Garda Kombëtare e IOWA-s do ta ndihmojë FSK-në

Shefi i Shtabit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, koloneli Gary Freese, ka premtuar se do ta ndihmojnë FSK-në në të gjitha drejtimet. Ai këtë premtim e ka bërë sot gjatë takimit me ministrin dhe komandantin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, Agim Çeku dhe gjenerallejtënant Kadri Kastrati.

Vizita e shefit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, SHBA, realizohet në kuadër të thellimit të bashkëpunimit pas nënshkrimit të partneritetit shtetëror për bashkëpunimit në mes të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të IOËA-s, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga zyra për informim e MFSK-së.
Ministri Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, me këtë rast e kanë falënderuar SHBA-n dhe Gardën Kombëtare të IOWA-s, për ndihmën që po japin për FSK-në.
Ministri dhe Komandanti i FSK-së, gjithashtu e kanë njoftuar Shefin e Shtabit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, kolonelin Freese për zhvillimet dhe të arriturat e Forcës së Sigurisë të Kosovës, si dhe për objektivat e zhvillimit të FSK-së, për të ardhmen.
Shefi i Shtabit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, po qëndron në Kosovë, me një ekip nga IOWA dhe EUCOM-i, për caktimin e fushave të bashkëpunimit bilateral për vitin 2013.