituan nga gjendja e dikurshme më e “relaksuar në shtëpinë evropiane”!
 “Ne duhet të punojmë për një 10-she, në mënyrë që të marrë një 6-she”, ka thënë Çitaku për “Tribuna Shqiptare”.
Ajo vlerëson se Kosova e meriton liberalizimin e vizave dhe integrimin, jo për hir të një detyrimi bazuar në fondamentet morale, por sepse i ka “përmbushur kriteret e kërkuara”.
Ndërsa, premton se pas marrjes së Udhërrëfyesit, brenda një afati rekord “qytetarët tanë do të mund të lëvizin pa viza”, pasi edhe pësimet e vendeve të rajonit janë shndërruar “në mësime për Kosovën”!