Prerja ilegale problemi për pyjet

Projekti i binjakëzimit i BE-së “Mbështetje e mëtejshme e menaxhimit të qëndrueshëm të pylltarisë” ka përfunduar fazën e parë të implementimit në Kosovë. Në qendrën informative dhe kulturore të BE-së në Prishtinë, u prezantuan rezultatet fillestare të implementimit të këtij projekti, kohëzgjatja e të cilit është 24 muaj.
Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se përkrahja e ofruar nga donatorët në sektorin e pylltarisë është duke ndikuar në fuqizimin dhe afrimin e këtij sektori me vendet e BE-së, por gjendja në këtë sektor qëndron ende larg asaj çfarë dëshirojmë. “Natyrisht se nuk është e lehtë, për shkak të asaj çfarë ka ndodhur në të kaluarën, por ne i kemi vënë hapat e parë drejtë përmirësimit, megjithëse gjendja në këtë sektor akoma nuk është e mirë”, theksoi Stavileci.
Ai ka thënë se prerjet ilegale vazhdojnë të jenë problemi kryesor në sektor me të cilin po ballafaqohen komunat dhe ministria.
Ndërsa, Christof Stock nga Zyra Ndërlidhëse e KE-së në Prishtinë, tha se nga përvoja që ka pasur në vende tashmë anëtare të BE-së, projektet e ngjashme kanë qenë modeli më i mirë për ristrukturimin dhe menaxhimin e sektorit të pyjeve. “Projekti për fokus ka ngritjen e kapaciteteve të ministrisë dhe institucioneve të tjera që menaxhojnë me pyjet. Komunat tashmë kanë rol më të madh në mbrojtjen e pyjeve dhe mbrojtja e tyre është ndër pikat më të rëndësishme për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve. Ne tani po hyjmë në fazën e dytë të implementimit të projektit dhe duhet të bëjmë përpjekje shtesë, në mënyrë që projekti të jetë i suksesshëm” deklaroi Stock.
Projekti i binjakëzimit i BE-së “Mbështetje e mëtejshme e menaxhimit të qëndrueshëm të pylltarisë” ka filluar të implementohet në nëntor të vitit 2010 dhe ai është duke u menaxhuar nga Zyra Ndërlidhëse e KE-së në Kosovë.
Deri më tani kanë përfunduar vlerësimet e situatës fillestare në nëntë komponentët e projektit, pra në komponentin e rrjetit rrugor të pyjeve, në atë të prerjeve ilegale, në zhvillimin e fidanishtes pyjore, në menaxhimin e parkut nacional dhe biodiversitetit, në menaxhimin e zjarreve pyjore, menaxhimin e gjuetisë dhe shtazëve të egra, në fuqizimin e pronarëve privat pyjor, në bioenergjinë nga masa drusore dhe në ndërtimin e kapaciteteve në administratën pyjore.
Në shumicën prej këtyre komponentëve ka filluar implementimi i planeve të veprimit, ndërsa për disa prej tyre ende janë duke u hartuar politikat dhe strategjitë përkatëse. Po ashtu, deri më tani janë realizuar edhe gjashtë vizita studimore, janë implementuar tre masa të parapara për punë praktike, janë trajnuar 35 ekspertë kosovarë në shtetet anëtare të BE-së dhe kanë përfunduar 680 ditë pune të ekspertëve nga Italia, Bullgaria dhe Austria nga gjithsej 1400 ditë pune të parapara me projekt.
Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 3 milionë euro, ndërsa kontributi i BE-së është gjithsej 2.7 milionë euro.

Pranojnë komplotin për sulmin ndaj Bursës së Londrës

Në Britani të Madhe katër persona që përshkruhen si islamistë kanë pranuar në gjykatë se kanë planifikuar që të shpërthejnë një bombë në Bursën e Londrës në vitin 2010.
Muhamed Çovdëri, Shah Rahman, Gurukant Desai dhe Abdul Miah kanë pranuar të mërkurën, se janë angazhuar në kryerjen e përgatitjeve për akte terrorizmi.
Pesë persona tjerë janë deklaruar fajtorë për vepra tjera terroriste në lidhje me komplotin, dhe që të nëntit pritet të dënohen në javën e ardhshme.
Të nëntit janë me nënshtetësi britanike dhe autoritetet thonë se grupi përbëhet nga anëtarë nga grupe të ndryshme ekstreme islamike.
Fillimisht të akuzuarit kishin sfiduar akuzat, për t’u deklaruar më vonë vetë se janë fajtorë. 

Martesa 80 vjeçare

Pasi festuan 80 vjetorin e martesës, amerikanët Wilbur dhe Teresa Faiss, nga Las Vegas, janë shpallur çifti me jetën më të gjatë bashkëshortore në SHBA.
Familjarët e çiftit Faiss njoftuan zyrtarët e Bashkësisë botërore për martesat më të gjata. Wilbur, i cili është 100 vjeç, u befasua kur mori mirënjohjen, ndërsa gjatë një interviste për rrjetin televiziv KVVU, deklaroi se nuk ka e ka menduar kurrë se një ditë do të fitojë këtë çmim.
Kohë më parë, gjatë një vizite në Nevada, Presidenti amerikan Barack Obama kishte planifikuar të përmendte çiftin Faiss në fjalimin e tij, por pasi Wilbur dhe Teresa nuk kishin mundur të udhëtonin deri në vendin ku po mbaje fjalimi, ekipi i Obamas fshiu emrat e tyre.
Megjithatë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thirrën Teresan dhe Wilburin dhe u premtuan atyre se do të organizojnë një takim me presidentin.
Të pyetur se cili është sekreti i jetëgjatësisë së martesës, ata u përgjigjen se nuk ka kurrfarë sekreti, porse e tërë martesa funksionon sipas parimit të respektit, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe kompromisit.

Elvana premton një verë të ‘nxehtë’

Elvana Gjata, e cila vitin e kaluar ishte shumë aktive në muzikë, ka pohuar se këtë vit do të angazhohet edhe më shumë.
Këngëtarja nga Shqipëria ka pohuar në rrjetin social Facebook se vera e ardhshme do të jetë edhe më e nxehtë dhe më e bukur se nga ajo që e lamë pas.
Elvana vitin e kishte publikuar albumin e saj “Afër dhe larg” i cili ka arritur mjaft sukses. Ajo gjithashtu ka paralajmëruar se së shpejti do të publikojë videklipin e këngës “Gjaku im”.

KKRT: Babastars bëjnë thirrje për përdorim të drogës

Drejtoria e Programeve në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit (KKRT) në Shqipëri, ka arritur në përfundim se video “High” nga Tingulli 3nt dhe Skillz si nga përmbajtja, pamjet, koha e transmetimit, gjuha, gjestet dhe fjalori i përdorur në një pjesë të konsiderueshme të këtij videoklipi cenojnë të drejtat, edukimin dhe shëndetin moral e mendor të fëmijëve dhe moshave të reja.
“Në videoklip paraqiten të mbjella me lëndë narkotike ku bëhet thirrje për konsumimin e saj. Teksti i këngës bën thirrje për, konsumimin e “hashashit”, dhe e paraqet një veprim të tillë si një gjest për t’u marrë shembull. Në këtë këndvështrim, transmetimi i kësaj videoje ka shkelur normat morale dhe etike të transmetimeve televizive”, thotë KKRT, raportojnë mediat shqiptare.
KKRT thotë se i tërheq vëmendjen dhe i bën thirrje subjekteve radio-televizive të tregohen të kujdesshëm në paraqitjen e programeve të tyre.

Wenger: Van Persie i klasit botëror

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, e sheh kapitenin Robin van Persie si një lojtar të klasit botëror.
Van Persie tash është në listën e 10 lojtarëve që kanë shënuar më së shumti për klubin londinez, dhe Wenger thotë se kapiteni, i cili ka qenë shpesh i lënduar gjatë karrierës së tij me Topçinjtë, është një pjesë e vërtetë e elitës së këtij sporti.
“Ajo çfarë është e mahnitshme është se ju shikoni në numrin e ndeshjeve që Robin ka luajtur dhe numrin e golave që ka shënuar dhe kjo e bën atë absolutisht të klasit, top-klasit”.
“Ju keni klas kombëtar, klas ndërkombëtar dhe klas botëror, dhe Robin është i klasit botëror”, ka thënë Wenger.

Chelsea ka humbur 30 milionë me angazhimin e Villas-Boas

Chelsea ka humbur plot 30 milionë funte si pasojë e ndërrimit të menaxherëve gjatë sezonit të kaluar.
Telegraph-i britanik shkruan se vendimi për të zëvendësuar Carlo Ancelottin me Andre Villas-Boas do të rezultojë me 30 milionë të humbura për Chelsean, kur të zbulohen llogaritë vjetore gjatë kësaj jave.
Po thuajse gjysma e humbjes së tyre prej 67.7 milionë funte ishte rezultat i drejtpërdrejtë i pagesave për Porton, Ancelottin dhe pjesën tjetër të stafit që është larguar pas caktimit të Villas-Boas. 

Van Basten dëshiron angazhim në Ligën Premier

Ish-trajneri i kombëtares holandeze dhe i Ajaxit, Marco van Basten, dëshiron të punojë në Ligën Premier.
Van Basten ka qenë i paangazhuar për tashmë dy vite, por dëshiron t’i rikthehet punës dhe preferon të punojë në kampionatin anglez.
“Nuk do ta mbaj sekret faktin se një prej ambicieve të mia është të punoj një ditë në Ligën Premier. Ndoshta kjo ditë do të vijë së shpejti. Kush e di?”, ka thënë Van Basten në një intervistë të fundit.

Ranieri: Duam Ligën e Kampionëve

Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, ka thënë se qëllimi i Nerazzurrëve këtë sezon është të arrijnë një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve.
“Nuk është se unë ushqej ambiciet për titull, pastaj t’i largoj ato, pastaj t’i kthej sërish. Ne shkojmë hap pas hapi, pasi skuadrat e kreut vërtet po fluturojnë”.
“Andaj nëse ata nuk ndalojnë, atëherë ne nuk do t’ia dalim. Ne po kërkojmë një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Ranieri për faqen zyrtare të klubit.
Interi aktualisht qëndron në pozitën e pestë të tabelës me nëntë pikë prapa Juventusit dhe është duke u përgatitur për ndeshjen e sotme të Serie A që e zhvillon si nikoqir i Palermos.

Shtyhen edhe dy ndeshje në Serie A

Pas ndeshjes së mbrëmshme në mes të Juventusit dhe Parmës, edhe dy ndeshje të tjera të Serie A janë anuluar sot po për shkak të motit të keq që ka pushtuar gadishullin.
“Ndeshja në mes të Bolognas dhe Fiorentinas, e cila do duhej të zhvillohej sot, e mërkurë 2 shkurt, është shtyrë për shkak të motit të keq”, shkruan në faqen zyrtare të Bolognas.
Një ndeshje tjetër e cila nuk do të zhvillohet sipas orarit të paraparë është udhëtimi i Catanias te Siena, me nikoqirët që thanë se shqetësimet rreth sigurisë kanë çuar në këtë vendim.
Përndryshe, ndeshjet tjera, si ajo në mes të Atalantas dhe Genoas, udhëtimi i Cesenas te Napoli, përballja në mes të Udineses dhe Lecce, ajo në mes të Lazios dhe Milanit dhe udhëtimi i Palermos te Inter, mbeten të paprekura.

Emery kërkon fitore ndaj Barcës

Trajneri i Valencias, Unai Emery, kërkon fitore në ndeshjen e sotme kundër Barcelonës në Mestalla, e para sfidë gjysmëfinale e Kupës së Mbretit.
“Qëllimi jonë kryesor është ta fitojmë ndeshjen, por kjo nuk do të mjaftojë. Ne duhet ta mbajmë portën e pastër dhe preferojmë të fitojmë me më shumë se një gol. Për më tepër, është e rëndësishme për ne ta përfundojmë ndeshjen me 11 lojtarë”.
“Ne jemi të vetëdijshëm për fuqinë e Barcelonës, pavarësisht mungesave. Atyre u mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm, por ata kanë alternativa të shkëlqyeshme. Barcelona gjithmonë është një skuadër shumë e rrezikshme”, ka deklaruar Enmery.
Ndeshja e sotme e Kupës së Mbretit fillon në ora 21, derisa ndeshja e kthimit zhvillohet në Camp Nou më 8 shkurt.

Ribery dëshiron finalen e Ligës së Kampionëve

Ylli i Bayern Munich, Franck Ribery, ka zbuluar se ëndrra e tij është të arrijë finalen e Ligës së Kampionëve gjatë këtij viti.
Bavarezët shkëlqyen në fazën e grupeve të garës evropiane duke kryesuar grupin A para Manchester Cityt, Napolit dhe Villarrealit, dhe Ribery shpreson se ata do të arrijnë deri në ndeshjen e fundit.
“Arritja e finales së Ligës së Kampionëve është një prej caqeve më të mëdha të mia, dhe do të ishte po ashtu një realizim ëndrre”.
“Shpresoj se ne mund t’ia dalim, por është jashtëzakonisht vështirë. Së pari ne duhet të fitojmë sfidën e ardhshme kundër Basel, dhe pastaj do të shohim çfarë do të ndodhë”, ka thënë francezi.

Kusari-Lila: Po e hapim tregun

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kuisari-Lila, tha se ministria të cilën e drejton, është duke ndërmarr një varg masash për të përmirësuar ambientin e biznesit si dhe hapjen e tregut.
Këto komente ministrja Kusari-Lila, i bëri në Kuvendin e Përgjithshëm të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku ka folur edhe për hapjen e tregtisë me Serbinë e Bosnjën e Hercegovinën, ku për herë të parë prodhuesit Kosovarë patën mundësi të eksportojnë me vulat e Doganës së Kosovës, rikthimin e preferencave tregtare që nënkupton heqjen e taksës doganore me vendet e BE.
“Përkundër punës dhe përkushtimit tonë, sfidat kryesore para nesh janë sundimi i ligjit, përmirësimi i perceptimit për imazhin e Kosovës si dhe burokracia”, theksoi Kusari-Lila, në përmbylljen e punimeve të kuvendit të tetë të OEAK-së, të martën.

Diskutohet privatizimi i Trepçës

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu dhe Drejtori Menaxhues i AKP-së, Shkëlzen Lluka diskutuan sot për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore.
Lluka kërkoi investime më të mëdha të kompanive vendore në ndërmarrje shoqërore, ndërsa Gërxhaliu ka kërkuar të dijë për procesin e privativit të ndërmarrjes ‘Trepça’ e cila është ndërmarrja e madhe që ka mbetur pa u privatizuar.
“Po ta kemi një fizibilitet të mirëfilltë me të dhëna konkrete atëherë me siguri fuqizohet edhe më tepër mundësia që të hyhet në një privatizim të pjesshëm ku asetet dominante do të mbeten në pronësi të shtetit të Kosovës dhe me siguri e tëra kjo do të jetë një sfidë ku dua të besoj se AKP do ta konkretizojë edhe në vitin 2012”, theksoi Gërxhaliu.
Edhe AKP është duke i bërë përgatitjet që të dijë për asetet e ndërmarrjes, që më pas ta fus në privatizim.

Dikovic sulmon FDH-në

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, gjeneral-nënkoloneli Ljubisa Dikovic, ka thënë se janë “të pavërteta” akuzat e Fondit për të Drejtën Humanitare, për pjesëmarrjen e tij në krimet në Kosovë.
"Me pohimet e tilla thellohet urrejtja në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Duket sikur dikush kujdeset që plagët e shkaktuara në konflikt të mos shërohen më, por që vazhdimisht të jenë burim i destabilitetit e që dikush të përfitoj nga kjo”, ka thënë Dikovic për revistën “Odbrana”.
Dikovic ka thënë se akuzat se ai ka marrë pjesë në krime të luftës “janë të pavërteta” dhe se këto akuza janë “sulm ndaj Ushtrisë së Serbisë si një institucion të qëndrueshëm dhe të respektuar dhe sulm mbi shefin e Shtabit të Përgjithshëm”.
"Është paradoksal mendimi i FDH-së se jam për përgjegjës për vrasjen e pjesëtarëve të Ushtrisë në shtetin tim më 1999, e jo organizata terroriste që ka bërë sulme dhe ka vrarë njerëz”, thotë ai.
"Është shkruar se unë më 1998 kam urdhëruar që një ekskavator të merret nga Bardhi i Madh që të shitet në Rashkë. Ndërsa, atë vit brigada 37 e motorizuar nuk ka qenë fare në Kosovë, sepse është dërguar aty tek më 1999”.
FDH më 23 janar e ka akuzuar Dikovicin se ka marrë pjesë në krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës së Kosovës, kur ishte komandat i brigadës 37 të motorizuar të këmbësorisë së ushtrisë serbe.
Ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Sutanovac, ka thënë se “pret reagime të duhura të organeve shtetërore”, duke shtuar “Dikovic do të kërkoj mbrojtje në gjyq”.

Krasniqi takon përfaqësuesit e Lëvizjes së të Papunëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi është takuar të mërkurën me përfaqësues të Lëvizjes së të Papunëve, ndërkaq u shpreh se vlen të mbështetet çdo organizim që kontribuon në zbutjen e papunësisë.
Krasniqi me këtë rast theksoi se institucionet e Kosovës janë të angazhuara për ngritjen e gjithëmbarshme ekonomike të Kosovës, e në këtë frymë edhe për krijimin e kushteve për punësim më të madh të atyre që kërkojnë punë.
Ndërkaq, përfaqësuesit e kësaj Lëvizjeje e informuan lidhur me formimin e kësaj organizate, synimet dhe veprimtarinë e saj.
Ata theksuan se kjo organizatë është jopolitike, ndërsa bëjnë përpjekje për të zbutur papunësinë në Kosovë, duke hulumtuar edhe mënyrat e krijimit të kushteve për hapje të sa më shumë vendeve të reja të punës. 

Dell dhe Ismaili, ‘luftë’ në “The Pimpsons

Në një shkëmbim të jashtëzakonshëm, diplomati me përvojë ka quajtur punën e Ismailit “shpifje e mbrapshtë nga anti-demokratët e denjë” dhe kërkoi një nënshkrim të episodit/karikaturës për ta vendosur së bashku me suvenirin nga diktatori i Zimbabvesë, Robert Mugabe.
Shkëmbimi ka nisur nga Dell, i cili në tone ironike, kishte kërkuar për një kopje të nënshkruar të karikaturës.
Ismaili i përgjigjet në mënyrë pothuajse të njëjtë sarkastike, duke u shtirur se është i nderuar nga kjo kërkesë duke e pyetur Dellin nëse dëshiron edhe një petull.
“Siç thonë, gjyko njeriun sipas kundërshtarëve”, kishte shkruar Dell në Facebook. “I gëzuar dhe krenar që t’ju kem juve dhe Shokun Bob në listën time të të urryerve”.
Ai tha, duke iu referuar Mugabes, me të cilin kishte argumentuar publikisht gjersa kishte shërbyer si ambasador në Zimbabve.
“Akoma jam duke pritur nga Borisi të më dërgoj diçka por ti je fillim i mbarë”, kishte shkruar Dell, ndoshta duke iu referuar Boris Tadicit, presidentit serb, shkruan GazetaJnk.
Përkrahësi i lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismaili ka fituar me mijëra përkrahës në seritë e tij të karikaturës, The Pimpsons, ide e nxjerrë nga një seri televizive komike në SHBA, the Simpsons.
Ai kishte filluar këto karikatura pas skandalit të ndërhyrjes së Dell’it gjatë votimit në parlament për president të ri gjatë vitit të kaluar.
SMS-ët e fotografuara në mes Behgjet Pacollit, i cili ishte zgjedhur atë ditë dhe këshilltarit të tij, dhe një telefonate të bërë nga Dell, ishin bërë publike duke paraqitur përfshirjen e ambasadorit amerikan në proces.
Ambasadori Dell është portretizuar në karikaturat e Ismailit si “Shkëlqesi Mbretërore e Kosovës” dhe fuqia qendrore e Kosovës.
Në episodin e fundit, Dell dhe Thaçi këndojnë një version gojëndyrë të këngës klasike të Frank Sinatras “My Way”, duke paraqitur largimin e Dellit nga Kosova.

Shqipëria mbështet pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Zëvendësministri i Jashtëm i Shqipërisë, Selim Belortaja, ka theksuar të martën mbrëma në Beograd rëndësinë e bashkëpunimit rajonal e të forumeve rajonale. Ndërsa, është angazhuar që në to të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Kosovës.
“Në harmoni me rekomandimet e partnerëve kyç ndërkombëtar”, ka thënë Belortaja në takimin ministror të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore që po mbahet në Beograd.
“Shqipëria mbështet pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, iniciativat dhe qendrat, duke e konsideruar pjesëmarrjen e Kosovës qenësore në sfidat e përbashkëta”, shton ai, transmeton RTK.

“Gjuha ime” për diasporën

Fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë në diasporë, gjuhën shqipe tani e tutje mund ta mësojnë në mënyrë elektronike.
Ministria e Diasporës ka lansuar sot portalin gjuhaime.com, ku mund të gjendet abetarja digjitale e gjuhës shqipe, himni i Kosovës, historiku i saj, dhe shumë gjëra të tjera rreth vendit.
Ministri i diasporës tha se portali është pjesë e synimit të përhershëm për vetëdijesimin e vazhdueshëm të brezave të rinj për gjuhën dhe kulturën e origjinës.
"Gjuha Ime" ofron mundësinë edhe të argëtimit nëpërmjet lojërave dhe kuizeve, të cilat janë sajuar enkas për ngritjen e njohurive të fëmijëve.
Diaspora do të mësojë edhe për traditat shqiptare, përmes përrallave, vjershave, ninullave e anekdotave.

Danimarka ndihmon FSK-në

Ministria e mbrojtjes se Danimarkës i dhuroi të mërkurën Forcës së Sigurisë së Kosovës një donacion me pajisje për raste emergjente.
Njësitit për ndërlidhje në reagime krizash, iu dhuruan rreth 32 çanta me rroba kundër zjarrit dhe helmimit, maska dhe pasje tjera, 3 aparate digjitale dhe 3 rimorkio.
Udhëheqësit e FSK-së thanë se ky donacion i ndihmon ata në kryerjen e detyrës.
Ushtarakët danezë thanë se kanë bashkëpunim te mirë me FSK-së dhe se edhe në të ardhmen do te ketë ndihma te tilla.
Ndryshe, vlera e këtyre pasjeve është rreth 40 mijë euro. 

PDK kërkon trajtim të barabartë para ligjit

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se në vendet demokratike, ku sundimi i së drejtës është parim themelor, askush nuk mund të fshihet pas imunitetit, thuhet në komunikatën e PDK-së, përkitazi me rastin Kleçka.
“Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje EULEX-it që të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme në funksion të këtij qëllimi, për trajtim të barabartë të të gjithëve para ligjit. Partia Demokratike e Kosovës i përmbahet fuqishëm motos askush mbi ligjin, të gjithë të barabartë para ligjit”.

Kacin Zbogarit: Kujdes me strukturat paralele

Nënkryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian, Jelko Kacin, ka porositur që me kujdes të shqyrtohen strukturat në veri të Kosovës, të cilat financohen nga ana e Beogradit jashtë asaj që parasheh Plani i Ahtisaarit.
Kacin, gjatë këmbimit të mendimeve me përfaqësuesin e porsaemëruar të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, në Këshillin për politikë të Jashtme, ka theksuar ndërlikueshmërinë e problemit të strukturave paralele në veri të Kosovës, duke thënë se “strukturat të tjera në veri të Kosovës nuk ka”, njoftohet nga kabineti i Kacinit.
Në një takim të veçantë me Zbogarin ka thënë se nga ai pritet ndihmë që të dyja palët “me kohë të arrijnë marrëveshje për emrin e përkohshëm me të cilin Kosova përfundimisht do të mund që aktivisht të marrë pjesë në takimet ndërkombëtare”.
“Ujdia e tillë do të eliminonte mëdyshjet dhe rezervat e disa anëtarëve të BE-së dhe do të mundësonte një vendim pozitiv për ndarjen e statusit të kandidatit Serbisë në sesionin e Këshillit të BE-së më 1 mars”, ka thënë Kacin, transmeton Qik.
Nga ana e tij, Zbogar ka theksuar qëndrimin pozitiv ndaj integrimit evropian të Kosovës në dritën e hapjes së dialogut për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kacin dhe Zbogar janë pajtuar se është i domosdoshëm “rehabilitimi i thellë ekologjik dhe social i veriut të Kosovës”. 

Redknapp i kënaqur me transferimin e Saha

Tottenham ka kompletuar transferimin e sulmuesit të Evertonit, Louis Saha, pas një marrëveshje të arritur në ditën e fundit të afatit kalimtar dimëror.

Fitore e Piros

Amazon publikoi rezultatet për çerekun e fundit të vitit 2011 dhe paraqiti rritje të shitjes prej 35% në 17.43 miliard dollarë, por edhe rënie të profitit prej 58%, që është një përqindje goxha e madhe e cila neto të hyrat i solli nga 416 në 177 milion dollarë.
Në krahasim me vitin e kaluar dhe 474 milion, të hyrat operative për këtë vit janë 260 milion dollarë. Në nivel vjetor, shitja është rritur për 41%, derisa të hyrat operative janë zvogëluar për 39%, e neto të hyrat kanë rënë për 45% nga 1.15 miliard në vitin 2010 në vetëm 631 milion dollarë.
Edhe pse Amazon tradicionalisht nuk publikon rezultatet e sakta të shitjes së Kindle, theksuan rritje të shitjes prej 177-përqind, që tani figuron në miliona. Kindle Fire si pajisje e re befasoi për të mirë blerësit dhe tërë linjën Kindle e bëri produktin më të shitur dhe më të dëshiruar të Amazonit. Përkundër rritjes së fuqishme të versioneve digjitale të librave dhe huazimit të 295,000 titujve të përzgjedhur në bibliotekën Kindle, rezultat të mirë arritën edhe librat nga letra. E njëjta fatkeqësisht nuk mund të thuhet për librat me paketimin klasik, të cilat përkundër rritjes së shitjes kanë sjellë shumë pak të hyra për Amazonin, pasi që pjesa më e madhe e të hyrave shkon në duart e palëve të treta. 

Fjolla Morina e gjen princin e saj

Fjolla Morina, e cila për shumë kohë ishte e përfolur rreth jetës private, ka folur për lidhjen e saj të dashurisë me biznesmenin Kushtrim Geci.
Këngëtarja ka pohuar se me të dashurin e saj është duke i përjetuar ditët më të lumtura të jetës së saj.
“Ka kohë që njerëzit kanë dashur të më shohin me dikë dhe shpeshherë edhe kanë spekuluar për lidhje të ndryshme që gjoja kam pasur. Mirëpo, unë gjithnjë i kam demantuar dhe iu kam thënë që në momentin kur ta gjej princin e ëndrrave do ta bëj publike”, ka thënë Fjolla për Zëri.
“Dhe kështu fillimi i vitit 2012 solli fat në dashuri për mua, sepse takova princin tim. Tani jam në një lidhje me dikë që e dua shumë dhe do ta dua deri në frymën time të fundi”.
“Ja pra, ky është tipi im, është personi që më bën të lumtur, që më bën të qesh, më bën ta dua dhe më do, një tip që më kupton, më përkrah në profesionin e këngës, më çmon dhe i di vlerat e mia”, ka shtuar Morina.

Çiljeta me foto të reja për kopertinë italiane

Këngëtarja seksi Çiljeta Xhilaga këto ditë ka realizuar një set të ri fotografish.
Çiljeta ka realizuar fotot e reja në Itali dhe thuhet se me këto foto ajo së shpejti do të jetë në njërën nga revistat italiane.
Në këto pamje këngëtarja duket më elegante dhe jo aq e ekspozuar, siç jemi mësuar ta shohim. 

Villas-Boas: Goli erdhi shumë vonë

Trajneri i Chelseat, Andre Villas-Boas, beson se barazimi 1-1 ndaj Swansea ishte rezultat i një ndeshje me dy pjesë të ndryshme.
“Mendoj se kishte dy gjysma të ndryshme në ndeshje. Në pjesën e parë, Swansea kishte shumicën e rasteve dhe ishte krejtësisht ndryshe në pjesën e dytë kur ne kishim të gjitha shanset”.
“Mendoj se nëse goli i parë do të vinte më herët, ne do të kishim gjetur të dytin, pasi ne kishim motivimin, shtytjen dhe kontrollin ndeshjes. Ne e lamë këtë shumë, shumë vonë”.
“Ne ngulmuam shumë për ta gjetur golin, por ai erdhi vonë dhe nuk na lejoi neve mjaft kohë për të shënuar të dytin”, ka thënë p portugezi pas takimit të mbrëmshëm. 

Mancini: Unë jam fajtor

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, thotë se ai është fajtori për disfatën e mbrëmshme nga Evertoni.
“Nuk isha përgatitur mirë për këtë ndeshje. Mendova se do të ishte më e lehtë. E di se këtu kurrë nuk është e lehtë, kurrë”.
“I kam vërejtur gabimet e mia. Është e rëndësishme për mua ta kuptoj këtë pasi nuk mund të lejoj të njëjtat gatime në ndeshjen e ardhshme”, ka thënë Mancini. 

Gazprom anashkalon Maqedoninë dhe Shqipërinë, çfarë po “zihet” për rajonin!

Në faqen zyrtare të internetit të kompanisë ruse, më të madhen në Evropë për gas është publikuar harta e re, e cila tregon se ku do të kalojë korridori ndërkombëtar i tubacioneve të gasit që do ta furnizojë Evropën me gas nëpërmjet Italisë. Në këtë hartë duket qartë se Maqedonia dhe Shqipëria nuk janë përfshirë në këtë projekt gjigant, thënë ndryshe tubacionet do të kalojnë nëpërmjet Greqisë së veriut dhe do të arrijnë në Itali.
Drejtori ekzekutiv i Gazpromit, Alexey Miller në mbledhjen e mbajtur për rrjedhën e jugut më 20 dhjetor të vitit të kaluar ka folur për aktivitetet të cilat pritet të fillojnë shumë shpejt që ky projekt të bëhet realitet. “Kemi gjithçka që është e nevojshme që të shpejtohet fillimi i ndërtimit të rrjedhës së jugut. Kemi bazë rregullatore, interes të madh nga ana e pjesëmarrësve në këtë projekt, paratë e nevojshme si dhe evidentimin dhe porositë e gasit nëpërmjet kompanive të mëdha nga Deti i Zi. Interesi për projektin është mjaft i madh, kurse ne jemi të përgatitur që ta plasojmë atë”, tha Miller.
Sipas të dhënave zyrtare të Gazpromit, rrjedha e jugut do të fillojë nga Rusia, nën Detin e Zi ku një pjesë do të kalojë nëpër Rumani dhe Serbi drejt Kroacisë, kurse pjesa tjetër do të shkojë drejt Bullgarisë, do të anashkalojë Maqedoninë dhe do të kalojë nëpër Greqi, në fund do ta anashkalojë Shqipërinë në jug dhe do të ngjitet nëpërmjet detit Jon me Italinë.
Zyrtarisht ky projekt pritet të fillojë në dhjetor të vitit 2012 në të cilin janë paraparë të investohen miliarda dollarë për ta furnizuar Evropën me energji të re, raporton Zhurnal.
Megjithatë, është mjaft domethënëse dhe tregues shqetësues për Maqedoninë ky projekt. Çfarë planesh përgatiten për rajonin në të ardhmen, pasi u anashkalua Maqedonia dhe Shqipëria?
Të rikujtojmë se në hartën e parë të cilën e kishin publikuar drejtues të Gazpromit, ishte paraparë që tubacionet të kalojnë nëpër Maqedoni dhe Shqipëri që do të ishte distancë më e shkurtë dhe siguri më e madhe për rajonin.

Synimet e Zbogarit për Kosovën

Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar - i cili sot merr këtë funksion - ka thënë se tash është momenti i duhur për të arritur deri te përparimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se BE ka ndarë fonde të konsiderueshme për veriun e Kosovës.
“Anëtarët e BE-së duan t'ia japin Serbisë statusin e kandidat në fund të shkurtit, Serbia e dëshiron këtë status, dhe Kosova ka interes që ta gjej mënyrën për t’u paraqitur në takimet rajonale“, ka thënë Zbovar i cili do të kryej detyrë të dyfishtë në Kosovë – të përfaqësuesit special të BE-së dhe shefit të zyrës së BE-së që është nën juridiksionin e Përfaqësues së Lartë, Catherine Ashton.
"Prandaj, është shumë e rëndësishme për të përfituar nga ky moment, pasi më vonë gjërat do të shkojnë më vështirë dhe më ngadalë", thekson Zbogar, i cili mbrëmë - në takimin e mbyllur të Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian - e ka prezantuar programin e tij të punës.
Kur është fjala për veriun e Kosovës, Zbogar ka thënë se është e domosdoshme që qeveria në Prishtinë ta hartoj një program gjithëpërfshirës për këtë rajon, në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian të tetorit të vitit të kaluar.
“Unë jam i gatshëm të ndihmoj për këtë. Mendoj se duhet të filluar me hapa të vegjël, me qëllim të krijimit të mirëbesimit”, u ka thënë Zbogar gazetarëve, duke shtuar se mbi të gjitha tash duhet “ulur tensionet”.
“Këtë vit kemi ndarë mjete të konsiderueshme për veriun e Kosovës, dhe këto do të mund të kontribuojnë në uljen e tensioneve, në mënyrë që ne mund të përqendrohemi në gjërat më të rëndësishme”, shton ai.
I pyetur për të komentuar referendumin e shpallur nga komunat paralele serbe në veri të Kosovës, Zbogar ka thënë se mesazhi i Beogradit për këtë çështje “është i qartë dhe i zëshëm”.
“Referendumi sigurisht që nuk ndihmon në uljen e tensioneve. Tash për tash duhet të përqendrohemi në projekte konstruktive”, përfundon Zbogar.
Agjencia sllovene STA ka thënë se Zbogar në programin e tij - që e ka prezantuar para PE-së - ka përmendur 10 synime për Kosovën, në mes të cilave është përparimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, bisedimet për liberalizimin e vizave, fillimi i bisedimeve për marrëveshjet tregtare, dialogu për sundimin e ligjit dhe hartimi i planeve për veriun e Kosovës.
Zbogar ka thënë se pret që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdoj në shkurt, dhe se shpreson që të ketë përparime në këtë aspekt

Del Ponte akuzon NATO-n dhe UNMIK-un

EULEX-i nuk ka kapacitete për të hetuar çështjen "Shtëpisë e verdhë” - ku Serbia pretendon se janë nxjerrë, për t’u shitur, organet e serbëve të rrëmbyer gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare, pas raportit të Dick Martyt, është dashur të reagoj, por vetëm nën mandatin e OKB-së mund të jepet e vërteta për këto akuza. Ka mungesë të vullnetit politik për ta ndriçuar këtë rast. Kjo për faktin se situata në Kosovë është ende e brishtë, thotë ish-kryeprokurorja e Tribunalit së Hagës, Carla del Ponte
“Shkatërrimi i provave ishte një gabim i madh. Kjo është bërë pa u konsultuar me mua, dhe madje pa folur me mua për këtë temë. Kam qenë shumë e habitur kur nga mediat kam mësuar se dëshmitë janë shkatërruar. Por, sigurisht se nuk ndihem përgjegjëse për këtë, sepse nuk kisha mandat për të udhëhequr hetimet. Unë e di se kush ka vendosur për shkatërrimin e provave, sepse kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me pasuesin tim në pozitën e prokurorit, Serge Brammertz”, thotë del Ponte për “Press”, sipas së cilës “shkatërrimi i dëshmive” ia ka bërë me dije se nuk do të lejohet për të vazhduar hetimet”.
“NATO dhe UNMIK-u nuk kanë lejuar qasjen në dokumentet e rëndësishme, ndërsa Shqipëria nuk na ka lejuar të futemi në territorin e saj për të hetuar varret. Ishin edhe ca gjëra tjera”, shtonë ajo, duke theksuar se “bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron të dihet e vërteta për këto krime”.

Dhia surfuese

Njihuni me dhinë e cila pëlqen surfin dhe që është bërë hit në internet prej se filloi të sfidojë dallgët e detit.
Dhia dyvjeçare me emrin Goatte mund të notojë mbi valët e detit me një copë dërrase së bashku me surferët e tjerë njerëz në Pismo Beach, California.
Pronarja e Goatees, Dana MacGregor thotë se e ka stërvitur mirë dhe dhia tash nuk e ka fare problem të qëndrojë në dërrasën e surfit. 

Maçoku shtyu fluturimin për katër orë (Video)

Maçoku djallëzor i cili duket se me çdo kusht dëshironte të fluturonte në klasin e parë, shtyu fluturimin e një aeroplani për katër orë.
Maçoku Ripple ngjyrë hiri me lara, iku nga kafazi i pronares së tij derisa udhëtarët po futeshin në aeroplanin e linjës Halifax-Toronto.
Aeroplani pritej të nisej në orën 5:30, por të gjithë u detyruan të zbresin pasi maçoku u fut në klasin e parë dhe kabinën e pilotit, para se të bllokohej ndërmjet dy pllakave brenda kabinës ndërmjet këmbëve të pilotit.
Ripple shfrytëzoi rastin pas kontrollit të sigurisë. Pronarja e tij Debbie Harris nuk e vërejti se derëza e kafazit të tij nuk ishte e mbyllur mirë. Kur po vraponte drejtë klasit të parë, disa udhëtarë ia prenë rrugën me qëllim që ta kapnin, por ai arriti të ikte dhe u fut në kabinën e pilotit.
Zyrtarët e sigurimit u detyruan t’i heqin dy pllaka dhe të demontojnë një pjesë të kabinës për ta shpëtuar maçokun i cili ishte futur në një vrimë. Pas kësaj ekuipazhi testoi kabllot dhe pas kontrollit të detajuar udhëtarët u futën sërish në aeroplan dhe fluturuan rreth orës 10:00.
 

Skitarët e ujit thyen rekord në Australi (Video)

Dhjetëra skitarë të ujit në Tasmani të Australisë u bënë bashkë në përpjekje për të thyer rekordin botëror për numrin më të madh të skitarëve të ujit që tërhiqen nga një anije e vetme.
Gjithsej 154 skitarë nga e mbarë bota u bënë bashkë në përpjekje për të thyer rekordin në portin Macquarie në Strahan të Australisë.
Përkundër faktit se nëntë skitarë u eliminuan në rrugë e sipër, 145 mbetën në garë duke thyer rekordin e mëparshëm prej 114 vetave në një ekip.
Pritet që libri i rekordeve Guinness ta pranojë së shpejti edhe zyrtarisht këtë rekord. 

Menaxhimi i fajllave në Windows 8

Ata të cilët kanë provuar versionin Developer Preview të sistemit të ri Windows qysh tani kanë parë ndryshimet të cilat do të marr ndërfaqja klasike desktop, e më së shumti Exploreri dhe elementet e menaxhimit me fajlla. Edhe pse ndryshimet nuk janë ndonjë revolucion, përparimi është definitiv dhe gjithsesi do të avancoj përvojën shfrytëzuese.
Kopjimi i disa grupeve të fajllave në momentet e ndryshme, nuk do të paraqitet më me dritaret e ndryshme të vogla të cilat ata që kanë më shumë hapësirë në desktop do ti humbnin në mes dritaresh tjera, por do të ketë një dritare të vetme e cila në mënyrë më të bukur do të shfaq informatat e duhura. Përveç që kopjimi duket më bukur, më në fund edhe punon më mirë kështu që elementi i tretë i dëmtuar nuk do të pengoj 973 fotografi që të barten në diskun e jashtëm, por mesazhi për problemin do të paraqitet në fund të kopjimit, kur kopjimi të përfundoj. Ndonjëherë gabimisht nisin kopjimin e fajllave të vjetër me emër të njëjtë ose të ngjashëm, gjë të cilën tashmë Windows 8 do të njoh dhe paraprakisht do të kontrolloj emrin, madhësinë dhe kohën e modifikimit të fundit, për të verifikuar nëse bëhet fjalë për të njëjtin fajll.
Aty janë edhe shumë imtësi të cilat janë shumë të rëndësishme, e të gjitha këto do të mund ti testojmë porsa beta e këtij sistemi të jetë në dispozicion në fund të muajit shkurt. 

Gazrat rrezikojnë për infarkt

Shkencëtarët studiuan anamnezat e 80 mijë pacientëve që mendohet të kenë pësuar infarkt për shkak të ajrit të papastër dhe studimet treguan se midis ajrit të papastër dhe kësaj sëmundjeje, ekziston vërtet një lidhje e ngushtë.
Shkencëtarët, madje, arritën në përfundimin se rreziku i infarktit mbetet edhe gjashtë orë pas largimit nga vendi me ajër të pisët. Ende nuk është i qartë mekanizmi i ndikimit të gazrave mbi muskujt e zemrës, megjithatë, specialistët mendojnë se ky rrezik ka lidhje me lëndët që përmbajnë gazrat e ndryshëm, sidomos nga ato të djegies së naftës dhe të benzinës në motorët e automobilave. Këto lëndë "trashin" gjakun dhe provokojnë plasjen e enëve të gjakut.
Shkencëtarët mendojnë se gazrat nuk janë faktorë i vetëm, por ato, kur bashkohen me faktorë të tjerë, e dëmtojnë rëndë zemrën. 

Joga e praktikuar keq, mund të dëmtojë

Libri i sapodalë në SHBA, ‘Praktika e jogës mund të jetë e rrezikshme’, tregon se duhet të kemi kujdes ndaj jogës së praktikuar jo ashtu siç duhet.
Edhe kjo praktikë e lashtë indiane, gjithnjë e më përhapur edhe në Perëndim, mund të shkaktojë dëme të parikthyeshme. Për shkak se ka mbrojtur dhe argumentuar një tezë të tillë, trajneri amerikan i jogës, Glenn Black, ka marrë deri edhe kërcënime për vdekje nëpërmjet emailit. Në origjinë të këtij diskutimi të ndezur është një artikull i ‘New York Times’, i titulluar “Si mund ta shkatërrojë joga trupin tënd”, në të cilin mjeshtri Glenn Black, që merret prej shumë vitesh me trajnimin e njerëzve që duan të bëjnë joga, ka thënë se nuk duhet të abuzosh me të, sepse mund t'i shkaktosh trupit dëme të rënda. Ai nuk ia hedh fajin jogës në vetvete, por praktikimit të gabuar të saj. Bëhet fjalë për disa ushtrime gjithnjë e më të vështira dhe të ndërlikuara që duan t'i realizojnë ata që merren me joga.
‘Shumë mësues joge nuk mësojnë joga, por ushtrime fizike, që mund të bëhen në çdo palestër’, shpjegon Black, që paralajmëron ata që mendojnë se edhe praktikat ekstreme janë të mira.
‘Joga është e përshtatshme për personat në formë të mirë fizike ose mund të përdoret për qëllime terapeutike, por ajo s'mund të përdoret nga të gjithë’. Në studimin e tij thuhet se disa pozicione janë të rrezikshme dhe mund të shkaktojnë trauma të shtyllës kurrizore, pasi gjithnjë e më shumë po kërkohet të bëhen lëvizje ekstreme që pak kanë të bëjnë me origjinën e saj asketike dhe meditative.

Sofia Vergara është femra më e dëshiruar

Aktorja dhe modelja kolumbiane, Sofia Vergara, është votuar si femra më e dëshirueshme nga lexuesit e AskMen.com.
Kështu, sipas US Magazine, ajo merr kurorën nga ylli i “Gossip Girl”, Blake Lively, e cila e fitoi këtë titull në vitin e kaluar.
Vergara ka mposhtur një seri bukuroshesh hollivudiane për të kryesuar sondazhin, ndërsa pas saj gjenden emra, si Kate Upton, Rooney Mara dhe Miranda Kerr.
Mungesa të dukshme janë Jennifer Aniston e Angelina Jolie, ndërsa në top-dhjetësh arritën të përfshiheshin Scarlett Johansson dhe Kim Kardashian.
Kate Middleton është renditur e 11-ta, ndërsa motra e saj Pippa Middleton është dashur të kënaqet me pozitën e 98-të.
Lista me dhjetë vendet e para:
1. Sofia Vergara
2. Kate Upton
3. Rooney Mara
4. Miranda Kerr
5. Nicki Minaj
6. Emma Stone
7. Scarlett Johansson
8. Kim Kardashian
9. Rihanna
10. Candice Swanepoel

Madonna rifillon punën bamirëse

Mbretëresha e muzikës pop, Madonna, ka njoftuar se është ribashkuar me organizatën amerikane “BuildOn” në mënyrë që të rifillojë projektin, në të cilin e kishte ndërprerë investimin disa muaj më parë për shkak të keqpërdorimeve financiare dhe keqmenaxhimit.
“Projekti është pjesë e madhe e jetës sime dhe jam e lumtur që sërish po e filloj këtë ide”.
“Organizata ime, Raising Malawi, do t’i realizojë të gjitha objektivat. Jam shumë e entuziazmuar për këtë projekt”, citon AFP fjalët e Madonnas.

Tare i zhgënjyer me Cisse

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, është i pakënaqur me Djibril Cisse pas kalimit të tij te QPR, pas një gjysmë-sezoni në kryeqytetin italian.
“Jam i zhgënjyer nga Cisse. Ne po ashtu kemi biseduar në fillim të sezonit dhe i diskutuam vështirësitë në futbollin italian. Një prej arsyeve se pse ai dëshironte të largohet ishte fakti se ai mund të gjente hapësirë diku tjetër, të cilën nuk e gjen në Itali”.
“Megjithatë, ai ka dëshmuar të jetë një lojtar i madh, pasi edhe pse nuk ka shënuar, ai ka bërë tetë asistime. Ishte një vendim i mbështetur nga të gjitha palët, por ishte kërkesa e tij për t’u larguar”, ka thënë Tare.

Ferguson: Ishte nata jonë

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se fitorja e mbrëmshme ndaj Stoke Cityt ishte një fitore e rëndësishme në garën për titull.
Derisa Manchester City humbi 1-0 ndaj Evertonit, United mposhti Stoke me rezultat 2-0 në Old Trafford për t’u barazuar me blutë në maje të tabelës, secili me nga 54 pikë.
“Ishte një natë e mirë për ne, sigurisht. Por ajo me të cilën jam më së shumti i kënaqur ishte performanca jonë. Mendoj se futbolli ynë ishte i tmerrshëm. Ne ruajtëm kompozimin, ne ishim shumë të qetë. Ok, ne fituam me dy penalti, por mendoj se mënyra me të cilën luajtëm ishte më e rëndësishme”, ka thënë Alex.

Iaquinta i kënaqur me kalimin te Cesena

Ish-sulmuesi i Juventusit, Vincenzo Iaquinta, është i kënaqur me transferimin e tij te Cesena.
“Është një vend ideal për mua për të rilansuar karrierën time. Jam i kënaqur dhe dua të tregohem diçka e rëndësishme. Mezi pres të filloj”, ka thënë Iaquinta për Tuttomercatoweb.
Ish-lojtari i Udineses nuk është paraqitur aspak për Juventusin këtë sezon dhe tash do të jetë partner i Adrian Mutu në sulmin e Cesenas.

Veseli nënshkruan për United

Manchester Unitedi ka kompletuar transferimin e Frederic Veselit nga rivali Manchester City.
19-vjeçari me pasaportë zvicerane kalon në Old Trafford, pasi nuk arriti ta sistemojë veten në ekipin e parë të Roberto Mancinit.
“Jam shumë i lumtur dhe është një nder të nënshkruaj për Manchester Unitedin”.
“Mezi pres të filloj, të angazhohem shumë dhe të bëj gjithçka për t’i ndihmuar skuadrës”.
“Po planifikoj t’u tregoj të gjithëve se çfarë mund të bëj në fushë”, ka thënë lojtari me prejardhje shqiptare për faqen zyrtare të Djajve të Kuq.

Gjermani, 3.8 milionë të papunë

Në deklaratën e Agjencisë Federale të Punës që gjendet në Nurenberg, numri i të papunëve për muajin janar, në krahasim me muajin dhjetor të vitit 2011, me një rritje në 302 mijë, u deklarua të jetë 3 milionë e 82 mijë.
Përqindja që në dhjetor të vitit të kaluar ishte 6.6 për qind në muajin e parë të këtij viti duke u rritur 0.7 për qind arriti në 7.3 për qind.
Papunësia në janar të vitit të kaluar në Gjermani ishte në nivelin 7.9 për qind.
Kryetari i Këshillit Administrativ të Agjencisë Federale të Punës, Frank-Jyrgen Weise duke vënë në dukje se zhvillimet pozitive në tregun e brendshëm vitin e kaluar kanë vazhduar edhe gjatë muajit janar të këtij viti, tha se rritja e papunësisë buron nga kushtet stinore dhe se kërkesa për fuqinë punëtore është ende e lartë.

Furnizohemi shtrenjtë

Korporata Energjetike e Kosovës vazhdon ta importojë me çmime të shtrenjta rrymën. Çmimi 75 euro për MW, për ekspertët është humbje e madhe për Korporatën. Tenderin për furnizim prej 44 milionë eurosh, e kanë fituar tri kompani me seli në Beograd dhe një në Zvicër.
Drejtuesit e KEK`ut kanë vendosur që ta blejnë me çmime të shtrenjta rrymën. Çmime këto, të cilat, sipas ekspertëve, i shkaktojnë humbje të mëdha Korporatës Energjetike. KEK’u ka pranuar që megavatin ta blejë nga 75 euro. Tri kompani që do ta furnizojnë Kosovën me rrymë janë nga Beogradi dhe vetëm një nga Zvicra.
Kompanitë GEN 1, Rudnap group A.D, EGL doo janë me seli në Beograd dhe Energy Financing Team nga Zvicra.
Këto katër kompani do t`i rrinë gati Kosovës me rrymë prej muajit prill të këtij viti, e deri në muajin mars të vitit të ardhshëm. Për krejt këtë kohë, KEK’u i ka ndarë 44 milionë euro.
Në tenderin e Korporatës për furnizim me energji të moduluar dhe të pikut për këtë periudhë kishin konkurruar vetëm 4 kompani, të cilat edhe u shpërblyen me kontratë nga Korporata. Edhe pse adresat zyrtare të tri kompanive, në kontratë figurojnë se janë nga Beogradi dhe kjo nënkupton se rryma do të vijë nga Serbia.
Zëdhënësi i KEK’ut, Viktor Buzhala thotë për Express se kompanitë që kanë fituar tenderin nuk janë serbe, përves asaj të Rudnapit. Ai tregon se fituesit e tenderit për periudhën e cekur janë të licencuara nga ZRRE’ja konform akteve ligjore dhe rregulloreve në fuqi të Republikës së Kosovës. “GEN I nga Sllovenia, EFT nga Zvicra, Rudnap nga Serbia dhe EGL nga Zvicra”, theksoi Buzhala.
Zëdhënësi Buzhala thotë se për periudhën prill 2012- mars 2013, për të cilën është dhënë edhe ky tender, çmimi mesatar është rreth 75 euro për MW/h. Ai tregon se Korporata do të blejë energji gjatë gjithë kësaj periudhe, për të cilën është dhënë tenderi. “KEK’u do të blejë gjatë gjithë kohës së paraparë, sipas këtij tenderi, me një fleksibilitet sipas kontratave”, thotë Buzhala.
Për ish-ministrin e Energjisë dhe të Minierave, Et’hem Çeku, blerja e energjisë elektrike po i kushton shumë shtrenjtë Kosovës.
Sipas tij, edhe gjatë viteve të mëhershme, Korporata është detyruar çdoherë të blejë energji kryesisht nga shteti serb, për shkak të mungesës së energjisë në rajon. “Kompanitë serbe mbajnë monopolin në rajon. Për këtë, Korporata detyrohet të blejë energji shumë shtrenjtë nga këto kompani, që këtë e ka bërë çdoherë edhe viteve të mëhershme”, thotë Çeku, duke treguar se në rajon mungojnë 20 mijë MW energji elektrike.
Korporata Energjetike e Kosovës, gjatë këtij viti, do të shpenzojë 44 milionë euro nga buxheti vetjak për blerje të energjisë elektrike. Një shumë tjetër prej 13 milionë eurosh për import të energjisë elektrike i është ndarë nga Qeveria. Në anën tjetër, Korporata Energjetike e Kosovës, sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Kosovës, po del se ka rrymë me bollëk.

Edhe një “agjent i SHIK-ut” jep dëshmi në EULEX

Pas Nazim Bllacës, Naim Miftari është i dyti dëshmitar që deklaron veten të ketë qenë pjesëtar i SHIK-ut. Por, në dëshminë e tij, ai nuk e ngarkon veten sikur që kishte bërë Bllaca. Në anën tjetër, ish-zyrtarë të lartë të SHIK-ut mohojnë që personi me emrin Naim Miftari të ketë punuar për SHIK-un.
Derisa nuk ka shkuar aq larg për të deklaruar se ka kryer vrasje, sikur Nazim Bllaca, në dëshminë e dhënë javën e kaluar, më 17 janar, Naim Miftari ka rrëfyer se si ka marrë në pyetje Nexhmedin Ajetin, ish-punëtor i sigurimit shtetëror serb, dhe se atë, madje, do ta kishte vrarë po të mos ia kishte përmendur Ajeti emrat e Hashim Thaçit e Kadri Veselit.
E tëra është përmbyllur me disa shuplaka që Miftari ia kishte dhënë Ajetit, shkruan “Koha Ditore”.
Naim Miftari (1967) nga fshati Beçuk i Vushtrrisë pretendon se ka qenë hetues në Shërbimin Informativ të Kosovës, dhe ka folur në cilësinë e dëshmitarit para prokurorit, Maorizio Salustro, për veprimtarinë e tij dhe të SHIK-ut në përgjithësi.
Dëgjimi i tij është bërë në kuadër të hetimeve në rastin kundër Fahredin Gashit dhe të tjerëve, të ngritur në bazë të dëshmive të Nazim Bllacës.
Ish pjesëtar i UÇK-së dhe pjesëmarrës në luftën e Kroacisë, Miftari thotë për vete se ka qenë njeri i afërt me Azem Sylën e figura tjera të UÇK-së, në dëshminë dhënë prokurorit Salustro dhe se diku një muaj pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë e kishte arrestuar e marrë në pyetje Nexhmedin Ajetin nga Mitrovica.
I afërmi i Nexhmendin Ajetit, Sherafedin Ajeti është vrarë në Kleçkë në vitin 1999 dhe për atë vrasje akuzohen disa pjesëtarë të UÇK-së.