“Mendoj se është një vendim i mirë për Kosovën. Kosova në fakt arriti dy marrëveshje, njëra, siç thatë ju, ka të bëjë me pjesëmarrjen e Kosovës në diskutimet rajonale në Ballkan dhe në Evropë dhe tjetra, po aq sensitive, ka të bëjë me kufirin e Kosovës me Serbinë, ku ka pasur trazira. Me këto marrëveshje dërgohet një sinjal i fuqishëm për liberalizimin e vizave, pra kosovarët do të mund të udhëtojnë në Evropë dhe përtej saj. Ky është gjithashtu një sinjal për Evropën se Kosova ka hyrë në rrugën për t’u bërë një ditë anëtare e Bashkimit Evropian. Nëse i merrni të dy këta hapa së bashku, kemi të bëjmë me një lajm të mirë për Kosovën”, ka deklaruar Wisner në një intervistë për Zërin e Amerikës.
I pyetur nëse referenca ndaj Rezolutës 1244 është një hap prapa për Kosovën, ai ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel nuk e dëmton statusin e Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin dhe krenarinë e saj.
“Kjo është një deklaratë e thjeshtë e faktit, e balancuar me shumë kujdes në terminologjinë teknike dhe juridike me përfundimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se pavarësia e Kosovës u arrit në mënyrë krejtësisht ligjore. Fakti real nuk është shënimi në fund të faqes me germa të vogla, por që Kosova tani do të jetë në tryezë, për të ndihmuar në përcaktimin e së ardhmes së rajonit dhe vendin e vet në rajon”, ka shpjeguar Wisner.