VV: RTK e njëanshme dhe tendencioze

Vetëvendosje ka akuzuar Radio Televizionin e Kosovës si të njëanshëm dhe tendencioz, ngase në edicionin e lajmeve qendrore (19:30) të datës 27 shkurt, sipas kësaj lëvizjeje, ka transmetuar një kronikë të pavërtetë dhe jo profesionale.
Lajmi “Lëvizja Vetëvendosje përmes rrjetit social ‘Facebook’ u ka bërë thirrje nxënësve që ta bojkotojnë mësimin dhe të marrin pjesë në protestën e sotme”, siç theksohet në reagimin e Vetëvendosjes, është tendencioz.
“Kronika në fjalë mundohet të paraqesë që Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar bojkotimin e mësimit nga shkollat e mesme në Prishtinë konkretisht në shkollën ‘Sami Frashëri’, për t’iu bashkangjitur demonstratës së djeshme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje!”, theksohet në reagim.
Sipas Vetëvendosjes në asnjë mjet komunikimi zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje nuk ekziston asnjë thirrje për këtë çështje.
“Së dyti, ky lajm është i njëanshëm dhe merr parasysh vetëm një koment që është bërë në rrjetin virtual social ‘Facebook’ nga një qytetar që madje nuk është as anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Së treti, RTK nuk e pa të arsyeshme të marrë qëndrimin zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje para se ta transmetonte lajmin”, vlerëson Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje po ashtu bën të ditur se, për këtë çështje do të bëjë ankesë më shkrim në Komisionin e pavarur për media .

Krasniqi: Kosovës i duhet një president ceremonial

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka thënë se Kosovës i duhet një president më shumë ceremonial, ndërkaq modelit qeverisës duhet të jetë Republikë Parlamentare.
Në një konferencë ku u diskutua për rolin e presidentit dhe përcaktimin e modelit qeverisës, ai theksoi se amandamentimet kushtetuese që po ndodhin duhet të përfshijnë një fuqizim të kompetencave ekzekutive të kryeministrit.
“Këto ndryshime Kushtetuese duhet ta kenë këtë qëllim që të saktësojnë detyrat dhe përgjegjësitë e presidentit, pastaj të Kuvendit si organ legjislativ, si dhe të fuqizojnë në fushën ekzekutive kryeministrin e Kosovës. Në mënyrë që presidenti përveç se të jetë personalitet ceremonial ai duhet të ketë fuqi më të madhe në mbrojtjen e Kushtetutës, e sidomos të sistemit të drejtësisë”, tha Krasniqi.
Edhe Kryetari i Komisionit parlamentar për amandamentimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, tha se në kuadër të ndryshimeve që po bënë Komisioni, po punohet intensivisht në ndarjen e qartë të kompetencave ndërmjet pushteteve në vend në veçanti ndërmjet presidentit dhe kryeministrit.
Por ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reinhel, tha se përderisa lidershipi politik në Kosovë ka vendosur që presidenti të zgjidhet nga populli, duke fituar kështu legjitimitetin dhe mbështetjen e opinionit, ky legjitimitet duhet të përkthehet edhe në kompetenca shtesë.
“Një president i zgjedhur drejtpërdrejtë dhe pa kompetenca ose vetëm me kompetenca ceremoniale mund t’i habisë qytetarët se përse përfaqësuesi i tyre i drejtpërdrejtë nuk ka fuqi më shumë për të vendosur”, ka thënë ambasadori gjerman.
Kompetencat dhe roli i presidentit në përcaktimin e modelit të qeverisjes u diskutuan në një konferencë të organizuar nga Komisioni parlamentarë për amendamentimin e Kushtetutës si dhe Fondacionit Fridrih Ebert.

Ide dhe propozime për ndryshimet Kushtetuese në këtë konferencë bënë edhe ish president të vendit dhe nga rajoni, si dhe përfaqësues të subjekteve politike dhe shoqërisë civile. 

BE: Vendimi për Serbinë shtyhet për disa orë

Këshilli i ministrave për çështje të përgjithshme të Bashkimit Evropian, e ka shtyrë për disa orë vendimin final për dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë, pasi Rumania ka kërkuar që të ketë garantime shtesë se Beogradi në mënyrë të rregullt do t’i zbatojë ligjet për pakicat kombëtare.
Këtë për gazetarë e tha një zyrtar, i cili merr pjesë në takim, duke shtuar se “nuk është krejtësisht e qartë se çka dëshiron Rumania”, raporton Rel.
Ai mëtutje ka shpjeguar se Komisioni Evropian ka ofruar që me deklaratë të veçantë të theksohet se me kujdes do të ndiqet se si zbatohen ligjet dhe politika e Serbisë ndaj pakicave kombëtare.
Ky zyrtar ka thënë se Polonia dhe Lituania më nuk paraqitur kurrfarë vërejtjesh në vendimin e pritur të Këshillit të ministrave, që liderëve të BE-së t’u propozojnë dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë.
Në këtë takim, pesë vendet anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, kanë kërkuar që në konkluzionet e mbledhjes të theksohet se “është marrë në dijeni synimi i Komisionit Evropian”, që të përgatitet studimi i fizibilitetit për marrëveshjen për stabilizim asocim të BE-së me Kosovën. 

Dacic kërkon nga BE lirimin e pjesëtarëve të MUP-it

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic ka kërkuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, lirimin e pjesëtarëve të ministrisë që ai drejton (MUP), që u arrestuan nga autoritetet kosovare në Gjilan.
Sipas ministrit serb, akuzat ndaj pjesëtarë të MUP-it janë kundër tyre janë të rrejshme dhe të montuara.
Ai ka thënë se në kuadër të takimeve që ka zhvilluar në Bruksel, së bashku me presidentin serb Boris Tadic, ka ngritur dhe këtë çështje duke kërkuar “që ky rast të zgjidhet sa më shpejt, pasi do të ketë pasoja të mëdha”.
“Nuk bëhet fjalë për armë pa leje dhe as uniforma, sepse ato janë uniforma të vjetra dhe tërë kjo mund të nxisë masa reciprociteti nga ana e Serbisë”, citojnë mediat ministrin serb Dacic.
Ndryshe, EULEX një ditë më parë ka njoftuar se pesë pjesëtarëve të MUP-it i është shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, të cilët akuzohen për ushtrim të padrejtë të presionit ndaj banorëve të Parteshit për mosnjohjen e institucioneve të Kosovës. 

Veriu me peticion për zgjedhje lokale

Çështja e shpalljes ose jo të zgjedhjeve lokale serbe edhe në Kosovë, po vazhdon të ngjallë reagime edhe me tutje te politikanët serbë të Kosovës.
Ditë më parë, disa zyrtarë të Beogradit, kanë deklaruar se në rastin e shpalljes së zgjedhjeve lokale në Serbi, autoritetet serbe, sa i përket Kosovës, do të kenë parasysh edhe obligimet që dalin nga dokumentet ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Por, politikani serb nga veriu i Mitrovicës, Millan Ivanovic, drejtues i këshillit Kombëtar Serb, thotë për Radion Evropa e Lirë, se autoritetet serbe nuk duhet të lejojnë hapësirë që të krijohen dilemat nëse zgjedhjet lokale do të shpallen edhe për serbët që jetojnë në Kosovë, e veçanërisht për ata në veri të vendit.
Sipas tij, edhe më parë, Serbia ka organizuar zgjedhje në Kosovë, duke u bazuar, sipas tij, në Rezolutën 12 44, por ai ka shfaqur drojën se Serbia do t’i nënshtrohet, siç i quan ai, presioneve nga jashtë, që zgjedhjet lokale të mos i shpallë edhe për Kosovën.
“Mendoj se zgjedhjet do të bëhen me siguri. Por, megjithatë, serbët në Kosovë, për çdo rast, në mënyrë preventive, janë duke mbledhur nënshkrime dhe deri më tash kanë nënshkruar dhjetëra mijëra serb, si peticion, në mënyrë që të drejtat tona kushtetuese dhe ligjore të realizohen. Kjo po bëhet që askujt të mos i shkoj ndërmend që të na largojë nga ky proces legjitim dhe të na mohohen drejtat themelore, si dhe të na dëbojnë nga shteti ynë”, thotë Ivanovic.
Politikani tjetër serb, Dragisa Krstovic, nga Leposaviqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se tashmë mediat serbe kanë ngritur, siç e quan ai, “pluhur”, lidhur me çështjen e shpalljes ose jo të zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë.
Sipas tij, disa zyrtarë të Beogradit kanë theksuar se rezoluta 12 44 është ripërtërirë me marrëveshjen e fundit në Bruksel dhe se zgjedhjet lokale do të organizohen edhe në Kosovë, në mënyrë që të respektohet kushtetuta serbe. Por, Krstovic nuk beson se kjo do të ndodhë.
“Unë mendoj se në këtë moment kjo është vetëm një lloj i retorikës dhe se kjo nuk do të ndodhë. Mendoj se në prag të shpalljes së zgjedhjeve, lidhur me këtë problem do të arrihet deri te një marrëveshje në planin ndërkombëtar dhe se zgjedhjet lokale nuk do të shpallen edhe për Kosovë”, shprehet Krstovic.
Ngjashëm shpreh mendimin edhe politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkovic, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe.
Megjithatë, ajo thotë se është pikëpyetje se kush dhe çfarë do t’i zëvendësojë institucionet serbe në veri të Kosovës, deri në zgjedhjet lokale të cilat i organizojnë institucionet e Kosovës.
Ndryshe, Milan Ivanovic, vlerëson se nëse Serbia nuk do t’i shpallë zgjedhjet lokale edhe në Kosovë, kjo, sipas tij, do të nënkuptonte se ajo e pranon pavarësinë e këtij vendi.
Por, Dragisha Krstovic, shpreh mendimin se do të gjendet një zgjidhje e përkohshme me faktorin ndërkombëtar dhe se në mungesë të zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë do të instalohen institucione ose këshilla të përkohshëm.
Ndërkohë, sipas tij, Prishtina zyrtare, në mënyrë të heshtur do ta pranonte një marrëveshje të tillë. 

Kosova*, me UNMIK dhe pa flamur

Në takimin e radhës së CEFTA-s, organizatës më të rëndësishme ekonomike për rajonin, Republika e Kosovës nuk e ka të garantuar se do të jetë pa UNMIK-un. Ndonëse do ta përdorë fusnotën, UNMIK-u do të jetë i ftuar në takime, për shkak të të drejtave legale që ka.
“Koha Ditore” ka arritur të sigurojë nga BE-ja një kopje të marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal të arritur në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj të Serbisë.
Sipas marrëveshjes, UNMIK-u do të ftohet në takimet e të gjitha organizatave ku është nënshkruar më herët në emër të Kosovës (shembull CEFTA v.j.).
Në marrëveshje potencohet se misioni i OKB-së ka të drejtë juridike që të përfaqësohet në këto mekanizma, kur bëhen ndryshime, dhe varet nga vullneti i tyre (UNMIK-ut v.j.) nëse do të marrin pjesë në takime.
Marrëveshja, për më shumë, nuk ia garanton Kosovës të drejtën për të përdorur flamurin e vet në këto organizata.
Sipas marrëveshjes, “organizatorët do të inkurajohen që të mos përdoren simbolet kombëtare, përveç ato të tyret dhe simboleve të BE-së”, thuhet në marrëveshje.
Por Edita Tahiri dhe Borislav Stefanovic nuk janë marrë vesh se çfarë do të ndodhë nëse organizatori ekspozon flamujt.
Denominimi është paralajmëruar se do të përdoret edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Rrjedhimisht, Kosova nuk do të mund ta përdorë flamurin as në marrëdhëniet me BE-në. 

Vazhdon procesi gjyqësor për rastin Kleçka

Gjykimi i Fatmir Limajt dhe nëntë bashkëluftëtarëve të tij, për krime lufte do të vazhdojë të martën, ndërsa mbrojtja e deputetit do të mundohet t’i shpallë të pavlefshme dëshmitë e “Dëshmitarit X” që janë kryesoret e këtij procesi.
Kështu ka deklaruar për gazetën “Epoka e Re”, avokati mbrojtës i Limajt, Tahir Rrecaj.
“Të martën(sot) në Gjykatën e Qarkut do të shqyrtohet çështja e pranueshmërisë së provave të dëshmitarit bashkëpunues të prokurorit, të ndjerit Agim Zogaj. Pala mbrojtëse e deputetit Limaj do t’i kundërshtojë kategorikisht këto dëshmi dhe do të kërkojë nga trupi gjykues të shpallen të pavlefshme”-ka thënë Rrecaj.
Avokati i deputetit ka deklaruar se këto dëshmi janë vetëm ngarkesë për lëndën.
Mbrojtja ka thënë se shënimet që ka lënë pas vetes Agim Zogaj, që përdoren si prova, në fakt i kanë shkruar katër persona. 

Me marrëveshjen, Kosova më afër BE-së

Marrëveshja e arritur në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë mbi pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale, në Shtetet e Bashkuara nga politika zyrtare është vlerësuar si një hap që do ta çojë Kosovën më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe shtimit të njohjeve të reja.
Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton ka thënë se Washingtoni e ka mbështetur procesin që nga fillimi, i vetëdijshëm që është një zgjedhje e vështirë politike, por që shpie Kosovën më afër integrimit evropian dhe ndërkombëtar.
Shtypi ndërkaq ka dhënë raporte nga korrespondentët, duke sjellë deklarata nga Prishtina dhe Beogradi, por edhe qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Brukselit zyrtar.
Gazeta “The New York Times”, theksonte se marrëveshja në njërën anë i hapte rrugë Serbisë për marrjen edhe zyrtarisht të statusin e ‘kandidatit’, ndërkaq Kosovës marrëveshja i ‘siguronte’ studimin e fizibilitetit.
Edhe gazeta “Washington Post”, në një korrespondencë nga Brukseli theksonte se ‘kompromisi ishte i propozuar nga Bashkimi Evropian dhe u pranua nga të dyja palët’ për të shpjeguar më tutje domethënien e fusnotës me dykuptimësinë e saj.
Megjithatë, analistë dhe ish diplomatë, njohës të zhvillimeve në Kosovë kanë pasur mendime kundërthënëse rreth fusnotës dhe marrëveshjes.
Derisa ish diplomati, James Hooper ka shprehur frikën se me marrëveshjen Kosova do të ngujohet dhe shndërrohet në një “shtet asterisk”, dhe bën krahasime me termin FYROM në të cilin është ngujuar Maqedonia për afro dy dekada, analisti dhe ish diplomati Daniel Serwer në një deklaratë thotë se "të dyja palët kanë përfituar nga marrëveshja".

Serwer thotë se hapi më i rëndësishëm i ardhshëm për Kosovën është të fitojë sa më shumë njohje dhe të angazhohet për anëtarësim në Kombet e Bashkuara. 

Lanschot: Ballkanasit s’janë evropianë, Kosova si Iraku!

Ballkanasit me asgjë nuk kanë kontribuuar për kulturën e Evropës, konsideron ish-diplomati holandez dhe gazetari Robert van Lanschot.
Van Lanschot, i cili ka marrë pjesë në misione në Bosnjë, Kosovë, Irak dhe Eritrea, komentin e tij në gazetën gjermane “Handelsblat”, e fillon duke e komentuar një prej ish-diplomatëve të Kongos, i cili tani jeton në Bruksel. Sipas Lanschot, diplomati ka thënë “Ballkanas dhe belgë? Ata nuk janë të bardhë!”.
“Duke pasur parasysh se edhe të ardhurit nga Afrika e shohin hendekun e madh kulturor ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes së Evropës, çka të bëjmë me të tjerët”, shkruan Van Lanschot.
Për ta ilustruar pohimin e tij, ai thotë se në Bosnjë, Evropa fillon në mesin e urës së Neretvës në Mostar. Ai thotë se turistët frymojnë me lehtësi kur “përfundimisht kthehen në Evropë”, kur të hyjnë në pjesën kroate të Mostarit, transmeton Zhurnal.
Sipas Van Lanschot, Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, pjesë të mëdha të Serbisë, të Bosnjës, Bullgarisë dhe Greqisë, gjithashtu nuk përputhen me idenë për Evropën.
Ai thotë se të gjithë këta bëjnë pjesë në një grup kulturor që është më e afërt me Turqinë.
Po ashtu, ish diplomati thotë se qytetet e Kosovës më së shumti i ngjajnë Irakut se sa BE-së.
“Askush në Ballkan nuk e di se çfarë është kostum i Channel-it, nuk i njeh kuzhinierët e Bokusit, nuk di për Pipi çorapegjata, për kopshtet angleze, për esetë e Montanjit, për katrorët Lego etj”, thotë Van Lanschot.
Ai ka thënë se edhe punëtorët e ndërtimtarisë nga Kosova që punojnë në Zvicër nuk mund të ndryshojnë stilin e ndërtimit kur kthehen në shtëpitë e tyre dhe “ndërtojnë objekte josimetrike”, të habitshme për njerëzit e perëndimit.
Van Lanschot apelon që të ndërpritet zgjerimi i BE-së, duke theksuar se vendet e Ballkanit s’kanë asgjë të përbashkët me Evropën.

Grabovci: Veseli do të ishte gur i çmuar në PDK

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka thënë se ish shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli është njëri prej figurave më të ndritura të kombit.
Ai për gazetën “Tribuna Shqiptare”, ka deklaruar se vlerat e vërteta të SHIK-ut do të shihen në të ardhmen.
Shefi i GP të PDK-së thotë se kjo parti e ka kryetarin më të mirë prej të gjitha partive, ndonëse thotë se në kuvendin partiak që pritet të mbahet brenda këtij viti, s’është gjë që Hashim Thaçi të ketë ndonjë kundërkandidat.
Duke folur për kreun e ekzekutivit, Grabovci theksoi se nga pozicioni i kryeministrit, Thaçi është i gatshëm të jep llogari për veprimet, ndërkohë që vlerëson se Vetëvendosje është duke bërë marketing politik me parullën “Kosova Republikë”.

Stub: Ditë e mirë për Kosovën e Serbinë

Ministri finlandez për Evropën dhe Tregtinë e Jashtme, Alexander Stub duke folur para fillimit të takimit të Këshillit të BE-së për Çështjet e Përgjithshme, ka thënë se sot është një ditë e mirë edhe për Serbinë edhe për Kosovën.
“Mendoj se do të shkojmë përpara. Duket mirë. Që të dy palët, Kosova dhe Serbia, kanë bërë mjaft kompromise në ditët e kaluara. Jam i sigurt se do të ketë disa ndryshime në konkluzione, por përveç kësaj, kjo duhet të jetë një ditë e mirë për Serbinë dhe Kosovën”, ka thënë Stub.
Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet që sot të miratojnë konkluzat në lidhje me kandidaturën e Serbisë për në BE, ku pritet që edhe formalisht të thuhet se shteti serb i ka përmbushur kriteret për marrjen e statusit, transmeton Rel.
Planifikohet që të përshëndetet qëllimi i Komisionit Evropian për të përpiluar një studim të fizibilitetit për Kosovën.

BE-ja pa konsensus për “studimin e fizibilitetit“

Kanë vazhduar edhe të hënën “përshëndetjet dhe urimet“ për marrëveshjen e arritur të premten në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për përdorimin e emrit të Kosovës në nismat rajonale.
Pas diskutimeve shumica e ministrave të jashtëm kanë thënë se tashmë ka konsensus për t’ia dhënë Serbisë statusin e kandidatit, ndonëse janë disa vende të cilat kanë shfaqur ende disa ngurrime. Këta ministra janë shprehur se “Serbia tash i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe e ka merituar statusin e kandidatit ndërsa marrëveshja e së premtes për përfaqësimin rajonal të Kosovës i ka hequr edhe pengesat e fundit”, shkruan “Koha Ditore”.
Mësohet se i vetmi shtet i cili nuk e ka bërë të qartë qëndrimin ende ka qenë Gjermania, por pritet që ministri i këtij vendi, Guido Westerwelle, do të konfirmojë personalisht të martën në Bruksel se edhe Gjermania mbështet statusin e kandidatit për Serbinë dhe dy ditë më vonë në samitin e BE-së edhe formalisht Serbia të bëhet me status kandidati.
Por sa i përket Kosovës, edhe pse shumica e ministrave kanë bërë të qartë se ”në kohën kur Serbia të marrë statusin e kandidatit duhet dhënë diçka edhe për Kosovën” dhe në këtë frymë kanë përkrahur qëllimin e Komisionit Evropian për të përpiluar një studim fizibiliteti për Kosovën, të hënën nuk është arritur konsensusi i plotë mes shteteve anëtare për këtë gjë dhe pritet që diskutimet të vazhdojnë edhe sot, të martën.
Nga burimet diplomatike mësohet se Qiproja është kundër që Këshilli i BE-së të përkrahë ”studimin e fizibilitetit” për Kosovën, ndërkohë që Spanja do të mbështeste një gjë të tillë vetëm nëse kjo nuk do të thoshte se Kosova trajtohet si shtet nga BE-ja.
Rumania ka rezerva edhe ndaj studimit të fizibilitetit për Kosovën, por edhe ndaj statusit të kandidatit Serbisë. Rumania deri më tash është konsideruar ndër mbështetësit më të mëdhenj të Serbisë në BE, sidomos për faktin se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por tash ky shtet ka shfaqur pakënaqësi me mënyrën se si Serbia trajton pakicën vllahe në Serbi.
Diplomatët evropianë thonë se po punohet në drejtim që nga Serbia të merren premtime me shkrim se do të respektojë të drejtat e kësaj pakice dhe Rumania do të heqë rezervat ndaj dhënies së statusit të kandidatit Serbisë. Rumania mësohet se është shprehur edhe kundër formulimit në konkluzione të Këshillit, ku do të ”përshëndetej qëllimi i Komisionit Evropian për të nisur një studim fizibiliteti për Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit“.
Spanja ndërkaq nuk e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë një gjë të tillë, por ka thënë se ”do të mbështet çdo dokument i cili nuk nënkupton se Kosova trajtohet si shtet i pavarur“.
Në BE tashmë nuk thonë se “studimi i fizibilitetit“ është diçka e madhe, por thonë se ”ky do të jetë vetëm një studim që nuk do të paragjykojë asgjë“.
“Koha Ditore” ka pasur qasje në draftin e konkluzioneve, të cilat pritet të miratohen të martën dhe në to shkruan se “Këshilli mirëpret qëllimin e Komisionit Evropian për nisjen e studimit të fizibilitetit për MSA me Kosovën“. Në çfarë forme do të miratohen këto konkluzione dhe a do të miratohen fare, do të dihet të martën. 

Posselt: BND s’i prishi raportet me Kosovën

Europarlamentari gjerman, Bernd Posselt ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si e vetmja mundësi që shteti më i ri evropian të shkojë përpara.
Ai në një intervistë dhënë për “Zërin” thotë se Kosova ka bërë progres në disa fusha, derisa kërkon edhe më shumë punë nga kosovarët.
Posselt vlerëson se pavarësisht që Policia e Kosovës arrestoi tre pjesëtarë të BND-së (shërbimit sekret gjerman), marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë vazhdojnë të jenë shumë të mira.
Europarlamentari Posselt, i cili njihet si mbështetës i pavarësisë së Kosovës, ka folur edhe për kosovarët që jetojnë në Gjermani dhe në vende të ndryshme të BE-së.
“Unë mendoj që duhet shumë shpejt liberalizuar gjërat në interesin e kosovarëve që jetojnë në vendet tona. Ata janë shumë të vlefshëm për shoqërinë tonë”, ka thënë Posselt. 

BQE ndalon përdorimin e bonove shtetërore greke

Banka Qendrore Evropiane (BQE), ka ndaluar përkohësisht përdorimin e bonove shtetërore të Greqisë. Hapi i BQE-së është hedhur pasi “Standard and Poors”, notën e kredisë së Greqisë e ka ulur në nivelin "SD" që do të thotë "mospagim opsional".
Bankat e ndikuara nga ky vendim i BQE-së, kanë bërë të ditur se në kuadër të programit mbështetës në përshtatje me rregulloret e Eurozonës, mund të bëjnë veprime huazimesh me bankat qendrore kombëtare.
Pritet që vendimi në lidhje me bonot greke të rishikohet deri nga mesi i muajit mars. BQE, në korrik të vitit të kaluar, kishte deklaruar se ata do të vazhdojnë ti përdorin bonot greke si garanci deri kur një nga tre institucionet ndërkombëtare të vlerësimit të kredisë, notën e Greqisë ta ulë në nivelin e "mos pagesës".

Fusnota i tremb investitorët

Fusnota tek emri Kosova mund të ketë ndikime negative në tërheqjen e investimeve të huaja në vend. Kështu shprehen ekspertët e ekonomisë, vetëm pak ditë pas arritjes së marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në institutin “Riinvest”, tha se jostabiliteti politik gjithmonë do të ketë efekte negative tek investitorët e huaj. Sipas tij, rezoluta 1244 e OKB-së dhe çështja e fusnotës tani krijon hapësirë të madhe për dyshime për investimet e huaja. “Rrjedhimisht, kjo mund ta sjellë vendin në një pozitë të mosstabilitetit politik, dhe ky mosstabilitet që tani është duke ndodhur dhe ka prejardhje nga fusnota largon investitorët e huaj”, ka thënë Abdixhiku.
Edhe Musa Limani, ekspert i ekonomisë, ka thënë se në çdo aspekt fusnota do t’i sjellë më shumë dëme sesa të mira vendit. Ai ka thënë se edhe në raport me investitorët e huaj, kjo do të ketë ndikim negativ, shkruan Zëri.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), thotë se përmirësimi i imazhit të vendit në sytë e investitorëve të huaj, me fusnotë është më i vështirë.

ZRRE propozon shtrenjtimin e rrymës për 7.6 %

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar që tarifat e energjisë elektrike të jenë për 7.6 për qind më të shtrenjta se tarifat aktuale. Kjo përqindje është dukshëm me e ulët se kërkesa e KEK-ut që tarifat të jenë më të larta për 23 për qind.
Është hera e parë në tre vjetët e fundit që ZRRE-ja ka propozuar ngritjen e tarifave. Duhet theksuar se ky është vetëm propozim i ZRRE-së për tarifat që do të aplikohen duke filluar prej datës 1 janar dhe se palët e interesit që nuk pajtohet më të mund t’i dorëzojnë komentet e tyre në rregullator. “ZRRE-ja ka parasysh se, bazuar në ndryshimet, barazimet dhe propozimet e ZRRE-së, tarifa mesatare për energji elektrike duhet të rritet për 7.6 për qind në mënyrë që KEK-u të mbledhë të hyra të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e arsyeshme të propozuara nga ZRRE-ja sipas këtij shqyrtimi tarifor”, thuhet në raportin konsultativ të publikuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Mirëpo,ky propozim mund të ndryshohet deri në vendimin final që pritet të merret në fund të muajit mars, shkruan Koha Ditore.
Një ndër faktorët që ka ndikuar në zvogëlimin e kërkesës së KEK-ut janë edhe importi dhe eksporti i energjisë elektrike.

Guidolin, trajneri më i mirë italian

Menaxheri i Udineses, Francesco Guidolin, ka fituar çmimin Panchina d’Oro si Trajneri më i Mirë në Itali për sezonin 2010/11.
Guidolin ka shijuar një sukses të jashtëzakonshëm me Udinesen gjatë dy viteve të kaluara dhe është shpërblyer për punën e tij.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar për këtë. Mendoj se e meritoj këtë për gjërat e mrekullueshme që kam bërë dhe ende po bëjmë me Udinesen”, ka thënë trajneri gjatë pranimit të çmimit në zyrat qendrore të Federatës Italiane të Futbollit.
Guidolin udhëhoqi Udinesen në pozitën e katërt në tabelën sezonin e kaluar, duke fituar shansin të luajë në Ligën e Kampionëve për të parën herë në histori të klubit, edhe pse u eliminua nga Arsenali në fazën preliminatore. 

Messi: Te Reali për asnjë shumë parash

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, thotë se asnjë shumë parash nuk mund ta joshë atë të transferohet te Real Madridi.
Argjentinasi është pyetur nëse ndonjëherë do të mendonte t’i bashkohet Realit, veçanërisht nëse ata do ta dyfishonin pagën e tij aktuale.
“Kjo është diçka të cilës i jam përgjigjur shumë herë. Barca më ka dhënë gjithçka: jam rritur në këtë klub, e di sa shumë ata bëjnë për mua”.
“Kurrë nuk do të mendoja të shkoj te një skuadër rivale dhe aq më pak për para. Vërtet jam i lumtur këtu ku jam”, ka thënë Messi. 

Moratti mendon për shkarkimin e Ranierit

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka pohuar se ai ka menduar ta shkarkojë trajnerin Claudio Ranieri.
Disfata e vikendit nga Napoli ishte e pesta e njëpasnjëshme në të gjitha garat për Interin nën drejtimin e Ranierit, dhe mbase kulmi i durimit për Morattin.
“Ne jemi duke menduar për gjërat. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Po ashtu do të flas edhe me Ranierin pasi nuk kam biseduar me të ende dhe pastaj do të shohim çfarë do të bëjmë”.
“Mendoj se ne mund të dalim nga kjo me Ranierin. Megjithatë, dua të kuptoj disponimin e tij dhe atë të lojtarëve. Kam biseduar me të më herët dhe më duket sikur skuadra po përmirësohet në aspektin psikologjik, por ndonjëherë kjo nuk mjafton”, ka thënë Moratti. 

Reja: Dua të vazhdoj me Lazion

Trajneri i Lazios, Edy Reja, thotë se ai dëshiron të vazhdojë ta drejtojë klubin nga kryeqyteti italian.
Reja ofroi dorëheqjen nga karrigia drejtuese e Lazios javën e kaluar, por duket se ka ndryshuar mendje këtë javë.
“Tema e të ardhmes time është mbyllur. Le ta varrosim këtë dhe të vazhdojmë më tej. Shpesh argumentoj me Presidentët, por pas të gjitha atyre argumenteve mund të krijohet një lidhje më e fuqishme e miqësisë”.
“Zola? Ne e njohim njëri-tjetrin, ne bisedojmë gjatë javës, dhe do të doja ta shoh atë në një detyrë në kampionatin italian dhe me një skuadër të madhe – ndoshta edhe te Lazio një ditë”, ka thënë Reja për Sky Sport Italia. 

Ramos: Nuk kam problem me Mourinhon

Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, thotë se ai po ia kalon mirë me trajnerin Jose Mourinho.
Spekulimet për një përplasje në mes të tij dhe strategut portugez, janë hedhur poshtë nga Ramos.
“Ai është një trajner i madh dhe i jep aq shumë grupit dhe është një person nga i cili mund të mësoj shumë nga niveli i tij i përkushtimit dhe profesionalizmit”.
“Kurrë nuk kam pasur probleme me të”, ka deklaruar mbrojtësi spanjoll. 

PSG gati 55 milionë për Kaka dhe Higuain

Paris Saint-Germain është i gatshëm të bëjë një ofertë të majme në vlerën e 55 milionë eurove për dyshen e Real Madridit, Kaka dhe Gonzalo Higuain.
Cadena Ser shkruan se pronarët arab të klubit francez tashmë kanë bërë një listë të blerjeve të verës – dhe dyshja e Realit është lartë në listë.
Kaka është i afërt me drejtuesit e PSG, Carlo Ancelotti dhe Leonardo, me të cilët kishte punuar te Milani, dhe klubi francez e vlerëson brazilianin me 30 milionë euro.
Sulmuesi argjentinas Higuain vlerësohet rreth 25 milionë euro nga francezët, edhe pse Chelsea u raportua se ishte gati të paguajë 40 milionë euro për të në afatin kalimtar të janarit. 

Mascherano: Ta ruajmë fokusin

Mbrojtësi i Barcelonës, Javier Mascherano, thotë se ata duhet ta ruajnë fokusin dhe të fitojnë çdo ndeshje të mbetur, për të ruajtur shpresat për të fituar titullin e La Ligës.
“La Liga do të jetë e vështirë të fitohet. Ata kanë 10 pikë avantazh ndaj nesh, por ne jemi profesionistë dhe do të vazhdojmë të luftojmë. Do të përpiqemi të japim absolutisht më të mirën nga vetja”.
“Ne nuk mund të lejojmë të humbim fokusin. Do të përpiqemi t’i fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund të sezonit”.
“Atletico ishte ca me fat. Ata po ashtu kishin fansat në mbështetje dhe nuk kanë humbur ndeshje me menaxherin e tyre të ri, Megjithatë ne arritën ta zgjidhim situatën me ndeshjen tonë”, ka thënë Mascherano. 

Cesc: Messi dhe Ronaldo e zbukurojnë La Ligën

Ylli i Barcelonës, Cesc Fabregas, thotë se Lionel Messi dhe ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, e bëjnë La Ligën më të mirë.
“Që të dy e ndihmojnë ligën të zhvillohet. Falë atyre dyve, shumë njerëz dëshirojnë t’i shohin lojërat tona, kjo është e mirëpritur. Ne kënaqemi me ta. Ata janë dy lojtarë të ndryshëm”.
“Ndonjëherë duket sikur nuk ka asgjë nga një ndeshje dhe pastaj del se ata e vendosin rezultatin. Ata kanë një dhunti të veçantë”, ka deklaruar Cesc. 

Villas-Boas: Nuk më pëlqen City

Menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, thotë se ai nuk është admirues i skuadrës Manchester Cityt të cilën e ka ndërtuar Roberto Mancini.
Nëse ai mbijeton në Stamford Bridge, Villas-Boas zotohet se do të ndërtojë një skuadrës në stilin e tij dhe jo të harxhojë para siç ka bërë Mancini te Manchester City.
“Nuk do të ndërtoja një skuadrës si Manchester City. Nuk më pëlqejnë standardet e futbollit që bëjnë ata. City është një skuadër italiane dhe ata ndjekin standarde italiane”, ka thënë Villas-Boas.

Blanc: Nuk jemi në nivel të Spanjës e Gjermanisë

Përzgjedhësi i Francës, Laurent Blanc, ka thënë se loja e futbollistëve të tij është dukshëm më e keqe në raport me përfaqësueset e Spanjës, Gjermanisë dhe Holandës.
“Nevojitet shumë kohë që të vendoset mënyra e caktuar e lojës. Loja e përfaqësues së Francës është dukshëm më pak e zhvilluar në krahasim me atë të Spanjës, Gjermanisë dhe Holandës, kjo është e sigurt”, ka deklaruar Blanc.
Të mërkurën Franca zhvillon një ndeshje miqësore ndaj Gjermanisë, ndërsa trajneri i Trekolorëve është i lumtur për këtë ndeshje, pasi e konsideron si një sfidë të madhe taktike.
Për më shumë, Blanc ka përmendur se disa lojtarë francezë angazhohen më shumë nëpër klubet e tyre sesa kur luajnë me përfaqësuesen.
Në Kampionatin e ardhshëm Evropian- Euro 2012, Franca bën gara në Grupin D, së bashku me Anglinë, Suedinë dhe Ukrainën. 

Valton Krasniqi anulon koncertet, shtrohet në spital

Këngëtari i njohur, Valton Krasniqi javës që kaloi ka anuluar të gjitha aktivitetet muzikore, duke u vendosur në një spital të Zvicrës për shërim, pas një infektimi që ai ka pësuar nga virusi i gripit dhe i ftohti polar që përfshiu një pjesë të madhe të Evropës.
Valtoni përveç koncerteve dhe aktiviteteve të tjera muzikore të cilat i ka pasur, ka shtyrë edhe lançimin e klipit të fundit ”Mister superfly” të cilin e kishte realizuar gjatë muajit që kaloi.
Këngëtari është ende nën trajtimin e mjekëve në spitalin “Universitet BS” të Bazelit, ku së shpejti pritet të shërohet dhe të vazhdojë me koncerte dhe mbrëmje muzikore, të cilat i ka lënë më gjysmë për shkak të shtrimit në spital. 

Edison Kelmendi - modeli shqiptar që pozon për Versace

Një 20-vjeçar me origjinë shqiptare është paraqitur në sfilatën e fundit të modës së kompanisë prestigjioze “Versace”, në prezantimin e koleksionit të ri të veshjeve për meshkuj për sezonin vjeshtë/dimër 2012/13.
Bukuroshi në fjalë është Edison Kelmendi, i lindur në Gjakove, por që prej moshës njëvjeçare jeton në Zvicër.
“Kam nënshkruar kontratë me ‘Versace’-n, që do të thotë se kam pasur të drejtë të sfiloj vetëm për këtë kompani, prandaj fatkeqësisht më është dashur të anuloj angazhimet për Roberto Cavalli-n dhe brende te tjera”, ka thënë Edisoni për mediat shqiptare.
Modeli shqiptar ka pohuar se ende nuk ka bashkëpunuar me ndonjë kreator shqiptar, por që në të ardhmen shpreson që kjo do të realizohet.
“Fatkeqësisht akoma jo, por shpresoj që në të ardhmen do të kem mundësi të punoj me ndonjë dizajner shqiptar dhe të jem pjesë e modës shqiptare. Kjo do të më bënte të lumtur”, ka shtuarEdinsoni.

Blero: Xhelozia nuk ekziston në lidhjen time me Teutën

Këngëtari kosovar Blerim Muharremi-Blero, i cili është i martuar me aktoren Teuta Krasniqi, ka pohuar se në lidhjen e tyre nuk ekziston xhelozia.
“Askush nuk e di se si është Teuta. Sëmundja e xhelozisë nuk ekziston në lidhjen tonë. Do t’u lutesha që në shkrimet e ardhshme të gjithë gazetarët të takojnë fillimisht personat që duan t’i intervistojnë dhe të marrin më shumë informacion mbi jetën e tyre”, ka thënë Blero gjatë një interviste për mediat shqiptare.
Blero gjithashtu ka pohuar që së shpejti do të vijë me projekte të reja muzikore. 

Është martuar Natalie Portman?

Natalie Portman ka nxitur spekulime se është martuar me koreografin e baletit, Benjamin Millepied, pasi të dy kanë mbajtur shirita në gishtat e tyre të unazës gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e Academy Awards.
Në vitin e kaluar, ylli i “Black Swan” sapo ishte fejuar dhe ishte shtatzënë teksa e fitoi çmimin Oskar për aktoren më të mirë, ndërsa tani, një vit pas, duket se çifti i njohur për privatësinë e tyre, janë burrë e grua.
Në qershor të vitit të kaluar ata u bënë prindër të djalit Alef, ndërsa akoma nuk ka ndonjë deklaratë të përfaqësuesit të aktores për ta pohuar ose mohuar martesën e tyre. 

Të ngjisësh shkallët në këmbë?

Që është më mirë të ngjiten shkallët në këmbë sesa me ashensor, dihet. Por çfarë sjell vërtet kjo? 69 bashkëpunëtorë të Universitetit Gent, Gjermani e kanë provuar. Për dymbëdhjetë javë me radhë ata hoqën dorë nga ashensori.
Rezultati: 8.6% më tepër oksigjen në gjak; 1.7% më pak dhjam në trup; 1.8% më pak perimetër në vithe.
E përveç këtyre, u zvogëlua tensioni arterial i gjakut dhe kolesteroli i dëmshëm LDL me 2.3 deri 3.9%.
Por një gjë është në përgjithësi e sigurt: ecja e shpejtë, ka vlerë pozitive për shumicën e njerëzve. Dhe sigurisht që çdo gjë fillohet ngadalë dhe intensifikohet gradualisht. Gjatë kryerjes së aktiviteteve të moderuara ju duhet të jeni në gjendje për të folur, por jo për të kënduar. Aktivitete të fuqishme duhet të lejojnë që të merret frymë në çdo fjalë. 

Kohë e humbur para TV-së

Një studim amerikan ka treguar kohët e fundit se televizioni tek fëmijët më të vegjël se dy vjeç, nuk ka ndikim pozitiv tek brezi i ri.
“Nuk kemi gjetur asnjë bazë për dobinë e tij”, shprehet koordinatorja e studimit, Marie Evans Schmidt. Së bashku me një ekip shkencëtarësh të Spitalit të fëmijëve në Boston dhe Harvard Medical School ata vëzhguan 872 fëmijë nga lindja deri në moshën tre vjeç. Studiuesit u bënë fëmijëve vizitë në moshën gjashtëmuajshe dhe tre vjeç. Nënat e tyre dhanë të dhëna mbi sjelljen e fëmijëve kundrejt televizionit.
Në këtë studim, u morën parasysh edhe faktorë të tjerë të zhvillimit si mosha dhe arsimimi i nënës, të ardhurat, gjendja e familjes si dhe seksi i fëmijës, raca, pesha e lindjes dhe zakonet e gjumit. Rezultati: Të vegjlit, të cilët shihnin televizor, nuk treguan përmirësim në zhvillimin gjuhësor dhe motorik. “Aspak televizor për fëmijët më të vegjël se dy vjeç”, është kërkesa e re e pediatërve amerikan të Akademisë Amerikane të Pediatrisë. Ata mendojnë se karakteristikat e nënës, së fëmijës dhe të ambientit ku rritet, luajnë një rol shumë më të madh në zhvillimin e fëmijës.
“Televizioni tek fëmijët konsiderohet si një rrezik në rritje për obezitetin, çrregullime të përqendrimit dhe për cilësinë e keqe (në ulje) të gjumit”, shton Michael Rich. “Prindërit duhet të kuptojnë se fëmijët e vegjël nga televizioni as mësojnë gjë e as nuk nxjerrin ndonjë dobi. 

Si po rriten të hyrat e kompanive të TI?

Të hyrat u rritën për shumë kompani të mëdha të TI, duke filluar nga më pak se 10% për Microsoft dhe Samsung gjatë vitit fiskal 2011 në krahasim me një vit më herët, pastaj Google me 29%, Apple me 68%, Facebook me 88%, e deri te LinkedIn me 115%.
Zynga gjithashtu pati rritje të madhe të të hyrave – 91% në nivel vjetor .
Natyrisht, për kompanitë e vogla siç është LinkedIn (një rrjet ky shoqëror që është i orientuar në ruajtjen e kontakteve afariste) ose Zynga është shumë më e lehtë që të arrijnë rritjen e të hyrave duke pasur parasysh se të hyrat e tyre maten në miliona, për ndryshim nga miliardat e Microsoft dhe Apple.

Turqia posedon Biblën në të cilën Jezusi paralajmëron ardhjen e profetit Muhamed

Turqia thotë se posedon Biblën e vjetër 1500 vjet në të cilën shkruan se Jezus Krishti ka paralajmëruar ardhjen e profetit Muhamed. Papa Benedikti XVI kërkoi që ta shoh këtë libër e cila ka qëndruar e fshehur në 12 vitet e fundit.
Libri vlera e të cilit vlerësohet në 28 milionë dollarë thuhet se përmban predikimin e Krishtit për arritjen e të dërguarit të Zotit Muhamedit a.s., që për kishën Katolike është e papranueshme, deklaroi ministri turk i turizmit Ertugrul Gunay.
“Nëse pranohet kjo Bibël atëherë do të vërtetohet se Jezusi ka qenë njeri e jo Zot, ndërsa Trinia e shenjtë më nuk do të kishte kuptim. Jezusi ka parashikuar mbërritjen e profetit Muhamed, sepse në njërin prej versioneve të librit, në pyetjen se si do të quhet i dërguari i zotit, ai u përgjigj – Muhamed dhe hodhi poshtë idenë se ai është Mesia, duke thënë se ai do të jetë arab”, tha Gunay, përcjell portali Emirates.
Ministri Gunay po ashtu tha se Vatikani ka kërkuar librin të cilin autoritetet turke e zbuluan në vitin 2000 gjatë një operacioni kundër trafikimit të antikuarëve. Bibla është kapur dhe ka qëndruar në Ankara, në objektin e Gjykatës Supreme, ndërsa së shpejti do të paraqitet në muzeun etnografik. 

Babai ia “qerasi” një operacion plastik për ditëlindje

Kirurgu plastik amerikan, Michael Niccole nga Newport Beach e Californisë pranoi se si vajzës së tij Brittani për ditëlindjen e 18-të ia transplantoi silikonet në gjoks, ndërsa për ditëlindjen e 21 ia “dhuroi”, një operacion në hundë.
Babai dhe vajza janë intervistuar për një televizion lidhur me rastet gjithnjë e më të shpeshta të tinejxherëve që i nënshtrohen operacioneve plastike.
Shou i rrjetit televiziv ABC “Cutting Edge” flet për tinejxherët në Amerikë të cilët frustrimet dhe komplekset e tyre i shërojnë duke iu nënshtruar operacioneve plastike.
Mjeku Niccole po ashtu pranoi se në ditëlindjen e 21-të vajzës ia kishte bërë dhuratë edhe një operacion në hundë, sepse vajzës nuk i pëlqente hunda e saj. 

Hajnat vodhën urën në Poloni

Dy burra vodhën një urë në jugperëndim të Polonisë dhe e shitën për skrap, njoftoi policia e rajonit Wroclaw.
Ura të cilën e përdorte një minierë lokale përbëhej prej disa copave të hekurit të cilat hajnat i çmontuan dhe i dërguan në fabrikë për riciklimin e metaleve. Hajnat janë kapur krejt rastësisht, shkruan agjencia e lajmeve Ria Novosti.
Ata po transportonin “turrën” e fundit kur iu prish kamioni. Sigurimi i minierës vërejti një kamion të dyshimtë të parkuar përskaj rrugës dhe thirri policinë. Nuk dihet se si i shpëtoi sigurimit fakti se ura po zhdukej ngadalë. Hajnat mund të dënohen deri në pesë vjet burg, nëse shpallen fajtor.

Kolumbiania shpallet ‘Miss prapanica’ (Video)

Kolumbiania Karen del Castillo është fituese e garës tradicionale “Miss Reef” për prapanicën më të mirë të Amerikës Jugore, e mbajtur gjatë vikendit në Vina del Mar të Kilit.
Me “bagazhin” e saj, 22-vjeçarja Karen mposhti 12 kandidatet tjera.
Anëtarët e jurisë dhe përfaqësuesit e medieve arritën të ruajnë përqendrimin sa që të kujtojnë emrin e bukuroshes me prapanicën e përsosur.
Kolumbiania trashëgoi në këtë fron brazilianen Sandrina Sosa, e cila vitin e kaluar e fitoi këtë garë.