S’dinë, apo s’duan reformë zgjedhore

Partitë politike kanë dështuar në reformën zgjedhore të nisur para një viti. Për dymbëdhjetë muaj, përfaqësuesit e partive politike kanë marrë pjesë në Komisionin për Reformën e Procesit Zgjedhor, por nuk kanë bërë asgjë. Kanë shkëmbyer e-maile e mendime, por nuk kanë marrë asnjë vendim.

Përveç Vetëvendosjes dhe SLS-së, sipas burimeve të gazetës “Koha Ditore”, asnjëra nga partitë, sidomos më të mëdhatë, nuk kanë qenë në gjendje që të japin një qëndrim të qartë të tyre, as për çështjet elementare. Ato ende nuk e dinë nëse duan lista të hapura apo të mbyllura, ose se sa zona elektorale i duan në Kosovë. Situata ka bërë që amerikanët të largohen nga mbështetja e komisionit, e evropianët të shqetësohen pa masë.
Një diplomat evropian i akredituar në Kosovë, i ka thënë “Kohës Ditore” në kushte anonimiteti se partitë kanë lënë përshtypjen se qëllimisht nuk duan që të kenë reformë zgjedhore, duke zvarritur gjithçka.
Sipas të njëjtave burime, komisioni që tashmë i ka kaluar mandati, pritet që të marrë një mandat shtesë prej tre muajsh, por reforma do të dështojë, nëse partitë nuk tregojnë më shumë interesim se sa që kanë treguar për 12 muaj rresht.
Reforma është kërkuar nga BE-ja edhe në Raportin e Progresit dhe do të jetë një nga kriteret e vlerësimit që Kosova do të marrë në tetorin e vitit të ardhshëm.
Mungesën e vullnetit politik të partive politike e ka konfirmuar Zyra e BE-së në Kosovë.
“Mungesa e vullnetit politik ka bllokuar suksesin substancial. Kjo është adresuar edhe në qëndrimin e përbashkët të BE-së. BE-ja ka inkurajuar partitë politike që të angazhohen substancialisht, të respektojnë mandatin dhe të marrin parasysh rekomandimet e BE-së”, ka thënë zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë Syzana Bytyçi.
Sipas saj, BE-ja ka për qëllim që të që arrijë reformimin dhe thjeshtësimin e procesit elektoral duke e harmonizuar atë me standardet ndërkombëtare. “Mbështetja jonë teknike nuk është e pakufishme, andaj presim që partitë politike ta shfrytëzojnë zgjatjen e mandatit në mënyrën më të mirë”, ka thënë Bytyçi.
BE-ja pati kërkuar që procesi i zgjedhjeve në Kosovë të lehtësohej në bazë të një raporti që misioni i ekspertëve të BE-së pati bërë në zgjedhjet e kaluara dhe ku qenë konstatuar shumë mashtrime.
Burime të gazetës kanë thënë se ekspertët ndërkombëtarë kanë konstatuar se hapja e listave në sistemin zgjedhor të Kosovës ka qenë gabim, për shkak të papjekurisë së sistemit dhe gatishmërisë që votat të manipulohen. Shumë kandidatë dhe shumë shenjëzime që duhet t`i bëjë vetëm një qytetar vështirësojnë votimin, numërimin dhe mbi të gjitha rrisin mundësinë e keqpërdorimit.
Problematike, sipas ekspertëve, është edhe ideja që Kosova të ketë shumë zona zgjedhore. Kosova, sipas tyre, nuk ka regjistrim të popullsisë dhe si rrjedhojë as numër të saktë të votuesve që ka nëpër komuna. Numri i deputetëve për një zonë, do të duhej të përcaktohej në bazë të numrit të qytetarëve që ka ajo zonë. Statistikat e regjistrimit të popullsisë nuk pritet që të jenë të gatshme para shtatorit të këtij viti, derisa komisioni do të duhet që të vendosë për reformën brenda tre muajsh.