Kriza greke sjell 200 milionë euro në Shqipëri

Kriza e borxheve në Greqi, e cila u përkeqësua në krizë politike dhe qeverisëse gjatë muajit të fundit, ka sjellë transferta të pazakonta financiare në Shqipëri, që për dy muajt e fundit kanë arritur në 200 milionë euro.

Lajmi bëhet i ditur nga burime nga sistemi bankar, të cilat shpjegojnë se këto transferta nuk kanë njohur rënie që nga fillimi i vitit.
Të njëjtat burime bënë të ditur më herët se për tremujorin e parë, transfertat nga Greqia në Shqipëri arritën në 510 milionë euro.
Në total, në vetëm pesë muaj, vlerësohet se emigrantët shqiptarë kanë riatdhesuar në atdhe rreth 700 milionë euro nga kursimet e veta që më parë mbaheshin në sistemin bankar të Greqisë.