Shënohen jubiletë historikë

Në Gllogjan është shënuar 14- vjetori i fillimit të luftës së UÇK-së në Dukagjin dhe 13-vjetori i ndërhyrjes së forcave të NATO-s ndaj caqeve serbe. Pjesëmarrës në këtë tubim ishin përfaqësues të jetës politike në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, përfaqësues të FSK-së, Policisë së Kosovës, shoqata të dala nga lufta, familje të dëshmorëve, përfaqësues fetarë e qytetarë të shumtë.
Në manifestimin e organizuar me këtë rast u tha se lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është duke u dëshmuar si e drejtë dhe se edhe Ramush Haradinaj do të jetë së shpejti i lirë në Kosovë dhe në familjen e tij.
“Na bashkoi sot kjo datë në këtë vend të trimave dhe traditës së lashtë shqiptare, përvjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare në Dukagjin, dhe nderimi i përjetshëm dëshmorëve të rënë në altarin e lirisë, na bashkoi 24 marsi, dita e bashkimit të armëve të lirisë me NATO-n”, tha Jakup Krasniqi, kryetar i Parlamentit të Kosovës, raporton Koha.net.
Ai gjithashtu tha se drejtësia ndërkombëtare dy herë në Hagë dhe në Prishtinë, së fundmi, dëshmoi se gjuetia e shtrigave mbi ushtarët e Ushtrisë së Kosovës, ishin dhe janë të padrejta, dhe të motivuara politikisht.
“Ndërsa ekstradimi i Shemsi Nuhiut nga Zvicra tek autoritete e Beogradit dhe me fletëarrestin e shpallur për Fatmir Limajn e të tjerët, janë dëshmi që pasqyrojnë pafytyrësinë e politikës së Beogradit ndaj popullit shqiptar”, tha kryeparlamentari Krasniqi, duke shtuar se këto dhe shumëçka tjetër i flasin politikës sonë se si duhet biseduar me qeveritarët serbë dhe a duhet biseduar në vazhdimësi me kriminelët e qeveritarëve të Beogradit.
Edhe numri dy i qeverisë, Hajredin Kuçi, shprehu besimin se Haradinaj së shpejti do të jetë i lirë.
“Sa herë që përmenden ngjarjet e tilla, na bien në mend protagonistët e atyre ngjarjeve, ndërsa sot këtij tubimi i mungon kryeprotagonisti Ramush Haradinaj, por ne dhe e tërë bota demokratike i beson luftës së shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe se Ramushi do t’i bashkohet familjes dhe Kosovës, duke punuar bashkërisht në angazhimet e reja për ta bërë Kosovën krenare, krahas shteteve të tjera dhe rrugën drejtë integrimeve euroatlantike”, tha zv/kryeministri Kuçi.
Ndërsa Ahmet Isufi,nënkryetar i AAK-së, tha se sot e kujtojmë datën që ka kuptim dhe rëndësi të dyfishtë për lirinë tonë, ditën kur nisi lufta e hapur në Dukagjin në vitin 1998, dhe ditën kur një vit më vonë pushkëve të lirisë ju bashkuan aeroplanët e NATO-s.
Sipas Isufit, në vazhdën e shumë sakrificave të rënda të bijve të UÇK-së, ajo më e rënda ishte e Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj. 

AAK-ja e kujton Epopenë e 24 Marsit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kujton me respekt Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të 24 marsit 1998, betejën e parë të hapur kundër forcave pushtuese të Beogradit, në Zonën e Dukagjinit dhe ndërhyrjen e forcave të NATO-s në mbështetje të popullit të Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në përvjetorin e 14-të të kësaj Epopeje, AAK-ja i kujton me respekt të gjithë dëshmorët e kombit dhe të rënët, që me jetën dhe guximin e tyre e shënuan atë ditë të madhe të përpjekjeve tona për liri e pavarësi.
“AAK, në prag të 24 Marsit e kujton, me respekt dhe falënderim për të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë dhe forcat aleate të NATO-s, në krye me SHBA-të, 13-vjetorin e ndërhyrjes së tyre kundër regjimit kriminel të Milosevicit dhe në mbështetje të përpjekjeve të popullit tonë për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar e qytetar”, thuhet në komunikatë.
AAK-ja konsideron se synimet e përpjekjeve dhe të sakrificës së popullit tonë për liri dhe pavarësi, “nuk janë realizuar ende” dhe fton për angazhim dhe mobilizim më të madh në mbrojtje të vlerave tona të lirisë, të cilat edhe sot po cenohen nga qarqe të caktuara, që burimin e kanë në Beograd dhe te mbështetësit e tij. 

Kosova rrezikohet me ndarje

Lëvizja Vetëvendosje është kundër çfarëdo zgjedhjesh serbe në Kosovë dhe shpallja e tyre nga ana e Serbisë tregon se kjo e fundit nuk e ka ndërmend ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës, ka thënë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Shpend Ahmeti, nënkryetar i parë i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ahmeti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje që nga fillimi ka deklaruar se është kundër mbajtjes së zgjedhjeve, qofshin ato lokale apo parlamentare, të Republikës së Serbisë në Kosovë, për shkak se ajo është shkelje e rëndë e integritetit institucional dhe territorial të Republikës së Kosovës.
“Arsyetimi se gjoja zgjedhjet parlamentare mund të mbahen, sepse ka serbë këtu që kanë shtetësi të dyfishtë, do të ishte i mundur vetëm në rrethana normale, kur Republika e Serbisë e njeh shtetin e Kosovën dhe i thotë Kosovës se i kam disa shtetas që jetojnë në Kosovë dhe a do të mund të na ndihmoni që të organizoni zgjedhje që ata të marrin pjesë”, tha ai, duke potencuar se Republika e Kosovës, me asnjë kusht, nuk duhet të pranojë që të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.
Duke folur për mundësinë e evoluimit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në bisedime politike, Ahmeti ka thënë se dialogu ka qenë politik që nga fillimi dhe tani po shtohen zërat, sepse po vjen në radhë një diskutim tepër i rëndësishëm për veriun e Kosovës.
“Të gjitha argumentet po tregojnë se strategjia e Serbisë dhe një pjese të bashkësisë ndërkombëtare është që të shkohet drejt një dialogu për veriun. Rreziku është tepër i madh, sepse nuk rrezikohet Kosova me ndarje, por rrezikohet me një autonomi speciale për veriun, e cila çon drejt ndarjes etnike të Kosovës dhe një shteti jofunksional”, ka thënë Ahmeti. 

Thaçi inspektoi autostradën

Gjatë inspektimit të punimeve në segmentin e pestë të autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdarë, në rajonin e Malishevës, kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova ka punuar shumë për të arritur deri te ky moment. Ndërkaq rrugën e kombit e ka quajtur si projektin më madhështor dhe modern të realizuar në Kosovë, duke thënë se kjo është rruga integrimit, rruga që vendin tonë do ta shpie në BE dhe NATO.
Me këtë rast kryeministri Thaçi ka kujtuar edhe momentin e 13 vjetëve më parë kur forcat e NATO-s filluan sulmet mbi makinerinë e luftës serbe.
“Ne sot si Kosovë, kemi një datë të veçantë, është 24 marsi ku 13 vjet më herët filluan bombardimet e NATO-s kundër ushtrisë, policisë dhe caqeve serbe në Kosovë. 13 vjet më herët ne përjetonim një rrethanë të mbijetesës si vend dhe popull, por e fituam atë betejë. Dje, pra punuam shumë për çlirimin dhe lirinë e Kosovës dhe sot kjo është pamja më e mirë këtu ku jemi se po punojmë shumë për ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës”, ka thënë ai.
Pasi është njoftuar për punën që është duke u bërë në këtë segment nga përfaqësuesit e konsorciumit Bechtel-Enka, kryeministri ka thënë se është i impresionuar me punën që është duke u bërë në ndërtimin e rrugës së kombit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i kryen të gjitha obligimet e veta që dalin. Katër km që kanë mbetur më herët ne seksionin e 4 do të përmbyllen gjatë muajit qershor, ndërsa këtu jemi në seksionin e 5-të, të cilin planifikojmë ta përmbyllim në fund të nëntorit”, ka thënë ai.
Seksionet tjera nga aeroporti në drejtim të Fushë Kosovës përreth Prishtinës në drejtim të Besisë, sipas kryeministrit do të fillojnë në gusht të këtij viti, duke premtuar se viti 2013 do të jetë viti kur do të përmbyllet i gjithë procesi i kësaj autostrade. 

Gratë deputete, mirënjohje për Jahjagën

Për angazhimin dhe punën e saj, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u nderua me mirënjohje nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës. Në emër të Grupit të Grave Deputete mirënjohjen presidentes Jahjaga ia ndau deputetja Teuta Sahatçija, e cila tha se mirënjohja i ndahet Presidentes për përgjegjshmëri, maturi e kujdes për shtetin dhe qytetarët, thuhet në kumtesën e lëshuar nga kabineti i Presidentes.
“Për angazhimin tuaj për rastin si ai i rrezikimit të kuotës gjinore, të emërimit të ambasadorëve, për përkrahje të javës së gruas e shumë gjëra të tjera, dëshirojmë t’ju falënderojmë dhe të shprehim respektin tonë me një mirënjohje”, tha Sahatçija.
Mirënjohja e Grupit të Grave Deputete Presidentes Jahjaga iu dha në përmbyllje të Javës së Gruas, të organizuar nga NDI (Instituti Demokratik Kombëtar) në bashkëpunim me Grupin e Grave Deputete dhe në mbështetje të USAID.

Duke i falënderuar Grupin e Grave Deputete për mirënjohje Jahjaga tha se atë e ndanë së bashku me to dhe me të gjitha gratë në Kosovë.
“Këtë çmim e pranoj si shtytje dhe inkurajim që të vazhdoj punën time për të përmirësuar pozitën e gruas në shoqërinë tonë, sepse asnjë shoqëri nuk mund të përparojë pa përparimin e gruas”, tha Jahjaga, pas marrjes së mirënjohjes nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës.

Ranieri: Juve frikësohet se mund ta pësojë humbjen e parë

Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, është përpjekur që ta bartë presionin te Juventusi për supersfiden - Derby d’Italia që zhvillohet të dielën mbrëma në Juventus Stadium.
Nerazzurrët po përjetojnë një sezon mjaft të vështirë, ndërkohë që Bianconerët vetëm fitorja do t’i mbante në garën për titullin e Serie A.
“Në këtë situatë, ndeshja është më e rëndësishme për Juventusin sesa për Interin, prandaj ata kanë më shumë për të humbur”.
“Me një humbje, Juve do të mbetej shumë prapa Milanit në tabelë”.
“Ata, po ashtu, kanë frikë se Interi mund të jetë skuadra e parë që mund t’i mposhtë këtë sezon”, ka thënë Ranieri në një konferencë për media.

Arsenali forcon pozitën e tretë

Me rezultat prej 3-0, Arsenali e ka mposhtur Aston Villan në takimin e zhvilluar të shtunën në Emirates.
Topçinjtë i dhanë fund dilemës për fituesin që në gjysmën e parë kur i shënuan dy gola, ndërsa edhe një herë shënuan në gjysmën e dytë.
Kieran Gibbs (16’), Theo Walcott (25’) dhe Mikel Arteta (90’+2) ia siguruan Arsenalit tre pikë të reja për ta distancuar nga Tottnehami që barazoi pa gola ndaj Chelseat.
Nga ana tjetër, Liverpooli është mposhtur në terren të vet nga Wigan Athletic.
Shaun Maloney (30’) dhe Gary Caldwell (63’) shënuan për mysafirët, ndërsa Luis Suarez (47’) realizoi për vendasit. 

Conte: Interi do ta luajë ndeshjen e jetës

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, ua ka tërhequr vërejtjen lojtarëve të tij që të kenë kujdes nga Interi, pasi Nerazzurët do të luftojnë deri në vdekje për të fituar të dielën.
“Interi do të luajë ndeshjen e jetës. Është vërtet një ndeshje që përjetohet thellësisht nga të dyja palët dhe ata duan ta ndërpresin ecurinë tonë të pa mposhtshmërisë pikërisht në stadimin tonë”.
“Sfida me Interin është me rëndësi për të tashmen, por e kaluara nuk më intereson aq. Këto janë pikë të rëndësishme të cilat dua t’i fitoj dhe kemi nevojë për përkrahjen e tifozëve”, është shprehur Conte. 

Barazon Chelsea

Derbi londinez mes Chelseat dhe Tottenhamit ka përfunduar me rezultat të barabartë pa gola 0-0, duke bërë kështu që lufta për vendin e katërt të mbetet ende shumë e hapur.
Ndeshja ishte e shpejtë që nga fillimi, por skuadrat nuk arritën të gjejnë portën, përkundër atraktivitetit në Stamford Bridge.
As inkuadrimi i Fernando Torresit në pjesën e dytë nuk solli asgjë për vendasit, të cilët është dashur të ndahen të kënaqur me këtë barazim.
Tottenhami me këtë barazim mbron përkohësisht pozitën e katërt me 55 pikë, përderisa Chelsea vazhdon të jetë në ndjekje nga vendi i pestë me 50 pikë, tetë javë pa përfunduar sezoni në Ligën Premier. 

Cheryl: Suksesi i “One Direction” falë meje

Bendi i njohur i djemve, “One Direction”, ka hyrë në historinë e muzikës botërore duke arritur vendin e parë në Billboard Charts me albumin debutues, ndërsa ish-juristja e “X Factor”, Cheryl Cole, thotë se ata duhet të jenë falënderues ndaj saj.
Yjet ishin pjesëmarrës të “X-Factor”-it britanik dhe përkundër dështimit për të fituar në këtë spektakël, djemt e udhëhequr nga Zayn Malik kanë bërë tashmë historinë.
“Mos harroni kush vërtet ju ka këshilluar dhe ai nuk ishte Simon Coëell. Jam krenare me ju djema”, ka shkruar Cheryl në Twitter. 

Ricky Martin në Tiranë, për paradën e homoseksualëve

Tashmë pothuajse është e konfirmuar dhe zyrtarisht. Tirana do të jetë nikoqire e një parade të pa zakontë të homoseksualëve më 17 maj, të organizuar nga ambasada “Pink” e ku do të jetë pjesëmarrës edhe pop ylli Ricky martin.
Në Shqipëri sipas ambasadës së lartpërmendur 13 % e popullsisë është homoseksuale dhe vetëm 5% janë të deklaruar si të tillë, ndërsa kjo është arsyeja pse do të organizohet një paradë e tillë, e para e këtij lloji, e ku do të marrë pjesë edhe Ricky Martin, ylli i pop muzikës i deklaruar si homoseksual.
“Jemi shumë të lumtur që ai do marr pjesë, pasi prania e tij do t’i bëjë njerëzit që të kuptojnë që ne nuk jemi ndryshe nga të tjerët. Ne nuk jemi njerëz vulgar, por përkundrazi shume nga ne janë intelektuale, njerëz të shkolluar që kanë ecur përpara në jetë dhe është e padrejte që kundrejt nesh të ekzistojë përbuzja, mungesa e respektit apo fyerjet, është shprehur një i ri që i përket komunitetit gay”, shkruan në komunikatën e ambasadës “Pink”. 

Usher: Albumi i ri i inspiruar nga indianët

Pop ylli amerikan, Usher, e ka zbuluar albumin e tij të ri në një koncert gjatë javës dhe ai thotë se albumi është i inspiruar nga bendet indiane.
Albumi titullohet “The Shanertance”, ndërsa thotë se albumi nuk është tipik standard për stilin e tij, pra nuk i takon kryekëput stilit elektro R&B.
“Shumë fansa mund të mos kenë pritur atë që kam bërë në këtë album”, është shprehur Usher.

Njëmijë vite pritje për shiun e metanit në Titan

Në hënën e Saturnit Titan ekzistojnë vende ku shiu bie një herë në çdo një mijë vite, është konkluzion ky i një hulumtimi të fundit astronomik.
Toka dhe Titani janë botët e vetme në sistemin Diellorë, ku lëngjet bien nga lart në sipërfaqen e fortë – edhe pse në Titan bie metan, e jo ujë. Përllogaritja bazohet në gjetjet e sondave Cassini dhe Huygens rreth furtunave me shi të cilat ndodhën më 2004 dhe 2010.
Dr. Ralph Lorenz paraqiti detajet për punën e tij në Konferencën mbi njohuritë për hënat dhe planetet (LPSC) në Teksas, raportoi të enjten BBC. Titani fascinon me faktin se si është “i njëjtë, por i ndryshëm” nga Toka. Erërat dhe shiu kanë formuar sipërfaqen, duke krijuar kanalet e lumenjve, liqenet, bjeshkët dhe brigjet.
Por, atje hidrokarburet e lëngëta zënë vendin e ujit. Në Titan, temperatura e sipërfaqes ka vlerën mesatare prej -179 C.
“Mund të kalojnë shekuj në mes të dusheve, por edhe kur ndodhin ata, ata deponojnë disa dhjetëra centimetra ose madje edhe metra shi”, tha për BBC Dr. Lorenz nga Laboratori Johns Hopkins për fizikën aplikative (JHUAPL) në Maryland. “Kjo është në përputhje me kanalet e thella të lumenjve të cilat mund ti shohim”, shtoi ai.

Pas 150 vitesh vjen vajza e parë në familje

Asnjë vajzë nuk kishte lindur në familjen Craddock për të paktën 150 vitet e fundit. Trendi i dekadave u thye pasi çifti Simon dhe Mali Craddock mësuan se prisnin të bëheshin me vajzë, e cila erdhi në jetë më 6 mars të këtij viti.
Top Channel raporton se Baby Poppy lindi e shëndetshme dhe e gjithë familja e konsideroi këtë moment si historik dhe të jashtëzakonshëm.
Vajza e fundit që kishte lindur ne familjen e Simonit ishte Frances, motra e stërgjyshit të tij, John në vitin 1866.
"U habitëm shumë kur mësuam se unë dhe Mali do të bëheshim me vajzë. Jemi mësuar në familje që të dëgjojmë se lindin vetëm djem dhe lindja e një vajzë përbën një ngjarje të jashtëzakonshme", ka thënë Simon.
Tani me siguri që e gjithë familja Craddock do ta trajtojë me një përkujdes dhe me shumë dashuri vajzën Poppy, e cila është ‘e bekuara’ mes shumë djemve.

Qeveria Bukoshi nuk i ktheu 60 milionë marka bono

Diaspora shqiptare gjatë viteve ’90, përveç ndihmës së drejtpërdrejt në fondin e trepërqindëshit, ka ndihmuar edhe nëpërmjet blerjes së bonove të emetuara nga Qeveria në ekzil e Bujar Bukoshit. Por, blerësit e bonove nuk u kompensuan asnjëherë.
 Siç raporton gazeta “Kosova Sot” shuma e këtyre bonove ishte 60 milionë marka gjermane. Por, për ish-kryeministrin Bujar Bukoshi kjo nuk paraqet asnjë sekret. Sipas tij, vlera e bonove të atëhershme ishte 500 dhe njëmijë maka gjermane. Ai konfirmon se paratë nuk u janë kthyer blerësve. Sipas tij, bonot nuk janë dhënë për t’iu kthyer në të holla, por të ketë një evidencë që kur Kosova të bëhet shtet të ketë lehtësime në investime për ata bashkatdhetarë që kanë kontribuar.Sipas Bukoshit, ky aksion është zhvilluar në baza legale, në kuadër të aksionit të atëhershëm “Gjithçka për pavarësinë e Kosovës”. Po ashtu, Bukoshi është zotuar se do të bëjë një raport sqarues për fondet e trepërqindëshit.
Kjo vjen pas akuzave për shpërdorim të këtij fondi, të lansuara nga Ibrahim Kelmendi, veprimtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës në Perëndim si dhe ish-anëtarit të kryesisë së LDK-së, Musa Daka.

Tadic: NATO ka bërë krim kundër Serbisë!?

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, nuk e ka ndërmend të kërkoj falje për krimet e shtetit serb kundër shqiptarëve të Kosovës. Në përkujtimin e 13 vjetorit të bombardimeve të NATO-s, ai nuk përmend krimet që ushtria dhe policia serbe kanë kryer mbi mijëra e mijëra civilë të pafajshëm shqiptarë. Përkundrazi, sulmet ajrore të NATO-s të vitit 1999, të cilat shmangën gjenocidin serb kundër shqiptarëve të Kosovës, i cilësoi si “krim kundër një shteti”.
"Vendi ynë është zhytur në shumë lufta gjatë tërë shekullit XX dhe gjithçka që bëjmë në të ardhmen duhet të ndërtohet ashtu që kurrë më të mos futemi në ndonjë luftë”, ka thënë Tadic në Aleksinc.
Sipas tij, përvjetori i sulmeve të NATO-së duhet të shënohet “për të kujtuar të vrarët (serbë - v.j.) dhe për ta shprehur besimin se shteti i Serbisë mund të ngritët në këmbë”.
"Fatkeqësisht, ne nuk mund të kthejmë të vdekurit, por duke i kujtuar mund ta shtojmë në një mënyrë kujtesën e tyre mes nesh”, ka thënë ai, transmeton Tanjug. “Ajo luftë ishte krim kundër shtetit tonë, kundër popullit tonë dhe nuk kam tjetër çka të shtoj”.

PDK me kabinet synon Prishtinën

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë vendimin për ta formuar Kabinetin e Qeverisjes të Mirë për Prishtinën. Për këtë ide, në cilësinë e zëdhënësit të PDK-së ka folur Blerand Stavileci, i cili konsiderohet si kandidat potencial për kryetar të Prishtinës nga radhët e kësaj partie.
Sipas Stavilecit, formimi i Kabinetit ka ardhur për shkak të “qeverisjes së keqe në Prishtinë”. Ai tha se qytetarët e Prishtinës “vite me parë krenoheshin me qytetin e tyre, por sot ata tmerrohen”.
“I gjithë mundi i atyre që kontribuuan për të ndërtuar kryeqytetin ka rënë poshtë, për shkak të mos punës, pasivitetit dhe qeverisje së keqe komunale”, ka thënë ai, duke shtuar se modeli i Kabineti të Qeverisjes së Mirë për Prishtinën është “një model i provuar dhe i dëshmuar i ofrimit të zgjidhjes dhe jo i retorikës së pafrytshme”.
“Kabineti i Qeverisjes së Mirë për Prishtinën do të angazhoj personalitete të dëshmuara, profesionalistë, shoqërinë civile dhe të gjithë të tjerët që kanë ide zhvillimore, jashtë kornizave partiake. Kabineti i Qeverisjes së mirë për Prishtinën do të punoj së bashku me qytetarët dhe do t’i përfshijë ata në të gjitha proceset, diskutimet, debatet dhe proceset e tjera vendimmarrëse”, ka thënë Stavileci, transmeton KP.
PDK më parë, si parti opozitare, kishte themeluar një kabinet të tillë për t’iu kundërvënë qeverisë së koalicionit LDK-AAK.
Komuna e Prishtinës që nga viti 2001 udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Enrique: Do ta shokojmë Milanin

Trajneri i Romës, Luis Enrique, këmbëngul se ekipi i tij ka aftësinë për të shokuar liderin e Serie A, Milanin, me një fitore në San Siro.
Enrique beson se ekipi i tij është në gjendje që të shtunën mbrëma të fitojë ndeshjen e pestë nga shtatë vizitat e fundit në San Siro dhe dyshimet e trajneri romak nuk janë të mëdha.
“Ne mund të mposhtim një ekip si Milani. Por, ne duhet të luajmë në 100 përqindësh, ose të luajmë një ndeshje pa gabime. Fitorja në San Siro do të ishte një ngritje fantastike e besimit, por që të bëjmë këtë duhet të luajmë në një nivel të pa besueshëm”, ka deklaruar Enrique.

Milito: Pirlon do e transferoja te Interi

Sulmuesi i Interit, Diego Milito, thotë se do t’i pëlqente shumë që të luante me yllin e Juventusit, Andrea Pirlo.
“Fuqia e Juventusit ëhstë në organizimin e tyre dhe entuziazmin, më shumë se sa në aspektin individual”.
“Kur e them këtë, atëherë më duhet të shtoj se nëse është ndonjë lojtar që do ta transferoja te Interi, atëherë ai është Pirlo. Ai e bën skuadrën që të luajë mirë”, është shprehur Milito.

Zeman: Nëse thërret Moratti, nuk përgjigjem

Strategu çek, Zdenek Zeman, ka këmbëngulur se edhe nëse presidenti i Interit, Massimo Moratti, e thërret atë në telefon, atëherë ai nuk do të përgjigjet.
Ishte thënë se bosi i Pescaras mund të jetë pasues i Ranierit në fund të sezonit, por përfundimisht duket se çeku ia ka mbyllur dyert vetes për të kaluar te një prej klubeve më prestigjioze në botë.
“Nuk jam dëgjuar me Morattin që nga viti 1994, janë 20 vite prej se ai më ka telefonuar për herë të fundit, por unë në mënyrë të gabuar ndoshta iu përgjigja se po shkoja te Lazio. Ndoshta ai u ofendua dhe kështu nuk jemi dëgjuar më. Nëse më thërret tani? E pamundur... unë nuk u përgjigjem numrave të pa njohur”, ka thënë Zeman.
Interi aktualisht është në vendin e shtatë në Serie A dhe është në rrezik të madh që të humbë vendin e tretë kualifikues në Ligën e Kampionëve, në rast të ndonjë disfate të dielën mbrëma në derbin e Italisë ndaj rivalit të përbetuar, Juventusit.

Nesër “lëvizin” akrepat e orës

Në natën midis të shtunës dhe të dielës, ora shkon 60 minuta përpara. Në orën dy të mëngjesit të së dielës, akrepat duhet të kalojnë në orën tre.
Përllogaritja verore e kohës në Evropë do të vazhdojë deri më 28 tetor, ndërsa kjo bëhet me qëllim që të ketë më shumë dritë gjatë ditës.
Ky sistem është propozuar në vitin 1905, kurse për herë të parë gjerësisht është aplikuar në vitin 1916 si masë kohore ushtarake për kursimin e qymyrit.
Ideja për ndërrimin e orës ka ardhur nga Benjamin Franklin (1706-1790) për të kursyer energji, por askush nuk i dha rëndësi kësaj, meqë industria ishte akoma në fillimet e saj.

Jahjaga: NATO mënjanoi hegjemoninë

Presidentja e Atifete Jahjaga, në përvjetorin e 13 të intervenimit të NATO-s në Kosovë ka thënë se ky përvjetor për Kosovën e ka simbolikën e ndihmës dhe të përkrahjes në momentet më të vështira të historisë.
“Aleanca Veri Atlantike në përvjetorin e saj të 50-të dëshmoi se është e aftë të ndërmarrë operacione të suksesshme në mbrojtje të paqes dhe në mënjanim të hegjemonisë, shtypjes dhe diktaturës”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.
Sipas saj, populli i Kosovës ndien respekt dhe nderim të veçantë për angazhimin e Shteteve te Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
“Duke mbrojtur parimet e lirisë, barazisë dhe demokracisë, dolën kundër një regjimi shtypës në mbrojtje te qytetarëve të pafajshëm, duke vendosur vlerat civilizuese në këtë pjesë të Evropës”, ka thënë presidentja, duke shprehur falënderime për KFOR-in që ndihmoi në ringritjen dhe rindërtimin e vendit, si dhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. 

Serbia nuk heq dorë nga strukturat paralele

Gjasat janë të vogla që të mbahen zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë, thotë i ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic.
UNMIK-u ka deklaruar se zgjedhjet lokale të Serbisë nuk mund të mbahen në Kosovë.
“Jam paksa i befasuar, por pa mbështetje është vështirë të organizojmë zgjedhje, sidomos në jug të Ibrit”, ka thënë Bogdanovic për Kurir.
Sipas tij, Serbia nuk mundet të bëj asgjë “me dhunë”, ndërsa shton se përkundër mos mbajtjes së zgjedhjeve, institucionet e Serbisë do të mbijetojnë në Kosovë.
“Qeveria e re do të emëroj organet të përkohshme”, thotë ai. 

Serbia nuk guxon të mbajë zgjedhje në Kosovë

Një zyrtar amerikan ka thënë se zgjedhjet në Kosovë nuk guxojnë t’i organizojnë as institucionet e Serbisë e as strukturat paralele.
Serbia duhet që me bashkësinë ndërkombëtare të arrijë deri te plani i pranueshëm për qeverinë e Kosovës, përmes të cilit serbët e Kosovës – që kanë shtetësi të dyfishtë – do të kenë mundësi që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, u tha në Departamentin amerikan të Shtetit.
Një zyrtar, identiteti i të cilit nuk dihet, ka thënë se UNMIK-u e ka refuzuar kërkesën e Serbisë që në Kosovë të mbahen zgjedhjet lokale, dhe se kurrfarë zgjedhjes nuk duhet të organizohen - qoftë nga Qeveria e Serbisë apo institucionet paralele serbe në Kosovë, raporton Tanjug.
UNMIK-u dje ka deklaruar dje se rrethanat aktuale në Kosovë nuk lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe, ndërsa Beogradi vazhdon të deklarohet se do të vazhdojë kontaktet me UNMIK-un dhe me faktorët tjerë ndërkombëtarë në Kosovë për të “gjetur zgjidhjen për mbajtjen e zgjedhjeve”.

Tripi i Editës – “vizitë zyrtare”

Tripin në Shqipëri që e kanë realizuar gratë e Zyrës së Kryeministrit (ZKM) për 8 Mars, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri e ka “përligjur” si “vizitë zyrtare”, duke e bërë secilën prej këtyre grave përfituese të tri mëditjeve për kokë, ndonëse ato vetëm kanë shëtitur.
Kabineti i saj mëton t’ia gjuajë dikujt tjetër këtë mëkat, raporton Koha Ditore.
Visar Xani, zëdhënës i Tahirt ka pranuar se Edita Tahiri kishte firmosur një kërkesë që gratë e ZKM-së të vizitonin Shqipërinë për 8 Mars. Xani ka thënë se vendimi i Tahirit është konform një vendimi të mëhershëm të kryeministrit dhe të kërkesës së sekretarit të përgjithshëm të ZKM-së, për lejimin e saj.
ZKM-ja ka përgënjeshtruar Xanin dhe ka premtuar se të hënën do t’i publikojë shkresat.
Një burim brenda ZKM-së i ka thënë gazetës se ka qenë pikërisht sekretari që ka refuzuar të nënshkruante një shëtitje që i ishte kërkuar. Kjo ngaqë “vizitat turistike” nuk do të mund të kualifikoheshin si “vizita zyrtare”. 

Schwrtz: Amerika do të ndërhyjë në veri

Gazetari amerikan Stephen Suleyman Schwartz thotë se Kosova është nën imperializmin e Bashkimit Evropian, të EULEX-it, UNMIK-ut, të agjencive të huaja që përbëhen prej njerëzve të patrajnuar e të papërvojë.
“Ata marrin vendimet. E kjo asht absurde. Ata duhet ta lejojnë Kosovën, Republikën e Kosovës, të drejtohet prej kosovarëve”, thotë Schwartz për Rrokum TV, duke theksuar se duhet dhënë fund ndërhyrjes që ai e quan “Mafia Humanitare Ndërkombëtare”.
“Ata nuk janë njerëz të mirë”, shton Swchartz.
Kur është fjala te problemi i veriut të Kosovës, gazetari amerikan thotë se problem është Evropa Perëndimore që “haptazi po firmos me serbët”.
“Ata simpatizojnë serbët”, thotë Schwartz, sipas të cilit nëse situata përkeqësohet, SHBA-të do të ndërhyjnë. “Nëse Serbia shtyn në veri, SHBA ka me reagua për me e tërheqë Serbinë”. 

Jahjagës ia shkruajnë fundin

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mund të nisë numërimin e ditëve që i kanë mbetur në krye të shtetit.
Komisioni për ndryshime kushtetuese ka propozuar që ajo të qëndrojnë në zyrë deri në zgjedhjen dhe betimin e Presidentit të ri, raporton Express.
Kjo duhet të ndodhë brenda gjashtë muajsh, pasi të miratohen ndryshimet kushtetuese. Juristi Dastid Pallaska ka paralajmëruar se shkurtimi i mandatit mund të shpallet antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese si dhe të nxisë krizë të re.
“Unë besoj se kjo do ta prodhojë një krizë kushtetuese për arsye se kjo bie ndesh me një mandat demokratik që i është dhënë”, ka thënë Pallaska për Klan Kosova.
Por, me këto konstatime nuk janë pajtuar shumica e anëtarëve të Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese. Arsim Bajrami i PDK-së dhe Arben Gashi i LDK-së kanë deklaruar se nuk do të ketë probleme me mandatin e presidentes aktuale, pasi ndryshimet kushtetuese janë bërë mbi marrëveshjen e liderëve dhe mbi Rezolutën e Kuvendit.
Anëtarja tjetër e Komisionit, Vjosa Osmani, thotë se mbetet në dorën e Presidentes të vendosë se si do të largohet nga posti më i lart shtetëror. Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, thotë se shkurtimi i mandatit është antikushtetues.
Nëpërmjet zëdhënësit Arbër Vllahiu, Presidentja ka thënë se do të flasë vetëm atëherë kur të kryhen procedurat.

Planifikohet takimi Thaçi-Tadic

Në takimet dhe bisedat e shpeshta që ka pasur presidenti i Serbisë, Boris Tadic, me shefen për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, një nga premtimet e bëra nga lideri serb ka qenë relaksimi i marrëdhënieve me Kosovën, në rast se ai ndihmohet për të mbajtur pushtetin në Serbi.
Në takime është folur edhe për mënyrën se si Partia Demokratike e Serbisë duhet ndihmuar për të fituar zgjedhjet, në këmbim të shtendosjes së marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kjo dhe gatishmëria e shprehur për takim nga të dy liderët më të fuqishëm në Prishtinë dhe në Beograd, kanë nxitur përfaqësuesit ndërkombëtarë që të planifikojnë takimin Thaçi-Tadic.
Ditorja Zëri, ka marrë vesh nga burime të saj në Bruksel se takimi planifikohet për t’u zhvilluar pas zgjedhjeve të 6 majit në Serbi, ndërsa vendi ka shumë gjasa të jetë Sarajeva, kryeqyteti i Bosnjë e Hercegovinës.

Zbogar në darkë me biznesmenët pejanë

Përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, diplomati slloven Samuel Zbogar, gjatë qëndrimit të tij në Pejë ka takuar edhe biznesmenë të shumtë të Pejës.
Në darkën e organizuar për nderë të vizitës së tij, të pranishëm ishin përfaqësuesit e kompanive “Dukagjini Group”, “Devolli Corporation”, “Elkos Group”, “Gacaferri”, si dhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe ata të Zyrës rajonale të Pejës të Komisionit Evropian për Zhvillim.
Zbogar ka thënë se gjatë mandatit të tij në Kosovë do të favorizojë bizneset vendore si dhe do të mbështes përmirësimin e politikave fiskale në vend.
Gjatë takimit është folur edhe për politikat e CEFTA-s, kredive bankare dhe interesave të ndërsjella, si dhe lëvizjes dhe qarkullimit të lire të mallrave - duke respektuar politikat doganore.
Zbogar ka vlerësuar potencialin e bizneseve vendore, investimet e tyre, tregun e Kosovës për investime të huaja dhe potencialin e rinisë së vendit. Ai ka apeluar për bashkëpunim të ndërsjellët me zyrat rajonale të Komisionit Evropian, ndërsa ka inkurajuar projektet e përbashkëta dhe implementimin e tyre si nga bizneset lokale ashtu dhe nga zyrtarët e KE-së në Kosovë. 

“Messi po e bën nervoz Pelen”

Legjenda argjentinase e futbollit, Diego Maradona, ka deklaruar se debati për Lionel Messin si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave po e bën tepër nervoz legjendën braziliane Pele.
24 vjeçari theu rekordin e Cesar Rodriguez me anë të një hettriku të shënuar ndaj Granadës më herët gjatë javës dhe shumë kanë filluar ta vlerësojnë argjentinasin si futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave. Maradona ka refuzuar që të hyjë në këtë debat, por ka bërë të qartë se Messi po e nervozon Pelen.
“Nuk është për mua që të them kush është më i miri apo më i keqi. Unë gjithmonë kam thënë se duhet ta lëmë Messin të qetë”.
“Mbi të gjitha, gjëja më e mirë në këtë debat për Messin dhe mua është se ekziston një njeri zezak në FIFA që nuk është aspak i lumtur pse Messi po vlerësohet kaq lart”, ka deklaruar Maradona.

Aguero: Nuk po shkoj te Reali

Sulmuesi i Manchester Cityt, Sergio Aguero, e ka përjashtuar mundësinë për të kaluar te Real Madridi, pas spekulimeve se një skenar i tillë po përgatitet për verën e ardhshme.
“Asnjë prej këtyre spekulimeve nuk janë nga unë dhe tifozët e Manchester Cityt mund të sigurohen se jam i lumtur këtu. Së pari, synimi im i madh është ta fitojmë titullin këtë sezon. Më pas dua të qëndroj edhe një kohë të gjatë këtu”.
“Unë jam shumë, shumë i lumtur këtu. Nga momenti që arrita, të gjithë më trajtuan mirë. Është në dorën time që të shpaguaj këtë mirësjellje dhe ndjesi të mirë që kam përjetuar nga të gjithë me anë të paraqitjeve në fushë”, ka thënë Aguero. 

Allegri ka frikë nga Roma

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka besim se skuadra e tij mund të nxjerrë rezultat pozitiv ndaj Romës, por ka pranuar se Giallorosët janë tepër të fortë.
“Roma? Shpresoj se do të fitojmë. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, ata kanë ndryshuar mënyrën e lojës dhe janë mbrojtur shumë mirë në ndeshjet e fundit”.
“Ata mbajnë mirë posedimin në top dhe kur nuk kanë në posedim fitojnë topa. Ata gjithmonë janë të rrezikshëm në sulm dhe kthimi i Tottit paraqet rrezik shtesë. Ne duhet të luajmë ndeshje shumë të mirë, si nga aspekti teknik ashtu dhe nga aspekti i tensionit dhe shpejtësisë”, ka deklaruar Allegri.

Ferguson kërcënon Cityn

Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, i ka dërguar një mesazh Manchester Cityt që të mos fillojë të luajë lojëra mediatike, pasi në këtë rast ai ka shumë ‘armatim’ dhe përvojë.
Ferguson ua ka tërhequr vërejtjen të gjithëve në Ettihad Stadium që kërkojnë të fillojnë lojëra mediatike, duke thënë se ai është i gatshëm në çdo moment.
“Unë kam shumë armatim, mos u brengosni. Ata mund të tentojnë”, ka theksuar Ferguson.
Manchester United ka një pikë më shumë se sa Manchester City në tabelën e Ligës Premier dhe kjo ende pa u zhvilluar dueli vendimtar për titull. 

Mata: Të kemi kujdes nga Tottenhami

Mesfushori i Chelseat, Juan Mata, ua ka tërhequr vërejtjen bashkëlojtarëve që të jenë të vëmendshëm para ndeshjes së tyre ndaj Tottenhamit.
“Do të jetë shumë e vështirë. Tottenhami ka ekip shumë të mirë dhe një menaxher të mrekullueshëm që ka shumë përvojë në Ligën Premier. Ata janë para nesh në kampionat për një arsye – ata kanë qenë më të mirë”.
“Tottenhami ka ekip shumë të kompletuar. Ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj sulmuesve të tyre si Bale dhe Modric. Vetëm pse ata po kalojnë nëpër periudhë të vështirë për momentin nuk do të thotë se do të jetë e lehtë. Të gjitha ekipet e mira kanë kriza. Ne duhet të kemi kujdes mos ecuria e mirë e Tottenhamit rinis sot”, ka potencuar Mata. 

Zidane: Dua të bëhem trajner

Drejtori i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka zbuluar se si do të dëshironte që një ditë të bëhej trajner.
“Herët apo vonë dua të bëhem trajner. Unë dua që të transmetoj diçka, përvojën time për shembull. Kjo është ajo që unë di të bëj më së miri dhe që unë e di më së miri”.
“Por, kam kohë. Unë kurrë nuk kam nxituar, unë nuk kam ambicie personale, vetëm dua të mësoj gjëra. Për këtë arsye duhet të zhvillohen, është evolucion natyral”, ka potencuar Zidane. 

Chiellini: Interi, rivali më i madh

Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka pohuar se Interi mbetet rivali më i madh i Bianconerëve, deklaratë që vjen një ditë para derbit të Italisë.
“Është e vërtetë se në moment, nga pikëpamja mediatike, ndeshja ndaj Interit ka mundur të humbasë karakter”.
“Por, ata janë rivalët tanë më të mëdhenj dhe ne kemi folur shumë në zhveshtore për këtë gjatë javës. Interi këtë sezon është në formë jo të mirë. Ata ishin të fortë, por për momentin ne ndihemi në formë më të mirë se ata. Shpresoj që Juventusi të ndjekë hapat e Inerit, të rikthehet pas një periudhe të vështirë. Shpresoj që këtë sezon të ketë nisur epoka e re për ne”, ka thënë Chiellini. 

Di Matteo: Nuk ka më lëshime

Bosi i Chelseat, Roberto Di Matteo, ka pranuar se ekipi i tij nuk guxon të humbasë të dielën në derbin londinez ndaj Tottenhamit, nëse Blutë dëshirojnë të mbajnë gjallë shpresat për kualifikim në Ligën e Kampionëve.
“Faktori i përvojës do të luajë rol shumë të madh sepse ne kemi lojtarë të cilët janë mësuar të luajnë nën presion”.
“Ekipet po luftojnë për pozitën e katërt dhe ne e kuptojmë rëndësinë e kësaj. Ne duam që të përfitojmë në shtëpi dhe të fitojmë, kështu do të fillonim ringritjen, por edhe nëse ne arrijmë vetëm një barazim, atëherë jemi ende në lojë. Nëse pësojmë humbje, do të jetë e vështirë. Nuk guxojmë të pësojmë humbje”, ka deklaruar Di Matteo.

Wenger premton transfere të mëdha

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka premtuar se do të bëjë tranfserime kualitative gjatë verës, por vetëm nëse sheh lojtarë të denjë.
Wenger thotë se ai do të ketë skuadër tepër të fortë për sezonin e ardhshëm, duke parë rikthimet e Jack Wilshere dhe Abou Diaby, e pa harruar as transferimet e mëdha që Wenger ka premtuar se do t’i bëjë.
“Në numër transferimesh, ne bëjmë pak. Por, në aspektin e cilësisë, sigurisht se do të rrezikonim, nëse gjejmë lojtarë top, top cilësorë. Numri i lojtarëve është 25. Ne kemi shumë lojtarë të cilët janë në huazim dhe të cilët janë lënduar. Këta lojtarë do të kthehen kështu që ne kemi shumë lojtarë, por ajo që na duhet janë nga një lojtar super kualitativ në çdo pozitë”, është shprehur francezi.

Coentrao: Jam profesionist

Mbrojtësi i Real Madridit, Fabio Coentrao, u është përgjigjur kritikave për sjelljet e tij jo profesionale.
“Ishte ditëlindja ime dhe ishte gjë e rastësishme. Unë jam shumë i zhgënjyer me atë që është shkruar në shtyp, sepse askush nuk mund të thotë diçka keq për mua”.
“Unë jam profesionist i shkëlqyer, unë gjithmonë kam dhënë gjithçka për klubet për të cilat kam luajtur dhe nuk është e drejtë që të vë në dyshim gjithçka për një akt të izoluar. Përpos kësaj, është raportuar se po atë natë unë kam bërë shumë zhurmë në shtëpinë time dhe kjo është gënjeshtër totale”, ka thënë Coentrao.

Chelsea, 10 mil. në vit për Guardiolën

Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, është i gatshëm që të sakrifikojë shumë para për të joshur në Stamford Bridge strategun e Barcelonës, Pep Guardiola.
The Sun shkruan se Abramovich është në gjendje që t’i ofrojë super Guardiolës një super kontratë prej 40 milionë funtesh për katër vjet dhe atë pa taksa.
Kjo do ta bënte Guardiolën trajnerin më të paguar në botë, me një pagë prej 10 milionë funtesh neto. Te Barcelona, Pep fiton 8 milionë funte neto.

Konfirmohet edhe lidhja e re e Russell Brand

E dashura e re e Russell Brand ka thyer heshtjen për romancën e saj me komikun britanik, duke e quajtur atë fantastik.
Brand së fundmi është thënë se është në lidhje me Sarah Marshall, por në fakt kjo nuk është e vërtetë, pasi Brand është parë disa herë me modelen hungareze Nikolett Barabas. Aktori e njoftoi modelen me nënën e tij dhe tani Barabas është hapur për lidhjen e tyre në revistën Life & Style.
“Ai është fantastik, aq qesharak. Ai është i bukur. Më pëlqen të jem me të. Ai është fantastik, aq fantastik. Ai është njeri i mirë”, ka theksuar Barabas.
Russell Brand ishte ndarë në nëntorin e vitit të kaluar nga Katy Perry me të cilën kishte një martesë 14 muajshe. Tani Perry është duke u takuar me modelin francez Baptiste Giabiconi. 

Rihanna, lidhje prej dy muajsh me Kutcher?

Rihanna ka dalë nëpër takime sekrete në tetë javët e fundit me ish-bashkëshortin e Demi Moore, aktorin Ashton Kutcher.
24 vjeçarja është parë duke u larguar nga shtëpia e aktorit të mërkurën në mëngjes, teksa takimet e para besohen të kenë qenë në dhjetor, pikërisht kur dhe Kutcher ishte ndarë nga bashkëshortja e tij.
Rihanna qëndroi për katër orë në shtëpinë e Kutcher para se të largohej me veturën e saj të zezë dhe pas spekulimeve për statusin, është The Sun që me anë të një burimi konfirmon gjithçka.
“Gjithçka filloi kur Rihanna dhe Kutcher u takuan dhe shkëmbyen numrat. Më pas ata dërgonin sms dhe aranzhonin takime. Ata madje qëndruan në hotelin Santa Monica disa javë më parë. Ata janë dy njerëz single që po përjetojnë një aferë, kështu që ata po takohen në mënyrë sekrete. Rihanna u ka thënë miqve se ai është qesharak dhe i lezetshëm. Që të dy po kalojnë mirë”, ka thënë një burim.

Kim qesh me incidentin

Kim Kardashian nuk është ndjerë e përulur pas sulmit ndaj saj me miell, në një ngjarje të organizuar në Hollyëood, ndërsa ylli televiziv amerikan madje ka qeshur me atë që ndodhi.
31 vjeçarja ishte ‘pre’ e një sulmi me pluhur të bardhë, e që më vonë është zbuluar të jetë miell, ndërsa e gjithë kjo ndodhi në ngjarjen ku bukuroshja është dashur të promovonte parfumin e saj të ri.
“Jam mirë. Vërtet kam qeshur. U pastrova dhe më pas vazhdova me rrjedhën”, ka theksuar Kim pas incidentit duke shtuar se nuk do të bëjë ndonjë padi për atë që ndodhi.

Të rriturit konsumojnë më shumë pemë dhe perime

Në raport me të rinjtë, të rriturit konsumojnë sasi më të mëdha të karotenoideve, flavonoideve dhe fitonutricientëve të tjerë, të cilët janë të pranishëm në pemë dhe në perime.
Nëse bëhet krahasimi në ushqimin e të rriturve dhe të rinjve, prania e karotenoideve në ushqimin e të rriturve është 20 për qind më e lartë sesa tek të rinjtë. Po ashtu, konsumimi i flavonoideve për 40 për qind është më i lartë, ndërsa marrja e acidit ellagjik është për 80 për qind më e lartë tek të rriturit.
Fitonutricientët janë komponentë bimorë që kanë efekt mbrojtës në shëndet.
Kështu, karotenoidet, sikurse beta-karoteni ose glikopeni, mund të ofrojnë mbrojtje nga kanceri i gjirit, ovariumeve dhe prostatës; flavonoidet, si kvercetina dhe antocianidi, mund ta mbrojnë trurin; ndërsa acidi ellagjik, që gjendet në dredhëza dhe në arra, mund të ndihmojë në luftën kundër disa formave të karcinomës, duke përfshirë edhe karcinomën e prostatës dhe të gjirit.

Foshnjat mësojnë të flasin që në muajin e katërt

Deri më tash linguistët kanë menduar se aftësia e të folurit te fëmijët fillon të zhvillohet nga muaji i 18-të i jetës. Mirëpo një hulumtim më i ri i Institutit “Max Planck” nga Leipzigu ka treguar se foshnjat shumë më herët fillojnë të përvetësojnë rregullat e ndonjë gjuhe.
Shkencëtarët i kanë lëshuar fjalë italiane fëmijës katërmujor gjerman, ndërsa me anë të EEG-së është vërejtur se foshnja pas 15 minutash ka mbajtur mend fjalinë dhe ka filluar të reagojë.
Deri më tani linguistët kanë pohuar se aftësitë njohëse te fëmijët zhvillohen pas muajit të 18-të, mirëpo ky hulumtim ka treguar se diçka e tillë ndodh dukshëm më herët.
Autorët e studimit thonë se në moshën katërmujore nuk mund të regjistrohen gabimet në përmbajtje, mirëpo është vërtetuar se fëmija reagon në raste të gabimit në shqiptim. 

Torvalds refuzoi Apple

Krijuesi i Linuxit mund të punonte në Apple, por nuk dëshironte diçka të këtillë. Këtë e zbuloi vetë Torvalds në një intervistë që dha për Wired.
Në të vërtetë, diku rreth vitit 2000, Torvaldsit vetë Steve Jobs ia pati ofruar një vend në Apple. Në kompani Torvalds do të punonte në zhvillimin e Mac OS, por po ta kishte pranuar ofertën do të ishte i detyruar që ta ndërpriste punën në Linux. Jobsit kështu ai i tha “jo, faleminderit”, dhe vazhdoi të punoi në platformën open-source.
Torvalds nuk pëlqeu asnjëherë Mac OS-in, më së shumti për shkak të kernelit. Edhe pse çmonte Steve Jobsin, më së shumti për shkak të udhëheqjes së kompanisë gjatë kohërave të këqija, Torvalds mendonte se Apple është nisur në drejtim të gabuar. Në pikëpamje të kontrollimit nga ana kompanisë, ai më herët ka deklaruar se Apple po bën gjëra më të këqija se që do të mund të bënte Microsoft ndonjëherë.
Përkundër faktit se Apple është bërë kompani qendrore në botën e teknologjisë, e Steve Jobs një yll mediatik, Torvalds beson se ka bërë gjënë e duhur. 

Shtiret si femër për 13 vite

Një i pastrehë nga Kalifornia, i cili ia kishte vjedhur identitetin një gruaje, është arrestuar pas 13 vitesh prezantimi të rrejshëm.
I arrestuari me vite të tëra është paraqitur si Perla Serrano, ndërsa është arrestuar pasi i kishte shndërruar jetën në ferr “viktimës” së tij dhe kishte shpenzuar rreth 100.000 dollarë për mjekim.
Arrestimi i 51-vjeçarit ka qenë i rastësishëm kur një polic e kishte parë duke fjetur në një ulëse.
Polici ishte i bindur se bëhej fjalë për një grua, mirëpo kishte filluar të dyshojë kur e ka vërejtur byzylykun e spitalit me emër tjetër.