Schulz: Serbia veproi në kundërshtim me negociatat

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë vizitës së tij në Strasburg është takuar me kryetarin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz dhe nënkryetarin Lazslo Surjan. Kryetari i PE-së, Martin Schulz vendimin e Beogradit, për t’i shpallur zgjedhjet në Kosovë i cilësoi në kundërshtim me negociatat e zhvilluara në Bruksel.
Në të dy takimet, kryetari Krasniqi falënderoi zyrtarët e PE-së për marrëdhëniet e mira që janë ndërtuar ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Kosovës, për rezolutat e miratuara në mbështetje të Kosovës, duke iu bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ta ndërmarrin një hap të tillë.
Krasniqi shprehu shqetësimin, sidomos, ndaj qëndrimit që Serbia po mban karshi Kosovës, duke mbështetur strukturat kriminale në veri, duke mos i zbatuar marrëveshjet e arritura dhe duke shpallur zgjedhjet e saj edhe në Kosovë, vendim ky të cilin kryetari Krasniqi e quajti agresion kushtetues dhe ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës.
Kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, tha se PE-ja vazhdon të mbajë lidhje të afërta me Kuvendin e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë, sikurse edhe në të kaluarën. Ai tha se perspektiva evropiane e Kosovës është e sigurt dhe se rruga e integrimit evropian të saj nuk ka asnjë kundërshtim. Megjithatë, Schulz tha se ende ka shumë punë për të bërë në këtë proces, ndërsa negociatat në këtë drejtim do të vazhdojnë.
Vendimet e djeshme të Beogradit, për t’i shpallur zgjedhjet në Kosovë, ai i cilësoi në kundërshtim me negociatat e zhvilluara në Bruksel.
Gjatë këtij takimi, prezent ishte edhe kryesuesi i Delegacionit të PE-së për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnjë - Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, Eduard Kukan.
Të mërkurën pasdite fillojnë punimet e takimit ndërparlamentar dhe përfundojnë nesër, me miratimin e një deklarate të përbashkët. 

Thaçi: Serbia po provokon konflikt

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi edhe njëherë ka shprehur qëndrimin kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës, duke shtuar se ky veprim i Serbisë po provokon një konflikt të hapur me shtetin e Kosovës, që mund të ketë pasoja për rajonin.
Ai këto komente i bëri të mërkurën gjatë hapjes së mbledhjes së Qeverisë.
Shefi i qeverisë ka shprehur qëndrimin kundër pretendimit të Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovës, që sipas tij, janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Fillimisht në emër të Qeverisë shpreh edhe njëherë qëndrimin e shtetit të Kosovës të institucioneve të Kosovës rreth pretendimit dhe tendencës së Serbisë për të organizuar zgjedhje lokale apo të përgjithshme në territorin e Republikës së Kosovës. Ne vazhdojmë të theksojmë fuqishëm se ky pretendim është në kundërshtim të plotë me ligjet e Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Por gjithashtu në kundërshtim të plotë me rezolutë dhe normat tjera ndërkombëtarë mbi të cilat është shpallur pavarësia”, ka thënë Thaçi, siç transmeton Kosovapress.
Për më tepër, ai ka shtuar se Qeveria e respekton parimin e dyshtetësisë për të gjithë qytetarët duke përfshirë këtu edhe qytetarët serbë.
Qeveria e vlerëson këtë pretendim si një përpjekje për agresion ndaj Kosovës, një pretendim për sjellje anti-evropiane në raport me shtetin e pavarur të Kosovës.
Thaçi ka shtuar se kjo bie ndesh me vlerat evropiane, me parimet e fqinjësisë së mirë dhe që ka tejkaluar angazhimet çfarë do të duhej të ndodhnin në relacionet e fqinjësisë së mirë dhe perspektivës evropiane të shteteve tona.
Prandaj, sipas kryeministrit Thaçi, Qeveria do të përdorë gjithë mekanizmat e vet kushtetues dhe ligjor që ky pretendim i Serbisë të mos realizohet në territorin e Kosovës as për zgjedhje lokale e as ato të përgjithshme.
Madje, ai thënë se, mbajtja e këtyre zgjedhjeve serbe hap një konflikt të ri me shtetin e Kosovës, që mund të ketë pasoja për gjithë rajonin.
“Të vetmet zgjedhje lokale do të organizohen nga institucioneve e vendit tonë dhe assesi nga asnjë vend fqinj. Serbia është duke provokuar një konflikt të hapur me shtetin e Kosovës që mund të ketë pasoja për të gjithë rajonin dhe angazhimet ndërkombëtare në rajon…”, ka thënë kryeministri.
Thaçi ka thënë se përgjigje ndaj këtij pretendimi do të jetë përdorimi i forcës kushtetuese dhe ligjore. 

Ndërkombëtarët kundër zgjedhjeve serbe në Kosovë

Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka deklaruar se shpallja e zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk është në pajtim me detyrimet ndërkombëtare të Serbisë dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kocijancic përmes një deklarate për media ka thënë se zgjedhjet janë një rast që qytetarët e Serbisë të realizojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të vendosin për fatin e vendit të vet, mirëpo sipas saj, zgjedhjet serbe në Kosovë nuk janë në pajtim me obligimet ndërkombëtare të Serbisë, e sidomos me Rezolutën 1244.
Mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe në Kosovë e kanë kundërshtuar fuqishëm edhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Përfaqësuesi special i BE-së për Kosovën, Samuel Zbogar, thotë se zgjedhjet lokale serbe mund ta përkeqësojnë situatën dhe jo të zgjidhin problemet.
“Bashkimi Evropian nuk ka fuqi që të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve askund. Por, ajo që dua të them është se asnjë problem nuk mund të zgjidhet me vendime unilaterale. Problemet mund të zgjidhen me dialog dhe konsultime. Organizimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë nuk do të na ofrojë ka dialogu, por do të përkeqësojë situatën”, thotë Zbogar.
Analistët politikë në Prishtinë, thonë se mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë është një përpjekje për forcimin e strukturave paralele serbe.
Më e zëshmja në këtë linjë, ishte qeveria gjermane, e cila sipas ambasadorit gjerman në Prishtinë, Ernst Reichel, vazhdon të mbajë qëndrimin për shuarjen e strukturave paralele serbe.
Gjatë një ligjërate ditë më parë në një universitet të Prishtinës, Reichel theksoi se edhe pse Serbia tashmë fitoi statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, çështja e institucioneve paralele serbe në veri do të kthehet tek ne dhe tek Serbia.
"Në fund është nevoja që të kemi një gjendje në Ballkanin Perëndimor ku Kosova nuk është më një pikë e konfliktit dhe debatit”, thotë ai.
Ndërkaq, i ngarkuari me punë i Ambasadës Gjermane , Mathias Kiesler, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nënkupton shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
“Ambasada Gjermane përshëndet paralajmërimin e kryetares së Parlamentit dhe Presidentit serb që zgjedhjet e planifikuara për t’u mbajtur më 6 maj, duhet të jenë në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Serbisë... Mirëpo mbajtja e zgjedhjeve komunale në Republikën e Kosovës do të nënkuptonte shkelje të së drejtës ndërkombëtare, e veçanërisht të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244. Është një hap i drejtë që Serbia, lidhur me këtë dëshiron të konsultohet me të gjitha institucionet e rëndësishme ndërkombëtare“, thuhet në qëndrimin e të ngarkuarit me punë në Ambasadën Gjermane, Mathias Kiesler, lidhur me paralajmërimet për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Ndërkaq, referuar një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Britanisë, ministri britanik për Çështje Evropiane, David Lidington ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë se zgjedhjet serbe në Kosovë ndalohen sipas Rezolutës 1244. Ai ka shtuar se në Kosovë nuk do të ketë një tjetër Republika Srpska, sepse gabimet e Bosnjës nuk do të përsëriten në Kosovë.
Edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë është shprehur për këtë çështje. Shteti shqiptarë vlerëson se zgjedhjet serbe në Kosovë cenojnë integritetin e vendit.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë vlerëson se vendimi i Beogradit për të mbajtur zgjedhjet edhe në disa komuna të Republikës së Kosovës është i paligjshëm dhe i të papranueshëm, pasi cenon integritetin e një vendi sovran”.
Në një komunikatë për media thuhet se këto zgjedhje nuk do të kenë asnjë efekt juridik dhe personat e zgjedhur nuk do të kenë autoritet ligjor. 

Carnegie Europe: Autonomi për veriun e Kosovës!

Ndarja e veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës mund të tejkalohet me autonominë për veriun e Kosovës, vlerëson fondacioni “Carnege Europe”.
Bashkimi Evropian duhet të inicioj bisedime më ambicioze në mes të Beogradit dhe Prishtinës, si dhe me përfaqësues të veriut të Kosovës, me qëllim që “përmes autonomisë rajonale të tejkalohet ndarja mes veriut dhe pjesëve tjera të Kosovës”, thuhet në një publikim të fondacionit.
Krijuesi i raportit, Stefan Lehne, ish-përfaqësues i Bashkimit Evropian në negociatat për statusin e Kosovës dhe ish-drejtor i Drejtoratit të Përgjithshëm të KE-së për Çështjet e Jashtme dhe ato Politiko-Ushtarake, theksoi se rezultati i këtyre negociatave trepalëshe duhet të "vendosë një kornizë gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit, përfshirë marrëveshjet e arritura dhe përfaqësimin diplomatik, me të cilin ruhen qëndrimet e ndryshme ligjore për statusin i cili ka marrë formë sipas modelit të marrëveshjes gjermano-gjermane të vitin 1972".
"Bashkimi Evropian duhet të fillojë procesin e emërimit të një emisari të nivelit të lartë që do të udhëheq bisedimet në lidhje me këtë", thotë ai në analizën e "Carnegie Europe".
Kjo, vlerëson autori, duhet të shpie deri te “ndalimi i kundërshtimit të Serbisë për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe njohjet e mëtejshme (të pavarësisë)".
Lehne mendon se plani katërpikësh për Kosovën i presidentit serb Boris Tadic, ka hasur në interesim të madh.
"Pjesa më interesante e kësaj iniciative – për çka zyrtarët perëndimorë në përgjithësi kanë reaguar mirë - është se me të braktiset koncepti i ndarjes, dhe ky mesazh në nivelin më të lartë mundet faktikisht të paraqes një fillim të madh të ri", thotë ai, për të shtuar se “në thelb të këtij propozimi është ideja e formimit të rajonit të Kosovës veriore, ndërsa bashkëbiseduesit serbë kanë mohuar se k6y është qëllimi i formimit të një Republike Srpska të re”.
"Ata thanë se qëllimi nuk është që të jetë një rajon i ri që ndërhyn në punët e Prishtinës, por që të reduktohet në mënyrën minimale ndërhyrja e Prishtinës në veri”, thuhet në tekst.
Në raport vlerësohet se situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar, dhe mosbesimet në mes të Beogradit dhe Prishtinës janë ende të mëdha, “për çka nuk duhet humbur kohë dhe, mbështetur në suksesin e marrëveshjeve të shkurt të 2012, BE-ja ka nevojë urgjente për të filluar një dialog më të plotë që do të adresoj çështjet në veri ku ka një shumicë serbe".
"Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, duhet ta emëroj një emisar të nivelit të lartë për të udhëhequr bisedimet”, thotë analisti i "Carnegie Europe".
Lene përfundon se "nëse serbët dhe kosovarët besojnë se në fund do të bashkohen në rrjedhën evropiane, ka gjasa të mëdha për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre". 

Bllokimi i eksporteve nga Kosova për në Shqipëri nuk i bënë nderë dy shteteve

Me ftesë të Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, OEK-un e vizitoi Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Nikolin Jaka me bashkëpunëtorë. Takimi ishte iniciuar nga Oda Ekonomike e Kosovës pasi ankesa e komunitetit të biznesit vendor janë çdo ditë e më të mëdha sa i përket eksporteve të produkteve kosovare në tregun e Shqipërisë.
Kryetari Gërxhaliu, theksoi se këto vështirësi janë më së të panevojshme dhe një formë e tillë e bashkëpunimit jo vetëm që e dëmton aspektin ekonomik në mes të dyja shteteve por edhe imazhin e te dyja shteteve përballë Brukselit dhe investitorëve të huaj. “Barrierat e tilla nuk mund të ngrisin atraktivitetin e Shqipërisë karshi investitorëve të huaj por të njëjtën kohë do ta dëmtojnë edhe pak at prodhim kosovar që mund të eksportohet qoftë në Shqipëri qoftë në vendet tjera”, u shpreh ai.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe afarist kosovarë të cilët i dëshmuan dokumentacionin faktik lidhur me atë se çka po ndodhë në eksportin drejt Shqipërisë.
Kurse kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka theksoi se problemi i eksportit të patateve të Kosovës është aktualizuar nga OEK-u. “Kemi menduar se një kapitull i tillë është i mbyllur, mirëpo për fat të keq një lojë e tillë është duke vazhduar edhe më tutje dhe në vend që bashkërisht të analizojmë mundësi për të ngritur nivelin e bashkëpunimit ne duhet të merremi me probleme që nuk është dashur të ekzistojnë”, tha ai.
Jaka theksoi se nuk e kupton se Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe shtetet tjera mund të pranojnë pataten e Kosovës pa asnjë problem dhe të vetmet sfida të paraqiten gjatë eksportit në Shqipëri.

Kosova pjesëmarrëse në forumin e ujërave

Kosova po merr pjesë në Forumin Botëror të Ujërave në Marsejë të Francës, ka njoftuar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, delegacionin ministror po e udhëheq Ministri Dardan Gashi, në këtë Forum Botëror, delegacioni i Kosovës është prezantuar me emrin Republika e Kosovës.
Ministri Gashi po ashtu morri pjesë në ceremoninë e hapjes së Forumit, ku marrin pjesë liderë nga të gjitha vendet e botës. Forumi i gjashtë me radhë po mbahet nën patronatin e presidentit francez, Nicolas Sarkozy, ndersa takimin të hapur e shpalli kryeministrit francez Fransoa Filou.
Në Forumin e gjashtë botëror për ujërat po marrin pjesë 140 delegacione ministrore dhe 800 bashkëfolës të paraqitur, organizata joqeveritare dhe përfaqësues të sektorit publik dhe privat.
Ministri Gashi prezantoi në Sesionin e nivelit të lartë të organizuar nga Ministria e Energjisë dhe Ujërave e Izraelit. Në atë sesion ministri Gashi foli për sistemin e ujërave të zeza dhe planet për ripërtëritjen e këtij sistemi në të ardhmen.
Ministri Dardan Gashi po ashtu po zhvillon takime bilaterale me përfaqësues nga shtete të ndryshme të Botës.
Forumi Botëror i Ujërave është një ngjarje e rëndësishme për mobilizimin e qeverive lokale dhe kombëtare nga të gjitha vendet e botës për t’i trajtuar sfidat e ujërave dhe sjellë këtë problem në të gjitha agjendat politike

SHBA, bankat e kalojnë testin

Rezerva Federale në SHBA raportoi në përfundim të mbledhjes një ditore se shumica e bankave amerikane kaluan me rezultate shumë të mira testin e përvitshëm të performancës. Raporti i testit konservator tregoi se sektori financiar amerikan ka kaluar pjesën më të vështirë të krizës që nisi tre vite më parë por tregoi paralelisht se ka probleme në të cilat përfshihet edhe gjiganti i industrisë Citigroup.
JPMorgan Chase raportoi përpara kohe rezultatet duke rritur stoqet amerikane, por dështimi për të marrë notë kaluese nga banka e tretë më e madhe në Amerikë Citigroup dhe nja valë goditëse.
Një pjesë e analistëve pas studimit të rezultateve thanë se kjo bankë mund të kishte shansin të dilte më mirë në provim. Ndërsa raporti zyrtar nga Rezerva tregoi se 15 nga 19 bankat e testuara kanë kapital të mjaftueshëm për të përballuar goditjet në skenarin e rritjes së papunësisë në 13 për qind dhe rënies së çmimit të pasurive të patundshme me 21 për qind.
Rezultatet e publikuara kanë hapur rrugën që bankat të përgatiten të shpërndajnë një normë më të lartë të fitimit apo të rinisin blerjen e stoqeve të shitura më herët në funksion të rritjes së kapitalit. Rezultati i testit ishte i ekuilibruar, në provimin që bëri rezerva la në klasë një numër të mjaftueshëm bankash për të treguar se provimi ka qenë serioz, pavarësisht ankesave të bankave për forcën e këtij provimi. Paralelisht me këtë test tregjet janë garantuar se industria bankare në shtetet e bashkuara gëzon shëndet të mirë.
Rezultate të dobëta në provim dhanë MetLife, që është kompania më e madhe e sigurimit të jetës në shtetet e bashkuara bashkë me Ally Financial dhe SunTrust. Ndër më të mirët ishte JPMorgan, banka me padurimin më të madh në Wall Street për të hequr prangat e rregullatorëve në lidhje me dividendin dhe riblerjen e stoqeve. 

Ligji i konkurrencës po zbatohet

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, tw mwrkuren mbajti dëgjim publik lidhur me zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Në këtë dëgjim publik, në të cilin morën pjesë përfaqësues të bankave vendore e ndërkombëtare, përfaqësues nga kompanitë e sigurimeve dhe komuniteti i biznesit, ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e KDI-së dhe të Odës Ekonomike Amerikane.
Kryesuesi, Lutfi Zharku, tha se grupi punues ka paraparë takime, dëgjime publike dhe vizita në teren, për të parë nga afër se cila është gjendja reale e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Komisioni, tha, Zharku, vlerëson se vërejtjet dhe propozimet do të jenë të dobishme për punën e Komisionit lidhur me monitorimin dhe zbatimin e Ligjit.
Përfaqësuesi i kompanisë së sigurimeve ”SIGKOS” Ibrahim Kastrati, vlerësoi se Ligji për mbrojtjen e konkurrencës është duke gjetur zbatim të kënaqshëm, por, sipas tij është e nevojshme që neni katër i ligjit të amendamentohet në konsultim edhe me Bankën Qendrore të Kosovës.
Vërejtje në zbatimin e Ligjit paraqiti edhe Fatbardh Makolli, nga kompania e sigurimeve “SIGURIA”. Ai vlerësoi se në nenin 37 të Ligjit mungon parimi i dyshkallësisë së gjykatave në shqyrtimin e lëndës në procedurë administrative.
Përfaqësuesi i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se për zbatimin e tij sa më të kënaqshëm duhet rritur kapacitetet e Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës (AKK). Zeka me këtë rast, po ashtu vlerësoi se gjatë licencimit të kompanive për pajisje me arka fiskale, ka pasur devijime ligjore sidomos për sa i përket çmimit shumë të lartë të tyre.
Në favor të rritjes së kapaciteteve të AKK-së, u shpreh edhe përfaqësuesja e KDI-së, Merita Mustafa, e cila po ashtu njoftoi se KDI-ja në shtatorin e vitit të kaluar ka bërë një Raport lidhur me zbatimin e Ligjit, dhe rekomandimet lidhur me të i janë dërguar Komisionit.

Përfitimet nga pronat komunale

Komuna e Lipjanit, në vitin 2006 ka dhënë në shfrytëzim për 99 vjet 20 hektarë tokë në zonën e quajtur “Qendra Industriale”, cila gjendet te magjistralja Prishtinë-Prizren dhe Prishtinë-Ferizaj.
Në vitin 2009, e njëjta komunë ka koncesionuar rreth 17 hektarësh të tjerë, nga të cilët kanë përfituar gjithsej 17 kompani.
Brenda tre vjetësh, nga kjo komunë janë koncesionuar 37 hektarë tokë gjithsej.
Shumica e operatorëve përfitues nuk kanë përmbushur detyrimet në bazë të kontratës, por ka kompani të cilave u është ndërruar pronari, gjë për të cilën zyra e prokurimit në Kuvendin Komunal të Lipjanit s’ka marrë informacion, raporton Rel.
Të paktën kështu pohon shefi i zyrës së prokurimit, Ragip Zejnullahu.

Llamkos GalvaSteel eksporton në Portugali

Llamkos GalvaSteel ka filluar me plasimin e produkteve të saja në tregjet ndërkombëtare. Sasia më e madhe e eksportit deri më tani është realizuar në Portugali. Një kompani portugeze ka kontraktuar një sasi fillestare prej 400 tonelatash llamarinë të zinkuar në dimensione të ndryshme dhe me paketim special.
Zyrtarët e kësaj kompanie kanë bërë të ditur se për të bërë të mundur përmbushjen e zotimeve kontraktuale, punëtoret e fabrikës Llamkos GalvaSteel kanë punuar në tre ndërrime duke përfshirë edhe vikendin, për të prodhuar sasinë e kontraktuar sipas kualitetit dhe standardeve të pranuara në Unionin Evropian.
Produktet finale tashmë janë rrugës për në Portugali. Fabrika e llamarinës ka transportin e saj të siguruar me anije nëpërmjet portit të Durrësit, Selanikut apo Barit për cilindo shtet të botës.
Llamkos GalvaSteel është prodhuesi më i madh i llamarinës së zinkuar në Kosovë dhe shtetet e rajonit.

Eurozona miratoi pakon e shpëtimit për Greqinë

Vendet anëtare të Eurozonës kanë miratuar zyrtarisht pakon e shpëtimit në vlerë prej 130 miliardë eurosh për Greqinë.
Kryeministri i Luksemburgut Zhan Klod Xhanker, që kryeson Eurogrupin dhe panelin e ministrave të financave të eurozonës ka njoftuar se pjesa e parë prej 39.4 miliardë eurosh do t`i jepet Athinës me “disa këste”.
Pakoja prej 130 miliardë eurosh vjen pas asaj në vlerë prej 110 miliardë eurosh që ishte miratuar për Greqinë në vitin 2010.
Shumica e parave nga pakoja e dytë pritet që të përdoren nga qeveria greke për të rikapitalizuar bankat e saj dhe për të ulur deficitin buxhetor. 

Gomez: Nuk mund të jem më i mirë se Messi

Sulmuesi i Bayern Munich, Mario Gomez, ka hedhur poshtë krahasimet me yllin e Barcelonës, Lionel Messi, pas katër golave të shënuar kundër Baselit në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve.
Bavarezët mposhtën skuadrën zvicerane me rezultat 7-0 për t’u kualifikuar në çerekfinale të garës evropiane, dhe sulmuesi gjerman shënoi katër gola, vetëm një javë pasi Messi shkroi histori duke shënuar pesë herë në fitoren 7-1 të Barcelonës ndaj Bayer Leverkusen.
“Kurrë nuk do të jem aq i mirë sa Messi dhe kurrë nuk do të përpiqem të jem. Ai është një lojtar krejtësisht ndryshe nga unë. Nuk e shoh atë si të barabartë me mua. E shoh atë si një futbollist të përkryer”, ka thënë Gomez.

Dalglish: Nuk di ta përshkruaj Gerrardin

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish thotë se ai nuk gjen fjalë të përshkruajë Steven Gerrard pas tregolëshit të mbrëmshëm ndaj Evertonit.
“Nuk jam aq i arsimuar për të shtuar më shumë se çfarë thonë të tjerët për Steven. Ai ka qenë fantastik për këtë klub futbolli”.
“Për një djalosh i cili u largua nga shkolla në moshën 15-vjeçare, fjalori im nuk është aq i pasur. Nuk ka mënyrë që mund t’i lartësoj meritat e Steven Gerrard dhe t’i bëj atij drejtësi”.
“Ai ishte fantastik sonte, por mendoj se edhe tre djelmoshat tjerë të vendit ishin po ashtu të mirë. Ata nuk luajtën keq. Ai është i pari që thotë se nuk do të kishte shënuar tre gola pa ndihmën e të tjerëve”, ka thënë Dalglish. 

Kaka: Nuk duhet nënvlerësuar CSKA

Sulmuesi i Real Madridit, Kaka, ka thënë se CSKA Moska nuk duhet të nënvlerësohet në prag të ndeshjes së kthimit të Ligës së Kampionëve.
“CSKA si skuadër do të jetë e rrezikshme. Ata na e vështirësuan neve në Moskë. Ne do të duhet të kemi kujdes pasi ata mund të na shkaktojnë probleme”.
“Këto sfida janë gjithmonë të vështira dhe ngazëlluese pasi ju luani një ndeshje në shtëpi dhe një tjetër në udhëtim. Është shumë motivuese për të luajtur në Ligën e Kampionëve”.
“Ne do të japim maksimumin të fitojmë kundër CSKA, pavarësisht rezultatit të parë. Ne gjithmonë e bëjmë këtë. Avantazhi i lojës në shtëpi do të jetë kyç. Publiku ynë, që gjithmonë na mbështet, vërtet mund ta bëjë dallimin dhe ne mund të tregojmë kreativitetin dhe luajmë dhe ta intensifikojmë lojën për ta fituar sfidën”, ka deklaruar Kaka. 

Moyes: Gabuam në mbrojtje

Menaxheri i Evertonit, David Moyes, thotë se gabimet defensive u kushtuar atyre me disfatë në derbin e mbrëmshëm ndaj Liverpoolit.
Steven Gerrard shënoi hat-trick për t’i dhënë Liverpoolit fitoren 3-0 që ishte fitorja e 217-të në derbin e qytetit.
“Ne pranuam tre gola të tmerrshëm. Ne i kontribuuam vetë disfatës tonë, por ju duhet të vazhdoni dhe të luftoni dhe Liverpooli e bëri këtë”.
“Ne kishim mundësi të dërgojmë pasime kyçe dhe nuk e bëmë, ata shënuan nga kjo. Ne ua dhuruam golin e dytë dhe të tretë. Ne ishim vetë fajtor për golat”, ka thënë Moyes.

Heynckes: Ishim të përkryer

Trajneri i Bayern Munich, Jupp Heynckes, është shprehur i ngazëllyer me paraqitjen e skuadrës së tij në fitoren 7-0 në Ligën e Kampionëve ndaj Baselit.
“Të gjitha meritat shkojnë për skuadrën. Mbi të gjitha ishte një ndeshje e përkryer. Sot ne luajtëm futboll të klasit nga fillimi deri në fund. Ne dolëm dhe bëmë atë çfarë duhej bërë: shënuam gol të hershëm”.
“Pas një goli avantazh, ne ishim shumë të mençur, të qetë, dhe me shumë aftësi. Pozicionimi dhe organizimi ishin shumë mirë dhe ne krijuam një kamp në pjesën e tyre. Isha shumë i kënaqur”.
“Goli i dytë dhe i tretë erdhi në një moment të mirë psikologjik. Baseli u demoralizua pas kësaj. Ne treguam se dëshironim ta kapim shansin dhe të vazhdojmë në çerekfinale”, ka thënë Heynckes. 

Gerrard i kënaqur me tregolëshin

Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, ka falënderuar bashkëlojtarët e tij për kontributin e tyre në hat-trickun e mbrëmshëm ndaj Evertonit.
Gerrard në veçanti ka lavdëruar paraqitjen e Luis Suarez, i cili ishte asistues në dy nga tre golat e anglezit.
“Të mposhtësh Evertonin gjithmonë është diçka e veçantë, dhe të shënoj tre gola është diçka edhe më e veçantë, por duhet t’i falënderoj bashkëlojtarët, veçanërisht Luis Suarez i cili i vendosi dy gola në pjatë për mua”.
“Ishte një paraqitje e shkëlqyeshme ekipore, një rrjet e pastër. Gjithçka që deshëm nga ndeshja e nxorëm”, ka thënë Gerrard. 

Terry: Na duhet një gol të hershëm

Kapiteni i Chelseat, John Terry, thotë se ata kanë nevojë për një gol të hershëm kundër rivalit të sotëm të Ligës së Kampionëve, Napolit.
“Do të jetë shumë vështirë. Nëse shikojmë ndeshjen e tyre të fundit, ku ata fituan 6-3, ne vërtet duhet të jemi të qëndrueshëm në mbrojtje”.
“Do të jetë një ekuilibër dhe komunikimi do të jetë kyç. Ata do të kenë shikuar videot tona dhe e dinë se ne mund t’i hapim skuadrat”.
“Ne mund t’i thyejmë skuadrat dhe vet të jemi të qëndrueshëm. Por një gol i hershëm dhe një fillim i mirë do të ishin gjëja e duhur për ne”, ka thënë Terry.

Ahmeti: Qeveria do ta pranoj statusin special për veriun

Veprimet e kryenegociatores kosovare, Edita Tahirit, kanë lënë të habitur edhe zyrtarët më të lartë të Brukselit, thotë nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, pas kthimit të tij nga Brukseli.
“Zonja Edita Tahiri nuk i përgjigjet ftesave të Kuvendit për të marr pjesë në Komisionin për Punë të Jashtme, nuk na i dërgojnë marrëveshjet në origjinal. Të gjitha këto kanë qenë të çuditshme për Komisionin dhe PE-në”, ka thënë ai për Kosovapress, duket theksuar se në Bruksel janë habitur kur kanë kuptuar se Tahiri nuk ka dhënë asnjë shpjegim për qytetarët për marrëveshjet e fundit të arritura në dialogun e Kosovës me Serbinë.
Sipas Ahmetit, Lëvizja Vetëvendosje para zyrtarëve më të lartë evropianë ka argumentuar kundërshtimin për kompromiset dhe koncesioneve të fundit. Sipas tij, qëllimi i BE-së ka qenë që Serbisë t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, pasi që të njëjtit mendojnë se Serbia llogaritet ende si rrezik për destabilizimin e Ballkanit.

Duke folur për mundësinë e fillimit të negociatave politike për veriun e Kosovës, Ahmeti ka thënë se dialogu i zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë asnjëherë nuk ka qenë teknik dhe se sipas tij, ky dialog përditë po shpie drejt autonomisë dhe statusit special për veriun.
“Kjo qeveri e brishtë, e cila nuk e ka përkrahjen e shumicës së popullit, për shkak se është e krijuar edhe me votën e minoriteteve, nuk e ka përkrahjen as për dialog e as për negociata. Patjetër se kjo qeveri mund të shkojë dhe të pranojë çdo gjë. Në qoftë se e kanë pranuar fusnotën, që ne kemi thënë se do ta pranojnë, besoni se nesër do ta pranojnë edhe statusin e veriut. Prandaj, është e domosdoshme të punohet këtu dhe t’ju thuhet qytetarëve se kjo po vjen. Mund të ketë pauzë për shkak të zgjedhjeve në Serbi më 6 maj, por në vjeshtë paralajmërimet janë se do të diskutohet për veriun”, ka thënë ai. 

Integrimi i Serbisë në BE varet nga Kosova

Problemi i Kosovës nuk dominon më politikën e Serbisë, nga bashkëpunimi me Teribunalin e Hagës mbetet përpunimi dhe hetimi i rolit të shërbimeve të sigurisë, dialogu me Prishtinën ka shënuar përparim të konsiderueshëm, ndërsa lufta kundër korrupsionit duhet të jetë temë qendrore për Serbinë, thotë raportuesi i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin.
Në pyetjen se çka do të ndodhë nëse Qeveria e Serbisë nuk përmirëson gjërat të cilat i ka kërkuar përmes një rezolute Parlamenti Evropian, Kacin ka thënë se Rezoluta bën sugjerime, lëvdata dhe kritika që kanë të bëjmë me temat e përgjithshme politike, siç është edhe dialogu me Prishtinën.
“Për të hapur negociatat, është e nevojshme që të vazhdoj dialogun me Prishtinën dhe të zgjidhet problemi i telekomunikacionit dhe sektorëve të energjisë, si dhe angazhimi në zbatimin e plotë të marrëveshjet e arritura”, ka thënë Kacin për “Vesti”.
“Është gjithashtu e nevojshme për të filluar punën mbi riintegrimin në Kosovë të komunitetit serb në veri të lumit Ibër dhe të përfundoj veprimtaria e strukturave paralele. Testi i parë do të vijë nga zgjedhjet lokale në Serbi. Mbetet për t'u parë nëse zgjedhjet do të shpallen edhe për autoritetet lokale në veri, dhe se a do të mbahen ato”. 

Rexhepi kërkon zbatimin e Rezolutës 1244

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka ripërsëritur se institucionet e Kosovës do të marrin masat e duhura për të ndaluar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës.
“Në koordinim me faktorin ndërkombëtar duhet të vazhdojmë t’i marrim masat që ato të mos ndodhin. Tek e fundi Serbia shpesh thirret në rezolutën 1244 dhe me Rezolutën 1244 zgjedhjet janë të paligjshme. Në këtë rast unë mendoj se edhe vet UNMIK-u, pavarësisht se në një mënyrë nuk ka rol operativ, duhet ta bëjë interpretimin e drejtpërdrejt edhe të saktë të Rezultues 1244 e cila në mënyrë decidive ndalon organizim të zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës”, ka thënë Rexhepi.

Eksportuam 18.7 milionë, importuam 131.5 milionë euro

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) gjegjësisht Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare publikoi Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin janar 2012. Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar për muajin janar 2012 prej 112.7 milionë euro krahasuar me deficitin prej 109.8 milionë euro me Janarin e vitit 2011.
Eksporti në muajin janar 2012 kishte vlerën 18.7 milionë euro, ndërsa importi 131.5 milionë euro, është një rënie prej 17.9% për eksport si dhe prej 0.9% për import krahasuar me Janarin e vitit 2011. Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit: 62.9% të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 10.7% produktet minerale, 5.5% produktet bimore, 4.6% plastikë,gomë dhe artikuj prej tyre, 4.3% ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, 3.9% tekstil dhe artikuj tekstili.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesor për import: 27.8% të importit e përbëjnë produktet minerale, 9.8% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 9.6% metale bazë dhe artikuj prej tyre, 8.8% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 7.0% produktet bimore, 6.7% mjetet e transportit, 6.7% produkte të industrisë kimike etj”, thuhet në komunikatën e ASK-së.
Përqindja më e madhe e eksportit për muajin janar sipas vendeve ishte në: Itali (28.7%), Shqipëri (12.3%), Zvicër (9.4%), Maqedonia (6.8%), Kina (5.3%), Gjermani (4.5%).
Ndërsa sipas të dhënave përqindja më e madhe e importit është nga: Maqedonia (14.5%), Gjermania (11.6%), Serbia (9.1%), Italia (8.0%), Turqia (6.8%), Kina (6.5%) etj.
Bashkimi Evropian me (39.9%) merre pjesë në eksportin e vendit tonë, kurse në import me (36.7%).
Nga të dhënat e muajit janar 2012 më së shumti kemi eksport mallrash përmes pikave kufitare: Hanit të Elezit (56.3%), Vërmicë (18.9%), Mitrovicë (8.5%) etj. Ndërsa import më së shumti kemi përmes pikës kufitare të: Hanit të Elezit (28.3%), Merdarës (17.6%), Inter Europa (16.9%), Vërmicës (16.9%).

Moratti: Ranieri mbetet deri në fund të sezonit

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, thotë se trajneri Claudio Ranieri është i sigurt edhe pas eliminimit të ekipit nga Liga e Kampionëve.
Interi fitoi 2-1 ndaj Marseille në ndeshjen e mbrëmshme, por edhe pse me rezultat të barabartë 2-2 nga të dyja ndeshjet, Nerazzurrët u eliminuan nga gara pasi skuadra kundërshtare shënoi një gol në udhëtim.
“Nuk është e drejtë ta vëni në pyetje Ranierin, ju duhet të shikoni edhe në atë se si shkoi ndeshja. Nëse ne kishim pësuar 3-0 atëherë po, por mendoj se Ranieri do ta drejtojë skuadrën deri në fund të sezonit”, ka thënë Moratti. 

NBA: Kobe dhe Bynum shkëlqejnë ndaj Grizzlies

Partneriteti i Kobe Bryant dhe Andrew Bynum vazhdon të shkëlqejë derisa dyshja e Los Angeles Lakers i sollën skuadrës fitoren 116-111 ndaj Memphis Grizzlies në kohën shtesë.
Bynum shënoi pikët më të larta të sezonit, 37, dhe kontribuoi me 16 kërcime, derisa Bryant shënoi 34 pikë, nëntë kërcime dhe pesë asistime, për t’i dhënë Lakers një nga fitoren e rralla në udhëtim kundër një skuadre të Konferencës Perëndimore.
Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për Los Angeles, që janë të tretët në Konferencë, me një ndeshje e gjysmë mbi të katërtin të rreshtuar, Memphis.
Marreese Speights ishte më i sakti te skuadra vendase me 25 pikë, derisa Marc Gasol shënoi 20 të tjera për Memphis, që ka 24 fitore dhe çon në 17 numrin e disfatave.

Stine dematon lidhjen me Ronelën

Këngëtari nga Shqipëria, Stine, ka demantuar lidhjen me Ronela Hajatin. Ai për Telegrafi ka thënë se nuk është e vërtetë që ka lidhje dashurie me këngëtaren.
Stine dhe Ronela ishin kapur të fotografuar duke u përqafuar me njëri tjetrin, dhe menjëherë kanë qarkulluar fjalë për një lidhje dashurie mes tyre, por ky lajm është përgënjeshtruar nga vet Stine.
Ai për Telegrafi ka thënë se ato fotografi janë bërë me një ditëlindje ku kanë qenë të ftuar që të dy, dhe ato përqafime kanë qenë shumë miqësore, sepse mes tyre nuk ka asgjë. Ata janë thjesht miq. 

Chris Martin nuk beson se Obama dëgjon muzikën e tij

Chris Martin nuk mund të besojë se muzika e tij dëgjohet nga Presidenti amerikan, Barack Obama.
Rokeri i grupit “Coldplay”, i cili është i martuar me aktoren Gwyneth Paltrow, thotë se ishte i tronditur kur Barack Obama i kishte thënë se ishte një tifoz i muzikës që bën ai.
“E kam takuar Barack Obamën gjatë verës dhe një gjë më tha, ‘Oh, i kam këngët tuaja në iPod timin’, por mendova ‘Oh, vë bast se ai ia thotë këtë çdo ylli të muzikës që e takon’”.
“Nuk mund ta heq nga koka mendimin se Presidenti i SHBA-ve do të ketë ndonjë prej këngëve të mia në play-listë, është thjesht sureale”, ka thënë Chris Martin.

‘Doggy style’, në një formë pak më ndryshe

Të gjithë e njohin mirë këtë pozitë dhe për shumicën e njerëzve është pozita më e pëlqyer, prandaj nuk do t’u kushtojë asgjë nëse nga tash e përdorni më shpesh, por në një formë pak më ndryshe.
Në vend se femra të qëndrojë në gjunjë dhe në shuplaka, duhet të përkulet me poshtë duke u tërhequr në gjunjë dhe bërryla. Mashkulli në vend se të bie në gjunjë, njërën këmbë duhet ta shtrijë përpara. Femra në këtë mënyrë do të forcojë bicepsin, kurse mashkulli kofshët.
‘Doggy style’ është njëra nga pozicionet e cila asnjëherë nuk do ta dalë jashtë modës. Në këtë mënyrë, mashkulli e kontrollon situatën, kurse në kombinim me një pasqyrë të madhe anash seksi mund të jetë shumë interesant dhe krijues. 

Pse je kaq e zbehtë?

Nëse shpesh dëgjoni këtë pyetje, dhe përveç kësaj ju plasin qoshet e buzëve, thonjtë thyhen lehtë, dhe rri gjithmonë e lodhur, atëherë ndoshta ju jeni anemik. Kujdes! Nëse nuk trajtohet, mund të paraqet rrezik për jetën.
Anemia ndryshe do të thotë pagjakësi. Kjo sëmundje ndikon në uljen e masës së eritrociteve në gjak, e cila përcillet me zvogëlimin e koncentrimit të proteinës së quajtur hemoglobinë. Zakonisht shkaktohet nga mungesa e hekurit.
Shumë probleme 
Problemi i deficitit të hekurit, paraqitet në rastet kur nuk absorbohet mjaftueshëm në organet e tretjes (p.sh. pas operacioneve) apo me rastin e humbjes më të madhe të sasisë së gjakut (p.sh. gjatë menstruacioneve). Sasia e hekurit mund të jetë më e vogël gjatë kohës së shtatzënisë apo gjatë rritjes së shpejtë. Mangësia e tij, po ashtu mund të jetë rezultat i të ushqyerit jo-adekuat. Nëse ju jeni duke humbur vazhdimisht hekur, atëherë kjo mund të tregojë se ndoshta keni problem me shëndet. Te shumica e të sëmurëve anemik vërehet: dobësimi, plogështia, rrahje të forta të zemrës dhe frymëmarrje e rënduar gjatë një pune të vogël. Tek femrat zakonisht kjo shprehet me kokëdhembje. Lëkura duket më e zbehtë.
Dieta adekuate
Mungesën e hekurit mund ta përmirësoni, duke përdorur dietë. Burim i mirë i hekurit është mishi, peshku, e verdha e vezës, perime me gjethe jeshile, patate, karota, rrepa, lulelakra, drithëra, fruta (sidomos kumbulla, kajsia, pjeshka, luleshtrydhja) dhe fruta të thata. Mirëpo, shpesh herë është e domosdoshme që hekuri të jepet në mënyrë orale, përmes pilulave.

Digjitalizohet Encyclopaedia Britannica

Një nga enciklopeditë më të vjetra dhe më të njohura, Encyclopaedia Britannica, në tërësi do ti adaptohet trendëve modern të kohës.
Presidenti i Encyclopedia Britannica, Jorge Cauz, publikoi se kjo enciklopedi më nuk do të jetë në dispozicion në version të shtypur por kryesisht si përmbajtje digjital përmes ueb faqes ose aplikacionit për iOS.
Cauz thekson se misioni asnjëherë nuk ishte vet mediumi në të cilin është e shkruar por informatat dhe të dhënat e besueshme dhe të azhurnuara si burim i diturisë për popullatën e gjerë. Enciklopedia botohet nga viti 1768 dhe është enciklopedia më e vjetër që është botuar pandërprerë në gjuhën angleze. Botimi fillestar kishte tri libra, derisa botimi i fundit i shtypur nga viti 2010 përbëhet nga 32 libra për përmbajtjen e të cilëve janë meritor mbi 400 bashkëpunëtorë.
Shitjen më të madhe Encycloaedia Britannica e pati në vitin 1990 me 120,000 kompletet të shitur, e pas kësaj kohe shitjen filluan të pakohen veçanërisht në kohën e dispozicionit të Internetit – çmimi i kompletit të versionit të fundit kushton 1,396 dollarë, ndërsa janë shitur krejtësisht 8,000 sosh derisa rreth 4,000 ndodhen në depo duke pritur pronarët e ardhshëm. 

YouTube punon shumë më shpejtë me IPKO?

Faqja e tretë më e famshme në botë, YouTube.com, e cila edhe në vendin tonë është shumë e përdorur nga të gjithë shfrytëzuesit e internetit, së fundmi duket se ka pësuar një ndryshim shumë pozitiv, mirëpo vetëm për ata që internetin e tyre e kanë të lidhur me IPKO.
Pas disa testimeve të cilat i kemi bërë për ta matur ndryshimin e shpejtësisë në YouTube, është parë se shkarkimi i videove ndodh shumë më shpejtë sesa më parë.

Më saktë, në testimin tonë është vërejtur se gjatë lëshimit të parë të videos, e njëjta fillon me shpejtësi më të mirë, të përmirësuar por megjithatë normale, ndërsa herën e dytë kjo video shkarkohet me një shpejtësi maksimale, e cila është vërejtur edhe nga përdoruesit e shumtë të internetit nga IPKO, të cilët po e komentojnë këtë ndryshim në rrjetet e ndryshme sociale.

Për t’i konfirmuar testimet tona dhe shpejtësinë e re me të cilën hapen videot e faqes YouTube, ne kemi tentuar të flasim me zyrtarët e kompanisë IPKO, mirëpo ata kanë refuzuar të komentojnë, pa e mohuar se një gjë e tillë është duke ndodhur.

Përdoruesit e shumtë të internetit nga IPKO me siguri se do ta testojnë edhe vet ndryshimin në YouTube, ndërsa ne presim na lexuesit tanë që komentet e tyre t’i ndajnë me ne. 

Ndalohet vdekja!

Kryebashkiaku i qytezës italiane, Falciano del Massico, ku jetojnë 4.000 banorë ka dhënë urdhër përmes të cilit e ndalon vdekjen.
La Stampa raporton se nga 5 marsi në të gjithë rajonin e kësaj bashkie, banorëve të këtij vendi dhe të gjithë atyre që e gjejnë veten aty, u ndalohet që ta kalojnë kufirin e jetës.
Urdhri është urgjent, ndërsa banorët e kanë pranuar me zemërgjerësi.
Nëse dikush nuk e respekton urdhrin, atëherë nuk dihet se ku do të varroset, sepse Falciano del Massico nuk ka varreza.
Problemi ka filluar nga viti 1964 kur Falciano u nda nga vendi i quajtur Carionola, ndërsa pjesëmarrësit në negociata kishin harruar që t’i ndajnë Falcianos edhe pjesën për varreza.
Që prej asaj kohe, pas ndonjë rasti vdekjeje, familjet kërkojnë rreth e rrotull për të varrosur të afërmit. 

E rreh sepse e godet me kukullën ‘Justin Bieber’

Një polic nga Denveri është arrestuar pasi e ka rrahur të dashurën e tij kur një zënkë mes tyre doli jashtë kontrolli.
E gjithë ngjarja është paksa komike, sepse 37-vjeçari Michael Nuanes ka pohuar se femra e kishte goditur me një kukull në formë të superyllit të tinejxherëve, Justin Bieber dhe ia ka lënduar këmbën.
Sipas raportit të policisë, vajza e ka hedhur kukullën dhe e ka goditur atë duke i shkaktuar mavijosje në këmbë. Veç kësaj, ajo ia ka kafshuar edhe gishtin.
Nga ana tjetër, femra e ka akuzuar të dashurin se pas kësaj e ka goditur në brinjë, e ka tërhequr për flokësh dhe e ka thyer derën e banjës ku ajo ishte fshehur dhe ka vazhduar ta rrahë.
Sipas Associated Press, Vajza ka treguar se arsyeja e zënkës ka qenë se në profilin e saj në Facebook ajo kishte shkruar se është në lidhje me policin, ndërsa këtij të fundit nuk i ka pëlqyer kjo. Sidoqoftë, ai do të paguajë 1.500 dollarë dënim për këtë incident. 

Ka vozitur 62 vjet pa kurrfarë gabimi

Afrika e Jugut e ka përshëndetur shembullin mahnitës të një gruaje 80-vjeçare, e cila ka vozitur 62 vjet pa marrë asnjë dënim në komunikacion.
Ministri i Transportit, Sibusiso Ndebele, i ka dhënë një certifikatë Hazel Soumas, për kohëzgjatjen e vozitjes së saj pa shkaktuar asnjë problem në komunikacion, në vendin ku brenda ditës humbin jetën shumë njerëz në aksidente trafiku.
“Vozitja pa gabime dhe shembulli i mrekullueshëm që e ka dhënë Souma, është dëshmi se mund ta ndërpresim masakrën në rrugët tona”, ka thënë ministri.
Jugafrikanët vozitin shumë rrezikshëm. Përveç aksidenteve fatale, rreth gjashtë milionë dënime janë shqiptuar vetëm në vitin e kaluar, ndërsa më shumë se 21.000 vozitës të dehur janë arrestuar.

Hakerët shqiptarë sulmuan ueb faqen e zgjedhjeve në Serbi

Hakerët me emrin "Hakerët e bashkuar shqiptarë, luftëtarë kibernetikë", kanë sulmuar faqen e internetit të Serbisë “izbori.org.rs”, dedikuar publikimit të informatave për zgjedhjet në Serbi.
Në mesazhin e lënë në sajt hakerët kanë porositur: "Fati juaj është të jeni pjesë e aksionit tonë. 'Shqiponjat në veprim ", njoftojnë mediat serbe.
"Kjo bëhet për arsyen e thjeshtë, ofendimet tuaja nuk po pushojnë... Ju jeni armiqtë e vetes suaj. E keni merituar këtë", theksohet në mesazh.
Në fund hakerët shqiptarë kanë vënë mbishkrimin Kosova Republikë. 

Lladrovci: Syla, përgjegjës për armët që nuk shkuan në Kosovë

Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, ka thënë javën e kaluar se në fillim të luftës së fundit në Kosovë, rreth 40 mijë marka gjermane ishin mbledhur në Gjermani dhe ishin dërguar tek përfaqësuesit e UÇK-së në Shqipëri, Azem Syla e Shaip Muja. Më pas kishte dëgjuar fjalë se ato para i kishte marrë Azem Syla, e më pas, se i kishte marrë Rexhep Selimi.
Selimi ka thënë për KTV se nuk i ka marrë ato para dhe as armët që është dashur të blihen me to. Sipas tij, ka qenë lista e armëve që është dashur të blihen, por që siç “fatkeqësisht asnjëherë as nuk janë blerë, ndaj edhe nuk kanë radhitur në Prekaz”.
Pas Selimit, edhe një ish figurë e UÇK-së, Ramiz Lladrovci, është deklaruar për këtë çështje. Ai nuk e ka përmendur emrin e Shaip Mujës, por të Azem Sylës.
"Unë me Lulzimin, djalin e Ademit jemi nis për Tiranë. Atje mijëra marka i janë dhënë njerëzve përgjegjës. Azem Syla e kishte këtë përgjegjësi për armët por ato siç dihet kurrë nuk shkuan në Kosovë”, ka thënë ai në një intervistë për RTK. “As në mars të vitit 1998 kur ra komandati (Jashari) dhe familja e tij"

Spanja do të mbaj deficitin nënkontroll

Objektivi i Qeverisë së Spanjës është që të respektojë rregullin buxhetor të vendosur nga udhëheqësit e Eurozonës tha ministri i Financave të Spanjës, Luis de Gindos.
Spanja do të angazhohet në respektimin e objektivit të deficiti publik për vitin 2012, vendosur nga partnerët e Eurozonës, me 5.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, theksoi ministri i Financave të Spanjës, Luis de Gindos.
Ai tha se Spanja është e angazhuar të respektojë rregullin buxhetor të vendosur nga zona euro dhe ky rekomandim do të pranohet nga Qeveria e Spanjës.
Të martën, ministrat e financave të Eurozonës pranuan lehtësimin e objektivit të reduktimit të deficitit buxhetor të Spanjës për këtë vit, që do të jetë 5.5 për qind të PBB-së nga 4.4 për qind.

Limak merr Grandin

Aventurave të privatizimit të Hotel Grandit pritet t’u japë fund kompania Limak nga Turqia. Burime të Express tregojnë kompania që e mori me koncesion Aeroportin e Prishtinës, do të deponojë garanci multimilionëshe për investime, të cilin e kërkon Agjencia Kosovare e Privatizimit. Kjo agjenci, pritet që sot ta marrë vendimin definitiv për këtë hotel.
Hoteli Grand i shpëtoi riprivatizimit. Në momentet e fundit, kompania turke Limak duket se do të jap garanci në Agjencinë Kosovare të Privatizimit se do të investojë miliona euro në këtë ndërmarrje, të privatizuar me spin-off special pesë vjet më parë.
Anëtarë të Bordit të AKP-së i kanë thënë Gazetës Express se kjo kompani i ka dalë krah pronarit aktual, Zylqif Berisha, për ta shpëtuar Grandin, në të cilin ai kishte premtuar se do t’i investonte mbi 20 milionë euro, por që nuk ia kishte arritur, çka e shtyu AKP-në që të mendojë për ta ritenderuar këtë ndërmarrje.
“Zylqifi ka qenë duke e pritur një konfirmim nga Limaku, të cilët për shkaqe teknike nuk kanë mbërritur me kohë, që do të jetë bashkinvestues në të ardhmen në Hotelin Grand”, ka thënë anëtar i Bordit të AKP-së, në kushte anonimiteti për Express.

Kastrati Group hap qendër të Bowllingut në Pejë

"Kastrati Group”, hap qendrën më ekskluzive të Bowllingut në Rajon me lokacion në qytetin e Pejës, me hapësire rreth 1300 metra katrorë e cila përfshin 8 linja sinteike dhe 2 linja V.I.P, me pajisje të cilat janë nga Amerika.
Hapja e kësaj qendre e cila është e para në Pejë do jetë sot (14 mars) nga ora 11:00, duke vazhduar edhe me një mbrëmje madhështore, ku do jenë të ftuar personalitete të ndryshme.
I pranishëm në hapjen e “Kastrati Bowlling” do të jetë Brian Voss, njëri nga 10 lojtarët më të mirë të botës në bowlling, i cili do ju befasojë me një show të përgatitur enkas për këtë ceremoni.
Brian Voss do të jetë i pranishëm për dy ditë me radhë, ku do keni mundësinë të dini më shumë rreth lojës së bowlingut nën tingujt e një bende muzikore që do të performojë live për argëtimin tuaj. 

Dalglish krenar me fitoren në derbi

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, është i ngazëllyer me fitoren ndaj Evertonit dhe thotë se më në fund ata po shpaguhen për paraqitjet e mira.
“Mendoj se ishte një paraqitje fantastike – rezultati reflektoi paraqitjen. Për ne, jemi të ngazëllyer që së paku na u shpagua paraqitja këtu”.
“Është një prej shumë fitoreve që kemi pasur këtu, por ne u shpaguam për mundin që kemi dhënë sonte”.
“Gjithmonë është bukur kur ju luani mirë dhe fitoni. Ndonjëherë është edhe më mirë kur ju luani keq dhe sërish fitoni tre pikë por kjo nuk ka ndodhur te ne shpesh këtë sezon”, ka thënë Dalgish. 

Seldi së shpejti me “Çika e zemrës”

Këngëtari Seldi Qalliu së shpejti do të vijë me një këngë të re, kësaj radhe solo. Kënga titullohet ‘Çika e zemrës’.
Kjo këngë pas dy javësh do të shoqërohet edhe me videoklip të realizuar nga Max Production.
Ditë më parë ishte paralajmëruar se Seldi do t’i bashkëngjitet konkurrentëve në “Dancing with the stars”.

Pauzon nga festivalet

Këngëtarja Flaka Krelani, ka vendosur që gjatë këtij viti të mos marrë pjesë në asnjë festival qoftë në Kosovë apo edhe në Shqipëri.
Ajo e arsyeton këtë me angazhimin e saj në studime dhe realizimin e disa planeve që kanë të bëjnë me sektorin e ekonomisë, profesion të cilin është duke e studiuar, shkruan ‘Zëri’.
“Punët në profesionin të cilin jam duke e studiuar po më marrin mjaft kohë, andaj nuk po mund të jem aktive edhe në fushën e këngës. Madje, kam vendosur që këtë vit të mos jem pjesëmarrëse në asnjë festival”, ka thënë Flaka.

Ancelotti: Chelsea do të sulmojë nga fillimi

Trajneri i PSG, Carlo Ancelotti, pret që Chelsea të sulmojë Napolin që nga fillimi gjatë ndeshjes së sotme të Ligës së Kampionëve.
“Duke marrë parasysh disavantazhin 3-1, Chelsea do të përpiqet që nga fillimi me një tempo të lartë dhe agresivitet që nga minutat e para, që mund ta trembin Napolin”.
“Klubi anglez nuk ka kaluar nëpër një periudhë të mirë, të cilën e pamë edhe në ndeshjen e parë. Napoli ka një avantazh dhe mund t’i shfrytëzojë karakteristikat më të fuqishme, të cilat janë kontrolli defenziv dhe kualiteti i sulmuesve të tyre në kundër-sulme”, ka thënë Ancelotti.

Beckham ta joshë Seedorfin te LA Galaxy

Mesfushori i Milanit, Clarence Seedorf, mund ta vazhdojë karrierën në kampionatin amerikan të futbollit, MLS.
Kontrata aktuale e Seedorf me Milanin skadon në fund të qershorit dhe deri tash nuk ka pasur ndonjë tentativë nga klubi italian për të diskutuar rinovimin.
MilanNews.it shkruan se ish-bashkëlojtari i Seedorf te Milani, David Beckham, ka vendosur kontakte me holandezin për një transferim të tij te LA Galaxy dhe është duke vepruar në mënyrë aktive si ndërmjetës për të bindur 35-vjeçarin t’i bashkohet atij te skuadra amerikane në fund të sezonit.

Zanetti: Tash të rikthehemi në LK

Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, thotë se ata tash duhet të fokusohen në Serie A dhe të sigurohen që të rikthehen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Interi fitoi 2-1 ndaj Marseille në takimin e mbrëmshëm, por u eliminua falë rregullës së golit në udhëtim.
“Ne duhet të mendojmë për kampionatin dhe të japim më të mirën për të përfunduar sa më lartë. Nuk do të jetë e lehtë, pasi sonte ishte një goditje e fuqishme. Por do të përpiqemi”.
“Tifozët janë të zemëruar, siç jemi edhe ne. Ne të gjithë e deshëm kualifikimin. Ka qenë një sezon i vështirë, por tash do të përpiqemi të përfundojmë sa më mirë që mundemi. Ne duhet të përfundojmë të tretët”, ka thënë Zanetti.

Ranieri: Nuk mund të kërkoja më shumë nga lojtarët

Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, thotë se ata dhanë gjithçka në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve ndaj Marseille pavarësisht se u eliminuan.
“Kjo e përshkruan sezonin tonë. Mbase ne luajtëm më mirë në të dyja ndeshjet, por pranuam dy herë nga ndërprerjet edhe pse kishim shanset më të mira”.
“Mendoj se gjatë 180 minutave ne lejuam tre goditje në portë, por skuadra që shënon golat është ajo që fiton, andaj komplimente për Marseillen”.
“Ne nuk kemi mundur të bëjmë më shumë. Ne ishim të tendosur në 20 minutat e para pastaj u çliruam ca dhe nuk kishim shanse të luajmë për sulmuesit tanë”.
“Është për të ardhur keq, pasi djelmoshat dhanë gjithçka që mundën. Ne duhet të gjejmë motivimin tash, pasi edhe nëse eliminohemi, skuadra dëshmoi se mund të japë 100 për qind dhe ne do ta shohim çfarë mund të bëjmë në Serie A”, ka deklaruar Ranieri.

Cavani i gatshëm për Chelsean

Sulmuesi i Napolit, Edinson Cavani, mezi pret të dalë në Stamford Bridge për ndeshjen e sotme të Ligës së Kampionëve.
“Është e vërtetë se tashmë kam shënuar kundër Cityt, por objektivi im është të kalojmë në çerekfinale, nuk është me rëndësi me kënd përballemi”.
“Chelsea është një skuadër e fuqishme, por ne kemi punuar për këtë për një kohë të gjatë dhe do të jemi të gatshëm për këtë. Do të jetë një moment i mrekullueshëm kur arbitri të fishkëllejë për fillimin e takimit. Ne do të përpiqemi ta ndjejmë këtë moment, pavarësisht rezultatit”.
“Pres të shoh të njëjtin ekip të fuqishëm të Chelseat me të cilin u përballëm në San Paolo. Ne tashmë kemi luajtur në Angli kundër një skuadre të fuqishme me tifozë të pasionuar. Ne duhet të jemi të kujdesshëm, pasi Arsenali dëshmoi se gjithçka mund të ndodhë”, ka thënë Cavani.

KFOR-i s'bën marrëveshje me serbët në veri

Zëdhënësi i KFOR, Uwe Nowitzki, ka thënë se nuk ka asnjë marrëveshje për qarkullimin e lirë mes misioneve ndërkombëtare dhe serbëve në veri të Kosovës.
"Marrëveshja nuk ekziston dhe asnjë marrëveshje nuk ka pasur as në të kaluarën”, u ka thënë ai gazetarëve, duke demantuar deklaratën e deputetit ilegal të komunës paralele të Zvaçanit, Stevan Radovanovic.
"Për ne është e çuditshme se si një nëpunës nga veriu i Kosovës jep deklarata në media, e ajo deklaratë menjëherë publikohet dhe botohet pa vërtetimin e palës tjetër”, shton ai.
Nowitzki thotë se përfaqësuesit e KFOR-it janë larguar nga takimi i së premtes së kaluar, kur deputetët ilegalë të Zveçanit kërkonin të flasin vetëm për renditjen e lëvizjes së KFOR-it, përfshirë numrin e makinave të EULEX-it, e madje edhe planifikimin ditor për këtë.
"Kjo është e papranueshme. KFOR ka një mandat për të siguruar lirinë e pakushtëzuar të lëvizjes", tha ai, duke potencuar se KFOR-i nuk negocion e as nuk do të negociojë asgjë në lidhje me lirinë e lëvizjes.
KFOR-i i pranon protesta paqësore, por barrikadat janë kundër ligjit të përditshëm. Liria e lëvizjes, thotë zëdhënësi Nowitzki, është e nevojshme që EULEX-i ta përmbushë misionin që ka.
Por, zëdhënësi i KFOR-it nuk e kupton shqetësimin e serbëve në lidhje me ndërrimin e tabelave dhe dokumenteve personale të tyre me ato të shtetit të Kosovës.
"Nëse kjo është e vërtetë, atëherë është befasi për ne. Unë do të doja t'ju kujtoj se ekziston një marrëveshje e arritur mes Beogradit dhe Prishtinës, ndaj të cilit të gjithë mund të kenë qasje, ta themi në faqen zyrtare të internetit të qeverisë së Serbisë, ku qartë thuhet se ‘të gjithë pronarët e makinave që jetojnë në Kosovë përdorin tabelat RKS ose KS’. Vetëm këtë duhet ta lexoni”, porositi Nowitzki, transmeton B92. “Pse Qeveria e Serbisë e fut këtë marrëveshje në ueb-faqe nëse nuk pajtohet me këtë”. 

Drews: Nuk merremi me zgjedhjet lokale serbe

KFOR-i duhet ta garantoj lirinë e lëvizjes dhe sigurinë për të gjithë qytetarët, si dhe të ndihmoj në funksionimin normal të pikëkalimeve kufitare. Çështja e zgjedhjeve lokale nuk na intereson dhe nuk do të merremi me këtë, ka thënë komandanti i KFOR-it, Erhard Drews.
“Liria e lëvizjes në pjesën veriore të Kosovës është duke u përmirësuar. Megjithatë, derisa nuk do të ketë liri të plotë të lëvizjes për të gjithë njerëzit në veri të Kosovës, ne nuk mund të jenë të kënaqur”, thotë Drews për Blic, për të shtuar se largimi i barrikadave ndikon në jetët e njerëzve.
Gjenerali Drews shton se nuk ka informata për zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, dhe se e njëjta vlen për hetimet përkitazi me djegien e Jarinjës. Ndërsa, për rrugët ilegale drejtë Kosovës thotë se KFOR-i i vëzhgon ato dhe se i kontrollon veturat për ta parandaluar kontrabandën.
Kur është fjala te krimi organizuar, Drews potencon se kjo është çështje e Policisë së Kosovës dhe e EULEX-it. Ndërsa, në pyetjen e gazetarit se “organizatat ndërkombëtare kanë vlerësuar se Kosova është vendi kryesor i transitit të drogës”, gjenerali gjerman përgjigjet: “Më lejoni të them se unë personalisht nuk kam parë asnjë dëshmi se Kosova është stacioni më i madh i transitit të drogës”.
Sipas tij, problemi më i madh në Kosovë është i njëjtë me tërë rajonin: sfidat ekonomike dhe papunësia. Ndërsa, demanton gazetarin kur pyet nëse Kosova mund të rrezikohet nga organizatat e huaja terroriste, duke thënë se shoqëria kosovare është liberale në aspektin fetar dhe se nuk është e hapur ndaj grupeve radikale fetare. 

Tripi* i Editës për 8 mars ia merr 50 mijë euro buxhetit

Ndaj grave të Zyrës së Kryeministrit është treguar zemërgjerë për 8 Mars Edita Tahiri, por pa prekur në kuletën e saj. Ka prekur në të shtetit.
Diku 50 mijë euro është kostoja publike e shpenzuar për tripin në Shqipëri të autorizuar nga zëvendëskryeministrja Tahiri, si dhe për ekipin e saj mbështetës.
Pjesë e tij ishin 36 femrat që punojnë në zyrën më me rëndësi të ekzekutivit. Të enjten kishin mbërritur në Tiranë, e të dielën pasdite qenë kthyer në Prishtinë, njofton “Koha Ditore”.
Nga atje kanë postuar fotografi në rrjetin social Facebook, madje nga Mali i Dajtit, ku nga Tirana shkohet me teleferik.
Gratë e Qeverisë jo veç që nuk kanë pasur nevojë të fusin dorën në xhep gjatë kësaj vizite, por ato kanë realizuar edhe të ardhura shtesë. Ndonëse ishin pjesë e një tripi, secila nga to ka realizuar nga dy mëditje. E tarifa për një mëditje të udhëtimit zyrtar në Shqipëri është 209 euro.
Njëra nga pjesëmarrëset ka treguar në kushte anonimiteti arsyen e vetme që i ishte bashkëngjitur tripit.
“Veç për mëditje shkova”, ka treguar ajo. “Mëditjet në Shqipëri janë të mira, se përndryshe nuk i kisha lënë tri net fëmijët vetëm”. 

Të hënën vendoset për deklaratat dhe ditarët e X-it

Trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë ka vendosur ta shtyjë seancën gjyqësore për rastin “Kleçka” deri më 19 mars, ku pritet të marrë vendim për pranueshmërinë ose jo të deklaratave dhe ditarëve të Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari “X”.
Tahir Rrecaj, avokat mbrojtës i deputetit Fatmir Limaj, ka deklaruar për “Epokën e Re” se sipas argumenteve që ka ofruar pala mbrojtëse për rastin “Kleçka’, do të duhej të shpallen të pavlefshme deklaratat dhe ditarët e “X”-it.
Rrecaj ka bërë me dije se trupi gjykues do t’i ballafaqojë argumentet e prokurorit Mauricio Salustro me ato të palës mbrojtëse përkitazi me deklaratat dhe ditarët e ish dëshmitarit “X”, dhe të hënën do të merret vendimi.

Japin “përgjegjësi” vetëm katër policë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka ndërmarrë masa ndëshkimore ndaj katër pjesëtarëve policorë, të cilët kanë përdorur forcë të tepruar mbi protestuesit në demonstratën e 14 janarit të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në dy pikat kufitare, Merdar dhe Dheu i Bardhë.
Gazeta “Zëri”, ka mësuar se IPK ka ardhur në përfundim se njëri nga katër zyrtarët policorë ka kryer vepër penale, derisa tri rastet e tjera i ka dërguar për hetim te Njësiti i Standardeve Profesionale që vepron në kuadër të Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, drejtues të Njësitit të Standardeve Profesionale kanë konfirmuar për “Zërin” se deri në fund të kësaj jave do të përfundojnë hetimet ndaj zyrtarëve policorë, të cilët dyshohet se kanë ushtuar dhunë mbi qytetarët në demonstratën e 14 janarit në Merdar.
“IPK ka dërguar vetëm dy raste te Standardet Profesionale të Policisë, ndaj të cilave jemi në përfundim të hetimeve. Besoj se deri të premten do të përfundojë gjithçka rreth këtyre dy rasteve, dhe ditën e hënë do të dihet saktë vendimi që do të merret nga Standardet Profesionale”, ka thënë drejtori i këtyre standardeve, Isa Hyseni.
Ai nuk ka bërë të ditur emrat e këtyre dy zyrtarëve policorë që janë duke u hetuar, porse ka thënë se nuk bëhet fjalë për zyrtarë policorë me grada të larta. “Janë policë të rendit dhe nuk janë të graduar, të cilët po hetohen për veprimet e tyre në protestën e 14 janarit në pikën kufitare në Merdar”, ka thënë Hyseni.
E pikërisht për ngjarjet e 14 janarit, Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri i Kuvendit të Kosovës i ka kërkuar kryeshefit të IPK-së, Fitim Shishani që deri më datën 13 mars (e martë) të dorëzojë zyrtarisht një raport të detajuar rreth përdorimit të forcës nga pjesëtarët e uniformuar policorë.
Vetë kryeshefi Shishani i ka konfirmuar gazetës se ka hartuar raportin dhe ai i është dorëzuar Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, por edhe ministrit të Rendit, Bajram Rexhepi.
“Ka përfunduar puna në hartimin e raportit, i cili flet për ngjarjet e 14 janarit në dy pikat kufi tare te Dheu i Bardhë dhe Merdar, dhe ai i është dorëzuar Komisionit për Punë të Brendshme, dhe ministrit Rexhepi”, ka thënë ai.
Shishani nuk ka dhënë detaje rreth përmbajtjes së raportit, por ka theksuar se është hartuar në mënyrën profesionale dhe të paanshme, derisa ka shprehur gatishmërinë që të raportojë para komisionit kurdo që një gjë e tillë i kërkohet.
Mirëpo, njëri nga anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti se raporti është skandaloz, për faktin se nuk është i hartuar në mënyrë profesionale dhe të paanshme, ashtu sikurse është zotuar kryeshefi Fitim Shishani.
“Raportin e kemi marrë, por ende nuk e kemi shqyrtuar në Komision. Nga ajo që pashë në pika të shkurtra vërtet ishte skandaloz dhe nuk pasqyron veprimet reale dhe dhunën që kanë ushtruar pjesëtarët e policisë në protestën e 14 janarit në dy pikat kufitare: Dheu i Bardhë dhe Merdar”, ka thënë njëri nga anëtarët e Komisionit.
Ndërkaq, Anton Çuni, anëtar i komisionit nga radhët e LDK-së, nuk ka dashur të komentojë përmbajtjen e raportit të IPK-së, i cili “mat” veprimet e zyrtarëve policorë. “E kam shfletuar në mënyrë sipërfaqësore, porse ditën e premte do të shqyrtohet nga komisioni dhe më pastaj do të dalim me një qëndrim”, ka thënë ai.
Ngjashëm është shprehur edhe kolegu i tij opozitar, Rexhep Selimi i Vetëvendosjes, subjekti i të cilit ka organizuar protestën e 14 janarit, i cili nuk ka dashur të paragjykojë përmbajtjen e raportit të hartuar nga kryeshefi i IPK-së, Shishani.