Atasheu Special

Zvicra do të dërgojë në Kosovë një atashe policor. Ata do të merren me mbikëqyrjen e luftimit të krimit të organizuar që ndërlidhet ndërmjet dy vendeve. Plani i shtetit zviceran iu tregua edhe Ibrahim Makollit, ministrit të Diasporës. Këtë e bëri vetë Simonetta Sommaruga, ministre e Departamentit Juridik dhe Policor.

Ibrahim Makolli, ministër për Diasporë në Qeverinë e Kosovës, ka shpëtuar paq të hënën në Bernë të Zvicrës. Në një takim që ka pasur me Simonetta Sommarugën, shefe e Departamentit Juridik dhe Policor të këtij vendi, atij nuk i është përmendur rasti i Azem Sylës.
Ndaj Sylës, deputet të Kuvendit të Kosovës, shteti helvetik ka nisur hetimet lidhur me dyshimet për keqpërdorim të sistemit social e pensional të këtij vendi.
Por pavarësisht evitimit të bisedimit për raste të veçanta në takimin me ministren Sommaruga, duket se zyrtarja e lartë zvicerane ia ka bërë të qartë ministrit Makolli se për të gjitha rastet e dyshuara, ata nuk do të rrinë më duarkryq, shkruan “Express”.
Në konferencën për media të organizuar pas takimit, siç raporton Albinfo.ch, Sommaruga thekoi se është biseduar për bashkëpunimin ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës në luftimin e kriminalitetit të organizuar, gjegjësisht ndërveprimit të këtij krimi nga Kosova në Zvicër.
Madje në lidhje me këtë problem, ajo nënvizoi se për të mbikëqyrur këto procese, Zvicra ka emëruar në Kosovë edhe një atashe policor.
I pyetur se çfarë nënkupton dërgimi i një atasheu policor në Kosovë, ministri Makolli sqaron se kjo ka të bëjë vetëm me ndihmën e Zvicrës në luftimin e krimit që ndërlidhet ndërmjet dy vendeve.
Megjithëkëtë, në konferencën për media, ministrja zvicerane tha se me mysafirin e saj kosovar ka biseduar për aktualitetin në fushën e migracionin në përgjithësi dhe integrimin e kosovarëve në Zvicër.
“Por kemi zënë ngoje edhe Kombëtaren zvicerane, në të cilën luajnë shumë kosovarë dhe gëzojnë përkrahjen si në Zvicër, ashtu dhe në Kosovë. Ekzistimi i një diaspore të madhe kosovare në Zvicër, rreth 150 mijë, të dytës për nga madhësia, nënkupton vlerësimin nga Kosova të potencialit të kësaj diaspore”, tha ministrja Sommaruga.