Ferguson premton rikthimin e titullit

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ua ka garantuar tifozëve të United, më saktësisht atyre që janë abonuar për gjithë sezonin e ardhshëm, se ata duhet të presin rikthimin e titullit në Old Trafford në një sezon edhe më dramatik.
Djajtë e Kuq e humbën titullin e 20-të nga City që shënoi dy gola në sekondat e fundit për të shokuar kështu klubin nga Old Trafford dhe miliarda tifozët anë e mbanë globit. Sidoqoftë, premtimet Ferguson ka thënë se do t’i mbajë.

“Kur shikoni sezonin e kaluar, kjo flet më shumë për historinë e Manchester United. Nuk ka klub që mund të krijojë dramën që krijuam ne vitin e kaluar. Në rregull, nuk doli e jonë, por kur ktheneni ndër vite dhe shikoni ndeshjet kur shënonim gola në sekondën e fundit, atëherë e kuptoni se është drama e Manchester United”.

“Gjithmonë do të ekzistojë kjo, pasi jemi klub i tillë. Kur bleni biletën sezonale, jeni të garantuar: Një – mund të pësoni sulm në zemër. Dy – kënaqësi maksimale deri në minutin e fundit. Dhe nën tre: Faktin se do ta kthejmë titullin te vendi”, është shprehur në një videomesazh Ferguson.

Pesë Superkupa të Spanjës në Kinë

Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka bërë të ditur se Kina do të jetë mikpritëse e pesë edicioneve të Superkupës së Spanjës.
RFEF ka arritur një marrëveshje në vlerë prej 32 milionë eurosh me United Vansen International Sport, për t’i lejuar kështu vendit aziatik mikpritjen e pesë prej shtatë ndeshjeve të Superkupës.

Superkupa e parë e cila do të zhvillohet në Kinë do të jetë në vitin 2013.

Këtë vit Superkupa e Spanjës do të zhvillohet ndërmjet kampionit Real Madrid dhe fitueses së Kupës, Barcelonës. Të dyja ekipet janë takuar edhe vitin e kaluar me ç’rast fitimtarë ishin Blaugranët me rezultat të përgjithshëm prej 5-4.

Hodsgon: E kërkova Hazardin te Liverpooli

Përzgjedhësi i Anglisë, Roy Hodgson, ka deklaruar se ai e ka shikuar si transfer të mundshëm anësorin e Lille, Eden Hazard, në kohën kur ai ishte menaxher i The Reds.
Hazard po kërkohet nga shumë klube angleze dhe Hodgson ka zbuluar se po që se do ta kishin dëgjuar drejtuesit e klubit, Hazard tani do të kishte qenë lojtar i Liverpoolit.

“Unë shkova për ta shikuar Hazardin si transfer potencial që ishte dhe kur isha trajner i Liverpoolit, kështu që e di se sa i mirë është ai. Ishte një ndeshje mes Lille dhe Monacos, ishte një ndeshje ku ai shkëlqeu”, ka theksuar Hodgson.

Lucasit nuk i intereson Interi

Ylli i Sao Paulos, Lucas Moura, ka qenë subjekt i një oferte prej 18 milionë eurosh nga Interi, ka zbuluar agjenti i futbollistit brazilian.
Sensacioni 19 vjeçar konsiderohet si një prej talentëve më të mirë në botë dhe Chelsea, Interi dhe Real Madridi kanë qenë në kërkim të tij, ndëras tani agjenti pohon se ai s’është i interesuar për ofertën e Nerazzurëve.

“Interi më bëri ofertë prej 18 milionë eurosh për Luasin, por unë as që e kam humbur kohën me këtë ofertë sepse lojtari tashmë ka thënë se ai nuk dëshiron të largohet nga Sao Paulo. Mourinho është i interesuar për të, i shikon të gjitha ndeshjet e tij”, ka theksuar agjetni i Lucas, Wagner Ribeiro.

Messi: Do ta përballojmë humbjen e Guardiolës

Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, është i bindur se Barcelona do të jetë në gjendje që ta përballojë largimin e trajnerit Pep Guardiola.
“Jam më se i lumtur te Barcelona dhe kurrë nuk kam menduar për ndërrim klubesh. Unë nuk do të largohem”.

“Ne do të tejkalojmë humbjen e Guardiolës dhe shpresojmë se gjithçka do të vazhdojë njëjtë me Titon, i cili ka filozofi dhe mentalitet të njëjtë”, ka thënë Messi për Expansion.

Madonna fillon turneun botëror

Madonna e ka filluar turneun e saj botëror në Izrael mbrëmjen e kaluar, me një koncert fantastik në Tel Aviv.
53 vjeçarja e filloi turneun e saj “MDNA” me një koncert fantastik në stadiumin Ramat Gan në Tel Aviv, ku ajo kënodi këngë të ndryshme nga karriera e saj 30 vjeçare me hite si “Like a Virgin” dhe “Vogue”.

PoëoëEntertainment tashmë ka konfirmuar se data pesë korrik është për Eve dhe 15 korrik për Unikkatilin, por befasia është data 9 korrik, ku ndoshta-ndoshta, pse jo...

Degert: Presim qëndrimin e Nikolicit për Kosovën

Shefi i Delegacionit të BE-së në Beograd, Vincent Degert, ka thënë se BE pret qëndrimin e presidentit të ri të Serbisë, Tomislav Nikolic, përkitazi me Kosovën.
"Presidenti i porsazgjedhur Nikolic ka shprehur gatishmërinë për të trajtuar këtë çështje të vështirë dhe ne presim me kujdes javët dhe muajt e ardhshëm qëndrimin që ai do ta ketë për Kosovën”, ka thënë Degert për “Danas”.

Degert shpreson se dialogu Prishtinë-Beograd do të vazhdojë posa të formohet qeveria e re e Serbisë. Ai vlerëson se vazhdimi duhet të jetë një ndër prioritetet kryesore të kësaj qeverije. Sipas tij, BE dëshirën po ashtu që sa më shpejtë ta shoh zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Fletarrest “fantom” ndaj Xhezair Shaqirit!

Në stacionimet policore dhe pikat kufitare të Kosovës është shpërndarë një fletarrest ‘fantom’ ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Xhezair Shaqiri.
“Këtë ma kanë thënë disa të njohur që punojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës”, ka thënë Shaqiri për “Tribuna Shqiptare”.

Ekzistencën e fletarrestit e ka konfirmuar një pjesëtar i Policisë së Kosovës, i ngarkuar me punë në Pikën kufitare në Merdarë. Por, zyrtarisht Policia e Kosovës dhe EULEX-i e kanë mohuar ekzistencën e një fletarresti të tillë.

Shaqiri, i njohur më parë si Komandant Hoxha, thotë se ky fletarrest është shpërndarë pas akuzave që i ka bërë i ashtuquajturi sekretar shtetëror për Kosovën, Oliver Ivanovic, për sulmin që “Xhezair Shaqiri dhe Eljesa Sherifi e bënë ndaj xhandarëve serbë në Dobrosin të Bujanocit”.

“Në kohën kur u krye ky sulm unë kam pasur një kontratë pune në një shtet evropian. Gjithashtu edhe Sherifi ka qenë jashtë”, ka thënë Shaqiri.

Ikni më 2015

Pikërisht në kohën kur po diskutohet përmbyllja e Zyrës së ICO-s, e cila ka mbikëqyrur përmbushjen e Pakos së Ahtisaarit, Qeveria e Kosovës po ia shkruan fundin edhe EULEX-it.
Propozimin për largimin e Misionit për Sundimin e Ligjit e ka elaboruar Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi para evropianëve, duke kërkuar që ky mision të përmbyllë mandatin efektivisht në fund të vitit 2015.

Këtë kërkesë Kuçi e ka bërë të mërkurën në Bruksel, ku ka shpalosur një strategji dhe fazat që çojnë në përmbylljen dhe largimin e këtij misioni nga Kosova, shkruan “Express”.

Kjo ka ndodhur po ashtu në kohën kur Brukseli ka vendosur ta ristrukturojë EULEX-in, siç thonë zyrtarët evropianë, me qëllim të funksionimit më të mirë.

Në fakt institucionet e vendit konsiderojnë se EULEX’i nuk është i nevojshëm këtu më shumë se deri në vitin 2014, por qëndrimi i tyre është së ky mision mund të vazhdojë punën për çështjen e krimeve të luftës dhe për veriun deri në fund të vitit 2015. Kuçi ka deklaruar në Bruksel se pas kësaj periudhe, kosovarët e duan vendin e tyre pa EULEX.

Kushtetuesja s’ka gjyqtarë për ‘Hoçën e Prizrenin’

Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Hoçën e Madhe ka mbetur peng i mungesës së gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Këto dy projektligje ishin dërguar në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje të përkrahur nga shoqëria civile dhe nga deputeti i PDK-së, njëherësh kryetar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Nait Hasani.
Ishte konsideruar se miratimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës ishte në kundërshtim me Kushtetutën, pasi përbënte shkelje të parimeve të laicitetit dhe neutralitetit të besimeve fetare.

Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Nait Hasani, ka deklaruar për “Tribuna Shqiptare” se lënda e tyre vazhdon të qëndroj në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mungesës së gjyqtarëve të cilët do ta shqyrtonin lëndën.

“Ne jemi në pritje të shqyrtimit të këtyre dy ligjeve, mirëpo na është thënë se lënda një herë nuk mund të shqyrtohet për shkak të mungesës së gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Hasani.

Deputeti Hasani beson se Gjykata Kushtetuese do të vendos në favor të tyre, pasi sipas tij, janë ofruar dokumente të mjaftueshme e të cilat vërtetojnë se miratimi i ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Hoçën e Madhe janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

PDK “tradhton” Bahri Hysenin

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në seancën e së enjtes kanë “tradhtuar” bashkëpartiakun e tyre, Bahri Hyseni, i cili ka qenë njëri nga kandidatët për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Për ish-deputetin e PDK-së dhe njërin nga anëtarët e devotshëm të këtij subjekti politik, deputetët e partisë së kryeministrit, Hashim Thaçi, nuk janë treguar dorëlirë, duke ia pamundësuar atij që të bëhet njëri nga gjykatësit e Kushtetueses, shkruan “Zëri”.

Gjatë procesit të fshehtë të votimit, ai ka marrë votat e nevojshme në raundin e parë, duke vazhduar kështu në të dytin, por 63 vota sa ka marrë në raundin e dytë kanë qenë të pakta që ai të kalojë në të tretin. Ndërsa, e kundërta ka ndodhur me kandidaten Arta Rama-Hajrizi e cila ka marrë 71 vota.

Burime të besueshme brenda PDK-së kanë thënë se ka qenë kryeministri Thaçi ai që ka penguar ardhjen e Hysenit dhe e ka favorizuar kandidaten Rama-Hajrizi.

“Hyseni i takon krahut të Jakup Krasniqit. Problemi është se Thaçi është frikësuar që nëse zgjidhet gjykatës i Gjykatës Kushtetuese, Hyseni nuk do ta dëgjojë, por do të punojë për Jakup Krasniqin”, ka thënë burimi.

Rreth 15 mijë euro për “çmimin” e blerë

Autoritetet e Universitetit të Prishtinës nuk ishin mashtruar nga “Business Initiative Direction” (B.I.D.), kur i ishin përgjigjur pozitivisht kësaj skeme për të marrë një “çmim”. Menaxhmenti e dinte se “çmimin” po e blinte.
“Koha Ditore” ka siguruar të premten një kupon shpenzimi që UP-ja ka bërë për të. Në kupon është evidencuar shuma prej 3900 eurosh që alokohet tek shitësi “Business Initiative Direction”. Alokimi ishte bërë më datën 25 maj.

Tri ditë më vonë me “trofe” në dorë do të shihej rektori Mujë Rugova në një ceremoni të organizuar në New York, gjatë së cilës u janë ndarë “çmimet” të gjithë blerësve gjithandej globit, që në numër ishin 117. Të “shpërblyerit” nëpër vite, që i ka parë gazeta, janë kryesisht biznese nga Kina, Rusia apo India.

Rugovës ia kanë bërë edhe një foto gjatë momentit të ndarjes së “çmimit”, ngaqë edhe ky shërbim mbulohej si kundërvlerë e 3900 eurove që kishte ndarë UP-ja. Po kështu, organizatori për pjesëmarrësin e subjekteve që kishin blerë “çmimet” kishte siguruar edhe një dhomë hoteli, një drekë gala, një certifikatë dhe pullën e fituesit. Edhe një DVD me foto dhe xhirime të bëra në ceremoni u është dhënë pjesëmarrësve.

UP-ja e ka publikuar me pompozitet këtë “çmim”, duke thënë se këtë e meritonte, ngaqë ishte vlerësuar për cilësi.

Nga UP-ja ishin pjesëmarrës në ceremoni dy përfaqësues. Rektorin Rugova e kishte shoqëruar zëvendësi i tij, prorektori Naser Mrasori. Për këtë udhëtim UP-ja a ka dhënë hiç më pak se 7000 euro si avancë të dyve. Megjithëkëtë, në arsyetimin e vendimin që mban firmën e prorektorit Enver Kutllovci, kurrkund nuk përmendet pjesëmarrja në ceremoninë e B.I.D.

Ditë më parë, sipas një komunikate të lëshuar nga Lëvizja Studentore për Barazi “Studim, Kritikë, Veprim”, Business Initiative Direction (Drejtimi për Nismat Biznesore), është e njohur për mashtrimet që i ka bërë më herët. Rasti më i hapur është kur B.D.I. i ka dërguar mesazh të tillë një kompanie nga Botswana, për performancë të mirë biznesore në vitin 2010.

“Por, problemi ishte që kjo kompani nuk punonte që nga viti 2003”, thanë në SKV.

Sipas SKV, ajo që kërkon B.D.I. nga viktimat e mashtrimit të saj, është pagesa prej minimum 3.800 euro për ta blerë medaljen dhe pjesëmarrjen në një gala mbrëmje ku ndahen çmimet, për ata që i kanë blerë ato.

SKV vlerësonte se është e turpshme se si udhëheqësi i institucionit kryesor të Arsimit të Lartë në Kosovë bënë gafa të tilla.

“Në vend se ai të ishte një intelektual që zhvillon mendimin kritik në Kosovë, ai bëhet palaço i mashtrimeve. Mujë Rugova, në fund të mandatit të tij të paligjshëm si Rektor i UP-së, më çdo kusht po mundohet të krijojë e të marrë çmime. Ai së fundmi ia dha vetes titullin ‘Profesor Emeritus’, ndërsa tani e pranoi medaljen e artë të mashtrimit”, thuhej në reagimin e Lëvizjes Studentore për Barazi, SKV.