I ashtuquajturi sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, ka vlerësuar se aksionet e policisë kosovare në veri do të paraqisnin “aventurë të rrezikshme”, e cila sipas tij, mund të nxiste pastaj reagim të dhunshëm.
Ivanovic ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndalojë një gjë të tillë.
Ai ka thënë se veriu i Kosovës është problem politik, i cili nuk mund të zgjidhet me dhunë, sepse në këtë rast “do të nxiste reagim të dhunshëm të cilin askush nuk do të mund ta qetësonte”.
Ndryshe, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka paralajmëruar mbrëmë se policia mund të ndërmarrë aksion të ngjashëm në veri, si ai i 25 korrikut të vitit të kaluar, kur, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës u dërgua për të vënë nën kontroll pikat kufitare në veri.
Në fundjavën e kaluar në veri të Kosovës është vrarë në pronën private te tij, me anë të një bombe, shqiptari 38 vjeçar, Selver Haradinaj, dhe janë plagosur anëtarët e familjes së tij.
Për të kontrolluar vendin ku ka ndodhur incidenti, te “Tre Rrokaqiejt”, Policia e Kosovës tentoi të vendosë shtëpiza statike, por ato u hoqën dhe u demoluan nga serbët lokalë.
Pjesa veriore e Mitrovicës aktualisht është e banuar me shumicë serbe dhe kontrollohet nga strukturat paralele të financuara nga Qeveria e Serbisë.
Në vitin e kaluar, autoritetet kosovarë tentuan që përmes marrjes nën kontroll të pikave kufitare veriore, në Bërnjak dhe Jarinë të nisin shtrirjen e kontrollit.
Por, kjo gjë nuk rezultoi me sukses, dhe që nga vera e kaluar, serbët kanë ngritur barrikada në rrugët që lidhin jugun me veriun, duke pamundësuar qarkullimin e automjeteve të institucioneve të Kosovës dhe pjesërisht të EULEX-it.
Vetëm KFOR-i ka një qasje më të lirë në atë pjesë.