“Nuk do të ketë tjetër Messi”

Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka deklaruar se klubi katalanas nuk do të ketë lojtar të kalibrit të Lionel Messit ndonjëherë tjetër në histori.
“Mendoj se Barcelona kurr nuk do të ketë lojtar sikur Lionel Messi”.
“Madhshtia e Messit është prezente brenda dhe jashtë fushës”, ka theksuar Rosell.
Messi ka rritur shifrën e golave të tij në 61 në t gjitha garat këtë sezon, duke thyer rekord absolut dhe duke lënë dukshëm prapa rivalin e tij Cristiano Ronaldo.

Kuçi rithekson: Nuk përjashtohet aksioni në veri

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se deklarimi i tij lidhur me një aksion të mundshëm në veri të ngjashëm më atë të 25 korrikut të vitit të kaluar, ka qenë deklarim i bazuar në kuadër të procesit për vendosjen e rendit dhe ligjit në atë hapësirë. Ai ka shtuar se nuk përjashtohet asnjë mundësi.
 “Deklarimi im për një aksion në veri ka qenë në aspektin e procesit dhe që nuk përjashtohet asnjë mundësi për vendosjen e rendit dhe ligjit atje”, ka thënë Kuçi për “Tribuna Shqiptare”.
I pyetur rreth koordinimit me faktorin ndërkombëtar për një aksion të tillë, Kuçi ka thënë se Qeveria e Kosovës do të koordinohet me faktorin ndërkombëtar për aspektet e sigurisë dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në veri. “Ne bëjmë angazhime permanente për rend dhe ligj, por nuk lidhen me ndonjë aksion te veçantë”, ka thënë Kuçi. 

Tahiri: Dell nuk kërkon dialog politik për veriun

Thotë se ambasadori amerikan Christopher Dell nuk ka kërkuar dialog politik për veriun, por ka thënë se duhet të ketë biseda me serbët në veri.
Kryenegociatorja Edita Tahiri në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”, ka thënë se Qeveria ka plan për integrimin socio-ekonomik të veriut, duke shtuar se gjithkush e di se çfarëdo përpjekje për t’i dhënë status special veriut çon në prishjen e kufijve dhe trazira në rajon.
Tahiri ka theksuar se pas ngjarjeve të fundit Qeveria e Kosovës pritet të konsultohet me BE-në dhe SHBA-ne për hapat e mëtutjeshëm të dialogut Kosovë-Serbi. 

Shqiptarët e veriut preferojnë KFOR-in

Banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës, përmes një letre dërguar kryetarit të Komunës, Avni Kastrati, kanë kërkuar që sa më parë të merren masa për stabilizuar situatën e sigurisë. “Sigurinë të cilën po e kërkojmë për Qytetarët e Veriut të Mitrovicës, mendojmë se aktualisht mund ta implementojë , vetëm KFOR-i” thuhet në letër.
 “Që nga Çlirimi e deri më sot – qe 13 vjet, në pjesën veriore të qytetit nuk ka siguri për jetën dhe pronën e qytetarëve. Liria e lëvizjes është tejet e kufizuar dhe në varshmëri të plotë nga strukturat paralele serbe të komanduara nga Beogradi. Mund të thuhet se situata është gjithnjë e tensionuar, me përkeqësime të herëpashershme e deri te shpërthimi i pakontrolluar i zemërimit të serbëve të tërbuar që manifestohet me protesta masive e deri te vrasjet mizore të banorëve të qetë e të pafajshëm shqiptarë”. 
“Ngjarjet më të reja te Tre Rrokaqiejt të cilat janë vazhdimësi e akteve terroriste e kriminale të eksponentëve të qarqeve shoviniste serbe në Beograd, na bindin se duhet të ndërmerren masa të rrepta sigurie për Banorët Shqiptarë dhe Ata josërbë në veriun e qytetit. Vrasja mizore e Selver Haradinajt, duke fjetur së bashku me bashkëshorten dhe katër fëmijët e vet, në banesën e vet, më së miri e ilustron barbarizmin serbë kundër popullit shqiptar. Fatkeqësisht këtë Familje e ndjek dora e zezë terroriste e kriminale e serbomëdhenjve, sepse edhe gjatë Luftës për Çlirimin e Kosovës, Selverit ia vranë babën, Zeqirin, në të njëjtin vend".
"Prandaj Ju lusim ta kërkoni ndihmën e KFOR-it si dhe faktorëve tjerë të mundshëm relevant ndërkombëtar. Përndryshe jeta e jonë dhe e anëtarëve të familjeve tona, si qytetarë të Veriut është në rrezik permanent, sepse kriminelët serbë, tashmë kanë dëshmuar se mund të sulmojnë kudo, kur të duan dhe me çfarëdo mjeti shkatërrues që e zgjedhin sipas dëshirës dhe profesionit vrastar që kanë” thuhet në letrën e nënshkruar nga Dr. Musa Myftari, Prof. Ibrahim Bala, Afrim Ahmeti, Prof. Bedri Hamza, Musa Januzi, Hilmi Beqiri, Ing. Ramadan Ademi, Xhafer Ibrahimi, Qamil Hajrizi, etj.

Nokia shet 2 milionë Lumia

Nokia ka lëshuar disa detaje mbi shifrat e fundit të shitjes për linjën e saj të telefonave të rinj Lumia, të cilët bazohen në platformën e Microsoft, Windows Phone.
Në tremujorin e parë të vitit 2012, Nokia ka shitur më shumë se dy milionë modele të Lumia.
Për më shumë, Nokia gjithashtu zbuloi disa informacione tjera lidhur me rezultatet e saj financiare, mirëpo duket se kompania do të bie për 3 për qind në të hyrat e saj, krahasuar me pikën e rentabilitetit të cilën Nokia e kishte vitin e kaluar.
Do të jetë interesante të shihet nëse Nokia Lumia do të jetë linja vendimtare e telefonave që do ta shpëtojnë kompaninë nga rezultatet negative. 

Dikur shiti jetën – sot i ka të gjitha

Britaniku Ian Usher vetëm gjashtë muaj pasi e braktisi gruaja, vendosi që në një ankand në internet të shesë gjithçka dhe të fillojë jetë të re.
Ai nxori në shitje në eBay shtëpinë, veturën, punën, miqtë... dhe u nis ta shëtisë botën. Tash për të interesohet Hollywoodi, ndërsa kompania Disney dëshiron të xhirojë film mbi jetën e tij.
Sot, katër vjet pas ndarjes nga gruaja, Usher i ka realizuar thuajse të gjitha dëshirat e tij, madje ka gjetur dashuri të re dhe është vendosur në ishullin e tij në Karaibe.
48-vjeçari gjatë këtyre viteve ka mësuar frëngjishten, të pilotojë, është njohur me pasanikë të mëdhenj, ka bërë një numër të madh sportesh ekstreme dhe argëtuese, madje ka luajtur edhe një rol të vogël në Hollywood.
Ai jeton me dashurinë e tij të re në ishullin e tij personal në arkipelagun Bocas del Toro, të cilin e ka blerë rreth 30.000 funte. 

Djali i Steve Irwin ndjek hapat e babait

Se molla nuk bie nën dardhë dëshmon edhe djali i gjuetarit të ndjerë të krokodilëve, Steve Irwin.
Bob Irwin është duke ndjekur hapat e rrezikshëm të babait të tij, me ç’rast është parë duke ushqyer aligatorët në një kopsht zoologjik në Australi. Tetëvjeçari ka joshur interesimin e rreth 200 vizitorëve në Queensland.
Që si fëmijë, babai i tij e ka mbajtur me një dorë, ndërsa me tjetrën i ka ushqyer krokodilët, prandaj nuk është e çuditshme aftësia e këtij fëmije, duke qenë se është rritur në një rreth të rrezikshëm.
Steve Irwin humbi jetën në shtator të viti 2006 gjatë njërit nga misionet e tij të rrezikshme, ndërsa familja po e vazhdon punën e tij.

Ka licencë për ta rrahur

Riza Gunay është njeriu i parë në botë, i cili ka licencë për ta goditur. Atë qe dy vite njerëzit në Turqi e paguajnë për të shmangur stresin duke e rrahur.
Ish-roja e sigurisë gjatë një interviste ka thënë se 70 për qind e klientëve të tij janë femra.
Ai ka treguar se shërbimet e tij përfshihen në katër metoda. “Thes i gjallë” – që i mundëson klientit ta rrahë pa kurrfarë rezistence – kjo metodë shërben për qetësim dhe shkarkim. Metoda tjetër i lejon klientët që t’i bërtasin dhe ta shajnë dhe në këtë mënyrë largojnë stresin, frikën, dyshimin dhe ndjenjat tjera negative.
Metoda e radhës quhet Work Up”, gjatë të cilës ai me ritme të ndryshme dhe me biseda relaksuese i qetëson klientët. Metoda e katërt është “Dhoma për shkarkim”, ku Gunayn e gjuajnë me vezë, torta dhe gjësende të ndryshme.
Një trajtim zgjat 20 minuta, ndërsa ai ka treguar se ka rreth 40 klientë në muaj, të cilët janë qytetarë të denjë dhe njerëz të punësuar. 

Kur përfundon durimi (Video)

Pasi i është dashur të presë 20 minuta për të marrë automjetin e tij, një mjek rus e ka humbur durimin dhe e ka shkatërruar një sallon automjetesh në Moskë.
Një 49-vjeçar, baba i dy fëmijëve dhe klient i rregullt i sallonit, kishte shkuar ta marrë automjetin e tij të rregulluar, Suzuki Grand Vitara.
Kur i kishin thënë se duhej të priste 20 minuta, ai ishte ulur i qetë dhe e kishte ndezur cigaren. Mirëpo, menjëherë pasi e ka marrë veturën e tij, është kthyer dhe ka filluar ta shkatërrojë sallonin.
Më pas, ai është arrestuar kur automjeti i tij ishte bllokuar në zyrë. Nuk ka pasur asnjë të lënduar. 

Robben: Titulli është i Dortmundit

Anësori i Bayernit të Munichut, Arjen Robben, ka pranuar se titulli i kampionit të Gjermanisë do t’i takojë Dortmundit, pas dështimit për të fituar në derbin e zhvilluar në Signal Iduna Park.
“Kjo është humbje shumë zhgënjyese. Tek e fundit nuk di as çfarë të them”.
“Isha aq i sigurtë në vetvete se do ta shënoja penaltinë. Në tri vitet e fundit kam marrë përgjegjësinë për 10 ose 11 penalti dhe të gjitha i kam shënuar. Këtë herë fatkeqësisht dështova”, ka theksuar Robben.

Neymar: Te Santosi ndoshta edhe pas 2014

Superylli i Santosit, Neymar, ka deklaruar se ai mund të qëndrojë te klubi brazilian edhe pas Botërorit të vitit 2014.
“Gjasat që unë të qëndroj te Santosi edhe pas Botërorit janë të mëdha, kjo sepse unë e dua Santosin, e dua këtë fanellë dhe dua të qëndroj në Brazil”.
“Natyrisht, ëndërroj të luaj në Evropë, por asgjë nuk është e pamundur. Në vitin 2014 ne mund të ulemi dhe të mendojmë e të flasim nëse do të qëndroj”, është shprehur Neymar.
Barcelona dhe Real Madridi që një kohë të gjatë janë duke luftuar për firmën e yllit brazilian, i cili është ende i pavendosur për të ardhmen e tij.

Balotelli për momentin qëndron te City

Agjenti i sulmuesit të Manchester Cityt, Mario Balotelli, ka zbuluar se futbollisti problematik do ta përfundojë karrierën në Itali, por ka këmbëngulur se klienti i tij do të qëndrojë momentalisht te City.
“Balotelli do ta përfundojë karrierën ne Itali, por për momentin për të është më mirë që të qëndrojë te Manchester City. Ata nuk duan ta shesin. Marios i mungon Italia, por nuk është momenti që ai të rikthehet”.
“Unë jam në Mançester për të biseduar me Mancinin për Balotellin. Ne nuk do të flasim për tregun e transferimit”, është shprehur Mino Raiola, agjenti i Balotellit.

Butragueno: Ronaldo është mjeshtër

Drejtori i Real Madridit, Emilio Butragueno, ka lëvduar paraqitjen e Cristiano Ronaldos pas fitores në derbin ndaj Atletico Madridit.
“Cristiano Ronaldo ka qenë vendimtar në një kohë kritike për ekipin dhe për mua kjo ishte fantastike. Ai ka shfaqur paraqitje që nuk do të harrohet një kohë të gjatë”.
“Ai ka luajtur në mënyrë të mrekullueshme nga minuta e parë, me shumë shpirt dhe pasion. Ai është mjeshtër i vërtetë”, ka potencuar Butragueno.

Heynckes: Na mungoi fati

Trajneri i Bayernit të Munichut, Jupp Heynkces ka deklaruar se ekipit të tij i mungoi fati në ndeshjen ndaj Dortmundit, sfidë pas të cilës bavarezët kanë gjashtë pikë më pak se rivali i tyre.
“Ne kemi arritur t’i mbyllim mirë, por ishte tragjedi goli që pranuam. Në fund të fundit mungoi dhe fati”.
“Ishte një ndeshje klasike prej dy pjesëve – Dortmundi bëri presion në pjesën e parë dhe krijoi raste të mira. Manuel Neuer bëri intervenime të mira. Ne kemi marrë kontrollin pas pushimit dhe dominuam lojën”, ka thënë Heynckes.

Simeone: Ronaldo është gjenial

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, nuk ka hezituar që ta quajë gjenial superyllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo, pas paraqitjes së jashtëzakonshme të këtij të fundit ndaj ekipit të strategut italian.
“Në pjesën e parë dhe në 15 minutat e pjesës së dytë ne luajtëm mirë, por Real Madridi ishte shumë bindës para golit në pjesën e dytë. Gjenialiteti i Cristiano Ronaldos na bëri të pranojmë dy gola”.
“Ne luajtëm ndeshjen me të gjitha forcat, por nuk kemi mundur të bëjmë asgjë më shumë. Pranë rezultatit 1-1, ndeshja ishte në dorën tonë. Ne kemi dashur të luajmë, por s’kemi pasur mundësi. Ata janë të fortë dhe ne kemi vuajtur”, është shprehur Simeone.

Conte nuk flet për të ardhmen e Del Pieros

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, nuk ka ofruar shpresa të qëndrueshme nëse legjenda Alessandro Del Piero mund të qëndrojë te Zonja e Vjetër, pas golit vendimtar nga ‘Alex’ në fazën finale të sfidës ndaj Lazios.
Conte është pyetur nga gazetarët nëse ai do të flasë me presidentin Andrea Agnelli për ta bindur atë për një rinovim të Del Pieros, pasi ai pritet të largohet si transfer i lirë në qershor.
“Komplimente për Alessandron dhe për gjithë ekipin. Për momentin duhet të fokusohemi te Cesena dhe më pas është koha për të biseduar për të ardhmen. Me rëndësi është që tani për tani të rifitojmë energjitë për testet e radhës”, ka theksuar Conte.

Clinton vazhdon ta ndihmoj Kosovën

Kryeministri i Republikës sё Kosovës, Hashim Thaçi, në fund të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, është pritur edhe nga ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, i cili është një nga personalitetet e huaja më meritore për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
 Ish-presidenti Clinton, gjatë këtij takimi, tha se ndjehet krenar qё nё momentin e duhur ka marrё vendimet e duhura pёr t’i dhёnё fund luftёs nё Bosnjё dhe nё Kosovё. Ai theksoi se do tё vazhdojё tё mbajё fokusin e tij nё zhvillimet nё Kosovё dhe se do tё jap ndihmёn e tij nё adresimin e sfidave qё e presin Kosovёs, duke theksuar nevojёn qё Kosova tё konsolidojё shtetёsinё e saj dhe pёrqёndrohet nё zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirёqenies sociale.
Nga ana e tij, kryeministri Thaçi nё emёr tё qytetarёve tё Kosovёs dhe Qeverisё sё Republikёs sё Kosovёs falёnderoi ish-presidentin Clinton pёr rolin e tij vendimtar pёr lirinё dhe pavarёsinё e Kosovёs thuhet në një komunikatë për media të Zyrës së kryeministrit.
Nё kёtё kontekst, ai theksoi se historia moderne do ta mbajё mend presidentin Clinton, sё paku pёr tri gjёra: sё pari pёr udhёheqjen efikase tё SHBA-ve dhe rritjen ekonomike tё lartё gjatё presidencёs sё tij; sё dyti pёr rolin e tij vendimtar pёr ndaljen e spastrimit etnik dhe gjencidit nё rastin e Bosnjёs dhe Kosovёs; dhe sё treti pёr aftёsitё e tij tё rralla tё komunikimit dhe tё pёrcjelljes sё mesazhve tё duhura jo vetёm pёr qytetarёt amerikanё, por edhe mё gjerё.

Thaçi takon Ashton, Serbia të mos tolerohet

Gjatë kthimit nga vizita nё SHBA, kryeministri Hashim Thaçi u takua sot në Stamboll me pёrfaqёsuesen e lartё tё BE-sё pёr Politikё tё Jashtme dhe Siguri, Baroneshёn Catherine Ashton. Kryeministri Thaçi e njoftoi Baroneshёn Ashton lidhur me gjendjen nё veri tё vendit dhe “qasjen tёrёsisht anti-evropiane tё Serbisё karshi Kosovёs”.
 Thaçi sipas një komunikate për media, e informoi Ashtonin lidhur me implementimin e pjesёrishёm tё marrёveshjeve nga ana e Serbisё. “Qasja dyftyrёshe e Serbisё nuk duhet tё tolerohet. Nuk mund tё ketё nё njёrёn anё njё Serbi evropiane karshi Brukselit, dhe njё Serbi mesjetare karshi Kosovёs. Vrasja e qytetarit tё Kosovёs nё shtёpi tё vet, kidnapimi i policëve, arrestimet pa asnjё bazё ligjore tё qytetarёve tё Kosovёs dhe vazhdimi i ekzistencёs sё strukturave paralele e ka tensionuar tej mase situatën”, tha Thaçi.
Kryeministri Thaçi nё takimin me baroneshёn Ashton u shpreh edhe lidhur me ngecjen e Serbisё nё implementimin e marrёveshjeve tё arritura. “Kredibiliteti i dialogut teknik nuk varet nga numri i marrёveshjeve tё arritura, por nga implementimi i tyre. Fatkeqёsisht, Serbia po zhagitё kёtё proces”.
Baronesha Ashton ndërkaq, siç theksohet më tej në komunikatë, e siguroi kryeministrin Thaçi qё do ta mbёshtesё Kosovёn nё rrugёn e reformave drejt integrimit tё plotё nё Bashkim Evropian.

NATO kërkon vigjilencë!

NATO vazhdon të jetë e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në forcimin e mëtejshëm të stabilitetit të saj, ruajtjen e paqes dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, tha të enjten në Prishtinë, komandanti i Aleancës në komandën e Napolit, admiralin Bruce W. Clingan.
 Pas takimit me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjenerali Clingan tha se NATO përcjellë nga afër zhvillimet në Kosovë dhe pret që institucionet dhe populli i Kosovës të jenë vigjilent ashtu si edhe deri më tani, dhe të mos lejojnë që incidentet individuale të përdoren për arritjen e qëllimeve politike dhe krijimit të një klime të pasigurisë e jotolerancës.
Clingan shprehu interesimin e veçantë të NATO-s që të ndihmojë konsolidimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës e cila sipas vlerësimeve të KFOR-it ka arritur kapacitetin e plotë operacional.
Ndërsa presidentja e Republikës së Kosovës, tha se mbështetja e KFOR-it për institucionet e Kosovës është e nevojshme, posaçërisht, në komunat në veri të vendit, për të tejkaluar vështirësitë me të cilat po përballet Kosova. Ajo tha se sulmet me bomba dhe incidentet, si ai i fund javës së kaluar, kur u vra një qytetar dhe i lënduan familjarët e tij, janë të papranueshme.
Presidentja Jahjaga bëri thirrje për qetësi me qëllim të mos lejimit të përshkallëzimit të situatës. Ajo theksoi se bazuar në përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore ka filluar një varg takimesh me udhëheqësit e mekanizmave të sigurisë, ata vendorë dhe ndërkombëtarë, për të vlerësuar situatën e sigurisë dhe për të bashkërenduar veprimet institucionale.
Presidentja Jahjaga tha se strukturat ilegale dhe kriminale në komunat në veri të Kosovës, të mbështetura nga Republika e Serbisë, po vazhdojnë të veprojnë dhe ato përbëjnë shkelje të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Republikës së Kosovës, që kanë për qëllim kanë ndarjen e Kosovës.
Presidentja tha se e vetmja zgjidhje më e mirë për komunat në veri, është zbatimi i plotë i Planit Ahtisaari, që ofron një autonomi të gjerë komunale. Ajo tha se institucionet e Kosovës janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës sepse ato shkelin sovranitetin dhe minojnë legjitimitetin e institucioneve të Kosovës.

Pele: Messi shumë larg Neymarit

Legjenda braziliane, Pele, edhe njëherë ka thumbuar superyllin argjentinas të Barcelonës, Lionel Messi, duke vënë në dyshim aftësitë e këtij të fundit.
Pele këmbëngul se ylli i Santosit, Neymar, është shumë më i talentuar se sa Messi, por se brazilianit i mungon përvoja.
“Messi është një yll. Por, që Messi të jetë më i miri i të gjitha kohërave, së pari duhet të dëshmojë se është më i mirë se Neymar. Gjëja e vetme që Messi ka më shumë se Neymar është përvoja, përndryshe është shumë larg tij”, ka deklaruar Pele.
Nuk është hera e parë që Pele vë në dyshim talentin e Lionel Messit. Ai në të kaluarën ka thënë se Messi duhet të shënojë më shumë se 1000 gola për t’u cilësuar si më i miri në histori dhe pos tjerash në të njëjtin thes shpesh e ka futur edhe me Maradonën, duke thënë se të dy janë më të dobët se sa që ka qenë vet ai.

Zanetti shpreson në vendin e tretë

Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka deklaruar se Nerazzurët nuk janë dorëzuar ende në luftë për vendin e tretë në Serie A, pas fitores shumë të rëndësishme ndaj Sienës në Giuseppe Meazza.
“Pozita e tretë do të jetë e vështirë sepse ka ekipe tjera para nesh – do të jetë e vështirë deri në fund”.
“Por, ne do të japim gjithçka deri në ndeshjen e fundit. Këtë sezon, përpos Juventusit dhe Milanit, të gjitha ekipet tjera janë në gjendje që të lëshojnë pikë”, ka deklaruar Zanetti para takimit ndaj Udineses. 

Klopp: Merituam fitoren ndaj Bayernit

Trajneri i Dortmundit, Jurgen Klopp, beson se skuadra e tij meritoi plotësisht fitoren në sfidën që përfundoi me rezultat minimal 1-0 ndaj Bayernit të Munichut.
Dortmundi arriti që me një gol të Lewandowskit të fitojë supersfidën ndaj Bayernit, të vlefshme për titull, ndërsa dyshime mbi performancën e djemve të tij nuk vuri aspak Klopp.
“Pjesa përfundimtare e takimit ishte fantastike. Ekipi im ka mundur të luajë më mirë. Mendoj se fitorja është shumë e merituar. Jam i kënaqur. Ne tani kemi tri ditë për t’u përgatitur për sfidën derbi me ‘miqt’ tanë nga Gelsenkirchen (Schalke)”, ka theksuar Klopp. 

Rreth 25 për qind të kosovarëve jetojnë në diasporë

Për një bashkërendim më të mirë të aktiviteteve dhe organizimeve për mërgatën shqiptare gjatë pushimeve të tyre verore, të enjten në Deçan qëndroi për vizitë ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli. Ai u prit nga kryetari i Komunës, Rasim Selmanaj, me ç’rast u bisedua për mënyrat e pritjes sa më të mirë të mërgimtarëve.
 Makolli shfaqi interesimin e tij për të organizuar kampe verore nga komunat kosovare për fëmijët e mërgimtarëve, në mënyrë që ata të ndihen më mirë në Kosovë dhe të ketë ura më të shumta bashkëpunimi në mes tyre dhe fëmijëve që jetojnë në vend.
“Ne kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës për regjistrim të studentëve nga diaspora, mirëpo që ata të jenë të liruar nga testet dhe provimet pranuese, dhe mendoj se kemi forma të ndryshme për të pasur një qasje më të kujdesshme ndaj mërgatës sonë”, tha Makolli në Deçan, raporton Koha.
Edhe pse ndoshta jo të sakta, ai tha se sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë ka dalë se rreth 25 për qind e qytetarëve tanë janë duke jetuar dhe vepruar në diasporë. Makolli tutje vlerësoi se mërgata jonë merr pjesë me të hyra në buxhetin e vendit dhe, sipas tij, ajo është ndër faktorët kryesorë në zhvillimin e vendit.

Kurti: Pushtet jo serioz

Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë një konference për shtyp, kanë thënë se sjellja e Kuvendit të Kosovës, duke mos pranuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, paraqet indiferencë ndaj terrorizmit të përditshëm që po e praktikon Serbia ndaj shqiptarëve në veri të Kosovës.
Paralajmërimet e zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi, për një 25 korrik tjetër, sipas drejtuesve të lëvizjes Vetëvendosje, janë një dështim me paralajmërim, transmeton Kosovapress.
“Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshëm në Mitrovicë do të bënte që e gjithë Mitrovica, si një komunë e si një qytet të trajtohej njëjte dhe e bashkuar. Në seancën e sotme nuk u lejua që të mbahej seanca e jashtëzakonshme për Mitrovicën dhe ky mos lejim paraqet indiferencë ndaj terrorizmit të përditshëm që po e praktikon Serbia përmes strukturave të saj armiqësore dhe ilegale”, ka thënë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Komuna përkujdeset për familjen Haradinaj

Komuna e Mitrovicës ka marrë vendim që të përkujdeset për familjen e të ndjerit, Selver Haradinaj, i cili u vra para katër ditësh në banesën e tij në veri të qytetit, pas një sulmi me një mjet shpërthyes. Kjo familje do të ndihmohet edhe materialisht nga komuna dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, të enjten ka pritur në zyrën e tij gruan dhe fëmijët e të ndjerit Selver Haradinaj, të cilët i ka ngushëlluar për humbjjen e bashkëshortit dhe prindit dhe i ka siguruar se institucionet do të jenë pranë tyre vazhdimisht, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga zyra për informim e Komunës së Mitrovicës.
“Ne do të përkujdesemi për strehimin e familjes diku në jug të qytetit, sipas dëshirës së vetë familjarëve”, tha ai, duke shtuar se do të sigurohen edhe të gjitha pajisjet shtëpiake për banesën që do ndahet për këtë familje.
Poashtu ai theksoi se komuna do të përkujdeset edhe për shkollimin e fëmijëve të kësaj familjeje.
Kryetari Kastrati, tha se komuna do të ndaj edhe 5 mijë euro për këtë familje, përderisa Qeveria do të ndihmojë me 9 500 euro. Ai prezantoi edhe një premtim të menaxherit të “Trepçës”, Ferat Shala, për punësimin e njërit prej vëllezërve të të ndjerit.
Gjithashtu ai tha se do të meremetohet edhe banesa e shkatërruar në veri, ku ka shfaqur dëshirën të jetojë njëri prej vëllezërve të Selverit të ndjerë.
Druaja e të ndjerit Selver Haradinaj, Fikria falënderoi kryetarin dhe institucionet për mbështetjen. Ajo tha se banesën që e kanë në veri, nuk do ta shesin me asnjë kusht, por njëherë nuk do të kthehen atje për shkak të ankthit që kanë përjetuar fëmijët. 

Serbët reagojnë ndaj deklaratave të Kuçit

Kryetari ilegal i Mitrovicës, Kërstimir Pantic, u ka kërkuar përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë që të paralajmërojnë autoritetet e Prishtinës kundër “çdo hapi të njëanshëm në veri të Kosovës”. Ai ka thënë për agjencitë serbe se veprimet e tilla të Prishtinës, “mund të destabilizojnë situatën”.
Komentet e Panticit pasojnë ato të zëvendëskryeministrit kosovar, Hajredin Kuçi, i cili ka thënë se policia e Kosovës mund të ndërmarrë aksion të ngjashëm në veri, si ai i 25 korrikut të vitit të kaluar, kur njësia speciale ROSU është dërguar për të vënë nën kontroll pikat kufitare në veri.
“Njoftimi i Hajredin Kuçit se Ministria e Brendshme e të ashtuquajturës Republikë të Kosovës do të dërgojë njësi speciale në veri, është një tjetër kërcënim me armë, ashtu si dhe përpjekje për të provokuar konflikte si ato të korrikut të vitit të kaluar”, ka thënë Pantic, raporton Rel.
Ndërsa, kryetari i paligjshëm i Zubin Potokut, Slavisa Ristic, ka thënë se Kuçi kërcënon për të frikësuar serbët dhe për t’i detyruar ata të braktisin Kosovën.
Duke u drejtuar përfaqësuesve politikë të Kosovës dhe atyre të komunitetit ndërkombëtar, Ristiq ka thënë se ata nuk mund t’i dëbojnë serbët.
Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanovic, deklaratat e Kuçit janë sinjal për, siç është shprehur, “organizatat terroriste shqiptare” që çështjet e pazgjidhura t’i zgjidhin me dhunë ndaj serbëve.
Ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit të Kosovës ka reaguar edhe sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanovic, i cili ka thënë se aksionet e policisë kosovare në veri do të paraqisnin “aventurë të rrezikshme”. 

Ronaldo: Humbja nuk është në fjalorin tim

Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka deklaruar pas paraqitjes së tij stratosferike ndaj Atletico Madridit se në fjalorin e tij nuk ekziston fjala ‘humbje’ dhe se ai është i përgatitur që ta mposhtë edhe Barcelonën.
“Kanë mbetur edhe shumë ndeshje, por tani titulli është më pranë. Humbja nuk është në fjalorin tim”.
“Kishte presion të madh mbi ne sepse e kemi ditur që Barelona e fitoi ndeshjen. Ne jemi ende katër pikë larg prej tyre”, ka theksuar Ronaldo.
Cristiano Ronaldo ka 52 gola në të gjitha garat këtë sezon dhe ka thyer tjetër rekord të mërkurën, pasi u bë lojtari i parë në histori të La Ligas që shënoi 20 gola në një sezon në terrenet mysafire. 

Krasniqi e Limaj nënshkruajnë kërkesën e VV

Lëvizja Vetëvendosje ka shpërndarë për media faksimilen e kërkesës së nënshkruar sot për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të debatohej për gjendjen në veri të Kosovës pas vrasjes së Selver Haradinajt dhe plagosjes së familjarëve të tij, si pasojë e një sulmi terrorist me eksploziv në banesën e familjes Haradaniaj në veri të Mitrovicës.
Kërkesën e iniciuar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, përveç deputetëve të kësaj lëvizjeje, e kanë nënshkruar edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe tre deputetët të tjerë të PDK-së (Fatmir Limaj, Hydajet Hyseni dhe Nait Hasani) si dhe tre deputetë të grupit parlamentar të AKR-së ( Muhamet Mustafa, Emin Gërbeshi dhe Suzana Novobërdaliu).

Shtyhet gjykimi ndaj Xhemajlit

Në Gjykatën Komunale të Drenasit është mbajtur seanca e konfirmimit të aktakuzës, e ngritur nga ana e EULEX-it, kundër të akuzuarit Muharrem Xhemalji, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për veprën penale mashtrim në votime nga neni 180 i Kodit Penal të Kosovës. Por, procesi gjyqësor ndaj tij është shtyrë për shtatë ditë, në mungesë të prokurorit publik.
Kryetari i Gjykatës Komunale, njëherësh edhe gjyqtar i lëndës, Daut Behrami, ka konstatuar se në seancën e të enjtes nuk ka qenë prokurori publik i EULEX-it, Paskal Persons, me arsyetimin e marrë nga zyrtari ligjor i kësaj prokurorie se lënda e marrë nga ky prokuror është bartur nga një prokuror tjetër, i cili ka përfunduar mandatin dhe për shkak të verifikimit të provave të dhëna ne aktakuzë kanë kërkuar të shtyhet seanca gjyqësore edhe për shtatë ditë.
Avokati brojtës i të pandehurit Xhemajli, Ibrahim Dobruna i ka dorëzuar gjykatës dhe prokurorit nga një kopje të parashtresës, me të cilën e ka kundërshtuar akuzën ndaj klientit të tij dhe provave që gjinden në te. Ndërsa mos prezencën e prokurorit publik nga EULEX-i, Paskal Persons, Dobruna e ka konsideruar jo serioze pasi që ai është iniciues i lëndës dhe zvarrit procedurën e saj, raporton Koha.net.
Dobruna ka thënë para gjykatës se akuzat e ngritura nga EULEX-i janë shterpe dhe të pa baza. Gjyqtari Behrami, pas deklaratës së mbrojtësit merr aktvendim që seanca të shtyhet në afat të pacaktuar deri sa prokurori të kthen përgjigjen e parashtresës se mbrojtësit te të pandehurit dhe për seancën e radhës do të njoftohen palët me ftesa të rregullta.
Muajin e kaluar, prokuroria e EULEX-it kishte ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të OVL-së, Muharrem Xhemajli, për veprën penale mashtrim në votime nga neni 180 i Kodit Penal të Kosovës, i cili dyshohet se kishte votuar 148 herë në fshatin Krajkovë të Drenasit në zgjedhjet parlamentare të viti 2010. 

Të zbardhet fati i të pagjeturve

Mbledhja e Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur sot u përshkua me atmosferë të tensionuar, për shkak se familjarët kërkuan përshpejtim të zbardhjes së fatit të të pagjeturve. Ata akuzuan EULEX-in dhe Qeverinë e Kosovës që sipas tyre nuk po bëjnë sa duhet për këtë kategori.
Në prag të 27 prillit, Ditës së të zhdukurve, familjarët e të pagjeturve kritikuan edhe njëherë qeverinë dhe institucionet ndërkombëtare që nuk po bëjnë sa duhet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur, kryetari Prenk Gjetaj tha se ky komision ka kompetenca dhe detyra për gjetjen e mbetjeve mortore ndërkaq përgjegjësia për zbardhjen e fatit të të zhdukurve u takon organeve tjera shtetërore vendore dhe ndërkombëtare.
Muharrem Pajaziti nga shoqata “27 Prilli”, duke paraqitur disa dëshmi të Masakrës së Burgut të Dubravës, tha se çdo i burgosur që i ka mbijetuar asaj masakre ka dhënë nga 10 herë dëshmi në UNMIK dhe në EULEX, raporton RTK.
Ndërkaq Bajram Qerkini, i cili është edhe anëtar i komisionit ngriti çështjen e mbi 50 trupave të gjetur në kazermën “Meto Bajraktari” në Mitrovicë. Ai tha se nëse këta trupa nuk identifikohen atëherë do t’i sjellë para ndërtesës së qeverisë. Ndërkaq për këtë vit është paraparë të bëhen gërmime në 36 lokacione.

Thaçi: Koha që Bosnja të njohë Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është koha që Bosnjë e Hercegovina të njohë Kosovën, duke thënë se pavarësia e saj nuk është e drejtuar kundër askujt.
“Është koha që Bosnja të pranojë Kosovën, të lërë të kaluarën dhe të ndërmarrë këtë hap të guximshëm”, ka thënë Thaçi për mediat boshnjake gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku ka takuar edhe kreun e Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, transmeton Rel.
“Pavarësia e Kosovës sjell më shumë stabilitet në rajon, marrëdhënie pozitive në mes të fqinjëve dhe bashkëpunim më të mirë rajonal. Ajo i përmirëson shanset e të gjithë atyre që kanë aspirata në rrugën euro-atlantike – pra, jo vetëm të Kosovë, por të tërë rajonit”, ka thënë kryeministri i Kosovws.
Duke folur për “Dnevni Avaz”, Thaçi ka thënë se me Ban Ki-moon ka biseduar për situatën në veri të Kosovës, si dhe për mundësitë e pranimit të Kosovës në OKB.
“Kam shprehur synimin tim rreth kësaj, vizionin tim, por edhe të drejtat tona si vende për të qenë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara. Natyrisht, e di se një gjë e tillë është vështirë të arrihet tani, por ju siguroj se një ditë do të jemi shtete anëtare të OKB-së, pavarësisht kundërshtimeve të tashme të disa vendeve”, ka thënë Thaçi.
I pyetur nëse pret që në të ardhmen Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, Thaçi ka thënë se një gjë e tillë varet nga Serbia dhe jo nga Kosova.

Garda Kombëtare e IOWA-s do ta ndihmojë FSK-në

Shefi i Shtabit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, koloneli Gary Freese, ka premtuar se do ta ndihmojnë FSK-në në të gjitha drejtimet. Ai këtë premtim e ka bërë sot gjatë takimit me ministrin dhe komandantin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, Agim Çeku dhe gjenerallejtënant Kadri Kastrati.
Vizita e shefit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, SHBA, realizohet në kuadër të thellimit të bashkëpunimit pas nënshkrimit të partneritetit shtetëror për bashkëpunimit në mes të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të IOËA-s, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga zyra për informim e MFSK-së.
Ministri Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, me këtë rast e kanë falënderuar SHBA-n dhe Gardën Kombëtare të IOWA-s, për ndihmën që po japin për FSK-në.
Ministri dhe Komandanti i FSK-së, gjithashtu e kanë njoftuar Shefin e Shtabit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, kolonelin Freese për zhvillimet dhe të arriturat e Forcës së Sigurisë të Kosovës, si dhe për objektivat e zhvillimit të FSK-së, për të ardhmen.
Shefi i Shtabit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, po qëndron në Kosovë, me një ekip nga IOWA dhe EUCOM-i, për caktimin e fushave të bashkëpunimit bilateral për vitin 2013. 

Korrupsioni po kërcënon shoqërinë

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga në takimin e dytë të Këshillit kombëtar kundër korrupsionit deklaroi se korrupsioni është një e keqe që po kërcënon shoqërinë kosovare, integritetin institucional të shtetit dhe rrugën drejt prosperitetit.
Presidentja vlerësoi se fenomeni i korrupsionit dëmton stabilitetin ekonomik dhe krijon klimë jo të sigurt dhe të pavolitshme për investimet e huaja.
“Nëse nuk jemi efikas dhe plotësisht të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, atëherë ne po rrezikojmë të shndërrohemi në një shoqëri në të cilën fëmijët tanë do të rriten në një ambient, ku formë për arritje të suksesit do ta konsideronin miton dhe korruptimin. Ne duhet të parandalojmë që dukuria e korrupsionit të bëhet kulturë e punës së institucioneve shtetërore dhe, edhe më keq, kulturë e jetës së përditshme të shoqërisë sonë”, tha Jahjaga.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë Hajredin Kuçi, ka premtuar angazhimin e ekzekutivit në fuqizimin e ligjeve të miratuara anti-korrupsion, dhe përshpejtimin e miratimit të ligjeve të tjera kundër korrupsionit.
“Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë, janë gjithnjë të përkushtuar për përmirësimin deri në për përsosshmëri të legjislacionit, në veçanti që është i dedikuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Kuçi.
Zëvendëskryeministri Kuçi bëri të ditur se në drejtim të luftës kundër korrupsionit, me Kodin e ri Penal, i cili pritet të miratohet së shpejti, do të sjellë shumë risi në sistemin e drejtësisë. 

Demaçi merr shtetësinë shqiptare

Më në fund, pas dy vjet pritjeje, Republika e Shqipërisë ia ka dhënë shtetësinë shqiptare veprimtarit dhe atdhetarit të shquar Adem Demaçit.
Në mbështetje të nenit 92, pika “c” dhe 93 të Kushtetutës dhe ligjit “Për shtetësinë shqiptare”, presidenti i Republikës së Shqipërisë, dr. Bamir Topi, të hënën e ka firmosur dekretin presidencial për dhënien e shtetësisë shqiptare për simbolin e rezistencës kombëtare, njofton “Epoka e Re”.
Por, rruga deri te arritja e kësaj shtetësia për bacën Adem nuk ka qenë e lehtë.
Për një gjë të tillë atij i është dashur të presë dy vjet. Ndonëse publikisht nuk është thënë, është bërë me dije se për këtë vonesë fajet i ka Qeveria shqiptare.
Një burim në kushte anonimiteti i ka thënë gazetës se shteti shqiptar i ka kërkuar Demaçit edhe certifikatë, e cila dëshmon se nuk është nën hetime.
“Zakonisht ata kanë thënë se arsyeja e vonesës ka qenë moskompletimi i dokumentacionit. Madje, bacës ata i kanë kërkuar edhe certifikatë që nuk është duke u hetuar. Kjo ka qenë kërkesë banale”, ka treguar burimi i gazetës.
Po i njëjti burim ka bërë me dije se Kroacia veprimtarit Demaçi ia ka dhënë shtetësinë brenda ditës.
Gjatë së mërkurës ka qenë e pamundur të kontaktohet ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.
Megjithatë, gazeta ka mësuar se procedura e marrjes së shtetësisë për Adem Demaçin nuk ka shkuar nëpërmjet Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, por nëpërmjet rasteve të veçanta të marrjes së shtetësisë.
Pavarësisht pritjeve të gjata, veprimtari Demaçi është mjaft i lumtur që më në fund ka edhe shtetësinë e ëndërruar të shtetit shqiptar.
Në një prononcim për “Epokën e re” në mënyrë metaforike ai ka thënë se pas marrjes së shtetësisë ndihet sikur një njeri që pas një kohe të gjatë e ka kuptuar se ka nënë. “Njeri është mirë kur e ka një nënë, ani se është larg, ani se është me probleme. Ndryshe është kur e ka nënën, ndryshe është kur nuk e ka. Sikur ai që është pa nënë dhe dikur e zbulon nënën e vet dhe ajo pastaj e merr ngryk e fut në gji. Këtë ndjenjë e kam”, ka thënë Demaçi. 

Kroaci, ulet rezervat e detyrueshme

Banka Qendrore e Kroacisë ka ulur normën e rezervave të detyrueshme për bankat tregtare, në 13.5 për qind, nga 15 për qind që ishte vendosur në muajin prill të vitit të kaluar.
Kjo lëvizje është bërë për të çliruar më shumë se 4 miliardë kuna likuiditet, për të nxitur huadhënien për korporatat. Norma e re do të hyjë në fuqi në datën 9 maj të këtij viti.
Sipas Bankës, ulja e normave synon të nxisë rimëkëmbjen ekonomike, pas tre vjetësh recesion dhe për të zgjeruar huatë e bankave drejt kompanive të orientuara nga eksporti.
Banka Qendrore e Kroacisë u ka kërkuar bankave për të liruar më shumë huadhënien pas kësaj lëvizjeje pasi, likuiditeti i pamjaftueshëm ka qenë një pengesë e madhe në tre muajt e fundit.

Policia arreston kreun e bujqve

Policia e Kosovës ka arrestuar Tahiri Tahirin, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës (FSBK) dhe disa fermerë në hyrje të Prishtinës tek lokacioni Tregu i Kafshëve në rrugën në drejtim të Podujevës.
Prodhuesit e patates më herët kishin paralajmëruar se do të protestonin në Prishtinë, para qeverisë, duke kërkuar kompensim për dëmet si pasojë e mosshitjes së produkteve të tyre. Ata kanë kërkuar nga policia që të lejohen të hyjnë në qytet me automjetet e tyre me patate, duke i dhënë ultimatum policisë që në afat prej 15 minutash të lejojë kalimin e tyre.
Pas këtij afati, ata kanë filluar të derdhin patatet në rrugë, duke penguar rrjedhën e lirë të komunikacionit. Si pasojë e kësaj, policia ka bërë arrestimin e personave në fjalë, të cilët janë shoqëruar për në stacionin policor, raporton Kosovapress.
Ndërsa, qarkullimi i automjeteve të qytetarëve është mundësuar menjëherë pas arrestimit të fermerëve. 

LDK: Qeveria po bënë shkurtime buxhetore

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se Qeveria Thaçi mashtron qytetarët me buxhet të lartë të aprovuar, i cili pastaj shkurtohet vazhdimisht me vendime ad hoc. Sipas kësaj partie me vendim të Qeverisë, të datës 28.03.2012, janë reduktuar alokimet për shpenzime buxhetore për rreth 20 milionë euro prej të cilave 10 milionë për mallra dhe shërbime, 7.5 milionë për investime kapitale dhe 2.4 milionë për subvencione dhe transfero.
Arsyet e dhëna në vendimin e qeverisë kanë të bëjnë me mungesën e mjeteve buxhetore si rezultat i vonesave në privatizimin e PTK-së. “Ky vendim vjen pas vendimit të mëhershëm të muajit shkurt për shkurtime të mjeteve prej mbi 8 milionë euro në projekte të ndryshme kapitale”, thotë LDK-ja nëpërmjetë një komunikate për media.
Praktika e planit buxhetor që karakterizuar me shpenzime të larta dhe të hyra të pasigurta, ka bërë që edhe vitin e kaluar të reduktohen investimet dhe shpenzimet për më shumë se 60 milionë euro. Kjo praktikë është një mashtrim për qytetarët dhe bizneset në Kosovë.
Kjo masë e qeverisë konfirmon vërejtjet e LDK-së me rastin e aprovimit të buxhetit për 2012, se buxheti nuk mund të planifikohet në burime të tilla të të ardhurave, siç janë të ardhurat nga privatizimi i PTK-së. “Ajo që është edhe më e papranueshme është se mjetet nga shitja e aseteve publike, siç është PTK, shpenzohen pa ndonjë strategji të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës. Theksojmë se pasuria publike është e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mjetet e grumbulluara nga shitja e pasurisë së tillë duhet të shpenzohen ashtu që të përfitojnë të gjithë qytetarët e vendit dhe të bazuar në një strategji kombëtare”.
Lidhja Demokratike e Kosovës tërheq vërejtjen se mënyra se si po menaxhohet buxheti i Republikës së Kosovës është joligjore dhe po e ul efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve që ofrojnë institucionet publike për qytetarët.

Dallime të mëdha mes eksportit e importit

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) gjegjësisht Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare publikoi sot, Statistikat e Tregtisë së Jashtme. Në këtë publikim të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar për muajin shkurt 2012 prej 109.9 milionë euro krahasuar me deficitin prej 123.2 milionë euro me shkurtin e vitit 2011.
Eksporti në muajin shkurt 2012 kishte vlerën 15.3 milionë euro, ndërsa importi 125.2 milionë euro, është një rënie prej 40.4 për qind për eksport si dhe prej 15.9 për qind për import krahasuar me shkurtin e vitit 2011.
Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit: 72.7 për qind të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 7.0 për qind produktet bimore, 5.0 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 3.7 për qind lëkurë dhe artikuj prej tyre, 3.2 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 3.1 për qind tekstil dhe artikuj tekstili.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesor për import: 27.2 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale, 13.7 për qind ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, 10.1 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 7.9 për qind produkte të industrisë kimike, 6.4 për qind mjetet e transportit , 6.2 për qind produktet bimore.
Në muajin shkurt 2012 përqindja më e madhe e eksportit ishte në: Itali 42.8 për qind, Kina 11.0 për qind, Shqipëri 8.7 për qind, Maqedonia 6.2 për qind, Gjermani 3.9 për qind, Serbia 3.4 për qind.
Ndërsa sipas të dhënave përqindja më e madhe e importit është nga: Maqedonia 13.6 për qind , Gjermania 12.8 për qind, Serbia 8.7 për qind, Kina 7.7 për qind, Italia 6.9 për qind, Turqia 6.9 për qind. Bashkimi Evropian me 54.1 për qind merre pjesë në eksportin e vendit tonë, kurse në import me 38.1 për qind.
Nga të dhënat e muajit Shkurt 2012, më së shumti kemi eksport mallrash përmes pikave kufitare: Hanit të Elezit 60.9 për qind, Vërmicë 22.0 për qind, Merdare 4.8 për qind. Ndërsa import më së shumti kemi përmes pikës kufitare të: Hanit të Elezit 33.0 për qind. Merdare 20.2 për qind, Vërmicës 13.3 për qind , Inter Europa 9.5 për qind. 

Nafta me rritje

Kontratat e naftës kanë qenë të qëndrueshme në sesionin e sotëm. Çmimi i naftës në tregun energjetik po presohet nga premtimi i Iranit për të prezantuar propozime të reja në bisedimet nukleare me fuqitë botërore. çmimet janë presuar edhe nga deklarata e rezervës federale se po vrojton ekonominë për të vendosur nëse do të ketë një tjetër program të stimulit të ekonomisë.
Ndikim negativ po jep edhe pritshmëria për përkeqësim të situatës fiskale të Spanjës. Të gjithë këta faktorë kanë kaluar në plan të dytë raportin që tregoi për rënie drastike të stokut të hidrokarbureve në shtetet e bashkuara për javën e kaluar.
Megjithatë kontratat po regjistrojnë rritje të vlerës për shkak të pozicionimit të investitorëve në mbarë tregjet në asete me risk. Nafta bruto Brent e Londrës për majin u rrit 14 cent në 120.32 dollarë për fuçi. Nafta bruto amerikane për majin u rrit 30 cent në 102.90 dollarë për fuçi. 

Lala do të nënshkruajë me Bayern Munichun

Bayern Munich është në prag të nënshkrimit me veteranin e kombëtares shqiptare, Altin Lala.

Mesfushori shqiptar e ka zbuluar vetë lajmin gjatë një prononcimi për Bild, duke thënë se ai e ka pranuar ofertën nga klubi bavarez dhe do të transferohet si agjent i lirë në fund të sezonit, kur kontrata e tij me Hannoverin do të skadojë.

“Po, kam vendosur. Do të nënshkruajë me Bayernin. Mendoj se do të fluturoj për testet mjekësore në Munich javën e ardhshme, pastaj do të nënshkruaj. Jam krenar, kjo është një gjë e madhe”, ka thënë Lala.
Në muajin mars, bavarezët bënë një ofertë për Lalën, i cili aso kohe mendonte për pensionim. Dhe pas disa javës shtyrje, ai ka vendosur të jetë pjesë e një projekti që synon të përmirësojë skuadrën rezervë të Bayernit.
Lala ka luajtur për Hannoverin që nga vitit 1998. Bayerni tashmë ka nënshkruar edhe me një shqiptar tjetër, kosovarin me nënshtetësi zvicerane Xherdan Shaqiri.

Schuster: E pamundur Reali të fitojë në Nou Camp

Ish-trajneri i Real Madridit, Bernd Schuster, thotë se ai nuk e kupton Pep Guardiolën kur thotë se Barcelona nuk ka shanse për ta fituar titullin.
Schuster, i cili gjatë karrierës së tij si futbollist kishte luajtur edhe për Barcelonën, thotë se Blaugranët mund të llogarisin për tre pikë në ndeshjen El Classico, që zhvillohet të shtunën e ardhshme (21 prill).
“Unë nuk e kam kuptuar dhe nuk e kuptoj Guardiolën kur thotë se nuk mund ta fitojnë ligën, pasi ata zakonisht e bëjnë këtë. Është e pamundur që Reali të fitojë në Nou Camp”, ka thënë gjermani.

Liverpool dhe Juve pas David Villas

Liverpooli dhe Juventusi raportohet se janë duke e monitoruar situatën e sulmuesit David Villa te Barcelona.
Sulmuesi spanjoll aktualisht është duke u rikuperuar nga operimi në gju dhe shpreson të rikthehet në kohë për të qenë pjesë e Spanjës në Euro 2012.
Cadena Ser shkruan se Juve dhe Liverpool tashmë kanë qenë në kontakte me kampin e Villas dhe do ta monitorojnë nga afër rikuperimin e tij me qëllim që të bëjnë oferta për të gjatë verës.
Villa, tash 30-vjeçar, vlerësohet mbi 30 milionë funte nga Barcelona.

Mazzarri: Lojtarët janë lodhur

Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, ka thënë pas disfatës së mbrëmshme 3-1 nga Atalanta se lojtarët e tij janë të lodhur.
“Ne po vuajmë dhe në aspektin fizik dhe ishim të qëndrueshëm vetëm gjatë pjesës së parë. Ne kemi paguar çmimin e paraqitjes së ashpër kundër Lazios të shtunën dhe sot ishim thjesht të rraskapitur”.
“Ne merituam të mposhtemi, pasi ne vërtet jemi të lodhur dhe mbi të gjitha kemi shumë lëndime dhe suspendime”.
“Çdo herë ne ishim me vonesë në top dhe Atalanta ishte shumë reaktive sot. Ne nuk jemi në nivelin e klubeve të mëdha sa i takon përvojës dhe fuqisë në thellësi. Për të fituar ne duhet të jemi 100 për qind dhe të mundohemi më shumë se të tjerët”, ka thënë Mazzarri.

Ramos: Ronaldo më i miri në botë

Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, ka deklaruar se Cristiano Ronaldo është “lojtari më i mirë në botë”, pas hat-trickut të shënuar në derbin e mbrëmshëm ndaj Atletico Madrid.
“Skuadra është e fuqishme, e ngazëllyer dhe plot energji... do të ishte turp të lejojmë titullin të na ikë nga duart pas mundit të madh dhe sakrificave që kemi bërë gjithë sezonin”.
“Ne nuk mendojmë se Barcelona do të humbasë më shumë pikë, por ne varemi nga vetja dhe mbulesa prej katër pikësh na lejon neve të vazhdojmë ta ruajmë punën e mirë”.
“Cristiano Ronaldo është lojtari më i mirë në botë. Ne jemi me fat që stërvitemi me të çdo ditë dhe që e kemi atë në mesin tonë”, ka deklaruar Ramos. 

Behrami të vazhdojë kontratën me Fiorentinën

Valon Behrami raportohet do të nënshkruajë kontratë të re me Fiorentinën.
Kosovari me nënshtetësi zvicerane, i cili refuzoi një transferim te Juventusi në janar, pritet të shpërblehet për përkushtimin e tij me një rifreskim të marrëveshjes deri në vitin 2016.
26-vjeçari, i cili ka luajtur 26 ndeshje në Serie A këtë sezon, aktualisht është nën kontratë trevjeçare e gjysmë, pasi u transferua te Viola në janar të vitit të kaluar nga West Hami. 

Ferguson: Wigan ishte më i mirë

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, nuk ka ofruar arsyetime pas disfatës 1-0 nga Wigan Athletic.
“Wigan ishte skuadra më e mirë. Ata janë një skuadër shumë e nënvlerësuar dhe ne u dominuam krejtësisht në pjesën e parë”.
“Ne ishim të dytë në çdo top dhe kishim vetëm një goditje në gol. Ishte një prej atyre netëve të këqija”.
“Ne kemi pasur një seri të shkëlqyeshme dhe kjo na ka sjellë në një pozitë ku ne mund ta fitojmë ligën, andaj ne duhet të dalim nga zhgënjimi i sotëm”, ka thënë Ferguson.

Karanka plot lëvdata për Ronaldon

Ndihmës-trajneri i Real Madridit, Aitor Karanka, ishte plot lëvdata për Cristiano Ronaldon pas fitores 4-1 në derbin e mbrëmshëm ndaj Atletico Madrid.
Portugezi shënoi hat-trick, të shtatin këtë sezon, për të çuar në 40 numrin e golave po këtë sezon, derisa Reali riktheu epërsinë prej katër pikësh ndaj Barcelonës në krye të tabelës së La Liga.
“Ai ishte spektakolar, por çdokush bëri punën e vet për të bërë dallimin. Ne e dinim se nuk do të jetë e lehtë. Shumica ishin kundër nesh, por ne gjithmonë kemi besuar në këtë skuadër. Tash ne duhet të qëndrojnë në rrugë të duhur”, ka thënë Karanka. 

Marc Anthony aplikon për divorc nga J-Lo

Marc Anthony ka aplikuar për divorc nga bashkëshortja e tij Jennifer Lopez, duke përmendur “dallimet kontradiktore” si arsye të dështimit të martesës shtatëvjeçare.
Ish-çifti, që kanë binjakët katërvjeçar Max dhe Emme, u ndanë në korrikun e kaluar, pas shtatë vitesh së bashku. Tash Marc, 43-vjeçar, ka filluar të ndjekë procedurat zyrtare për t’i dhënë fund martesës së tyre.
Revista People raporton se në letrat e dorëzuara në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit të hënën, këngëtari kishte kërkuar që ata të ndajnë kujdesin fizik dhe ligjor të fëmijëve të tyre.
Që nga ndarja, dyshja kanë mbetur miq dhe vazhdojnë të punojnë së bashku në shoun televiziv “Q'Viva! The Chosen”. 

Bujupi eliminohet nga “Let’s Dance”

Ardian Bujupi është eliminuar nga spektakli “Let’s Dance” bashkë me partneren e tij Katya Kalugina, pavarësisht se juria ka qenë e ndarë në mendime për këtë eliminim.
Megjithatë, pavarësisht vallëzimit shumë “hot” të Ardianit, telefonatat e pakta kanë bërë që ky i fundit të eliminohet nga kjo garë.
Juria dha vetëm 22 pikë për Ardianin në total përderisa votat e pakta të publikut nuk e ndihmuan atë që t’i shpëtoj eliminimit, pavarësisht se Ardiani një ditë më parë paralajmëroj se do të përmirësohet në këtë garë.