INPO dhe D4D, të cilët kanë monitoruar fushatën parazgjedhore të partive politike për zgjedhjet e parakohshme në komunën e Ferizajt vlerësojnë se në bazë të raporteve paraprake të vëzhguesve janë vërejtur shumë parregullsi në aspekt të respektimit të ligjit nga ana e subjekteve politike, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës vlerësohet të ketë qenë me shkeljet më të mëdha në fushatë.
Më poshtë mund ta gjeni përmbledhjen e INPO-së dhe D4D me të gjeturat për shkeljet e bëra nga secili subjekt politik.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK)
- Ka qenë parti me shkeljet më të mëdha në fushatë dhe ka angazhuar të gjitha forcat duke neglizhuar plotësisht disa nga rregullat e fushatës dhe ligjit për zgjedhjet.
- Në tubimet e saj është vërejtur përdorimi i veturave zyrtare të Qeverisë: Me vetura zyrtare në tubimet e PDK-së kanë ardhur nga Prishtina ministrat Enver Hoxha, Memli Krasniqi, Adem Grabovci, Ramë Buja, Hajredin Kuçi dhe Kryetari i komunës së Vitisë. Këta zyrtarë, edhe gjatë orarit të punës prej orës 10:00 deri 17:00, kanë kërkuar votën për kandidatin e PDK-së, Agim Aliu, tek qytetarët e rastit në rrugë, kafene e dyqane.
- Dje më 26 Prill, 2012 e gjithë rruga Ahmet Kaçiku ka qenë e bllokuar nga veturat zyrtare të Kryeministrit Hashim Thaçi.
- Në shumë nga tubimet e PDK-së është vërejtur prezencë e madhe e fëmijëve, të cilët kanë qenë të manipuluar nga grupe të ndryshme, qoftë familjar apo grupe të organizuara nga shkollat! Konkretisht në fshatin Balaj fëmijët kanë qenë të organizuar në përkrahje të PDK-së.
- Lehtë e vërejtur ka qenë edhe prezenca e punëtorëve me uniforma në disa nga tubimet e PDK-së, duke filluar nga punëtorët teknik të ndërtimtarisë e deri tek punëtorët shëndetësor.
- Takimi i punëtorëve shëndetësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe tri QMF-ve me kandidatin Agim Aliu në restorant Orchide (më datën 19 Prill, 2012) disa ditë para fillimit të fushatës ka pasur karakter politik dhe lobues. Punëtorët e QKMF dhe QMF kishin shkuar në Orchide me Autoambulanca!
- Drejtorët e drejtorive të Komunës së Ferizajt janë parë në tubime të PDK-së në orarë të punës,
- Ka pasur edhe pjesëmarrje grupore të mësimdhënësve, sidomos në tubimet e PDK- së nëpër fshatra.
- Biznesmenëve të Ferizajt u ka ardhur ftesë nga Qeveria që dje më 26 prill, 2012 të marrin pjesë në takim me Hashim Thaçin në restorant Orchide.
- Sot, e premte 27 prill, 2012, dita e fundit e fushatës, Nehat Mustafa ka mbajtur një takim me maturantë të Gjimnazit “Kuvendi i Arbrit”. Takimi ka karakter “informues” Mirëpo gjatë vëzhgimit kemi vërejtur se hapësirat kanë qenë mbushura me pankarta të PDK-së dhe qëllimi i këtij takimi ishte lobim për vota. Pjesëmarrësit në këtë takim ishin nxënës maturant.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)
- Është veçuar pasi e para ka thyer respektimin e fillimit të fushatës duke vendosur posterët e kandidatit Adem Salihaj 10 orë para fillimit zyrtar të fushatës.
- LDK-ja ka bllokuar trotuaret dhe ka penguar lëvizjen e lirë të këmbësorëve duke vendosur panot reklamuese të kandidatit të saj pikërisht në mes të trotuareve. (Të ngulitura në tokë- çimento).
Partia e Drejtësisë (PD)
Ka vendosur një pano të kandidatit të saj në rrethojat e Xhamisë së Madhe. Xhamia është institucion fetar dhe me këtë gjest PD-ja ka bërë politizimin e objekteve të kultit, gjë e cila ndalohet me ligj. Xhamin dje e ka vizituar edhe Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani diku rreth orës 15:30, respektivisht gjatë orarit të tij të punës si Ministër i Shëndetësisë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Në ditën e fillimit të fushatës 23 prill, 2012 ka përdorur mjete piroteknike, fishekzjarrë, dhe bombola gazi, tymi në sheshin e qytetit ku ka pasur numër të konsiderueshëm të fëmijëve dhe pleqve.
Shkeljet e përbashkëta të subjekteve:
- Të gjitha subjektet politike kanë vendosur afishe propaganduese ne drunj dhe lisa të qytetit duke përfshirë edhe paritë më korrekte të kësaj fushatë si VV, AKR, LB dhe kandidati i pavarur Rrahim Sadiku.
Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ)
- Ka dështuar të mbikëqyr në nivel të duhur fushatën e partive politike. Si institucion përgjegjës për zgjedhje nuk ka arritur të mbledh informacione të sakta sa i përket fushatës zgjedhore në Komunën e Ferizajt. Në mungesë të këtyre informacioneve KKZ-ja nuk ka arritur të krijoj një agjendë që tregon gjendjen faktike të takimeve që i kishin organizuar partitë politike.
- Ka pasur ndërrime shumë të shpeshta të orareve të aktiviteteve të subjekteve të cilat KKZ-ja nuk i ka përcjellë.
- Gjithashtu ka pasur aktivitete të paparalajmëruara, më së shpeshti të karakterit të ecjeve të partive nëpër lagje të qytetit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
-Mosndarja e roleve të Komisionerëve. D4D e ka ngritur para disa ditësh shqetësimin për mosndarjen e drejtë të roleve të komisionarëve në vendvotime, ku një subjekti politik i kanë takuar 75% e kontrolluesit të letërnjoftimit. KQZ e ka trajtuar pjesërisht këtë çështje, por akoma nuk dihet saktë se cili subjekt sa kontrollues do të ketë dhe në cilat vendvotime.
- Mos trajnimi i komisionarëve. D4D dhe INPO janë të shqetësuar me faktin se një numër i konsiderueshëm i komisionerëve nuk kanë ndjekur trajnimet e domosdoshme, ashtu siç edhe parashihen me ligj.
- Numri i madh i fletëvotimeve të shtypura. Për 95,449 votues në komunën e Ferizajt janë shtypur 97,450 fletëvotime. Shtypja e numrit më të madh të fletëvotimeve krijon hapësirë për manipulime.
Mungesa e procedurave. Gjatë monitorimit të mbledhjeve të KQZ-së dhe leximit të dokumente të ndryshme, monitoruesit e D4D kanë vërejtur se KQZ-së i mungojnë procedurat e shkruara ose ato janë të shkapërderdhura në disa dokumente të ndryshme. Në draftin e planit operacional për ditë të zgjedhjeve thuhet që materiali i ndjeshëm transportohet me përcjellje të Policisë, mirëpo nuk sqarohet se si bëhet bartja nga Prishtina në Ferizaj dhe kush do të jetë përgjegjës për këtë dhe në cilën ditë bëhet.
- K-Vote. KQZ ka ndërmarrë një iniciativë për raportim të drejtpërdrejtë të rezultateve nga vendvotimet. Përderisa ne e mirëpresim dhe përkrahim këtë ide, është shqetësuese fakti që faqja elektronike e KQZ-së është jo-funksionale gjatë shumicës së kohës.