Kacin: Veriu nuk do të ketë status të veçantë

Thotë se ndien keqardhje të thellë për retorikën urryese ndaj Kosovës që është theksuar qysh kur ka filluar fushata elektorale në Serbi.

 Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”, ka thënë se njohja e Kosovës nuk mund të jetë kusht për Serbinë, përderisa ende ka shumë shtete në BE të cilat nuk e njohin Kosovën si një shtet të pavarur.
Eurodeputeti slloven thotë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë posa të formohet qeveria e re në Beograd. Zgjidhja e problemeve në veri të Kosovës, sipas Kacin, duhet të bazohet në Pakon e Ahtisaarit.
Sipas tij, është e papranueshme që në fund të çfarëdo negociate për veriun të vendoset për ndonjë status të veçantë të bazuar mbi kriterin etnik.