Van Bommel: E këshillova Robbenin t’i bashkohej Bayernit

Mesfushori i Milanit, Mark van Bommel, ka thënë se ai e kishte këshilluar Arjen Robbenin që t’i bashkohej Bayern Munichut në vitin 2009.
“I thash Arjenit të vinte te Bayerni, folëm në telefon disa herë”.
“Arjen dhe unë dëshironim të luajmë bashkë te Munichu dhe akoma na pëlqen të luajmë me ekipin kombëtar të Holandës”.
“Çdo skuadër mund të ketë dobi nga Robben. Më pëlqen të luaj me të dhe jam i lumtur që ai është holandez”, ka thënë Van Bommel për Voetbal International

Bayerni në finale

Në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Santiago Bernabeu, Real Madridi dhe Bayern Munichu kanë zhvilluar një finale para finaleje, e cila përcaktoi finalistin e dytë të edicionit të sivjetmë të garës më të madhe evropiane për klube. Në finalen e Munihut kundër Chelseat do të luajë Bayern Munichu.
Skuadrat zhvilluan një pjesë të parë fantastike, me raste të shumta shënimi, në të cilën u realizuan tre gola.
Pas një goditjeje të Di Marias, David Alaba intervenoi në rolin e portierit, me ç’rast u akordua penalti për klubin mbretëror. Cristiano Ronaldo ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë (6’).
Menjëherë pas, Arjen Robben pati një rast të jashtëzakonshëm shënimi, mirëpo e dërgoi topin mbi portë dhe vet u fut në rrjet.
Shumë shpejtë erdhi edhe goli i dytë i madrilenëve. Portugezi Ronaldo pranoi një top nga Mesut Oezil për të dërguar në ekstazë tifozët vendas (14’).
Në vazhdim, skuadra mysafire luajti më mirë duke bërë presion të vazhdueshëm dhe duke rrezikuar disa herë portën vendase, dhe pas disa rasteve arriti të shënojë.
Mario Gomez u ndal në mënyrë të palejuar në zonë nga Pepe dhe nxori një penalti. Arjen Robben e mposhti Casillasin nga pika e bardhë, edhe pse portieri spanjoll për pak sa nuk ia mohoi golin (27’).
Në fraksionin e dytë të ndeshjes, ra tempi i lojës dhe skuadrat ishin mjaft të kujdesshme duke u përpjekur që të mos gabojnë.
Benzema, Gomez e Ronaldo, janë lojtarët të cilët patën disa nga rastet që mund të përmendim gjatë zhvillimit të kësaj pjese.
Qendërsulmuesi i Bayernit pati edhe një rast të shkëlqyer në pesë minutat e fundit të kohës së rregullt të ndeshjes, por nuk reagoi aq shpejt sa duhej.
Pas 90 minutave rezultati ishte 2-1 në favor të Los Blancos dhe duke llogaritur rezultatin identik në favor të bavarezëve në Allianz Arena, duhej që të zhvilloheshin vazhdimet për ta gjetur fituesin.
Pjesa e parë e vazhdimeve nuk dha shumëçka për të shijuar, pasi që vërehej lodhja e lojtarëve të të dyja ekipeve. Në periudhën e dytë të vazhdimeve, ekipi vendas ishte më kërkues ndaj golit dhe pati iniciativën, megjithatë nuk mund të ndërtonin raste të vërteta shënimi. Kështu, u desh që të ekzekutoheshin penaltitë për ta përcaktuar finalistin e dytë.
Pas ekzekutimit të penaltive më të efektshëm u treguan lojtarët e skuadrës së Bayern Munichut të cilët në finalen e 19 majit në Allianz Arena do të luajnë kundër Chelseat. 

Reali avancon, por gjithçka e barabartë

Një pjesë parë fantastike është zhvilluar në Santiago Bernabeu ku po luhet ndeshja kthyese gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve mes Real Madridit dhe Bayern Munichut. Rezultati është 2-1 në favor të vendasve.
Pas një goditjeje të Di Marias, David Alaba intervenoi në rolin e portierit dhe u akordua penalti për klubin mbretëror. Cristiano Ronaldo ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë (6’).
Menjëherë pas, Arjen Robben pati një rast të jashtëzakonshëm shënimi, mirëpo e dërgoi topin mbi portë dhe vet u fut në rrjet.
Portugezi Ronaldo pranoi një top nga Mesut Oezil për ta dyfishuar epërsinë e Los Blancos (14’).
Në vazhdim, skuadra mysafire luajti më mirë duke bërë presion të vazhdueshëm dhe duke rrezikuar disa herë portën e Casillas dhe pas disa rasteve arriti të shënojë.
Mario Gomez u ndal në mënyrë të palejuar në zonë nga Pepe dhe nxori një penalti. Arjen Robben e mposhti Casillasin nga pika e bardhë, edhe pse portieri spanjoll për pak sa nuk ia mohoi golin (27’).
Rezultati prej 2-1 i dërgon skuadrat në vazhdime... 

Milani mban gjallë shpresat

Me një gol të shënuar në San Siro kundër Genoas, Milani ka mbajtur gjallë shpresat për titullin e Serie A.
Pas një gjysme të parë të zbehte, në pjesën e dytë Rossonerët e kërkuan fitoren, mirëpo vështirë arrinin të shënojnë.
Në minutën e 73-të, skuadra mysafire mbeti me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit të Bosko Jankovic me karton të kuq.
Dhe më në fund erdhi goli. Tri pikë kuqezinjve ua siguroi Kevin-Prince Boateng, i cili shënoi golin e fitores (86’).
Pas kësaj fitoreje, Milani mban hapin me tri pikë pas Juventusit, në garën për titullin e kampionit të Italisë. 

Juve drejt titullit

Me rezultat prej 1-0, Juventusi ka triumfuar si mysafir i Cesenas në Stadio Dino Manuzzi, për të vazhduar sigurt drejt titullit të kampionit të Italisë.
Bianconerët luajtën më mirë gjatë gjithë ndeshjes, megjithatë arritën të shënojnë vetëm një herë.
Në pjesën e parë u akordua një penalti kontroverse në favor të Juventusit pas prekjes së topit me dorë nga Giuseppe Colucci, që u duk se ishte jashtë gjashtëmbëdhjetëmetërshit. Megjithatë, Andrea Pirlo dështoi të shënojë nga pika e bardhë.
Ishte minuta e 80-të kur Del Piero dërgoi një top në zonë, të cilin e preku me kokë Vucinic dhe Marco Borriello e dërgoi në rrjet.
Pas kësaj fitoreje, Juventusi mban diferencën prej tri pikësh kundrejt Milanit, kur kanë mbetur edhe katër xhiro për t’u zhvilluar. 

Torres: Finalja, një rast i dytë për Chelsean

Sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres, arritjen e Bluve në finale të Ligës së Kampionëve e ka përshkruar si realizimi i ëndrrës.
“Të qenit në finale të Ligës së Kampionëve, padyshim që është një realizim i ëndrrës për të gjithë futbollistët e Chelseat, për të gjithë tifozët e Chelseat që vijnë këtu dhe për të gjithë ata që e shikojnë lojën nga shtëpia”.
“Është finalja e dytë e Ligës së Kampionëve për Chelsean. Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën me ekzekutimin e penaltive (humbja në vitin 2008 nga Manchester United)”.
“Prandaj, mendoj se Chelsea e meritoi një shans të dytë dhe tash e kemi rastin”, ka deklaruar spanjolli. 

Bayerni nuk do të frikësohet nga Reali

Ish-mbrojtësi i Bayern Munichut, Martin Demichelis, beson se bavarezët kanë një rast të mirë për të arritur në finale të Ligës së Kampionëve.
Klubi gjerman ka avantazh prej 2-1 nga ndeshja e parë gjysmëfinale në Allianz Arena, ndërsa qendërmbrojtësi i Malagas mendon se ata mund ta shqetësojnë klubin mbretëror në Santiago Bernabeu.
“Sulmuesit e Real Madridit nuk shqetësohen shumë për t’u mbrojtur, prandaj mbrojtësit e Bayernit dhe mesfushorët do kenë kohë me topin”.
“Sipas mendimit tim, Bayerni ka një shans të mirë për të arritur në finale”.
“Pres që Bayerni të jetë plot vetëbesim dhe pa frikë, edhe pse Reali është shumë i mirë në shtëpi”, ka thënë Demichelis. 

Drogba: Të gjithë duan të jenë në vend të Chelseat

Chelsea është kualifikuar në finale të Ligës së Kampionëve duke e eliminuar Barcelonën, ndërsa Didier Drogba ka thënë se të gjithë do të donin që të jenë në pozitën e Bluve aktualisht.
“Të gjithë thonë se kemi pasur një sezon të vështirë, mirëpo ne jemi në finale të Kupës FA dhe në finale të Ligës së Kampionëve, dhe mendoj se të gjithë do të donin të ishin në situatën tonë në dy finale mjaft të mëdha”.
“Jemi të lumtur që u kualifikuam, por i mbajmë këmbët në tokë, sepse disa nga lojtarët tanë më të mirë nuk do të jenë atje për finalen – prandaj finalja do të jetë e vështirë, megjithatë ne do të përpiqemi të arrijmë sukses për ata (që mungojnë)”.
“Mendoj se do të jetë një nga mbrëmjet e mia më të mira në karrierë. Shpresoj të përjetoj edhe më shumë”, ka thënë sulmuesi nga Bregu i Fildishtë. 

Lazio të blejë tre lojtarë klasi

Presidenti i Lazios, Claudio Lotito, ka premtuar disa përforcime të nivelit të lartë gjatë verës që vjen.
Klubi italian shpreson të kualifikohet në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, ndërsa Lotito ka deklaruar se planifikon të transferojë disa emra të njohur.
“Shpresojmë të transferojmë dy ose tre kampionë, ashtu që të konkurrojmë edhe në Evropë”, ka thënë Lotito për Sky Sport Italia

Forca ruse e islamike duan destabilizimin e Ballkanit

Eurodeputeti gjerman, Bernd Posselt, ka deklaruar se ka shumë qarqe që kanë interes për të destabilizuar Ballkanin. Sipas tij, palë të interesuar për destabilizimin e Ballkanit, janë rusët, forcat islamike radikale dhe grupe kriminale.
 Në një intervistë për Deutsche Welle Posselt ka thënë se EULEX-i në Kosovë nuk është në krye të detyrës dhe është i zhgënjyer prej tij. Sipas tij , nuk ka shtete në botë që u ofron të drejta më të mira sesa Kosova që ua ofron serbëve. Më tej ai thotë se Kosova ofron të drejtat më të mira për pakicat në botë.
“Unë isha para 14 ditëve për herë të fundit në Mitrovicë. Ajo çfarë mund të them është se gjendja e sigurisë është jashtëzakonisht e ndjeshme, pikërisht për shkak të faktit se forca të papërgjegjshme në Serbi dhe tek serbët e Mitrovicës po përpiqen që fushatën elektorale në Serbi ta nxehin me anë të temës së Mitrovicës. Për shkak të këtij rreziku, ku mbretëron një nervozitet i madh ndëretnik, është me rëndësi që në këtë rajon të ketë të stacionuara trupa të mjaftueshme”, ka thënë Posselt.
“Kësaj i shtohet edhe fakti që EULEX-i, për fat të keq, nuk është në krye të detyrës. Parlamenti i Evropës e ka thënë gjithnjë shumë qartë, për herë të fundit para disa javësh në raportin tonë, se ne duam që EULEX-i të operojë në masë të njëjtë në të gjithë territorin shtetëror të Kosovës, sepse për ne nuk vjen në konsideratë ndarja apo diçka e ngjashme. Veriu i Kosovës dhe veriu i Mitrovicës janë po aq Kosovë sa janë edhe pjesët e tjera të vendit. Për fat të keq realiteti nuk është ende i tillë dhe ne jemi të zhgënjyer me efikasitetin e EULEX-it, prandaj është me rëndësi shtimi i trupave”.
Posselt ka thënë se shumica e serbëve në Kosovë është e gatshme që të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive. “Ekziston një zëvendëskryeministër serb, nënkryetari i parlamentit është serb, ka kryetarë të komunave serbe të cilët unë i kam vizituar dhe vetë në Mitrovicë mund të konkludonim se në veriun e Mitrovicës shumë serbë në të vërtetë janë të gatshëm për t'u integruar në Kosovë, por kanë frikë nga kriminelët dhe elementet nacionaliste nga të cilët terrorizohen”.
I pyetur të komentojë njoftimin e medieve për shfaqjen e grupeve të armatosura si në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë, ashtu edhe në vet veriun e Kosovës Posselt ka thënë se ajo çfarë mund të thotë është se kosovarët janë duke u sjellë me përgjegjësi të lartë.
“Qeveria, opozita dhe po ashtu popullata është duke treguar një pjekuri të madhe politike dhe unë shpresoj që do të ruhet kjo pjekuri politike. Natyrisht që ekziston gjithmonë rreziku që grupe të vogla të keqpërdorin skajshëm situatën dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën, por edhe me Maqedoninë dhe disa pjesë të Serbisë. Në përgjithësi ne kemi një situatë shumë jostabile në Bosnjë e Hercegovinë, në Serbi, në disa pjesë të Kosovës dhe në Maqedoni dhe kjo në përgjithësi është një situatë që ka një rrezik të caktuar dhe unë shpresoj që kjo gjendje të mos shpërthejë”.
“Ekzistojnë forca të cilat janë të interesuara në destabilizimin e gjendjes dhe në prapavijë përpiqen të destabilizojnë Ballkanin. Unë për shembull këtu e shoh edhe anën ruse, pastaj shoh forca në botën islame, por të cilat në Kosovë nuk kanë fare rezonancë, por diku tjetër në rajon si për shembull në disa pjesë të Bosnjës, unë shoh forca në botën e kriminelëve, pra kemi forca të ndryshme. Por unë shpresoj që këto forca nuk do të kenë sukses”.
I pyetur se çfarë mund të bëjë Perëndimi për një gjendje stabile në Kosovë përveç dërgimit të trupave atje, Posselt ka thënë se Perëndimi mund të bëhen shumë gjëra.
“Së pari serbëve duhet t'iu thuhet qartë se perspektiva e tyre evropiane varet nga zhvillimi i raporteve me Kosovën dhe se nuk duhet më që të vënë në pikëpyetje çështjen e kufirit. Edhe nëse aktualisht nuk mund ta njohin Kosovën formalisht, çështja e kufirit nuk duhet të vihet në pikëpyetje”.
“Pika e dytë është e qartë: ne duhet t'i themi një jo të qartë të gjitha planeve për ndarje. Çështja e statusit me njohjen pothuajse nga gjysma e shteteve të botës është përfundimisht e rregulluar dhe çdo diskutim për këtë çështje shkakton vetëm pasiguri. Ne duhet të angazhohemi që edhe pesë shtetet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën t’i bashkëngjiten 22 shteteve të tjera”.
“Një pikë tjetër e rëndësishme është që edhe EULEX-i të punojë në masë të njëjtë në tërë territorin e Kosovës dhe ai të përqendrohet në detyrat e tij. Ne aktualisht po vërejmë një rënie drastike të imazhit të EULEX-it. 

Fiton Interi, mposhtet Roma

Me rezultat prej 3-1, Interi ka triumfuar si mysafir i Udineses, ndërkohë Roma është mposhtur në shtëpi nga Fiorentina me rezultat 1-2.
Skuadra nga Friuli kaloi e para në epërsi me anë të Danilos (6’), mirëpo ky rezultoi vetëm gol i nderit për vendasit.
Me dy gola të Wesley Sneijder (10’ dhe 28’), zikaltrit kthyen rezultatin në favor të tyre, ndërsa në të dyja rastet asistues ishte Milito.
Rezultatin përfundimtar e vendosi Ricardo Alvarez (38’), ashtu që Interi e fitoi ndeshjen që në pjesën e parë.
Nga ana tjetër, Roma dështoi në Stadio Olimpico, ku u mposht nga Viola.
Porsa filloi ndeshja (2’), Stevan Jovetic i kaloi mysafirët në epërsi dhe ky ishte rezultati i pjesës së parë.
Në gjysmën e dytë, Francesco Totti e barazoi rezultatin, mirëpo në minutat shtesë (90’+2), Andrea Lazzari shënoi për fitoren e Fiorentinas.
Interi aktualisht mban pozitën e gjashtë në tabelë me tri pikë më pak se pozita e tretë që mbahet nga Lazio. Ndërsa Roma gjendet një pozitë më poshtë dhe diferenca me vendin e tretë është pesë pikë. 

Deçan, gruaja rrah burrin

Një burrë nga Isniqi i Deçanit, është rrahur me këpucë nga bashkëshortja e tij, i cili paraprakisht ishte sulmuar nga ajo edhe me thikë.
Shkak i kësaj dhune familjare thuhet të ketë qenë, ngase burri e kishte sjell në shtëpinë e tij edhe gruan e dytë.
Sipas policisë dhe deklaratës së viktimës, kjo ngjarje e pazakontë ka ndodhur pasi që bashkëshorti i të dyshuarës, ishte martuar edhe me një grua tjetër, të cilën e kishte sjell në shtëpinë e tij, njofton "Zëri".
Në këtë rast, gruaja e parë, duke mos mundur të përmbahet nga veprimi i bashkëshortit të saj, e ka sulmuar atë me një thikë të cilin viktima kishte arritur t’ia largojë nga dora, por ajo pastaj me një këpucë me take e kishte goditur atë në kokë, duke i shkaktuar lëndime të lehta.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokuror i dhe me urdhër të tij, e dyshimta pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, kurse gruaja tjetër është dërguar në një shtëpi të sigurt në Pejë. 

Ferdinand: Maradona më i mirë se Messi

Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, thotë se Diego Maradona mbetet para Lionel Messi si lojtari më i madh në histori të futbollit.
“Si fëmijë Maradona ishte heroi im. Unë kisha të gjitha video xhirimet. Tash do të thoni se Messi është kështu, edhe pse unë ende e kam Maradonën si numër një”.
“Te Napoli Maradona çoi një skuadër që ishte mediokre, në më të mirën, dhe i bëri ata kampionë të Italisë. Ai bëri diçka që ngjashme me Argjentinën në vitin 1986 dhe fitoi Kupën Botërore”.
“Një argument kundër Messi është se ai është në një skuadër që po ashtu ka ndoshta lojtarin e dytë dhe të tretë më të mirë në botë në Xavin dhe Andres Iniestan (edhe pse Cristiano Ronaldo po ashtu është aty). Messi merr më shumë ndihmë”.
“Gjëja tjetër që do të thosha për Maradonën është se ju mbani mend se ai e bëri këtë në një periudhë kur ju bëheshit copë. Tash lojtarët mbrohen më shumë”, ka thënë Ferdinand për faqen zyrtare të Manchester United.

Arsenali në negociata për MVilan

Arsenali është në negociata me Rennes për të transferuar mesfushorin Yann M’Vila.
France Football shkruan se Topçinjtë tash janë në biseda të avancuara me klubin francez për të arritur një marrëveshje para fillimit të afatit kalimtar.
M'Vila edhe më herët kishte shprehur admirimin e tij për menaxherin e Arsenalit, Arsene Wenger, edhe pse po ashtu është në listën e dëshirave të Interit dhe Real Madridit.
Wenger e vlerëson lartë M’Vilan dhe e sheh atë si një shtesë të përkryer në skuadër. 

Sabriu përgatitet për sezonin verës

Këngëtari Sarbri Fejzullahu, ka filluar të përgatitet për sezonin verorë. Ai është duke u përgatitur që tu sjell adhuruesve të tij këngë dhe klipe të reja.
“Mundohem që adhuruesve të mi mos tu mungojë aspak, ata më japin forcë dhe vullnet për të ecur përpara dhe falë tyre unë kam arritur këtë karrierë që kam sot”.
“Jam duke punuar në projekte të reja, ku edhe gjatë këtij sezoni verorë publiku do të ketë se çka të dëgjojë edhe të shohë në klipet e mia”, ka thënë Fejuzllahu për ‘Zëri’.

Qeni muzikant (Video)

Një tjetër video ku shfaqet një qen duke ‘luajtur’ në piano dhe duke ‘kënduar’ është bërë mjaft e popullarizuar në internet.
Kritikët mund të thonë se qeni më shumë e godet pianon sesa bën muzikë dhe se “këndimi” i tij në fakt është lehje, megjithatë vetëm për disa ditë atë e kanë shikuar afër 130 mijë njerëz në YouTube. 

Vozitet lakuriqe – dënohet për kaskë

Një polic rumun e ka ndalur një femër që po vozitej e zhveshur në ulësen e pasme të një motoçiklete– dhe e ka dënuar për mosmbajtje të kaskës.
Femra nuk mbante asgjë në trupin e saj, mirëpo polici i trafikut ka sqaruar se dënimi i vetëm për të cilin ai ishte i autorizuar ta jepte, ka qenë për mosmbajtje të kaskës.
Motoristët tjerë kanë shfrytëzuar ‘telefonat e mençur’ për të bërë fotografi, ndërkohë që pasi e ka marrë dënimin, femra e ka vendosur një kaskë dhe ka vazhduar rrugën e zhveshur. 

Zgjidhja për veriun, sipas Pakos së Ahtisaarit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petrovic, priti sot në takim Drejtorin e Departamentin amerikan të Shtetit për zhvillimin e politikave rajonale, Raffi Gregorian.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i fuqishëm i mbështetjes së proceseve të rëndësishme për Kosovën, andaj ne besojmë se bashkë me SHBA-të dhe bashkësinë ndërkombëtare çështja e veriut të zgjidhet sa më parë”, tha Petrovic, i cili thekson se Institucionet e Kosovës kanë krijuar mekanizma që ofrojnë jetë të barabartë për të gjithë qytetarët.
Zëvendëskryeministri tha se zgjidhja më e mirë për veriun është zbatimi i Pakos Ahtisaari dhe krijimi i komunës verore, që u garanton qytetarëve të drejta të plota sikurse në organizmin e jetës së tyre, gjithashtu edhe në zgjedhjen e lidershipit.
Në anën tjetër, Gregorian tha se SHBA-të do ta mbështesin Kosovën edhe në proceset e ardhshme, posaçërisht kur bëhet fjale për veriun e vendit. 

Rektorit s’i bëjnë përshtypje hetimet

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova në ditën kur gazetat shkruanin për hetime në UP lidhur me rrogat e dhëna deri në 8 mijë euro kishte zgjedhur të relaksohej në një kafiteri.
Por mëngjesin duket se ia prishën aktivistë të organizatës “Studim, kritikë, veprim”.
Një aktivist i organizatës “STUDIM KRITIKË VEPRIM” ia dha gazetën “Express” e cila në faqe të parë kishte hetimin e Policisë së krimit ekonomik në rektoratin e UP-së lidhur me pagat e muajit tetor të vitit që shkoi, e të cilat arritën deri në 8 mijë euro.
Aktivisti ia dha gazetën, duke i thënë “Mirëdita rektor, qe gazetat çka kanë shkru sot për ju... sa shëtitësh nëpër Evropë ka tri javë ditë merru më mirë me Policinë”.
Pas kësaj, rektori i acaruar e hedh tutje gazetën.
Kjo pason me deklaratat tjera të aktivistit, duke i thënë sërish rektorit se “merrnu me gazeta dhe kshyrni çka jeni tu ju bo studentëve”.
Kjo duke ta ketë nervozuar edhe më tutje rektorin e Universitetit të Prishtinës, i cili me arrogancë shprehet “ec more... shko mëso”.
‘Studim, veprim, kritikë”, u bëri thirrje të gjithë studentëve të UP-së të jenë aktiv dhe të organizuar për të ngritur preokupimet e tyre, të mos presin nga Parlamenti Studentor dhe organizatat studentore, sepse Universiteti është çështje e shoqërisë, e jo e ndonjë institucioni apo organizate.
“Universiteti i Prishtinës është në rrezik! Shoqëria jonë është në rrezik! Ky universitet është bartës kryesor i arsimit të lartë në Kosovë. Juristët, ekonomistët, gjuhëtarët, politikanët, mjekët e inxhinierët e shoqërisë sonë në të ardhmen do të dalin nga Universiteti i Prishtinës, prandaj korrupsioni në të duhet të merret seriozisht e të trajtohet seriozisht nga gjithë shoqëria jonë”, thuhet në kumtesë.

Kadriaj: Ministri Agani po e mashtron opinionin publik

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, i cilëson si manipuluese deklarimet e ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, në lidhje me çështjen e trajtimit nga mjeket femra të femrave shtatzëna, të mbuluar.
Ajo ka thënë se nuk është hera e parë që ministri Agani shprehë tendenca të hapura për të manipuluar me besimtarët e fesë islame.
Kadriaj ka pohuar se këto veprime, nga ana e ministrit, janë skandaloze, të turpshme dhe pa etikë, as mjeksore e as fetare.
“Ministri Agani, në intervistën dhënë Tribunës Shqiptare, në mënyrë të turpshme tenton të tërhiqet nga vendimi i tij që femrat shtatzëna, me mbulesë, të trajtohen nga mjeket femra. Aludimi i ministrit se nuk ka marrë vendim, por ka bërë kërkesë që të respektohet ligji, është edhe manipulim e edhe mashtrim tendencioz”, deklaron deputetja Kadriaj. 

Kriminelët financojnë partitë e Serbisë

Partia Përparimtare e Serbisë (SNS) është ombrella politike për të paktën tri grupe të organizuara kriminale serbe - të tregtarëve me armë, të biznesmenëve të dalë nga Sigurimi i Shtetit (DB) dhe “patriotëve “ serbë nga veriu i Kosovës.
Sipas revistës Novi Magazin, një nga financuesit kryesor të SNS-së është Slobodan Tesic, një nga tregtarët më të mëdhenj të Ballkanit me armë dhe municion. Siç thotë burimi i revistës - që dëshiron të mbetet anonim - Tasic lobon mes biznesmenëve të këtij sektori profitabil, me shpresën se pas ndryshimit të pushtetit në Serbi do të ketë më shumë hapësirë për veprimtaritë e tij.
"Besimi të cilin Tesici ia dha Nikolicit dhe Vucicit është në këmbë të rrëshqitshme, sepse ai është njeri shumë i kujdesshëm. Në listën zgjedhore të SNS-së, në vendin 96 e ka futur vajzën e tij Danijela, e cila në rast të rezultateve të mira të partisë do të ketë vend të garantuar në Parlament. Vendi i saj në listën zgjedhore dhe pozita në Parlament dëshmon një zotim për të ardhmen, sepse me rregullat e reja, pra sipas ligjit, deputeti është pronar i mandatit të vet dhe i pavarur në vendimmarrje ", thotë burimi.
Tesic është i njohur për tregti të dyshimta të armëve, të municionit dhe pajisjeve ushtarake, që është munduar t’i kryej përmes firmës Temex apo kompanive të ndërlidhjes Melvale Corporation, Calidus Trate, Abeks Ohrid, Zahnen Limited, Delimnia etj.
Në vëmendjen e opinionit vendor dhe ndërkombëtar ka dalë kur para 10 vitesh ia ka dalë që në mënyrë ilegale të shesë armë në Liberi, duke shkelur kështu sanksionet e Kombeve të Bashkuara. Pas kësaj, ai disa herë u përpoq të eksportonte armë në rajone të ndryshme të krizës në botë.
Në fillim të trazirave të vitit të kaluar në Libi, Tesic dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt, Dragan Kapetina - drejtor i fabrikës së armëve Partizan - kanë biseduar me zyrtarë libianë që ishin besnikë ndaj Muammar Gaddafit. Në fillim të marsit të vitit të kaluar, ai në Tripoli është takuar me anëtarët e forcave të armatosura libiane, për shkak të një marrëveshje për dërgimin e 12 mijë predhave të tankeve, të transportierëve të sistemeve raketore, 30 mijë snajperëve, 90 milionë plumbave të kalibrave të ndryshëm, si dhe pajisje tjera ushtarake.
Sipas gjetjeve të shërbimeve sekrete serbe, ai ishte forca shtytëse në fabrikën Zastava - gjatë majit dhe qershorit 2011 - kur ka tentuar që të siguronte mbështetje për transport të armëve në Jemen.
Veprimtaria e tij është objekt studimi i shërbimeve të huaja informative të cilat kanë informata se Tesic i takon grupeve ekstreme që merren me tregtinë ilegale të armëve. Prandaj, hetojnë kompanitë që i ka ai, me çka merret, çfarë lidhje ka në rajon dhe botë.
Arrestimi i Dusan Stuparit për keqpërdorime gjatë privatizimit të Azotarës në Pançevë, ka sjellë në opinion informatën se ish anëtari i DB-së është financiar i SNS-së. Sipas informatave zyrtare,përparimtarët serbë janë blerës të hapësirave në Beogradin e Ri, që gjenden në pronësi të firmës Vetfarm, drejtor i së cilës është Stupar.
"Pikërisht Stupar është një nga lojtarët kryesorë që sorollatem në sfond të Partisë Përparimtare Serbe. Ndër financuesit e tillë janë disa biznesmenë të brendshëm që kanë interesa të përbashkëta biznesi dhe politike”, thotë burimi.
“Duke ndjekur transaksionet bankare mund të futemi në rrjetën e merimangës”, shton burimi, “në qendër të së cilës është SNS me ambiciet e saj politike”.
Përndryshe, nuk është hera e parë që Stupar ka ndihmuar ardhjen e dikujt në pushtet. Ai më 1987 ka ndihmuar në krijimin e humoreskës së njohur “Vojko i Savle” (Vojku dhe Savla) për të iniciuar atmosferën që ndihmon ardhjen e Slobodan Milosevicit në krye të Partisë Komuniste të Serbisë. Edhe pse ai ishte i afërt me linjën e mundur të Ivan Stambolicit, Stupar ishte në gjendje të pajtohet me Milosevicin dhe të marrë funksione në kompaninë Univerzal, e më vonë të jetë edhe përfaqësues i saj në Moskë.
Sipas të dhënave të inteligjencës, gjatë qëndrimit të tij në Moskë ai ka zhvilluar marrëdhënie të shkëlqyera biznesi me Borislav Miloshevicin, vëllanë e Slobodan Milosevicit. Me të ai është marrë me tregtinë e armëve, dhe përmes tij ka siguruar armatimin më modern për skuadrat e vdekjes të Beretave të Kuqe (që kanë terrorizuar në Kosovë – v.j.), përfshirë edhe helikopterët luftarakë të Rusisë.
Thuhet po ashtu se Stupar në procesin e privatizimit ka përdorur paratë e familjes Milosevic.
Një grup i rëndësishëm i financuesve të SNS-së janë të ashtuquajturat qarqe patriotike nga veriu i Kosovës. Revista më herët ka shkruar për takimet e përparimtarëve me Zvonko Veselinovicin, mbretin e pakurorëzuar të nëntokës së veriut të Kosovës.
Njeriu kryesor për komunikim me Veselinovicin ishte Borislav Pelevic. Ky ish anëtar i partisë së Zeljko Raznatovic Arkanit – Partia e Unitetit Serb – ka luajtur rol kryesor në promovimin dhe bindjen e krerëve të pushtetit në Serbi se Veselinovic nuk është kriminel dhe se “e njeh nga koha e luftës”.
Pelevic udhëheqësve të partisë u ka thënë se Veselinovic mund të ndihmojë financiarisht, gjë të cilën e ka bërë. Pos kësaj, Pelevic kishte ndikim te Veselinovici gjatë vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës, dhe lidhjet e tilla janë të njohura për organet hetuese të Serbisë.
Besimi ishte i lartë, kështu që Veselinovici e ka pyetur Pelevicin nëse mund të shkonte në Beograd, ku donte të merrte pjesë në martesën e motrës së tij. Një burim i SNS-së nga kreu i MUP-it serb e ka këshilluar se “ka diçka” për çka ai “nuk duhet të shkojë në Beograd”.

Sindikata e RTK-së kundër Mufail Limanit

Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës ka reaguar të mërkurën lidhur me konkursin për pozitën e kryeredaktorit në televizionin publik, RTK.
“Është shkelur kontrata kolektive e lidhur ndërmjet Sindikatës dhe Menaxhmentit të RTK-së, sipas së cilës një përfaqësues i deleguar nga Sindikata duhet ta vëzhgojë gjithë procesin e konkursit. Për herë të parë pas hyrjes në fuqi të Kontratës Kolektive, Sindikata e RTK-së është ftuar vetëm në fazën e intervistimit të kandidatëve, derisa ka munguar ftesa nga Menaxhmenti për fazën e seleksionimit dhe atë të vendimmarrjes, që do të thotë se vendimi është marrë në një ambient jotransparent”, thuhet në reagim.
Sipas Sindikatës, ka disa muaj që Bordi i Drejtoreve të RTK-së është jofunksional për shkak se tre anëtarëve të këtij institucioni (përfshirë kryetarin dhe nënkryetarin), u ka skaduar mandati. Prandaj, thonë ata, ky institucion është “jo legjitim në marrje të vendimeve”.
“Është joserioze që një Menaxhment në përfundim të mandatit të marrë vendime të cilat do të kenë jetëgjatësi vetëm disa muaj... Shpallja e konkursit për pozitën e Kryeredaktorit është bërë duke u bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë e parapara me ligjin e vjetër të RTK-se, derisa dihet se RTK-ja tanimë e ligjin e ri ne fuqi”.
Për Sindikatën, mungesa e aplikuesve jashtë RTK-së, për këtë pozitë, e bënë këtë proces të dyshimtë. Ndërsa, kulmi i parregullsive, për ta, vlerësohet kandidati i emëruar në këtë postë.
“Është skandaloze që Kryeredaktor i një mediumi që ka mision të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të emërohet personi me emrin Mufail Limani , i cili në paraqitjet e tij të shpeshta një debatet televizive në cilësinë e analistit, i bënte publike qëndrimet e tij proqeveritare. Gjithashtu, është e njohur se z. Limani nuk ka dëshmuar përkushtim dhe profesionalizëm gjatë kohës sa ka qenë redaktor i informacionit ne RTK-TV dhe së fundi redaktor ne ueb-faqen e RTK-se”.
Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, rregullatorit për media, KPM-se, institucioneve relevante vendore e ndërkombëtare, me kërkesën që t’i analizojnë këto vërejtje të tyre, dhe ta shpallin të pavlefshëm “vendimin e një Bordi jofunksional”.
“RTK-ja për herë të parë gjunjëzua financiarisht kur e filloi këtë vit me një deficit buxhetor prej 3.5 milionë eurosh, kurse me aktin e vet te fundit ajo definitivisht po e vulos nënshtrimin e vet ndaj presionit politik”, thuhet në fund të reagimit.

Gjysmë milioni euro për rindërtimin e shtëpive në veri

Qeveria e Kosovës ka ndarë një gjysmë milioni euro për rindërtimin e shtëpive në pjesën veriore të Kosovës.
Vendimi është marrë në mbledhjen e së mërkurës të ekzekutivit kosovar, në kohën kur janë shtuar kritikat drejtuar institucioneve vendore e ndërkombëtare për qasjen e deritashme ndaj problemeve të qytetarëve që jetojnë në atë pjesë të vendit.
Në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes, zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kërkoi një angazhim të shtuar të pranisë ndërkombëtare në veri të Mitrovicës.
“Ne nuk mund ta kufizojmë punën e EULEX-it në kuptimin e mossuksesit. Ne konsiderojmë që ai mision ka qenë i suksesshëm në Kosovë, por ka pasur dhe ka mundësi të bëjë më shumë në veriun e Kosovës dhe të mos jetë neutral përballë statusit”, u shpreh ai.
Komenti i tij vjen pas kritikave që kreu i Aleancës Veri-Atlantike, Anders Fogh Rasmussen, ia ka drejtuar BE-së rreth mungesës së burimeve të EULEX-it, gjë që, siç ka thënë, ndikon dhe në punën e KFOR-it.
Ky mision pritet, sikurse që bëri EULEX-i ditë më parë, ta shtojë praninë në pjesën veriore të Kosovës.
Mësohet se gjatë ditës në Kosovë pritet të arrijë një pjesë e kontingjentit të mbi 500 trupave që NATO-ja planifikon t’i dërgojë në vend para zgjedhjeve serbe të 6 majit.
Të dyja misionet në fjalë, sipas Kuçit, do të përjashtohen nga planet e deritashme qeveritare për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, meqë “fundi i ekzistimit të një roli ekzekutiv për Zyrën Civile Ndërkombëtare nuk nënkupton të njëjtën gjë edhe për EULEX-in dhe KFOR-in”. 

Më 3 Maj, mediat bojkotojnë institucionet

Në Ditën e Lirisë së Shtypit mediat kosovare do ta bojkotojnë në tërësi punën e institucioneve të Kosovës në shenjë pakënaqësie me miratimin e Kodit të ri penal, i cili jo vetëm që rrezikon punën e tyre por edhe i penalizon ata, kanë transmetuar vendimin e përbashkët përfaqësuesit e medieve në Kosovë.
Ky qëndrim i është prezantuar të mërkurën edhe presidentes Atifete Jahjaga.
Presidentja, ka pritur një delegacion të Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës dhe përfaqësuesve të medieve të shkruara dhe elektronike, ku është biseduar pikërisht për Kodin e ri penal, përkatësisht nenet 37 dhe 38 të cilat nga mediat kosovare janë cilësuar të papranueshme, njofton Rel.
Kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti tha pas takimit se presidentja ende nuk e ka marrë në shqyrtim Kodin e ri penal, por ajo u ka premtuar gazetarëve se zyra ligjore do t’i shqyrtoj të gjitha vërejtjet e paraqitura.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Arben Ahmeti tha se fillimisht mediat janë pajtuar që më 3 maj, në Ditën e Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit të gjitha mediat kosovare do ta bojkotojnë punën e institucioneve të Kosovës në shenjë proteste ndaj vendimit të Kuvendit për të miratuar nenet e papranueshme për gazetarët.
Ndërkaq për hapat e mëtutjeshëm, Ahmeti tha se do të vendoset më vonë, ngase pritet fillimisht të shihet nëse presidentja do ta kthej në ri amandamentim Kodin Penal, siç ka kërkuar sot delegacioni i gazetarëve në takimin e zhvilluar me kreun e shtetit.
Ai tha se përfaqësuesit e medieve janë nda të kënaqur me gatishmërinë e presidentes për t’i shqyrtuar të gjitha ankesat, shqetësimet tona, por natyrisht pasi që ekipi e saj ligjor ta ketë bërë edhe analizën legale të këtyre dy neneve.
Kodi i ri penal nuk i është dorëzuar ende presidentes me arsyetimin se ai është mjaftë voluminoz dhe ende nuk është gati teknikisht që t’i dorëzohet.

Arsenali në negociata për MVilan

Arsenali është në negociata me Rennes për të transferuar mesfushorin Yann M’Vila.
France Football shkruan se Topçinjtë tash janë në biseda të avancuara me klubin francez për të arritur një marrëveshje para fillimit të afatit kalimtar.
M'Vila edhe më herët kishte shprehur admirimin e tij për menaxherin e Arsenalit, Arsene Wenger, edhe pse po ashtu është në listën e dëshirave të Interit dhe Real Madridit.
Wenger e vlerëson lartë M’Vilan dhe e sheh atë si një shtesë të përkryer në skuadër. 

Guardiola: Kontrata vendoset në ditët e ardhshme

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se tifozët do ta kuptojnë të ardhmen e tij në ditët në vazhdim.
Pasi është eliminuar nga Liga e Kampionëve dhe është jashtë garës për titullin e kampionit të Spanjës, Guardiola është pyetur për vazhdimin e kontratës së tij.
“Do të takohem me presidentin Sandro Rosell në ditët në vijim dhe do të vendosim se çfarë është më e mira për të dyja palët. Është e qartë se është koha të flasim për këtë”, ka thënë Guardiola. 

Edhe Maicon në radarin e PSG

Paris Saint Germain planifikon të transferojë mbrojtësin e Interit, Douglas Maicon.
France Football shkruan se drejtori i PSG, Leonardo, është duke menduar një rikthim te Interi për të diskutuar transferimin e tij gjatë kësaj vere.
Maicon pritet të largohet nga Nerazzurrët dhe destinacioni i tij mund të jetë kryeqyteti francez.
Leonardo ka raporte të mira me presidentin e Interit, Massimo Moratti, pasi drejtoi klubin italian sezonin e kaluar. Ai kishte sjellë te PSG edhe Thiago Mottan po nga Interi në afatin kalimtar të janarit. 

Lampard: Momenti më i mirë te Chelsea

Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, ishte plot krenari pasi eliminoi Barcelonën për t’u kualifikuar në finale të Ligës së Kampionëve.
“Është një prej momenteve më të mira që kam shijuar me fanellën e Chelseat. E di se ne u mbyllëm dhe njerëzit dëshirojnë të shohin futboll të bukur, por me 10 lojtarë për 50 minuta ose sa ishin, të luajmë kështu ishte e pabesueshme”.
“Ora ecte më ngadalë në pjesën e dytë! Ju e dini se ata janë rrezikshëm në çdo moment për shkak të lojtarëve që kanë në skuadër, por kur ka një vendosmëri në këtë, ju fitoni atë që meritoni”.
“Ne të gjithë ishim të bashkuar dhe u mbyllëm mirë”, ka thënë Lampard për Sky Sports 2.

Stramaccioni ende shpreson për top tresh

Andrea Stramaccioni ka thënë se Interi ende mund të përfundojë në pozitën e tretë të tabelës së Serie A dhe të sigurojë kualifikimin për në play-off të Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Nerazzurrët aktualisht janë në pozitën e shtatë të renditjes dhe ndjekin Lazion që zen postën e tretë me gjashtë pikë, derisa sonte përballen me Udinesen, që rreshtohet e katërta.
“Pse nuk duhet të besoj se është e mundshme? Djelmoshat po ashtu besojnë, dhe numrat na mbështesin neve. Sigurisht ne duhet të përpiqemi të fitojmë ndaj Udineses pasi një rezultat negativ do ta bënte të vështirë për ne”, ka thënë Stramaccioni në konferencën për media.

Juve pas Cavanit

Sulmuesi i Napolit, Edinson Cavani, është shndërruar në cakun kryesor të Juventusit për afatin kalimtar veror.
Goal.com raporton se liderët e Serie A janë të paepur ta forcojnë repartin e sulmin për sezonin e ardhshëm, kur pritet të garojnë edhe në Ligën e Kampionëve.
Binconerët kanë një listë të gjatë të sulmuesve që po i përcjellin, përfshirë edhe atë të Chelseat, Fernando Torres, të Arsenalit, Robon van Persie, dhe sulmuesin e Real Madridit, Gonzalo Higuain.
Por Cavani duket se është kandidati që po josh më së shumti drejtuesit e Juventusit.
Napoli vështirë se do të heqë dorë nga shërbimet e uruguaianit me presidentin Aurelio De Laurentiis që së fundi tha se nuk beson se Cavani do të largohet gjatë verës.
Edhe lojtari në një prononcim të fundit tha se ai është i fokusuar vetëm në futboll dhe nuk mendon për të ndryshuar skuadër.

Rita Ora ka refuzuar këngën e Cheryl Cole

Rita Ora thotë se kënga e re e Cheryl Cole, “Call My Name”, fillimisht i ishte ofruar asaj, por këngëtarja me prejardhje kosovare e kishte refuzuar.
“E kam dëgjuar ‘Call My Name’ shumë kohë më parë, pasi më është ofruar. E kam refuzuar. Më pëlqeu kënga, por nuk doja ta këndoj pasi nuk isha vërtet unë në atë këngë”.
“Nuk dua të shkoj kah rruga e muzikës dance, të cilën shumë yje të tjera të muzikës pop po e bëjnë. Unë preferoj të kem zërin tim dhe të bëj gjërat e mia”, ka thënë Rita Ora për të përditshmen britanike The Sun.
Cheryl do ta lansojë këngën e re më 10 qershor, me albumin e saj të tretë “'A Million Lights” që do të lansohet një javë më pas, më 18 qershor. 

Blerina Kllokoqi komentohet në mediat turke

Kreatorja kosovare Blerina Kllokoqi-Rugova ka gjetur hapësirë edhe në mediat e huaja për krijimet e saja.
Në të përditshmen turke ‘HÜRRİYET’ është komentuar pjesëmarrja e dizenjatores kosovare në "Kosova fashion Week 2012".
Prezantimet e saja janë cilësuar dhe vlerësuar si sjellje e guximshme dhe e admiruar për gala mbrëmje.
Si duket etapa e parë e prezantimit të Koleksionit "Gogh" tashmë ka gjetur destinacionin e distribuimit.

Pattinson dhe Stewart të martohen?

Robert Pattinson dhe Kristen Stewart janë duke menduar për ta çuar lidhjen e tyre në një stad tjetër.
Yjet e serisë së filmave “Twilight” thuhet se janë duke menduar “seriozisht” rreth të ardhmes së tyre të përbashkët, që do të thotë se ata planifikojnë të martohen.
“Kristen dhe Robert kanë qenë shumë kohë së bashku. Fundi i filmave ‘Twilight’ është një fund për një periudhë të tyre, por në një mënyrë kjo vjen si lehtësim për ta”.
“Ata shpresojnë të shmangin të qenit në qendër të vëmendjes tash që nuk do të punojnë së bashku. Por mbeten të përkushtuar dhe martesa është diskutuar. Kjo mund të ndodhë shumë shpejt”, ka thënë burimi për mediat amerikane. 

Isa Mustafa takohet me zyrtarë të BE-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, po qëndron në një vizitë zyrtare në Bruksel.
Ai ka takuar kryetarin e Partive Popullore Evropiane, Wilfried Martens, me të cilin ka biseduar për gjendjen aktuale në Kosovë, si dhe për anëtarësimin e LDK-së në familjen e Partive Popullore Evropiane.
Në takim, u vlerësuan hapat që LDK-ja po i ndërmerr drejt perspektivës evropiane.
Kryetari Mustafa po ashtu takoi ndaras edhe Doris Pack dhe Eduard Kukan, anëtarë të Parlamentit Evropian nga EPP, si dhe Corinne Wortmann-Kool, nënkryetare e EPP dhe kryetare e Komisionit për Anëtarësim.
Një takim të veçantë, Mustafa, pati me Stefano Sannino, shef i Zyrës për Zgjerim i komisionarit Stefan Fule. Temë e bisedës ishin proceset e integrimeve evropiane, reforma zgjedhore në Kosovë dhe Veriu i Kosovës, thuhet në një njoftim të LDK-së. 

Reporterët pa kufij: Jahjaga të mos e nënshkruajë Kodin penal

Reporterët Pa Kufij (RSF) e kanë dënuar ashpër Kodin e ri Penal të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 20 prill 2012, në të cilin gjenden edhe dy nene që kriminalizojnë shpifjen dhe detyrojnë gazetarët që të zbulojnë burimet e tyre të informacionit në raste të procedimeve kriminale.
Në komunikatën e kësaj organizate thuhet se këto provizione janë të papranueshme.
“Ato qartazi kanë për synim heshtjen e atij lloji të gazetarisë dhe raportimit hulumtues që e bën qeverinë të ndihet jokomod”, thuhet në kumtesë.
Gazetarët nuk duhet të shkojnë në burg, për shkak të raportimit të tyre ose për shkak se refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre.
E drejta për të ushtruar gazetarinë dhe mbrojtur burimet e informacionit duhet të vazhdojë të jetë e parim thelbësor, ka vlerësuar RSF, duke shtuar se Kodi i ri Penal e vë lirinë e medias në rrezik dhe përfaqëson një sulm serioz kundër demokracisë.
“I bëjmë thirrje presidentes Atifete Jahjaga të refuzojë nënshkrimin e këtij kodi penal dhe ta kthejë në Kuvend për të bërë ndryshimet që do të ishin në një vijë me standardet ndërkombëtare”, thuhet në reagim".
"Presidentja duhet ta bëjë të qartë se nuk dëshiron të jetë pjesë e kësaj forme të sjelljes, e cila kërcënon gazetarët”, thuhet në komunikatën e RSF-së, duke ftuar gjithashtu ekspertët evropianë të ndërhyjnë dhe të ndihmojnë në rihartimin e neneve kundërthënëse.
RSF rikujton se neni 37 i Kodit Penal, të miratuar tashmë, mund ta vë një gazetar në shënjestër të ndjekjes penale për një vepër penale të “kryer nëpërmjet medias”.
Por, thuhet në komunikatë, definimi i saktë se ç’do të thotë kjo vepër, lë hapësirë të mjaftueshme për interpretim dhe mund të rezultojë me keqpërdorim nga ana e autoriteteve, posaçërisht në rastin e shpifjes.
Neni 38 ndërkaq thotë se gazetarët do të jenë “penalisht përgjegjës” në rastet kur refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre për të parandaluar “një sulm që përmban rrezik të pashmangshëm ndaj jetës apo integritetit personal”.
Zbatimi i këtij neni gjithashtu rrezikon gazetarinë hulumtuese, e cila edhe ashtu është e kufizuar në Kosovë dhe do të forcojë në mënyrë të konsiderueshme monopolin e mediave pro-qeveritare dhe propagandën qeveritare.
Më tej thuhet se kjo kohë është e vështirë për mediat në Kosovë dhe nëse Kodi Penal nuk tërhiqet, atëherë mediat do të përballen me më shumë keqtrajtime, të cilat komuniteti ndërkombëtar nuk do t’i mirëpres.
Kosova gjendet në vendin e 87-të nga 179 sa janë në listën e Reporterëve Pa Kufij, në matjet e lirisë së medias. 

EXIT pranon Kosovën

Në konferencën Share, organizator i së cilës është festivali EXIT i Novi Sadit, do të promovohet projekti që prezanton shtetin e Kosovës.
Konferenca fillon të enjten në Pallatin e Rinisë në Beograd, ndërsa përfundon të shtunën më 26 prill, kur do të promovohet projekti “Kosovo 2.0".
Lëvizja serbe “Nasi” (tanët) kërkon nga policia ndalimin e mbajtjes së promovimit, ndërsa në deklaratën e organizatës thuhet se konferenca si pjesë të programit ka paraparë edhe pjesëmarrjen e njerëzve që qëndrojnë prapa projektit "Kosova është 2.0".
“Projekti ‘Kosovo 2. 0’ merret me promovimin e drejtpërdrejtë të narko-shtetit të Kosovës si shtet i pavarur, që nuk është në përbërje të Republikës së Serbisë, gjë që paraqet shkelje të rendit kushtetues të Serbisë”, thuhet në deklaratën e “Nasi”, transmeton Kurir. Në deklaratë kërkohet nga Prokuroria publike ngritja e akuzës kundër atyre që janë përgjegjës.
Në faqen konferencës Share thuhet se ata veprojnë pa censurë dhe pa frikë, ndërsa në ueb-faqen e "Kosova 2.0", në thuhet se organizata kërkon vullnetarë të cilët janë të gatshëm t’i bashkohen prezantimit dhe promovimit të shtetit më të ri të Evropës.
Askush nga organizatorët e konferencës nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga Kurir. 

KEK-u investon miliona në bllokun që do të mbyllet

Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës tash e disa javë ka marrë vendim që blloku A-2 i termocentralit “Kosova A” të rikthehet në punë pas një periudhe pushimi prej 10 vjetësh. Vendimi, sipas zëdhënësit të kësaj korporate, Viktor Buzhalës, është marrë një muaj më parë. E për të gjitha detajet tjera që kanë të bëjnë me riaktivizimin e këtij blloku do të mbahet një konferencë për media pikërisht në hapësirat e këtij blloku.
KEK-u aktualisht ka në sistem tre nga pesë blloqet e TC “Kosova A”, përkatësisht njësitë A-3, A-4 dhe A-5. Njësia A-1 nuk ka punuar pas lufte, ndërsa njësia A-2 është ndalur para 10 vjetësh. “Riaktivizimi i njësisë A-2 do të ulë në masë të madhe nevojën për import të energjisë elektrike, duke kursyer dhjetëra milionë euro në vit”, thuhet në njoftimin që KEK-u e ka lëshuar si njoftim për media.
“Riaktivizimi i njësisë A-2 do të rrisë kapacitetet e gatshme për prodhim të energjisë elektrike në 1000 megavat-orë. Riaktivizimi i saj do të bëhet në përputhje të plotë me normat e emisionit të BE-së, njëjtë si po veprohet edhe në elektrofiltrat e tri njësive aktive të këtij termocentrali”, thuhet tutje në njoftimin e KEK-ut.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur se ajo po e mbështet Kosovën në përmbushjen e obligimeve të veta dhe në zbatimin e standardeve të Bashkimit Evropian, të cilat janë pjesë e Traktatit të Bashkësisë së Energjisë, të cilat duhet të zbatohen edhe në Kosovë. E një nga standardet që Kosova duhet të zbatojë është edhe mbyllja e “Kosovës A”, e cila sipas Zyrës së BE-së “ka marrë seriozisht zotimin për ta mbyllur “Kosovën A” deri më 2017”.
“Duke ditur shumat financiare që KEK-u shpenzon në import të energjisë për çdo vit, është e arsyeshme që të zbatohet një plan për rritjen e kapacitetit gjenerues vendor, siç është riaktivizimi i bllokut A-2”, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, shkruan Koha Ditore.
Rivitalizimi i bllokut A-2 do t’i kushtonte KEK-ut rreth 100 milionë euro. Rivitalizimi nënkupton që emisioni i CO2 të jetë brenda kufijve të lejuar nga BE-ja. Planifikohet që blloku A-2 të prodhojë afro 150 megavat për orë.

Puna me honorarë shumë e ulët në Gjermani

Gjermania ka regjistruar në 10 vjet progresionin më të ulët sa i përket kostos së punës në të gjithë Evropën, sipas një statistike të publikuar të mërkurën, por kostoja e punës me honorarë është sa një e treta më e lartë se mesatarja evropiane.
“Një orë pune në sektorin privat kushton 30.10 euro për punonjësit gjermane, një shifër rreth 32 për qind më e lartë se mesatarja e BE-së dhe që e klasifikon Gjermaninë në vendin e shtatë nga 27 vendet e BE-së'', sipas shifrave të publikuara nga zyra federale e statistikave Destatis.
Në raport me fqinjin francez, kostoja e punës është 12 për qind më e ulët dhe 23 për qind shumë më e ulët se në Belgjikë, që mban vendin e parë në BE.
Gjermania ka njohur në vitet 2001-2011, sipas Destatis, progresionin më të dobët në gjithë Bashkimin Evropian, me një rritje 19.4 për qind, ndërkohë që kostoja e punës me honorarë është rritur në 39.2 për qind, për të njëjtën periudhë.
Rritja e pagave në Gjermani është një faktor kyç për zhvillimin e vendit dhe veçanërisht për industrinë. 

SHBA, bie shitja e shtëpive të reja

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në muajin mars u pakësuan shitjet e shtëpive të reja, por megjithatë, ato ishin më të larta se në muajt e fundit të 2011. Departamenti i Tregtisë tha se gjatë muajit mars amerikanët blenë shtëpi të reja me një ritëm vjetor pak më të lartë se tremujorin e katërt të vitit të kaluar, por më pak se sa shifra të cilën analistët e konsiderojnë si shenjë për një treg të shëndetshëm.
Tregu i shtëpive në Shtetet e Bashkuara është ndoshta pjesa më e brishtë e ekonomisë amerikane, më e madhja në botë.
Miliona pronarë shtëpish, shumë prej tyre të papunë për shkak të krizës, i kanë humbur shtëpitë, që kanë kaluar në pronësinë e bankave, për shkak se pronarët nuk kanë qenë të gjendje të shlyejnë pagesën mujore.
Edhe interesat e ulëta në nivel rekord, nuk kanë ndikuar sa duhet në shitjen e shtëpive. 

Kosova pranë marrëveshjes me FMN

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri thotë se janë hedhur hapa përpara në drejtim të një marrëveshjeje me Fondin Monetar Ndërkombëtar për mbylljen e hendekut të financimit.
Gërguri që ndodhej në Washington për takimet e pranverës së FMN-së dhe Bankës Botërore, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se nëse efektet e krizës globale prekin Kosovën ndikimi do të ndjehej së pari tek eksportet, dërgesat e emigrantëve dhe investimet e huaja.
"Vizita në FMN ishte mjaft e suksesshëm nga pikëpamje e Fondit Monetar për shkak se definitivisht është pranuar performanca shumë e mirë e treguar e autoriteteve tona në relacion me përmbushjen e detyrave në prag të nënshkrimit të një marrëveshje të re më FMN-në", theksoi ai.
Sipas Gëgruit Kosova pritet te hyjë në një program të ri me FMN, një shumë e cila sipas tij do të jetë e mjaftueshme për të mbyllur hendekun e financimit në vlerë monetare mbërrin në 107 milionë euro.

NBA: Jazz në play-off, Celtics shkatërron Heat

Utah Jazz ka siguruar vendin e fundit që dërgon në play-off me fitore 100-88 në shtpi ndaj Phoenix Suns, derisa Boston Celtics ka fituar 78-66 ndaj Miami Heat.
Paul Millsap shënoi 26 pikë dhe 15 kërcime për Jazz që dominuan ndaj Phoenix në çerekun e katërt për t’u bërë skuadra e fundit e NBA-së që siguron biletën për në play-off.
Me edhe një ndeshje të mbetura, Utah ka siguruar pozitën e tetë dhe do të përballet me liderin e Perëndimit, San Antonio Spurs, në rundin e parë të play-offit
Në Konferencën Lindore, Boston ka fituar ndaj Miamit që e ndjeu mungesën e lojtarëve kyç si LeBron James, Dwayne Wade dhe Chris Bosh.
Edhe Celtics, që në rundin e parë të play-offit do të përballen me Atlanta Hawks, ishin pa yjet si Ray Allen, Kevin Garnett dhe Rajon Rando. 

Ronaldo i bindur se do ta mposhtë Bayernin

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është i bindur në sukses në ndeshjen e Ligës së Kampionëve përballë Bayern Munichut.
Reali duhet ta përmbysë disavantazhin 2-1 të ndeshjes së parë për të siguruar biletën për në çerekfinale, ku tashmë është kualifikuar Chelsea.
“Ne jemi mirë. Jam i sigurt se në shtëpi ne do të fitojmë pasi ne luajmë në stadiumin tonë, para tifozëve tonë, dhe ne kemi gjithçka që na duhet për të qenë në gjendje të fitojmë”.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por shpresoj Madrid të fitojë. Ata luajtën në shtëpi dhe fituan, por ne kemi shënuar një gol atje, që ishte i rëndësishëm”.
“Ne e dimë se Bayerni, pas ndeshjes së parë, do të luajë në kundërsulme, por po ashtu besojmë se ata do të kenë shumë respekt për ne, pasi ne luajmë në shtëpi”.
“Shpresoj ne të arrijmë në finale pasi është shumë e rëndësishme për lojtarët, për Real Madridin dhe për tifozët tanë anekënd botës”, ka thënë portugezi për Bwin.com.

Guardiola: Eliminimi të jetë mësim

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ata duhet “të mësojnë” nga eliminimi tronditëse në Ligën e Kampionëve nga Chelsea.
“Nuk ishte dashur të ndodhte këtë vit. Gjëja e parë që më kalon në kokë është një dhimbje e pafund. Më falni nëse nuk jam i mprehtë, por kam përshtypjen se me kalimin e kohës do të them: ‘bëmë një sfidë të shkëlqyeshme’”.
“Ne kemi luajtur jashtëzakonisht mirë për 180 minuta, ne bëmë gjithçka që mund të bënim të jemi në finale. Ne kurrë nuk kemi punuar kaq fuqishëm për të qenë në një finale”.
“Ne duhet të kuptojmë se çfarë nuk e bëmë në mënyrë korrekte dhe ta korrigjojmë atë. Kur ishim 2-0 ne nuk ndaluam, ne vazhduam të sulmojmë. Askush nuk mund të ketë gjithçka. Kjo mund të jetë një mësim që e mësoni me kalimin e kohës”, ka thënë spanjolli. 

Flori sërish me një hit të ri

Këngëtari nga Shqipëria, Flori Mumajesi, i cili së fundi po sjell hitet më të mëdha të muzikës shqiptare, sërish vjen me një hit të radhës.
“Marina” titullohet kënga më e re e Florit e cila është realizuar në bashkëpunim me Ylli Baka.
“Marina” një këngë mjaft ritmike pritet të bëhet një nga hitet më të dëgjuara të kësaj vere.
Kënga është realizuar nga produksioni “Threedots”.

Chrome për Android del nga beta

Sipas fjalëve të shefit për zhvillim të Chrome, ky shfletues në versionin për Android së shpejti del nga beta. Kjo do të ndodhë për ca javë, tha për CNET Sundar Pichai.
Ekipi momentalisht po punon në sigurimin e qëndrueshmërisë së aplikacionit në punë, ndërsa ata janë të përqendruar në eliminimin e bug-ëve. Chrome për Android, përndryshe i paraqitur gjatë muajit shkurt, së voni fitoi mundësitë e avancuara të punës siç janë sinkronizimi i tabëve të hapur nga kompjuterët në të cilët përdoret Chrome, mundësia e shkarkimit të faqeve për shfletim offline, dhe mundësia e vendosjes së bookmarkëve në ekranin fillestar.
Edhe pse aplikacioni ka marrë kritika shumë të mira për sa i përket funksionalitetit dhe shpejtësisë së punës, një nga të metat më të mëdha është se për punë kërkon Android 4.0 Ice Cream Sandwich, derisa pjesa më e madhe e pajisjeve ende janë në Android 2.3 Gingerbread. 

Deponimi në re

Vetëm ca dit para publikimit të lëshimit në punë të Google Drive, Microsoft zvogëloi hapësirën elementare (pa pagesë) të shërbimit të vet SkyDrive nga 25 në 7 gigabajt pa ndonjë paralajmërim të veçantë, e shfrytëzuesve ekzistues për afat të shkurtë kohor u ofron mbindërtimin pa pagesë në 25GB.
Në këtë mënyrë, Microsoft detyroi një numër të shfrytëzuesve që të përdorin shërbimin dhe përfitoi vizitat e atyre që nxituan të “shpëtojnë” hapësirën para se Google të hyj edhe në këtë treg.
Siç pritej, Google Drive edhe zyrtarisht është në dispozicion nga e marta dhe është i integruar me Picasa dhe Gmail si dhe Google Docs dhe një pjesë të shërbimit Google Apps, që për shfrytëzuesit e shërbimeve të përmendura do të jetë shumë praktike. Mirëpo, çmimet e hapësirës që mund të blihen kanë ndryshuar. Dikur për 20 gigabajt hapësirë në Gmail dhe Picasa paguanim pesë dollarë amerikan në vit, e tani 25GB hapësirë në Google Drive, Picasa, GMail do të kushtoj 2.5 dollarë në muaj, që në fund të fundit është shtrenjtim prej 500%.
Duke pasur parasysh kompleksitetin e ofertës dhe kërkesave, për përshkrimin detaj të shërbimeve, kufizimeve dhe mundësive dhe çmimeve për kategori, më së miri është të vizitohen faqet Google Drive, SkyDrive dhe Dropbox (ose ndonjë tjetër) dhe ti krahasoni vet. 

Mourinho: Së shpejti do të vendos për të ardhmen

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka refuzuar të japë garanci se ai do të qëndrojë në Santiago Bernabeu edhe pas këtij sezoni.



“Unë kam një kontratë me klubin dhe nuk kam arsye të largohen. Kur të vijë koha do të bisedoj me njerëzit e mi dhe me Bordin dhe do të vendos se çfarë është më mirë për mua, për klubin dhe për lojtarët”.
“Këto vite në Madrid kanë qenë një përvojë e pasur e cila më ka shndërruar në një trajner më të mirë. Gjithmonë kam shikuar të punoj në vende të ndryshme dhe me lojtarë të ndryshëm”.
“Nuk jam i zhgënjyer deri tash, ka më pak se një muaj deri në fund dhe ne mund të fitojmë dy tituj. Kjo mi zbardh flokët, por megjithatë kënaqem me këtë”, ka thënë Mourinho.