Shqiptarët e veriut preferojnë KFOR-in

Banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës, përmes një letre dërguar kryetarit të Komunës, Avni Kastrati, kanë kërkuar që sa më parë të merren masa për stabilizuar situatën e sigurisë. “Sigurinë të cilën po e kërkojmë për Qytetarët e Veriut të Mitrovicës, mendojmë se aktualisht mund ta implementojë , vetëm KFOR-i” thuhet në letër.

 “Që nga Çlirimi e deri më sot – qe 13 vjet, në pjesën veriore të qytetit nuk ka siguri për jetën dhe pronën e qytetarëve. Liria e lëvizjes është tejet e kufizuar dhe në varshmëri të plotë nga strukturat paralele serbe të komanduara nga Beogradi. Mund të thuhet se situata është gjithnjë e tensionuar, me përkeqësime të herëpashershme e deri te shpërthimi i pakontrolluar i zemërimit të serbëve të tërbuar që manifestohet me protesta masive e deri te vrasjet mizore të banorëve të qetë e të pafajshëm shqiptarë”. 
“Ngjarjet më të reja te Tre Rrokaqiejt të cilat janë vazhdimësi e akteve terroriste e kriminale të eksponentëve të qarqeve shoviniste serbe në Beograd, na bindin se duhet të ndërmerren masa të rrepta sigurie për Banorët Shqiptarë dhe Ata josërbë në veriun e qytetit. Vrasja mizore e Selver Haradinajt, duke fjetur së bashku me bashkëshorten dhe katër fëmijët e vet, në banesën e vet, më së miri e ilustron barbarizmin serbë kundër popullit shqiptar. Fatkeqësisht këtë Familje e ndjek dora e zezë terroriste e kriminale e serbomëdhenjve, sepse edhe gjatë Luftës për Çlirimin e Kosovës, Selverit ia vranë babën, Zeqirin, në të njëjtin vend".
"Prandaj Ju lusim ta kërkoni ndihmën e KFOR-it si dhe faktorëve tjerë të mundshëm relevant ndërkombëtar. Përndryshe jeta e jonë dhe e anëtarëve të familjeve tona, si qytetarë të Veriut është në rrezik permanent, sepse kriminelët serbë, tashmë kanë dëshmuar se mund të sulmojnë kudo, kur të duan dhe me çfarëdo mjeti shkatërrues që e zgjedhin sipas dëshirës dhe profesionit vrastar që kanë” thuhet në letrën e nënshkruar nga Dr. Musa Myftari, Prof. Ibrahim Bala, Afrim Ahmeti, Prof. Bedri Hamza, Musa Januzi, Hilmi Beqiri, Ing. Ramadan Ademi, Xhafer Ibrahimi, Qamil Hajrizi, etj.