Vetëm dhjetë ditë pas përfundimit të fushatës zgjedhore, partitë politike dhe kandidatët e tyre janë të obliguar që t’i heqin të gjithë posterët që i vendosin gjatë fushatës. Në të kundërtën, gjobat për ta do të arrijnë deri në 2 mijë euro për subjekt dhe 1 mijë për kandidat. Kjo është risi në Ligjin e ri të zgjedhjeve të përgjithshme, për të cilin është duke vazhduar punën komisioni parlamentar për reformën zgjedhore.
Subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre, me Ligjin e ri të zgjedhjeve do të jenë të obliguar që në një afat prej dhjetë ditësh pas përfundimit të fushatës, t’i heqin posterët e vendosur gjatë fushatës.
Sipas kryetarit të Komisionit për reformën zgjedhore i Kuvendit të Kosovës, Haki Demolli, ndëshkimet për ata që nuk e zbatojnë këtë nuk do të jenë të vogla, raporton RTK.
“Një risi në ligjin e ardhshëm do të jetë afati dhjetë ditor për heqjen e posterave dhe materialit tjetër zgjedhor dhe komisioni u pajtua që si sanksione të parashihen për subjektet politike prej 5 deri në 2 mijë euro, kurse për individ prej 200 deri në 1 mijë euro”, tha Demolli.
Komisioni miratoi disa prej propozimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që kanë të bëjnë me vendimet për të cilat nevojiten 2/3 e votave, e që kanë të bëjnë me certifikimin e listave zgjedhore, me certifikimin e rezultateve si me rregulloren e punës së KQZ-së.
Ndërkohë, komisioni po ashtu vendosi që zgjedhja e kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së të bëhet përmes dispozitave ligjore e jo siç ka propozuar KQZ-ja, përmes akteve të brendshme të këtij institucioni, ndërsa kuorumi i mbledhjeve të KQZ-së të ngritet nga 7 të ngritet në 8 anëtarë.