Kurti: SHIK-u duhet të përgjigjet për shumë gjëra

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se akuzat e deputetit të PDK-së dhe ish-agjentit të SHIK-ut, Bekim Haxhiu – Kamishi, “janë shpifje dhe përpjekje për të më dhënë ultimatume”.
“Shantazhet nuk veprojnë mbi mua", ka thënë Kurti në emisionin “Opinion”, për të shtuar se gjysma e deputetëve të PDK-së në Kuvend janë agjent të SHIK-ut.
“Nuk është i Kosovës, por i PDK-së ky shërbim".
Sipas tij, akuzat erdhën pas kritikave për kryeministrin Hashim Thaçi, lidhur me takimet e tij me Presidentin e Serbisë, Boris Tadic. Kurti megjithatë ka refuzuar të komentoj akuzat e Kamishit për “takimet e tij me serbë në vitin 2004”.
"Nuk dua të merrem me ta. SHIK-u është një shërbim partiak që i ka përdor pozitat institucionale për tu pasuruar, kurse tani për tu imunizuar. Ata duhet të përgjigjen për shumë gjëra. Kosova nuk ia ka pa hajrin". ka thënë Kurti. 

Politika njeh kompromiset si fusnota!

Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë për “Radio Dukagjinin” se nuk ka qenë e nevojshme që t’i jepet shumë rëndësi çështjes së fusnotës. Mirëpo, ai ka insistuar që në asnjë mënyrë Kosova nuk guxon të kthehet prapa nga ajo që e ka deklaruar më 17 shkurt të 2008-ës. Nga ana tjetër, ish-presidenti shqiptar, Alfred Mojsiu, ka theksuare se politika njeh kompromise të tilla, siç është ajo e fusnotës
“Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe në asnjë mënyrë dhe në asnjë fazë nuk do duhet të lejoj ndonjë qasje të kthimit prapa që do të prishte jo vetëm formulën e prezantimit të Kosovës, por në një formë edhe të zbehjes së rolit si faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitet, dhe pjesëmarrjen në takimet e rëndësishme ndërkombëtare”, ka thënë Sejdiu.
Ish presidenti shqiptar, Alfred Mojsiu, ka porositur politikbërësit kosovarë që të kenë kujdes që fituese në këtë mes të mos del vetëm Serbia, por që edhe Kosova të vjel frytet e këtij kompromisi.
“Politika njeh kompromise të tilla dhe do të thosha se hapat e ardhshëm duhet të jenë shumë të kujdesshëm, në mënyrë që përfitimet mos të jenë vetëm në të mirë të Serbisë, por në favor të të dyja palëve për zgjidhjen sa më të drejt të problemit”
Sejdiu dhe Mojsiu theksojnë se deklaratat mbështetëse të SHBA-ve janë garanci se Kosova do të ruaj sovranitetin.

Lirohet rruga Pejë-Rugovë

Policia Rajonale e Pejës ka deklaruar sot se rruga që lidhë Pejën me Rugovën, saktësisht me Qendrën turistike skitare “Boge”, është plotësisht e kalueshme.
Megjithatë, policia ka apeluar te qytetaret që të qarkullojnë me pajisjet e duhura dimërore dhe që gjatë rrugëtimit në këtë pjese të kenë kujdes të shtuar, për shkak të rrezikut potencial nga orteqet.
Përndryshe, për dashamiret e sporteve dimërore, në këtë pjesë ka borë dhe shtigjet janë dispozicionin të skitareve.

Adem Sufaj fermeri i vitit

Adem Sufaj është shpallur fermeri i vitit, duke fituar një mëshqerrë, në ceremoninë “Shpallja e Fermerit të vitit e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), Shoqata e Prodhuesve të Qumështit dhe Shoqatën e Përpunuesve të Qumështit.
Përveç fermerin Sufaj janë shpërblyer edhe Brahim Bicorri me një Laktorfriz të 1 mijë e 200 litrave që ka vlerë rreth 2 mijë e 500 euro, fermeri Beqir Ukaj me 400 euro, Florim Shala 300 euro dhe Nazim Berisha me 200 euro.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Blerand Stavileci tha se përkrahja për fermerët do të vazhdoj edhe më tej. Stavileci ka thënë se raportet se gjoja toka e Kosovës është e kontaminuar nuk i bënë mirë askujt, e aq më pak prodhuesve.
“Nuk është se prodhuesit tanë filluan të prodhojnë prej dje apo pardje, pra janë gjithë këto vite që ne kemi pasur një prodhim cilësorë, çështja e sasisë dhe sa i përmbushim ne nevojat tona është një çështje tjetër”, u shpreh Stavileci.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu si zakonisht nuk ka mundur të anashkalojë raportin ku thuhet se toka e Kosovës është e helmuar. Ai u tha fermerëve se toka e Kosovës është e bekuar, me punën e djersën e tyre. “Ju jeni vula e asaj që nga toka e Kosovës ka pasur dhe do të ketë produkte të cilësisë së lartë, produkte të cila me të vërtet i plotësojnë të gjithë normat dhe kriteret evropiane dhe botërore”, tha Gërxhaliu.
Ndërkaq ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, tha se Qeveria e sheh ketë sektor si një nder sektorët me vital te shoqërisë kosovare, të ekonomisë kosovare i cili ka kapacitete edhe me te mëdha për rritje. “Ne jemi këtu për t’ ju dhënë atë mbështetje duke filluar prej asaj morale, te ajo institucionale dhe me tutje edhe tek reformat e shumta te cilat janë duke zënë vend ne shoqërinë dhe ne politikat e Qeverise se Republikës se Kosovës”, tha zëvendës kryeministrja Kusari Lila.
Diana Alia, kryetare e komisionit vlerësues për zgjedhjen e fermerit të vitit ka shpjeguar se është dashur t’i plotësojnë disa kritere.
Shpallja e fermerit të vitit është sponzoruar nga Devolli Group respektivisht Qumështorja VITA.

Eurozonë, recesion i ulët

Bashkimi Evropian pret që ekonomia e 17 anëtarëve të Eurozonës, të pësojë një recesion të ulët në këtë vit, me gjithë shenjat e stabilizimit, në veçanti të tregjeve financiare.
Në projektimet e fundit, Komisioni Evropian parashikon një tkurrje prej 0.3 për qind të ekonomisë së Eurozonës, me Greqinë e cila udhëheq me një rënie prej 4.4 për qind.
Komisioni pret që Belgjika, Spanja, Italia, Qiproja, Holanda dhe Sllovenia të pësojnë tkurrje ekonomike krahas Greqisë e Portugalisë.
Ndërsa në bllokun 27 anëtarësh të BE-së, ku përfshihen edhe vendet që nuk janë anëtare të Eurozonës, si Britania e Suedia, pritet një performansë e pandryshuar nga viti i kaluar.

Vendet e Ballkanit ëndërrojnë për pasuri nafte

Depozitat e mundshme në brigjet e Shqipërisë e në Serbi bëjnë që të dy vendet të shpresojnë për një përfitim ekonomik të papritur. Vendet e Ballkanit kanë shpresa të mëdha për një zhvillim të naftës, që thonë se mund të ofrojë një derdhje aq të nevojshme parash e të pakësojë varësinë e rajonit nga importet.
Shqipëria po gëzohet në zbulimin e fundit të depozitave masive në ujrat territoriale të saj në Detin Adriatik një gjetje që mund të japë 1 miliard fuçi nafte. Serbia, ndërkohë, po bën plane që të nxjerrë deri në 400 milionë tonë naftë argjilore nga territori i saj, që mund të rezultojë në 600,000 tonë naftë.
Njoftimet kanë bërë që disa të ëndërrojnë për pasuri të reja për shtetet e Ballkanit, që janë përpjekur tradicionalisht me papunësinë e lartë e shanset e kufizuara ekonomike. "Do të isha shumë i lumtur nëse Shqipëria do të bëhej Kuvajti i Ballkanit," tha për SETimes Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Energjisë Eno Bozdo. Ai tha se Shqipëria është një nga pak vendet në rajon e në Evropë, ku janë zbuluar sasi të mëdha rezervash të naftës e gazit natyror gjatë shekullit të kaluar.
Zbulimi i Shqipërisë erdhi kur San Leon Energy, ndërmarrje me qendër në Dublin, nënshkroi një kontratë me Qeverinë për të siguruar eksplorim e shfrytëzim të naftës në det vitin e kaluar. Hartografimi tre-dimensional i ndërmarrjes sugjeroi disa shanse të mëdha nafte e gazi.
Sipas kontratës standarte që Qeveria përdor me ndërmarrjet e huaja që kërkojnë naftë në territorin shqiptar, shteti fiton 10 për qind të prodhimit të përgjithshëm e 50 për qind të fitimeve nga shitjet e naftës, nëse operacionet e shfrytëzimit janë të suksesshme.
Profesor Gjergji Foto në Fakultetin e Gjeologjisë e Minierave në Tiranë, është optimist rreth shanseve. "Mund të themi se territori i Shqipërisë ka shfaqje të bitumit, naftës e gazit natyror në sipërfaqe, Gjatë komunizmit, nuk kishim teknologjinë e duhur për të zbuluar burimet. Por tani, janë identifikuar rreth 400 milionë ton naftë", tha ai.
Mimi Kodheli, zëvendëskryetare e Komitetit të Ekonomisë e Financave të parlamentit, tha e Qeveria duhet të ishte më e përgjegjshme për burimet e rëndësisë strategjike si nafta. "Kuadri ligjor lë shumë hapësirë për investitorët e huaj. Për shembull, ata kanë të drejtën të përdorin burimet deri në 25 vjet" shtoi ajo.
Në Serbi, Oliver Duliç, ministër për mjedisin, minierat e planifikimit hapësinor, tha se nxjerrja e naftës argjilore në basenin e minierave në Aleksinaç është një vendim strategjik biznesi për të ardhmen e Serbisë që do të prodhojë 10për qind deri në 15për qind të nevojave të naftës së Serbisë.

13 OJQ amerikane kundër TC Kosova e Re

Planet për ndërtimin e një termocentrali 600 megavatësh me qymyr janë mbështetur në vlerësimet se Kosova nuk ka opsione të tjera të qëndrueshme të energjisë për të përmbushur nevojat urgjente për energji. “Ne tani e dimë se ky supozim është gabim”, thuhet në letrën, e cila është nënshkruar nga drejtuesit e 13 organizatave dhe i është dërguar senatorit Patrick Leahy. Dy studime të bëra së fundi e vërtetojnë këtë.
Trembëdhjetë organizata joqeveritare amerikane i kanë shkruar një letër senatorit Patrick Leahy, nga i cili kërkojnë ndihmë për të bindur Administratën e Shtetit dhe Bankën Botërore që të tërheqë planet për ndërtimin e një centrali të ri me qymyr në Kosovë.
Sistemi ekzistues i Kosovës i energjisë elektrike është i rrethuar nga plakja dhe infrastruktura jo e sigurt, gjenerimi i ndotur dhe joefikas i thëngjillit, ndërprerjet e shpeshta, si dhe me humbje shumë të mëdha gjatë transmisionit dhe shpërndarjes, thuhet mes tjerash në letrën drejtuar senatorit të Vermontit, e cila iu është shpërndarë dhe mediave.
Për të adresuar këto çështje, qeveria amerikane ka mbështetur dhe inkurajuar fuqimisht Bankën Botërore për të financuar komplet investimet dhe mbështetjen teknike për ndërtimin e “Kosovës së Re”, një termocentral i ri 600 megavatësh me qymyr.
Sipas nënshkruesve të letrës, plani është mbështetur në vlerësimet se Kosova nuk ka opsione të tjera të qëndrueshme të energjisë, pos të djegë linjitin e saj të shumtë (lloji më pak efikas dhe që shkakton më së shumti ndotje i qymyrit) për të përmbushur nevojat urgjente të saj të energjisë. “Ne tani e dimë se ky supozim është gabim”, thuhet në letrën, e cila është nënshkruar nga drejtuesit e këtyre organizatave: Sierra Club, 350.org, Greenpeace, Center for International Environmental Law, League of Conservation Voters, Union of Concerned Scientists, Rainforest Action Network, Friends of the Earth, Public Citizen, Foundation Earth, Bank Information Center dhe Earthworks.
Një hulumtim i kohëve të fundit për nevojat energjetike të Kosovës dhe opsionet, i udhëhequr nga Dan Kammen, ish-shef teknik i specializuar për Energji të Ripërtërishme dhe Energjetikë i Bankës Botërore, ka gjetur se nevoja për energji nga “Kosova e Re” do të mund të eliminohej me anë të një strategjie gjithëpërfshirëse energjetike, që përfshin renovimin e impianteve të tjera, reduktimin e humbjeve në transmision dhe shpërndarje, zhvillimin e hidrocentraleve dhe burimeve të tjera të rinovueshme, si dhe rritjen e efikasitetit të përdorimit.
Kammen dhe ekipi i tij zbuloi se kjo qasje do të ishte dukshëm më e lirë, do të krijonte më tepër vende të reja pune, dhe do të ketë rezultate ndjeshëm më të mirë mjedisore dhe shëndetësore për njerëzit e
Kosovës, sesa alternativa e “Kosovës C”.
Prandaj, 13 OJQ-të amerikane i kërkojnë senatorit Leahy ndihmën e tij tuaj për të bindur Administratën Amerikane të rishqyrtojnë mbështetjen e tyre për projektin. Në veçanti, kërkojnë që këto shqetësime të ngrihen me Laelit Brainardin, nënsekretare për Çështje Ndërkombëtare në Departamentin e Thesarit.
Letra i është dërguar si “Carbon Copy” edhe Robert Zoellick, president i Bankës Botërore. 

EULUP: Nuk ka raport final për kontaminimin e tokës

Të dhënat e një raporti të projektit EULUP-it, të publikuara në media, në të cilën thuhet se toka bujqësore e Kosovës është e kontaminuar, janë të dhëna ende ta pamiratuara. Projekti që mban emrin "Mbështetje e Mëtutjeshme Shfrytëzimit të Tokës" (EULUP) është i financuar nga Bashkimi Evropian dhe menaxhohet nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian.
Alush Sadikaj nga EULUP, thotë se ende nuk kanë raport final rreth çështjes aq shumë të përfolur. “Raporti në fjalë ekziston, por akoma është në përpunim e sipër. Raporti nuk është final, ai është ende në diskutim mes palëve dhe më vonë do të shihet se a do të aprovohet apo jo. Të dhëna që kanë dalë në publik janë të një draft raporti, të cilat nuk janë të miratuara”, thekson Sadikaj, për Radion Evropa e Lirë.
Sadikaj shton se ende nuk dihet se kur do të publikohet raporti final, pasi që siç thotë ai, kjo varet nga palët e përfshira në këtë raport siç është zyra e Komisionit Evropian në Kosovë, Ministritë etj.
Draft raporti i cili ishte publikuar në media vendore tregonte se toka e Kosovës është e kontaminuar. Ky raport i papublikuar ende nga projekti EULUP ka ngritur reagime të shumta në Kosovë. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës kishin thënë se ky raport ka shumë mangësi dhe e kishin quajtur raport kundërthënës e tendencioz.

Zvicra mbështetë zhvillimin ekonomik të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Enver Hoxhaj, priti një delegacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Konfederatës së Zvicrës. Në takimin me drejtorin politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës, Peter Maurer, ministri Hoxhaj ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, të cilat janë të shkëlqyeshme si dhe për mbështetjen që mund të japë Zvicra në zhvillimin ekonomik si dhe në shtimin e njohjeve për Republikën e Kosovës.
Ministri Enver Hoxhaj, falënderoi shtetin e zviceran për mbështetjen e madhe që i ka dhënë popullit të Kosovës në dekadat e shkuara si dhe për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. “Zvicra ka dhënë një kontribut të çmuar në lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Për këtë do të jemi gjithmonë mirënjohës”, shtoi Hoxhaj.
Kurse drejtori politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës, Peter Maurer, theksoi se mbështetjen e shtetit të tij për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Ai tha se Zvicra edhe këtë vit ka ndarë një fond shumë të madh për shtetet e Evropës Juglindore, prej të cilit do të përfitojë edhe Republika e Kosovës.
Ministri Hoxhaj ka mirëpritur gatishmërinë e shtetit zviceran për të mbështetur projekte, të cilat do të ndihmojnë drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, ministri Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e shtetit zviceran, në mënyrë që kosovarët sa më parë të lëvizin pa viza në Zonën Shengen.

Benitez zëvëndësues i Villas Boas?

Chelsea ka kontaktuar Rafael Benitezin për t’u përgatitur që të marrë në dorë skuadrën e Chelseat në rast të ndonjë dështimi të radhës të menaxherit Andres Villas Boas.
Raportohet se Roman Abramovich mund të jetë i detyruar që të kërkojë trajner të ri, pasi strategu portugez Villas Boas po tregohet shumë i dështuar.
Besohet se Rafael Benitez mund t’i bashkohet klubit nga Londra në një marrëveshje deri në fund të sezonit, me të ardhmen e tij afatgjate që varet nga kualifikimi për një vend në Ligën e Kampionëve. Fabio Capello është po ashtu në listën e pronarit rus.

Maicon lëndohet në gju, mungon dy javë

Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, ka marrë lajme jo të mira nga fronti i lëndimeve pas ndeshjes ndaj Marseille të mërkurën, pasi do të duhet t’ia dalë pa mbrojtësin Maicon, i cili është lënduar në gju.
Mbrojtësi brazilian luajti nga fillimi në Velodrome, por nuk vazhdoi në pjesën e dytë për shkak të lëndimi të pësuar.
Nuk dihet ende kohëzgjatja e mungesës së Maicon, por qarqet interiste kanë frikë se Maicon mund të mungojë deri në dy javë. 

Cesar: Kurrë nuk kam qenë në situatë të këtillë

Portieri i Interit, Julio Cesar, ka shprehur frustrimin e tij me dështimet e vazhdueshme të skuadrës së tij, pas disfatës së mbrëmshme 1-0 nga Marseille në kuadër të Ligës së Kampionëve.
“Kjo është hera e parë që e shoh veten në një situatë kaq të vështirë sa kjo. Kurrë nuk jam përballur me diçka si kjo që kur i jam bashkuar Interit. Ne kemi nevojë të tregojmë shumë karakter, shumë fuqi për ta kaluar këtë”.
“Ju kaloni në momente si kjo gjatë jetës dhe keni nevojë ta ruani vetëbesimin në aftësitë tuaja për t’u ngritur në këmbë sërish, pa harruar të gjitha gjërat e mira që i keni bërë. Ne duhet ta nxjerrim veten nga kjo duke qëndruar së bashku, përmes punës së palodhshme”.
“Dhe nëse shikojmë në anë e ndritur, edhe pas të gjitha këtyre disfatave ne ende mund të arrijmë në pozitën e tretë; kjo është minimumi i obligimeve tona. E njëjta vlen për në Ligën e Kampionëve: ne kemi edhe 90 minuta të tjera dhe shpresojmë të vazhdojmë më tej”, ka thënë 32-vjeçari brazilian. 

Chiellini: Pirlo e ka ndryshuar Juventusin

Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, thotë se Andrea Pirlo është një prej dallimeve më të mëdha të Biankonerëve, komente të cilat vijnë në prag të derbit të Serie A përballë Milanit.
Pirlo erdhi te Zonja e Vjetër si lojtar i lirë pikërisht nga Milani në fund të sezonit të kaluar dhe që atëherë është treguar një lojtar kyç për suksesin e Biankonerëve.
“Pirlo është lojtari i cili vërtet i ka ndryshuar gjërat te Juve. Ai vërtet dëshironte të kthehej në lojë, dhe ka treguar se është një person i jashtëzakonshëm dhe një lojtar fantastik”.
“Ne nuk kemi një lojtar si Ibrahimovic, por ne e kompensojmë këtë me vendosmërinë tonë dhe dëshirën tonë për të fituar”, citohet të ketë thënë Chiellini për Il Corriere dello Sport. 

Ranieri: Mund ta përmbysim rezultatin

Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, thotë se disfata e mbrëmshme 1-0 nga Marseille tregon formën e dobët në të cilën po kalon skuadra.
Një gol i vonshëm nga Andre Ayew vulosi disfatën e katërt radhazi dhe të gjashtë në shtatë ndeshjet e fundit për Interin. Megjithatë Ranieri shprehet optimist se ata do të mund ta përmbysin disavantazhin në ndeshjen e kthimit.
“Ne e dinim se ata do të dilnin fuqishëm dhe bënë shumë presion në pjesën e parë, por ne kishin shanse të mira për të kaluar në avantazh”.
“Ishte një pasqyrim i situatës tonë, kur gjërat shkojnë keq, ata vërtet shkojnë keq. Sfida nuk ka mbaruar, nëse stadiumi mbushet me tifozët tanë, ne mund ta përmbysim rezultatin”, ka thënë Ranieri për Sky Sport Italia.

Beckenbauer: Bayerni nuk po arrin të shënojë

Legjenda e futbollit gjerman Franz Beckenbauer thotë se Bayern Munich është duke dështuar në sulm pas disfatës së mbrëmshme 1-0 nga Baseli.
“Situata është bërë më e keqe, por nuk është dramatike. Baseli është gjithmonë i mirë në udhëtim, nëse ata shënojnë në ndeshjen e dytë, atëherë do të ketë nevojë të shënojmë tre gola”.
“Mendoj se është e mundshme që Basel të shënojë në Munich. Bayern ka probleme me shënimet. Nëse Neuer nuk do të ishte aty, Basel mund të kishte shënuar dy ose më shumë”, ka thënë Beckhenbauer.

Ferguson: Giggs më i madh se Maldini

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, mendon se arritjet e Ryan Giggs janë më të mëdha se ata të legjendës së Milanit, Paolo Maldini.
“Është e qartë se Maldini ishte një lojtar i mahnitshëm, por ka një dallim. Maldini ishte mbrojtës dhe megjithëse në rastin e tij ai ka bërë shumë vrap si mbrojtës, anësorët kanë më shumë punë për të bërë”.
“Është vërtet e mrekullueshme. Nëse shikojmë prapa në Moskë (në finalen e Ligës së Kampionëve, kur përmendej pensionimi i tij dhe kur ai shënoi penaltinë vendimtare të fitores ndaj Chelseat), ne flasim për edhe 150 ndeshje të tjera [të cilat i ka luajtur]”.
“Ai vazhdon ta kundërshtojë moshën. Ky sezon ka qenë i njëjtë si në kohën kur ai luajti në Moskë. Nuk a ndryshuar asgjë nga niveli i tij i paraqitjes nga atëherë deri më sot”, ka thënë Ferguson. 

Villas-Boas në planet e Barcelonës?

Barcelona raportohet se ka bërë një listë të gjatë të alternativave nëse Pep Guardiola nuk e nënshkruan vazhdimin e kontratës, dhe në mesin e tyre spikat edhe emri i trajnerit aktual të Chelsat, Andre Villas-Boas.
Marca shrkuan se drejtori sportiv i Barcës, Andoni Zubizarreta, ka ndërtuar një “Plan B” në rast të largimit të Guardiolës.
Nga këtë listë, përveç tashmë të përmendurve, Ernesto Valverde, Marco van Basten, Joachim Low, Marcelo Bielsa dhe Luis Enrique, raportoehts e është edhe Andre Villas-Boas.
Ky i fundit po shijon periudhën më të keqe në karrierën e tij dhe më të keqen të Chelseat që kur klubi është blerë nga Roman Abramovich. Blutë së fundi u mposhtën nga Napoli me rezultat 3-1 dhe nëse nuk arrijnë ta përmbysin rezultatin në ndeshjen e kthimit, Villas mund të shkarkohet, e që do të ishte i lirë për të marrë postin e menaxherit të kampionit të Spanjës.
Në listën e Blaugranëve janë edhe emra më pak të njohur si Oscar Garcia dhe Lluis Carreras, si dhe zëvendësi i Guardiolës, Tito Vilanova, së bashku me trajnerin e skuadrës B të Barcës, Eusebio Sacristan.

Sabriu sjell “ilaçin”

Sapo ka ardhur edhe një video në tregun muzikor shqiptar, dhe bëhet fjalë për këngën më të re të Sabri Fejzullahut në bashkëpunim me Vjollca Haxhiu.
Teksti i këngës është shkruar nga Fatmir Muja, ndërsa muzika është bërë nga Alban Furtuna dhe video e xhiruar nga Max Production.
Kënga, e cila në internet është hedhur një muaj më parë në versionin audio, tashmë i është realizuar edhe videoklipi. 

Bertani nuk është lidhje me maqedonasen

Kohëve të fundit ishte spekuluar se këngëtari Bertan Asllani është në lidhje dashurie me këngëtaren maqedonase Tamara Todevska. Por këngëtari shqiptar nga Maqedonia demantoi këto shkrime duke thënë se mes tij dhe Tamarës ekziston vetëm shoqëri.
“Mes mua dhe Tamarës përveç shoqërisë nuk ekziston asgjë tjetër. Ne kohë të gjatë jemi në bashkëpunim dhe gjatë viteve kemi krijuar shoqëri mjaft të mirë. Thjesht jemi duke punuar me Tamarën në projekte të reja, kjo është e tëra”, deklaroi Bertan Asllani për “Zhurnal”.
Ndër të tjera ai zbuloi se është duke punuar në albumin e tij në gjuhën turke, me të cilën arsye edhe ndodhet për momentin në Turqi, por duke mos lënë anash edhe projektet për këngët në gjuhën shqipe.

Ahmeti: Karrierën do ta vazhdoj në Kosovë

Ka përjetuar “ethet” e talent-shout më të madh boshnjak, për t’i shndërruar në sukses mëdyshjet e tij. “Edhe ti mund të jesh yll”-i i Bosnjë-Hercegovinës ia ka “rezervuar” vendin e tretë kosovarit 31-vjeçar me prejardhje nga Prizreni.
Shaqir Ahmeti, i cili në gjysmëfinalen e spektaklit kishte zgjedhur të këndonte në shqip “Tradhtaren” e Danit, e ka ndërmend të “lobojë” që muzika shqiptare të familjarizohet me popullin boshnjak. Këtij shteti ia ka “borxh” këngën që e ka siguruar nga triumfi, por karrierën prej muzikanti do ta vazhdojë në Kosovë.
“Jam patriot nga Kosova dhe karrierën time do ta vazhdoj në Kosovë”, ka thënë Ahmeti, në një bisedë për “Kohën Ditore”, derisa ka paralajmëruar një vizitë të shpejtë në Kosovë.
Megjithëse ende nuk e ka shijuar plotësisht suksesin në “Edhe ti mund të jesh yll”, Shaqiri menjëherë ka nisur të “projektojë” këngën e parë që do ta lansojë pas kësaj eksperience.
“Shumë shpejt do të incizoj një këngë interesante që besoj se do t’u pëlqejë edhe kosovarëve. Do të realizohet në gjuhën boshnjake, por mendoj se do ta përkthej edhe në gjuhën shqipe”, ka shtuar Ahmeti.

HTC zbulon detajet për One X

Deri më sot, HTC nuk ka zbuluar shumë detaje për modelet e reja të telefonave që do t’i prezantojë në Kongresin Botëror Mobil në Barcelonë, ndërsa sot gjatë ditës ka prezantuar modelin HTC One X, i cili thuhet se është modeli i parë i telefonit Android të HTC-së me katër bërthama.
Përveç emrit i cili është zbuluar, HTC One X thuhet se do të vijë edhe me procesorin e fuqishëm quad-core NVIDIA Tegra 3.
Karakteristikat tjera të HTC One X përfshijnë edhe Android 4.0 Ice Cream Sandwich, ekranin e ndjeshëm në prekje me 4.7 inç, me 1280 x 720 piksel.
Për më shumë, HTC One X do të ketë edhe kamerën e pasme me 8 mega-piksel, si dhe atë frontale me 1.3 mega-piksel.

Njeriu fluturues “e puthi” tokën (Video)

Jeb Corliss, i njohur me lëshimet e tij nga lartësitë marramendëse, për pak sa nuk vdiq pas një përplasjeje në Malin Table, të Afrikës së Jugut. Ai ka publikuar edhe videon e këtij aksidenti.
Corlis ka thyer te dy këmbët kur ai “puthi” tokën derisa po lëshohej nga maja e malit në Cape Town, me shpejtësi 120 kilometra në orë.
Corliss (35 vjeçar) është filmuar nga rrjeti televiziv Amerikan HBO dhe kjo ishte hera e dytë për të që lëshohej nga maja më e lartë e Cape Townit kur ndodhi aksidenti më 16 janar.
Zëdhënësja e Malit Table, Merle Collins, tha se Corliss “është me fat që ka shpëtuar gjallë”, pasi ai u përplas nga një lartësi e madhe.
Prej se e provoi për herë të parë lëshimin nga lartësitë duke “fluturuar” me ndihmën e krahëve të cilët i shërbejnë si parashutë, ky kaskader u bë i famshëm pasi arriti me sukses të lëshohej nga vende më të rrezikshmet, përfshirë Kullën e Eiffelit, urën Golden Gate, Angel Falls në Venezuela dhe Kullat Petronas në Kuala Lampur të Malajzisë. 

Diamanti i rrallë zbulohet në Australi

Në Australi është zbuluar diamanti rozë, më i madhi i gjetur ndonjëherë në këtë vend.
Ky gur i çmuar i rrallë dhe i shtrenjtë është 12.76 karat. Është quajtur Argyle Pink Jubilee, ndërsa ai është gjetur në perëndim të Australisë nga punëtorët e minierës multinacionale të kompanisë Rio Tinto.
Ngjyra e këtij diamanti është e ngjashme me atë të diamantit Williamson Pink, prej 24 karatëve, i cili u zbulua më 1947 në Tanzani dhe iu dhurua Mbretëreshës Elizabetha II me rastin e martesës së saj.

Rusja e dehur rrahu tre policë

Një grua ruse e cila kishte rrotulluar disa gota, rrahu tre policët që u përpoqën ta arrestojnë gjatë një performance në karioke, për shkak të “prishjes së qetësisë publike.
Incidenti ndodhi të mërkurën pasdite në një karioke-bar në lagjen Novi Arbat të Moskës. Gruaja e re, emri i së cilës nuk u bë publik, filloi të shajë policinë dhe të përdorte dhunë kundër tyre.
Kur policia u përpoq ta qetësojë, gruaja i sulmoi, duke i goditur policët me çfarë kishte para vetes.
Dy policë “hëngrën” disa grushte, ndërsa i treti përfundoi në spital, njoftoi policia. Ende nuk dihen shkaqet pse gruaja ishte aq agresive.

Nxënëset me shami mund ta vazhdojnë mësimin

Nxënëset e shkollës së mesme “Frang Bardhi” në Mitrovicë, të cilat bartin shami në kokë, do të mund ta vazhdojnë procesin mësimor pa ndonjë problem, vetëm se atyre u duhet të bëjnë një ankesë në Ministrinë e Arsimit të Kosovës.
Kjo u bë e ditur, të enjten, pas një takimi të jashtëzakonshëm të udhëheqjes komunale në Mitrovicë, ku kanë marrë pjesë edhe juristë të ndryshëm për të komentuar ligjin dhe udhëzimin administrativ rreth kodit të sjelljes së nxënësve nëpër shkollat publike, raporton “Kosovapress”.
“Ne duhet të respektojmë në përpikëri ligjin dhe udhëzimin administrativ për shkollat publike”, ka thënë numri një në Mitrovicë, Avni Kastrati.
Sipas tij, ligji mbi arsimin nuk e precizon qartë mënyrën e veshjes së nxënësve nëpër shkolla, ndërsa udhëzimi administrativ që është lëshuar, lejon mundësi që me një ankesë nxënësit e larguar nga procesi mësimor të kthehen në shkollë.
Ai ka cituar juristët të cilët në takim kanë interpretuar udhëzimin administrativ.
“Neni 8 i udhëzimit administrativ të kodit të mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta, parasheh që nëse nxënësi pas përjashtimit nga shkolla - për shkak të mbajtjes së shamisë - ushtron ankesë në Ministrin e Arsimit të Kosovës në Prishtinë, mund të vazhdojë mësimin, derisa Ministria të bie një vendim të ri”, ka thënë Kastrati.
Nxënësit e ndërrimit të paradites të gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë kanë protestuar edhe sot për një orë në shenjë solidarizimi me shoqet e tyre, të cilave u është ndaluar hyrja në shkollë për shkak të bartjes së shamisë. Ata më pas i janë kthyer mësimit. 

Ndarja nuk është zgjidhje

Ministri Westerwelle ka thënë se kufijtë në Ballkan janë të fiksuar. Kjo vlen edhe për veriun e Kosovës. Kosova veriore nuk është pjesë e Republikës së Serbisë dhe ne nuk besojmë se një ndarje mund të jetë zgjidhje për problemin e Kosovës veriore, thotë Nikolaus Graf Lambsdorff, përfaqësuesi special i Ministrisë së Jashtme gjermane, për Evropën Jug-Lindore.
Instituti i Berlinit për Shkencë dhe Politikë ka botuar kohët e fundit një analizë me vlerësimin se bashkimi i të gjitha zonave të banuara me shqiptarë në rajon nuk do të kishte kurrfarë efekti domino.
“Pas saj qëndron në fund çështja e Shqipërisë së Madhe, që shfaqet herë pas here, por për çudi shumë më rrallë se sa ç'mendohet. Unë jam i bindur se Shqipëria nuk ka asnjë interes për idetë shqiptaromëdha”, thotë Lambsdorff për “DW”, duke shtuar se zhvendosjet e kufijve do të sillnin me vete edhe zhvendosje të popullsisë.
“Kufijtë e Ballkanit janë vendosur dhe tani është puna që brenda këtyre kufijve të ndërtojmë dhe të zhvillojmë shtetet moderne demokratike multietnike”.
Lambsdorff mendon se situata e sigurisë është e mirë, në gjithë Ballkanin Perëndimor, dhe se e njëjta vlen edhe për Republikën e Kosovës.
“Nga ana tjetër ne duam të parandalojmë që të krijohen probleme të sigurisë. Prandaj, i kundërshtojmë veprimet e njëanshme, si ato të qeverisë së Prishtinës në veri të Kosovës. Edhe problemi i veriut të Kosovës duhet të zgjidhet me anë të negociatave”, thotë ai. 

Stefanovic: Luftë deri në fund

Shefi i ekipit negociator serb në bisedimet me Prishtinën, Borislav Stefanovic, ka thënë se ekipi i tij “do të luftoj deri në fund” që të gjendet zgjidhja për përfaqësimin rajonal Kosovës, përkundër, siç ka thënë ai, “qëndrimit të vështirë e të ngurtë të delegacionit të Prishtinës”.
Sipas tij, Prishtina shtron kërkesa “joreale dhe absurde”.
"Serbia është pajtuar për përfaqësim asimetrik Prishtinës dhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është thelbi i asimetrisë, pra pabarazisë”, ka thënë ai, transmeton “B92”.
Sipas Stefanovicit, delegacioni i Beogradit është e gatshme që gjatë krahas Rezolutës 1244, në fusnotën e Kosovës të jetë edhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Tash i mbetet Prishtinës dhe përfaqësuesve ndërkombëtar që të mos lejojnë askënd që ta mbaj peng Ballkanin Perëndimor”, shton ai. 

Dështojnë tentimet maqedonase për Amserën

Një burim i lartë qeveritar në Shkup ka thënë se qarqe politike maqedonase përmes Lidhjes së Maqedonasve Myslimanë kishin tentuar të realizonin planin e përvetësimit si maqedonase të, Amsera Rekës, pesëvjeçares së mbijetuar nga orteku i borës që goditi dhe mori jetën e familjes së saj në fshatin Restelicë në Dragash të Kosovës.
“Plani ishte që Amsera të shfaqej në media dhe të deklarohej si maqedonase dhe më pas do të realizohej ndërhyrja nga Shkupi, që përmes formave zyrtare do të tërhiqej ajo në Maqedoni dhe të realizohej një fushatë mediale qeveritare. Por, si duket plani duket i dështuar pasi që familja Reka dhe vajza Amsera kanë refuzuar një gjë të tillë”, ka theksuar zyrtari i lartë i Qeverisë maqedonase për agjencinë e lajmeve INA.
Media proqeveritare menjëherë pas tragjedisë së familjes Reka, nxituan duke e shpallur si familje maqedonase me pasaporta maqedonase. Një pjesë e shoqatave joqeveritare dhe qytetarë maqedonas përmes mediave kërkonin që të merrnin nën kujdes Amserën, ndërsa kërkesat e tilla kanë pasuar edhe nga dy parti minore që janë pjesë e koalicionit qeveritar me VMRO-DPMNE, ndër të cilat edhe Kongresi Botëror Maqedonas. Familja Reka e gjetur përballë këtyre presioneve dhe skenarëve ka refuzuar mbështetjen si nga Shkupi ashtu edhe nga Beogradi. 

Arrin kallëzimi penal kundër Dikovicit

Në Prokurorinë serbe për krime të luftës ka mbërritur kallëzimi penal i Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) kundër kryeshefit të Ushtrisë së Serbisë, Ljubisa Dikovic, ka konfirmuar për mediat serbe zëvendësprokurori për krime të luftës, Bruno Vekaric.
FDH kallëzimin penal ia ka paraqitur nga fundi i janarit Prokurorisë Publike të Serbisë, të cilin të mërkurën ia ka përcjellë Prokurorisë për krime të luftës, si organ kompetent për të shqyrtuar pretendimet e fondit.
Një grup organizatash joqeveritare i ka bërë thirrje Prokurorisë për krime të luftës që të hetojë pretendimet e FDH në lidhje me përgjegjësinë e mundshme të Dikovicit për krime të luftës në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë.
Prokuroria për krime të luftës më 25 janar kishte njoftuar se nuk ekziston kurrfarë baze për dyshime mbi përgjegjësinë penale të Dikovicit për krime të luftës.
FDH paraprakisht ka mohuar përshtatshmërinë e kryeshefit të ri të Ushtrisë serbe dhe ua kishte dërguar mediave "dosjen" për krimet e tij të luftës mbi civilët shqiptarë.

Serbia të merret vesh me ndërkombëtaret për zgjedhjet

I ashtuquajturi sekretar në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic, ka deklaruar se zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk mund të mbahen pa pëlqimin e plotë të faktorit ndërkombëtar.
Ai ka thënë për B92 se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në territorin e Kosovës, para së gjithash është politik dhe do të kërkojë konsensus të të gjithë akterëve politikë në Serbi.
“Mendoj se teknikisht është e pamundur të organizohen zgjedhjet pa pëlqimin e bashkësisë ndërkombëtare, sepse UNMIK-u dhe organizatat tjera në terren mbajnë kontroll të plotë mbi territorin. Nëse me shqiptarët nuk mund të arrijmë marrëveshje rreth kësaj çështjeje, dhe me siguri se nuk do të arrijmë, atëherë e vetmja gjë na mbetet të arrijmë marrëveshje me misionet ndërkombëtare në Kosovës”, ka thënë Ivanovic.
Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në territorin e Kosovës nuk është e lidhur me kandidaturën e atij vendi në për anëtarësim në BE. 

‘Politika e BE-së fajtore për fusnotën’

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka akuzuar BE-në duke thënë se mosuniteti i tyre ka sjellë deri te situata ku duhet të futet edhe rezoluta 1244 në fusnotë.
“Për futjen e Rezolutës 1244 në fusnotë, fajtore është politika e BE-së, e cila nuk është politikë unike, por është politikë e konsensusit”, ka deklaruar Krasniqi për Tribuna Shqiptare.
Siç transmeton Indeksonline, ai ka thënë se BE dhe SHBA kanë pasur të drejtë të bëjnë presion, por edhe pala kosovare ka pasur të drejtë të mos pranojë imponime.

Thaçi: Me marrëveshjen e re, Serbia pranon pavarësinë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një prononcim ka thënë se Serbia sot (e enjte) pranon pavarësinë e Kosovës.
"Me marrëveshjen e re që do të arrihet sot në Bruksel, Serbia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ajo po e pranon Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, kurse Rezoluta 1244 ka qenë e vdekur dhe mbetet e vdekur", ka thënë kryeministri për Express.
Ai është shprehur i sigurt se marrëveshja për përfaqësim rajonal do të nënshkruhet të enjten, derisa Rezolutën 1244 sërish e ka quajtur të vdekur. 

PD: Largimi për shkak të mbulesës - diskriminim fetar

Partia e Drejtësisë dënon ashpër urdhëresat e ekzekutivit të Komunës së Gjilanit dhe të Komunës së Mitrovicës për ndalimin e vijimit të mësimit në shkollat publike të nxënëseve për shkak të bartjes së mbulesës së kokës- thuhet në një reagim të kësaj partie.
“Largimi i nxënëseve nga shkolla dhe ndërprerja e shkollimit të tyre obligativ ligjor për shkak të mbulesës së kokës paraqet shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe diskriminim të vrazhdë në baza fetare. Theksojmë dhe përkujtojmë të gjitha institucionet relevante të vendit se liritë dhe të drejtat e njeriut nuk mund të jenë subjekt i vullnetit politik të një ministri dhe rregullimit me akte nënligjore – urdhëresa administrative, dhe se vijimi i mësimit në shkollat publike për vajzat që mbajnë mbulesën e kokës si shprehje publike të bindjeve të tyre fetare është i garantuar me Konventat ndërkombëtare dhe Kushtetutën e vendit dhe nuk është i ndaluar me asnjë ligj në fuqi”, thuhet në reagim.
Partia e Drejtësisë kërkon që kjo praktikë të ndërpritet menjëherë dhe paralajmëron iniciativën ligjore në Kuvendin e Kosovës për rregullimin e kësaj çështje nëpërmjet ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit kundër Diskriminimit mbështetur në Nenin 38 paragrafi 3 të Kushtetutës së vendit, që thotë: “Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj”.

Hiqet barrikada nga territori i Serbisë

Në zonën neutrale mes Kosovës e Serbisë, afër pikës kufitare në Jarinë, dhjetëra persona të panjohur e kanë hequr barrikadën si dhe kanë prishur tendën në të cilën kujdestaronin serbët, njoftojnë medita serbe.
Siç transmeton Evropa e Lirë, personat që kanë hequr barrikadën kanë ardhur nga drejtimi i Rudnicës, ndërsa në kokë kanë pasur maska.
Nuk raportohet për incidente gjatë largimit të barrikadës që gjendej në zonën neutrale të territorit të Serbisë. 

Xavi: Reali nuk meriton avantazh 10 pikësh

Mesfushori i Barcelonës, Xavi, thotë se Real Madridi nuk e meriton avanzhin prej 10 pikësh.
“Ne duam t’i rikthejmë këto 10 pikët, të cilat janë të padrejta me mënyrën se si luan Barca. Po ashtu kur e shikoni ndeshje në mes të Madrid dhe Barcës”.
“Është një diferencë shumë e madhe, por le të jemi optimist. Dhe ne do të vazhdojmë të garojmë, pasi ne duam ta fitojmë titullin e katërt të ligë. Nuk dorëzohemi”, ka thënë Xavi. 

Neuer i zhgënjyer me disfatën nga Baseli

Portieri i Bayern Munich, Manuel Neuer, ka shprehur zhgënjimin e tij me disfatën 1-0 nga Baseli në kuadër të 1/8-tës së finales së Ligës së Kampionëve.
“Normalisht, neve na djeg ky rezultat. Gjithçka shkoi keq në rastin e golit. Ne nuk e ndaluam personin me top. [Por] Fitorja e Baselit nuk ishte e pamerituar. Ata kishin vërtet shanse të mira në pjesën e parë, siç kishim edhe ne”.
“Nuk shoi sipas planet dhe ne jemi në një situatë të palakueshme. Ne kemi individë të klasit, por nuk po kalojë në një moment ët butë ose të lehtë”, ka deklaruar Neuer për faqen zyrtare të Bayernit.

Alcantara: Barca mund të bëjë gjithçka

Thiago Alcantara mendon se Barcelona ende mund ta fitojë La Ligën, pavarësisht se katalanasit janë në pozitën e dytë në tabelë, 10 pikë prapa Real Madridit.
“A mund ta fitojmë La Ligën? Ne e dimë se liga është më shumë se e komplikuar për shkak të pikëve që jemi prapa pozitës së parë. Por, mendoj se ne kemi treguar deri tash se mund të bëjmë gjithçka dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.
“Mendoj se ka qenë një sezon i mirë. Ne lojtarët nuk jemi krejtësisht të kënaqur pasi i duam të gjitha tre titujt të cilat janë të mundshëm, por mendoj se është një sezon i mirë. Tifozët janë mësuar me faktin se skuadra ka fituar aq shumë tituj në vitet e fundit”, ka thënë Alcantara për faqen zyrtare të Barcelonës. 

Mancini i kënaqur me fitoren ndaj Portos

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, është i ngazëllyer me fitoren në Europa League ndaj Portos.
“Ishte një natë e mirë, por nuk ishte e lehtë. Ne kishim shanse të tjera për të shënuar por nuk shënuam, dhe kur nuk shënoni ju mund të keni probleme të tjera”.
“Nuk është e lehtë ta mposhtësh Porton, ata janë një prej skuadrave të kreut në Evropë dhe jam i kënaqur që ne do të shkojmë në fazën e ardhshme”, ka thënë Mancini.
Në rundin e ardhshëm City do të përballet me fituesin e sfidës Sporting Lisbon dhe Legia Warsaw, ndeshja e dytë e të cilës sfidë zhvillohet sonte.

Defoe: Arsenali mund të rikthehet

Sulmuesi i Tottenhamit, Jermain Defoe, thotë se është gabim të thuash se Arsenali është në rënie, në prag të derbit të Londrës Veriore.
“Gjithmonë kamë thënë se ata janë një skuadër e mirë. Ju nuk mund ta eliminoni Arsenalin”.
“Në futboll gjithmonë ka një ndeshje të ardhshme, ju mund të ndryshoni në atë. Dhe mendoj se duke qenë se luajnë kundër nesh, kjo do të jetë më ndryshe për Arsenalin nga ajo çfarë njerëzit kanë parë në disa javët e kaluara”, ka thënë Defoe. 

Reina: Finalet janë arsye pse luajmë për Liveproolin

Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, thotë se ata do të kthehen aty ku e kanë vendin, në finalen e të dielës ndaj Cardiff në kuadër të Kupës Carling.
“Kanë kaluar shumë kohë. Ne të gjithë kemi qenë më të kënaqur kur e kemi parë skuadrën të luajë në më shumë finale të Kupave, por kjo është mënyra se si shkojnë gjërat”.
“Pas aq shumë kohe, ne vërtet jemi të ngazëllyer nga finalja. Do të jetë një gjë e madhe për çdo person që e mbështet Liverpoolin. Kjo është arsyeja se pse nënshkruani me Liverpoolin, për të fituar trofe”.
“Jo shumë kohë më parë ne ishim një klub që arrinte në finale dhe luftonte për tituj. Kjo nuk ka ndodhur për një kohë, por tash është ajo që ne përpiqemi ta arrijmë sërish. Mendoj se ne po shkojmë në drejtim të duhur”, ka thënë Reina.

Nafta vazhdon me çmim të lartë

Çmimi i arit të zi vazhdon të jetë i lartë në tregjet ndërkombëtare i ndikuar nga konflikti i perëndimit me Iranin.
Nafta bruto amerikane për prillin ra 3 cent në 106.25 dollarë për fuçi. Nafta bruto Brent e Londrës për prillin ra 10 cent në 122.87 dollarë për fuçi. 

Ejup Qerimi drejtor i ri i PTK-së

Bordi i Postë Telekomit të Kosovës (PTK), në mbledhjen e së enjtes, ka zgjedhur Ejup Qerimin për Kryeshef Ekzekutiv të kësaj kompanie.
Sipas burimeve në këtë mbledhje, Bordi me shumicë votash është përcaktuar për kandidaturën e Qerimit.
Ejup Qerimi aktualisht është anëtar i Bordit të Trustit, ndërsa më herët ka qenë edhe Sekretar i përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës.
Një përshkrim për drejtorin e ri të PTK-së sipas të dhënave në ueb-faqen e Trustit.Ejup Qerimi është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës; auditor udhëheqës për sistemet e menaxhimit të cilësisë sipas Standardit ISO 9001 dhe menaxher profesional i projekteve (PMP).
Qerimi ka përvojë të gjatë të punës në ekonominë e Kosovës në pozita të ndryshme menaxheriale, në ndërmarrje biznesi dhe institucione që kanë përfaqësuar komunitetin e biznesit në Kosovë. Ai ka shërbyer si anëtar i Bordit të Pavarur për Rishqyrtim të Tatimeve të Kosovës pranë Ministrisë së Financave; në Odën Ekonomike të Kosovës, në pozitën e Sekretarit Gjeneral, në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si Kryetar i Këshillit për Arsim dhe Aftësim Profesional të Kosovës.
Qerimi ka punuar edhe në ”IPKO Telecommunications”, si udhëheqës i zyrës për menaxhimin e projekteve dhe anëtar i menaxhmentit, ku ka implementuar projekte të teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve.
Aktualisht punon në projekte të ndryshme të financuara nga Bashkësia Europiane si ekspert i pavarur. Në nivel ndërkombëtar është i angazhuar si përfaqësues profesional i komunitetit të biznesit; anëtar i grupit punues për analiza të nevojave për trajnime të bizneseve në Qendrën e Evropës Juglindore për mësim të ndërmarrësisë në Kroaci,anëtar i PMI (Project Management Institute), SHBA dhe EOQ (European Organization for Quality) në Belgjikë. 

Profiti i konsoliduar i RBI-së 968 milionë euro

Rezultatet preliminare për vitin financiar 2011, të cilat janë të bazuara në shifra të paaudituara, prezantojnë anën pozitive të Raiffeisen Bank International AG (RBI) në rrethana mjaft sfiduese. Me të hyra neto nga interesi që ishin përafërsisht 2.5 për qind më larta se në vitin paraprak si dhe me të hyra stabile nga komisionet dhe tarifat, RBI ka arritur të shënojë profit para tatimit prej afër 1.4 miliardë euro, 7 për qind më shumë sesa në vitin 2010.
"Fuqia stabile për të qenë profitabil bazohet në modelin tonë të biznesit, i përqendruar në Evropën Qëndrore dhe Lindore, rajon ky i cili do të vazhdojë të karakterizhet më një rritje të vazhdueshme në të ardhmen", tha Herbert Stepic, drejtor ekzekutiv i RBI.
"Duke pasur parasysh nivelin e ulët të përfshirjes sonë në vendet periferike të Eurozonës, rezultatet nuk janë ndikuar drejtpërdrejtë nga zhvillimet në këto vende”, shtoi Stepic.
Profiti i konsoliduar i RBI-së për vitin 2011 ishte 968 milionë euro, 11 për qind më i ulët sesa në vitin 2010. Kjo për arsye se profiti i konsoliduar për vitin 2011 është ndikuar kryesisht nga tatimet e shtyera nga viti 2010 të cilat më pas janë bartur në këtë vit. Volumi i kredive për klientë është rritur për 8 për qind në krahasim me vitin paraprak duke arritur shifrën prej 82 miliardë euro, që tregon për rritjen e kërkesës për kredi sidomos në muajt e parë të vitit 2011. Rritja e depozitave të klientëve për 15 për qind në 67 miliardë euro ka qenë shumë e kënaqshme. Ndërsa asetet e përgjithshme janë rritur për 12 për qind duke arritur shifrën prej 147 miliardë euro.
Raiffeisen Bank International, do ta prezantoj raportin vjetor 2011 si dhe detaje të tjera rreth aktiviteteve afariste të RBI gjatë 2011 me datë 29 mars 2012.
Raiffeisen Bank International AG (RBI) ka një rrjet të bankave, kompanive lizing dhe institucioneve tjera të specializuara për ofrimin e shërbimeve financiare në 17 tregje në Evropën Qëndrore dhe Lindore. RBI është grupi i vetëm bankar Austriak i cili është present në qendrat botërore financiare dhe në Azi. RBI ka 60.000 punonjës të cilët i shërbejnë me shumë se 13.7 milionë klientëve përmes një rrjeti të degëve prej 2.900.

Lufta për gazsjellësin vendoset në Greqi

Lufta gjeopolitike për krijimin e Korridorit të Jugut të furnizimit të Europës me energji u zhvendos dje në Athinë, ku qeveria greke zyrtarisht refuzoi të mbështesë projektin Trans- Adriatik, ndërkohë që DEPA, kompania e gazit nën pronësi shtetërore, kërkoi të blinte një paketë prej 15 për qind të aksioneve të projektit që ka shanset më të mëdha për të fituar.
Agjencia e lajmeve Bloomberg njoftoi se, DEPA ka hedhur jozyrtarisht në media kërkesën për blerjen e aksioneve, ndërsa zëdhënësi i projektit TAP ka konfirmuar për gazetën Kathimerini se pranon të fillojë bisedimet. Ndërkohë, TAP ka ende kundërshtimin zyrtar të qeverisë italiane dhe kompanisë Edison.
Kryeministri Sali Berisha tha se shanset e TAP janë rritur, por do të duhen edhe disa muaj kohë para se vendimi final të merret. Qeveria e tij ka mbështetur publikisht TAP, por pesha e Shqipërisë është shumë e vogël për të pasur ndikim në skakierën e tregut botëror të gazit. “Unë i kam parë titujt e gazetave, por përzgjedhja është një proces që finalizohet në muajt që vijnë. Ne jemi të vendosur e të përgatitur të bëjmë gjithçka për suksesin e këtij projekti, në rast se konsorciumi Shah Deniz 2 e zgjedh këtë si projektin më të mirë për të sjellë gazin e Kaspikut dhe më vonë, edhe më tutje, atë azer e më vonë, më tutje në Europën Perëndimore”, u shpreh Kryeministri.
Ndërkohë, gjiganti British Petroleum bëri një sqarim. Pyetur nga Bloomberg, zëdhënësi Tamam Bayatli tha se, nga mesi i këtij viti, konsorciumi Shah Deniz do të zgjedhë mes projektit Nabucco dhe atij SEEP.
Fituesi mes këtyre të dyve do të duhet të konkurrojë me TAP dhe vendimi final pritet të merret nga mesi i vitit 2013. Sipas zëdhënësit, BP beson se SEEP është konkurrenti më i mirë në krahasim me Nabucco.
Por BP ka vetëm 25.5 për qind të aksioneve të konsorciumit Shah Deniz. Bisedimet për përzgjedhjen e projektit, sipas Bloomberg, po udhëhiqen nga Socar, kompania shtetërore azerbajxhanase e naftës dhe gazit, e cila zotëron 10 për qind të aksioneve të vendburimit të njohur si Shah Deniz II.
Projekti Nabucco, i cili ka mbështetjen zyrtare të Bashkimit Europian dhe veçanërisht Francës, është aktualisht nën udhëheqjen e kompanisë austriake OMV. 

Rrugët i prish kripa

Përdorimi i kripës për shkrirjen e borës dhe akullit në rrugët e asfaltuara ka dëmtuar shumë rrugë në Kosovë. Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se kështu u ndodh për çdo vit pasi përdorimi i kripës është i nevojshëm derisa rëra nuk po ka efekt. Njohësit e kësaj fushe fajësojnë kompanitë e angazhuara për mirëmbajtjen dimërore se nuk janë profesionale.
Me shkrirjen e borës, rreziku i ri për vozitësit e automjeteve në komunikacion po paraqiten gropat. Pothuajse në të gjitha rrugët e Kosovës asfalti po shihet i dëmtuar, madje edhe në ato që janë asfaltuar pak para se të binte borë.
Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se dëmtimi i rrugëve ka ardhur si pasojë e përdorimit të kripës për shkrirjen e akullit dhe acarit që ka mbretëruar këto ditë në vend. Ndërkaq, njohësit e kësaj fushe ua hedhin fajin kompanive joprofesionale që merren me mirëmbajtje dhe cilësisë së asfaltit, shkruan Express.
Lah Nitaj, zyrtar për informim në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë se Drejtoria e Rrugëve është duke i identifikuar dhe për shkak të kushteve të tanishme atmosferike do t’i sanojë përkohësisht ato që të mos pësojnë qytetarët. “Ndërkaq, me përmirësimin e kohës, të gjitha rrugët rajonale dhe regjionale që evidentohen se janë dëmtuar, do të riparohen komplet”, thekson Nitaj.

Kick-boskeri nokautoi veten (Video)

Kick-bokseri kanadez Den Larivieri arriti të bëjë diç që rrallë kush mund ta bëjë. Në vend se ta godiste kundërshtarin, Den bëri një akrobacion dhe e nokautoi veten.
Nëse llogaritet edhe “vetënokauti” si sukses, ky kick-bokser me siguri do ta fitonte titullin menjëherë.
Ai në kërcim e sipër u përpoq ta godiste kundërshtarin Jeremy Kaponi, por humbi drejtpeshimin, ra dhe “u vetënokautua”.  

<

Nuk ka më “zonjusha” në Francë vetëm “zonja”

Pasi që në korrik të vitit të kaluar shoqatat feministe franceze filluan luftën kundër “zonjave” dhe “zonjushave”, gjatë kësaj jave ato korrën fitore.
Nëpër shumë formularë zyrtarë në Francë gratë duhej të shkruanin nëse ishin zonjusha ose zonja, më saktë, nëse ishin të martuara ose jo.
Për shkak të një diskriminimi të tillë feministët u bashkuan dhe kritikuan ashpër autoritetet duke kërkuar që kjo traditë të ndryshohet.
Qeveria franceze urdhëroi zyrtarët shtetërorë që më të mos e përdorin më termin “zonjushë” si dhe të gjitha gratë nëpër dokumentet zyrtare duhet të bëhen “zonja”. 

Vizatimet në borë (Video)

Projekti i artistes Sonja Hinrichsen, “Vizatimet në borë”, është punuar në fushën e Steamboat Springs në shtetin federativ të Colorados.
Rrathët në fusha me grurë? Harrojini ata. Pse t’i prishni fushat e mbjella me grurë, kur keni në dispozicion sasi të madhe të borës?
Kjo ka qenë nxitja kryesore e artistes Sonja Hinrischen, e cila me ndihmën e dhjetë vullnetarëve krijoi në borë rrathë të pabesueshëm.
“Unë nuk jam prej atyre artistëve, veprat e të cilëve zgjasin përjetësisht. Kjo botë është e vërshuar nga projektet e njerëzve. Nuk mendoj se duhet të jem njëri prej atyre njerëzve”, tha Sonja Hinrichsen.