Arrestohen gjashtë policë të MPB të Serbisë

Pjesëtarë të njësive speciale të policisë së Kosovës ROSU, në Gjilan kanë arrestuar gjashtë policë të kësaj komune që punojnë në MPB të Serbisë.

Të arrestuarit kanë punuar në dhënien e pasaportave dhe të patentë shoferit në të ashtuquajturin drejtori të policisë së Gjilanit e cila nga viti 1999 është transferuar në Vranjë, raporton “Beta”.
Të arrestuarit thuhet se u kanë kryer shërbime edhe shqiptarëve.
Në një komunikatë të lëshuar nga Policia e Kosovës, thuhet se Drejtoria për hetimin e krimeve të rënda, e asistuar nga njësitet speciale të PK-së, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës së Qarkut të Gjilanit për bastisje në shtatë lokacione, me qëllim të sigurimit të provave materiale, me ç’rast janë ndaluar gjashtë persona të dyshuar.
Policia e Kosovës ka zhvilluar hetimet të cilat kanë rezultuar me dyshimin e bazuar se ky grup personash ka kryer veprat penale: “Sulm kundër rendit juridik të Kosovës dhe pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Personat e ndaluar gjatë këtij operacioni janë: Z. Denic, M. Dimitrijevic, T. Denic, N. Trajkovic, D. Stojkovic dhe G. Matrapazovic.
Gjithashtu, gjatë këtij operacioni policor janë konfiskuar në cilësi të provave materiale armë të llojeve të ndryshme, telefona, kompjuterë, uniforma të policisë serbe dhe kartela identifikuese të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.