Aquilani pret trajnerin e ri të Liverpoolit

Mesfushori italian, Alberto Aquilani, ka pranuar se e ardhmja e tij do të zgjidhet pasi që Liverpooli ta finalizojë angazhimin e trajnerit të ri.
Aquilani e kaloi sezonin e kaluar në formë huazimi te Milani, mirëpo Rossonerët nuk janë të interesuar që ta blejnë atë.

“Po pres që Liverpooli të vendosë rreth emrit të trajnerit të ri dhe të riorganizohet. Pastaj do të duhet të takohemi, në mënyrë që të kuptoj planet e tyre”.

“E vetmja gjë që mund të bëj, është që të marr vendimin e duhur. Për mua është me rëndësi që të më jepet mundësia për të kontribuuar, të luaj mirë dhe rregullisht”, ka thënë mesfushori për La Gazzetta dello Sport.

Kaka drejt Sao Paulos?

Mesfushori i Real Madridit, Kaka, besohet se është takuar me drejtuesin e lart të Sao Paoulos, Marco Aurelio Cunha, jo më larg se javën e kaluar për të biseduar mbi një rikthim të mundshëm në Brazil.
30 vjeçari është prekur nga problemet me lëndimie gjatë periudhës sa ka qëndruar te Real Madridi, ndërsa tani kërkon të shpëtojë nga konkurrenca, e cila po e vret karrierën e ish-superyllit të Milanit.

Sao Paulo si duket është interesuar për Kakan dhe tashmë ka mbajtur një takim me brazilianin, por klubi brazilian nuk ka 25 milionë euro për të paguar, përderisa PSG mezi pret ta shfrytëzojë rastin.

Ozil krenar me titullin

Mesfushori i Real Madridit, Mesut Ozil, ka pranuar se ai është kënaqur shumë më triumfin në La Liga, pasi kështu e kanë bërë Barcelonën të jetë prapa tyre dhe të vihet në ndjekje të Los Blancos pas dominimit trevjeçar.
“Çelësi i suksesit këtë sezon ishte qëndrueshmëria. Përndryshe, ne nuk do të kishim qenë në gjendje për të arritur këto rekorde. Pa dyshime, ne jemi shumë krenarë me të arriturat tona dhe me faktin se kemi lënë Barcelonën nëntë pikë prapa nesh”.

“Elinimi nga Bayerni ishte dush i ftohtë. Por, nuk ishte problem. Jemi mësuar kështu dhe më pas fituam La Ligën, që ishtë objektivi im primar. Jam absolutisht krenar me këtë”, është shprehur spanjolli.

Dzeko i ofrohet Bayernit?

Agjenti i sulmuesit të Manchester Cityt, Edin Dzeko, i ka ofruar shërbimet e klientit të tij klubit gjerman Bayern Munich, gjithnjë sipas Goal.
26 vjeçari, i cili nuk është në formacionin startutes të Cityt që prej kalimit te Agueros te klubi anglez, është në qendër të mediave për një kalim te klubi gjerman Bayern Munich.

Besohet se Dzeko do të mund të kalonte për 15 milionë euro te Bayerni i Munichut në një marrëveshje që pritet të realizohet në ditë në vijim. Pos Dzekos, Bayerni ka kontaktuar edhe me mesfushorin holandez, Nigel De Jong, por pa ndonjë gjë konkrete të arritur nga këto bisedime.

Milani të shesë sulmuesit për yjet

Gjiganti italian, Milan, besohet se është i gatshëm të shesë një prej katër sulmuesve, Boateng, Cassanon, Paton ose Robinhon, për të evituar shitjen e Zlatan Ibrahimovic apo të Thiago Silvas.
Goal raporton se Adriano Galliani është duke e menduar shitjen e një prej sulmuesve, për të gjeneruar fonde për transfere të reja dhe nëse kjo nuk ndodh me njërin prej Boateng, Cassanos, Patos ose Robihos, atëerë do të duhet që të pranohej një shumë ofertave për Zlatan Ibrahimovicin ose për Thiago Silvan.

Klubi Rossoner po përballet me një periudhë të vështirë, ku po flitet për largimin e superyjeve si Ibrës drejt Cityt, Thiago Silvës drejt Barcelonës dhe Boatengut drejt Manchester United, ndërsa transferet e reja nuk janë shpresëdhënëse.

Interi, dy lojtarë për Lavezzin

Interi ende nuk është dorëzuar në luftën për transferimin e sulmuesit të Napolit, Ezequiel Lavezzi, duke dashur kështu që t’ia ofrojë klubit napolitan dy lojtarë për sulmuesin argjentinas.
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, tashmë është pajtuar me shitjen e Lavezzit dhe me PSG që është favorit absolut për firmën e tij, është La Gazzetta dello Sport që në mënyrë të befasishme zbulon se Nerazzurët kanë planifikuar goditjen përfundimtare.

Zikaltrit besohet se janë në gjendje të ofrojnë shërbimet e Goran Pandev dhe të 19 vjeçarit Juan, në mënyrë që Napoli ta lejojë kalimin e Lavezzit te Interi.

Nga ana tjetër, Tuttosport shkruan se Interi si alternativë për Lavezzin e ka një prej lojtarëve më të mirë të Catanias, Alejandro Gomez, i cili është në radarin e shumë klubeve evropiane.

Martinez refuzon Liverpoolin

Roberto Martinez e ka refuzuar ofertën për ta menaxhuar Liverpoolin, për shkak të planeve të pronarëve të klubit nga Anfield për të lënë menaxhimin e klubit në dorë të tri drejtorëve.
Martinez, i cili ka qenë favorit për pankinën e Liverpoolit, ka zhvilluar bisedime me pronarët e klubit nga Anfield në Boston gjatë javës dhe nuk ka dashur që të pranojë ofertën për të drejtuar klubin prestigjioz anglez, për shkak të planeve të pronarëve për të ristrukturuar stafin drejtues me tri drejtorë që do të menaxhonin klubin dhe tansferet.

Kështu, favorit i ri për stolin e Liverpoolit është shndërruar Brendan Rodgers, i cili edhe pritet të zëvëndësojë ish-menaxherin Kenny Dalglish, nën të cilin Liverpooli ka dështuar përsëri që të kualifikohet në Ligën e Kampionëve.

Hulk gjithnjë e më afër Chelseat

Sulmuesi i Portos, Hulk, është 90 për qind lojtar i Chelseat, bën të ditur Telegraph-i britanik.
Braziliani tashmë një kohë është cak i gjigantit nga Stamford Bridge dhe shumë besonin se 25-vjeçari do të ndiqte ish-menaxherin e Chelseat, Andre Villas-Boas, një vit më parë.

Megjithatë transferimi i tij nuk u realizua vitin e kaluar. Por Blutë kanë reaguar herët këtë vit, duke arritur një marrëveshje me Porton, që raportohet se do të përfitojë plot 50 milionë euro nga shitja e lojtarit.

Hulk shijoi një sezon të suksesshëm te Porto, duke shënuar 21 gola në 38 ndeshje dhe ndihmoi skuadrën të ngrejë trofeun e dytë radhazi të ligës.

Reali ta shesë Kakan dhe Diarran

Real Madridi është duke u përgatitur të humbë një shumë të madhe të parave duke shitur Kaka dhe Lassana Diarra.
ABC shkruan se Reali ia ka ofruar dy mesfushorët klubit të pasur francez PSG për një shumë prej 30 milionë eurosh, që është gati 60 milionë euro më pak se që ka investuar në ta.

Vetëm Kaka i kushtoi Realit plot 66 milionë euro kur u transferua nga Milani, derisa Diarra erdhi nga Portsmouth për afro 20 milionë euro.

Kanoute: Messi është prej tjetër planeti

Sulmuesi i Sevillas, Frederic Kanoute, ka lëshuar lëvdata në adresë të Lionel Messi duke thënë se beson se ylli i Barcelnoës nuk ka rival as në mesin e baskëlotjarëve të tij në Camp Nou.
“Ai nuk është njeri; ai është nga një planet tjetër. Kam luajtur kundër tij në disa raste dhe ai është i jashtëzakonshëm – ai nuk është lojtar normal”.

“Në të njëjtën mënyrë si është Barcelona me pjesën tjetër të botës, ashtu është Messi dhe pjesa tjetër e lojtarëve të Barcës. Ai bën gjëra të cilat vetëm ai është në gjendje t’i bëjë. Ai është i jashtëzakonshëm”, ka thënë Kanoute për Fifa.com.

Di Maria mendon për trofetë e ardhshme

Anësori i Real Madridit, Angel di Maria, tashmë ka hedhur shikimin kah titujt e sezonit të ardhshëm.
“Jam shumë i lumtur që e kam fituar titullin e ligës në vitin e dytë me ekipin. Është impresive. Shpresoj të vazhdojmë të zhvillohemi dhe të fitojmë tituj edhe vitin e ardhshëm”.

“Ajo çfarë është e rëndësishme është se ne e fituam La Ligën dhe i kemi bërë tifozët të lumtur. Shpresoj ne ta fitojmë edhe titullin e dhjetë (të Ligës së Kampionëve) vitin e ardhshëm”, ka thënë argjentinasi për Marca.

Çaka: Nuk e njoh vajzën që më akuzon

Besnik Çaka, pjesëtar i grupit të njohur muzikor NRG Band, është paraqitur sot paradite në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Dukej i qetë teksa dilte prej gjykatës, megjithëse mbi të rëndon një aktakuzë që mund ta dërgojë në burg nga 1 deri në 10 vjet.
Seanca kundër Çakës dhe shtatë të pandehurve të tjerë është shtyrë për 3 korrik, pasi gjashtë nga të akuzuarit nuk janë paraqitur në seancë. Ndaj njëri u veçua procedura, pasi policia e ka njoftuar gjykatën se ai është i pakapshëm për policinë dhe se besohet se ndodhet jashtë vendit.

Avokati mbrojtës i Çakës, Arianit Koci, bëri të ditur për Gazetën Jeta në Kosovë se një seancë e jashtëzakonshme hetimore do të mbahet sot pasdite, me kërkesë të prokurorit, për ta ballafaquar viktimën me pyetjet e avokatëve mbrojtjes, pasi ajo do të udhëtojë në SHBA.

“Ai as nuk e njeh të dëmtuarën”, u shpreh Koci. “Ky proces është i çuditshëm, për shkak se e dëmtuara, viktima, ka deklaruar para prokurorit që ka qenë e shtyrë nga një polic hetues në Ferizaj t’i inkriminojë rrejshëm njerëzit”.

Vajza, e cila në kohën kur dyshohet se është kryer vepra ka qenë e mitur, ka dhënë katër deklarata para policisë.

“Në dy nuk e përmend fare Besnikun dhe deklaratat janë kundërthënëse me njëra-tjetrën. Nuk ka asnjë provë materiale në raport me Besnikun”, thotë Koci.

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, në fillim të vitit 2012 ka dorëzuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë aktakuzën kundër Besnik Çakës, pjesëtar i grupit të njohur muzikor NRG Band dhe shtatë personave të tjerë. Ata akuzohen se në fund të tetorit 2008, në Prishtinë, përkatësisht në motelin “Rama Petrol”, rrugës për Lipjan, kanë keqpërdorur seksualisht një të mitur nën moshën 16 vjeçare.

Koci, njëri nga dy avokatët mbrojtës të këngëtarit, tha se prokuroria nuk ka prezantuar asnjë fakt se Besniku në natën kritike ishte në hotelin “Rama Petrol”.

“Zakonisht kur një mysafir shkon në hotel, emrat regjistrohen”, ka shtuar ai.

Aktakuza përfaqësohet nga prokurori Haxhi Dërguti dhe personat e akuzuar nuk dyshohen për bashkëkryerje të veprave me të cilat ngarkohen, por bëhet fjalë për të njëjtën të mitur që dyshohet se ka qenë viktimë mes viteve 2007 dhe 2008.

Argjentina Ramosaj shfaqet si indiane

Në prag të pjesëmarrjes të saj në finalen e Top Fest, këngëtarja Argjentina Ramosaj i bën edhe një surprizë tjetër fansave të saj.
Ajo sapo ka publikuar në faqen e saj në Facebook një set fotografishë të realizuar në Kosovë nga fotografi i njohur Avni Selmani.
Në foto Argjentina vjen me dy imazhe krejt të ndryshme; i pari ku shfaqet si një indiane moderne dhe i dyti ku shfaqet me një look francez.

Microsoft shet 67 milionë Xbox 360

Microsoft ka arritur një moment të rëndësishëm me konzolën e saj, Xbox 360.
Kompania sot ka publikuar një lajm, në të cilin thuhet se prej lansimit të Xbox 360 në treg, në vitin 2005, e deri më sot ka arritur të shesë rreth 67 milionë konzola, dhe me siguri se kjo shifër është marramendëse kur merret parasysh se bëhet fjalë për konzolë të lojërave.

Për më shumë, Microsoft thotë se shitja e këtyre konzolave i ka sjell biznesit rreth 56 miliardë dollarë të hyra, si dhe 47 për qind pjesëmarrje të tregut.

Në anën tjetër, Microsoft ka njoftuar se deri më sot ka arritur të shesë gjithashtu rreth 19 milionë aksesorë për Kinect.

Gjiganti amerikan ka vazhduar më tej, duke thënë se parashikon që numri i konzolave të shitura do të rritet edhe më tej, pas lansimit të Windows 8.

Serbët, me pemë e perime “rrahin” policët e EULEX-it

Një automjet zyrtar, me shenja të dukshme të komponentës policore të EULEX-it, është sulmuar me gurë, mjete të forta, e me gjësende të ndryshme, në qendër të Zubin Potokut, në veri të Kosovës.
Rasti i sulmit dhe i dëmtimit të veturës është regjistruar rreth orës 11:20 min, ndërsa zyrtarët e komponentës policore të EULEX-it, kanë njoftuar Policinë e Kosovës, lidhur me rrethanat e paraqitura.

“Të njëjtit kanë deklaruar se ishin ndaluar gjatë qarkullimit të tyre në qendër të Zubin Potokut, të bllokuar nga një grup i papërcaktuar i personave, të cilët fillimisht kishin ngjyrosur veturën e tyre me sprej ngjyrë, më pas grupi i personave kanë filluar që të hedhin gjësende të ndryshme, çfarë u ka rënë në dorë, përfshirë edhe pemë e perime të ndryshme nga shitoret afër vendit të ngjarjes, për të vazhduar me gjësende më të forta, si gurë dhe shufra prej druri, me qëllim të dëmtimit të veturës së tyre”.

Janë regjistruar dëme materiale në xhamin e pasmë, derën e pasme, retrovizorët dhe pjesët anësore të automjetit zyrtar të EULEX-it, si rezultat i sulmit dhe goditjeve me gjësende të forta.

Deri më tani, nuk është raportuar për identifikim dhe arrestim të personave të dyshimtë të përfshirë në këtë akt kriminal. Nuk është raportuar as për lëndime të shkaktuara ndaj zyrtarëve të EULEX-it.

Rasti i sulmit është regjistruar në stacionin policor në Zubin Potok, ndërsa pas kontaktit me prokurorin publik të prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, rasti është kualifikuar si vepër penale “rrezikim i personave në mbrojtje ndërkombëtare” të paraparë sipas nenit 141 të Kodit Penal të Kosovës.

Konflikt interesi, kryetari i Gjilanit paditet me 700 euro

Agjencia kundër korrupsionit ka njoftuar se gjykata komunale për kundërvajtje në Gjilan ka dënuar me gjobë prej 700 eurosh kryetarin e Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa për shkak se nuk ka përfillur kërkesat e Agjencisë kundër Korrupsionit për tu shmangur nga konflikti i interesit në të cilin ndodhej.
Në arsyetimin e gjykatës thuhet se ky aktvendim është sepse më datë 23.02 2012 nga Agjencia kundër Korrupsionit është vërtetuar se ekziston konflikti i interesit meqë Mustafa si njëri prej pronarëve të biznesit privat SH.P.K “Fruta Viva” ka qenë personi i vetëm i autorizuar i atij biznesi, dhe si rrjedhojë ka bërë vepër kundërvajtëse nga neni 8 paragrafi 1 i ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

“I pandehuri Qemajl Fehmi Mustafa... kryetar i Komunës së Gjilanit është përgjegjës sepse më datë 23. 02 2012 nga Agjencia kundër Korrupsionit është vërtetuar se ekziston konflikti i interesit meqë Mustafa si njëri prej pronarëve të biznesit privat SH.P.K “Fruta Viva” ka qenë personi i vetëm i autorizuar i atij biznesi, dhe si rrjedhojë ka bërë vepër kundërvajtëse nga neni 8 paragrafi 1 i ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”, thuhet në aktvendim.

BE miraton udhërrëfyesin për Kosovën

Bashkimi Evropian ka miratuar vendimin që Kosovës edhe zyrtarisht t’i ofrohet udhërrëfyesi për lëvizje pa viza, raporton Dukagjini.
Lajmin e ka konfirmuar para pak minutash Ambasadori i Francës në Kosovë, Jan Francua Fitou.

Zyrtarët e Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë deklaruara së në fund të pranverës Kosova do të marr udhërrëfyesin, që është instrument para heqjes së vizave edhe për Kosovarët, si vendi i vetëm në rajon që nuk e ka pasur të drejtën e udhëtimit pa viza në zonën Schengen.

Almhofer: Të përmirësohet transporti me autobus humanitar

Institucionet e Kosovës u ofrojnë komuniteteve dhe grupeve tjera të cenuara shërbimin shumë të nevojshëm të transportit humanitar, mirëpo mungesa e koordinimit dhe mbikëqyrjes procedurale kanë bërë që ky shërbim të mos i përgjigjet nevojave në rritje të shfrytëzuesve të këtij transporti, thuhet në një raport të OSBE-së.
Transporti humanitar me autobus është një shërbim falas i cili u mundëson komuniteteve dhe grupeve të cenuara që jetojnë në mjedise të izoluara që të kenë qasje të sigurt dhe të rregullt në të mirat dhe shërbimet esenciale.

“Unë jam i kënaqur me progresin e arritur në ofrimin e transportit humanitar me autobus gjatë katër viteve të fundit, sidomos me zgjerimin e këtyre shërbimeve me 13 linja shtesë, por edhe me rënien e ndjeshme të numrit të incidenteve të raportuara të sigurisë”, tha shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Werner Almhofer.

“Kjo ka rëndësi të veçantë pasi që raporti ynë tregon qartë se grupet e cenuara dhe komunitetet vazhdojnë të jenë tejet të varur në transportin humanitar për të pasur qasje në të drejtat dhe shërbimet siç janë arsimimi, punësimi, kujdesi shëndetësor dhe asistenca sociale. Pra është qenësore që ky shërbim të vazhdojë të ofrohet”, shtoi Almhofer.

Raporti vëren se mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe suspendimi i prolonguar i mekanizmit mbikëqyrës të shërbimit, Komisionit Këshillëdhënës të Transportit, ka penguar përmirësimin e mëtejmë të shërbimit siç është shtimi i numrit të autobusëve dhe stacioneve që do ta sillnin këtë shërbim më afër atyre që kanë nevojë për të.

Për më tepër, raporti thotë se zvogëlimet e planifikuara buxhetore dhe reforma e propozuar e kornizës administrative mund të rezultojnë me reduktime substanciale të shërbimit dhe mund të ndikojë negativisht te përfituesit.

Ambasadori Almhofer i ka bërë thirrje Ministrive të Infrastrukturës, asaj për Komunitete dhe Kthim si dhe të Administrimit të Pushtetit Lokal që ta mbajnë përkushtimin aktual për transportin humanitar me autobus dhe të sigurojnë që korniza e re administrative të jetë e vendosur në atë mënyrë që të ketë përmirësime të mëtejme për këtë shërbim të rëndësishëm për komunitetet dhe grupet e cenuara.

OSBE ka monitoruar dhe raportuar për transportin humanitar me autobus që nga viti 2006, atëherë kur përgjegjësia për këtë lloj shërbimi qe transferuar te institucionet e Kosovës.

Dean: Kosova ka Kushtetutën më të avancuar në rajon

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur të mërkurën anëtarin e Bordit të NDI-së, për zhvillimin e politikave, Howard Dean, i cili për shumë vjet ishte guvernator, kryetar i Komisionit Kombëtar Demokratik dhe ish-kandidat për president të SHBA-së, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e Kuvendit të Kosovës me institucionet e SHBA-së, me theks të veçantë për bashkëpunimin e frytshëm me Institutin Nacional Demokratik (NDI).
Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se mbështetja e këtij instituti do të jetë tepër e rëndësishme për themelimin, ngritjen dhe funksionalizimin e Shërbimit të Hulumtimeve Parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka theksuar rëndësinë që i jepet punës transparente të Kuvendit, duke veçuar në këtë mes transmetimin televiziv të seancave të Kuvendit, pjesëmarrjen e gupeve të qytetarëve në sallën e mbledhjeve plenare, si dhe publikimin e transkripteve dhe të materialeve të tjera në ueb-faqen e Kuvendit, përfshirë edhe rezultatet e votimit elektronik, që e bëjnë të lehtë edhe monitorimin e punës parlamentare nga shoqëria civile.

Krasniqi ka folur edhe për standardet e larta të institucioneve të Kosovës për minoritetet, por ka theksuar edhe vështirësitë që ka Kosova me strukturat serbe në veri të vendit, të shtyra nga regjimi i Beogradit.

Ndërkaq, sa i përket garantimit të drejtave të minoriteteve, Howard Dean, e ka quajtur Kushtetutën e Kosovës si më të arriturën ndër vendet e rajonit.

Ai ka vlerësuar hapat e mirë që ka bërë Kosova në rrugën e demokratizimit dhe shtetndërtimit, duke u shprehur i bindur se SHBA-ja dhe vende të tjera mike do ta mbështesin Kosovën në rrugën e integrimit në BE dhe anëtarësim në NATO.

Lidhur me Shërbimin e Hulumtimeve Parlamentare në Kuvendin e Kosovës, të cilin do ta mbështesë NDI, ka thënë se në të duhet angazhohen njerëz profesionalistë dhe politikisht neutral, për të komunikuar dhe ndihmuar deputetët e të gjitha grupimeve politike, para se çështjet e caktuara të votohen në Kuvend.

Shqetësime për sigurinë e jetës dhe pronës në vend

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi ka shprehur shqetësimin e tij pas rasteve të shtuara të vrasjeve, veçmas në Regjionin e Dukagjinit, si dhe ngjarjeve të njëpasnjëshme të kërcënimeve dhe djegies së shtëpive të pjesëtarëve të komunitetit serb në Komunën e Klinës si dhe djegies së disa lokaleve të një pronari rom dhe dy pronarëve shqiptarë në Komunën e Gjakovës.
Përmes një deklarate për media, Kurteshi thekson se këto raste konfirmojnë faktin se siguria e jetës dhe e pronës mbetet segment i brishtë në Kosovë.

“Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë vizituar tri komunat që kohëve të fundit kanë qenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik Pejë, Gjakovë dhe Klinë. Ata kanë takuar zyrtarët komunal, përfaqësuesit e autoriteteve kompetente të sigurisë edhe qytetarët me të cilët kanë biseduar lidhur me shqetësimet që ata kanë”, thuhet në deklaratë.

Më tej, avokati i popullit thekon se vrasjet, dhuna, dëmtimi i pronës dhe kërcënimet si mënyrë e zgjidhjes së konflikteve konfirmojnë edhe njëherë se sistemi i drejtësisë dhe i sigurisë në vend po tregohet i pafuqishëm në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarit.

Angazhimi më efikas i organeve për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë në identifikimin e kryerësve të veprave kriminale dhe vënia e tyre para organeve të drejtësisë, është veprim i domosdoshëm, jo vetëm për të zbardhur rastet që kanë ndodhur, por edhe për të parandaluar aktet e tilla dhe për të ndikuar në sigurinë e përgjithshme në vend.

PDSH koalicion qeverisës me RD e BDL në Preshevë

Tri forca politike të prirura nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) do të përbëjnë koalicionin qeverisës në komunën e Preshevës.
PDSH e cila fitoi bindshëm në zgjedhjet lokale të 6 majit ka ftuar për bashkëqeverisje dy partitë e vogla Rilindja Demokratike dhe Bashkimin Demokratik të Luginës (BDL), subjekti politik që ishte kundër PDSH-së dhe në koalicionin zgjedhor me PVD-në të Riza Halimit, njofton Ina.
Siç mësohet nga burime për INA, BDL dhe kryetari i saj Skender Destani braktisën koalicionin me PVD për të qenë pjesë e pushtetit me PDSH-në dhe se kjo parti në bazë të një marrëveshje ka siguruar një përfaqësim të ulët në nivelet e pushtetit lokal në Preshevë.
Në kuadër të koalicionit është përfshirë edhe RD, partia aleate e PDSH-së, e cila do të ketë një pozitë më të preferuar në koalicionin bashkëqeverisës.
Këto parti kanë firmosur parakontratën e bashkëveprimit në nivel institucional komunal dhe pritet zyrtarizimi i saj në konstituimin e organeve të reja komunale.

Zyrtare: Ranieri trajner i ri i Monacos

Claudio Ranieri është caktuar trajner i ri i Monacos, ka konfirmuar vetë klubi francez.
Italiani 60-vjeçar, i cili po ashtu është lidhur me pozitën e zbrazët të West Bromit dhe Fiorentinës, ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me skuadrën nga Ligue 2, me opsion për ta vazhduar edhe për një vit tjetër.
“Monaco është e ngazëllyer të zbulojë se ka caktuar Claudio Ranierin si trajner. Ky caktim vjen pas një procesi kërkimor dhe rigoroz, gjatë të cilit Claudio Ranieri ka rezultuar si kandidati më i mirë për pozitën”.
“Ai tash konsiderohet si një prej trajnerëve më të mirë në futbollin evropian dhe do t’i sjellë Monacos të gjithë përvojën e tij të pasur dhe arritjet në futboll”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të klubit. 

NBA: Spursat thyejnë rekord

San Antonio Spurs kanë vazhduar serinë e përkryer në playoff, duke shënuar edhe rekordin prej 20 fitoreve radhazi pasi mposhtën Oklahoma City Thunder me rezultat 120-111 për të marrë kontrollin e finaleve të Konferencës Perëndimore.
Spursat thyen rekordin e vitit 2001 të vendosur nga Los Angeles Lakers, prej 19 fitoresh radhazi në sezonin e rregullt dhe playoff, dhe kaluan në avantazh 2-0 me ndeshje ndaj rivalit të finales, pasi më herët kishin eliminuarn Jazz dhe Clippers me 4-0.
Lakers megjithatë vazhdojnë të mbajnë rekordin për numrin më të madh të fitoreve radhazi për sezonin e rregullt (pa përfshirje të playoff). Në sezonin 1971-72 Lakers shijuan 33 fitore gjatë sezonit të rregullt.
Tony Parker ishte më i miri në takimin e mbrëmshëm me 34 pikë dhe tetë asistime, derisa Manu Ginobili shënoi 20 pikë.
Kevin Durant shënoi 31 pikë dhe James Harden 30 të tjera për Thunder. Ndeshja e tretë mes dy skuadrave zhvillohet të enjten, kur sfida transferohet në Oklahoma City.

Ramos: La Liga më e mira në botë

Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, thotë se La Liga spanjolle është kampionati më i mirë në botë.
Ramos fitoi titullin e kampionit me Real Madridin këtë sezon dhe tash përgatitet të mbrojë titullin e kampionit të Evropës me Spanjën, me të cilën kombëtare është edhe kampion i botës.
“Kam një fat të mirë që luaj në ligën më të mirë në botë dhe mendoj se golashënuesit e turneut (Euro 2012) do të jenë nga kjo ligë”.
“Besoj se ata do të jenë spanjollë. Ne kemi shumë lojtarë të cilët kanë luajtur në nivel të klasit në vitet e fundit”, ka thënë Ramos. 

Blero së shpejti me “Nr 1”

Blero ka realizuar një bashkëpunim me këngëtaren Lea dhe anëtarin e grupit Kaos, Lumi B.
Kjo këngë titullohet ‘Nr 1” dhe pritet së shpejti të lansohet në tregun shqiptar.
Blerë tashmë e ka bërë gati dhe gjatë kësaj jave pritet ta lansojë edhe videon e këngës “Ajo apo ti”. Këngëtari ka premtuar se vidoklipi i kësaj kënge do të jetë një që nuk është parë më herët.
Blero është zotuar se nuk do të ndalet vetëm me këtë projekt. Ai pritet që këtë verë të sjell shumë këngë të reja.
Gjithashtu Blero për adhuruesit e tij ka hapur faqen zyrtare në YouTube, “BleroOfficial”.

Ka dy vjet e gjysmë – kalëron si kauboj i vërtetë

Djaloshi dy vjeç e gjysmë nga Australia mund të jetë kauboji më i ri në botë.
Royce Gill, ndoshta akoma mban pelena, mirëpo ai di të kalërojë sikurse kaubojt e vërtetë. Ai e kalëronin ponin e tij Maybelline dhe merr pjesë nëpër gara të ndryshme.
Babai i tij thotë se Royce është gjenerata e 17-të e kaubojve në familjen Gill.
“Edhe pse këtu ka shumë fëmijë, Royce i përkushtohet kalërimit”, ka thënë Ryan, babai i djaloshit. 

Atletico arrin marrëveshje me Emren

Atletico Madrid raportohet se ka arritur marrëveshje me ish-mesfushorin e Newcastle United, Emre.
Kontrata e mesfushorit turk me Fenerbahce skadon në fund të muajit dhe ai ka marrë vendimin ta vazhdojë karrierën në Spanjë.
31-vjeçari do të nënshkruajë marrëveshje dyvjeçare në Vicente Calderon, sapo të kompletojë testet mjekësore.

Balotelli: Është vështirë të jesh gjeni si unë

Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli, ka deklarua se ai është “gjeni”.
“Unë? Po mendoj se jam gjeni. Nuk mendoj se jam një rebel. Unë e kam jetën time, botën time, sillem si dua, pa ia shkelur këmbën askujt”.
“Thuhet se gjenitë keqkuptohen. Andaj mbase gjenitë janë aq të ndryshëm sa njerëzit nuk e kuptojnë. Talenti që Zoti më ka thënë është gjë e bukur, madhështore, por është vështirë ta kesh këtë”.
“Kjo është kështu sepse ju gjithmonë konfrontoheni me njerëzit e tjerë të cilët janë të ngutshëm për t’ju gjykuar. Nuk është e lehtë”, ka thënë Balotelli. 

Cole: Hazard do të bëhet superyll

Mesfushori i Liverpoolit, Joe Cole, thotë se Chelsea po e blen superyllin e ardhshëm të Ligës Premier.
Blutë janë afër transferimit të mesfushorit të Lille, Eden Hazard, pasi belgu konfirmoi edhe vet gjatë mesjavës se po shkon drejt Chelseat.
Dhe, Cole ka vetëm fjalë të mira për Hazard, me të cilin luajti sezonin e kaluar, pasi ishte i huazuar te klubi francez.
“Ai mund të bëjë gjithçka. Ai mund të pasojë, të driblojë, godasë, shënojë gola dhe krijojë gola. Ai do të ketë nevojë për t’u përshtatur, por ai do të bëhet top, top lojtar në Ligën Premier dhe ndoshta një prej më të mirëve në botë”, ka thënë Cole. 

QPR dëshiron ta transferojë Owenin

Menaxheri i QPR, Mark Hughes, ia ka vënë syrin sulmuesit në largim të Manchester United, Michael Owen.
Owen tash është agjent i lirë pasi kontrata e tij me Djajtë e Kuq ka përfunduar, dhe është duke u menduar nga QRP.
Edhe presidenti i Stoke Cityt, Peter Coates, po ashtu ka shprehur interesim në ish-yllin e Real Madridit dhe Liverpoolit. 

Schalke ofertë për Van der Vaart

Schalke është duke përgatitur ofertë për mesfushorin e Tottenhamit, Rafael van der Vaart.
The Sun shkruan se Schalke do t’u ofrojë Spursave 12 milionë funte për mesfushorin holandez.
Ish-ylli i Real Madridit është në krye të dëshirave të klubit të Bundesligës, pasi sulmuesi i klubit, Klaas-Jan Huntelaar, ua ka propozuar drejtuesve të klubit të nënshkruajnë me bashkëlotjarin e tij.
Në të vërtetë, Huntelaar-it i është ofruar një marrëveshje e re për të qëndruar, por ai ka refuzuar ta nënshkruajë atë përderisa Schalke nuk transferon shokun e tij holandez.
Schalke është e gatshme t’i ofrojë Van der Vaart një pagë prej 100 mijë funtesh në javë. 

Lavezzi do të shkojë te PSG

Sulmuesi i Napolit, Ezequiel Lavezzi, ka gjasa më të mëdha që t’i bashkohet Paris Saint-Germainit – ka deklaruar agjenti i FIFA-s, Ernesto Bronzetti.
“Gjasat janë 90 për qind që Lavezzi të transferohet në Paris këtë verë”.
“Edhe pse ka klube tjera të interesuara, madje edhe skuadra kineze, mendoj se PSG do ta fitojë këtë ankand”, ka thënë Bronzetti për Radio Kiss Kiss Napoli.

Manchester United klubi më popullarizuar në botë

Një hulumtim i realizuar nga agjencia Kantar e ka nxjerrë Manchester Unitedin si klubin më të popullarizuar në botë me 659 milionë tifozë anekënd globit.
Në këtë studim, i cili është më i madhi i bërë ndonjëherë për futbollin, janë përfshirë 54.000 participantë nga 39 vende të ndryshme.
Sipas rezultateve, Djajtë e Kuq kanë 71 milionë tifozë në Amerikën Veriore dhe Jugore, 90 milionë në Evropë, 173 milionë në Afrikë dhe Lindje të Mesme dhe 325 milionë tifozë në Azi.
Hulumtimi i Kantar konfirmoi edhe një herë se futbolli është sporti më i popullarizuar në botë me 1.6 miliardë tifozë. 

Stramaccioni drejton Interin deri në vitin 2015

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka njoftuar se trajneri Andrea Stramaccioni ka nënshkruar kontratë të re.
36-vjeçari mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Claudio Ranierit dhe veçmë i ishte garantuar posti i trajnerit për sezonin 2012/2012.
Mirëpo, ai tash është pajtuar që t’i shtojë edhe dy vite në kontratën e tij fillestare, që do të thotë se do t’i drejtojë Nerazzurët deri në vitin 2015. 

Zeman pranë Romës

Zdenek Zeman i prin listës për postin e trajnerit të Romës – ka deklaruar Walter Sabatini.
“Pas tri ose katër ditësh do ta bëjmë të ditur trajnerin”.
“Kemi kontaktuar me disa trajnerë dhe kemi biseduar me Bielsan, mirëpo, gjasat që të vijë Zeman janë të mëdha”.
“Zeman mund të shfaqë shenja kontinuiteti; filozofia e tij e futbollit është sikur ajo e Luis Enriques”, ka thënë Sabatini për La Gazzetta dello Sport

Seedorf mund të qëndrojë te Milani

Clarence Seedorf nuk e ka mohuar mundësinë që ta vazhdojë karrierën te Milani.
Kontrata e holandezit me Rossonerët skadon gjatë kësaj vere, ndërsa është pritur që ai të transferohet te klubi brazilian, Botafogo.
Megjithatë, lojtari veteran ka thënë se ende është duke i shqyrtuar mundësitë dhe një e tillë është edhe qëndrimi në San Siro.
“Ende nuk kam vendosur për të ardhmen time, por do të vazhdoj të luaj”.
“Ku do të luaj? Nuk kam vendosur ende, por mund të jetë edhe këtu”, ka deklaruar Seedorf për Sky Sport Italia

Messi: Eliminimi nga Chelsea i padrejtë

Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, akoma mendon për eliminimin “e pa drejtë” të skuadrës së tij në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve nga Chelsea.
Edhe pse dominuan në posedimin e topin dhe në zhvillimin e lojës në të dyja ndeshjet, Blaugranët u eliminuan me rezultat të përgjithshëm prej 3-2.
“Nuk e fitova La Ligan dhe Ligën e Kampionëve, mirëpo isha më i zemëruar për Ligën e Kampionëve, sepse ishte e padrejtë; sepse huqa një penalti”.
“Jam shumë i kënaqur me sezonin tim. Por ne ishim të pakënaqur për mosfitimin e Ligës së Kampionëve – ishim shumë afër dhe ishim shumë të zemëruar”.
“Mirëpo, do të luftojmë për më shumë tituj në sezonin e ardhshëm, ndërsa ekipi kombëtar do të përpiqet ta sigurojë një vend në Kampionatin Botëror”, ka thënë argjentinasi në një konferencë për media. 

Edona vjen me projektet të reja

Ka kaluar ca kohë prej se këngëtarja Edona Llalloshi lansoi në treg këngën dhe videoklipin e fudnit të quajtur, “Fati dhe vuajtja”, që u mirëprit mirë nga publiku.
Mirëpo, ajo nuk do të ndalojë me kaq. Edona ka bërë të ditur se ka nisur punën edhe për disa këngë e klipe të reja, të cilat do t’i lansojë gjatë periudhës së verës.
“Jam në përgatitje të disa projekteve të reja, të cilat besoj se do të pëlqehen nga publiku. Uroj që edhe këtë sezon veror të kaloj sa më mirë me adhuruesit e mi”, ka thënë Edona për ‘Zëri’. 

Sonte nata finale e “Çelësit Muzikor 6”

Sonte pritet të mbahet nata finale e festivalit “Çelësi muzikor 6 “i cili do të mbahet në “Zipp Club’ dhe do të transmetohet nga RTV 21 dhe Zico Tv.
Pas pesë netëve garuese, sonte ndahen çmimet të cilat vijnë nga nominimet e rrymave të ndryshme muzikore.
Vitin e kaluar fitues të këtij festivali ishin Berkani dhe këngëtarja Gjyste Vulaj. 

A tradhton çdo njeri?

Fenomeni tradhtia në bashkëshortësi është një fenomen që lirisht mund të analizohet shkencërisht dhe assesi nuk mund të zbulohen arsyet e tradhtisë dhe parandalimi i saj.
Të gjithë thonë se nuk e bëjnë, vetëm ata që zihen në flagrance e pranojnë. Siç duket kjo qëndron në gjenet tona. Njeriu, nga natyra nuk është i krijuar për monogami. Këtë e shpjegon Dr. Hermann Weiss, mjek në Institutin për hulumtime shkencore të njeriut. Bile ai thotë se njerëzit të cilët nuk tradhtojnë në martesë, fejesë apo lidhje dashurie janë shumë të palumtur me partnerin.
Nëpër botë sot ekzistojnë edhe agjenci të cilat tradhtinë ua mundësojnë njerëzve, do të thotë atyre të martuarve, për krejt pak para.
Në anketën e bërë nga një institut në Bonn të Gjermanisë, 66% të meshkujve kanë tradhtuar së pakut një herë në jetë partneren e tyre, kurse 28% e femrave kanë tradhtuar partnerin e tyre së paku një herë.
Këto janë fakte rrëqethëse për njeriun sot. Në botën moderne tradhtia konsiderohet si shumë e rëndomtë dhe normale. 

Qumështi nuk vështirëson frymëmarrjen

Shumëkush beson se qumështi mund të shkaktojë pengesa në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, mirëpo shkencëtarët i hedhin poshtë këto pohime.
Në revistën Medical Hypotheses, në të cilën publikohen teoritë radikale biomjekësore, janë publikuar supozimet, me anë të të cilave shpjegohet se megjithatë një numër i vogël i njerëzve vuajnë nga problemet me frymëmarrje si pasojë e qumështit.
Duke analizuar disa studime, autorët kanë ardhur në përfundim se jo çdo qumësht është i njëjtë.
Një lloj i caktuar i lopëve, prodhojnë qumështin që përmban proteinën e quajtur beta-CM-7, e cila stimulon gjëndrat përgjegjëse për prodhimin e mukusit në sistemin tretës.
Këto gjëndra janë të pranishme edhe në sistemin e frymëmarrjes, ndërsa krahas shfaqjes së inflamacioneve (p.sh. te astma), prodhohet sasi e madhe e mukusit.
Kjo teori krijon lidhshmëri në mes të konsumimit të qumështit dhe sasisë së rritur të prodhimit të mukusit në rrugët e frymëmarrjes, mirëpo shkencëtarët thonë se bëhet fjalë vetëm për një hipotezë. 

Re apo UFO?

Në shikim të parë duken si ‘pjata fluturuese’, ndërsa nëse shikoni më mirë, atëherë do të kuptoni se bëhet fjalë për re.
Disa rrathë të reve që krijohen lartë në atmosferë nxisin dyshime te njerëzit që nuk i kanë parë më herët.
Ato zakonisht formohen mbi pyje dhe për banorët e këtyre vendeve janë gjëra të zakonshme.
Mirëpo, njerëzit që nuk i kanë parë asnjëherë mendojnë se kanë parë objekte të paidentifikueshme fluturuese.

Është fotografuar me të gjithë të famshmit (Foto)

Një vajzë 16-vjeçare, e cila është fotografuar me rreth 5.000 personalitete të njohura, tashmë është bërë edhe vet e famshme.
Tinejxherja nga Los Angelesi që mban pseudonimin ‘Stalker Sarah’, ka arritur të fotografohet thuajse me të gjithë të famshmit që i njohim.
Ajo është e pranishme aq shpesh gjatë ceremonive të ndryshme, saqë edhe yjet e njohin me emër.
Sarah i publikon fotografitë e saj në rrjetin social Twitter dhe thuajse çdo ditë vendos fotografi të reja. E fshehta e suksesit të saj është se nuk është agresive kur iu afrohet yjeve.