Chelsea shkruan historinë

Chelsea është triumfuesi i sivjetmë i garës më të madhe evropiane për klube – Ligës së Kampionëve. Rezultati i takimit të zhvilluar në Allianz Arena pas kohës së rregullt dhe pas vazhdimeve ishte 1-1, ndërsa pas ekzekutimit të penaltive më e saktë rezultoi skuadra e Chelseat.
Një Bayern i jashtëzakonshëm u shfaq në fraksionin e parë të lojës me një dominim total dhe administrim të ndeshjes, e cila u zhvillua në pjesëfushën që u takonte lojtarëve me fanellat e kaltra.
Të panumërta ishin rastet e bavarezëve në 45 minutat e para të takimit, mirëpo fati nuk ishte në anën e tyre. Rastin e parë të vërtetë e pati Arjen Robben, i cili depërtoi në zonë për të goditur, mirëpo aty ishte Petr Cech për ta ndalur.
Pasuan goditjet nga Schweini dhe Kroos, dhe një seri tastesh të humbura nga Ribery, Mueller, Robben e Gomez. Ndërkohë, që e pathyeshme u tregua mbrojtja e ekipit anglez.
Rastet e vetme të Chelseat në këtë gjysmëlojë ishin një gjuajtje e lirë nga Juan Mata që përfundoi mbi portë dhe një goditje nga Salomon Kalou, të cilën e ndali Neuer.
Edhe gjysma e dytë filloi me një fotografi të ngjashme – me Bayernin që sulmonte dhe Chelsean që priste rastin nga ndonjë kundërsulm. Franck Ribery arriti ta tundë rrjetin, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtë lojë.
Blutë vazhduan t’i bëjnë ballë ofensivës agresive të lojtarëve me fanellat e kuqe, të cilët shpërdoruan raste të shumta shënimi.
Ishin momente të shkurtra kur lojtarët e Chelseat dilnin nga gjysma e tyre për të rrezikuar dhe menjëherë kthehej loja e zakonshme – bavarezët sulmonin, të kaltrit mbroheshin.
Dhe më në fund erdhi goli. Ishte minuta e 83-të kur u thye mbrojtja e çeliktë e Chelseat. Thomas Mueller e mposhti me kokë portierin Cech pas një harkimi të Toni Kroos (83’).
Mirëpo, befasia e Bluve këtë edicion nuk mungoi as në finale. Pas një krosimi nga këndi të Juan Matas, rezultatin e barazoi, kush tjetër pos Didier Drogbas (88’).
Duke qenë se nuk u shënuan gola të tjerë, loja shkoi në vazhdime për t’u kërkuar fituesi.
Pak minuta pas fillimit të pjesës së parë të vazhdimeve, Drogba bëri një gabim fatal duke ndërhyrë nga prapa në Ribery në zonë, dhe arbitri akordoi penalti. Përgjegjësinë e mori Arjen Robben, por i jashtëzakonshmi Petr Cech e ndali goditjen e tij.
Në 15 minutat e fundit të kësaj finaleje dramatike, lojtarët e Bayernit diktuan lojën që e bënë gjatë gjithë sfidës, mirëpo vazhduan me moskonkretizimin e rasteve të tyre. Dhe meqë nuk pati gola, u desh që penaltitë të vendosin fituesin.
Pas ekzekutimit të penaltive, më të suksesshëm u treguan lojtarët me fanellat e kaltra, kështu që Chelsea shpallet fitues i edicionit 2011/2012 në Ligën e Kampionëve.
Ky është titulli i parë në histori të skuadrës londinezë në Ligën e Kampionëve.

Milani transferon një portier

Rossonerët kanë kompletuar transferimin e portierit të Cruzeiros, Gabriel – shkruan Sky Sport Italia.
Milani ka qenë në treg për një gardian që do ta zinte vendin e Flavio Romas, i cili pritet të largohet këtë verë pasi i skadon kontrata.
Braziliani pritet të arrijë në Itali të hënën për ta finalizuar transferimin, ndërsa kuqezinjtë do të paguajnë rreth gjysmë milioni euro për Gabriel.

Finalja e Ligës së Kampionëve – formacionet

Trajneri i Chelseat, Roberto Di Matteo, e ka përfshirë në mënyrë befasuese mbrojtësin Ryan Bertrand në formacionin bazë të Bluve në finalen e Ligës së Kampionëve përballë Bayern Munichut.
22-vjeçari do të luajë në një pozitë tjetër, gjegjësisht si mesfushor i majtë, ndërsa kjo do të jetë ndeshja e tij e parë në garën më të madhe evropiane për klube.
Gary Cahill e David Luiz janë në gjendje të luajnë, ndërsa Juan Mata do të marrë një rol qendror në sulm për ta furnizuar me topa Dider Drogban.
Bayerni paraqitet me një kombinim të pazakontë në qendër të mbrojtjes – me Jerome Boateng e Anatoliy Tymoschuk.
Mesfushën defensive e përbëjnë Bastian Schweinsteiger dhe Toni Kroos, ndërsa sulmuesin Mario Gomez e mbështesin Franck Ribery, Thomas Mueller dhe Arjen Robben.
Formacioni startues i Bayern Munichut: Neuer; Contento, Boateng, Tymoschchuk, Lahm; Schweinsteiger, Kroos; Ribery, Mueller, Robben, Gomez.
Banka rezervë: Butt, van Buyten, Rafinha, Usami, Pranjic, Petersen, Olic.
Formacioni startues i Chelseat: Cech; Cole, David Luiz, Cahill, Bosingwa; Lampard, Mikel; Bertrand, Juan Mata, Kalou; Drogba.
Banka rezervë: Turnbull, Ferreira, Essien, Romeu, Malouda, Sturridge, Torres.

Spanja meriton të quhet favorit

Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Angel Maria Villar, ka deklaruar se përfaqësuesja e tij meriton të quhet favorit për ta fituar Kampionatin Evropian – Euro 2012.
Furia e kuqe është kampion në fuqi i Evropës dhe botës, ndërsa Villar e mirëpret faktin që kombëtarja e tij konsiderohet favorite për të triumfuar në Poloni dhe Ukrainë.
“Ne e meritojmë epitetin e favoritit. Mirëpo, jo vetëm skuadrat që i njohim mund të të mposhtin, por këtë mund ta bëjë secili ekip kombëtar”.
“Në Portugali në vitin 2004, Greqia e fitoi titullin”, ka deklaruar Villar për Marca.

Alba nuk i është shitur Barcës?

Sekretari teknik i Valencias, Braulio Vazquez, ka deklaruar se Jordi Alba nuk është pranë kalimit te Barcelona.
Ish-trajneri i Los Che, Unai Emery, ka thënë se spanjolli i është shitur klubit katalunas, mirëpo Vazquez i ka përgënjeshtruar këto informata.
“Jordi Alba nuk i është shitur Barcelonës. Nuk ka arritur asnjë ofertë konkrete për lojtarin”.
“Agjentët e tij janë duke i shqyrtuar të gjitha ofertat që mund të kenë arritur, duke përfshirë edhe atë të bërë nga Valencia për zgjatjen dhe përmirësimin e kontratës së tij”, ka thënë Vazquez për EFE.

Buffon: Gjithmonë bardhezi

Portieri italian, Gianluigi Buffon, e ka bërë të qartë se e ardhmja e tij do të jetë gjithmonë me Juventusin.
Që nga transferimi te Zonja e Vjetër në vitin 2001, Gigi ka qenë pjesë vitale e Bianconerëve, mirëpo edhe pse kontrata e tij skadon në vitin 2013, ai ka thënë se do të vazhdojë me Juven.
“E ardhmja ime gjithmonë do të jetë e ngjyrosur bardhezi”.
“Ende kemi shumë objektiva për të arritur, përkundër gjithë këtyre Scudettove që kemi fituar gjatë viteve”, ka thënë gardiani përRadio Deejay

“Thiago Silva ka shumë ofertues”

Thiago Silva edhe pse ka thënë se nuk do të largohet dhe edhe pse nga Milani është deklaruar i pa shitshëm, duket se po tërheq interesim të jashtëzakonshëm nga klubet e mëdha evropiane, gjithnjë sipas Adriano Gallianit.
Pas një sezoni katastrofal të skuadrës Rossonere, shumë besojnë se Thiago Silva do të shkojë drejt një klubi të madh jo italian, ndërsa këtë teksa e konfirmon Galliani, menjëherë hedh poshtë mundësinë e shitjes së brazilianit.
“Më duhet t’i rezistoj interesimit për Thiago Silvan. Janë shumë klube përreth Evropës që janë në gjendje të bëjnë gjëra të çmendura për brazilianin”, ka thënë Galliani për Tuttosport

Rihanna vazhdon të pijë, përkundër sëmurjes

Vetëm dy javë pasi është hospitalizuar për shkak të rraskapitjes dhe dehidrimit, si pasojë e konsumimit të tepruar të alkoolit dhe argëtimit të tepruar, Rihanna ka vazhduar me të vjetrën.
Problemet e vogla shëndetësore duket se nuk e pengojnë këngëtaren që të vazhdojë të kënaqet.
Ajo është parë duke vallëzuar me një shishe shampanje në dorë në një klub nate në Hollywood.

Coleen fle, Rooney ‘luan’ me femra tjera (Foto)

Femra të shumta, secila më seksi se tjetra në një klub nate në Las Vegas, e kanë ‘pushtuar’ futbollistin anglez, Ëayne Rooney, teksa bashkëshortja e tij, Coleen, ishte duke fjetur në hotelin e tyre.
Rooney vallëzoi dhe flirtoi me shumë femra deri në ora 3:00 të mëngjesit në një klub nate në Las Vegas, teksa të pranishmit në këtë klub nate kanë deklaruar për The Sun se impianti ishte i mbushur me femra të bukura.
“Ai po kënaqej. Vërtet vendi ishte i ‘paketuar’ me femra nga më të bukurat. Kishte bjondine, brunete, ishte një ylber plot me bukuroshe. Wayne kaloi për mrekulli. Ai vallëzoi dhe mori në ‘dorë’ shumë vajza. E vërejta sa i lumtur ishte”, ka theksuar një burim i The Sun.
Si duket kjo ka qenë mënyra më e mirë e Rooneyt për të harruar një sezon tmerrues me klubin e tij Manchester United, teksa pritet të ballafaqohet me probleme me bashkëshorten e tij pas këtyre fotove të publikuara, vetëm tri javë pa filluar kampionati europian në futboll, Euro 2012. 

E ktheu fëmijën se ishte i zhurmshëm – paguan shpenzimet

Një grua amerikane, e cila e ka birësuar një djalë rus dhe e ka kthyer sërish në Moskë, është urdhëruar që të paguajë për mirëqenien e djalit, si edhe një kompensim prej 150.000 dollarësh.
Një gjykatës në shtetin Tennessee ka vendosur që Torry Hansen të paguajë nga 1.000 dollarë çdo muaj për djalin nëntëvjeçar, derisa ai të mbushë 18 vjet.
Hansen e ktheu Artyom Saveliev në Rusi në prill të viti 2010, me një letër në të cilën thuhej se fëmija ishte i zhurmshëm, i dhunshëm dhe ajo më nuk e dëshironte.
Sipas dokumenteve gjyqësore, djaloshi ishte hospitalizuar për tri javë pasi është kthyer në Moskë, mirëpo nuk tregohet se për çfarë është mjekuar. Më pas ai është vendosur në një jetimore dhe pastaj është dërguar në një institucion tjetër.
Gjykatësi që është marrë me rastin ka bërë të ditur se 58.000 dollarë (nga shuma e përgjithshme prej 150.000) do të shfrytëzohen për të paguar shpenzimet e këtyre dy viteve duke përfshirë edhe trajtimin mjekësor.
Incidenti ka krijuar një skandal ndërkombëtar dhe ka shtyrë Rusinë që të vendosë një moratorium të përkohshëm mbi programin e adoptimit me SHBA-të. 

Një 73-vjeçare ngjitet në Mont Everest

Një japoneze 73-vjeçare është ngjitur në majë të malit Mont Everests duke shënuar rekord të ri si gruaja më e moshuar që arrin në atë pikë.
Tamae Watanabe ka shkelur në majën e lartë prej 8.850 metrash nga pjesa veriore e malit të Tibetit së bashku me katër anëtarë tjerë të ekipit.
Femra e parë që është ngjitur në majën më të lartë në botë ka qenë po ashtu japoneze. Në vitin 1975, Junko Tabei u ngjit në Mont Everest

Nuk bëhet shaka me fëmijët! (Video)

Një amerikan i papërgjegjshëm me shaka e ka vendosur fëmijën e tij të vogël në një lavatriçe të madhe, gjë e cila për pak sa nuk i kushtoi jetën vogëlushit.
Makina e larjes së teshave ishte e një lloji që fillonte punën me të mbyllur derën çka bëri që nëna dhe babi të futeshin në panik. Rrotullimi i fëmijës disa herë në lavatriçe u regjistrua minutë pas minute në kamerat e sigurisë së lavanterisë.
Sipas Start, ngjarja ka ndodhur më 11 maj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është shpërndarë vetëm së fundmi në uebsajtet në internet. Në video shfaqet një nënë e re së bashku me bashkëshortin dhe fëmijën e tyre të vogël në një lavanteri. Babai i pakujdesshëm, i cili dëshiron të bëjë shaka, e vendos fëmijën në lavatriçe dhe i mbyll kapakun. Mirëpo, makina kishte një sistem që me të mbyllur derën hyn në punë e në këtë mënyrë filloi të rrotullonte edhe fëmijën bashkë me rrobat. Sado që u munduan të hapin derën e lavatriçes nëna dhe babai i shastisur, nuk ia dolën.
Në këtë mënyrë ata vrapuan për te personeli i lavanterisë. Ndërkohë që fëmija vazhdonte të rrotullohej, një punonjëse erdhi me shpejtësi dhe e fiku makinën e larjes. Pas hapjes së kapakut u pa që fëmija ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Babai duket se ka nxjerrë mësim se jo me gjithçka mund të bëhet shaka.

Bayerni apo Chelsea, kush fiton sonte?

Do të jetë përballja e gjigantëve të heshtur. Përballja e dy armatave të mençura, që në rrugë drejt finales shpartalluan ekipet me futbollistët më të mirë të globit. Me shumë meritë të dyja gjenden në betejën përfundimtare. Pancerët gjermanë të Bayernit të Munichut do të kenë punë me ideologjinë taktike italo-angleze të Chelseat të drejtuar nga Roberto Di Matteo, në finalen e madhe që zhvillohet në Allianz Arena.
Të dyja ekipet vijnë nga forma jo e mirë në kampionatet lokale, teksa të dyja ekipet po ashtu përballen me mungesa të ndjeshme në formacion për shkak të suspendimeve.
Te Bayerni mungojnë Holger Badstuber, David Alaba dhe Luiz Gustavo, teksa te Chelsea mungojnë për shkak të suspendimeve lojtarë kyç si John Terry, Branislav Ivanovic, Ramires dhe Raul Meireles.
Formacionet e mundshme:
Fakte tjera interesante:
Bayerni i Munichut i ka fituar 13 nga 14 ndeshjet e fundit në Allianz Arena në të gjitha garat, duke barazuar një tjetër.
Nëse bavarezët triumfojnë sonte mbrëma, atëherë ata do t’i bashkohen Liverpoolit si klubi i tretë me i suksesshëm në historinë e garës më prestigjioze evropiane me pesë trofe të fituar.
Klubi gjerman do të jetë i pari që do të përfitojë nga terreni vendas në finale, pas avantazhit që pati Roma ndaj Liverpoolit në Stadio Olimpico në vitin 1984.
Një fitore e Bayernit do ta bënte trajnerin Jupp Heynckes vetëm trajnerin e katërt që fitoi dy tituj të Ligës së Kampionëve me dy ekipe të ndryshme pas Ernst Happelit, Ottmar Hitzfeldit dhe Jose Mourinhos.
Chelsea ka fituar vetëm një ndeshje këtë sezon në udhëtim në Ligën e Kampionëve dhe tashmë e ka humbur një sfidë të zhvilluar në Gjermani: me rezultat 2-1 ndeshjen ndaj Bayer Leverkusenit.
Klubi anglez ndaj skuadrave gjermane në sfidat e zhvilluara në Gjermani ka rekord të ‘zi’, vetëm një fitore, një barazim dhe katër humbje.
Forma e të dyja klubeve është e njëjtë – në pesë ndeshjet e fundit kanë nga tri fitore dhe dy disfata.

Klopp: Nuk do ta drejtoj Liverpoolin

Bosi i Dortmundit, Jurgen Klopp, e ka distancuar veten nga spekulimet që e lidhin atë me një kalim te Liverpooli, pas shkarkimit të Kenny Dalglish.
The Reds janë në kërkim të një menaxheri të ri dhe ndër emrat e shumtë të lakuar nëpër media, ishte edhe emri i super strategut gjerman. Sidoqoftë, është pikërisht Klopp ai që ka përjashtuar një mundësi të tillë.
“Jam njoftuar për interesimin nga Anglia dhe është nder të jem i lidhur me klube të mëdha në Ligën Premier. Por, unë kam kontratë me Dorotmundin deri në vitin 2016 dhe nuk do të shkoj asku. Më pëlqen këtu dhe nuk e kam ndërmend të ndërroj klube”, ka theksuar Klopp.

Kusari – Lila në Vjenë flet për sfidat e Lidershipit në Demokraci

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari – Lila mori pjesë në takimin e dytë të Dialogut dhe Bashkëpunimit Global që po mbahet në Vjenë. Ajo u ftua në panelin me temë “Sfidat e lidershipit demokratik në shekullit 21” së bashku me Gjeneralin Wesley Clark, Morgan Richard Tsvangirai, Kryeministër i Republikës së Zimbabvesë, Abdul Latif AL-MEER zëvendësdrejtor i Sidra Takafu(kompani e sigurimeve nga Baharian) dhe ish Presidentin e Bullgarisë Petar Stoyanov.
Zëvendëskryeministrja Kusari - Lila para diplomatëve, përfaqësuesve të lartë të shteteve përmendi sfidat kryesore të lidershipit të cilat derivojnë nga përvoja e Kosovës në periudhën e çlirimit dhe të shtet-ndërtimit.
Kusari – Lila tha se duke pas parasysh që ndërtimi i shtetit demokratik varet nga lidershipi vendor, sfida është varësia e shteteve të vogla nga ato të mëdhat. Ajo shtoj që “Ideja e ndërtimit të institucioneve demokratike në një ambient të pas-luftës bazuar më shumë në lidershipin ndërkombëtar se sa në atë vendor është sfidë serioze për demokracitë e reja të shekullit 21”
Ministrja ndau eksperiencën e reciprocitetit me Serbinë duke thënë që sfidë sipas saj është presioni që të arrihen rezultate të shpejta në procese që kjo nuk është e mundur.
“Presioni që për kohë të shkurtër të arrihen rezultate dhe njëkohësisht të ruhet stabiliteti politik është sfidë për demokratët” tha Kusari Lila. “Bllokimi i kufirit me Serbinë ka mund të sjell pasoja të destabilizimit politik të Kosovës për shkak të reagimit të komunitetit serb dhe atij ndërkombëtar. Në anën tjetër ne ishim të vetëdijshëm që ky vendim do të rivendos marrëdhëniet normale tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ardhmen. Në afat të shkurtër ne rrezikuam marrëdhëniet e mira me partnerët evropianë dhe disa të komunitetit të biznesit që bëjnë biznes me Serbinë. Në afat të gjatë siguruam që ne do të mbrojmë interesat tona tregtare dhe do të pranojmë vetëm marrëdhënie shtetërore me Serbinë”.
Ajo tha se edhe pse si lidership jemi të zgjedhur në mënyrë demokratike, agjenda ekonomike ndikohet shpesherë nga tregjet ndërkombëtar, zhvillimet e BE-së.
Paneli i udhëhequr nga gazetari i Deutche Welle, Ali Asllan, vazhdoi me diskutimin e sfidave të Lidershipit në Demokraci e shekullit 21, ku secili nga ta ndau përvoja të vendeve prej nga vijnë. Pjesë e rëndësishme e takimit ishte edhe kriza ekonomike në Eurozonë.
Takimi i dytë i cili filloi më 16 maj do të përfundoj sot me fjalimin e ish presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clincton, i cili për herë të dytë merr pjesë në këtë takim.

Ministri Beqaj mori pjesë në takimin BERZH-it

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Besim Beqaj, si përfaqësues i Republikës së Kosovës, morri pjesë në takimin vjetor dhe forumin e biznesit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillimi (BERZH) në Londër.
Në ketë takim i cili i është kushtuar Menaxhimit në periudhat turbulente marrin pjesë përfaqësuesit e vendeve anëtare të BERZH-it dhe vendeve tjera.
Pjesëmarrjen në ketë konferencë ministri Beqaj e ka shfrytëzuar për takime me përfaqësuesit e shumicës së vendeve anëtare të BERZH-it. 

Kosova, vendi i vetëm pa ligjin për pensione

Kosova ende nuk ka një ligj për pensionet, kurse në tryezën” Projektligji i Pensioneve – efektet dhe pasojat”, të organizuar nga Lidhja e Juristëve të Kosovës dhe Fondacioni "Friedrich Ebert", zyra në Prishtinë, u vlerësua se edhe 13 vjet pas luftës po vazhdon pozita e vështirë materiale, shoqërore e sociale dhe shkelja e të drejtave të pensionistëve kontribut pagues në Kosovë.
Në konferencën, ku ishin të pranishëm ekspertë të legjislacioniti dhe shoqata të ndryshme që merren me mbrojtjen e pensionistëve, u diskutua për mungesën e ligjit për pensionistët, duke fajësuar institucionet përkatëse vendore, por edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, që sipas tyre po e bllokojnë një ligj të tillë.
Sahit Dragaj, kryetar i Partisë së Pensionistëve të Kosovës, mungesën e ligjit për pensione dhe 13 vjet pas luftës e ka quajtur si “sui generis”, pasi, sipas tij, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në botë që nuk ka ligj për pensione.
“13 vjet nga mbarimi i luftës s’kemi ligj për pensione, katër vjet prej shpalljes së pavarësisë nuk kemi ligj. Është rast sui generis jo vetëm në Evropë, por edhe në botë që mos të kemi ligj për pensione. Ne praktikisht nuk kemi pensione, as ndihma sociale. Ato janë ma të vogla jo vetëm në Evropë, por edhe në Afrikën Veriore dhe Amerikën Jugore. Askund nuk mund të hasim që pensionistët janë aq të diskriminuar sikurse në Kosovë. Arsyetimet vazhdimisht të pushtetarëve kanë qenë këto. Nuk ka pare për pensionistët, sepse FMN-ja dhe BB-ja nuk po lejojnë rritje, që nuk është e vërtetë. Nuk ka pare për pensionistët sepse fondin e pensionistëve të Kosovës e ka plaçkitë Serbia”, ka thënë Dragaj, raporton Kosovapress.
Ndërsa, kryetari i Lidhjes së Juristëve të Kosovës, Mazllum Baraliu, ka thënë se sa i përket ligjit për pensione kjo shoqatë ka bërë atë që është e mundur, mirëpo sipas tij, FMN-ja dhe BB-ja po e pengojnë miratimin e tij.
“Lidhja e Juristëve të Kosovës nuk ka heshtur, kemi bërë ligjin, kemi bërë debate disa herë, por s’jemi koordinuar ndoshta që të thirremi mes veti. Është mirë tash që jemi këtu përndryshe edhe ne nuk kemi kapacitete dhe asnjë përkrahje. Nuk është vetëm qeveria që është përgjegjëse, por ne jemi shumë të interesuar që t’i respektojmë qeveritë tona derisa punojnë mirë, kur s’punojnë mirë ne u themi se nuk e keni mirë. Qeveria ka kërkuar, ligji është bërë, ligji është pranuar nga të gjithë ju. Ligji ka qenë debat në të gjithë Kosovën. Qeveria ka pas gatishmëri edhe kjo tashmë që është, por FMN-ja dhe BB-ja thonë që nuk bën dhe pikërisht mua më kanë thënë se problemi është vetë tek këto dy institucione financiare ndërkombëtare”, ka thënë ai.
E mosmiratimin e ligjit për pensione po e vuajnë më së shumti pensionistët, të cilët vazhdojnë të mbesin në gjendje të palakmueshme.
Adem Zaplluzha, i cili tash 10 vjet është pensionuar, thotë se jeton me një ndihmë sociale, pasi që sipas tij, 40 euro nuk mund t’i llogarisë si pension, duke përmendur 40 vjet të kontributit të tij për këtë vend.
Megjithatë, ai mendon se për këtë kategori të shoqërisë mungon vullneti i atyre që janë kompetentë.
Sipas të pranishmëve varianti i propozim ligjit për skema pensionale të financuara nga shteti i kthyer në Qeveri nga kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me 26 dhjetor 2011, është drafti më i dobët i ndonjë projektligji, që ndonjë herë është sjellë në Kuvend për miratim.
Ndryshe, në Kosovë janë gjithsej 60.705 pensionistë kontribut pagues, duke përfshirë invalidët e punës dhe shfrytëzuesve të pensioneve familjare. 

Qeveria nuk ka me kë të bisedojë në veri

Qeveria e Kosovës do ta ketë vështirë, të paktën tash për tash, që të gjejë partner te serbët në veri të Kosovës për të biseduar në funksion të normalizimit të gjendjes në këtë pjesë të vendi, kështu vlerësojnë njohësit e rrethanave politike, serbë dhe shqiptarë.
Politikani serb nga Leposaviqi, Dragisa Krstovic vlerëson se aktualisht nuk ka indikacione se mund të gjenden bashkëbisedues në mesin e udhëheqësve ose politikanëve serbë në veri të Kosovës, të cilët do të ishin të gatshëm të bisedonin me Qeverinë e Kosovës. Kjo situatë, sipas tij, është e tillë për shumë arsye.
“Para së gjithash, një numër i njerëzve me ndikim politik, të cilët janë me kapacitete politike që nuk mund të vihen në dyshim, nuk do të pranojnë që për këtë temë të bisedojnë fare. Një numër tjetër i njerëzve nuk do të jetë i gatshëm që t’i pranojë bisedimet lidhur me këtë temë për arsyen e thjeshtë, sepse nuk dëshirojnë që të jenë dikush që do të vendoset në ‘murin e turpit’ dhe do të shpallen si tradhtarë.
Do të thotë, edhe nëse eventualisht ka njerëz të tillë, ata në këtë moment, për këto arsye, nuk do të jenë të gatshëm që të hyjnë në dialog të tillë me Qeverinë e Kosovës”, thotë Kërstoviq për Radio Evropa e Lirë.
Por, bazuar në situatën aktuale dhe rrethanat ekzistuese në veri të Kosovës, qasje krejtësisht tjetër ka Mazllum Baraliu, ekspert i çështjeve juridike dhe njohës i rrethanave politike në vend.
Sipas Baraliut, Qeveria e Kosovës fare nuk duhet të shpenzojë energjinë për të gjetur përfaqësues serbë në veri për të biseduar. Baraliu thotë për Radion Evropa e Lirë se integrimi i veriut duhet bërë bazuar në atë që ofron dokumenti i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës.
“Biseda me qytetarë, si një dialog i zakonshëm me qytetarë që do të duhej ta bëjnë qeveritë dhe që e bëjnë zakonisht, është normale. Por, jo biseda politike dhe jo biseda për ndonjë status tjetër, për çka ekzistojnë pretendimet jashtëzakonisht rigjide dhe do të thosha të rrezikshme të Serbisë. Jo vetëm pretendimet, por edhe veprimet e saj.
Pra, nuk ka nevojë për një plan të veçantë, siç po pretendohet dhe trumbetohet herë pas here, por thjesht, zbatimi i Planit të Ahtisarit që është i inkorporuar në Kushtetutë edhe në atë pjesë, në ato tri komuna, sikurse në pjesët tjera”, vlerëson Baraliu.
Ndërkaq, Baraliu fajëson organizmat ndërkombëtarë, si Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Misionin Evropian për Sundimin e Ligjit, për, siç thotë ai, pengesë të fuqizimit të rendit dhe ligjit në veriun e Kosovës.
Ndryshe, Krstovic shpreh mendimin se Qeveria e Kosovës duhet të jetë fleksibile dhe e durueshme lidhur me çështjen e një dialogu për normalizimin e gjendjes në veri të vendit.
“Mendoj se Qeveria e Kosovës një gjë të tillë duhet ta shtyjë, ndonëse jo për kohë të gjatë dhe bisedimet e tilla t’i zhvillojë me Qeverinë e ardhshme të Republikës së Serbisë, konfiguracioni i së cilës do të jetë pak më ndryshe se sa që ishte deri më tash”.
“Ndoshta aty do të gjendet një gjuhë e përbashkët. Unë nuk jam optimist edhe për këtë, por mendoj se megjithatë do të ishte më mirë që Qeveria e Kosovës t’i zhvillojë bisedimet e tilla me Beogradin ose njëkohësisht me Beogradin dhe me serbët e veriut të Kosovës”, thekson Krstovic.
Por, për Baraliun, edhe në qoftë se Qeveria e Kosovës zgjedh variantin për të biseduar me politikanët serbë në veri, një gjë e tillë do të jetë vështirë e realizueshme, për shkak se në veri nuk ka udhëheqës. Sipas tij, atje tash ekzistojnë vetëm struktura krimogjene dhe jo legjitime, me të cilat nuk mund të bisedohet.
“Strukturat, me të cilat mund të bisedohet atje, nga niveli qendror i institucioneve tona dhe i Qeverisë, është ose do të ishin pikërisht pas zgjedhjeve që do të duhej të mbaheshin atje në bazë të Planit të Ahtisarit, dhe atëherë strukturat legale dhe legjitime që do të dilnin nga ato zgjedhje, do të ishin kryetarët e komunave dhe organet e atjeshme. Me ta do të mund të bisedonin dhe do të duhej biseduar për ndonjë infuzion ekonomik, për ndonjë shqetësim të tyre”, tha ai.
Ndryshe, Baraliu thekson se realizimin e zgjedhjeve që do të organizoheshin nga institucionet e Kosovës në veri të vendit, e kanë për detyre mekanizmat ndërkombëtarë.
Por, sipas tij, këta mekanizma janë duke hezituar dhe një gjë e tillë krijon përshtypjen te qytetarët dhe njohësit e rrethanave politike se ekzistojnë faktorë të caktuar që nuk dëshirojnë ta stabilizojnë gjendjen në veri.

Sejdiu në takimin e CGDC në Vjenë

Ish Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu mori pjesë në takimin dytë vjetor të organizuar nga CGDC (Center Global for Dialogue and Cooperationn) me temën “Dialogu dhe bashkëpunimi për ndryshim”.
Në takimin e CGDC , i cili u mbajt prej 16 deri më 18 maj, në Vjenë të Austrisë, ish- Presidenti Fatmir Sejdiu, ka takuar një sërë personalitetesh jetës kulturore e politike dhe liderë të ndryshëm nga vende të ndryshme të botës, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kabineti i ish-presidentit Sejdiu.

Armend Ibrahimi kryetar i FR të LDK-së

Armend Ibrahimi është zgjedhur kryetar i Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në Kuvend nuk janë lejuar të hyjnë një grup i delegatëve nga forumi nëndegëve nga Podujeva më arsyetimin se ata nuk kishin legjitimitetin.
Kuvendi i 9-të zgjedhor i Forumit të Rinisë së LDK-së ka zgjedhur kryetar të këtij forumi partiak Armend Ibrahimin, i cili në garë për kreun e forumit kishte kundërkandidat kishte anëtarin tjetër Fatbardh Zhitia, transmeton REL.
Në Kuvend nuk janë lejuar të hyjnë një grup i delegatëve nga forumi nëndegëve nga Podujeva më arsyetimin se ata nuk kishin legjitimitetin.
Si rrjedhojë, ata kanë protestuar para dyerve të Hotelit Grand, ku po mbante punimet Kuvendi Zgjedhor.
Esat Uka, delegat nga dega e FR të LDK-së në Podujeve u ka thënë medieve se ishte Isa Mustafa, kryetar i LDK-së ai që kishte urdhëruar mos lejimin e tyre për të hyrë dhe për të marrë pjesë në Kuvendin e 9-të zgjedhor.
Këta delegatë, në LDK njihen edhe si mbështetës të ish kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu.
Sidoqoftë, protesta e tyre ka përfunduar e qetë, ndërkaq Forumi Rinor i LDK-së i ka përfunduar punimet sipas parashikimeve. 

Qeveria e Kosovës me ligjet “copy-paste”

Projektligjet i përgatit Qeveria e Kosovës dhe i dërgon ato në Kuvendin e Kosovës. Por, përmbajtja e këtyre ligjeve nuk kalon pa u kritikuar nga vetë deputetët, si dhe nga shoqëria civile. Ata konsiderojnë se ekzekutivi i vendit këto projektligje i merr “copy-paste”, për çka shumë prej tyre nuk mund të gjejnë zbatim në Kosovë.
Jo rrallëherë ndodh që pasi të miratohet një ligj, ende pa nisur zbatimi ai kthehet në Kuvend për shqyrtim. Sepse, si i tillë nuk mund të gjejë zbatim në terren!
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, ka thënë për Kosovapress se ka ligje që janë absolutisht në diskrepancë me ligjet e tjera.
“Shpesh ndodh që të jenë në kundërshtim edhe me sistemin në Kosovë”, ka theksuar Gashi.
Kritika për përmbajtjen e ligjeve jep edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu. Ajo thotë se Qeveria e Kosovës, apo ministritë përkatëse që i dërgojnë ligjet në Kuvend për miratim, nuk bëjnë asnjëherë ndonjë analizë se për kë po bëhet ai ligj apo se cilat interesa të qytetarëve do t’i mbrojë. Ajo përmend Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme, që sipas saj nuk ka fuqi retroaktive, si dhe Ligjin për Hoçën e Madhe të cilët banorët e atij fshati nuk e duan.
“Në Kuvendin e Kosovës shumë herë janë miratuar ligje vetëm sa për të thënë që ne po bëjmë ligje, pa i analizuar asnjëherë ato të rajonit e pa i përshtatur me standardet evropiane. Shumë herë vijnë në Kuvend ligjet që kanë mospërputhje me një ligj që është miratuar më parë”, ka deklaruar Haxhiu, sipas së cilës këto ligje merren “copy-paste” nga shtetet e tjera.
“Vetëm përkthehen në gjuhën shqipe”, shton ajo.
Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se në shumë raste ligjet që miratohen në Kuvend nuk janë në përputhje me interesat e qytetarëve.
“Ka kohë që Instituti Demokratik i Kosovës ka kritikuar përmbajtjen e projektligjeve apo kualitetin e projektligjeve që vijnë nga Qeveria në Kuvendin e Kosovës. Ndoshta kjo vjen si rezultat i mos konsultimit më të gjerë dhe një tendence të vazhdueshme që të marrim kopje nga vendet e rajonit pa u munduar fare që ligjet për Kosovën të jenë në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Selmanaj, i cili ka përmendur rastin e fundit kur është kopjuar Kodi Penal i Serbisë, gjegjësisht nenet ku flitet për lirinë e shtypit.
Ndryshe, që nga viti 2001 kur ka filluar edhe mandati i parë i legjislaturës, e deri më tash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar 455 ligje, përfshirë edhe kodet.

Rob: Rita është e bukur

Tashmë nuk është fshehtësi. Rita Ora është në lidhje me vëllain e femrës më seksi në planet, Kim Kardashian. Dhe, është pikërisht Robi ai që ka vetëm fjalë të mira për bukuroshen e tij.
Rita Ora, e cila po arrin suksese të jashtëzakonshme ende pa lansuar albumin e parë, ka filluar edhe të lë nën hije yje si Rihanna. Jo vetëm në rrafshin muzikor, por edhe në atë të jetës private. Pas darkës me superyllin Kim Kardashian, ku u konfirmuan relacionet e ngushta, Rob Kardashiain ka folur për madhështinë e këngëtares nga Kosova.
“Rita është e bukur. Më e mira nga muzika e saj nuk është publikuar ende. Une vetëm dua që muzika e saj të vijë edhe në SHBA, pasi e di se njerëzit do ta pëlqejnë”, ka theksuar Rob. 

Adele shet nëntë milionë kopje në SHBA

Super albumi i Adele, “21”, ka arritur të shitet hiç më pak se nëntë milionë herë në SHBA, duke u bërë vetëm albumi i 29-të në histori që arrin shifër të tillë të numrit të kopjeve të shitura.
Pas një jave ku ajo ka shituar jo më pak se 100 mijë kopje dhe ku u ngrit në vendin e dytë në Billboard Top 200, Adele arriti që me sukses të arrijë shifrën e nëntë milionë kopjeve të shitura të albumit “21”, duke hyrë tashmë në histori të muzikës amerikane.
Albumi tashmë ka kaluar 64 javë duke qëndruar në top 10, duke tejkaluar Paula Abdul dhe albumin e saj “Forever Your Girl”, teksa rekordin e mban Alanis Morissette, me albumin “Jagged Little Pill”, që ka qënduar 72 javë në top 10.

Hodgson: Chelsea nuk është jo-favorit

Menaxheri i Anglisë, Roy Hodgson, beson se rezultati i finales së Munichut është shumë më i pa qartë nga sa mendojnë njerëzit.
64 vjeçari do të jetë në Munich të shtunën për të shikuar disa prej lojtarëve të tij që do të luajnë në Euro 2012.
“Mendoj se do të jetë finale shumë e pa qartë nga sa mendojnë ekspertët. Chelsea është shumë i fortë”.
“Njerëzit e përjashtojnë Chelsean si fitues të mundshëm, por të jem i sinqertë, unë nuk i shoh ata si jo-favoritë”, është shprehur Hodgson.

“Schweini krucial, Torres hero”

Ish-mbrojtësi i Bayernit të Munichut, Christian Ziege, beson se bavarezët do të mposhtin Chelseat mbi supet e Bastian Schweinsteiger, përderisa beson se hero për Blutë në rast të triumfit do të jetë Fernando Torres.
“Për mua, nuk ka dyshime se lojtari kyç i Bayernit do të jetë Bastian Schweinsteiger. Ai është një lojtar që vendos lojën. Nëse ai do të jetë në mesfushë dhe është në formë të mirë, atëherë të gjithë përreth tij luajnë mirë. Për këtë aryse, ai është faktor kyç. Mesfusha është me rëndësi për Bayernin, pasi duhet të jetë në nivelin më të lartë për të ndalur lojtarë si Lampard”.
“Mendoj se Torres do të jetë lojtari kryesor i Chelseat. Unë e kam ndjenjën se e shtuna mund të jetë ditë e madhe për të. Më pëlqen ai si sulmues dhe nuk mund të kuptoj se si ai ka vuajtur për gola, teksa te Liverpooli ishte lojtar i mrekullueshëm. Ai është lojtar që mund të vendosë ndeshjen dhe nëse Chelsea e fiton finalen, ai do të jetë heroi”, ka thënë Ziege. 

Cech: Jam i përgatitur për penaltitë

Portieri i Chelseat, Petr Cech, ka pranuar se ai është stërvitur në rast se i imponohet pritja e penaltive në finalen e madhe ndaj Bayernit të Munichut sonte mbrëma.
“Unë do të kem të gjitha informacionet për penaltitë, por mendoj se do të vendoset pas 90 minutave. Unë kam shikuar regjistrimet e ndeshjeve të Bayernit. Unë kam parë gjithë atë që kam mundur, por në fund varet nga momenti dhe nëse goditësi i penaltive është i qetë”.
“Nëse lojtari bën këtë, atëherë portieri s’ka gjasa, kështu që gjatë penaltive duhet ta detyrosh lojtarin të gabojë. Nuk dua të qaj për gabimet e mia”, është shprehur Cech.

Cheryl në Cannes për vetëm 150 minuta

Këngëtarja britanike, Cheryl Cole, do ta promovojë këngën e re dhe filmin e ri në Londër, teksa është ftuar në festivalin më të madh europian të filmit për të qëndruar vetëm ‘disa’ minuta.
Kompania L’Oreal e ka paguar yllin britanik që të fluturojë në Kanë për të marrë pjesë në festivalin e filmit për vetëm 150 minuta, pasi duhet të kthehet në kohë në Londër për të promovuar filmin e ri “What To Expect When You’re Expecting”.
“Është agjendë e ngjeshur për Cheryl për momentin, pasi ajo duhet të lansojë këngën rikthyese “Call My Name”, që ka koinciduar me lansimin e filmit të ri. Por, ajo ka planifikuar të shkojë edhe në festivalin e Cannes, së bashku me një zëdhënëse të L’Oreal. Vizita e saj është precizuar në mënyrë ushtarake. Ajo shkon në festival, merr pjesë në një ‘party’ dhe largohet në kohën kur njerëzit më vështirë largohen. Kostoja është astronomike, por është me rëndësi që Cheryl të jetë atje”, ka thënë një burim i Mirror. 

Cilat janë qëndrimet e Tadicit dhe Nikolicit për Kosovën?

Qëndrimet e kandidatëve për president të Serbisë, kandidatit të listës së Partisë Demokratike - Boris Tadic, dhe Partisë Përparimtare të Serbisë - Tomisllav Nikolic, nuk dallojnë shumë sa i përket Kosovës. Këtë ata të dy e dëshmuan edhe në paraqitjen e fundit televizive para votimit të balotazhit, i cili zhvillohet sot). Por, analistët thonë se ka "disa nuanca të rëndësishme në qëndrimet e tyre”, lidhur me mënyrën se si duhen zgjidhur problemet në raportet me shqiptarët. Këto dallime kushtëzohen edhe nga koalicionet e ardhshme, thonë analistët në Beograd.
Ndonëse çështja e Kosovës nuk ishte ndër temat kryesore të fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale, kandidatët në prag të balotazhit edhe një herë theksuan se "kurrë nuk do të heqin dorë nga Kosova, si pjesë e pandashme e territorit të Serbisë", raporton DW.
Boris Tadic pohon se në asnjë mënyrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të heqë dorë nga politika e tij "Evropa dhe Kosova", ndonëse shumë analistë në Beograd janë të mendimit se kjo politikë ka dështuar. Sipas tyre, më së largu para fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia duhet të përcaktohet qartë ndaj Kosovës dhe ardhmërisë së saj.
Tadici do të ketë edhe presione të fuqishme brenda koalicionit të ardhshëm qeveritar, lidhur me politikën ndaj Kosovës dhe shteteve fqinje. Tanimë është e qartë se ai do të futet në koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë të Ivica Dacicit. Por, vetëm mandatet e tyre nuk mjaftojnë për krijimin e koalicionin qeveritar (ato së bashku kanë më pak se 126 deputetë, sa janë të domosdoshme për krijimin e koalicionit). Ndaj duhet të kërkojnë edhe një partner tjetër: Rajonet e Bashkuara të Serbisë (të Mladjan Dinkicit) apo subjektet e mbledhura në koalicionin "Promene" ("Ndryshimet", të udhëhequr nga Cedomir Jovanovici).
Pasi që Tadici dhe Dinkici kanë pasur probleme serioze gjatë mandatit të kaluar, analistët pohojnë se mundësia e vetme për koalicion mbetet Jovanovici. Por Tadici dhe Jovanovici kanë qëndrime diametralisht të kundërta ndaj Kosovës dhe Republikës Srpska.
Lideri i liberalëve, Jovanovic, ka bërë të ditur edhe gjatë kësaj fushate se Kosova duhet të njihet si shtet i pavarur, se duhet ndjekur me vendosmëri rruga e integrimeve evropiane dhe se Republika Srpska është një "krijesë e themeluar mbi gjenocid". Ai është i gatshëm për koalicion me Tadicin dhe Dacicin (ndonëse që nga vitet ‘90-të, në kohën e protestave të studentëve, ishte një prej kundërshtarëve më të denjë të Partisë Socialiste dhe Slobodan Milosevicit).
Tadici pohon se mund të futet në koalicion vetëm me partitë që pranojnë programin e tij "Evropa dhe Kosova". Ndërkohë që Dacic thotë se nuk do të pranojë që detyrat kryesore në qeverinë e ardhshme t'i ushtrojnë ata të cilët angazhohen për pavarësinë e Kosovës dhe e quajnë Republikën Srpska "gjenocidale" (pra Jovanoviqi i cili, siç merret vesh, ka shprehur interes për postin e ministrit të Jashtëm të Serbisë).
Megjithatë, analistët në Beograd edhe më tej janë të bindur se Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe koalicioni i Jovanovicit do të përbëjnë qeverinë e ardhshme. Tadici llogarit me votat e këtyre forcave në balotazh kundër Nikolicit.
Por, pa shanse për fitore nuk është as Tomislav Nikolici, i cili po ashtu pohon se "Kosova është Serbi, se kështu do të jetë gjithmonë dhe se kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova". Nikolici ka bërë disa ndryshime serioze në qëndrimet politike prej ndarjes, para tre vitesh, nga Partia Radikale e Vojislav Seseljit. Por, profili i tij politik lidhet ngushtë me këtë parti ekstreme nacionaliste.
Në duelin e fundit televiziv, kandidati i demokratëve Boris Tadic rikujtoi Nikolicin se "ai së bashku me Sllobodan Milosheviqin dhe Seseljin e kanë humbur Kosovën në vitin 1999".
"Ju jeni angazhuar për politikën e dëbimit të të gjithë shqiptarëve nga Kosova përtej Bjeshkëve të Nemura dhe në këtë mënyrë keni humbur Kosovën", deklaroi Tadic.
Në kohën e luftës së Kosovës, në vitet 1998-1999, Nikolici ishte zëvendëskryeministër i Serbisë dhe të ashtuquajturës Jugosllavi. Me politikë ka filluar të merret seriozisht në fillim të viteve ‘90-të në Partinë Radikale në Kragujevc. Në vitin 1991 së bashku me Seseljin dhe lëvizjen e tij çetnike kanë krijuar Partinë Radikale Serbe, ku Nikolici ishte nënkryetar deri në largimin nga kjo parti. Ai ka dhe titullin e "vojvodës çetnik", të cilin ia ka dhënë vetë "kumbara i tij" – Seselj.
Nikolici dhe Partia e tij Përparimtare Serbe kanë fituar më së shumti mandate në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Ai ka madje dhe mundësi reale për krijimin e koalicionit qeveritar, por potenciali i tij për koalicion lidhet kryesisht me partitë nacionaliste. E vetmja mundësi e tij për ardhjen në pushtet është koalicioni me Partinë Demokratike të Serbisë, të Vojislav Kostunicës dhe socialistët e Dacicit. Por, lideri socialist ka deklaruar se do të vazhdojë bashkëpunimin politik me Tadicin, ndaj edhe shanset e Nikolicit për ardhjen në pushtet janë më të vogla.

“Dy duar për një kokë”!

Tetë shqiptarë u arrestuan në Serbi më 4 maj, nën akuzat për “krime lufte” si dhe “zotërim të paligjshëm armësh”. Ndërsa, 20 të tjerë janë arrestuar në Maqedoni, në lidhje me vrasjen në prill të pesë civilëve maqedonas, në Smilkovc të Shkupit.
"Dy duar për një kokë, themi ne. Nuk ka asnjë alternativë tjetër", tha për SETimes Jonuz Musliu, ish-shefi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjes e Bujanovcit (UÇPMB), tashmë lider i Lëvizjes për Progres Demokratik,
Musliu tha se zgjidhja paqësore është e preferueshme, por se Beogradi nuk ka vullnet për diçka të tillë.
"Beogradi mbetet i njëjti dhe kërkon të zgjidhë problemet me përdorimin e forcës".
Udhëheqësit shqiptarë në Luginën e Preshevës thanë se shqetësimi më i madh i tyre është paralajmërimi i ministrit të Brendshëm serb, Ivica Dacic, se do të vazhdojnë aksionet e tilla të policisë.
"Arrestimi i fundit ishte një mesazh nga qeveria serbe se çdo shqiptar në Luginën e Preshevës është një terrorist i mundshëm dhe subjekt arrestimi", tha për SETimes kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi. “Qëllimi i Serbisë është ta destabilizojë rajonin, të përhapë frikë për t’i shtyrë shqiptarët që të emigrojnë e të shkaktojnë kështu ndryshime demografike”.
Në Maqedoni, Xhezair Shaqiri - Komandant Hoxha i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtar (UÇK) - thotë se ish-komandantët e organizatës u takuan për ta konsideruar rimobilizimin e trupave "në rast se provokimet vazhdojnë."
Sipas Valbona Zenelit, profesoreshë e sigurisë kombëtare në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë, George C. Marshall në garmisch-partenkirchen, thotë se nuk ka arsye të mendosh se ish-luftëtarët shqiptare do të rigrupohen në të dyja vendet për llogari të ngjarjeve më të fundit.
“Çdo përshkallëzim përfundimtar i tensioneve kërcënon sigurinë e paqen në rajon; dëmton nevojën për një marrëdhënie normale mes Serbisë e Kosovës; ndikon negativisht mbi vazhdimësinë e bisedimeve teknike dhe më e rëndësishmja, zbatimin e marrëveshjeve të arritura së fundmi".
Gjendja e keqe ekonomike dhe niveli i krimit të organizuar përkeqëson paqëndrueshmërinë me bazë etnike, argumenton Marko Miloshevic, hulumtues në Qendrën për Politikë e Siguri në Beograd.
"Grupe të ndryshme kriminale po përdorin këtë mungesë të sigurisë për interesat e tyre. Kosova përbën një strehë të sigurt për shumicën e këtyre grupeve - shqiptarë nga Maqedonia e Serbia, bashkë me kriminelët serbë në Kosovën e veriut", thotë Miloshevic për SETimes.

Makolli: Pacolli për president, zgjedhjet këtë vit

Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Ibrahim Makolli, ka thënë se duhet të respektohet marrëveshja e arritur për zgjedhjen e presidentit të vendit, në mes të Thaçit, Pacollit dhe Mustafës.
“AKR-ja si parti politike e përgjegjshme edhe në këtë rast i qëndron besnike marrëveshjes së arritur”, ka thënë Makolli për “Epoka e Re”. “Ka rrethana të jashtëzakonshme të cilat edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës i parasheh. Pra, në rrethana të jashtëzakonshme mund të shtyhen edhe zgjedhjet. Por, tani ne po flasim për një gjendje normale të një procesi që do duhet të ndodhë. Andaj, nuk ka asnjë arsye që të mos respektohet marrëveshja e arritur mes tri partive politike”.
Makolli deklaron se AKR-ja për president të vendit do ta ketë kandidatin e njëjtë, Behegjet Pacollin.
“Mendojmë se Pacolli ka treguar një përkushtim shumë cilësor dhe unik për ato ditë sa ka qenë president i vendit”, ka thënë Makolli.
Në kuadër të arritjes së kësaj marrëveshje është paraparë të ndodhin ndryshime të nevojshme kushtetuese, ku, ndër të tjera, parashihet zgjedhja e presidentit të Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese është duke i shqyrtuar amendamentet e ndryshuara dhe në çastin që konstaton se amendamentet e ndryshuara janë në rregull, Kuvendi i miraton ato. Pastaj, presidentja e ka për obligim t’i shpallë zgjedhjet presidenciale - nëse partitë politike nuk vendosin ndryshe duke nxjerrë një rezolutë tjetër, e cila e shfuqizon atë të miratuar në Kuvend në vitin e kaluar.

Maturante e shtatzëna

Drejtorët e shkollave të mesme, pos problemeve me maturën, thonë se këtë fundvit u është shtuar edhe një shqetësim: halli me nxënëset shtatzëna, të cilat për shkak të mungesave kanë mbetur pa u notuar.
Sipas burimeve të ditores “Zëri”, në pesë shkolla të mesme të Ferizajt, së paku 14 nxënëse - për shkak të lindjes së fëmijëve -i kanë ndërprerë mësimet gjatë vitit. Ndërsa, numri i “nxënëseve nuse” është me dhjetëra.
Prindërit këmbëngulin që vajzave t’u mundësohet provimi i klasës, notimi dhe marrja e diplomave. Arsyetimi i tyre është se mungesat kanë ndodhur për shkaqe shëndetësore!
Shkolla më e prekur nga “nxënëset shtatzëna” mësohet të jetë ajo e mjekësisë, “Elena Gjika”, shkollë kjo profesionale, ku zakonisht nuk ka “provime klase” në fund të vitit. Drejtori Adem Musliu shpjegon se dy nxënëse të klasës së XIII janë detyruar ta ndërpresin mësimin, meqë ndërkohë kanë lindur fëmijë. Ndërsa, shtatë të tjera “ballafaqohen me probleme shëndetësore”, pa specifikuar me dokumentacion se për çfarë problemesh është fjala.
Në shkollën e mesme të bujqësisë, një nxënëse ka ndërprerë mësimin gjatë gjysmëvjetorit të parë. Ndërsa, në shkollën ekonomike “Faik Konica”, për shkak të shtatzënësie një nxënëse ka ndërprerë mësimin gjatë muajit prill, një tjetër në fillim të majit. Ato nuk janë notuar për shkak të mungesave në procesin e rregullt mësimor. Për to duhet të vendosin organet më të larta.
Shemsi Heda, drejtor i gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”, bëri të ditur se një nxënëse në këtë shkollë është shtatzënë, por ajo ka arritur të përfundojë pa mungesa vitin e të notohet në të gjitha lëndët. Sipas tij dhe drejtorëve tjerë të gjitha nxënëset e panotuara duhet ta përsërisin klasën, meqë shtatzënësia nuk është sëmundje.
Megjithatë, rregulloret në fuqi nuk e sqarojnë mirë këtë çështje. Prandaj, këtë problematikë ata e kanë adresuar për zgjidhje tek institucionet më të larta të arsimit: në komunë dhe në MASHT.
Sadije Hajdini, përgjegjëse e DKA-së për shkollat e mesme, thekson se në bashkëpunim me inspektorët përgjegjës e kanë trajtuar këtë çështje, përderisa presin një përgjigje nga MASHT-i: për t'ua mundësuar provimet e klasës nxënëseve që kanë vijuar tri të katërtat e vitit shkollor, ndërsa mungesat i kanë arsyetuar për “shkaqe shëndetësore”.
Hajdini tha se pret një përgjigje pozitive edhe nga MASHT-i, sepse përfundimi i vitit shkollor për këto nxënëse është interes i të gjithëve.

Galliani: City nuk ka pyetur për Ibrën

Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka garantuar tifozët se Manchester City nuk ka shprehur ende interesim për sulmuesin Zlatan Ibrahimovic.
Besohet se Manchester City dhe Real Madridi janë shumë të interesuar për shërbimet e Ibrës, i cili edhe këtë sezon dështoi të fitonte Ligën e Kampionëve. Sipas Gallianit, Ibra do ta bëjë këtë me Milanin.
“Ibrahimovic do ta fitojë Ligën e Kampionëve me fanellën e Milanit. Nuk është e vërtetë se Manchester City ka pyetur për të. Është shenjë e mirë që jemi në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Ne shpresojmë të jemi në finale, e jo të jemi spektatorë”, ka theksuar Galliani.

Platini: Finalistët, më të mirë se Reali dhe Barça

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, ka deklaruar se Bayerni i Munichut dhe Chelsea janë finalistë me plot meritë, duke pohuar se ata janë shumë më të mirë se sa rivalët e tyre spanjollë, Real Madrid dhe Barcelona.
“Ato mund të jenë ekipet më të mira në botë, por finalja thotë ndryshe – është Bayerni ndaj Chelseat. Unë nuk e pashë Barcelonën të ishte më e mirë se sa Chelsea, ose Real Madridin të jetë më i mirë se sa Bayerni në këto ndeshje”.
“Por, kishte shumë befasi këtë sezon. Mos kualifikimi i shumë ekipeve të mëdha angleze nga faza grupore, fakti se Chelsea dhe Bayerni nuk ishin favoritë në gjysmëfinale ndaj Realit dhe Barcelonës. Ka qenë vit i jashtëzakonshëm për historinë e kësaj gare”, ka deklaruar Platini për CNN

Finalja e Munichut – fakte interesante

Sonte zhvillohet finalja e madhe e Ligës së Kampionëve, ku në Allianz Arena do të përballen Bayerni i Munichut dhe Chelsea. Edhe pse nuk është El Clasico që të gjithë e kanë pritur, kjo ndeshje do të jetë shumë më e shikuar se sa qe mund të jetë derbi spanjoll dhe Telegrafi sjell fakte tjera interesante të kësaj finale.
Finalja do të zhvillohet në Allianz Arena, që ka një kapacitet prej 66 mijë ulësesh. Ky stadium do të jetë në ngjyrat e finales dhe jo të Bayernit para finales. Zakonisht para ndeshjeve të Bayernit bëhej i tëri i kuq nga jashtë duke shfaqur imazh spektakolar. Jo më pak spektakolare do të jenë ngjyrat sonte.
Sigurimi i biletave për finalen e madhe ka qenë shumë i vështirë. Sidoqoftë, pos stadiumit kryesor, Allianz Arena, është edhe Stadiumi Olimpik i Munichut me kapacitet 65 mijë ulëse që do ta mundësojë ndeshjen me anë të monitorëve gjigantë. Tani mund të jetë vonë për të siguruar një biletë për këtë lokacion, pasi të gjitha biletat janë shitur tre ditë pas gjysmëfinales. Një vend tjetër atraktiv është edhe sheshi i quajtur Theresenwiese, që ka kapacitet të zë 30 mijë njerëz, edhe ky, një vend tashmë i rezervuar.
Se Munichu do të jetë i stërmbushur, flet fakti se shumica e kafeterive dhe lokaleve tashmë janë të rezervuara nga tifozët qoftë të Bayernit, qoftë të Chelseat. Çmimet e hoteleve janë shtrenjtuar dukshëm në Munich javën e fundit. Në një hotel mesatar një natë kushton 500 deri 1000 euro, kjo për shkak të kërkesave të mëdha. Nuk ka hotel që nuk është i stërmbushur në Munich.
Mbi 2000 policë do të jenë rrugëve të Munichut për të garantuar sigurinë në mesin e tifozëve, teksa trafiku do të jetë i stërngarkuar. Për këtë, Bashkia e Munichut ka vënë në funksion edhe 20 trena të shpejtë, për të lehtësuar ngarkesën në komunikacion. Preferohet frekuentimi me biçikletë, për vizitorët tanë që janë në Munich, ose ndonjë tifoz shqiptar që do ta përcjellë finalen.
Një gjë është e garantuar - Munichu dhe Allianz Arena do të ofrojnë eksperiencë të pa harruar për mijëra tifozë të pranishëm në qytetin gjerman.

Drogba: Dua të bëj histori

Anësori i Bayernit të Munichut, Arjen Robben, mezi pret që të përballet me ish-klubin e tij, Chelsea, në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.
“Sinqerisht, nuk kam mundur të kërkoj kundërshtar më të mirë në finale. Të luaj ndaj Chelseat ma bën finalen më të mirë. Në gjysmëfinale unë luajta ndaj Real Madridit, që është ish-ekip i imi ndaj një prej ish-menaxherëve të mi dhe tani është ndaj Chelseat. Thjesht, fantastike”.
“Unë kam kaluar mirë te Chelsea. Jam i lumtur për Abramovichin, i cili ka investuar aq shumë në klub. Tifozët kanë qenë shumë të mirë me mua dhe edhe unë kam qenë i mirë me ta. Gjithmonë do të kem kujtime të mira nga Stamford Bridge, kështu që jam i lumtur që Chelsea është në finale”, është shprehur Robben. 

Totti: Jam i fundit i gjeneratës time

Kapiteni i Romës, Francesco Totti, ka pranuar se ai ndihet keq si anëtar i fundit i gjeneratës së tij që ka mbetur në Serie A.
Alessandro Del Piero do të largohet nga Juventusi gjatë verës, përderisa largimet i kanë konfirmuar edhe Nesta, Filipo Inzaghi dhe Gennaro Gattuso. Ndryshimet e mëdha në Serie A e kanë prekur Tottin, të cilit i vjen keq për miqt e tij legjendar.
“A ndihem sikurse veterani i fundit në futbollin italian? Po, por shpresoj të vazhdoj të luaj”.
“Çfarë kam ndjerë kur i kam parë tërë ato lot në sytë e tifozëve të Milanit? Unë sapo nuk fillova të qaj edhe vet, sepse i thashë vetes se është koha t’i them lamtumirë gjeneratës time”, ka potencuar Totti