Krasniqi: Kosovës i duhet një president ceremonial

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka thënë se Kosovës i duhet një president më shumë ceremonial, ndërkaq modelit qeverisës duhet të jetë Republikë Parlamentare.
Në një konferencë ku u diskutua për rolin e presidentit dhe përcaktimin e modelit qeverisës, ai theksoi se amandamentimet kushtetuese që po ndodhin duhet të përfshijnë një fuqizim të kompetencave ekzekutive të kryeministrit.
“Këto ndryshime Kushtetuese duhet ta kenë këtë qëllim që të saktësojnë detyrat dhe përgjegjësitë e presidentit, pastaj të Kuvendit si organ legjislativ, si dhe të fuqizojnë në fushën ekzekutive kryeministrin e Kosovës. Në mënyrë që presidenti përveç se të jetë personalitet ceremonial ai duhet të ketë fuqi më të madhe në mbrojtjen e Kushtetutës, e sidomos të sistemit të drejtësisë”, tha Krasniqi.
Edhe Kryetari i Komisionit parlamentar për amandamentimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, tha se në kuadër të ndryshimeve që po bënë Komisioni, po punohet intensivisht në ndarjen e qartë të kompetencave ndërmjet pushteteve në vend në veçanti ndërmjet presidentit dhe kryeministrit.
Por ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reinhel, tha se përderisa lidershipi politik në Kosovë ka vendosur që presidenti të zgjidhet nga populli, duke fituar kështu legjitimitetin dhe mbështetjen e opinionit, ky legjitimitet duhet të përkthehet edhe në kompetenca shtesë.
“Një president i zgjedhur drejtpërdrejtë dhe pa kompetenca ose vetëm me kompetenca ceremoniale mund t’i habisë qytetarët se përse përfaqësuesi i tyre i drejtpërdrejtë nuk ka fuqi më shumë për të vendosur”, ka thënë ambasadori gjerman.
Kompetencat dhe roli i presidentit në përcaktimin e modelit të qeverisjes u diskutuan në një konferencë të organizuar nga Komisioni parlamentarë për amendamentimin e Kushtetutës si dhe Fondacionit Fridrih Ebert.

Ide dhe propozime për ndryshimet Kushtetuese në këtë konferencë bënë edhe ish president të vendit dhe nga rajoni, si dhe përfaqësues të subjekteve politike dhe shoqërisë civile.