“Dy duar për një kokë”!

Tetë shqiptarë u arrestuan në Serbi më 4 maj, nën akuzat për “krime lufte” si dhe “zotërim të paligjshëm armësh”. Ndërsa, 20 të tjerë janë arrestuar në Maqedoni, në lidhje me vrasjen në prill të pesë civilëve maqedonas, në Smilkovc të Shkupit.

"Dy duar për një kokë, themi ne. Nuk ka asnjë alternativë tjetër", tha për SETimes Jonuz Musliu, ish-shefi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjes e Bujanovcit (UÇPMB), tashmë lider i Lëvizjes për Progres Demokratik,
Musliu tha se zgjidhja paqësore është e preferueshme, por se Beogradi nuk ka vullnet për diçka të tillë.
"Beogradi mbetet i njëjti dhe kërkon të zgjidhë problemet me përdorimin e forcës".
Udhëheqësit shqiptarë në Luginën e Preshevës thanë se shqetësimi më i madh i tyre është paralajmërimi i ministrit të Brendshëm serb, Ivica Dacic, se do të vazhdojnë aksionet e tilla të policisë.
"Arrestimi i fundit ishte një mesazh nga qeveria serbe se çdo shqiptar në Luginën e Preshevës është një terrorist i mundshëm dhe subjekt arrestimi", tha për SETimes kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi. “Qëllimi i Serbisë është ta destabilizojë rajonin, të përhapë frikë për t’i shtyrë shqiptarët që të emigrojnë e të shkaktojnë kështu ndryshime demografike”.
Në Maqedoni, Xhezair Shaqiri - Komandant Hoxha i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtar (UÇK) - thotë se ish-komandantët e organizatës u takuan për ta konsideruar rimobilizimin e trupave "në rast se provokimet vazhdojnë."
Sipas Valbona Zenelit, profesoreshë e sigurisë kombëtare në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë, George C. Marshall në garmisch-partenkirchen, thotë se nuk ka arsye të mendosh se ish-luftëtarët shqiptare do të rigrupohen në të dyja vendet për llogari të ngjarjeve më të fundit.
“Çdo përshkallëzim përfundimtar i tensioneve kërcënon sigurinë e paqen në rajon; dëmton nevojën për një marrëdhënie normale mes Serbisë e Kosovës; ndikon negativisht mbi vazhdimësinë e bisedimeve teknike dhe më e rëndësishmja, zbatimin e marrëveshjeve të arritura së fundmi".
Gjendja e keqe ekonomike dhe niveli i krimit të organizuar përkeqëson paqëndrueshmërinë me bazë etnike, argumenton Marko Miloshevic, hulumtues në Qendrën për Politikë e Siguri në Beograd.
"Grupe të ndryshme kriminale po përdorin këtë mungesë të sigurisë për interesat e tyre. Kosova përbën një strehë të sigurt për shumicën e këtyre grupeve - shqiptarë nga Maqedonia e Serbia, bashkë me kriminelët serbë në Kosovën e veriut", thotë Miloshevic për SETimes.