Analisti Daniel Serwer konsideron se me marrëveshjen e arritur në Bruksel rreth përfaqësimit rajonal të Kosovës, kanë përfituar të dyja palët.
“Si Kosova ashtu edhe Serbia kanë përfituar nga marrëveshja. Nuk mendoj se Kosova ka humbur ndonjë gjë të madhe dhe po ashtu nuk mendoj se Serbia ka humbur ndonjë gjë që kishte më parë. Serbia nuk ka pasur sovranitet mbi Kosovën për rreth 13 vite dhe nuk do ta fitonte me këtë marrëveshje”, ka thënë Serwer për Zërin e Amerikës.
Ai ka thënë se është shumë e rëndësishme për Beogradin që të fillojë të bashkëpunojë në riintegrimin e veriut me pjesën tjetër të Kosovës në bazë të planit Ahtisaari që i mundëson veriut autoritet më të madh qeverisës. Ndërsa për Prishtinën hapi tjetër i rëndësishëm, sipas Serwer, është të fitojë sa më shumë njohje dhe të punojë për futjen në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Lidhur me shënimin për Kosovën, të them të drejtën nuk më shqetëson. Është shumë e rëndësishme të kuptohet kur flitet për rezolutën 1244, se nëse Kosova është ndryshe nga shumë provinca të tjera të botës është si rezultat i kësaj rezolute që parasheh një proces politik për të përcaktuar statusin. Ky proces politik ishte procesi Ahtisaari dhe nga pikëpamja e procesit të njohjes së vendit është plotësuar. Dhe tani ajo që shpresojnë janë jo vetëm njohjet dypalëshe, por edhe anëtarësimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që është bllokuar vetëm nga vetoja e Rusisë dhe kjo mund të mos jetë përgjithmonë”, ka deklaruar ai.
Sipas Serwer, mospërfshirja e deklarimit të pavarësisë së Kosovës në marrëveshje nuk është fitore e madhe diplomatike për Serbinë, duke qenë se aty është vendimi i GJND-së, sipas të cilit, deklarimi i pavarësisë së Kosovës nuk ishte i paligjshëm.