Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, ka refuzuar të komentojë për referimin në supersfidën ndaj Barcelonës, duke komplimentuar ekipin për paraqitjen dinjitoze në Camp Nou.
“Unë jam super krenar me ekipin. Janë gjëra për të cilat nuk mund të luftoni, si p.sh kartoni i kuq. Sot, futbolli ishte Real Madridi. Një ekip shumë superior”.
“Sa për gjyqtarin, unë jam pa koment. Ka imazhe dhe profesionistët do të analizojnë çfarë ndodhi. Hala Madrid”, tha Ramos.
Drejtori i Real Madridit, Emilio Butragueno, ka deklaruar pas ndeshjes El Clasico ndaj Barcelonës se është futbolli ai që nuk ka dashur që Los Blancos të fitojnë.
“Ekipi ka treguar fuqi të madhe dhe ka luftuar deri në fund. Ne është dashur ta fitonim ndeshjen, por futbolli nuk ka dashur ta shpërblejë Real Madridin”.
“Barcelona kishte shumë fat. Diferenca ishte goditja e Ozil dhe goditja e Alves. Njëri hyn në gol dhe tjetri godet traversën”, potencoi Butragueno.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka deklaruar se klubi do të vendosë të premtën nëse do të transferojë Carlos Tevezin nga Manchester City apo Maxi Lopezin nga Catania.
“A mund të vijë Maxi Lopez së bashku me Tevez? Kush e di?”.
“Unë thjesht dua të përsëris nëse ai nuk vjen, atëherë do të transferojmë Tevez, ata dy janë alternativa për ne. Ne do të marrim një vendim të premtën”, u shpreh Galliani.
Aktori hollivudian, Liam Neeson, është duke menduar që ta braktisë fenë katolike dhe të kalojë në islam.
59-vjeçari ka pranuar se lutja islame ka hyrë në shpirtin e tij gjatë xhirimeve në qytetin e Stambollit.
“Thirrja për lutje ndodh pesë herë në ditë dhe në javën e parë të çmend, ndërsa më pas thjeshtë hyn në shpirtin tënd dhe kjo është gjëja më e bukur”.
“Stambolli ka 4.000 xhami, disa prej tyre janë të mahnitshme dhe gjithë kjo më ka detyruar të mendoj për të kaluar në islam”, ka thënë Neeson, ndërsa transmeton The Sun.
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), në bashkëpunim me Robert Bosch Stiftung dhe Fondacionin ERSTE, për të gjashtin vit me radhë, e hap garën për aplikim në programin “Bursa Ballkanike për Shkëlqësi në Gazetari”. Tema e shkrimeve të këtij viti është “Komunitetet”. Gazetarët nga Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania dhe Serbia janë të ftuar të aplikojnë deri më 5 mars 2012.
Aplikuesit janë të inkurajuar që trajtojnë temën në një këndvështrim më të gjerë. Kandidatët duhet të kenë parasysh faktorë të ndryshëm politikë, ekonomikë, kombëtarë, gjinorë dhe ndërlidhjen e tyre, ndikimet e jashtme dhe zhvillimet e fraksioneve të reja. Sigurohuni që të mendoni për rëndësinë e storjes, jo vetëm në vendin tuaj, por të paktën edhe në një shtet tjetër rajonal dhe brenda Bashkimit Evropian. Zgjidhni fenomene që janë relevante, aktuale dhe origjinale.
Nga bursistët pritet të shkruajnë shkrime hulumtuese, prej jo më shumë se 2,000 fjalësh, të cilat do të informojnë lexuesit rajonalë, për çështje që nuk janë mbuluar nga media më parë.
Remzi Lani, drejtor i Institutit Shqiptar për Media dhe anëtar i komisionit përzgjedhës të programit, e përshkroi bursën si një “storje suksesi” dhe një “mundësi që nuk duhet të humbet”. “Programi ofron një mundësi unike për raportim hulumtues në vendin tuaj dhe më gjerë. Në të njëjtën kohë, bursa ofron mundësinë për të takuar kolegët dhe profesionistët e industrisë nga e gjithë Evropa”, tha Lani.
Dhjetë kandidatët që do të përzgjidhen nga një komision i pavarur, do të marrin një bursë prej 2,000 euro, si dhe 2,000 euro të tjera për shpenzime të udhëtimit dhe të hulumtimit, si dhe do të kenë mundësinë të marrin pjesë në seminare për zhvillime profesionale në Vjenë dhe në Shkup. Njëkohësisht, tri shkrimet më të mira, edhe këto të vlerësuara nga një komision i pavarur, do të marrin shpërblime prej 4,000 euro, 3,000 euro dhe 1,000 euro.
Bayerni i Munichut për të enjtën, në fakt nuk ekziston.
Një raport në faqen zyrtare të Bayernit zbuloi se klubi gjerman siguroi transferimin e një sulmuesi ‘bomb’, i cili është planifikuar të prezantohej sot në ora 14:00. Sidoqoftë, raporti në fjalë nuk ishte asgjë më tepër se sa një ‘blof’ mediatik.
“Do të jetë një transferim spektakolar në sulm”, theksoi Nerlinger për faqen zyrtare të Bayernit.
E kur erdhi koha për konferencën për shtyp, video e paralajmëruar për të gjithë fansat në Facebook shfaqi një mesazh ku flitej për një shaka. Ende nuk dihet nëse vërtet do të ndodh ndonjë transfer i madh i Bayernit, ashtu siç kishte paralajmëruar para janarit Uli Hoeness.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka pohuar se eliminimi në Copa del Rey në Camp Nou ishte i pritur nga lojtarët e tij, pasi vet rrethanat e kanë bërë që ata të mendojnë kështu, por ky sipas portugezit është një mendim të cilin ai nuk e ka përkrahur në asnjë moment.
“Dëgjova në zhveshtore se është e pamundur të fitosh këtu”, theksoi Mourinho dhe nën presion të gazetarëve se pse ata menduan kështu, ai u përgjigj: “Pyesni vet lojtarët”.
“Nuk dua të flas për gjyqtarin. Ne erdhëm me shpresën për t’u kualifikuar. Ne e kemi ditur se do të jetë vështirë, por ne erdhëm me shpresën për të arritur synimin tonë. Unë kam luajtur këtu me Chelsean, me Interin dhe me Real Madridin dhe gjithmonë ekipet e mia kanë marrë karton të kuq. Kjo është situatë me të cilën jam familjarizuar”, deklaroi Mourinho në konferencë për shtyp. /Telegrafi/
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka deklaruar të enjten në Bruksel, se Aleanca Veri-atlantike politikisht e ka vazhduar mbështetjen e dialogut Beograd – Prishtinë, nën ombrellën e Bashkimit Evropian, që sipas tij është e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza.
Në fjalimin e tij para gazetarëve në Bruksel, sipas RFE, shefi i NATO-s ka theksuar se Kosova dhe Serbia, duhet të gjejnë zgjidhje të përhershme për shumë çështje të tjera të rëndësishme dhe të kontribuojnë më procesin e pajtimit dhe të normalizimit në rajon.
Rasmussen ka thënë se trupat e NATO-s e kanë ruajtur sigurinë dhe mbrojtjen për të gjithë njerëzit në Kosovë, me kujdes, me vendosmëri dhe në mënyrë të paanshme, dhe se KFOR-i ndihmon në forcimin e paqes dhe të zgjidhjes politike për Kosovën, “duke vepruar neutral ndaj statusit”.
Shefi i Aleancës Veri-atlantike ka thënë se pajtohet plotësisht me deklaratën e kryesuesit të Komitetit ushtarak të NATO-s, Knud Bartels, i cili ditë më parë ka thënë se NATO-ja po përpiqet të krijoj hapësirë për zgjidhje politike në veriun e Kosovës”.
Ministri i Ekonomisë së Turqisë, Zafer Çağlayan, tha se brenda 21 dite pune Turqia ka eksportuar 8.3 miliardë dollarë, me një rritje prej 13 për qind.
Ministri Çağlayan i publikoi edhe parashikimet në lidhje me rritjen ekonomike ku thuhet se nëse, Turqia nuk ballafaqohet me ndonjë problem do të shënohet një rritje prej 5 për qind.
“Shifrat e eksportit të publikuara të mërkurën janë tregues se do të mund të arrijmë shifrat e planifikuara. Objektivi i Asamblesë së Eksportuesve të Turqisë prej 151 miliardë dollarë tregon se eksportuesit turq besojnë në më shumë se që kemi planifikuar ne”, theksoi Zafer Çağlayan.
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), gjatë vitit 2011 ka mbledhur 261 milionë euro nga tatimet, duke tejkaluar planin për 0.8 për qind, apo 20 për qind më shumë se gjatë vitit paraprak.
Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Behxhet Haliti, tha se gjatë inkasimit të të hyrave për vitin 2011 janë tejkaluar parashikimet. “Gjithsej ATK ka mbledhur 370 milionë euro, prej tyre 261 milionë nga tatimi, kurse 108 milionë nga kontributet pensionale, të cilat iu kanë dhënë trustit për menaxhim të mëtutjeshëm. Është një tejkalim simbolik i të hyrave, por për ne si menaxhment është me rëndësi se është viti i tretë që realizojmë objektivat”, tha Haliti.
Më së shumti të hyra janë mbledhur nga TVSH-ja, rreth 122 milionë euro, apo rreth 46 për qind, pastaj nga Tatimi i mbajtur në burim dhe Tatimi në të ardhura të korporatave.
Gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar rreth 900 kontrolle dhe 78 mijë vizita edukuese përmbushëse ndaj tatimpaguesve. Kurse si rezultat i mbledhjes së detyrueshme janë arkëtuar rreth 32 milionë euro. Haliti përmendi edhe prioritetet e këtij viti. “Për vitin 2012 ATK planifikon që të realizojë të hyra prej rreth 288 milionë euro, të parapara me buxhetin, të realizojë strategjinë e përmbushjes të cilën e kemi miratuar në shtator, të inkurajojë dhe të ndihmojë përmbushjen vullnetare”, theksoi Haliti.
Ndër sfidat kryesore të këtij institucioni vazhdon të jetë niveli i lartë i borxheve dhe azhurnimi i regjistrit të tatimpaguesve.
Sipas Halitit, gjatë vitit 2010 niveli i borxheve ka qenë 231 milionë, kurse vitin e kaluar kanë arritur ta zvogëlojë në 215 milionë euro, apo 85 për qind në raport më të hyrat, kurse objektiv i ATK-së është që këtë nivel ta ulë në 10 për qind në raport me të hyrat.
Grupi Parlamentar i AAK-së insiston në zbatimin e vendimeve që merr Kuvendi i Kosovës. Si të tilla, vendimet e Kuvendit nuk janë këshilluese, por detyruese për Qeverinë e vendit. Prandaj, edhe sot ne si Aleancë shprehim pakënaqësinë tonë me vazhdimin e politikës së njëjtë të Qeverisë në raport me Kuvendin. Pra, politikën e injorimit dhe zhvleftësimit të rëndësisë primare që ka Kuvendi në një Republikë si kjo e jona. Kështu ka thënë deputeti dhe Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, në Kuvendin e Kosovës.
“Lëre që nuk respektoi mocionin e 7 dhjetorit, i cili u zhvleftësua, por kjo Qeveri nuk respekton as këtë mocionin e ri, që u votua nga deputetët e koalicionit qeveritar. Në pikën 3 të Mocionit të 20 janarit, thuhet shprehimisht se ‘Qeveria obligohet t’i raportojë Kuvendit lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit’. Pra, Qeveria është dashur që menjëherë pas votimit të mocionit, të kërkojë nga Kuvendi mbajtjen e një seancë me vetëm një pikë të rendit të ditës: Raportimi i Qeverisë lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka shenja se do të ndodhë”.
“Pra, Qeveria as nuk na ka raportuar se çka po ndodh në këto bisedime, dhe as nuk e ka ndërmend të na raportojë. Me këtë, tashmë po shkel edhe një vendim tjetër. Pra, po shkel edhe pikën 3 të mocionit të 20 janarit”, ka thënë Ramadani.
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic, ka deklaruar se po vazhdon të ushtrohet presion mbi shtetet afrikane të cilat akoma nuk e kanë njohur Kosovën.
Sipas tij, kombinimi i presionit, shantazhit dhe parave, kanë bërë që një numër i shteteve afrikane që nuk e kanë njohur Kosovën ta ndërrojnë qëndrimin e tyre rreth kësaj çështjeje.
Ai ka thënë për Tanjug se fuqitë e mëdha dhe para të mëdha janë investuar që Kosova të ndahet nga Serbia.
Jeremic është shprehur i kënaqur që nga 54 anëtaret e Unionit afrikan me të cilat Serbia ka marrëdhënie diplomatike, vetëm 16 e kanë njohur Kosovën, ndërsa 38 nuk e kanë bërë këtë.
Partia Radikale Serbe ka kërkuar nga Kuvendi i Serbisë që të mbajë një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të diskutohej rreth situatës në Kosovë.
Anëtari i kolegjiumit presidencial të PRS, Dejan Mirovic, ka thënë se janë të shqetësuar për shkak të planit jotransparent fantomik në katër pika rreth Kosovës. Ai ka thënë se nga 31 korriku nuk ka kurrfarë informatash rreth asaj që po ndodh në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa radikalët po shqetësohen rreth planit që mund të jetë i keq për Serbinë.
“Jemi të shqetësuar, sepse Tadic thotë se flitet për disa garanci për enklavat, manastiret dhe status të veçantë për veriun e Kosovës”, ka thënë Mirovic, duke shtuar se, sipas Kushtetutës së Serbisë, Kosova nuk mund të ketë status të veçantë.
Kjo- thekson ai- do të ishte njohje gjysmë-direkte e Kosovës si shtet i veçantë.
Pasi që Lëvizja “Vetëvendosje” paraqiti dhjetë pyetje legjitime mbi takimet mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, takime për të cilat ka njoftuar Wikileaks, Qeveria ka zgjedhur të mos përgjigjet, por përkundrazi po përpiqet të hedhë mjegull mbi faktet. Dy takimet Thaçi-Tadic nuk janë mohuar nga vetë Thaçi apo nga Tadic. Kështu thuhet në një reagim të sekretarit organizativ të “Vetëvendosje”, Dardan Molliqaj, rreth akuzave të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, në Kuvendin e Kosovës.
“Natyrisht që fjalët e Bekim Haxhiut nuk kanë asnjë të vërtetë brenda, e kushdo e kupton se përmes këtyre shpifjeve ai kërkon që të heqë vëmendjen prej pyetjeve tona mbi takimin e Thaçit me Tadicin, personin që disa ditë më parë deklaroi se ‘Kosova është tokë serbe’”, thuhet në reagim.
Molliqaj thekson se para se të fillonte “me shpifje, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, për dallim nga Thaçi, Bekim Haxhiu e pranoi se këto takime kanë ndodhur”.
Duke i përsëritur pyetjet e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Molliqaj e ka ftuar kryeministrin Hashim Thaçi që, siç thotë ai, të mos shmanget përmes Haxhiut apo të tjerëve, por të përgjigjet në dhjetë pyetjet e tyre.
Në seancën e Kuvendit, Haxhiu ka kërkuar sqarime nga Kurti për disa takime, siç pretendon ai, që ka pasur me serbët në komunën e Klinës, pastaj gjësendet që i janë gjetur atij në një rast të ndalimit nga Policia e Kosovës, po ashtu ka kërkuar shpjegim se si edhe pas lirimit nga burgu, Albin Kurti ka mbajtur korrespondenca me një femër serbe, e cila e kishte vizituar edhe gjatë kohës sa ai ishte në burg. Po ashtu, ai ka kërkuar sqarime për rastin, sipas tij, të pranimit të një pakoje nga Serbia.
Një djalosh nga jugu i Kinës ka lënë pa koment mjekët dhe shkencëtaret me aftësinë e tij të jashtëzakonshme – ai sheh në mënyrë të përkryer edhe në terr.
Nong YouSui u dërgua në spitalin e Dahuais nga i ati Nong Shihua, i shqetësuar pasi kishte vërejtur se djalit po i vezullonin sytë me ngjyrë të kaltër.
“Kur e dërgova si foshnje për kontroll, më thanë se gjithçka është në rregull me sytë e tij dhe se me kalimin e viteve, kur të rritet, nuk do të ndriçojnë më dhe do t’i ndryshohet edhe ngjyra, duke marrë ngjyrën e syve si të kinezëve të rëndomtë. Por, kjo nuk ndodhi kurrë”, ka theksuar babai i tij.
Nong YouSui edhe në terrin më të madh sheh si në pikë të drekës, ndërsa sytë i vezullojnë natën si të maces. Kjo shkathtësi e tij ka habitur bashkëvendësit, por edhe shumë njerëz në mbarë botën.
Menjëherë kanë dalë teori se Yousui është “hibridi” i njeriut me jashtëtokësorët, i ashtuquajturi “Fëmijë i yjeve” (Starchild). /Telegrafi/
konfirmuar zyrtarisht, por thashethemet flasin për paraqitjen shumë të shpejtë të tij.
Sipas shkrimit të bllogerit rus Eldar Muratzin, Samsung do të paraqes Galaxy S III gjatë muajit shkurt në panairin Mobile World Congress (MWC) në Barcelonë, e fillimi i shitjes mund të pritet gjatë muajit prill.
Burimi i njëjtë thekson procesorin katërbërthamësh në 1.5 ose 1.6 GHz, kamerën prej 12-megapiksel, ekranin me rezolucion HD dhe Andorid 4.0. Specifikimet e theksuara pritet të jenë të denja për kreun e ri të ofertës së Samsungut të telefonave të mençur, derisa për informatat zyrtare prapëseprapë duhet pritur edhe pak, së paku deri në fillim të MWC-së.
Sot gjatë ditës, kompania finlandeze Nokia ka publikuar raportin e saj të hyrave për tremujorin e fundit të vitit 2011, i cili duket të jetë paksa dëshpërues për kompaninë kur krahasohet me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.
Prodhuesi i famshëm finlandez ka përfunduar vitin 2011 me më shumë se 10 miliardë euro të hyra nga shitjet, ose 11 për qind më shumë sesa në tremujorin e tretë të vitit, por 21 për qind më pak sesa periudha e njëjtë e vitit 2010, kur Nokia kishte grumbulluar rreth 12.7 miliardë euro nga shitja.
Në anën tjetër, përfitimi operacional është rritur për 90 për qind në tremujorin e tretë të 2011, një rritje kjo prej 56 për qind.
Në përgjithësi, gjërat po duken mirë tek Nokia, sepse telefoni i saj i ri në platformën e Microsoft është shitur në më shumë se milion njësi, mirëpo totali i biznesit të Nokia’s është më keq sesa në vitin 2010, kur kompania ishte lider global në shitje në të gjitha tregjet globale.
Ata tashmë kanë gjashtë fëmijë, funksionojnë për mrekulli si familje, mirëpo nuk janë martuar asnjëherë. Bëhet fjalë për çiftin më të famshëm hollivudian, Angelina Jolie dhe Brad Pitt.
Mirëpo, sipas fjalëve të fundit të Pitt rreth kësaj çështjeje, duket se ata shumë shpejt do t’i drejtohen altarit.
“Në fakt, do të dëshironim ta bëjmë atë. Duket se gjithnjë e më shumë po ka rëndësi për fëmijët tanë”, ka thënë aktori.
Ai ka treguar se në të kaluarën ata kishin vendosur që të mos martohen, mirëpo kjo çështje po vazhdon t’i ndjekë këmba këmbës.
Këngëtares Altuna Sejdiu duket se nuk i kanë mjaftuar spekulimet rreth prirjeve biseksuale dhe lesbike të saj pas divorcit.
Pas shkurorëzimit nga Rilind Reka u përhapën thashetheme se këngëtarja nga Maqedonia ishte puthur me një femër, ndërsa tani ajo ka dalë hapur përmes rrjetit social Twitter për të mbështetur publikisht të drejtat e homoseksualëve.
Ajo ka shkruar se është koha të ndalohet diskriminimi ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe.
“Është koha t’i ndalojmë diskriminimet dhe gjykimet ndaj njerëzve më ndryshe. Më shumë dashuri për ATA ‘GayRightSupporter’”, ka shkruar Tuna.
Real Madridi ka mundur ta mposhtë me lehtësi Barcelonën në ndeshjen kthyese të Kupës së Mbretit po të kishte pasur pak fat- ka thënë mbrojtësi i Los Blancos, Alvaro Arbeloa.
Mbretërit barazuan me rezultat 2-2 në Camp Nou, ndërsa në takimin e parë në Bernabeu, ata ishim mposhtur me rezultat 1-2, që do të thotë se Barcelona vazhdon tutje.
“Jemi të kënaqur me paraqitjen tonë. Ne nuk fituam sepse nuk kishim fat me rastet tona”.
“Ne kemi mundur të fitojmë, sepse ishim më të mirë. Ne luajtëm më mirë dhe patëm më shumë raste shënimi sesa Barcelona”, ka thënë Arbeloa.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, konsideron se skuadra e tij e meritoi kualifikimin e mëtutjeshëm në kuadër të Kupës së Mbretit nëse merren parasysh të dyja takimet çerekfinale.
“Reali në ndeshjen e kthimit e bëri të njëjtën që do ta kishim bërë edhe ne po të gjendeshim në një situatë të tillë. Lojtarët e mi treguan fuqi dhe për këtë i përgëzoj”.
“Reali është skuadër e madhe, prandaj ky plasman në gjysmëfinale është edhe më i rëndësishëm”.
“Mirëpo mendoj se ne, përkundër lojës së shkëlqyer të Realit në Camp Nou, ishim më të mirë nëse i shikojmë 180 minutat”, ka thënë Pep pas takimit.
Njeriu i ndeshjes në takimin e Kupës së Italisë mes Napolit dhe Interit, Edinson Cavani, ka deklaruara se skuadra e tij është në garë për një trofe këtë edicion.
Uruguaiani shënoi të dy golat e Napolit për të siguruar gjysmëfinalen ndaj Sienas, dhe napolitanët kanë gjasa reale për të arritur në finale të Kupës.
“Gjithmonë duhet të mendojmë për atë qe e kemi përpara. Duhet ta vazhdojmë luftën, sepse këta lojtarë janë të vendosur të fitojnë diçka të rëndësishme”.
“Gjëja më e rëndësishme ishte fitorja, dhe ne e bëmë atë, prandaj jemi të lumtur”, ka deklaruar Cavani për Rai Sport.
Drejtori sportiv i Paris Saint-Germain, Leonardo, e ka bërë të qartë se lideri i Ligue 1 nuk ka bërë orvatje për transferimin e yllit të Real Madridit, Kaka.
Braziliani është lidhur vazhdimisht me një kalim në kryeqytetin francez, mirëpo Leonardo ka pohuar se këto kanë qenë vetëm fjalë.
“Nuk ka asgjë nga thashethemet që na lidhin neve me Kakan”.
“Unë kam raporte shumë të mira me të, megjithatë asnjëherë nuk kam kërkuar nga ai që të transferohet te Paris Saint-Germain”, ka deklaruar ish-trajneri i Milanit për L'Equipe.
Tenisti i dytë në botë, Rafael Nadal, ka siguruar kualifikimin në finale të Grand Slam turneut të parë sezonal, Australian Open, duke eliminuar rivalin e tij më të madh, Roger Federer.
Edhe pse e humbi setin e parë, spanjolli u kthye për të regjistruar fitore me rezultat 3-1 në sete (6-7, 6-2, 7-6 dh 6-4), ndërsa kjo ishte fitorja e 18-të e tij në 27 duelet kundër zviceranit.
Në finale, Nadal do ta presë fituesin nga gjysmëfinalja tjetër që zhvillohet të premten në mes të serbit Novak Djokovic dhe britanikut Andy Murray.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të PTK-së Milazim Alshiqi, ka kundërshtuar planifikimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqajt për uljen e pagave të punëtorëve të PTK-së.
Alshiqi tha se propozimi i ministrit Beqaj ka një qellim të erret, shkatërrimin e kompanisë të vetme profitabile dhe vet financuese me të gjitha kapacitet teknike dhe resurset përcjellëse të saj duke harruar se kjo kompani është edhe mbështetësi kryesor financiar i shtetit të Kosovës. “Ministri Besim Beqaj me propozimin për zbritje te pagave te punëtorëve ka për qellim te zbehe efikasitetin dhe kujdesin ndaj konsumatorëve besnik te PTK-së,për të cilët kemi investuar shumë mund,para dhe kohe”, tha Alshiqi.
Ai ka akuzuar, Beqajns e ka për qëllim bllokimi i aktiviteteve sindikale të Sindikatës .”Efekti për zbritjen e pagave si e planifikon ministri Besim Beqaj, është shkatërrimi i vullnetit te punës tek punëtorët ne PTK qe me pas te reflektohet edhe në shërbime të konsumatorët duke i nënçmuar ata qe kanë kontribuar shumë në zhvillimin ekonomik te shtetit”.
Alshiqi tha se 95 për qind te punëtoreve të PTK-se kanë obligime kreditore ndaj bankave, mesatarisht 45 për qind të pagave të tyre, zbritja e pagave prodhon gjera të pakëndshme për vet shtetin,sepse nëse pagat zbriten këta punëtor nuk do të kanë mundësi t’i përmbushin obligimet qe kanë marrë.
“Përkundër bllokimit te projekteve kapitale te PTK-se, PTK-ja vitet e fundit ka pas rritje kontinuive te fitimeve. Raportet financiare për vitin 2011 tregojnë se PTK është me fitim pozitiv rreth 103 për qind”, thotë Milazim Alshiqi.
“I themi ministrit Beqaj se reformë është nëse e siguron kodin telefonik, i lëshon projektet zhvillimore, i largon operatoret ilegal, krijon legjislacion në favor të zhvillimit ekonomik, nuk ndërhynë në Bord dhe Menaxhment me qëllime tejet të ulëta vetëm për të shkatërruar”.
Ndryshe ministri Besim Beqaj kishte paralajmëruar uljen e pagave për punëtorët e PTK-së në masën prej 30 për qind. Pagat e punëtorëve të PTK-së janë më të lartat në vend.
Kreu i Rezervës Federale, Ben Bernanke, tha se Banka Qendrore në Shtetet e Bashkuara është e gatshme të ofrojë stimul shtesë për ekonominë dhe shprehu vendimin e saj për të ruajtur normën bazë të interesit të pandryshuar deri në fund të vitit 2014, këto komente ai i bëri në përfundim të mbledhjes dy ditore të Bordit të Politikës Monetar.
Rezerva Federale, paralelisht ndërmori një hap të papërsëritur më parë në historinë e saj, duke adoptuar politikën e vendosjes së një kufiri për inflacionin. Megjithatë, Bernanke theksoi se zyrtarët e Rezervës Federale do të jenë shumë fleksibël dhe pak ortodoksë në lidhje me këtë kufi të inflacionit në kushtet kur në ekonomi regjistrohet nivel i lartë papunësie. Në konferencën për shtyp, ai nuk u shpreh shumë optimist në lidhje me statistikën pozitive të kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara.
"Nuk jemi ende të gatshëm të deklarojmë se ekonomia ka hyrë në një fazë të re të ritmit të fortë të rritjes së ekonomisë”, tha Bernake.
Nga dhjetori i vitit 2008, Rezerva ka injektuar 2.9 trilionë dollarë në ekonomi për të garantuar funksionimin e saj.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Slavica Djukic Dejanovic, ka deklaruar se akoma nuk është vendosur nëse zgjedhjet lokale të Serbisë do të mbahen edhe në Kosovë, ndërsa ka theksuar se ky do të jetë vendim politik.
“Mbajtja e zgjedhjeve në territorin Kosovës është çështje politike dhe shikuar ligjërisht, natyrisht që Kosova është territor i Serbisë, megjithatë ne nuk mund t’i mbyllim krejtësisht sytë para realitetit, që është kështu si është, dhe me siguri se do të merret vendim politik rreth asaj nëse do të mbahen zgjedhjet edhe për komunat në Kosovë”, citon B92 fjalët e kryeparlamentares serbe.
Nga ana tjetër, kuvendet paralele komunale në Kosovë kanë kërkuar nga autoritetet e Beogradit që t’i mbajnë zgjedhjet lokale edhe në Kosovë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka hapur seancën radhës të Kuvendit të Kosovës. Duke e akuzuar, sipas tij, për dëmet që është duke i shkaktuar vendit, ai ka kërkuar nga lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, t’u përgjigjej në një mori pyetjesh.
Haxhiu ka kërkuar sqarime nga Kurti për disa takime, siç pretendon ai, që ka pasur me serbët në komunën e Klinës, pastaj gjësendet që i janë gjetur atij në një rast të ndalimit nga Policia e Kosovës, po ashtu ka kërkuar shpjegim se si edhe pas lirimit nga burgu, Albin Kurti ka mbajtur korrespondenca me një femër serbe, e cila e kishte vizituar edhe gjatë kohës sa ai ishte në burg.
Kosovapress raporton se deputeti Haxhiu ka vazhduar të kërkojë sqarime për rastin, sipas tij, të pranimit të një pakoje nga Serbia.
“Më datë 23 shtator 2011, përmes autobusit Beograd- Prishtinë ju keni marrë një korrespondencë pako në zarf që nënkryetari juaj Dardam Molliqaj e ka pranuar këtë pako të dedikuar për ju në stacionin e autobusëve në Prishtinë. Andaj do të ishte mirë të tregoni përmbajtjen e këtij zarfi që ia ka dërguar vajza e njërit nga ministrat e Milosevicit”, ka thënë deputeti Haxhiu duke akuzuar Kurtin se po fshihet pas flamurit kuqezi, duke kërkuar tradhtarë në këtë vend e duke mos pasur vizion për vendin.
Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes "Vetëvendosje", Alma Lama, më të marrë fjalën ka ironizuar me deputetin Bekim Haxhiu, duke thënë se ajo to t’i përmbahet kërkesës së Kuvendit që të adresohen vetëm çështjet urgjente. Ajo ka folur për gjendjen e rëndë në disa fshatrave, të cilat janë bllokuar nga bora e madhe që ka rënë këto ditë të fundit. Me këtë rast, ka përmendur disa fshatra të Kosovës të cilat janë bllokuar nga bora e madhe, banorët e të cilave, nuk kanë mundësi qarkullimi. Lama kërkoi që të ndërmerret diçka në këtë drejtim.
Deputeti Burim Ramadani nga AAK-ja ka folur për moszbatimin nga Qeveria të vendimeve që po dalin nga Kuvendi i Kosovës. Ai e ka ngritur çështjen e mocionit të fundit që e miratoi Kuvendi për reciprocitet me Serbinë, duke thënë se as këtë vendim Qeveria e Kosovës nuk po e zbaton. Ramadani, po ashtu, ka shfaqur brengën e AAK-së që Qeveria e Kosovës nuk po i sjell në Kuvend marrëveshjet e arritura me Serbinë për t’i debatuar.
Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi ka kritikuar udhëheqjen e Policisë së Kosovës për urdhërata që kanë dhënë me qëllimin e pengimit të protestës së 14 dhe 22 janarit. Sipas tij Inspektorati Policor i Kosovës duhet ta konstatojë dhe të marrë masat e duhura ndaj përgjegjësve dhe jo të kthehet në instrument të ushtrimit të dhunës nga ana e inspektorëve.
Ministria e Punëve të Jashtme njofton qytetarët e Kosovës të cilët posedojnë viza Schengen, se do të kenë mundësi të udhëtojnë dhe qëndrojnë në Bullgari, pa pasur nevojë që të pajisen me viza bullgare.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Sofje ka përcjellë njoftimin se Qeveria e Republikës së Bullgarisë, ka marrë vendim për lehtësimin e hyrjes në Bullgari për poseduesit e vizave Schengen.
Këshilli i Ministrave të Republikës së Bullgarisë ka vendosur që deri në datën kur Bullgaria të bëhet anëtare e zonës Schengen, të aplikojë njëanshëm sistem të lirë vizash për poseduesit e vizave valide të Schengenit.
Ky vendim iu mundëson poseduesve të vizave Schengen, që të hyjnë dhe të qëndrojnë në Bullgari në një periudhë deri në tre muaj nga data e hyrjes së parë, pa pasur nevojë për pajisjeje me vizë bullgare. Në praktikë ky vendim do të prekë shtetasit e të gjitha vendeve për të cilat deri tani është kërkuar vizë bullgare, për të hyrë në Bullgari.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës përkrah protestën e shoqërisë civile në Prizren për të kundërshtuar ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit- thuhet në një kumtesë për media të këtij rrjeti.
“RRGGK mendon se argumentet e shoqërisë civile të Prizrenit janë të qëndrueshme dhe beson se reagimi qytetar në Prizren duhet të përkrahet”, thuhet në kumtesë.
RRGGK u ka bërë thirrje të gjitha organizatave anëtare të rrjetit si dhe qytetarëve të Kosovës që më 29 janar të jenë në përkrahje të qytetarëve të Prizrenit.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, të enjten ka zhvilluar një takim me kryeprokurorin e EULEX-it, ambasadorin John Clint Williamson, i mandatuar për hetimin e akuzave të ngritura në raportin e senatorit zviceran Dick Marty.
BalkanWeb njofton se Haxhinasto ka siguruar Williamsonin për mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të autoriteteve shqiptare, me qëllim sigurimin e një hetimi të plotë dhe gjithëpërfshirës.
Ai theksoi se EULEX-i ka pasur dhe do të vijojë të ketë mbështetjen maksimale të autoriteteve shqiptare si i vetmi organ zyrtar që ka juridiksionin, aftësinë dhe kapacitetet e duhura për të hetuar lidhur me çështjet e ngritura në raport.
Nga ana e tij, kryeprokurori Williamson vlerësoi mbështetjen dhe gatishmërinë e ofruar nga autoritetet më të larta të Shqipërisë, në bashkëpunim me këtë organ hetimor të EULEX-it.
Suksesi i EULEX-it është parë sidomos në aftësimin dhe përgatitjen profesionale të policisë dhe doganierëve të Kosovës. Kështu konsideron zëdhënësi i këtij misioni, Nicholas Hawton, duke u shprehur se EULEX-i është i kënaqur me punën e vet që ka bërë në Kosovë.
Siç transmeton RTK, Hawton i ka thënë portalit Eu Observer se janë shënuar rezultate të qarta edhe në luftën kundër kriminalitetit.
Ndërkaq, sipas tij, deri më tani janë sjellë 220 aktgjykime. Prej tyre 15 raste kanë të bëjnë me krimin e organizuar kurse në 20 raste janë shpallur dënime për krime të kryera gjatë luftës, ndërsa aktualisht janë duke u zhvilluar 350 procese penale hetimore.
Përkundër të gjitha peripecive që i kaloi në vendin afrikan, Eritrea, piloti shqiptaro-amerikan, James Berisha, nuk po heq dorë nga lobimi i tij për njohjen e Kosovës.
Në një intervistë për Radio Dukagjinin, ai ka thënë se misionin e tij trevjeçar do ta vazhdojë brenda pak javësh, duke qenë se i kanë mbetur edhe dy vende për lobim, Egjipti dhe Libia.
Berisha ka thënë se në fund të misionit, aeroplani i tij që përshkroi me mijëra kilometra do të kthehet Kosovë dhe aty do të mbetet si relikt për ta kujtuar misionin.
Rezoluta 1244 është sjellë në vitin 1999, ndërsa që atëherë koha nuk ka ndalur. Atë e ka sjellë KS i OKB-së dhe nuk është në fuqi të Serbisë që të vendosë rreth saj. Kështu ka deklaruar ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Wolfram Maas.
“Gjërat duhet të shihen në kontekst. Rezoluta 1244 është sjellë në vitin 1999, ndërsa që atëherë koha nuk ka ndalur. Gjermania e ka njohur Kosovën, ndërsa më pas gjithnjë e më shumë vende. Çështja nëse Serbia duhet të heqë dorë nga rezoluta nuk qëndron, sepse atë e ka sjellë Këshilli i Sigurimit dhe nuk është në dorë të Serbisë që të vendosë për të”, ka thënë Maas, ndërsa transmeton B92.
Sipas tij, nuk ka kushte të reja për Serbinë, porse Beogradi duhet t’i përmbushë kushtet që janë vendosur më parë.
“Nuk ka rrezik që autoritetet në Beograd të përballen me kërkesa të reja, nëse i përmbushin ato që kërkohen tash”, ka thënë ambasadori, duke shtuar se nuk e ka parë planin katërpikësh të presidentit serb, Boris Tadic, rreth Kosovës.
Aktori i filmave për të rritur nga Britania e Madhe, i cili momentalisht gjendet me punë të përkohshme në SHBA, Keiran Lee, nxiti imagjinatën e të gjitha grave por edhe shumë burrave duke e siguruar penisin e tij në rast se e thyen ose fatkeqësive tjera - për një milion dollarë.
Kompania e sigurimeve Lloyd nga Londra, e cila ia lëshoi polisën e sigurimit Keiranit është e njëjta që siguron edhe kordat e zërit të Bruce Springsteen dhe këmbët e David Beckham.
Keiranit ia pagoi polisën shtëpia e tij filmike Brazzers, e cila duket se respekton shumë punëtorin dhe “aletin” e tij si dhe punën e vështirë që bënë ai gjatë xhirimit të filmave.
Lee është 28 vjeçar dhe ka performuar në më shumë se 800 skena të filmave për të rritur. Ai i tha tabloidit britanik The Sun se thjeshtë nuk e ka ndërmend ta lëndojë ose thyejë mjetin elementar të punës, por shefat e tij deshën të jenë të sigurt për këtë gjë.
“Iu jam nënshtruar disa testeve mjekësore për të qenë të sigurt se jam i shëndetshëm dhe në formë. Më e keqja është se në rast fatkeqësie paratë e sigurimit i shkojnë shefit tim, e jo mua”, ka thënë ai.
E dashura e tij, aktorja e filmave pornografik, Kirsten Price, thotë se shuma e sigurimit është e papërfillshme: “Vetëm një milion dollarë? Zemër, për mua kjo është e papërfillshme!”.
Nëse mendoni se arti sot është tepër i rëndomtë, atëherë do të ndiheni mirë kur ta kuptoni se ekziston edhe një vajzë e cila ka flakur tutje penelin dhe përdorë topin e basketbollit për të pikturuar.
Artistja Hong Yi pikturoi legjendën e basketbollit kinez Yao Ming duke përdorur vetëm topin e basketbollit dhe ngjyrën e kuqe. Rezultati është mbresëlënës.
Shikojeni videon e Gizmodos dhe vendosni vetë nëse edhe ju keni vendosur t’i jepni fund mënyrës tradicionale të pikturimit. /Telegrafi/
Shefi i Foxconn, Terry Gou, publikisht i kërkoi falje “të gjithë të ofenduarve” për shkak se mediave të Tajvanit u ka deklaruar: “Kam dhimbje koke nga vështirësitë e menaxhimit me miliona kafshë”, aluduar kështu në të punësuarit e kompanisë.
Deklarata e tij i shpërhap nëpër forume dhe hasi, natyrisht, në kritika të ashpra. Në kërkim-faljen ai theksoi se gazetarët nxorën nga konteksti deklaratën e tij dhe se nuk ka ofenduar (me qëllim) të punësuarit, në mënyrën e cila po i imponohet.
Foxconn përndryshe është prodhuesi më i madh botërorë i komponentëve kompjuterik dhe njëkohësisht bën kompletimin e pajisjeve për kompanitë siç janë Apple (duke përfshirë iPhonein), Sonyn, Nokian, Acer ... Punëson, siç është deklaruar ca kohë më parë, hiç më pak se një milion njerëz, në Kinë.
Motorola ngriti një padi të re kundër Apple duke theksuar shkeljen e gjashtë patentave të saj në iPhone 4S dhe iCloud.
Në padinë e vet Motorola thekson se Apple ka shkelur patentat e cekur, dhe vazhdon me shkeljen e tyre. Për shkak të kësaj në Motorola kërkojnë dëmshpërblimin përkatës të dëmit dhe ndalesën e vazhdimit të shitjes së pajisjeve të kontestuar.
Në mesin e patentave amerikan të cilët Apple shkel sipas pohimeve ndodhen:
• 5,710,987 – receiver having concealed external antena
• 5,754,119 – multiple pager status synchronisation system and method
• 5,959,006 – method and apparatus for communicating summarized data
• 6,101,531 – system for communicating user-select criteria filtër prepared at wireless client to communication server for filtering data transfered from host to said wireless client
• 6,008,737 – apparatus for controlling utilization of software added to a portable communication device
• 6,377,161 – method and apparatus in a wireless messaging system for facilitating an Exchange of address information
Përfaqësuesit e Apple refuzuan të komentojnë këtë padi të re.
Kanë kaluar më shumë se një vit kur Ligji për rezervat shtetërore të Kosovës është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, por ai nuk po zbatohet në praktikë nga Qeveria e Kosovës. Moszbatimi i këtij ligji mund të rrezikojë në masë të madhe qytetarët e Kosovës në rast të ndonjë embargoje ekonomike, apo edhe në raste katastrofave natyrore, pasi që Republika e Kosovës nuk ka në rezervat e saj asnjë kilogram miell.
Arta Istrefi nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thotë se Ligji për rezerva shtetërore ka hyrë në fuqi në shtator të vitit 2010, ndërsa, sipas saj, më 8 qershor 2011 është themeluar departamenti për rezerva shtetërore. “Ne këtë kuadër është hartuar lista me artikujt e nevojshëm për rezerva, janë hartuar aktet e nevojshme nënligjore si dhe është bërë planifikimi i buxhetit për krijimin e rezervave”, tha ajo.
Sipas Arta Istrefi, rezervat shtetërore pritet të krijohen gjatë këtij viti, por ajo thotë se koha e saktë do të varet nga ndarja e buxhetit. “Ne shpresojmë që kjo do të ndodhë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, tha ajo.
Istrefi thotë se kostoja vjetore është planifikuar të jetë fillimisht dy milionë euro, e pastaj në bazë të analizave dhe planifikimeve kjo kosto mund të rishikohet.
Edhe Myzejene Selmani nga Aleanca Kosova e Re thotë se Ligji për rezervat shtetërore të Kosovës duhet të zbatohet sa më shpejt që është e mundur.
Përndryshe sipas ligjit rezervat shtetërore të mallrave krijohen nga: Buxheti i Republikës së Kosovës, mallrat që vijnë si ndihmë humanitare, donacionet në mallra dhe ndihma financiare, si dhe mallrat e konfiskuara që kalojnë në pronësi të shtetit nga veprat kundërvajtjese, administrative dhe kryerja e veprave penale e që janë të destinuara për rezervat shtetërore të mallrave.
Përkundër reduktimeve të mëdha dhe ankesave për mungesë rryme, KEK-u, në periudha të ndryshme të vitit, po eksporton rrymë me të madhe. Vetëm tremujorin e tretë të vitit të kaluar, Kosova ka eksportuar 199,8 GWh energji elektrike, me një rritje prej 45.5 për qind. KEK-u thotë se gjatë muajve të nxehtë bie kërkesa, prandaj edhe ka tepricë të energjisë.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka rrymë me bollëk. Me statistika po del se përveç konsumit të brendshëm, Korporata në periudha të ndryshme të vitit, edhe po eksporton rrymë me të madhe. Në anën tjetër, nuk kanë të ndalur reduktimet dhe thirrjet e KEK-ut për ruajtjen e energjisë nga qytetarët.
Së paku, kështu flasin të dhënat nga Enti i Statistikave të Kosovës (ESK). Në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, Korporata e vetme Energjetike në vend, sipas ESK-së, përveçqë e ka ulur hatashëm importin, edhe ka eksportuar rrymë me të madhe.
“Në tremujorin e tretë të vitit 2011, në Kosovë janë importuar 79,7 GWh energji elektrike. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2011, kemi ulje të sasisë së importuar për 42,2% të. Në raport me tremujorin e tretë të vitit 2010, sasia e importuar e energjisë elektrike ka shënuar ulje për 57,3%”, thuhet në raportin e ESK-së.
Në anën tjetër, për shkak të tepricës së energjisë, eksporti është rritur hatashëm. Këtë periudhë, Kosova ka eksportuar 199,8 GWh energji elektrike. Në raport me tremujorin e dytë të vitit 2011, rritja e sasisë së eksportuar të energjisë elektrike është për 45,5 për qind.
“Po ashtu, rritje të sasisë së eksportuar për 111,7 për qind kemi edhe në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar”, konstaton ESK-ja.
Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala thotë se prodhimi i energjisë elektrike për tremujorin e tretë 2011, është rreth 1228 GWh, ndërsa kërkesa për energji elektrike gjatë këtij tremujori është rreth 1109 GWh.
Përveç problemeve në komunikacion të cilat i ka shkaktuar bora, vështirësi po sjell edhe në komunikimet telefonike. Operatori publik Vala nga mëngjesi i së enjtes si dhe operatori virtual i saj, Z Mobile, kanë patur probleme me realizimit e thirrjeve.
Zëdhënësi i Postë Telekomit të Kosovës (PTK), Menduh Abazi, tha për Telegrafin, se problemet janë duke ndodhur në disa numra për shkak të kushteve atmosferike.
“Problemet janë për shkak të borës, por inxhinieret e PTK-së dhe të Alcatelit janë duke bërë përpjekje që sa më shpejt të rregullohen këto probleme”, tha Abazi.
Kurse në operatorin tjetër mobil IPKO thonë se atyre kushtet atmosferike nuk iu kanë sjellë problem dhe se linjat telefonike janë duke funksionuar normalisht.
Iniciativat joqeveritare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kundërshtojnë prodhimin e energjisë nga linjiti, janë duke i bërë presion Departamenti të Shtetit që të mos i japë përkrahje projektit “Kosova e Re”. Në funksion të kësaj fushate, një shoqatë ambientaliste amerikane ka iniciuar një peticion qytetar. Peticioni është hapur në formë elektronike dhe mund të gjendet në faqen zyrtare të “Sierra Club”. Ishin pikërisht “Sierra Club” dhe KIPRED-i që në fund të vitit të kaluar e kishin hartuar një studim për projektin “Kosova e Re”.
Përveç peticionit, aty ofrohet edhe një përshkrim se cilat janë arsyet që Departamenti i shtetit të mos vihet në përkrahje të këtij projekti energjetik.
Në peticion thuhet se nëse përkrahet ndërtimi i “Kosovës së Re”, atëherë do të trefishohet kostoja e energjisë në Kosovë, ndërsa shteti do të futet në borxhe në një kohë të rrezikshme të ekonomisë globale, shkruan Koha Ditore.
Tutje në shpjegim thuhet se Departamenti i Shtetit Amerikan duhet të jetë lider i energjisë së pastër në botë dhe jo të përkrahë projekte që janë ndotës.
Edhe organizata “350”, një ndër më të fuqishmet në botë që angazhohet për mbrojtje të mjedisit, ka nisur peticionin drejtuar Bankës Botërore, Ambasadës amerikane në Prishtinë dhe Parlamentit të Kosovës, nga të cilat kërkohet të mos mbështesin TC “Kosova e Re”.
Qeveria e Kosovës nuk ka komentuar nismat që po bëhen në shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Agjenti i Thiago Mottas, ka pohuar se mesfushori i Interit është shumë pranë që t’i bashkohet klubit francez, Paris Saint-Germain.
Dario Canovi, agjenti i futbollistit ka zbuluar se klienti i tij ka arritur marrëveshje me liderët e Ligue 1 dhe ka pranuar se ndeshja e fundit për ‘Thiagonen’ mund të jetë ndaj Napolit sonte mbrëma. PSG besohet se ka ofruar 10 milionë euro plus bonuse.
“Sonte mund të jetë ndeshja e tij e fundit në fanellën e Interit. Ai ka pranuar që të transferohet te PSG”, theksoi Canovi.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, ka thënë se Djajtë e Kuq janë duke kaluar nëpër periudhë të vështirë, pasi tash e tutje të gjitha ndeshjet për Djajtë janë të mëdha.
“Të gjitha ndeshjet janë të vështira tani e tutje, këto janë ndeshje ku unë duhet të jap maksimumin. Ne e kuptojmë këtë dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ne duhet të bëjmë mirë në këto ndeshje”.
“Derisa këta lojtarë të jenë të fokusuar dhe të marrin ndeshjet një nga një, të përgatiten, atëherë pa dyshim se rezultatet nuk do të mungojnë”, potencoi Rooney.
Barcelona është kualifikuar në gjysmëfinale të Copa del Rey, pasi ka eliminuar Real Madridin me një barazim 2-2 në Camp Nou, që e çon rezultatin e përgjithshëm pas dy ndeshjeve në 4-3.
Pjesa e parë si zakonisht nëpër El Clasico, ishte e jashtëzakonshme. Pas një koreografie të jashtëzakonshme dhe vërshëllimave ndaj Pepes, vijnë dhe rastet e para.
Real Madridi pas vetëm nëntë sekondave lojë rrezikon portën me anë të Higuain pas një gabimit të Gerard Pique. Ka mundur shumë lehtë që Reali këtu të kalojë në epërsi.
Sidoqoftë, fati edhe në vazhdim të pjesës së parë do t’u mungojë Los Blancos. Pas një gjuajtje të lirë të ekzekutuar nga Xabi Alonso, ishte Higuain që nga tre metra nuk arriti të realizojë në portën e Barcelonës, kjo për shkak të intervenimit të Pintos.
Kaka e filloi takimin dhe tregoi formë të lartë nga fillimi i takimit. Kjo u vërtetua pas një kundërsulmi, kur gjeti të vetmuar Cristiano Ronaldon, e goditja e të cilit kaloi vetëm pranë portës.
Real Madridi vazhdoi me presionin dhe nuk arriti ta gjejë golin përkundër dominimit. Ishte Mesut Ozil ai që shokoi 120 mijë të pranishmit në Camp Nou, kur qëlloi traversën nga 27 metra distancë. Topi nuk e kaloi vijën fatale dhe rezultati mbeti i pa ndryshuar.
Duke parë këtë dominim të Realit, Guardiola largon nga loja Andres Iniestën të lënduar dhe fut në lojë Pedron.
Pas një kundërsulmi të mirë të udhëhqur nga Lionel Messi, nga afërsia shënoi në minutën e 43-të Pedro për 1-0.
Ishte kjo goditje e rëndë për Real Madridin, që humbi toruan dhe filloi të nervozohej. Fat të madh madrilenët kanë pasur kur gjyqtari Teixeira nuk e ndëshkoi me karton të kuq Lassana Diarran, i cili ndërhyri ashpër në Lionel Messin ku dhe meritoi kartonin e verdhë. Nga kacafytjet i ndëshkuar doli portieri Iker Casillas.
Pikërisht nga kjo goditje e dënimit, ishte Daniel Alves që nga një top i kthyer realizoi një super eurogol me volej, duke dridhur portën e Iker Casillasit, tronditur lojtarët e Real Madridit e duke elektrizuar deri në maksimum tifozët katalanas në Camp Nou (45 +2’)
Me rezultatin 2:0 për Barcelonën përfundoi pjesa e parë në Camp Nou, përkundër një dominimi total të Real Madridit.
Pjesa e dytë ishte vërtet e jashtëzakonshme me emocione të cilat nuk i kemi përjetuar më parë. Me një fillim tejet të qetë, duke pritur një fitore rutinore të Barcelonës, u duk se gjithçka mbaroi.
Sidoqoftë, kështu nuk menduan madrilenët. Fillimisht gjyqtari anuloi një gol me kokë të Sergio Ramos pas një goditje nga këndi, duke ngritur dyshime mbi kredencialet e gjyqtarit, i cili gaboi në hiç në pak se katër penalti të pa akorduara dhe disa gabime tjera flagrante për të dyja palët.
Gjithçka ndryshon 20 minuta pa përfunduar takimi. Cristiano Ronaldo shfrytëzoi pasimin e shkëlqyeshëm të Mesut Ozil, për të kaluar dhe portierin Pinto dhe për të realizuar për 2-1. Ringjallet kështu motivi tek lojtarët e Realit. (68’).
Vetëm tri minuta më vonë, Karim Benzema me klas të vërtetë kaloi në stilin sombrero kapitenin e Barcelonës, Carles Puyol, për të realizuar për 2-2 dhe dramën në fund të takimit.
Deri në fund Real Madridi tentoi të barazonte rezultatin, por pos kartonit të kuq nga Sergio Ramos, nuk pati ndryshime në rezultat.
Barcelona pret në gjysmëfinale kundërshtarin nga takimi tjetër çerekfinale Valencia – Levante, kurse Real Madridi kthehet kryelart në shtëpi pas kësaj paraqitjeje të denjë dhe spektakolare në Camp Nou. /Telegrafi/
Mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez, është shprehur i kënaqur pas eliminimit të Real Madridit nga Kupa e Mbretit, mirëpo ka pranuar se katalunasit vuajtën përballë Los Blancos.
“Ne vuajtëm më shumë saqë menduam, kundrejt një skuadre të jashtëzakonshme, edhe pse dominuam deri në minutën e 15-të të pjesës së dytë”.
“Në Bernabeu, ne ishim superiorë, sot (e mërkurë), jo edhe aq, por ne i fituam përballjet. Është koha të kënaqemi dhe ta festojmë”, ka thënë Xavi pas ndeshjes.
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, ka shprehur pakënaqësinë e tij për vendimin e arbitrit për të mos i dhënë penalti në takimin e Kupës së Italisë ndaj Napolit.
Nerazzurët u eliminuan me rezultat 2-0, ndërsa argjentinasi konsideron se ndërhyrja e Christian Maggios në minutën e 58-të ishte penalti. Mirëpo, kështu nuk mendoi arbitri Domenico Celi.
“E kuptova menjëherë se ishte penalti, sepse unë isha përpara kundërshtarit tim dhe sepse unë nuk rrëzohem pa kurrfarë arsye. Unë nuk simuloj”, citon faqja e Interit fjalët e Militos.