Haraqija: E mbijetova Hagën, këto janë akuza politike

Dy ish-ministrat e Kulturës, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri do të përballen me aktakuzën për shpërdorimin e detyrës zyrtare. Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka njoftuar se ata akuzohen për lidhje të paligjshme të kontratave me kompanitë filmike “Concordia Pictures” dhe “Morina Films”, duke e dëmtuar buxhetin e vendit për rreth 390 mijë euro.
 Por, dy ish-ministrat kanë deklaruar se janë krejtësisht të pafajshëm për çfarë akuzohen.
Astrit Haraqija ka deklaruar për “Tribuna Shqiptare”, se këto janë ‘lojëra politike’. “Këto i bëjnë ata që humbin, edhe u vjen inati që Astrit Haraqija po mbijeton. I kam mbijetuar 100 aktakuza deri tash, e kam mbijetuar edhe Hagën. Ata që e kanë bërë këtë lojë, unë i njoh”.
Haraqija ka thënë se do t’i publikojë emrat e tyre, pasi ta marrë vendimin gjykatës, i cili beson se do të jetë në favor të tij.
Ndërsa, Valton Beqiri ka deklaruar se gjithmonë është munduar për t’i respektuar ligjet. “Dhe në këtë frymë do të përpiqem që në procedurë të rregullt ligjore ta dëshmoj pafajësinë time. Dihet përgjegjësia nëse nuk realizohet ndonjë projekt, detyrat janë të ndara”.
Beqiri ka deklaruar se është i interesuar që sa më shpejt të përfundojë procesi gjyqësor dhe të hiqen dyshimet.

‘Hoça’ dhe ‘Prizreni’ dërgohen në Kushtetuese

Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Nait Hasani, pas miratimit të Ligjeve për Hoçën e Madhe dhe Qendrën Historike të Prizrenit, ka thënë për “Tribuna Shqiptare”, se edhe pse Komisioni ka punuar intensivisht për largimin e pjesëve diskriminuese nga këto dy ligje, sipas tij, një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare ka kërkuar që mos të miratohen amendamentet e Komisionit.
 “Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që pjesë e Këshillit për Hoçën e Madhe dhe Qendrën Historike të Prizrenit të jenë edhe bashkësitë fetare myslimane, Kisha Katolike dhe nga Kisha Ortodokse, të cilët do të kenë edhe të drejtë vetoje. Më këtë është shkelur neni 8 i Kushtetutës së Kosovës, ku Kosova është shtet laik dhe neni 9 i Kushtetutës ku Kosova është mbi të drejtat e bashkësive fetare dhe kulturore”, ka thënë Hasani.
Ai ka thënë se brenda tetë ditësh do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim, nëse me miratimin e këtyre ligjeve është shkelur Kushtetuta e Kosovës.
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu i cila ka qenë anëtar i Komisionit që ka bërë amandamentimin e këtyre ligjeve, nuk e ka përjashtuar mundësinë që për mënyrën se si u votuan këto dy ligje, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Mirëpo, para se të vendosim për dërgimin në Kushtetuese, do ta analizojnë mirë këtë çështje për të parë nëse ka bazë për ta dërguar në Gjykatë, pasi siç ka thënë ai edhe Gjykata Kushtetuese po i nënshtrohet presioneve dhe po vendos politikisht”, ka thënë Aliu.

SHBA, BE, ftojnë shqiptarët e Luginës në zgjedhje

Ambasadorja amerikane në Serbi, Mary Warlick, shefi i Misionit të OSBE-së, Kipreos Dimitrios dhe udhëheqësi i Delegacionit të BE në Serbi, Vincent Degert, i kanë ftuar shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës që të votojnë në zgjedhjet parlamentare më 6 maj.
 Në panelin ‘Pjesëmarrja forcon të drejtat të qytetarëve’, të organizuar nga ‘Press Jug’, në Bujanoc, ambasadorja Warlick tha se pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve në zgjedhje parlamentare kontribuon që në Kuvendin e Serbisë të dëgjohet zëri i rajonit.
Ajo po ashtu tha se për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian është e rëndësishme që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë sa më shpejt të jetë e mundur, raporton REL.
Në anën tjetër, udhëheqësi i Delegacionit të BE në Serbi, Degert, tha se Serbia është pranë fillimit të negociatave të BE-së, por askush sipas tij nuk mund ta shtyjë përpara këtë maratonë, pos vetë qytetarëve të saj.
“Gjatë rrugës, BE pret rifillimin e dialogut Serbi-Kosovw, por edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, pret përmirësimin e dhe forcimin e të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“Nëse dështojmë, do t’ia uroj titullin Realit”

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka bërë një aludim të madh se do të qëndrojë në Camp Nou, pasi bosi Blaugran ka zbuluar se në rast të ndonjë triumfi apo barazimi të Real Madridit në El Clasico, ai do t’ua urojë rivalëve titullin dhe do të përgatitet për vitin e ardhshëm.
41 vjeçari është pa kontratë me të përfunduar sezoni dhe e ardhmja e tij ka qenë e pa sigurtë që një kohë të gjatë. Sidoqoftë, ai ka shfrytëzuar konferencën për shtyp para supersfidës planetare për të zbuluar planet e tij.
“Nëse Reali fiton apo nxjerr barazim, atëherë titulli është i tyre. Fitorja është opsioni i vetëm për ne dhe nëse jo, ata bëhen kampionë. Unë do t’i përgëzoja dhe do të përgatitesha për vitin e ardhshëm”, ka theksuar Guardiola.
Barca hyn në El Clasico me katër pikë më pak se sa lideri Real Madrid dhe duke marrë parasysh se do të mbesin vetëm katër ndeshje pas të shtunës në La Liga, shumë analistë besojnë se Jose Mourinho do të luajë për barazim në Camp Nou. Sidoqoftë, i këtij mendimi nuk është Guardiola.
“Reali do të vijë këtu për ta fituar ndeshjen, për të na bërë presion. Kur ne dominojmë, atëherë ata shfrytëzojnë ato pak hapësira dhe ky është virtyti i tyre kryesor. Reali do të jetë rival më pak defensiv krahasim me Chelsean. Reali gjithmonë shkakton më shumë probleme për ne se secili ekip tjetër. Ata gjithmonë luajnë mirë, si në humbje si në fitore”, ka deklaruar Pep.
Barcelona pret Real Madridin të shtunën në ora 20:00 në tempullin katalanas, Camp Nou, në atë që konsiderohet ndeshja më e madhe sezonale në futbollin botëror. 

“El Clasico, ndeshja më e vështirë për t’u referuar”

Ish-gjyqtari, Raul Garcia de Loza ka thënë se referimi i ndeshjes El Clasico mes Barcelonës dhe Real Madridi është sfida më e vështirë që mund të ketë në jetën e tij ndonjë gjyqtar.
“Është gjë e veçantë kur të besohet drejtimi i El Clasicos. Të gjithë që thonë ndryshe gënjejnë. Ju nuk mund të flisni për El Clasicon si çdo ndeshje tjetër. Është shumë e vështirë që të jesh gjyqtar në këto ndeshje. Vërtet ska ndeshje më të lehtë”.
“Ndeshjet mes Real Madridit dhe Barcelonës gjithmonë kanë qenë më të rëndësishme se ndeshjet tjera. Të drejtosh një El Clasico është më e vështirë se sa për shembull një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Duhet të jeni top gjyqtar për ta referuar El Clasicon, duhet të keni personalitet. Është vitale të mos përfshihesh në atë që thonë të tjerët. Nuk është me rëndësi çfarë thotë Mourinho apo Guardiola”, ka thënë De Loza për Goal. 

Galliani nuk flet për Balotellin

Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka heshtur për spekulimet që e lidhinin klubin Rossoner me shërbimet e sulmuesit të Manchester Cityt, Mario Balotelli.
“Jo, unë nuk kam biseduar me Balotellin dhe edhe nëse do të kisha biseduar, unë nuk do t’iu tregoja”.
“Carlos Tevez? Nuk e di kush është ai”, ka theksuar Galliani.
Mario Balotelli së fundmi është lidhur me një kalim te Interi apo Milani pas përfundimit të sezonit, dy skuadra këto të cilat janë mjaft të nxehta sa i përket futbollistit më problematik në futbollin modern. 

Totti: Dua të luaj deri në moshën 40 vjeçare

Ikona e Romës, Francesco Totti, ka zbuluar se ai dëshiron që të luajë për Romën deri në moshën 40 vjeçare.
Kapiteni 35 vjeçar e ka kaluar gjithë karrierën e tij në kryeqytet dhe përkundër faktit se nuk ka arritur të shfaqë formën më të mirë këtë sezon, dëshiron që të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë përfaqësimin e ngjyrave të klubit Gialloros.
“Kam edhe dy vite në kontratën time dhe nëse jam fizikisht i gatshëm, atëherë do të luaj deri në moshën 40 vjeçare. Derisa të jem i gatshëm fizikisht dhe i dobishëm për ekipin, unë do të mbaj këtë fanellë. Unë besoj në aftësitë e mia. Gjëja më me rëndësi është që të qëndroj i shëndoshë dhe të jem profesional”, ka theksuar Totti.

Redknapp: S’ka kontakte me Barcën për Bale

Bosi i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka këmbëngulur se klubi anglez nuk ka kontaktuar me Barcelonën për anësorin e majtë, Gareth Bale.
“Jo, unë nuk kam dëgjuar asgjë nga askush për Balen. Askush nuk na ka kontaktuar”.
“Ai është i lumtur këtu me ne për momentin. Ai është lojtar fantastik. Ai do të jetë i lidhur me secilin klub sepse është lojtar shumë i madh”, është shprehur Redknapp.

Ferguson: Rooney do të thyejë çdo rekord

Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, mendon se Wayne Rooney është në rrugë të mirë për të thyer të gjitha rekordet golashënuese të klubit nga Old Trafford.
“Ai ka kohë për të thyer çdo rekord. Sa i ka Bobby? 249? Rooney ka çdo mundësi për të thyer këtë rekord. Ai është në rrugë të mirë që ta bëjë këtë dhe jam i sigurtë se ai do ta bëjë këtë”.
“Është fantastike që ai është në vendin e katërt të shënuesve më të mirë. Kjo është e arritur e madhe për Rooneyn. Rooney është lojtari i vetëm që ka shënuar rregullisht për ne këtë sezon”, ka thënë Ferguson.

Adele kryeson nominimet për Billboard Awards

Asgjë e pa zakontë! Adele është duke kryesuar nominimet për Billboard Music Awards dhe atë në hiç më pak se 18 kategori.
Krijuesja e hitit “Someone Like You” kryeson nominimet duke përfshirë top kategoritë për Top Artistin e Vitit, Top Artisten Femër dhe Top Artisten e Billboard 200, përderisa kënga “Rolling in The Deep” është konkurrues në shtatë kategori.
Konkurrencë Adeles i bën grupi karizmatik LMFAO, përderisa Rihanna e cila ishte e nominuar në 18 kategori vitin e kaluar, sivjet është e nominuar vetëm 13 herë.
Pasojnë Lady Gaga dhe Lil Wayne me nga 10 nominime secili, përderisa ata po ashtu do të luftojnë përkrah Adeles, Rihannës dhe Katy Perryt për çmimin kryesor, Top Artistin e Vitit.
Billboard Music Awards do të mbahet në MGM Grand Garden Arena në Las Vegas më 20 maj.

Justin Bieber blen super motoçikletë

Justin Bieber ka shpenzuar 20 mijë dollarë për të blerë një motoçikletë të rallë dhe e pranoi gjatë të enjtës porosinë e tij, një motor të bardhë Ducati 848 EVO.
Këngëtari 18 vjeçar, i cili nuk ka leje për motoçikleta, ka zgjedhur Ducati 848 Evo nga një shitës në Los Angeles pas rekomnadimit të Usher, i cili ka model të njëjtë, por ngjyrë të zezë.
Justin Bieber ka një varg veturash luksoze, por ky është motori i parë për të. Ai ka një Fisker Karma prej 100 mijë dollarësh, një Ranger Rover 160 mijë dollarësh, Cadillac dhe Ferrari.

Shkollohen pilotët, helikopterët askund

Policia e Kosovës as këtë vit nuk ka para të blejë helikopterë, qoftë edhe të përdorur. Por, pilotët janë duke u shkolluar. Nga 78.7 milionë euro buxhet vjetor, me 5.2 milionë euro do të blihen pajisje të tjera si autoblinda, armë, topa uji e pajisje për njësinë speciale.
 Mirëpo, forcat e rendit as këtë vit nuk do të blejnë helikopterët, për të cilët është folur shumë vitin e kaluar. Kjo sidomos pas aksionit të 25 korrikut në veri vitin që shkoi.
Pas aksionit të njësive speciale të Kosovës për të marrë pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë, analistët, por edhe zyrtarët qeveritarë, e kanë parë të domosdoshme blerjen e helikopterëve. Por, as këtë vit policia nuk do ta shohë helikopterin.
Mosblerja e helikopterëve arsyetohet në mungesë buxheti. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka konfirmuar për Express se sivjet nuk ka mundësi për blerjen e asnjë helikopteri për shkak se nuk kanë para. 

RTK: Kur transmetohen Lajmet, ndërpritet Seanca

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) dëshiron të sqarojë audiencën përkitazi me kritikat e adresuara në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës nga ana e përfaqësuesve të disa subjekteve politike opozitare për shkëputjen e djeshme nga transmetimi i drejtpërdrejtë të punimeve të Kuvendit.
 “Sipas praktikave të deritashme, RTK duke respektuar skemën e vet programore gjatë transmetimit të seancave parlamentare, bënë shkëputje në kohën e transmetimit të edicioneve të rregullta të lajmeve. Po sipas këtyre praktikave, asnjëherë nuk ndërpritet transmetimi gjatë kohës së diskutimit të cilitdo qoftë deputet, apo përfaqësues të Qeverisë. Në momentin kur përfundon diskutimi i folësit të fundit që përkon me kohën e lajmeve, ndërpritet transmetimi, për ta vazhduar pas edicionit të lajmeve”.
“Kjo praktikë aplikohet në të gjitha rastet pa përjashtim, pos na rastet kur bëhet fjalë për seancat solemne, apo të jashtëzakonshme të Kuvendit”, thuhet në një sqarim të RTK-së.
Ndryshe, RTK në edicionet e lajmeve pasqyron diskutimet thelbësore të atyre pjesëmarrësve në debat të cilët nuk paraqiten në transmetim të drejtpërdrejtë.
RTK është transmetues publik dhe mbetet e hapur për të gjitha subjektet politike qofshin ato në pushtet, apo në opozitë. Gjithashtu RTK i mirëpret kritikat konstruktive që e avancojnë përmbushjen e misionit të transmetuesit publik.
Njëherësh, RTK do të vazhdojë të insistojë që kritikat, vërejtjet apo sugjerimet të mos shndërrohen në instrumente të presionit politik që dëmtojnë pavarësinë editoriale të transmetuesit publik.
Ndwrkohw Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), i ka përcjellë me vëmendje akuzat që janë bërë ndaj Televizionit Publik. UGK kërkon nga të gjitha partitë politike pa dallim, që ankesat e tyre për punën profesionale të transmetuesve të ndryshëm televiziv, përfshirë edhe RTK-në, t’i dërgojnë tek organi kushtetues për media - Komisioni i Pavarur për Media (KPM), si një organ i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës për të vlerësuar punën e medieve elektronike në vend. 

Feith mirëpret miratimin e ligjit për Hoçën dhe Prizrenin

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Pieter Feith mirëpriti sot miratimin e ligjeve për Qendrën Historike të Prizrenit dhe fshatin Hoçë e Madhe nga Kuvendi i Kosovës.
 “Miratimi i këtyre dy ligjeve e forcon kornizën ligjore të Kosovës për mbrojtjen dhe ruajtjen e monumenteve dhe vendeve të trashëgimisë kulturore. Po ashtu, miratimi i këtyre dy ligjeve e afron Kosovën një hap më afër plotësimit të angazhimeve sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin si dhe siguron respektimin e të drejtave dhe interesave të të gjitha palëve të interesuara”, tha përmes një deklarate për media, shefi i ICO-s, Piter Feith.
“Prizreni dhe Hoça e Madhe janë jetike për trashëgiminë kulturore dhe historike të Kosovës. Ruajtja e kësaj trashëgimie është e rëndësisë kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka thënë Feith për të shtuar se “këto ligje mundësojnë zhvillimin harmonik dhe të qëndrueshëm të qendrës historike të Prizrenit dhe fshatit Hoçë e Madhe, derisa sigurojnë ruajtjen e karakterit dhe bukurisë së këtyre dy vendeve unike”.

Hoxhaj: Është esenciale njohja nga ‘pesëshja’ e BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka vlerësuar shumë të rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet e BE-së dhe të rajonit të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, punimet e Konferencës Ndërkombëtare “Kosova Thërret”, e cila është zhvilluar të premten në Prishtinë.
 Në një fjalim të mbajtur para përfaqësuesve të këtyre shteteve, (Qipros, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë, Spanjës, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinsë), të pranishëm në këtë konferencë, ministri Hoxhaj ka theksuar domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e plotë që këto shtete të lëvizin drejt një vendimi të tillë afirmativ për Kosovën, por edhe mbarë rajonin.
Ministri Hoxhaj ka përgëzuar organizatorët dhe mbështetësit e kësaj konference, në veçanti për përpilimin dhe botimin e analizave shumë të rëndësishme për relacionin ndërmjet Kosovës dhe këtyre shteteve.
“Mbi të gjitha, ky publikim ndriçon arsyet e vërteta pse këto shtete ende nuk iu kanë bashkuar 23 shteteve të BE-së dhe 89 shteteve të botës për të njohur realitetin e ri gjeopolitik në Ballkan. Këto të dhëna paraqesin një mundësi të mirë për institucionet e Kosovës për të krijuar një pasqyrë më të plotë për hezitimin katërvjeçar. Në të janë përfshirë edhe Serbia dhe Bosnja, që pa dyshim se paraqesin një sfidë për Kosovën në kontekstin rajonal”, ka thënë ministri Hoxhaj, duke shtuar se ky publikim do të shërbej si një udhërrëfyes për aktivitetet e institucioneve në përpjekje për të bindur këto shtete që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Lidhur me hezitimin e pesëshes evropiane për t’ju bashkuar 23 shteteve të BE-së për të njohur Kosovën, Hoxhaj ka thënë se nuk kemi të bëjmë me një bllok kundër pavarësisë së Kosovës, ngase çdo shtet ka arsyet e veta për mosnjohje. Por ai ka thënë se qartësia e perspektivës evropiane të Kosovës varet shumë nga vendimet që këto pesë shtete do të marrin në muajt ardhshëm. “Prandaj, njohja e Kosovës nga Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro janë esenciale për integrimin jo vetëm të Kosovës, por edhe shteteve të mbetura të Ballkanit në Bashkimin Evropian”.

Po i vije fundi mbikëqyrjes!

Ambasada e Shteteve të Bashkuara është e kënaqur që Kuvendi i Kosovës sot ndërmori veprim për ta lëvizur shtetin më afër qëllimit të përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur.
 “Miratimi i katër ligjeve të mbetura të kërkuara nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin (PGjS) dhe të pranuara si obligime nga ana e Kuvendit në kohën e pavarësisë, paraqet një kthesë të rëndësishme. Aq më tepër, ligjet për Prizrenin, Hoçën e Madhe, Procedurat e Admimistratës Tatimore, dhe për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike janë vetvetiu të mirë për Kosovën dhe kjo ishte gjëja e duhur për të bërë”, thuhet në një komunikatë të Ambasadës Amerikane në Republikën e Kosovës.
“Ne e urojmë Kuvendin Kombëtar dhe udhëheqjen e tij për angazhimin dhe diskutimin konstruktiv gjatë seancës së sotme. Ne i drejtojmë lëvdata Qeverisë së Kosovës për përkushtimin e saj në propozimin e legjislacionit që i sjellë dobi popullit të Kosovës dhe që i përmbushë zotimet ndërkombëtare të shtetit, dhe për pasjen e kurajos që t’i realizojë të gjitha këto masa. Ne i shprehim mirënjohje të gjithë atyre që punuan sot për të vënë interesin e Kosovës të parin”.
“Ne poashtu i shprehim mirënjohje Kuvendit për miratimin e Kodit të ri Penal të Kosovës. Kodi vendosë për Kosovën një drejtësi dhe kornizë për zbatimin e ligjit të shekullit të 21-të dhe kështu hapë rrugën për një sundim më të madh të ligjit dhe avancimin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës. Shtetet e Bashkuara zotohen të vazhdojnë mbështetjen gjersa Kosova forcon institucionet kombëtare dhe punon drejt stabilitetit dhe prosperitetit të ardhshëm për të gjithë njerëzit e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten ligjin për Hoçën e Madhe dhe Qendrën e Prizrenit pas shumë kundërshtimeve dhe pakënaqësive të opozitës, por edhe të disa deputetëve të pozitës.

VV: Komuna e Vushtrrisë rrëshqet drejt kolapsit

“Zyrtarët komunal janë të zhytur thellë në korrupsion dhe krim të organizuar. Është zgjeruar lista me zyrtarë të lartë komunalë që janë duke u hetuar për korrupsion, krim të organizuar, keqpërdorime të pozitave zyrtare, ushtrim të ndikimit e keqmenaxhim të buxhetit komunal”, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje.

 “Shumë këshilltarë të Asamblesë Komunalë kanë nga dy e më tepër funksione që përbëjnë konflikt interesi. Vet Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Vushtrri, është edhe udhëheqës në Departamentin e Ministrisë së Arsimit. Po ashtu, një anëtar tjetër i Asamblesë Komunale është anëtar i bordit të Ujësjellësit Regjional”.
“Shkatërrimi i pronës publike në Vushtrri vërehet edhe me sy. Lejohet prerja dhe shkatërrimi i pyjeve, përderisa në anën tjetër lagjet e qytetit dhe fshatrat ngulfaten nga mbeturinat”.
“Në Komunën e Vushtrrisë pothuajse asgjë nuk shkon në drejtim të përmirësimit të mirëqenies së qytetarit. Edhe asfaltimi i rrugëve është bërë në mënyrë selektive. Rrugët e qytetit dhe fshatrave aty ku ka personel zyrtar të Komunës janë të shtruara, ndërsa në rrugët e tjera kanë mbetur nën baltë”.
VV jep detaje edhe për orientimin e mjeteve buxhetore në Komunën e Vushtrrisë:
- Për paga dhe mëditje janë shpenzuar 6,896,394.57 euro,
- Për larjen e automjeteve zyrtare ka shpenzuar 4192 euro,
- Për mobile dhe pajisje 48,255.89 euro,
- Për marketing ka shpenzuar 13,521.13 euro,
- Për shpenzime të përfaqësimit 38,497.33 euro,
- Për telefona 23,553.75 euro,
- Për derivate dhe lëndë djegëse 242,051.61 euro,
- Për shpenzimet e udhëtimeve 12,914.64 euro.
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, raporti i Komunës është kamufluar, me ç’rast nuk janë paraqitur shumë shpenzime tjera luksi siç janë drekat dhe darkat e zyrtarëve komunalë. 

EULEX-i e shton praninë në veri

EULEX-i e ka shtuar praninë e tij në veri të Kosovës, për shkak të rritjes së tensioneve gjatë javëve të fundit.
Policia e EULEX-it i ka shtuar patrullat lëvizëse në fshatrat përreth Mitrovicës si dhe në pjesën veriore të Mitrovicës, veçanërisht në zonën e tre rrokaqiejve.
EULEX-i vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me KFOR-IN dhe Policinë e Kosovës, thuhet në një komunikatë për shtyp.
Kohëve të fundit edhe KFOR-i i ka shtuar patrullat e tij dhe nëse rrethanat e kërkojnë një gjë të tillë ato mund të thirren për t’i ndihmuar EULEX-it.
“Është me rëndësi që të gjitha komunitetet ta ruajnë qetësinë gjatë kësaj kohe dhe ta respektojnë rendin dhe ligjin”.
Qëllimi i kësaj pranie të shtuar është që komuniteteve t’u ofrohet ndjenja e sigurisë si dhe të shtohet siguria publike.

Juventusi kërkon Van Persien

Juventusi është duke e shqyrtuar mundësinë e transferimit të Robin Van Persiet në fund të sezonit, pasi Bianconerët tashmë kanë kontaktuar agjentin e holandezit për të biseduar mbi një marrëveshje potenciale.
Zonja e Vjetër dëshiron të forcojë sulmin para sezonit të ri dhe me Van Persien si golashënues më të mirë në Ligën Premier sigurisht se ata kanë njeriun e duhur për të bërë biznes.

Van Persie ka kontratë me Arsenalin deri në verën e vitit 2013 dhe deri tani ka hezituar të rinovojë me klubin nga Emirates për shkak të mungesës së trofeve.

Xavi: Me rëndësi qëndrimi i Guardiolës

Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka deklaruar se fundamental është qëndrimi i trajnerit Pep Guardiola, pasi ky i fundit ende nuk ka vendosur të ardhmen e tij.
“Është imperative që ai të qëndrojë këtu. Për mendimin tim, ai është figurë kyçe dhe ndoshta njeriu më i rëndësishëm në klub”.
“Ne vërtet duam që ai të qëndrojë te Barcelona. Sidoqoftë, në fund është në dorë të tij që të vendosë”, ka potencuar Xavi. 

Ramos: Do ta përballojmë presionin

Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, ka thënë se ata do të arrijnë të shmangin presionin e madh gjatë supersfidës vendimtare për titull ndaj Barcelonës që zhvillohet në Camp Nou.
“Futbolli vazhdon dhe kampionati është duke u luajtur, ne pas humbjes nga Bayerni duam fitore dhe për këtë duhet të punojmë shumë”.
“Ky është futbolli: Liga e Kampionëve dhe La Liga mund të jenë në lojë në çdo moment. Për çdo rast, duam të fitojmë në Camp Nou”, ka thënë Ramos.

“Juve, shumë shpejt si Barca”

Ish-reprezentuesi i Italisë, Alessio Tacchinardi, beson se Juventusi shumë shpejt do të jetë në nivelet e gjigantëve të La Ligas, Real Madridit dhe Barcelonës.
Bianconerët kanë një pikë më shumë se sa Milani në tabelën e Serie A me gjashtë ndeshje të mbetura, teksa formën e mirë të Zonjës së Vjetër nuk ka mbetur pa e lëvduar as një prej ikonave të Juventusit.
“Drejtori Marotta dhe presidenti Agnelli janë duke bërë diferencën, për dallim prej paraardhësve të tyre. Për dy-tri vjet, Juventusi do të jetë sikurse Real Madridi dhe Barcelona. Antonio Conte ka menaxhuar për mrekulli situata të ndryshme, kjo sepse ka përkrahjen e klubit”, u shpreh Tacchinardi.

Klopp: Bayerni të pranojë fuqinë tonë

Trajneri i Dortmundit, Jurgen Klopp, ka shprehur besimin se nuk do të kalojë shumë kohë dhe Bayerni i Munichut do ta pranojë ekipin e tij si gjigant të futbollit në Gjermani.
“Ka shumë pak gjëra për të cilat më intereson më pak se sa komentet për ekipin tonë. Sidoqoftë, besoj se Uli Honess do të pranojë një ditë se ekipi i tij është më i dobët”.
“Hoeness ka të drejtë kur thotë se nuk kemi arritur ende asgjë në garat evropiane. S’ka lidhje, do të punoj për këtë”, është shprehur Klopp.

Xhaka: Dua të kaloj te Gladbachu

Ylli shqiptar i Baselit, Granit Xhaka, ka zbuluar se ai sipas të gjitha gjasave do t’i bashkohet klubit gjerman, Borussia Monchengladbach, gjatë afatit kalitmar veror.
19 vjeçari ka qenë atraksion i shumë ekipeve evropiane, por si duket serioziteti i ekipit gjerman që do të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm ka lënë më mbresa Xhakën, i cili kërkon me pa durim kalimin në Bundesliga.
“Personalisht, unë nuk kam asgjë për të fshehur. Për mua, gjithçka është vendosur. Tani është gjithçka në dorën e klubeve”, ka thënë Xhaka, i cili pritet të kalojë për 6.5 milionë euro te skuadra gjermane. 

Karanka: Nuk mbrohemi në Camp Nou

Zëvëndëstrajneri i Real Madridit, Aitor Karanka, ka hedhur poshtë zërat se ekipi mbretëror do të mbrohet dhe do të luftojë për barazim në Camp Nou ndaj Barcelonës.
Real Madridi hyn në këtë ndeshje me përparësinë prej katër pikësh në krye të tabelës dhe me një barazim Los Blancos mund ta sigurojnë edhe titullin. Sidoqoftë, përkundër zërave se Reali do të mbrohet dhe do të luftojë për një barazim, Karanka nuk ndan të njëjtin mendim.
“Ne nuk do të dalim për të spekuluar. Kjo ndeshje do t’u ngjasojë ndeshjeve të fundit këtu, ku kemi shënuar gola dhe kemi nxjerrë pikë”.
“Të shtunën, ne do të kemi qëndrim të njëjtë. Janë tri pikë të rëndësishme, por pas kësaj ndeshje, ne kemi edhe katër ndeshje tjera, pa marrë parasysh rezultatin ndaj Barcelonës”, ka deklaruar Karanka para ndeshjes.
Ai shtoi se lojtarët madrilenë nuk janë duke menduar fare për ndeshjen ndaj Bayernit të Munichut, ekip ndaj të cilit Los Blancos kanë disavantazh prej 2-1 të cilin duhet ta kthejnë në Santiago Bernabeu të mërkurën e ardhshme. 

Lizarazu: Bayerni duhet të shënojë në Bernabeu

Legjenda e Bayernit, Bixente Lizarazu, nuk ka dyshime se Bayerni duhet që të shënojë në Bernabeu në mënyrë që të eliminojë Real Madridin nga Liga e Kampionëve.
Bayerni ka avantazh prej 2-1 nga ndeshja e parë ndaj Real Madridit dhe francezi është i bindur se Reali do të shënojë gola e prandaj edhe gjermanët kanë nevojë për së paku një gol.
“Goli si mysafir sigurisht se e ndihmon Realin. Bayernit i duhet një gol në Madrid. Përndryshe ata nuk do të kualifikohen në finale”.
“Nuk do të jetë e mjaftueshme që të mbrohesh ndaj tri sulmuesve të Realit, të cilët më zhgënjyen në Munich. Por, Bayerni do të ketë gjasa për finale vetëm nëse luan aq i përkushtuar, me vullnet dhe organizim sikurse në ndeshjen e parë. Bayerni duhet që të jetë i gatshëm për një luftë të madhe dhe paraqitje fantastike në mbrojtje”, ka deklaruar Lizarazu për Kicker

Mancini akuzon gjyqtarët

Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka shprehur pa kënaqësinë e tij me referimin në Ligën Premier, duke thënë se nuk ka rregulla të njëjta për të gjithë.
“Pas disa situatave që i kam parë në tri-katër javët e fundit, mendoj se është vështirë për ne. Kur kam qenë në Itali, mendova se në Angli janë gjyqtarët më të mirë. Ky mendim ka ndryshuar”.
“Nuk ka rregulla të njëjta për të gjithë”, ka theksuar Mancini duke thumbuar rivalët Manchester United, të cilët ka thënë disa herë se përkrahen nga gjyqtarët. 

Bogdanovic: Prishtina do ta pësoj nga aventurizmi!

I ashtuquajturi ministër për Kosovën, Goran Bogdanovic, ka kërkuar takim me komandantin e KFOR-it, Erhard Drews dhe shefin e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, për të “zgjidhur problemin e grupeve të armatosura në veri të Kosovës”.
"Shfaqja e grupeve të armatosura në veri të krahinës është rezultat i aspiratës, sidomos në Prishtinë, që me veprimet e dhunshme dhe të njëanshme ta vë atë pjesë të Kosovës nën kontrollin e saj", tha Bogdanovic për Beta.
Bogdanovic paralajmëroi se “aventurizmi i tillë i Prishtinës mund të ketë pasoja të paparashikueshme".
Incizimi i shqiptarëve të armatosur, në veri të Kosovës, u shfaq në YouTube, ndërsa fillimisht është publikuar më 13 prill në Top Channel.
Zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeljevic, tha për Beta se misioni i BE-së mbikëqyrë, monitoron dhe këshillon policinë e Kosovës “që aktualisht po merret me këtë çështje”.
"EULEX-i, nëse bëhet një hetim zyrtar, është i gatshëm për të ndihmuar, në varësi se si rasti zhvillohet", tha ajo.
KFOR-i më herët ka dekluara se nuk ka asnjë tregues se në Kosovë ekzistojnë grupe të armatosura, pra se ka as më shumë as më pak se zakonisht.

AGPK: Kuvendi përdhunoi Lirinë e Shtypit

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) është alarmuar të premten nga forma e kalimit në Kuvend të Projektkodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi sipas tyre, Projektkodi, ashtu siç është votuar sot nga Kuvendi i Kosovës përdhunon, shkel dhe pamundëson lirinë e shtypit.
Projektkodi Penal i Republikës së Kosovës, i sapovotuar nga Kuvendi i Kosovës, është veprim antidemokratik dhe i paparë në asnjë vend me standarde evropiane, të cilat pretendon t`i arrijë Kosova.
AGPK thekson se është e çuditshme se si deputetët nuk kanë respektuar asnjë pikë të marrëveshjes së arritur ndërmjet AGPK-së, shoqërisë civile dhe Komisionit për Legjislacion, marrëveshje e cila është përkrahur edhe nga sponzoruesi i këtij Kodi, Ministria e Drejtësisë.
“AGPK ka rekomanduar që Neni 37, i cili flet për përgjegjësinë e autorëve, kryeredaktorëve, botuesve dhe të tjerëve, të largohet nga Projektkodi Penal. Ky nen rregullon përgjegjësinë e redaktorëve për një vepër penale që nuk është e përcaktuar me vetë Projektkodin Penal. Për më tepër, përgjegjësia e personave juridikë rregullohet me ligj të veçantë dhe AGPK nuk e sheh të nevojshme që vetëm për mediat të parashihet përgjegjësi penale shtesë. Përgjegjësia e tillë vetëm sa mund të keqpërdoret nga sistemi i drejtësisë. Në Kroaci dhe në Shqipëri një përgjegjësi e tillë nuk parashihet fare në kodin penal dhe kjo nuk i ndalon gjykatat që të kërkojnë përgjegjësi nga mediat”, thuhet në reagimin e AGPK-së.
Gjithashtu, AGPK ka kërkuar që mbrojtja e burimeve, që është paraparë me Nenin 38, të ndryshohet.
Sipas këtij neni, gjykata mund të kërkojë zbulimin e burimeve kur gazetari shkruan për vepra penale, si degradimi i integritetit seksual, ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet, përvetësimi në detyrë, marrja e ryshfetit dhe dhënia e ryshfetit.
AGPK i bën thirrje Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, që të kthejë këtë ligj prapa në Kuvendin e Kosovës dhe të mos e nënshkruajë një akt që fundos demokracinë dhe lirinë e shtypit në Kosovë.
AGPK paralajmëron se përmbajtja e tillë e Kodit Penal është dhe do të mbetet e papranueshme për komunitetin e gazetarëve dhe mediave në Kosovë. 

Kalojnë ligjet për Hoçën dhe Qendrën e Prizrenit

Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për Hoçën e Madhe pas shumë kundërshtimeve dhe pakënaqësive të deputetëve të opozitës.
Shumica e amendamenteve të propozuara nga Komisioni funksional nuk kanë kaluar derisa qeveria është tërhequr nga propozimet e saja të fundit, duke i kthyer në funksion ato të fillimit, njofton Koha.
Ligji në formën siç ka kaluar për opozitën por edhe për disa deputetë të pozitës është antikushtetues.
Vazhdimisht vërejtje kanë pasur anëtarët e Komisionit por që ato nuk u morën parasysh dhe gjatë shqyrtimit të ligjit dhe të amendamenteve u ngriten shqetësime nga deputetet të cilët kishin amendamentet, ku pas secilit në kllapa ishte shkruar se si duhet votuar, për dhe kundër.
Kjo u quajt ofenduese dhe u kërkua që të dihet autori i saj. Ndërkohë deputetet e lëvizjes Vetëvendosje kanë lëshuar seancën në shenjë revolte ndaj miratimit të këtij ligji, të cilin e quajtën totalisht antikushtetues dhe të keq.
Ndërkohë ka kaluar edhe ligji për Qendrën Historike të Prizrenit, që është kundërshtuar po ashtu nga opozita por edhe nga deputetë të pozitës.
Po ashtu amendamenti i Komisionit Funksional që ka të bëjë me përbërjen e Këshillit nuk kaloi dhe u miratua ai i qeverisë.
Deputetët kanë votuar edhe Kodin Penal të Kosovës për të cilin po ashtu pati reagime, posaçërisht lidhur me amendamentin e pestë, i cili ka të bëjë me burimet e medieve. Ndërkaq në fillim të seancës, partitë opozitare, kanë reaguar për ndërprerjen e transmetimit të seancës së djeshme plenare pas fjalimit të kryeministrit duke e quajtur këtë censurë.

Schuster: Barca patjetër të fitojë

Bernd Schuster thotë se Barcelona duhet patjetër ta mposhtë Real Madridin në derbin El Clasico të së shtunës, nëse dëshiron të ketë shpresa për ta mbrojtur titullin.
Kampionët në fuqi të La Ligës këtë vikend e presin Real Madridin me katër pikë disavantazh me edhe pesë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.
Katalanasit duhet të kërkojnë tre pikë të plota nëse duan të ngushtojnë diferencën në një pikë, që do të mbante gjallë shpresat e tyre për të mbrojtur titullin e kampionit të Spanjës.
“Një fitore e Barcelonës do ta hapte ligën, dhe disfata ose barazimi do ta linin titullin në duart e Madridin. Nëse ata humbasin, kjo do të ishte një goditje shumë e madhe”, ka thënë Schuster për AS. 

Casillas: Dua të bëhem si Mourinho

Iker Casillas thotë se ai dëshiron t’i ndjekë hapat e trajnerit të Real Madridit, Jose Mourinho, nëse ndonjëherë vendos të ndërtojë karrierë si trajner.
Dyshja u raportua se kanë pasur një raport jo aq të mirë vitin e fundit, por Casillas e sheh portugezin si një model shembull.
“Si kush do të doja të dukem nëse do të isha trajner? Do të doja të shijoja një rol të ngjashëm me atë të Mourinhos dhe do të më pëlqente të jem si ai nëse ndonjëherë bëhem trajner”, ka thënë Casillas.

Robben refuzon Juventusin

Anësori i Bayern Munich, Arjen Robben, ka refuzuar një ofertë nga Juventusi për t’iu bashkuar klubit nga Torino në afatin e ardhshëm kalimtar, shkruan Bild.

Holandezi ende nuk e ka vazhduar kontratën e tij në Allianz Arena, dhe mediat italiane kishin shkruar se ai mund të luajë në Serie A sezonin e ardhshëm, me Juventusin që u tha se i kishte ofruar marrëveshje trevjeçare me një pagë prej 5 milionë euro në sezon.

“Shumë falënderime për ftesën tuaj dhe interesimin nga Torino. Është nder që një klub i madh si Juventusi është i interesuar në mua. Por unë nuk kam interesim për momentin”, citohet të ketë thënë lojtari.
Robben pritet të mbetet në Munich këtë verë, pasi raportohet se është në prag të vazhdimit të kontratës me bavarezët deri në vitin 2015.

Gallup: Kosova mbështet lidershipin amerikan

Edhe pse imazhi i udhëheqjes amerikane po tregon disa plasaritje në vitin e tretë të presidencës së Barack Obamas, ai mbetet më pozitiv se i viteve të fundit të administratës Bush, bën të ditur sondazhi më i ri i Institutit të Hulumtimeve - Gallup.
Në 136 shtete, miratimi mesatar i lidershipit amerikan në vitin 2011 ka qëndruar në 46 për qind – relativisht i pandryshuar nga mesatarja prej 47 për qind në 116 vende, më 2010, raporton Radio Evropa e Lirë.
Pas dy vjetësh me radhë të miratimit në 80 për qind, mbështetja amerikane në Afrikë ka rënë në mesataren prej 74 për qind gjatë 2011-ës.
Në Amerikë, miratimi i punës së lidershipit është bërë me vlerësime të larta kur Obama ka marrë detyrën, por që nga ajo kohë, ato kanë rënë.
Edhe pse rëniet nuk i kanë fshirë plotësisht rritjet, trendi duket të lëvizë në këtë drejtim. Mesatarja e miratimit ka rënë në 40 për qind në 2011-ën, nga 46 për qind sa ka qenë më 2010.
Sipas Gallupit, miratimi ka rënë dukeshim për të dytin vit me radhë në shumë vende të Amerikës Latine dhe të Karaibeve, të cilat janë anketuar.
Sa i përket Evropës, miratimi mesatar i lidershipit amerikan ka qenë dy herë më i lartë në 2011-ën sesa në vitet e fundit të administratës së Bushit, por trendi, sipas Gallupit, po lëviz në drejtim negativ.
Mesatarja prej 42 për qind në 37 vende të anketuara ka miratuar udhëheqësinë e SHBA-së vitin e kaluar, por që është më pak se 47 për qind në vitin 2009.
Raporti thotë Shtetet e Bashkuara ruajnë mbështetjen e shumicës në tetë vende evropiane. Nga to prin Kosova me 90 për qind, për t’u pasuar nga Shqipëria, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Maqedonia, Hungaria dhe Lituania.
Megjithatë, vlerësimi për to ka rënë në vendet si Franca, Gjermania, Spanja dhe Suedia. Në Francë dhe në Spanjë, miratimi ka rënë nën nivelin e shumicës.
Vlerësimet, sipas Gallupit, nuk ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme në gjysmën e 37 vendeve të anketuara, çfarë mund të jetë indikator pozitiv, marrë parasysh rëniet e vlerësimeve në disa vende kryesore dhe paqëndrueshmërinë e situatës ekonomike në Evropë dhe SHBA.
Derisa administrata e Obamas ka zhvendosur fokusin e politikës së saj të jashtme në Azi gjatë 2011-ës, sondazhi i Gallupit ka gjetur se miratimi i lidershipit amerikan në rajon ka mbetur në përgjithësi stabil ndërmjet 2010-ës dhe 2011-ës. Mesatarja prej 39 për qind më 2011 ka qenë më e lartë se çdo vlerësim gjatë administratës së Bushit.
Rezultatet janë bazuar në intervista ballë për ballë ose telefonike me afro njëmijë të rritur, nga mosha 15 vjeç e më lart, të kryera gjatë vitit 2010 në 116 vende dhe gjatë 2011-ës në 136 vende. 

Aktakuzë kundër Haraqisë dhe Beqirit

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka ngritur sot aktakuzë kundër ish ministrave të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri, nën dyshimin se ata kanë shpërdoruar detyrën zyrtare.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Astrit Haraqija, në kohën kur e ushtronte funksionin e ministrit, ka kryer dy vepra penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit nga neni 339, par. 3, lidhur me par.1 të Kodit Penal të Kosovës, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit
Vepra e parë ka të bëjë me lidhje të kundërligjshme të kontratës me kompaninë “Concordia Pictures”, me ç’rast i pandehuri Haraqija, duke keqpërdorur pozitën zyrtare dhe duke tejkaluar autorizimet, ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 188 mijë eurove. Ndërkaq, vepra e dytë penale ka të bëjë gjithashtu me lidhje të kundërligjshme të kontratës me kompaninë “Morina Films”, me ç’rast i pandehuri Haraqija, sërish duke keqpërdorur pozitën zyrtare dhe duke tejkaluar autorizimet, ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 100 mijë eurove.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Valton Beqiri ngarkohet për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit nga neni 339 par. 3 lidhur me par.1 të KPK-së. I pandehuri, në kohën derisa ushtronte funksionin e ministrit, ka keqpërdorur pozitën zyrtare, duke tejkaluar autorizimet edhe pse ka pasur dijeni se kontrata që kishte lidhur ministri i mëparshëm Haraqija, ishte e kundërligjshme,. Ai ka lidhur aneks-kontratën me kompaninë “Morina Films”, duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës me vlerën prej 100 mijë eurove.
Me të njëjtën akt-aktakuzë për kryerjen e veprës penale të mashtrimit në detyrë nga neni 341 par. 3 lidhur me par 1 të KPK-së, Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ngarkoi edhe pronarët e dy kompanive të lartcekura, të pandehurit Nehat Fejzën dhe Armond Morinën. 

FSK organizon ushtrimin fushor “Shqiponja 1”

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të kryejë ushtrimin fushor “Shqiponja 1” duke filluar nga data 20 deri më 30 prill 2012. Ushtrimi do të realizohet në rrethinën e Pejës, Prizrenit dhe Gjilanit, ndërkaq thuhet se është planifikuar si një Operacion i reagimit ndaj fatkeqësive sipas skenarëve të ndryshëm gjatë të cilëve FSK-ja do të duhet të veprojë në mbështetje të popullatës në komunat e përmendura.
Të gjitha njësitë parashihet të kryejnë, ushtrojnë dhe përmirësojnë aftësitë e tyre në zjarrëfikjen deminimin, kërkim-shpëtimin.
Plani i ushtrimit parasheh që FSK-ja të mbështesë komunat dhe autoritetet vendore në situatat e reagimit ndaj fatkeqësive, kur ato nuk kanë më mundësi të përballen me fatkeqësi me mjetet vetanake.
Në njoftimin për media thuhet se ky ushtrim fushor është vazhdim i ushtrimit “Luani i Shkathët 4” i kryer në fund të shtatorit 2011. “Shqiponja 1” është planifikuar nga FSK-ja dhe do të kryhet nga FSK-ja me Komandën e Forcës Tokësore (KFT) si një staf kontrollues për vartësit e vet dhe njësitet në ushtrim sikurse janë Brigada e Reagimit të Shpejtë dhe Brigada për Mbështetje Operacionale.
Forca e Sigurisë së Kosovës njofton qytetarët se gjatë ushtrimit, nga data 20 deri 30 prill do të ketë lëvizje të kolonave të automjeteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në rrugët lokale dhe rrugët magjistrale dhe gjithashtu zhvendosje në rrethinat e komunave të lartpërmendura.
“Me rastin e mbajtjes së këtij ushtrimi, FSK-ja siguron qytetarët se në asnjë mënyrë nuk do të shkaktojë ndonjë problem për pronat dhe lirinë e lëvizjes së tyre”, thuhet në kumtesë.

Lirohet Hasan Abazi me kaucion

Hasan Abazi është liruar të premten nga paraburgimi pasi që është bërë pagesa prej 20.000 euro në gjykatën e Vranjes. Abazi ka kaluar kufirin serb dhe është rrugës për në shtëpi, lajmërojnë familjarët.
Kryesindikalisti i Metalistëve, Hasan Abazi është liruar nga paraburgimi pasi që familja ka paguar kaucion tek autoritetet në Vranje, njofton JnK.
“Babai im, Hasan Abazi është liruar pas pagesës së kaucionit prej 20.000 eurove që i kemi deponuar nga familja në gjykatën e Vranjes,” tha Haki Abazi, i biri i Hasanit.
Abazi ishte arrestuar nga policia kufitare kah fundi i marsit i cili akuzohej për "krime kundër Kushtetutës dhe sigurisë së Republikës së Serbisë", sipas nenit 315 të Kodit Penal të Serbisë.
Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë akuzuar qeverinë e Serbisë për arrestimin e Abazit për të cilin kanë thënë se është arrestim politik dhe kanë kërkuar lirimin e tij.
Arrestimi vjen pak kohë pasi Serbia dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje mbi lirinë e lëvizjes, që iu mundësonte shqiptarëve të Kosovës udhëtonin për në Serbi. Marrëveshja hyri në fuqi në dhjetor 2011, dhe ishte një nga parakushtet e BE-së për dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë. 

Thaçi shkel marrëveshjen, zgjedhjet më 2014

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur ta shkelë marrëveshjen për zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare, të cilën e ka nënshkruar para një viti bashkë me liderin e LDK-së, Isa Mustafa dhe partnerin e koalicionit, Behgjet Pacolli.
Me këtë marrëveshje të ndërmjetësuar nga ambasadori amerikan, Christopher Dell, e të mbështetur me Rezolutë të Kuvendit të Kosovës, është paraparë që zgjedhjet presidenciale orientimisht të mbahen në vjeshtën e këtij viti ndërsa zgjedhjet e përgjithshme në vjeshtën e vitit 2013, shkruan Koha Ditore.
Treshja Thaçi-Mustafa-Pacolli, më 6 prill 2011, qenë pajtuar në zyrën e kryeministrit për krijimin e dy komisioneve të veçanta parlamentare, për t’u marrë ekskluzivisht me hartimin e bazës kushtetuese dhe ligjore për zgjedhjet e ardhme. Komisioni kushtetues tashmë e ka kryer mandatin dhe amendamentet që kanë të bëjnë me kompetencat dhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit janë deponuar në Gjykatën Kushtetuese, për sa kohë që Komisioni për reformën zgjedhore ka ende punë për të bërë.
Pavarësisht nga ajo që është arritur deri tash, kryeministri Thaçi ka shfaqur ambicien për ta përfunduar mandatin e plotë qeverisës, katërvjeçar. Në Kuvendin e Kosovës, të mërkurën, ai ka deklaruar se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen tek në vitin 2014.
Të njëjtën gjë e ka rikonfirmuar të enjten një zyrtar i lartë i koalicionit. Në kushte anonimiteti ai ka deklaruar për Kohën Ditore se shtyrjen e zgjedhjeve janë duke e mbështetur edhe faktorë të caktuar ndërkombëtarë.
“Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 2014, kurse ato presidenciale vitin tjetër. Ky është një qëndrim që është duke u mbështetur edhe nga miqtë ndërkombëtarë. Po të ishte ndryshe, Thaçi nuk do ta jepte paralajmërimin”, ka thënë ai.
Deklarata e Thaçit, megjithatë ka nxitur reaksion jo vetëm te dy partitë opozitare, LDK-ja e AAK-ja, por edhe te partneri i koalicionit, AKR. 

Pacolli: Shumë shpejt priten njohje të reja

Zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli në kuadër të angazhimeve për lobim ka zhvilluar një turne të shkurtër në disa shtete të kontinentit të Afrikës. Ai ka thënë se është vetëm çështje ditësh zyrtarizimi i njohjeve, me çka sipas tij do të kurorëzohej një proces shumë i rëndësishëm për Kosovën.
Gjatë këtyre vizitave, Pacolli ka zhvilluar takime të rëndësishme me krerë të lartë shtetesh të këtyre vendeve të rëndësishme në atë kontinent(emrat e të cilave nuk do t’i bëjmë publike në këtë moment), prej nga ka marrë garanci të fuqishme për njohje të shpejtë të Republikës së Kosovës, thuhet në kumtesë.
Sipas zëvendëskryeministrit Pacolli, në çdo moment pritet vetëm zyrtarizmi i një procesi shumë të rëndësishëm, për të cilin është shpenzuar shumë energji, kohë dhe mjete financiare për qëllime lobimi për njohjen e Republikës së Kosovës.
“Është çështje ditësh zyrtarizmi i njohjeve, me çka do të kurorëzohej një proces shumë i rëndësishëm për Kosovën. Një proces për të cilin është sakrifikuar dhe është bërë punë jashtëzakonisht e madhe”, ka thënë Pacolli.

EULEX-i heton Pretenin

Edhe pse është i thirrur që ta luftojë korrupsionin dhe ta bëjë publik atë, i pari i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, dyshohet se është i korruptuar. Ai të mërkurën është intervistuar nga polica në një hetim që janë duke e bërë hetuesit e EULEX-it, nën dyshimet se është korruptuar dhe ka falsifikuar dokumentet e zyrtarëve gjatë deklarimit të pasurisë.
Se është intervistuar Preteni, këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e këtij misioni, duke treguar se kjo ka ndodhur pas një ankese të paraqitur nga Organizata “Çohu” kundër kreut të Agjencisë Antikorrupsion, shkruan Lajm.
Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, e ka mohuar këtë. Mirëpo, ky fakt i Pretenit është hedhur poshtë të mërkurën, pasi që ai nuk ka marrë pjesë fare në komisionin për buxhet, ku ishte i ftuar. Mungesën e Pretenit e kishte “arsyetuar” deputetja Safete Haderxhonaj duke thënë se ai “nuk mund të marrë pjesë në mbledhje për shkak se i ka dalë një punë urgjente në polici”.
"EULEX-i mund të konfirmojë se anëtarët e OJQ-së ‘Çohu’ dhe Hasan Preteni janë intervistuar. Tema e intervistës ishte e lidhur me një ankesë të paraqitur nga OJQ-ja kundër kreut të Agjencisë Antikorrupsion”, ka thënë për Lajm, Blerim Krasniqi, zyrtar për informim në EULEX.
Burime të gazetës nga Prokuroria Speciale kanë thënë se intervistimi dhe hetimi i Pretenit është duke u bërë nën dyshimet për korrupsion dhe falsifikim të dokumenteve.
Preteni ka thënë për Lajm se nuk është e vërtetë se është kontaktuar nga ndonjë institucion i ndjekjes. Ai i ka quajtur shpifje deklaratat e organizatës “Çohu”, duke treguar se për ta ka ngritur edhe padi.
“Agjencia në asnjë rast nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë dhe nuk do të ndodhë në të ardhmen. Fyerjet dhe shpifjet e individëve që për qellim nuk e kanë luftën kundër së keqes, por luftojnë për ‘fonde’ dhe interesa të ngushta private, nuk do të na zmbrapsin”, ka akuzuar Preteni.
Edhe pse ai ka hedhur akuza ndaj organizatës “Çohu”, drejtori i kësaj organizate, Avni Zogiani, nuk ka dashur të jap komente duke thënë se po pret rezultate nga hetimet.
“Preferoj që të mos e komentoj këtë rast, derisa të ketë një rezultat nga hetimet”, ka thënë Zogiani.
Burime të Lajmit kanë bërë të ditur se rasti i hetimit për Pretenin ka kaluar në EULEX, pasi që ka pasur tentime të shuhet nga prokurorët vendorë. Ky rast fillimisht ishte dërguar në prokurorinë speciale, me pas në Prokurorinë e Qarkut, e cila pastaj ka tentuar t'ia hedhë rastin Prokurorisë Komunale. Sipas burimeve, me marrjen e kësaj informate, EULEX-i e ka vendosur rastin nën menaxhimin e vet. 

Kastrati përcjell trajnimin e ushtarëve të FSK-së në Turqi

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, po qëndron për një vizitë në Turqi për të përcjellë nga afër fazën finale të trajnimit të një Togu (33 pjesëtarë) të FSK-së, që po marrin pjesë, në një trajnim njëmujor në Brigadën e 28 të Korpusit të Tretë të Forcave të Armatosura të Ushtrisë së Turqisë dhe në Qendrën e Partneritetit për Paqe, në Ankara.
Komandanti i FSK-së gjatë vizitës së tij zyrtare, në Turqi, është prit nga personalitet më të larta Ushtarake të Turqisë, në Ankara, .
Gjeneral Kastrati së bashku me gjeneral Nazmi Brahimj, kanë vizituar edhe dy qendrat më të mëdha trajnuese të ushtrisë së Turqisë, në Ankara. Qendrën e PFP-së dhe Qendrën Trajnuese për Luftë Kundër Terrorizmit, ku nga stafi komandues i këtyre qendrave është njoftuar për rolin, për punën dhe për programet trajnuese të tyre.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati është pritur edhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Ankara, Bekim Sejdiu. Gjeneral Kastrati me këtë rast e ka informuar ambasadorin Sejdiun me të arriturat e FSK-së dhe bashkëpunimin e përgjithshëm me shtetet e rajonit, etj.
Vizita e komandantit të FSK-së gjeneral Kastratit vazhdon me aktivitetet e tjera, në Turqi.

“Kidnapimi” u kushton me pozitë dy policëve kosovarë

Shukri Binaku dhe Sami Beqiri nuk do të patrullojnë më përgjatë kufirit të Kosovës. Të dy policëve që u arrestuan nga xhandarmëria serbe në territorin e Kosovës u është dhënë një masë e lehtë ndëshkimi, atyre u është ndërruar pozita në polici dhe nuk do të kenë më të drejtën që të patrullojnë në kufi.
Lajmin e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Sipas tij, kjo nuk është masë ndëshkimore. “Nuk është masë ndëshkimore, por u është ndërruar sektori. Nuk do të patrullojnë më në kufi. Është çështje operacionale se ku do të vendosen”, ka thënë ministri Rexhepi.
Vendimi vjen pas vlerësimit të Qeverisë së Kosovës se të dy policët nuk është dashur që më 31 mars të dorëzohen para xhandarmërisë serbe dhe të pranojnë arrestimin nga ana e tyre, përderisa kanë qenë në territorin e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës ka thënë se të dy policët pas pushimit të rregullt i janë kthyer organizatës, por nuk ka treguar se çfarë pozite do të kenë pas incidentit.
Që nga arrestimi i dy policëve, që qe bërë me shumë bujë nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Dacic edhe ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë bërë thirrje që secili pjesëtar i forcave të sigurisë të rezistojë nëse përballet me forca të Serbisë.
“Policët serbë kanë qenë të armatosur, por policët e Kosovës kanë qenë edhe më të armatosur dhe me armatim edhe më modern. Çdo pjesëtar i forcave të sigurisë e ka për obligim që në momentin kur shkelet një centimetër i territorit të Kosovës nga çizmja e kujtdo qoftë, e veçmas atyre që kanë kryer krime e gjenocid këtu, që të përgjigjet sipas Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, të enjten, gjatë seancës së rregullt të parlamentit.

Kuçi: Forca, zgjidhja e fundit në veri

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka deklaruar se për zgjidhjen e çështjes së veriut duhet të ketë unifikim të përbashkët të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Në një intervistë për “Epokën e Re”, Kuçi ka kërkuar nga partitë opozitare të jenë më të matura kur është në pyetje çështja e veriut.
Ai ka thënë se për zgjidhjen e çështjes së veriut forca do të jetë mjeti i fundit për Qeverinë e Kosovës.
“Forca do të ishte diçka e fundit dhe nëse është e domosdoshme do të veprojmë”, ka deklaruar Kuçi, duke shtuar se Qeveria nuk është për këtë variant.
“Për veriun kërkohet një unitet veprues vendor dhe ndërkombëtar. Jemi shumë të vetëdijshëm se çelësi i zgjidhjeve të problemeve në veri është bashkëpunimi i sinqertë me KFOR-in, EULEX-in dhe qytetarët. Ky bashkëpunim garanton sukseset dhe rezultatet konkrete në veri”, ka thënë ndër të tjera Kuçi. 

A po ju rrihet?

Komisionit për Reformën Zgjedhore i skadon mandati këtë të diel, përderisa ende nuk i ka kryer detyrat kryesore. Partitë nuk po gjejnë kompromis për listat dhe zonat zgjedhore.
Marrëveshja politike e arritur në prill të vitit të kaluar mes PDK-së, LDK-së dhe AKR-së dhe rezoluta e Kuvendit ka paraparë që deri më 22 prill të këtij viti të përfundojë reforma zgjedhore, shkruan “Express”.
Afati i përcaktuar për përfundimin e reformës zgjedhore pritet të skadojë pa rezultatet e parashikuara.
Por, partitë politike ende nuk janë marrë vesh se sa zona zgjedhore do të ketë Kosova, se si dhe me çfarë listash zgjedhore do të votohet – të hapura apo të mbyllura.
Kjo situatë ka shtyrë Shefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zbogar, që të ndërhyjë. Pas këtyre vonesave, Zyra e BE-së në Kosovë ka lëshuar një reagim dhe ka kërkuar që t`i zgjatet mandati Komisionit Zgjedhor për një kohë të kufizuar, në mënyrë që të kryhet reforma.
BE ka konstatuar se deri më tash nuk ka pasur kurrfarë përparimi substancial.
Kërkesa e BE-së për të vazhduar mandati i Komisionit është mirëpritur nga përgjegjësit për reformën zgjedhore.
Anëtari i Komisionit nga radhët e LDK-së, Imri Ahmeti ka thënë se duhet që sa më shpejt të arrihet marrëveshja për zonat dhe listat zgjedhore.
“Nuk ka asgjë të keqe që kërkesa e BE-së për vazhdimin e mandatit të komisionit, pasi ne kemi përafruar punën. Por, ka mbetur pa u përmbyllur, janë dy çështje që ne si Komision nuk jemi pajtuar që janë zonat zgjedhore dhe listat zgjedhore”, ka thënë Ahmeti për Express.
Ai ka thënë se AAK ka propozuar numrin më të madh të zonave zgjedhore, derisa Vetëvendosje vetëm një. LDK dhe PDK ende nuk kanë dalë me qëndrimet e tyre.
“Ka pasur propozime të ndryshme prej një zone deri në njëqind zona zgjedhore”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, Ahmeti thotë se ende ka kohë për marrëveshje mes partive politike.
Por, ndryshe mendon anëtarja e Komisionit për reformën zgjedhore nga Vetëvendosje. Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se Komisioni ka dështuar në misionin që e ka pasur.
”Ky proces ka degraduar në masë të madhe. Puna dhe qasja e Komisionit dhe grupit punues deri më tani ka qenë në shpërputhje të plotë me seriozitetin e kërkuar për adresimin e problemeve që kemi me dhunimin e vazhdueshëm të votës së qytetarëve. Pra, deri më tani Komisioni ka dështuar në trajtimin që meriton procesi i ndryshimit të Ligjit të zgjedhjeve. Ka munguar transparenca, serioziteti dhe profesionalizmi”, ka thënë Haxhiu përmes postës elektronike, të cilën e ka përcjellë zëdhënësi Erzen Vraniqi.
Ndryshe, kërkesa për reformë zgjedhore është adresuar nga zyrtarët evropianë, të cilët kanë kërkuar që të krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike. Në prill të vitit të kaluar, shumica e partive politike ishin marrë vesh për nisjen e një reforme zgjedhore, e cila është paraparë të përfundojë këtë të diel.
Me gjithë marrëveshjen për zgjedhje parlamentare për vitin e ardhshëm, Kryeministri Thaçi ka përmendur fundin e vitit 2014, kur partitë do të ballafaqohen në fushatë për të marrë pushtetin. 

EULEX-i kushtëzon vizat

EULEX-i nga vetë evropianët është krijuar që t’i ndihmojë Kosovës, por së paku fuqitë ekzekutive të tij po dalin problem serioz për një tjetër projekt të Brukselit, atë të liberalizimit të vizave.
Sipas të gjitha gjasave, gjatë javëve në vijim kur pritet t’i dorëzohet Kosovës lista e kushteve apo siç quhet zyrtarisht, udhërrëfyesi, pjesë e tij do të jetë edhe vlerësimi se përfundimi i mandatit ekzekutiv të EULEX-it do të jetë esencial për dialogun e vizave, njofton “Zëri”.
Kjo nënkupton se Kosova duhet të jetë e gatshme që e vetme të përballet me korrupsionin, krimin e organizuar e shumë çështje të tjera të ndjeshme që dihet se janë shumë të pranishme në Kosovë.
Në faqen 5 të draftudhërrëfyesit të dialogut për vizat, versioni i marsit, pasi sqarohet se misioni i EULEX-it vetëm

Bashkë kundër krizës ekonomike

Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë po vazhdon realizimi i projektit “Javët e Biznesit Kombëtar” në Shkup. Këtë projekt Aleanca Kosovare e Bizneseve, po e realizon në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri - Perëndimore. Promovimin e prodhimeve kombëtare e bënë bizneset nga të gjitha trevat shqiptare. Hapjen e panairit bënë presidenti i Shqipërisë Bamir Topi dhe ai i Maqedonisë Gjorge Ivanov.
Kryetari i AKB-së Agim Shahini, tha se integrimet ekonomike nuk mund t’i ndal askush, synimi është synimi që të konsumohen prodhime kombëtare. “Bizneset janë si uji i Vardarit, që shkojnë ka është më shkurtë dhe më lehtë. Nga Prishtina më afër se Shkupin e Tiranën nuk e kemi askënd. Ne dëshirojmë të rrisim shkëmbimet tregtare. Maqedonia është partneri më i madh sa i përket importit dhe po ashtu edhe Shqipëria e para sa i përket eksporteve nga Kosova ”, tha Shahini.
Kurse Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri- Perëndimore, tha se integrimi rajonal do të sjellë zhvillim ekonomik. “Dita e sotme do të sjellë zhvillim dhe kërkojmë që kjo të mos mbet vetëm me një defilim i prodhimeve shqiptar”, u shpreh Kuçi.
Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraçini beson se ngjarje të tilla duhet të bëhen tradicionale. Ai tha se përveç që bëhet promovimi i prodhimeve vendore, nxiten edhe investimet e huaja. “ Vetëm të bashkuar e ekonomikisht mund të mbetemi imun ndaj krizës ekonomik që ka prekur regjionin”, tha ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Saraçini.
Izet Mexhidi, kryetar i Komunës së Çairit, tha se integrimi rajonal më së miri mund ta bëjnë bizneset të cilët më së shumti i ndiejnë bizneset e rajoneve shqiptare. Zhvillimi ndihmon integrimin rajonal, por edhe evropian. “Duhet të relatvizohen kufijtë, sepse në këtë mënyrë do të hapen kufjitë dhe do të ketë lehtësira dhe deomosdo do të sjellin të mira jo vetëm për qytetarët, por edhe për zhvillimin ekonomik.”, tha Izet Mexhidi.
Ndërkaq, Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës, tha se ky projekt po realizohet në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe ka interes për të gjitha trojet shqiptare. Githa prodhimet që dalin janë të ndërlidhura ngushtë me gjitha trojet kombëtare. “Potencialet e rinisë shqiptare nuk i ka askush në Evropë dhe të cilat do të ndikojnë pozivitivsht në investime. Ndërmarrjet duhet të ndërtojnë sa më shumë ura lidhëse dhe mesazhi është shumë i qartë, konsumoni prodhime kombëtare.

Kontributet pensionale deklarohen në mënyrë elektronike

Duke filluar nga 1 maji punëdhënësit në vend do të mund të kryejnë procesin e deklarimit të kontributit pensional dhe tatimit në paga në mënyrë elektronike.
“Përfaqësuesit e bizneseve nuk do të kenë më nevojë të bëjnë raportime tremujore, e as mbushje të disa formularëve për deklarim. Gjithçka mund të kryhet duke u regjistruar në ueb-faqen e ATK-së dhe duke ngarkuar çdo muaj një format standard të deklarimit me të dhënat e nevojshme”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, procesi i ri gjithsesi se do të marrë shumë më pak kohë dhe bizneset nuk do të kenë shpenzime. Kurse do të jetë edhe në të mirë të kontribuuesve pensionalë, pasi do të kufizohet në minimum mundësia e mungesës së informacionit në emër të kujt paguhen kontributet pensionale, një problem jo pak i vogël ky në të kaluarën.
Këto ndryshime është e pritshme se do të ndikojnë për mirë edhe në raportin mes ATK-së dhe sipërmarrësve, duke ulur ndjeshëm burokracitë dhe kostot e të bërit biznes në Kosovë. Kurse Trusti do të ketë informacion më të saktë dhe në kohë për kontribuuesit dhe kursimet e tyre pensionale.
E gjithë kjo do të bëhet e mundur falë sistemit të ri të ndërtuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në bashkëpunim me Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti).
Por projekti për deklarimin elektronik të kontributeve pensionale dhe tatimit në paga duke filluar nga 1 maji 2012 do të jetë fillimisht mundësi alternative e deklarimit, e nuk do të jetë domosdo e vetmja formë e deklarimit të bizneseve. Forma aktuale e raportimit, përmes formularëve të posaçëm dhe raportimit tremujor, do të mund të përdoret deri në fund të muajit korrik. Kjo periudhë tremujore do të jetë parapërgatitore, informuese e vetëdijesuese për punëdhënësit deri në kalimin e plotë dhe të vetëm në sistemin e deklarimit elektronik.
Duke filluar nga 1 gushti 2012 asnjë raportim a deklarim tjetër për kontributin pensional dhe tatimin në paga, përveç deklarimit elektronik përmes ueb-faqes së ATK-së, nuk do të mund të përdoret nga bizneset.
ATK dhe Trusti ftojnë përfaqësuesit e bizneseve që të ndjekin njoftimet që do të bëhen publike në medie për këto ndryshime, dhe të konsultojnë udhëzuesit e të kontaktojnë ATK-n për të marrë informacione shtesë për mënyrën e përdorimit të deklarimit elektronik, thuhet në njoftimin e TRUST-it.