Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, të enjten ka zhvilluar një takim me kryeprokurorin e EULEX-it, ambasadorin John Clint Williamson, i mandatuar për hetimin e akuzave të ngritura në raportin e senatorit zviceran Dick Marty.
BalkanWeb njofton se Haxhinasto ka siguruar Williamsonin për mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të autoriteteve shqiptare, me qëllim sigurimin e një hetimi të plotë dhe gjithëpërfshirës.
Ai theksoi se EULEX-i ka pasur dhe do të vijojë të ketë mbështetjen maksimale të autoriteteve shqiptare si i vetmi organ zyrtar që ka juridiksionin, aftësinë dhe kapacitetet e duhura për të hetuar lidhur me çështjet e ngritura në raport.
Nga ana e tij, kryeprokurori Williamson vlerësoi mbështetjen dhe gatishmërinë e ofruar nga autoritetet më të larta të Shqipërisë, në bashkëpunim me këtë organ hetimor të EULEX-it.