Shkurtohet jetëgjatësia e posterëve

Vetëm dhjetë ditë pas përfundimit të fushatës zgjedhore, partitë politike dhe kandidatët e tyre janë të obliguar që t’i heqin të gjithë posterët që i vendosin gjatë fushatës. Në të kundërtën, gjobat për ta do të arrijnë deri në 2 mijë euro për subjekt dhe 1 mijë për kandidat. Kjo është risi në Ligjin e ri të zgjedhjeve të përgjithshme, për të cilin është duke vazhduar punën komisioni parlamentar për reformën zgjedhore.
Subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre, me Ligjin e ri të zgjedhjeve do të jenë të obliguar që në një afat prej dhjetë ditësh pas përfundimit të fushatës, t’i heqin posterët e vendosur gjatë fushatës.
Sipas kryetarit të Komisionit për reformën zgjedhore i Kuvendit të Kosovës, Haki Demolli, ndëshkimet për ata që nuk e zbatojnë këtë nuk do të jenë të vogla, raporton RTK.
“Një risi në ligjin e ardhshëm do të jetë afati dhjetë ditor për heqjen e posterave dhe materialit tjetër zgjedhor dhe komisioni u pajtua që si sanksione të parashihen për subjektet politike prej 5 deri në 2 mijë euro, kurse për individ prej 200 deri në 1 mijë euro”, tha Demolli.
Komisioni miratoi disa prej propozimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që kanë të bëjnë me vendimet për të cilat nevojiten 2/3 e votave, e që kanë të bëjnë me certifikimin e listave zgjedhore, me certifikimin e rezultateve si me rregulloren e punës së KQZ-së.
Ndërkohë, komisioni po ashtu vendosi që zgjedhja e kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së të bëhet përmes dispozitave ligjore e jo siç ka propozuar KQZ-ja, përmes akteve të brendshme të këtij institucioni, ndërsa kuorumi i mbledhjeve të KQZ-së të ngritet nga 7 të ngritet në 8 anëtarë. 

FSK synon institucionet ndërkombëtare

Forca e Sigurisë së Kosovës synon që gjatë këtij viti të bëjë maksimumin për të qenë pjesë e institucioneve ndërkombëtare. Zv/ministri i FSK-së, Bejtush Gashi, thotë se në këtë drejtim janë bërë hapat e parë dhe FSK-ja do të përgatis planin strategjik të zhvillimit.
Forca e Sigurisë së Kosovës në objektivat e vitit 2012 ka përcaktuar edhe përpjekjet maksimale për t''u bërë pjesë e institucioneve ndërkombëtare.
Sipas Gashit në këtë proces jo të lehtë nevojitet edhe mbështetje legjislative–juridike dhe baza aktuale ligjore duhet të pësojë ndryshime. Qeveria ka nxjerr vendimin për rishikimin e sektorit të sigurisë përfshirë edhe FSK-në dhe bazuar në këtë vendim do të procedojë edhe FSK-ja.
“Mbështetur në vendimet që do të nxirren ne do të hartojmë planin strategjik të zhvillimit të FSK-së, janë formuar edhe grupet për hartimin e këtij plani dhe ky plan pastaj do t’i ofrohet qeverisë, e cila do të procedojë me të deri te organi legjislativ. Edhe në rrafshin legjislativ ka nevojë që ligjet ekzistuese të plotësohen dhe prej të cilave do të varet strukturimi dhe misionit që do të ketë FSK, përkatësisht ushtria e Kosovës. Në këtë drejtim ne kemi marr iniciativat, hapat e parë dhe presim edhe sinjalet nga bashkësia ndërkombëtare, sepse zhvillimi i FSK-së do të jetë një rrugë nëpërmjet të cilës do të bashkëpunohet drejtpërdrejt me NATO-n”, tha ai për Radio Kosovën.
Në prag të 13 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s ndaj caqeve serbe, Gashi vlerëson të domosdoshme praninë e NATO-s edhe në të ardhmen në Kosovë, por edhe në rajon.
E përfshirë në procesin e ngritjes së FSK-së, sipas Gashit, prania e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme edhe për ofrimin e përkrahjes për perspektivën e FSK-së e cila synon që të ardhmen të jetë anëtare dhe partnere në institucionet ndërkombëtare të sigurisë.

Nuk zbatohet Ligji për financimin e parive politike

Dhjetëra rekomandime sa i përket kornizës ligjore për transparencën në financimin e subjekte politike, po ashtu shumë rekomandime për vet subjektet politike, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) si dhe për shoqërinë civile dhe mediat, kanë bërë Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK), e të cilat janë dhënë gjatë debatit: “Ligji për financimin e partive politike dhe zbatimi i tij në praktikë”.
Gjatë këtij debati, u tha se ky ligj nuk zbatohet dhe se që nga paslufta e deri më tani subjektet politike asnjëherë nuk kanë pasur vullnet që të deklarojnë raportet e tyre financiare.
Gjithashtu u tha se KQZ-ja nuk ka auditor të brendshëm dhe se në të gjitha aspektet duhet të përforcojë kapacitetet, raporton Kosovapress.
Safete Hadërgjonaj, nga PDK, ka thënë se në mënyrë që gjithçka të shkojë mirë edhe në aspektin e zbatimit të ligjit, KQZ-ja duhet të ketë, pos tjerash, edhe kapacitete të mjaftueshme njerëzore.
Ndërsa, sipas Ismet Beqirit, LDK, ligji i ka të caktuara disa gjëra, por partitë duhet t’i zbatojnë.
Alban Krasniqi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka pohuar që Ligji për financimin e partive politike lë shumë hapësira për keqpërdorime dhe ai duhet ndryshuar.
Ndër të tjera është thënë se mungon transparenca, si brenda subjekteve ashtu edhe jashtë tyre, pasi as vetë anëtarët e partisë nuk dinë për parat që disponon partia.
Raporti i Auditorit për vitin 2010, ka gjetur shumë shkelje. Aty thuhet se subjektet politike nuk kanë mbajtur kontabilitet të mirëfilltë, nuk kanë bërë kontroll të brendshëm financiar, pothuajse asnjë subjekt politik nuk ka staf profesional financiar të certifikuar për kontabilist, ndërsa të dhënat e bizneseve, që kanë dhënë donacione, nuk janë paraqitur fare.
Sipas ligjit, deri më 1 mars është dashur që financat e tyre t’i deklarojnë në KQZ, ndërsa kjo e fundit t’i publikojë në faqen zyrtare të saj.

Jahjaga: Siguria për gruan, siguri për tërë shoqërinë

Presidentja e vendit, Atfiete Jahjaga deklaroi të martën se një vend mund të përparojë nëse gruaja është e arsimuar, e edukuar, e punësuar dhe e fortë ekonomikisht. Ajo vlerësoi se e drejta e gruas për të qenë e përfaqësuar denjësisht është thelbësore për zhvillimin e shoqërisë.
Jahjaga këto komente i bëri në konferencën “Java e gruas”, të organizuar nga NDI.
Ajo u shpreh se në samitin e Grave lidere në botë të mbajtur në New York, ka insistuar se asnjë shoqëri nuk është e sigurt nëse pjesëtarët e saj, në veçanti gratë, nuk janë të sigurta. Sipas saj, siguria për gruan nënkupton siguri për fëmijën, siguri për familjen dhe siguri për tërë shoqërinë.
“Atë që ne e kemi mësuar gjatë gjithë kësaj kohe në takimet me gratë në botë është se: një vend mund të përparojë nëse gruaja është e përparuar. Një vend mund të përparojë nëse gruaja është e arsimuar, e edukuar, e punësuar dhe e fortë ekonomikisht. E drejta e gruas për të qenë e përfaqësuar denjësisht në shoqëri është thelbësore për zhvillimin e kësaj shoqërie dhe të gjithë ne edhe burrat edhe ne gratë kemi përgjegjësitë tona për ndërtimin e vizionit për familjen dhe për vendin tonë”, thekson Jahjaga.
Ajo vlerëson se gratë mund të jenë të jenë udhëheqëse dhe shembull i suksesit për të mirën e gjithëmbarshme shoqërore.
“Më lejoni t’i përmend dy shembuj nga skena ndërkombëtare - dy mike të Kosovës, sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton dhe ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright. Ato janë ndër udhëheqëset e para në botë, që me aftësitë e tyre diplomatike dhe me guximin e marrjes së vendimeve të mëdha kanë ndikuar në ndryshimin e realitetit politik në botë, duke i hapur perspektivë demokracisë në vendet me sisteme totalitare”, shprehet ndër të tjera presidentja.
Ajo më tej theksoi se në Kosovë puna dhe përgjegjësia jonë si shoqëri ndaj gruas është larg të qenit e përfunduar. Sipas saj, gruaja në Kosovë vazhdon të jetë në pozitë të vështirë dhe të pafavorshme, e goditur në vazhdimësi nga varfëria dhe dhimbjet e një jete me mungesa të mëdha.
“Për të përmirësuar gjendjen dhe ngushtuar hapësirën për diskriminimin e gruas duhet patjetër t’i japim një shtytje më të madhe emancipimit dhe arsimimit të gruas në Kosovë, si e drejtë e pamohueshme njerëzore”, potencoi Jahjaga. 

Kryetari i Degës së AKR-së në Podujevë kalon në LDK

Kryetari i deritashëm i Degës së Aleancës Kosova e Re në Podujevë, Avni Ajeti, sot zyrtarisht ka kaluar në radhët e LDK-së. Ai thotë se është ndier i “thyer” kur ka parë që Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Ligjin për veteranët. Ky, thotë, se ka qenë një nga arsyet që e kanë shtyrë ta lë këtë parti, e cila në pushtetin qendror është në koalicion me PDK-në.
Tashmë ish-kryetari i Degës së AKR-së në Podujevë, ka thënë se ka edhe shumë arsye të tjera pse ka braktisur këtë subjekt politik, kurse beson se në LDK do ta gjejë hapësirën që i ka munguar në ish-partinë e tij.
Ajeti beson se me kalimin e tij në LDK këtë do ta bëjnë edhe anëtarët e tjerë të degës së AKR-së në Podujevë.
Ai njëherësh është edhe këshilltar i Kuvendit Komunal dhe prej sot i bashkohet Grupit të këshilltarëve të LDK-së.
Kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, i ka quajtur raportet në partinë e tij shumë të mira, edhe pas asaj që ndodhi në manifestimin e 22-vjetorit të kësaj dege.
“Dega e LDK-së në Podujevë është degë unike, është degë e fuqishme. Është e vërtetë se 2-3 individë të pakënaqur gjatë procesit zgjedhor në Forumin e Rinisë kanë mbetur të pakënaqur, për arsye se dy prej tyre e kanë kaluar moshën 30-vjeçare dhe ata nuk mund të jenë më anëtarë të Forumit, kurse një prej tyre është në prag”, ka thënë Veliu gjatë prezantimit të aderimit të kryetarit të degës së AKR-së në atë të LDK-së. 

BE kërkon respektimin e marrëveshjes

Bashkimi Evropian i ka dërguar porosi Beogradit, Prishtinës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në të cilin theksoi domosdoshmërinë e respektimit në tërësi të marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit lidhur me përfaqësimin rajonal të Kosovës, kështu i ka thënë sot agjencisë së lajmeve Beta një zyrtar i lartë diplomatik i BE-së në Bruksel.
“Porosia shumë e qartë që marrëveshja duhet të respektohet, i është dërguar të gjitha palëve”, citohet të ketë thënë zyrtari i BE-së.
I pyetur nëse fakti se ditëve të fundit përfaqësuesit e Serbisë dy herë dhe njëherë ai i Kosovës u larguan nga takimet rajonale, është tregues se po anashkalohet marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës, prapë së cilës qëndron BE-ja, ai tha se është absolutisht në interes të të gjitha palëve dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që marrëveshja e Brukselit të respektohet dhe të zbatohet.
Zyrtar i lartë theksoi se marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës mbi përfaqësimin rajonal të Kosovës "është plotësisht i qartë dhe zyrtarisht botuar."
Ai, megjithatë, ka shtuar se autoritetet në Beograd kanë gabuar që kanë braktisur takimet në të cilat Kosova nuk u paraqit sipas marrëveshjes.

Hoxhaj ngushëllon homologun francez

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram ngushëllimi ministrit të Jashtëm dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Francës, Alain Juppe, me rastin e vdekjes së katër personave në sulmin kriminal të kryer në Kolegjin e Toulousit në Francë.
Në telegram, Hoxhaj, në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ka dënuar këtë krim të rëndë, duke i shprehur ngushëllime ministrit Juppe, dhe duke theksuar indinjatën dhe tronditjen e thellë të opinionit kosovar, të shkaktuar nga ky akt kriminal.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, po ashtu, ka shprehur solidaritetin e plotë të Qeverisë dhe popullit të Kosovës me familjarët e viktimave, Qeverinë dhe popullin francez, në këto ditë të rënda. 

Konfirmohet, Bajrush Xhemajli në burg

Gjykata Supreme konfirmon aktvendimin për kryetarin e Ferizajt, Bajrush Xhemajli i dënuar kohë më parë me 2 vjet e gjysmë burgim.
Portali Indeksonline mëson se “aktvendimi është konfirmuar në të gjitha pikat dhe Xhemajli do të duhet të vuaj dënimin me burgim duke lënë karrigen e të parit të komunës”. Ai do të bëhet publik gjatë ditës nga Gjykata Supreme.
Xhemajli u dënua me 2 vjet e gjysmë burg nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, për aksidentin në të cilin vdiq një djalë i ri. Ai u gjet fajtor për thyerje të rregullave të komunikacionit që patën si pasojë vdekjen e një personi. Atij i është ndaluar ngasja e veturës për 3 vjet.
Bajrush Xhemajli akuzohej për veprën penale rrezikim i trafikut publik nga neni 297, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1.3 të Kodit Penal të Kosovës. Sipas ligjeve në fuqi, në Ferizaj duhet të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Gjini: Kosova e Re mund të dështojë

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, tha të martën se procesi për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re mund të dështoi për shkak të korrupsionit.
Në një konferencë për media, ai theksoi se Banka Botërore (BB) ka rrezik të tërheqë garancinë, për shkak të korrupsionit.
Nëse ndodh kjo, atëherë sipas Gjinit, do të tërhiqen dy kompanitë që kanë mbetur në garë, pas tërheqjes së dy të tjerave.
Konzorcimet t cilat janë edhen në garë për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.
Konsorciumi Adani Power/PT Adani Global nga India dhe Indonezia, konsorciumi AES Electric lid/ Demir Export A.S nga SHBA-ja dhe Turqia, Park Holding nga Turqia dhe konsorciumi PPC Contour Global LLP nga Greqia dhe Britania.

Nistelrooy të pensionohet në fund të sezonit?

Ish-sulmuesi i përfaqësueses së Holandës, Ruud van Nistelrooy, ka zbuluar se ai është duke menduar t’i japë fund karrierës së tij si futbollist në fund të këtij sezoni.
Kontrata e 35-vjeçarit me Malagan skadon gjatë verës dhe ai e ka bërë të qartë se ose do të nënshkruajë vazhdimin e kontratës me skuadrën e La Ligës ose do t’i varë këpucët.
“Malaga do të jetë klubi im i fundit. Nuk është lehtë ta marr një vendim përfundimtar për të ardhmen time. Për momentin, është 50-50 nëse do të pensionohem ose do ta vazhdoj karrierën time. Do të duhet të flas me klubin”.
“Do ta marr një vendim gjatë muajit prill. Vetëm po vazhdoj ta shtyj marrjen e vendimit. Po mbush 36 vjet pas disa muajsh dhe duhet të mendoj mirë para se të vendos çfarë do të bëj”, ka thënë Van Nistelrooy për Sport1.

Juventusi ta transferojë Torresin?

Gjiganti i Serie A, Juventus, shpreson të sigurojë shërbimet e sulmuesit të Chelseat, Fernando Torres, gjatë verës, raporton ueb faqja Goal.com.
Biankonerët kërkojnë të shtojnë një emër të njohur në repartin sulmues në prag të sezonit 2012/13, dhe më herët janë lidhur me një transferim të sulmuesit të Real Madridit, Gonzalo Higuain.
Megjithatë 28-vjeçari Torres mësohet se është shndërruar në cakun kryesor të Juventusit. Drejtori sportiv i klubit italian tashmë ka kontaktuar me kampin e lojtarit për të diskutuar një transferim të mundshëm.
Torres iu bashkua Chelseat nga Liverpooli në janar të vitit të kaluar për një shumë që u raportua se kapi vlerën e 58.5 milionë eurove, por sulmuesi kurrë nuk arriti t’i plotësojë pritjet në Stamford Bridge.
Andaj, klubi londinez mund të zgjedhë ta largojë nga skuadra ish-yllin e Atletico Madrid këtë verë, nëse ai dështon të ri-gjejë formën edhe për pjesën e mbetur të sezonit dhe do të preferonte një shitje të tij jashtë Ligës Premier.

Moratti: Ranieri është i sigurt

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, thotë se karrigia e trajnerit Claudio Ranieri është e sigurt, pavarësisht rezultateve zhgënjyese në kampanjën 2011/12.
Nerazzurrët aktualisht qëndrojnë në pozitën e shtatë në tabelën e Serie A dhe së fundi u eliminuan nga Liga e Kampionëve dhe Kupa e Italisë nga Marseille, respektivisht Napoli.
“A mund të jetë i sigurt Claudio Ranieri për punën e tij? Po, Absolutisht”, ka thënë Moratti para gazetarëve.
Pronari i Interit më pas ka thënë se morali i skuadrës është i ulët në Giuseppe Meazza, por kjo mund të ndryshojë me vetëm një fitore.
Interi do të rikthehet në fushë më 25 mars me derbin e Serie A përballë rivalit Juventusit. 

Wenger: Barca favorite për ta fituar LK-në

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, e ka etiketuar Barcelonën si favoritin kryesor për ta fituar Ligën e Kampionëve këtë sezon.
“Sipas mendimit tim, Barcelona është favoriti i madh për ta fituar Champions League. Së pari, ata janë plot vetëbesim pasi tashmë e kanë fituar këtë garë më herët. Po ashtu ata tash po fillojnë të rikthejnë lojtarët që kanë qenë të lënduar për një kohë”.
“Madrid mund ta ketë Cristiano Ronaldon, por Barcelona e ka Messin, i cili është i aftë të shënojë dy gola edhe nëse nuk është në kulmin e formës”, ka shkruar Wenger në blogun e tij në Eurosport. 

Chelsea 30 milionë për Falcaon

Chelsea raportohet se është duke bërë gati një ofertë për sulmuesin e Atletico Madrid, Radamel Falcao.
Daily Mail shkruan se pronari i klubit londinez, Roman Abramovich, planifikon të ofrojë 30 milionë euro për uruguaianin.
Falcao ka shënuar 33 herë në 36 ndeshje për Porton, përfshirë 17 gola në 14 ndeshje të Europa League, që ishte rekord i ri sezonin e kaluar.
26-vjeçari u shit te Atletico verën e kaluar, klub i cili po kalon nëpër vështirësi financiare dhe mund të detyrohet ta shesë atë gjatë verës.

Guardiola: Ibra është lider i Milanit

Pep Guardiola mund të ketë raporte jo të mira me Zlatan Ibrahimovic, por spanjolli ka vetëm fjalë të mira për kualitetet e suedezit.
Ibrahimovic iu bashkua Barcelonës nga Interi në vitin 2009 për 69.6 milionë euro, por qëndroi në Camp Nou vetëm një sezon, pas përplasjes me Guardiolën, dhe u transferua te Milani në vitin 2010.
Ibra ka fituar titullin e Serie A me Milanin sezonin e kaluar dhe është në rrugë ta bëjë këtë gjë edhe këtë sezon, derisa është kualifkuarpër në çerekfinale të Ligës së Kampionëve ku do të përballet pikërisht me ish-skuadrën e tij.
“Ibrahimovic është një lojtar i cili luan në nivel shumë, shumë të lartë. Ai është lider te Milani”, ka thënë Guardiola në konferencën për shtyp.

Allegri: Do ta përmbysim Juven

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, është i bindur se Rossonerët sonte do të arrijnë ta përmbysin disvantazhin prej 2-1 nga ndeshja e parë ndaj Juventusit.
“Ne do të tentojmë ta përmbysim deficitin me qëllim për të arritur në finale edhe pse e dimë se do të jetë vështirë. Unë jam i qetë dhe i bindur se ne do të luajmë një ndeshje të mirë, pavarësisht mungesave të cilat do t’i kemi”.
“Philippe Mexes do të kthehet pas suspendimit, derisa Clarence Seedorf është sërish i gatshëm. Do të duhet të vlerësoj gjendjen e Kevin Prince Boateng. Megjithatë, Robinho dhe Mark Van Bommel nuk do jetë aty”.
“Boateng përfundimisht do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Romës, derisa ne po ashtu dëshirojmë që Robinho të rikthehet për atë ndeshje, edhe pse ka ende shumë punë për t’u bërë”, ka thënë Allegri.

De Rossi: Mund të kualifikohemi në LK

Daniele De Rossi beson se një pozitë e cila dërgon në Ligën e Kampionëve është e arritshme për Romën, pas fitores së mbrëmshme 1-0 ndaj Genoas.
Giallorossët qëndrojnë në pozitën e gjashtë të Serie A, por me vetëm katër pikë prapa Lazios që pushton pozitën e tretë.
“Do të jetë vështirë, por ne duhet të përpiqemi. Ne duhet t’i përmirësojmë shumë gjëra, por liga është e tillë. Askush nuk fiton me cigare në gojë. Përveç Juventusit dhe Milanit, askush nuk është bindës”.
“Ne kemi frikë nga të gjithë rivalët tanë, pasi ata janë skuadra të shkëlqyeshme dhe, nga tash, Lazio është favorit pasi është mbi të tjerët”.
“Por kanë qenë disa javë pozitive për ne dhe ka shumë ndeshje të mbetura ende”, ka thënë De Rossi. 

Celine Dion t’i rikthehet këndimit

Celine Dion ka marrë dritë të gjelbër nga mjekët për të filluar incizimin e albumit të saj të ri, pas rikuperimit nga një infeksion viral.
Superylli u sëmur më herët gjatë këtij viti dhe u detyra të ndërpresë një seri të paraqitjeve në Las Vegas pasi mjekët e këshilluan atë të marrë disa javë pushim.
Ajo fluturoi në Los Angeles të hënën e kaluar (12 mars), për të vizituar një mjek specialist, i cili i ka thënë këngëtares se ajo mund të rikthehet në studio në disa javët e ardhshme, para koncertit të saj rikthyes që është paraparë në fillim të qershorit.
Celine Dion pritet të fillojë incizimin e albumit të ri në muajin e ardhshëm (prill).

Ulipina “E diela”, një ri-takim me traditën shqiptare

Ulpiana Lama, e cila së fundi ka filluar të shfaqet në emisionin “E Diell” në Top Chanel, gjatë një prononcimi për Telegrafi, ka pohuar se në emisionin e të dielës ka shumë punë, por që shpërblehet me emocione.
Moderatorja dhe sociologia ka thënë se ky emision është inteligjent dhe që secili gjen diçka të përshtatshme për të.
“Publiku e percepton zbavitëse. E tillë është edhe për ne. Ka tepër punë, por është një punë që të shpërblen emocionalisht.Formati sjell më të mirën, në më të mirin ekran shqiptar. Është një program inteligjent, ku secili gjen diçka të përshtatshme për të”.
“Vërejmë një përgjigje jashtëzakonisht pozitive të publikut ndaj dasmave. Çdo javë, një krahinë e caktuar sheh të shpalosen përpara gjithë shqiptarisë doket e veta. Ka nostalgji ndër të moshuarit, kureshtje ndër të rinjtë, krenari ndër të gjithë. E diela është një ri-takim me traditën autoktone shqiptare”, ka thënë Ulpiana.

Dropbox – integrimi me Facebook

Dropbox edhe deri tani ofronte mundësinë e ndarjes së përmbajtjeve, e për këtë nevojitej e-mail adresa e personit me të cilën dëshironi të ndani përmbajtjen. Pas ndryshimeve të bëra, e-maili më nuk nevojitet, mjafton që të jeni miq në Facebook.
Krejt çfarë nevojitet për fillimin e përdorimit të këtij funksionaliteti është të ndërlidhen llogaritë shfrytëzuese në Dropbox dhe Facebook. Pas kësaj, çdo herë gjatë ndarjes do të paraqitet lista e miqve nga Facebook të cilëve mund të mundësoni qasjen në përmbajtjen e deponuar.
Dropbox është një shërbim i shkëlqyeshëm, i thjeshtë për përdorim, me një numër të madh të shfrytëzuesve. Por, në kohë të fundit po paraqiten gjithnjë e më shumë alternativa të lojtarëve të mëdhenj. iCloud i Apple zëvendëson një pjesë të funksionalitetit të Dropboxit, Amazon ka sistemin e vet për deponimin në re, e Google është duke shkuar në atë drejtim. Goditjen e fundit Dropboxit mund të ja shkaktoj SkyDrive i Microsoftit i cili do të jetë i integruar në Windows 8 me 25 GB hapësirë (në Dropbox zakonisht fitohen 2 GB pa pagesë). 

Papa ia kthen Kubës krokodilin

Papa Benedict XVI në prag të vizitës së tij në Kubë u ka dërguar qytetarëve të këtij vendi një dhuratë të pazakontë – një krokodil të vogël, i cili është kontrabanduar nga Kuba në Itali.
Krokodilin e gjatë 60 centimetra në Itali e kishte kontrabanduar një biznesmen 64-vjeçar, ndërsa kafsha, e cila i takon njërit nga llojet e rrezikuara, është gjetur në kuzhinën e tij.
Papa e ka bekuar krokodilin dhe e ka dërguar në Kubë si shenjë miqësie.
Në fund të këtij muaji, Papa Benedicti XVI do të qëndrojë në ishull në një vizitë treditore.
Krokodili ka marrë emrin Benedictus, ndërsa kthimi i tij në Kubë konsiderohet shumë i rëndësishëm për marrëdhëniet mes Vatikanit dhe kreut të qeverisë komuniste, Raul Castro. 

EULEX heton edhe Sylejman Selimin!

Gazeta Bota Sot ka shkruar të martën se burime të saj nga EULEX-i kanë konfirmuar se ish komandanti i FSK-së, Sylejman Selimi, që është edhe i nominuar për ambasador të Kosovës në Shqipëri, po hetohet nga prokuroria e EULEX-i.
Sipas kësaj gazeta, Selimi po hetohet për rastin e “X.X”, (një emër të cilin e di redaksia) nga një fshat i Drenicës kurse rasti ka të bëj me një ngjarje që ka ndodhur gjatë kohës së luftës.
Besohet se “X.X” nga një fshat i Drenicës, e cila gjendet në Gjermani, ka deponuar dëshminë e saj në Prokurorinë e EULEX-i, kurse rastin është duke e shqyrtuar një prokuror i EULEX-it me inicialet M.S. 

Bukoshi: Unë e Isa jemi të pastër

Ish-kryeministri i Kosovës në Ekzil, Bujar Bukoshi, ka hedhur poshtë akuzat e njërit prej themeluesve të LPK-së, Ibrahim Kelmendi, për keqpërdorimin e fondit të 3-përqindëshit. Bukoshi, i cili tash është zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, thotë se për çështjet që kanë të bëjnë me këtë fond ka folur qe 15 vjet.
“Nuk ka gisht as Isa Mustafa, as unë në 3-përqindësh. Nuk ka kurrfarë abuzimesh. Jemi në gjendje ta dokumentojmë gjithmonë, edhe kaq. Këto të tjerat janë krejt llafe të kota, njerëzit nuk kanë punë të tjera”, ka thënë Bukoshi për “Tribuna Shqiptare”.
Sipas tij, nëse dikush ka fakte duhet t’i paraqesë, e jo të thotë vetëm fjalë.
Ndërkaq, sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se e gjithë kjo është një fushatë histerike e atyre që i ka kapur paniku se LDK-ja po reformohet dhe po sjell njerëz të ri.
Sipas tij, me këto çështje duhet të merren organet e drejtësisë.
Mirëpo, me akuza të reja ndaj Bukoshit dhe Mustafës për keqpërdorimin e mjeteve nga ky fond ka dalë edhe Musa Daka, themelues i LDK-së në SHBA.

Daka tregon kush po e “mjel” tre përqindëshin

Themeluesi i LDK-së në SHBA, Musa Daka, ka vazhduar me akuzat e tij drejtuar kreut të LDK-së Isa Mustafa dhe ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi, që lidhen me menaxhimin e fondit të tre përshindëshit. Ai ka thënë se nga ky fond ende nxirren para nga të afërmit e familjarëve që janë në pushtet, duke përmendur vëllain e Ministrit të Ambientit Dardan Gashi, Atdhe Gashi dhe deputetin e LDK-së, Naser Osmani.
Daka, gjatë një interviste në KTV, kërkoi nga Kryeparlamentari Jakup Krasniqi që të thirr seancë në Kuvend ku do të raportonin Isa Mustafa e Bujar Bukoshi.
Daka po ashtu në vazhdimësi tha se ka fakte për gjitha këto që flet, ndërsa bëri të ditur se edhe “Dardania Bankë” në Tiranë është shitur dhe nuk dihet ku kanë shkuar ato fonde. Sipas tij shtëpia që është blerë në Shtutgart për nevojat e këtij fondi, tani është shtëpi private e Isa Mustafës. 

Rruga Tiranë-Elbasan përfundon pas një vitit

Ministri i Transporteve i Shqipërisë, Sokol Olldashi, inspektoi punimet të cilat po kryhen në hapjen e tunelit të Qafë Krrabës, pjesë e rrugës Tiranë-Elbasan.
Ministri Olldashi tha se kanë përfunduar 66 për qind e volumit të punimeve, duke theksuar se në muajin maj përfundon hapja e tunelit.
Sipas ministrit, rruga Tiranë-Elbasan përfundon në pranverën e vitit 2013. 

Interi interesohet për Marcelo Bielsan

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka rikthyer shikimin kah trajneri i Athletic Bilbao, Marcelo Bielsa.
Moratti bëri një tentim për të angazhuar argjentinasin në fund të sezonit të kaluar, por nuk arriti ta bindë klubin spanjoll ta lirojë atë nga kontrata.
Corriere dello Sport shkruan se admirimi i Morattit për Bielsan kurrë nuk është lëkundur dhe ai do të përpiqet ta sjellë atë në Giuseppe Meazza edhe në fund të këtij sezoni.

Enrique: T’i fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura

Trajneri i Romës, Luis Enrique, thotë se pas fitores 1-0 ndaj Genoas, lojtarët e tij vërtet mund të mendojnë për t’i fituar të gjitha 10 ndeshjet e mbetura në Serie A.
“Gjëja e rëndësishme pas derbit ishte të fitojmë në të gjitha 12 ndeshje të mbetura. Ne kemi marrë dy fitore dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Tabela na tregon se ne jemi në pozitën e gjashtë dhe kjo është e merituar”.
“Por ka edhe dhjetë ndeshje deri në fund dhe ne duhet të besojmë. Ka pasur ndeshje me të cilat kam qenë i kënaqur dhe që nga fillimi i sezonit, skuadra është përmirësuar shumë”, ka thënë spanjolli.
Roma të shtunën do të udhëtojë në San Siro në derbin e vikendit në Serie A përballë Milanit. 

Robben i interesuar të kalojë te Juve

Ylli i Bayern Munich, Arjen Robben, është i gatshëm të refuzojë një rikthim në Ligën Premier për të provuar veten në Serie A me Juventusin.
Me më pak se 18 muaj të mbetur nga marrëveshja aktuale, Robben është duke menduar nëse duhet të largohet nga Bayerni këtë verë dhe ka joshur interesimin e ish-klubit të tij Chelseat, si dhe dy rivalëve nga Manchesteri, Cityt dhe United.
Por Tuttosport shkruan se Robben do të preferonte një transferim në Torino. Në të vërtetë ai tashmë ka vendosur, nëse largohet nga Bayerni do ta mendonte Juventusin si destinacion të radhës.
Bayerni është në tentim për të bindur ish-mesfushorin e Real Madridit të qëndrojë në klub, duke i ofruar atij plot 170 mijë funte në javë për të rinovuar kontratën.

Adele do të bie në peshë

Këngëtarja “rrumbullake”, Adele, planifikon të mbajë një dietë për të rregulluar vijën e trupit.
Burime të afërta me këngëtaren britanike thonë se ajo do t’i nënshtrohet një regjimi të fitnesit me qëllim që të bie dy numra fustani para se të vijë vera.
“Adele ka gjetur shumë energji që kur ka hequr dorë nga duhani. Ajo vërtet dëshiron të bëhet më e shëndetshme, tash që është në këtë rrugë”.
“Ajo gjithmonë ka qenë kurioze për të ndjekur një sistem fitnesi, por deri së fundi ajo nuk ka pasur shumë kohë”, ka thënë burimi.

Teuta Kurti adhuron mësimdhënien

Përveç këngëtare, ajo është mësimdhënëse e denjë në fushën e këngës.
Teuta Kurti tashmë disa vite me radhë punon në një shkollë të mesme në Mitrovicë, ku ligjëron lëndën e pianos. Ndërsa puna e saj tjetër është në Filarmoninë e Kosovës.
“Në Filarmoni jap mësim për zërim, ushtroj zërimin, ndërsa në Mitrovicë vazhdoj të jem profesoreshë e pianos.Uroj që edhe më tej të më shkoj mbarë kjo punë si mësimdhënëse sepse më pëlqen komunikimi me fëmijët”, ka thënë Teuta për mediat shqiptare.

Nëna e Gagas: Kam menduar se vajza ime është çmendur

Nëna e të famshmes Lady Gaga, Cynthia Germanotta, gjatë një interviste në emisionin e Oprah Winfreyt ka pranuar se kishte menduar që vajza e saj është çmendur.
Ajo ka thënë se ishte shqetësuar për shëndetin mendor të vajzës së saj pasi kishte dëgjuar për performancat dhe veshjet e Lady Gagas.
“Kur ka filluar të performojë kam dëgjuar se e kishte ndezur spërkatësin për flokë dhe është shfaqur vetëm me kostum të larjes. Edhe babai i saj edhe unë kemi menduar se e ka humbur mendjen”, ka theksuar Cynthia.
Më tej, ajo ka treguar se Lady Gaga gjithmonë ka pëlqyer të sillet si provokuese dhe të jetë në qendër të vëmendjes.
Oprah e ka pyetur nënën e superyllit se çfarë nuk i pëlqen tek ajo që bën vajza e saj, ndërsa Cynthia është përgjigjur se nuk i pëlqen vetëm kur ajo shan, ndërsa të tjerat janë të pranueshme. 

Paraqitet Firefox 11

Mozilla zyrtarisht paraqiti versionin e ri të shfletuesit të vet të Internetit Firefox, me shënimin numerik 11.
Në krahasim me versionin 10.2, Firefox 11 sjell mundësinë e sinkronizimit të të dhënave në mes të pajisjeve të ndryshme, duke përfshirë edhe telefonat “e mençur” të bazuar në Android, dhe përkrahjen për importimin e bookmarkëve, historinë e shfletimit të faqeve dhe të dhënave të tjera nga Chrome. Aty janë edhe mundësitë e reja të dedikuara për zhvilluesit e faqeve të internetit dhe një varg i përmirësimeve të tjera më të vogla dhe korrigjimet e zakonshme të problemeve të hasur deri tani dhe të lëshimeve të sigurisë.
Më shumë informata për Firefoxin e ri dhe lidhjet për shkarkimin e tij mund ti gjeni në faqet zyrtare.

Dënohet për përshëndetjen naziste ndaj fqinjëve

Britaniku Geoffrey Butler është shpallur fajtor nga gjykata pasi i kishte keqtrajtuar fqinjët e tij gjermanë me muzikë nga Lufta e Dytë Botërore dhe me përshëndetje naziste.
Arsimtari i matematikës, 54-vjeçar, për katër vite të tëra nuk i kishte lënë të qetë fqinjët e tij Reinhard dhe Kathryn Wendt duke imituar përshëndetjen naziste dhe mustaqet e Hitlerit, duke lëshuar fjalimet e Winston Churchill dhe duke lëshuar këngë patriotike britanike, si "Rule Britannia" (“Sundo Britani”).
Avokati i çiftit Wendt kishte thënë se raportet e fqinjëve janë prishur që në momentin kur ata ishin shpërngulur në një shtëpi pranë Butler në Lower Upnor në jug të Anglisë.
Në fakt, Butler dhe Wendt kishin pasur mosmarrëveshje rreth një pjesë të vogël toke, ashtu që britaniku vendosi që fqinjëve të tij t’ua bëjë jetën sa më të hidhur.
Butler është dënuar tre vite me kusht, ndërsa mes tjerash e ka të ndaluar që të lëshojë muzikë me zë të lartë.

Mundohet të kursejë – paguan dyfish

Policët e komunikacionit janë habitur kur i kanë parë tre kamionë duke ecur përnjëherë nëpër rrugët e Kinës.
Sun Lin pas blerjes së kamionëve në Laian të provincës kineze Anhui, po mundohej të kursente para për shoferë dhe shpenzimet tjera, ashtu që i ngarkoi kamionët njëri mbi tjetrin.
Ai ka treguar se nuk kishte dashur të bëjë shpenzime të panevojshme në rrugëtimin prej 161 kilometrash deri te firma e tij, ashtu që kishte kërkuar nga shitësi që vinçi t’i ngarkonte kamionët njëri mbi tjetrin.
“Ata ishin shumë të sigurt derisa ndërhyri policia”, është ankuar Sun, i cili u dënua për një shumë prej rreth 600 eurosh për “ngarkesë të rrezikshme”.

Manekinia, udhëheqëse e kartelit të drogës

Manekinia e njohur për kostumet e larjes, Simone Farrow, e akuzuar për organizim të një rrjeti të kontrabandës me drogë, është arrestuar në Australi, vetëm një muaj pasi ishte liruar me garanci dhe kishte ikur.

Dikur fytyra mbrojtëse e prodhuesit të bikinive, “Ed Hardy”, Farrow kishte përdorur rreth 19 nofka të ndryshme për shpërndarjen e metamfetaminës përmes Fedex apo shërbimit postar- ka raportuar Agjencia për luftë ndaj narkotikëve dhe policia australiane.
Pas arrestimit, manekinia ka mohuar të gjitha akuzuat dhe ka thënë se ishte fshehur pasi është frikësuar se mund ta vrasin.

“Arsyeja e vetme pse e bëj këtë, është se dikush po përpiqet të më vrasë. Jam në kontakt me shumë njerëz nga ‘nëntoka’ apo si të doni quani, dhe më duket se ndoshta i frikëson situata ime”, ka thënë Farrow.
Autoritetet australiane besojnë se manekinia ka bërë jetë të dyfishtë. Duke e shfrytëzuar statusin e saj si pjesë e botës së modës, ajo e ka bartur drogën në paketimet e kripërave për banjë. Hetuesit pohojnë se Farrow ka qenë truri i kësaj “ndërmarrjeje kriminale”, në të cilën kanë marrë pjesë së paku edhe shtatë persona të tjerë.
Me emrin artistik Simone Starr, Farrow u bë e njohur si modele për bikini dhe yll i revistave, ndërsa ka qenë tri herë në listën e femrave më seksi të revistës FHM. Ajo e ka provuar veten edhe si këngëtare dhe kompozitore.

Bancroft: Serbia të zhbëjë strukturat paralele

Serbia, sipas të gjitha gjasave, nuk do të marrë datën për të filluar negociatat me BE-në, nëse nuk ndërmerr hapa për të zhbërë strukturat paralele në veri të Kosovës dhe të zbatojë plotësisht marrëveshjet e deritashme në dialog me Kosovën, veçanërisht ato lidhur me menaxhimin e integruar të kufirit, ka thënë për "Blic" Ian Bancroft, ekspert i Ballkanit Perëndimor dhe drejtor Ekzekutiv i organizatës britanike Transkonflikt dhe kolumnist për "The Guardian".
Bancroft thotë se Beogradi do të jetë nën presion ndërkombëtar për të bërë një trysni të fortë mbi serbët në veri, ndikim ky që nuk e posedon sa duhet, në veçanti për të siguruar qasje të plotë të EULEX –it.
Marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës ai e ka vlerësuar si kompromis, me interes për të dy palët.
Ndërsa lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, ai vlerëson se ato do ta tensiononin edhe me shumë situatën në Kosovë.
“Serbia do të pranojë kompromisin që në Kosovë të organizojë vetëm zgjedhje parlamentare”, tha ai.
Duke folur për dialogun ai ka thënë se është e pamundur që sërish të ketë negociata për statusin e Kosovës, kur të kihen parasysh përmasat e përkrahjes ndërkombëtare që gëzon Kosova.
“Megjithatë mund të paramendoj negociata për përshtatjen e kufijve, këmbimin e territoreve ose edhe për sovranitetin e ndarë mbi veriun e Kosovës”, tha Bancroft.

Petrovic: Beogradi po i mban barrikadat

Strategjia e re e Qeverisë së Kosovës për veriun do kohë për të dhënë rezultate, por në fund ajo do t’ua bëjë me dije qytetarëve serbë të veriut se Kosova është vendi i tyre, ka thënë zv/kryeministri i Kosovës, Slobodan Petrovic, në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”.
Sipas tij, serbët e veriut duhet të kthjellen dhe t’i shohin të mirat që po i gëzojnë serbët që jetojnë në brendi të vendit. Petroviq nuk është i sigurt të japë ndonjë datë për largimin e barrikadave, por thotë se është e ditur që autoritetet e larta në Serbi qëndrojnë prapa tyre.
Lidhur me mbajtën e zgjedhjeve serbe në Kosovë, Petrovic thotë së ato janë të pavlefshme. 

Lehne: Të shqyrtohet çështja e autonomisë për veriun

Dialogu teknik në mes të Prishtinës dhe Beogradit duhet të bëhet më shumë politik dhe të shqyrtojë çështjen e autonomisë për veriun e Kosovës, ka thënë diplomati austriak, Stefan Lehne. "Edhe pse dialogu i deritashëm teknik ka qenë produktiv, për t’u arritur përmirësim i dukshëm i marrëdhënieve, është i domosdoshëm një proces gjithnjë e më shumë politik”, ka thënë për mediat serbe ish-i dërguari i Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës.
"Veriu duhet të jetë temë e rëndësishme e këtij dialogu, por jo edhe e vetmja. Një qasje më e gjerë do t’iu kontribuonte shanseve më të mira për balancimin e interesave të palëve. Procesi duhet të fillojë së shpejti, por duhet të ketë edhe fazën përgatitore të ‘shatël-diplomacisë’ ndërmjet Beogradit, Prishtinës dhe veriut të Kosovës”, ka thënë Lehne.
Thelbi i autonomisë për veriun, sipas tij, duhet të negociohet.
“Në vend se të merret cilido model nga një pjesë tjetër e botës, marrëveshja duhet të jetë e përshtatshme për t’iu përgjigjur situatës në veri të Kosovës. Është e domosdoshme që të gjendet një balancë në mes të dëshirave të banorëve lokalë për të kontrolluar vetë fatin e tyre dhe faktit që ky rajon do të jetë pjesë e Kosovës dhe duhet të ketë lidhje të domosdoshme me autoritetet e Prishtinës”, ka thënë Lehne për gazetën beogradase “Politika”, citon Rel.
I pyetur nëse pret kushte të reja për Serbinë për nisjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Lehne ka thënë se “udhëheqësit kryesorë të BE-së kanë shprehur qartë dëshirën për largimin e strukturave paralele” nga veriu.
Duke folur për shpalljen e zgjedhjeve lokale serbe në po këtë pjesë të Kosovës, diplomati austriak ka thënë se një gjë e tillë është kontradiktore me qëndrimin e Beogradit, i cili “vazhdimisht bën thirrje për respektimin e Rezolutës 1244 dhe në anën tjetër vepron në kundërshtim me të”.
Stefan Lehne tani është ekspert i Fondacionit “Carenegie Europe”. 

Pacolli e Ejupi marrin Grandin?

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe biznesmeni Remzi Ejupi, nga 29 marsi i këtij viti do të bëhen zyrtarisht aksionarë të Hotelit “Grand”. Këta dy janë bashkuar duke dhënë garancinë bankare prej 20 milionë eurove dhe duke bindur Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) se i kanë plotësuar të gjitha kushtet.
Burime të Gazetës “Lajm” brenda AKP-së kanë bërë të ditur se Pacolli dhe Ejupi do të shpallen aksionarë legjitimë më datën 29 mars, kur edhe do të jepet vendimi përfundimtar për fatin e këtij hoteli. “Dokumentet e sjella për herë të parë nga Behgjet Pacolli dhe Remzi Ejupi nuk kanë arritur ta bindin komisionin e AKP-së. Kjo për faktin se ka pasur disa mungesa në draftin e dërguar. Për këtë edhe është shtyrë vendimi deri më datën 29. Por, me këtë datë këta dy do të shpallen aksionarë legjitimë, pasi që tani është dërguar garancioni bankar dhe dokumentet e korrigjuara ashtu si është kërkuar nga komisioni i AKP-së”, ka thënë burimi brenda AKP-së.
Ai më tutje ka bërë të ditur se pasi këta dy të bëhen aksionarë të hotelit, kanë mundësi edhe ta ndërrojnë pronarin.“Nëse ata pajtohen mund të ketë edhe ndërrim të pronarit të këtij hoteli. Kjo mund të bëhet pasi që kanë ofruar garancionin prej 20 milionë eurove dhe me këtë mund të bëjnë edhe ndryshime tek pronari aktual”, ka shpjeguar burimi për gazetën.
Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), nuk kanë dashur të flasin shumë për këtë çështje, pasi sipas tyre, të gjitha janë thënë në komunikatën e dërguar dhe vendimi do të bëhet publik në datën e caktuar.
“Nuk kemi çka të themi më shumë. Komunikata i thotë të gjitha, në të është e cekur edhe data 29, kur do të shpallet vendimi përfundimtar. Deri atëherë ne nuk mund të shtojmë asgjë tjetër”, ka thënë Ylli Kaloshi, zyrtar për informim në AKP.
Hoteli “Grand” ishte privatizuar me një çmim prej rreth 8 milionë eurosh, me zotimin se për dy vjet do të investoheshin rreth 20 milionë euro si dhe do të punësoheshin mbi 400 punëtorë. Ndërkohë, si pronar i vetëm qe shpallur Zylqif Berisha, derisa më vonë dolën si pretendentë për 60 për qind të aksioneve në hotel, përfaqësuesi i “Eurokohës”, Remzi Ejupi dhe asokohe ai i “Mabetexit”, Behgjet Pacolli. 

Alonso: Ferrari, si Man United dhe Chelsea

Ylli i Formula 1, Fernando Alonso, e ka krahasuar skuadrën e tij Ferrari me Chelsean dhe Manchester United.
Ferrari i Alonsos përfundoi në pozitën e pestë në garën e parë të sezonit në Melbourne, pasi nuk u tregua i mirë në kualifikime.
“Ne ishim shumë të mirë në aspekt të përgatitjeve. Ne kemi mjaft përvojë dhe Ferrari është Ferrari”, ka qeshur Alonso.
“Mund të ketë vetura më të shpejta se ne tash, por kjo është si Manchester United ose Chelsea, të cilat luajnë keq për një ndeshje, por megjithatë fitojnë 1-0”, ka shtuar spanjolli. 

Dzekon në shkëmbim të Higuain?

Sulmuesi i Manchester Cityt, Edin Dzeko, ka kthyer shikimin kah Real Madridi.
The Sun shkruan se boshnjaku nuk ka kërkuar një transferim, por drejtuesit e Etihad Stadium janë të vetëdijshëm për pakënaqësinë e tij rreth minutazhit të fituar në fushë.
Dzeko, 26-vjeçar, besohet se mund të jetë i gatshëm për një marrëveshje shkëmbimi me sulmuesin e Real Madridit, Gonzalo Higuain, pasi Jose Mourinho është një admirues i kamotshëm i tij.
Higuain, 24-vjeçar, është në sezonin e gjashtë në Santiago Bernabeu dhe ka dhënë shenja se mund të largohet.
Në anën tjetër, menaxheri i Cityt, Roberto Mancini, dëshiron të krijojë një dyshe argjentinase të sulmit, duke e bashkuar Higuain me sulmuesin tjetër argjentinas Sergio Aguero.

Kinezët i ofrojnë 300 mijë në javë Mourinhos

Klubi kinez Guizhou Renhe dëshiron ta bëjë Jose Mourinhon personin më të paguar në historinë e futbollit.
Trajneri i Real Madridit është duke e peshuar të ardhmen e tij në Spanjë dhe derisa Londra, me klubet si Chelsea dhe Tottenham, është destinacioni i tij i preferuar, paratë në ofertën e Guizhou Renhe mund ta ndryshojnë mendjen e tij.
The Sun shkruan se Mourinhos i janë premtuar 300 mijë funte në javë për t’i futur në xhep, jashtë taksave.
Megjithatë Mourinho pritet ta refuzojë ofertën e kinezëve për të qëndruar në Evropë

Thaçi krijon “qeverinë në hije” për Prishtinën

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, mund të jetë i interesuar që ta ndajë përgjegjësinë për veriun e vendit me Isa Mustafën, por kjo nuk e pengon atë që të planifikojë rrëzimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë.
Burime të sigurta të “Kohës Ditore” kanë treguar se Thaçi, si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tashmë ka vendosur për themelimin e një “qeverie në hije” të PDK-së për Komunën e Prishtinës.
Burimi, një zyrtar i lartë i PDK-së, i është shmangur termit “qeveri në hije”, duke e quajtur atë “kabinet të qeverisjes së mirë për Prishtinën”, model ky që PDK-ja tashmë e ka përdorur në nivel qendror, në kohën kur ishte opozitë e Qeverisë LDK-AAK, në vitet 2004-2007.
“Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur të krijojë një Kabinet për Qeverisje të Mirë për Prishtinën, që do të veprojë me moton ‘Për Prishtinën evropiane’”, ka thënë burimi, duke shtuar se vendimi do të bëhet publik “shumë shpejt”, dhe se emrat e njerëzve që do të udhëheqin me këtë “qeveri në hije” për Prishtinën nuk dihen ende, ndërsa do të vendosen nga vetë Thaçi. “Vetëm Thaçi i di emrat”, ka thënë burimi.
Vetë kryeministri Thaçi, në një deklarim për gazetën, e ka konfirmuar vendimin, por nuk ka dashur të flasë për detajet e planit që për synim ka rrëzimin e pushtetit të LDK-së në Prishtinë.
“Do të krijojmë Kabinetin për Qeverisje të Mirë për Prishtinën, por emrat e njerëzve që do ta udhëheqin atë nuk janë vendosur ende”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se kjo do të bëhet “shumë shpejt”.

Atasheu Special

Zvicra do të dërgojë në Kosovë një atashe policor. Ata do të merren me mbikëqyrjen e luftimit të krimit të organizuar që ndërlidhet ndërmjet dy vendeve. Plani i shtetit zviceran iu tregua edhe Ibrahim Makollit, ministrit të Diasporës. Këtë e bëri vetë Simonetta Sommaruga, ministre e Departamentit Juridik dhe Policor.
Ibrahim Makolli, ministër për Diasporë në Qeverinë e Kosovës, ka shpëtuar paq të hënën në Bernë të Zvicrës. Në një takim që ka pasur me Simonetta Sommarugën, shefe e Departamentit Juridik dhe Policor të këtij vendi, atij nuk i është përmendur rasti i Azem Sylës.
Ndaj Sylës, deputet të Kuvendit të Kosovës, shteti helvetik ka nisur hetimet lidhur me dyshimet për keqpërdorim të sistemit social e pensional të këtij vendi.
Por pavarësisht evitimit të bisedimit për raste të veçanta në takimin me ministren Sommaruga, duket se zyrtarja e lartë zvicerane ia ka bërë të qartë ministrit Makolli se për të gjitha rastet e dyshuara, ata nuk do të rrinë më duarkryq, shkruan “Express”.
Në konferencën për media të organizuar pas takimit, siç raporton Albinfo.ch, Sommaruga thekoi se është biseduar për bashkëpunimin ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës në luftimin e kriminalitetit të organizuar, gjegjësisht ndërveprimit të këtij krimi nga Kosova në Zvicër.
Madje në lidhje me këtë problem, ajo nënvizoi se për të mbikëqyrur këto procese, Zvicra ka emëruar në Kosovë edhe një atashe policor.
I pyetur se çfarë nënkupton dërgimi i një atasheu policor në Kosovë, ministri Makolli sqaron se kjo ka të bëjë vetëm me ndihmën e Zvicrës në luftimin e krimit që ndërlidhet ndërmjet dy vendeve.
Megjithëkëtë, në konferencën për media, ministrja zvicerane tha se me mysafirin e saj kosovar ka biseduar për aktualitetin në fushën e migracionin në përgjithësi dhe integrimin e kosovarëve në Zvicër.
“Por kemi zënë ngoje edhe Kombëtaren zvicerane, në të cilën luajnë shumë kosovarë dhe gëzojnë përkrahjen si në Zvicër, ashtu dhe në Kosovë. Ekzistimi i një diaspore të madhe kosovare në Zvicër, rreth 150 mijë, të dytës për nga madhësia, nënkupton vlerësimin nga Kosova të potencialit të kësaj diaspore”, tha ministrja Sommaruga. 

BE fonde Kosovës si “Republic of Serbia”

Kosovës asgjë nuk po i ndihmon në krijimin e marrëdhënieve bilaterale me Bashkimin Evropian, as marrëveshjet me Serbinë të arritura në Bruksel, as deklarimet e shpeshta të zyrtarëve evropianë e vendorë se “Kosova ka perspektivë evropiane”.
Në fakt, zyrtarët serbë rregullisht deklarohen se rruga e vetme për Kosovën drejt BE-së kalon përmes Serbisë, dhe duket sikur ata kanë të drejtë të paktën sa u përket fondeve evropiane, shkruan “Zëri”.
Në dokumentet zyrtare, përfshirë edhe ato që janë publike dhe gjenden në faqet e internetit të Komisionit Evropian, pranë fjalës “Pristina” shkruhen inicialet “RS” (Republic of Serbia) dhe më pas titulli i projektit për të cilin Brukseli ofron përkrahje financiare.
Përfaqësuesit e BE-së në Kosovë dhe Bruksel nuk kanë qenë në gjendje që gjatë së hënës të qartësojnë çka nënkuptojnë këto iniciale. Sidoqoftë, ato është shumë lehtë të deshifrohen marrë parasysh inicialet që shkruhen në dokumentet për projekte që i financohen Serbisë, pasi siç mund të shihni edhe në foton e publikuar në “Zëri” … inicialet “RS” përdoren krahas Beogradit dhe të njëjtat edhe krahas Prishtinë.