Lewandowski shkon te United?

Menaxheri i Polonisë, Franciszek Smuda, ka thënë se sulmuesi i Borussia Dortmund, Robert Lewandowski, do t’i bashkohet Manchester United këtë verë.
“Sipas mendimit tim, në një moment ata do të largoheshin nga Borussia [Dortmund]. Lewy po shton te Manchester United, Kuba po ashtu diku në Angli, Piszczek te Real [Madridi]”.
“Ata kanë një qëllim dhe ata duam të zhvillohen. Unë e mbështes ekipin tim në ta”, ka thënë Smuda.

Ribery: Nuk jam shok i mirë me Robben

Franck Ribery thotë se ai nuk është shok i mirë me bashkëlojtarin e Bayern Munichut, Arjen Robben.
Ribery dhe Robben u desh të ndaheshin nga të tjerët pas një përplasje mes tyre gjatë pauzës mes pjesëve në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit në prill.
“Ne nuk jemi miqtë më të mirë në botë. Por ne e respektojmë njëri-tjetrin. Ne jemi krejtësisht ndryshe”, ka thënë francezi për Kicker.

Maradona ka ambicie për ta drejtuar Napolin

Legjenda e futbollit Diego Maradona thotë se ai ka ambicie për ta drejtuar Napolin.
Maradona aktualisht është duke punuar në Lindjen e Meste me klubin Al Wasl.
“Të drejtoj Azurrët në San Paolo është një ëndërr e bukur. Koha do të tregojë. Nga qyteti më mungojnë napolitanët, energjia e tifozëve, dielli dhe dashuria e njerëzve për të cilën kam dhënë aq shumë”.
“A do të qëndroj në karrige për ndonjë ekip tjetër të Italisë? Në zemrën time është vetëm bluja e Napolit. Dhe Napoli fitoi dhe, edhe sot si në kohën time, luftuam kundër Juventusit. Dhe pastaj, tifozët e Napolit janë forcë natyrore”, ka thënë Maradona. 

Menezes: Messi më i miri në botë

Përzgjedhësi i Brazilit, Mano Menezes, ka pranuar se në ndeshjen e të shtunës përballë Argjentinës djelmoshat e tij do të kenë përballë lojtarin më të mirë në botë, Lionel Messi.
Trajneri Brazilian thotë se ata do ta kenë edhe më vështirë pasi Argjentina ka luajtur një ndeshje garuese të vlefshme për kualifikimet për Botërorin 2014, në fitoren përballë Ekuadorit, derisa ata po zhvillojnë vetëm ndeshje miqësore.
“Ne do të luajmë kundër më të mirit në botë. Ai ka aftësi të shkëlqyeshme individuale dhe topi thjesht nuk mund ta arrijë atë me të njëjtën liri që ai pati në ndeshjen kundër Ekuadorit”.
“Një problem tjetër që ne e kemi është se Argjentina tashmë është kyçur në ritmin garues [derisa Brazili ka luajtur vetëm miqësore]. Ne duhet të jemi të përgatitur për një ndeshje të vështirë”, ka thënë Menezes për ESPN Brasil.
Ndeshja miqësore në mes të dy skuadrave më të mira të Amerikës Latine zhvillohet në New Jersey të SHBA-ve me fillim nga ora 21:00 sipas orës evropiane

NBA: LeBron nxehet në Boston

Një mbrëmje e nxehtë nga LeBron James i ka ndihmuar Miami Heat të shënojë fitore bindëse me rezultat 98-79 ndaj Boston Celtics, për ta dërguar sfidën finale të Konferencës Lindore në ndeshjen e shtatë vendimtare.
Seria e ndeshjeve tash është barazuar në 3-3 dhe kampioni i Lindjes do të vendoset të shtunën në ndeshjen e fundit që zhvillohet në Miami, ku Heat tash do të jenë favoritë për shkak të mbështetjes së tifozëve vendas.
James shënoi 45 pikë, po thuajse gjysmën e pikëve të skuadrës së tij, ndërsa kontribuoi edhe me 15 kërcime, 13 prej tyre defensive, dhe me pesë asistime.
MVP i sezonit ishte i saktë në 19 nga 26 tentimet e tij dhe shënoi tre trepikësha. Kjo ishte hera e 10-të në karrierën e tij që James shënon më shumë se 40 pikë në ndeshjet e play-offit, por e para prej dy sezonesh.
Rajon Rando udhëhoqi te Celtics me 21 pikë dhe 10 asistime, derisa Brandon Bass dhe Kevin Garnett regjistruan nga 12 pikë.
Kampioni i Lindjes që do të dalë nga ndeshja e të shtunës, në finalen e përgjithshme të NBA-së do të takohet Oklahoma City Thunder, që mposhti San Antonio Spurs për të marrë titullin e kampionit të Perëndimit.

Giggs: Scholes dhe Xavi më të mirët në 20 vite

Legjenda e Manchester United, Ryan Giggs, thotë se bashkëlojtari i tij Paul Scholes dhe ylli i Barcelonës, Xavi, kanë qenë dy mesfushorët më të mirë në 20 vitet e fundit.
Giggs i ka bërë këto komente duke folur për shpërblimin Shputa e Artë.
“Mendoj se Xavi është i pa fat që është në të njëjtin ekip me Lionel Messi dhe e kanë grushtuar Cristiano Ronaldon. Përndryshe ai (Xavi) mbase ka qenë lojtari më i mirë në botë në tre ose katër vitet e fundit”.
“Ai dhe Scholes kanë qenë mesfushorët më të mirë në 20 vitet e fundit. Mund të jetë vështirë të përmendet njëri pasi mund të jetë cilido prej tyre, por mbase Xavi për formën e tij në disa vitet e fundit”, ka thënë Giggs. 

Kompany: Tash duhet edhe më shumë mund

Vincent Kompany thotë se Manchester City duhet të mundohet edhe më shumë për të mbrojtur titullin e Ligës Premier.
Kapiteni i Cityt i ka bërë këto komente në Pekin, gjatë turneut kinez të klubit.
“Të gjithë ne duhet të punojmë fuqishëm për të mbrojtur titullin. Ne nuk mund të ndalojmë me vetëm titullin e Ligës Premier. Ne duam t’i fitojmë edhe garat tjera dhe Ligën e Kampionëve”, ka thënë 26-vjeçari.

Suarez mezi pret të luajë nën drejtimin e Rodgers

Luis Suarez shpreson të luajë një futboll argëtues nën drejtimin e trajnerit të ri të Liverpoolit, Brendan Rodgers.
Suarez ishte plot lëvdata për ish-menaxherin e Swansea edhe pas udhëtimit të Liverpoolit në Liberty Stadium në muajin maj, ndeshje të cilën Redsat e humbën me rezultat 1-0.
“Më duhet të them se Swansea City ishte një befasi e këndshme. Ata gjithmonë përpiqeshin të luajnë futboll me kombinime të pasimeve të shkurta dhe ata nuk shqetësoheshin se në cilën zonë të fushën ishin ose edhe nëse ishte portieri ose sulmuesi ai që kishte topin”, ka thënë Suarez për Marca.

DJ Dalool së shpejti me klip të ri

Dj Dalool këto ditë ka përfunduar xhirimet e videoklipipit të këngës së tij më të re, në bashkëpunim me këngëtarin Andos.
Videoklipi është realizuar nga produksioni EMF dhe është xhiruar në Gjirokastër.
Kënga titullohet “Ti je ajo” dhe së shpejti do të publikohet videoklipi.
DJ Dalool së fundmi fitoi çmim e “21 Plus”, në Video Fest me këngën “Guximi” në bashkëpunim me këngëtaren Genta Ismajli.

Eliza Dushku projekt për Shqipërinë

Aktorja hollivudiane me prejardhje shqiptare Eliza Dushku është duke punuar në projektin e saj dedikuar Shqipërisë.
 Ky dokumentar ka të bëjë me vizitën e saj në Shqipëri gjatë vitit të kaluar. Eliza së bashku me vëllanë e saj Nate Dushku si dhe me të dashurin Rick Fox, kishte vizituar Shqipërinë me ç’rast edhe ishte fascinuar nga bukuritë të cilat ofron ky vend. Për t’i ndarë këto emocione dhe pamje të filmuara gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Eliza ka vendosur që të realizojë një projekt dokumentar dedikuar Shqipërisë.
Projekti në fjalë sipas Elizës është në përpunim e sipër mirëpo i duhet ndihma e të gjithëve për realizimin përfundimtarë të këtij projekti. Çdokush mund të kontribuojë aq sa ka mundësi deri në grumbullimin e 60 mijë dollarëve, shumë e cila kërkohet për ta finalizuar këtë projekt.

Njësh për Elvanën

Elvana Gjata, e cila ka javë që i është përkushtuar spektaklit televiziv “Dancing With The Stars” në garën e mbrëmshme nuk ishte edhe shumë e mirë me vallëzimin e saj.
Kjo performancë e Elvanës me partnerin Gerdi, bëri që kryetari i jurisë, Ilir Shaqiri, t'i japë asaj minimumin e pikëve, vetëm një pikë. Me vlerësimin e mbrëmshëm ajo duket se po i largohet fitores, megjithëse cilësohej si favorite e garës.
Mirëpo Elvana, përveç vallëzimit në pistë, ka një përparësi më të madhe nga garuesit e tjerë - publiku e do atë pa masë.
Edhe vetë këngëtarja ka thënë se beson te publiku dhe mbështetja, pavarësisht paraqitjes së saj në spektaklin e mbrëmshëm.

AGPK ripërsërit kërkesën për heqjen e nenit 37 dhe 38‏

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka prezantuar para Komisionit për legjislacion të Kuvendit të Kosovës kundërshtimin e gazetarëve dhe medieve të Kosovës për nenin 37 dhe 38.
Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Arben Ahmeti ka lëshuar punimet e këtij debati pas prezantimit të qëndrimit AGPK-së.
“AGPK ashtu siç është dakorduar me përfaqësuesit e medieve dhe ka deklaruar disa herë publikisht, ka qenë e gatshme që të argumentojë para komisionit dhe çdo institucioni tjetër të Republikës së Kosovës kërkesën që nenet 37 dhe 38 të hiqen nga Kodi i Ri Penal i Kosovës. Mirëpo, AGPK nuk është e gatshme që të negociojë kërkesën, sepse çdo tendencë për riformulim apo rishkrim të këtyre dy neneve, nuk është gjë tjetër pos përpjekje për të cenuar lirinë e shtypit në këtë vend”, thuhet në kumtesën e AGPK-së, duke i bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të lënë anash garën për merita.
Sipas tyre nenet 37 dhe 38 janë të turpshme, dhe si të tilla, vazhdimi i debatit për to nuk i shërben përfitimit politik të askujt.
“Të dyja nenet cenojnë rëndë Lirinë e Shtypit në Kosovë dhe fundosin demokracinë në këtë vend. AGPK përsërit edhe një herë, se Kodi Penal i Kosovës do të mbetet i papranueshëm për gazetarët dhe mediet derisa përmban këto dy nene”, thuhet në kumtesë. 

Thaçi e Noda pro thellimit të bashkëpunimit Kosovë-Japoni

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e tretë të vizitës së tij në Japoni është takuar me homologun japonez, Yoshihiko Noda. Ky i fundit shprehu përkushtimin e tij dhe të qeverisë japoneze për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy shteteve.
Në njoftimin e Kryeministrisë bëhet e ditur se kryeministri Thaçi falënderoi homologun japonez për mbështetjen që i ka dhënë Japonia Kosovës tash e 13 vite, si dhe shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e popullit të Kosovës për popullin Japonez, pas tërmetit dhe cunamit, që ka goditur Japoninë vitin e kaluar.
Thaçi e informoi kryeministrin Noda për zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës në të gjitha fushat.
“Kosova është një vend i vogël, por i mundësive të mëdha. Ne tani duhet të mbyllim kapitullin e asistencës dhe të hapin kapitullin e zhvillimit dhe investimeve. Kosova ofron mundësi të mëdha për investime sidomos në fushën e minierave, energjisë, bujqësisë dhe turizmit”, është shprehur Thaçi.
Kryeministri Noda falënderoi Kryeministrin Thaçi për vizitën që po i bën Japonisë, si dhe falënderoi Qeverinë dhe popullin e Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin e shprehur pas tërmetit dhe cunamit të vitit të kaluar.
Noda shprehu përkushtimin e tij dhe të qeverisë për thellimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Japonisë.
“Ju jeni takuar me akterët kryesor shtetëror dhe institucional në Japoni dhe vizita juaj paraqet një bazament solid për të thelluar bashkëpunimin në mes të shteteve tona”, ka thënë Noda. 

S’ka koalicione për Kaçanikun

Pas garës për kryetar të komunës së Ferizajt, subjektet politike individualisht do t’i masin forcat edhe në “betejën” për kryetar të komunës së Kaçanikut më 17 qershor. Asnjëri nga subjektet garues nuk e ka ndërmend të bëjë koalicione parazgjedhore, duke synuar fitore në forca të veta
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besim Ilazi, ka thënë për “Epokën e re” se PDK-ja nuk do të bëjë koalicion me asnjë subjekt politik, pasi ajo ka koalicion vetëm me qytetarët.
“As që kemi menduar për ndonjë koalicion të mundshëm, pasi ne jemi në koalicion të përhershëm me qytetarët e Kaçanikut. Prandaj, jemi të bindur në fitoren tonë edhe në Komunën e Kaçanikut. Mbetet të shihet rezultati më 17 qershor, mirëpo PDK-ja dhe unë synojmë që qysh në raundin e parë ta fitojmë mandatin për ta qeverisur edhe më tutje këtë komunë”, ka deklaruar Ilazi.
Edhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të kësaj komune, Sahit Bela, synon t’i fitojë zgjedhjet e 17 qershorit. Ai ka thënë se këtë herë qytetarët e Kaçanikut do ta votojnë ofertën e LDK-së, prandaj koalicionet i sheh të panevojshme.
“LDK-ja do të garojë si subjekt i vetëm politik, prandaj nuk ka menduar dhe nuk do të bëjë asnjë koalicion. Oferta dhe motoja jonë për qytetarët e Kaçanikut është punë dhe ndershmëri. Pra, konsiderojmë se LDK-ja nuk do të ketë nevojë për koalicione, pasi qytetarët do ta përkrahin ofertën tonë e cila është mjaft serioze dhe në të mirë të qytetarëve”, ka deklaruar Bela.
Edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! (VV), Shukri Luta, koalicionin e vetëm e sheh me qytetarët e komunës së Kaçanikut.
“Lëvizja Vetëvendosje! dhe unë, kandidati i saj për kryetar të Komunës së Kaçanikut, kemi koalicion me qytetarët e jo me subjektet politike. Absolutisht as që kemi menduar për ndonjë koalicion me ndonjë subjekt politik për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Kaçanikut”, ka thënë Luta, duke besuar në fitoren e tij dhe të Vetëvendosje!-s qysh në raundin e parë të zgjedhjeve.
Për dallim nga partitë e tjera, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në zgjedhjet e 17 qershorit do ta këtë mbështetjen e LDD-së, si dhe shpreson në përkrahjen e elektoratit të AKR-së.
“Nuk kemi biseduar dhe nuk e kemi ndërmend të bisedojmë me partitë e tjera për koalicionet parazgjedhore pa përfunduar raundi i parë i zgjedhjeve. Megjithatë, dyert e AAK-së janë të hapura për të gjithë ata që janë të interesuar. AAK-ja garon e vetme në zgjedhjet e 17 qershorit. Nuk kemi koalicion me asnjë parti, mirëpo kemi mbështetje nga LDD-ja. Po ashtu, besojmë në përkrahjen e elektoratit të AKR-së, pasi ish-lidershipi i kësaj partie në Kaçanik tashmë ka kaluar në partinë tonë. AAK-ja dhe unë i kemi hyrë garës për të fituar qysh në raundin e parë të zgjedhjeve”, ka thënë kandidati i AAK-së për kryetar të komunës, Tahir Çaka.
Qytetarët e komunës së Kaçanikut do t’u drejtohen kutive të votimit për ta zgjedhur kryetarin e tyre më 17 qershor, pasi ish-kryetari Xhabir Zharku është dënuar me 3 vjet burgim për vepër penale. 

Zbogar: Liria e lëvizjes nuk guxon të pengohet

Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar ka thënë se është i shqetësuar për situatën aktuale në veri të Kosovës, por ka ripërsëritur qëndrimin e BE-së se nuk guxohet të pengohet e drejta për liri të lëvizjes.
Ai ka shprehur keqardhje për incidentet, në të cilat pati edhe të plagosur.
“Për sa i përket lirisë së lëvizjes, BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare gjithherë kanë qenë të qarta që ajo është e drejtë që nuk guxon të pengohet. Kjo nuk është asgjë e re”, ka thënë Zbogar, për mediet serbe, raporton RTK.
Më 1 qershor në përpjekjet e KFOR-it për të hequr barrikadën në fshatin Rudar në komunën e Zveçanit, nga të shtënat me armë zjarri të grupeve kriminale serbe, janë plagosur dy ushtarë të KFOR-it dhe katër serbë.

Kuçi: Kemi kaluar nëpër një histori aspak të drejtë

Gjykata Ndërkombëtare Penale paraqet një instrument të rëndësishëm për të vënë para përgjegjësisë të akuzuarit për krime lufte në të gjithë botën, mirëpo kjo gjykatë paraqet po ashtu një goditje shkatërruese në kulturën e gjatë të mosndëshkimit që drejtuesit dhe planifikuesit e krimeve ndërkombëtare kanë gëzuar për një kohë shumë të gjatë.
Kuçi këto deklarata i bëri në konferencën “Republika e Kosovës dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale”, e organizuar nga Fakulteti Juridik i UP-së, Friedrich Ebert Stiftung, ICLS dhe IRZ.
Duke folur për ndëshkimin e përgjegjësve për krime lufte, ai tha se Gjykata Ndërkombëtare Penale paraqet një instrument të rëndësishëm dhe të besueshëm për të vënë para përgjegjësisë të akuzuarit për krime lufte në të gjithë botën.
Sipas tij, populli dhe institucionet e Kosovës kanë treguar në vazhdimësi korrektësinë e tyre për sa i takon bashkëpunimit me Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.
“Që nga viti 1999, ne kemi treguar çdo here forcën tonë morale dhe ligjore për t’iu përgjigjur secilës kërkesë të Tribunalit, qoftë për hetime ose për bashkëpunim tjetër. Por, në këtë rast Gjykata Ndërkombëtare e Penale paraqet një goditje shkatërruese në kulturën e gjatë të mosndëshkimit që drejtuesit dhe planifikuesit e krimeve ndërkombëtare kanë gëzuar për një kohë shumë të gjatë”, theksoi Kuçi.
Ai më tej u shpreh se Gjykatat e Nurembergut, Tokios, Ish-Jugosllavisë dhe Ruandës, treguan se krijimi i një Gjykate Ndërkombëtare Penale është i domosdoshëm, për vetë operimin e saj në praktikë.
Sipas tij, ekziston bindja e përgjithshme se tashmë, shumë shtete besojnë se Gjykata do të jetë një mekanizëm i aftë në të vërtetë dhe të shndërrohet në një trupë jo politike, të drejtë dhe të paanshme.
“Ne si shoqëri kemi kaluar nëpër një histori aspak të drejtë dhe të hidhur. Jemi me shumë fat që ajo ka përfunduar dhe tash e shumë vite ecim të lirë në vendin tonë, ndonëse nuk duhet asnjëherë të refuzojmë që të kthejmë kokën prapa për të parë atë që ka ndodhur, si ka ndodhur dhe më me rëndësi të zbulojmë se çfarë të bëjmë tash e tutje që kjo të mos ndodhë më asnjëherë. Prandaj, konsideratë e veçantë do t’i jepet bashkëpunimit me mekanizmat ndërkombëtar të Drejtësisë. Aktualisht Republika e Kosovës po përballet me një fazë kalimtare, e cila do të shpijë nga pavarësia e mbikëqyrur tek ajo e një shteti plotësisht sovran, prandaj edhe bashkëpunimi ynë ndërkombëtar do të intensifikohet fuqishëm”, deklaroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
Sipas tij, ashtu siç Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka legjitimuar edhe ‘’de jure’’ pavarësinë e Kosovës me opinionin e saj këshillëdhënës, dhe për të cilën populli i Kosovës nuk ka pasur mëdyshje asnjëherë, Republika e Kosovës çdo herë është e gatshme për të provuar se autoriteti moral dhe juridik i Konventave ndërkombëtare të cilat mbrojnë njerëzimin anekënd botës, është forca kryesore e sigurimit të një bote të lirë pa dhunë dhe konflikte.

Kryeziu: Jo pazar për veriun

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, ka kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve shtetërore t’u shmangen pazareve për zgjidhjen e problemit të veriut. Kryeziu ka thënë se pakoja e Ahtisaarit është oferta më e mirë për serbët që jetojnë në veri.
Në një prononcim për “Epokën e Re”, Kryeziut nuk i ka pëlqyer aspak ideja për krijimin e një qeverie teknike, e cila do të merrej me çështjen e veriut të Republikës së Kosovës.
“Është shumë më mirë që për zgjidhjen e çështjes së veriut të merret qeveria aktuale. Askund në botë qeveritë teknike nuk përmenden për të mirë. Qeveria aktuale e ka mandatin të merret me problemet që i preokupojnë qytetarët edhe në veri, pavarësisht se kjo Qeveri ka ardhur në pushtet me disa manipulime dhe vota të vjedhura”, është shprehur Kryeziu, duke shtuar se ndoshta Qeveria aktuale është duke pasur frikë nga ky proces.
“Ndoshta Qeveria po tutet të marrë përgjegjësi në veri, apo më mirë është t’i pyesni ata”, ka deklaruar Kryeziu.
Sipas tij, për çështjen e veriut të Kosovës ka nuanca të llojllojshme, por praktikisht dokumenti gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisaari është oferta më liberale e mundshme në demokracitë evropiane.
“Sa i përket argumentimit të këtij dokumenti mua nuk do të më pengonte të bisedoj me këndo, por nuk do të pranoja të bëja pazare. Prandaj, në këtë kontekst nuk duhet të bëhet kurrfarë pazari me veriun, sepse është pjesë e pandashme e territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kryeziu.
Në këtë kontekst, anëtari i Kryesisë së LDK-së ka vlerësuar se për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës duhet të merret Qeveria aktuale. 

Maxi mohon largimin nga Liverpooli

Mesfushori i Liverpoolit, Maxi Rodriguez thotë se ai do të vazhdojë të luajë për skuadrën angleze.
Anësori argjentinas së fundi është lidhur me një largim në Anfield, pas sukseseve të dobëta dhe ndryshimit të shpeshtë të menaxherëve nga ana e klubit.
“Nuk e di se prej nga vijnë këto. Unë kam edhe një vit të mbetur në kontratën time te Liverpooli dhe nuk kam biseduar me askënd”, ka thënë Maxi për Ole.

Sharapova kthehet në majen e tenisit

Maria Sharapova ka mposhtur Petra Kvitovan për të arritur në finalen e French Open, me ç’rast ajo ka siguruar dhe pozitën e parë në ranglistën botërore.
Rusja mposhti Kvitovan me rezultat 6-3 dhe 6-3 për të arritur kështu pos finales edhe ngjitjen në vendin e parë të ranglistës së tenisteve më të mira në botë.
Sharapova do të ketë rastin për të kompletuar grand-slamin e parë të karrierës së saj ndaj Sara Erranit.

Interi ofron Maicon për Kolarov dhe De Jong?

Manchester City duket të ketë ringjallur interesimin për mbrojtësin e krahu të djathtë të Interit, Douglas Maicon.
Interi është duke përgatitur që të testojë Manchester Cityn për Nigel de Jong dhe Kolarov, ndërsa arma më e mirë është Maicon.
Mediat angleze raportojnë se City do të mund të kërkojë Maiconin, sidomos pasi agjenti Antonio Caliendo tha se me shumë gjasa braziliani do të lë Interin.

Galliani nën presion nga Berlusconi

Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani është nën presion nga zyrtarët e klubit Rossoner për shkak të telasheve të mëdha financiare.
Corriere della Sera shkruan se Silvio Berlusconi është i nevrikosur në Gallianin për shkak të refuzimit të ofertës prej 40 milionë eurosh nga PSG për Zlatan Ibrahimovic, ndërsa po ashtu refuzoi largimin e Robinhos, i cili ka pagë të majme.
Tensioni arriti kulminacionin kur Berlusconi i tha vajzës së tij Barbaras, që tani është pjesë e bordit të Milanit, se ajo duhet të marrë në dorë kontratat e lojtarëve. Edhe vëllai i Barbaras, Piersilvio Berlusconi pritet që të marrë një post të lartë në klub për shkak të aktivitetit të pa suksesshëm të Gallianit.
Milani është duke vuajtur që të mbajë yjet më të mëdha në ekip, për shkak të problemeve të mëdha financiare me të cilat po ballafaqohet klubi nga San Siro.

United, 22 milionë për Modric

Mancheseter United është duke tentuar sërish që të transferojë mesfushorin e Tottenhamit, Luka Modric.
Mirror shkruan se United do të testojë Tottenhamin me një ofertë prej 22 milionë funtesh.
Mesfushori kroat është që një kohë të gjatë në syrin e Sir Alex Ferguson, por se vetëm tani ka vendosur që të bëjë ofertë prej 22 milionë funtesh. Tottenhami kërkon së paku 30 milionë funte për Modricin. 

“Arsenali të blejë për të mbajtur yjet”

Legjenda e Chelseat, Ruud Gullit, thotë se vetëm blerja e lojtarëve të rinj do të mund të bindin Robin Van Persien që të qëndrojë në Emirates.
Gullit i ka bërë të qartë Arsenalit se bashkëkombasi i tij është duke e shqyrtuar largimin, për shkak të mungesës së aktivitetit në tregun e transferimeve.
“Pyetja e Van Persiet është nëse Arsenali do të shndërrohet në ekip fitues. Lojtarët e mirë dëshirojnë të fitojnë trofe”, ka theksuar Gullit.

Messi flet me dashuri për Guardiolën

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, ka folur me shumë dashuri për ish-trajnerin e tij, Pep Guardiola.
“Guardiola më ka bërë të ngritem si lojtar, sidomos taktikisht, ai mi sqaroi gjërat që të tjerët kurrë nuk e kanë bërë”.
“Por, a do të bëhesha trajner vetëm për shkak të tij? Jo, nuk mendoj kështu. Ishte javë shumë e vështirë, java kur ai u largua: Ne humbëm nga Real Madridi, u eliminuam nga Liga e Kampionëve dhe më pas ai vendosi të largohej. Goditja ishte shumë e rëndë”, ka potencuar Messi.
Pep Guardiola fitoi 14 tituj për tri vite qëndrimi te Barcelona. 

Capital T anulon të gjitha koncertet për vitin 2012

Reperi kosovar Capital T ka bërë të ditur se ka anuluar të gjitha koncertet e këtij viti.
Përmes faqes zyrtare Twitter, Capital T ka shkruar se ka anuluar të gjitha koncertet për vitin 2012.
Arsyeje kjo që sipas Capital T, muzikën nuk e bënë për çështje materiale por e bënë sepse ai është i lidhur për muzikën.
Capital T gjithashtu ka bërë të ditur se albumi “Karma” do të publikohet gjatë këtij muaji. 

Xheri: Ledri është rrahur nga dy persona

Incidenti i cili besohet të ketë ndodhur dje ku thuhet se është rrahur anëtari i Babastars, Ledri Vula, po merr formë tjetër. Më në fund është shfaqur nëna e reperit, e cila ka konfirmuar se Ledri është rrahur nga dy persona dhe se ka marrë lëndime trupore.
Xheraldina Vula ka konfirmuar në mënyrë telefonike për Klan Kosovën se Ledri është rrahur nga dy persona te ‘Qafa’. Ajo ka pranuar se i biri i saj ka marrë lëndime trupore dhe se për ngjarjen janë njoftuar edhe organet kompetente.
Në ndërkohë Telegrafi ka tentuar të kontaktojë që të gjithë, duke filluar nga Geti, Dafina Zeqiri, Xheraldina Vula dhe të gjithë ata që mund të kenë ndonjë informatë, madje edhe vet të implikuarin, Krenar Çoçajn, por që të gjithë ishin të pa kontaktueshëm duke mbajtur telefonët e mbyllur.
Ledri Vula besohet të jetë rrahur mbrëmjen e të mërkurës nga Krenar Çoçaj, ish i dashuri i të fejuarës së reperit të grupit Skillz, Dafina Zeqiri. 

Dieta me molla, e shpejtë dhe efikase

Pektinet, acidi dhe kaliumi nga frutat djegin kaloritë, përmirësojnë metabolizmin dhe tretjen. Nuk do të ndieni uri, ndërsa glukoza nga mollët do të ruajë nivelin e sheqerit në gjak në nivel optimal.
Për tri ditë mund dobësoheni deri në dy kilogramë, çka është e mjaftueshme për dikë. Nuk është shumë e rreptë, ka pesë shujta në ditë dhe bazohet, sigurisht në mollë.
Fibrat në molla ndihmojnë të ndiheni të ngopur, çka është e mjaftueshme që të hani më pak dhe të konsumoni më pak kalori. Ndërsa, ndihmojnë edhe në reduktimin e nivelit të kolesterolit. Mollët përmbajnë flavonoiode të cilat ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe llojeve te caktuara të kancerit.
Zgjidhni llojet e ndryshme të mollëve me madhësi mesatare.
Mos i qëroni, sepse shumë përbërës të dobishëm gjenden menjëherë nën lëvore. Një mollë më madhësi mesatare është e rëndë rreth 140 gramë, me lëvore ka 72 kalori, ndërsa pa lëvore 63.

Rrepat kundër dhembjes së shpinës

Lyerja me tretësirë rrepe e nxit qarkullimin e gjakut dhe me këtë edhe procesin e shërimit.
Prijeni dhe grijeni një rrënjë të freskët të rrepës. Dy lugë rrepe të grirë hidhini në një çerek litre alkool prej 70 për qind.
Lëreni të qëndrojë gjashtë ditë, më pas filtrojeni me një leckë.
Para përdorimit, hollojeni tretësirën në raport 1 me 1 me ujin dhe dy deri tri herë në ditë bëjini masazh me këtë tretësirë vendeve në të cilat keni dhembje. 

Samsung sjell Galaxy Mini 2

Samsung ka zbuluar modelin e saj të ri të telefonit Galaxy Mini 2, i cili është prezantuar zyrtarisht në shkurt të këtij viti.
Ky model i ri i telefonit Android, i sjell nga prodhuesi më i madh në botë i telefonave, Samsung, tashmë ka arritur në Mbretërinë e Bashkuar, vjen me versionin Android 2.3 Gingerbread.
Për më tepër, Samsung Galaxy Mini 2 vjen me ekran të ndjeshëm në prekje me 3.27 inç HVGA, procesorin 800MHz, si dhe me kamerën prej 3 mega-pikselëve. 
Mirëpo kjo nuk është e tëra që sjell, Galaxy Mini 2, pasi që i njëjti përmban edhe Bluetooth 3.0, USB 2.0, 802.11 b/g/n WiFi, DLNA, NFC, akselerometrin, 512MB RAM, dhe 4GB memorie të brendshme.

Legalizohet mafia e ndërtimit

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin e ndërtimit, i cili është i bazuar në praktikat e Gjeorgjisë, duke refuzuar propozimet e ekspertëve evropianë. Në këtë projektligj kanë qenë të përfshirë dy gjeorgjianë si këshilltarë, të cilët kanë pasur takime të shpeshta më zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Ata janë Aleksi Aleksishvili, ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe ish-ministër i Financave në Gjeorgji dhe Temur Bolotashvili.
I pari është themelues i kompanisë konsulente në Gjeorgji “Policy and Managment Consulting grup”-PMCG, kompani kjo e angazhuar ta këshilluar qeverinë sesi të bëhet ky projektligj, ndërkohe që ai ka të punësuar edhe bashkëpunëtorin e dytë gjeorgjianin Temur Bolotashvili, i cili ka përfunduar studimet për ekonomi dhe menaxhment dhe nuk ka asgjë të bëjë me fushën e ndërtimit, mësohet nga dokumentet e siguruara nga gazeta “Zëri”.
Pasi që ka kaluar ky ligj me propozimin e komisionit të planifikimit hapësinor me në krye Nait Hasanin, dhe më pas me miratimin e tij në Kuvend, anëtarët e komisionit janë dërguar në një udhëtim në Turqi të hënën për të qëndruar atje në një takim me zyrtarët gjeorgjianë. 

Greqia me rekorde te reja të papunësisë

Përqindja e papunësisë në Greqi ka vazhduar rritjen edhe në muajin mars duke arritur në 21,9 për qind nga 21.4 për qind në muajin shkurt, ndërkohë që të rinjtë janë më të prekurit, njoftoi Autoriteti i grek i Statistikave.
Greqia numëron 1 075 081 milionë të papunë në muajin mars kundër 1 070 724 milionë në muajin shkurt.
Papunësia tek të rinjtë të moshës 15 deri 24 vjeç është rritur me 52.8 për qind në muajin mars 2012 kundër 53.8 për qind në muajin shkurt.
Papunësia është dyfishuar që prej vitit 2010, vit i shpërthimit të krizës së borxhit në Greqi që po kalon aktualisht vitin e pestë në recesion dhe i është nënshtruar një sërë masash shtrënguese në këmbim të kredive ndërkombëtare për t'i shpëtuar falimentimit.

Paralajmërohet arrestimi i Nikolicit nëse hyn pa leje

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, mund të arrestohet nga Policia e Kosovës po qe se vendos që të hyjë në territorin e Kosovës pa marrë leje paraprakisht nga Qeveria e Kosovës. E njëjta gjë vlen edhe për situatën nëse ai shfrytëzon kanalet ilegale për të hyrë në Kosovë dhe më pas takohet me policët kosovarë.
Një paralajmërim të tillë e ka dhënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, të enjten.
“Kushdo që hyn pa leje në vendin tonë rrezikon që të ndeshet me ligjet tona dhe që të arrestohet. Nuk kemi dëshirë që të vihet deri te ajo pozitë me presidentin e Serbisë, mirëpo kushdo që e shkel ligjin është i barabartë”, ka thënë i dyti i Qeverisë, njofton “Koha Ditore”.
Ai ka thënë se sikur Nikolic ta dorëzojë kërkesën për vizitë në Kosovë te Zyra e Bashkimit Evropian në Beograd, atëherë Qeveria e Kosovës do ta shqyrtonte atë.
“Ne e kemi një marrëveshje me BE-në në raport me këto vizita, në anën tjetër, duhet që të ndiqen të gjitha procedurat dhe ne do ta shqyrtojmë duke marrë parasysh interesin e vendit, Kushtetutën dhe ligjet tona”, ka thënë Kuçi.
Burime të “Kohës Ditore” kanë bërë të ditur se presidenti serb ka shprehur interesimin e tij për të vizituar veriun e Kosovës në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme. 

Dosti i Nanos

Ukë Rugova iu ka bashkuar 25 intelektualëve shqiptarë, që mbështesin kandidaturën e Fatos Nanos për President të Shqipërisë. Djali i Ibrahim Rugovës shkruan se ish-kryeministri i plotëson më së miri kriteret për të qenë në krye të shtetit shqiptar.
Jo shumë vite më parë, zyrtarët e LDK-së mblidhnin vota nëpër fshatrat e Kosovës duke u thënë njerëzve se nuk duhet ta votojnë PDK-në për shkak se kreu i saj është i afërt me Kryeministrin e Shqipërisë, Fatos Nanon, shkruan “Express”.
Në të njëjtën kohë, gazetat pranë LDK-së çdo ditë shkruanin se si Fatos Nano është kundër Kosovës, derisa rikujtonin takimin e tij me diktatorin serb, Slobodan Milosevic, në Kretë të Greqisë.
Në Kosovë edhe sot mund të ketë njerëz që i besojnë asaj propagande dhe mbase u duket e pabesueshme se çfarë ka ndodhur këtë të mërkurë, kur djali i Ibrahim Rugovës, Uka, ka vënë firmën e tij në një letër drejtuar partive parlamentare shqiptare me kërkesën që ta mbështesin kandidaturën e Fatos Nanos për President të Republikës së Shqipërisë.
Por, kjo s’është hera e parë që Uka di të befasojë.
Shumëkush ishte çuditur me të edhe dy vjet më parë kur pranoi të hynte në një qeveri me Hashim Thaçin, kundërshtarin e madh të babit të tij.
Nano është vetëshpallur kandidat për president të Shqipërisë dhe ka filluar një sërë takimesh lobuese për ta arritur këtë qëllim.
“Unë e falënderoj Ukën dhe krejt familjen Rugova për mbështetjen që ma kanë dhënë mua, ashtu sikurse do të falënderoj edhe çdo personalitet tjetër nga politika apo intelektualët mbarëshqiptarë për çdo kontribut e akt inkurajues dhe ndërtues të së mirës së përbashkët të të gjithë, ne, shqiptarëve”, ka thënë Nano për “Express”.

Ambasadori Selimi në “BMW 7”

Ish-komandanti i FSK-së, Sylejman Selimi, duket se ka pasur arsye të forta që ka lënë jetën ushtarake, edhe pse një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij e kaloi në uniformë.
Menjëherë pasi që u bë ambasador, ai i ka vendosur që rrugët e Shqipërisë t’i përshkojë me veturën më të re të markës BMW, dhe jo me atë të paraardhësit të tij, shkruan “Zëri”.
Burime të “Zërit” nga kjo ambasadë kanë treguar se Selimi ka kërkuar që gjatë shërbimit si ambasador i Kosovës të ketë në dispozicion veturë të re, “më të fortë sesa shumica e ambasadorëve tjerë në Tiranë”
“Ai kur ka ardhur në Tiranë, e ka pasur në dispozicion një veturë “BMW 5”, por nuk i ka pëlqyer. Nga fillimi i majit e ka thirrur në drekë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe gjatë drekës në restorantin ‘Grepi i Artë’, që është njëri ndër restorantet më në zë në Shqipëri, e ka shfaqur dëshirën që të ketë një veturë të re, e ka kërkuar decidivisht një BMW 7”, thotë ai.
Ky zyrtar i Ambasadës së Kosovës në Tiranë, thotë se personeli i MPJ-së nuk ia kanë “prishur qejfin”, ndërsa me procedurë të shpejtë ia kanë blerë atij veturën e preferuar, vlera e të cilit sillet rreth 50 mijë euro.
“Ambasadori ka dashur që të ketë veturë tepër luksoze... Në Tiranë vetëm ambasadori amerikan dhe ai i Turqisë i kanë veturat më të mira sesa ky”, rrëfen ai, duke thënë se edhe vetura e mëhershme vazhdon të mbetet në shërbim të ambasadës.
Mirëpo, zyrtarët e MPJ-së e kanë një arsyetim tjetër. Sipas tyre, MPJ ka qenë e obliguar që ta blejë një veturë të tillë, me qëllim që ta ketë në dispozicion gjatë takimeve të ndryshme që zyrtarët e MPJ-së kanë në Tiranë, me zyrtarë të vendeve të ndryshme perëndimore.
“Ajo është blerë për nevoja të ambasadës, jo të ambasadorit dhe është blerë për shkak se kemi fluks të madh të delegacioneve të Kosovës atje për shkak të aktiviteteve që ne i bëjmë në Tiranë. Ajo është në procedurë të blerjes, Komisioni ka qenë i formuar prej MPJ-së dhe janë duke i zhvilluar procedurat për blerjen e veturës”, thotë sekretari i MPJ-së, Nagip Skenderi.

Grabovci: Koalicioni ndryshon pas zgjedhjeve

Koalicioni PDK-AKR është shumë stabil dhe duke punuar shumë mirë, ka vlerësuar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabvci, duke hedhur poshtë zërat e ditëve të fundit se partia e tij do ta ndërrojë partnerin e koalicionit për të hyrë në një dialog të ri për veriun e Kosovës.
“Partneriteti qeverisës është stabil dhe është duke funksionuar mirë. Ndërsa, ne shumë shpejt presim që të merren vendimet politike dhe të përcaktohet se kur do të hyjmë në zgjedhje në 2013 apo 2014”, ka thënë Grabovci për “Tribuna Shqiptare”, duke shtuar se koalicioni mund të ndryshohet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme.
“Pas zgjedhjeve të ardhshme normalisht që do të ndryshoj edhe koalicioni, do të ndryshoj edhe përfaqësimi institucional. Por, jam i sigurt që Partia Demokratike e Kosovës do të ketë partner korrekt edhe në ardhmen, dhe do të jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Kosovës”, thekson Grabovci.