Fergie e dëshiron sërish Piquen

Sir Alex Ferguson dëshiron që ta sjellë sërish Gerard Piquen te Manchester Unitedi – raporton Daily Star.
Mbrojtësi i Barcelonës ka qenë te Djajtë e Kuq gjatë viteve 2004-2008, ndërsa njoftohet se Fergie do të përpiqet që ta transferojë gjatë afatit të ardhshëm kalimtar.
Nga ana tjetër, thuhet se pas marrjes së lajmit që Pep Guardiola po largohet nga Barca, edhe Pique do të kërkojë një sfidë të re. 

Reali të enjten feston titullin

Real Madridi nesër (e enjte) do ta festojë titullin e kampionit të Spanjës nga ora 19:00 në Plaza de Cibeles nëse fiton sonte (e mërkurë) ndaj Athletic Bilbaos.
Me fitore në San Mames, Los Blancos do ta sigurojnë edhe matematikisht titullin, pasi do të jenë shtatë pikë përpara Barcelonës (nëse Blaugranët triumfojnë ndaj Malagas), ndërsa do të mbesin edhe dy xhiro për t’u zhvilluar (gjashtë pikë).
Nga klubi mbretëror tashmë është njoftuar policia rreth kësaj feste, në mënyrë që kremtimi të shkojë në mënyrë sa më të mirë dhe të sigurt, dhe pa incidente.
Lojtarët e Realit do të kthehen nga Bilbao herët në mëngjes dhe do t’u bashkohen tifozëve në qendrën e njohur të kryeqytetit spanjoll. 

Pensionohet Sol Campbell

Mbrojtësi anglez, Sol Campbell, është tërhequr nga futbolli aktiv në moshë 37-vjeçare, ndërsa ka bërë të ditur se ky ishte një vendim shumë i vështirë.
Campbell ka luajtur për shtatë klube të ndryshme, duke përfshirë edhe Tottenhamin dhe Arsenalin, ndërsa është paraqitur në shtatë kompeticione të rëndësishme gjatë karrierës së tij.
“Ishte një vendim shumë, shumë i vështirë, sepse nuk është lehtë të heqësh dorë kur ke qenë një top-sportist për një kohë shumë, shumë të gjatë”.
“U ndodh të gjithë sportistëve në botë që arrijnë moshën kur mendja, trupi dhe shpirti thonë tashmë është mjaft. Duhet t’i varësh këpucët dhe t’i japish fund”, ka deklaruar Campbell.
Lojtari nga Londra ka debutuar në nivel profesional në moshën 18-vjeçare te Tottenhami ku qëndroi për dhjetë vite, ndërsa më pas iu bashkua rivalit Arsenal.
Me Topçinjtë ai përjetoi suksesin më të madh në karrierë, duke fituar dy tituj të Ligës Premier dhe dy trofe të Kupës FA.

Muller: Do të ishte nder t’ia uroj Messit thyerjen e rekordit

Legjenda gjermane e Bayern Munichut, Gerd Mueller, nuk shqetësohet që Lionel Messi mund t’ia thyejë rekordin prej 67 golash të shënuar brenda një sezoni.
Në sezonin 1972/1973, Mueller e arriti rekordin historik, i cili mund të thyhet këtë edicion nga futbollisti më i mirë në botë aktualisht, Leo Messi, i cili veçmë ka shënuar 65 gola me Barcelonën.
“Teknikisht, Messi është i jashtëzakonshëm. Golat e tij janë brilantë. Dhe përkundër faktit se është gjeni, ai nuk është lojtar egoist”.
“Ka pasur shumë golashënues të mëdhenj. Ka shumë rëndësi që rekordi im qëndroi për 40 vite”.
“Rekordet vihen për t’u thyer. Unë do të jem i pari që do ta uroj nëse Messi shënon 68 gola këtë sezon, do të ishte një nder për mua”, ka thënë Mueller për Mundo Deportivo

Podolski: Te Arsenali për tituj

Sulmuesi gjerman, Lukas Podolski, planifikon të fitojë trofe me klubin e tij të ri, Arsenal.
“Arsenali është një klub i madh futbollistik dhe objektivi duhet të jetë fitimi i titujve në vitet e ardhshme”.
“Unë kam mundur të vazhdoj te Koelni ose të shkoja te ndonjë klub më i madh. Kam pasur oferta, mirëpo e kisha të qartë se do të shkoja te Arsenali”.
“Ata kanë një trajner të shkëlqyer, stadium të shkëlqyer dhe tifozë të shkëlqyer. Dhe ata i kanë ngjyrat e njëjta si Koelni”, ka thënë 26-vjeçari në një konferencë për media.

Tom Cruise në rolin e Van Helsing

I famshmi Tom Cruise do të zë vendin e Hugh Jackman në filmin e ri për Van Helsing.
Në hit filmin e vitit 2004, rolin e gjuetarit të përbindëshave, Gabriel Van Helsing, e luajti australiani Jackman, mirëpo raportohet se ai rol tash do t’i takojë yllit të filmit “Mission Impossible”.
Star Pulse bën të ditur se shtëpia filmike Universal Studios ka nënshkruar kontratë me skenaristët e “Transformers”, Alex Kurtzman dhe Roberto Orci, të cilët duhet ta shkruajnë skenarin për vazhdimin e radhës.
Në filmin e mëparshëm ka luajtur edhe aktorja Kate Beckinsale, ndërsa nuk dihet nëse ajo do ta përsërisë rolin ose në vend të saj do të luajë dikush tjetër. 

Meshkujt po bëhen gjithnjë e më të bukur?

Shkencëtarët thonë se njerëzit akoma vazhdojnë të evoluojnë – meshkujt bëhen gjithnjë e më të bukur dhe më inteligjentë, ndërsa këto karakteristika nuk kanë efekt të ngjashëm të femrat.
Sipas hulumtuesve, edhe në kohën moderne njerëzit i nënshtrohen seleksionimit dhe kjo ka bërë që meshkujt të duken gjithnjë e më mirë.
Ata po zhvillohen dhe po bëhen më atraktivë, më të bukur dhe më inteligjentë, në mënyrë që të jenë më të suksesshëm në riprodhim.
Studimi i realizuar nga shkencëtarët finlandezë pohon se seksi me më shumë partnerë rrit suksesin reproduktiv te meshkujt shumë më tepër sesa te femrat. 

Vuri kurorë kur ishte një vjeçe – u shkurorëzua para se të shkonte te burri

Laxmi Sargaran, e cila jeton në shtetin verior të Indisë, Rajasthan, prindërit e kishin dhënë kur ajo ishte njëvjeçare për asokohe trevjeçarin Rakesh. Tash kur ajo është 18-vjeçare është arritur që kjo martesë (për të cilën ka shumë pak kohë që vajza ka marrë vesh) të shfuqizohet në gjykatë.
Kjo është hera e parë që një çift i martuar në fëmijëri kërkon shkurorëzimin, prandaj ky është një akt mjaft inkurajues në Indi, kur kihet parasysh se është shumë i madh numri i kurorëzimeve kur “të porsamartuarit” janë në moshë fëmijërore, dhe se kë do ta marrin vendosin prindërit e tyre.
Edhe pse martesat e tilla janë zyrtarisht të ndaluara në Indi që nga viti 1929, megjithatë në shumë pjesë vazhdon kjo traditë.
Sipas traditës, vajzat e dhëna jetojnë me prindërit deri në pubertet dhe më pas shkojnë të jetojnë në familjen e burrit.
Të dhënat e UNICEF-it tregojnë se 47 për qind e femrave në indi martohen para moshës 18 vjeçare, ndërsa 40 për qind e të gjitha martesave fëmijërore në botë ndodhin pikërisht në këtë vend. 

Vidhet ura e rëndë 10 tonelata

Hajnat e kanë çmontuar dhe vjedhur një urë të vjetër të trenit me peshë prej 10 tonelatash edhe atë në mes të ditës në Republikën Çeke.
Ura metalike, e cila është ndërtuar në vitin 1901 mbi lumin në qytetin Slavkov në provincën Karlovy Vary, është vjedhur nga një grup hajnash të organizuar mirë, të cilët kanë përdorur vinça dhe kamionë.
Autoritetet çeke kanë njoftuar se hajnat kanë vjedhur edhe rreth 200 metra hekurudhë.
Gjatë kryerjes së ‘punës’ së tyre, policia i kishte ndalur hajnat, megjithatë ata kanë treguar dokumente false, sipas të cilave, ata kishin marrëveshje me autoritetet hekurudhore për çmontimin e urës

Një plan për veriun që kënaqë të gjitha palët!

Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou, e vlerësoi të rëndësishme marrëveshjen për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe edhe në Kosovë.
Duke folur në një tubim me qytetarë në Prizren, ambasadori Fitou tha se Qeveria e Kosovës në këtë rast ka treguar zemërgjerësi dhe inteligjencë. Ndryshe, ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të propozojë një plan për veriun i cili do i kënaqte të gjitha palët.
”Qeveria e Kosovës nuk ka dashur që kompleksiteti i marrëdhënieve Kosovë-Serbi mos t’i lejojë serbët që kanë të drejtë vote ta shfrytëzojnë atë. Kjo është mendje e hapur e Qeverisë e cila duhet të falënderohet publikisht, edhe përkundër faktit se zgjedhjet janë të komplikuara, marrë parasysh marrëdhëniet që i kanë këto dy shtete”, ka thënë ai, transmeton RTK.
“Qeveria e Kosovës me këtë vendim e ka falur Serbinë dhe ky është një akt i mirë dhe vullnet që serbët dhe shqiptarët të jetojnë së bashku ose afër njeri tjetrit për një të ardhme. Pra thjeshtë kjo është dalja nga një hakmarrje, por edhe gjest human”.
Duke folur për planin ndërkombëtar për veriun ambasadori francez theksoi se “qëndrimi im është që vizioni të jetë i përgjithshëm për të gjithë qytetarët e pse jo edhe të veriut që ata të jetojnë lirshëm në Kosovë sikurse çdo qytetarë tjetër”.
”Duhet që Qeveria e Kosovës të propozojë një plan për veriun, i cili do i kënaqte kërkesat e të gjithëve përfshirë edhe serbët e pjesës veriore”, deklaroi Fitou. “Mirëpo, a duhet që vizioni të bazohet në planin e Ahtisaarit dhe decentralizimin, përgjigjja e Qeverisë është po? duhet të fillojnë me atë që dimë dhe njohim për të biseduar me serbët e veriut, sepse këtu është rrethi përmbyllës i veriut”. 

Azem Syla lëshon Zvicrën, përmbush obligimet

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla, i cili përmes bazës së invaliditetit ka përfituar mbështetje materiale prej 426 mijë frangash dhe krahas kësaj ka ndërtuar karrierë politike në Kosovë, duhet ta braktisë Zvicrën. Këtë e ka vërtetuar edhe Gjykata Federale, e cila nuk e ka marrë fare në shqyrtim ankesën e Sylës kundër vendimit për dëbim.
Siç bën të ditur zyra e avokatëve, deputeti Azem Syla do të zbatojë vendimin e institucioneve dhe deri më 15 maj do të jetë jashtë Zvicrës.
“Ai, deri më 15 maj do të jetë jashtë Zvicrës”, i është thënë gazetës “Solothurner Zeitung” nga kjo zyrë, transmeton albinfo.
Sipas gazetës, Syla aktualisht gjendet ende në Zvicër ku po i nënshtrohet marrjes në pyetje nga Prokuroria e Përgjithshme.
Ndërkaq, kundër tij është duke rrjedhur procedura për shkelje të të drejtës së të huajve dhe për abuzim me ndihmat sociale dhe ajo do të vazhdojë edhe pas kthimit të Sylës në Kosovë.
Ndërkohë që ana juridike e çështjes po kristalizohet, problemi ka shkaktuar shumë kokëçarje në strukturat politike e institucionale të komunës Biberist ku ka jetuar Azem Syla dhe në Kantonin e Solothurnit.
Institucionet përgjegjëse i hedhin fajin njëri tjetrit për neglizhencën në rastin e dhënies, siç thuhet, pa të drejtë të ndihmave politikanit kosovar.
Në këtë shkëmbim akuzash nuk mbetet i paprekur as niveli federal, i cili, sipas gazetës, duhej të mbante në dijeni institucionet kantonale mbi veprimtarinë politike të Sylës jashtë vend. 

Thaçi i dëshiron Limajt “rikthim në angazhimet shtetërore”

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës për lirimin e deputetit Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij. Ai iu ka dëshiruar atyre rikthimin në angazhimet shtetërore dhe familjare.
Thaçi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se gjithmonë ka besuar në pafajësinë e komandantëve të UÇK-së.
“Ne gjithmonë i kemi edhe mbështetje të plotë drejtësisë sepse edhe kemi besuar plotësisht dhe kemi qenë të bindur në pafajësinë e komandantëve dhe luftëtarëve, prandaj sot Qeveria institucionet dhe qytetarët e mirëpresim ngadhënjimin e drejtësisë mbi paragjykimet dhe pretendimet e tjera të pajustifikueshme. Në anën tjetër, dëshiroj t’iu uroj rikthim në angazhimet e tyre shtetërore dhe familjare”, ka theksuar Thaçi, njofton KosovaPress.
Në të njëjtën kohë, Thaçi ka shprehur besimin e plotë në lirimin e shpejtë edhe të Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Gjithashtu, ai ka folur për mbajtjen e zgjedhjeve në Ferizaj, duke falënderuar qytetarët e Ferizajt për kulturën e treguar në këto zgjedhje.
Shefi i ekzekutivit të vendit ka mirëpritur marrëveshjen e arritur për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka mirëpritur vendimin e OSCE për lehtësimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. “Qeveria e ka mirëpritur rolin lehtësues të OSCE-së që është në përputhshmëri me standardet dhe modelet evropiane, dokumentin e Ahtisarit dhe kushtetutën që do të interpretohet. Ky është hapi i parë dhe veprimi i parë i Serbisë që pranon të mos organizojë zgjedhje në Kosovë. Prandaj angazhimet tona do të jenë të koordinuara me shtetet e Kuintit”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka përshëndetur edhe opinionin e Freedom House për mediat e lira në botë. Sipas tij, ky është hap inkurajues për progresin që ka arritur Republika e Kosovës.
“Kosova ka shënuar një hap përpara shumë të rëndësishëm, prandaj edhe unë dhe Qeveria do të jemi të përkushtuar në krijimin e kushteve dhe krijimin e një ambienti medial të lirë dhe pa ndikim dhe në asnjë rrethanë dhe presion politik”, ka theksuar Thaçi. 

Hamiti takon Zbogarin, kërkon liberalizimin e vizave

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti në takimin me përfaqësuesin special të BE-së në Kosovës, theksoi se është i domosdoshëm liberalizimi i vizave, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në Evropë dhe të dalin nga izolimi.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se bashkëbiseduesit kanë thënë se bisedat me Serbinë nuk do të japin rezultat derisa të mos zbatohen marrëveshjet e arritura dhe derisa Serbia të mos shpërbëjë strukturat e veta në Kosovë.
Nënkryetari i Kuvendit Sabri Hamiti ritheksoi se nuk ka bazë ligjore që lejon të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë dhe këtë e ka thënë Kuvendi i Republikës së Kosovës në Rezolutën e 15 marsit 2012, duke e obliguar Qeverinë e Kosovës që të zbatojë këtë vendim.
Ndërsa, Zbogar u interesua për punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë të veçantë për punën legjislative rreth procesit të përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës. 

MASHT-i dhe DKA të përgatitura për Provimin e maturës

Drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në takimin me Drejtoritë komunale të arsimit, kanë theksuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për provimin e maturës shtetërore.
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa duke folur rreth përgatitjeve theksoi se tashmë janë publikuar edhe broshurat me informacionet bazë mbi maturën, për të gjithë maturantët e Republikës së Kosovës.
Ai ka lutur Drejtoritë komunale të arsimit, që t’i obligojnë shkollat për të mbajtur nga një test provues me maturantët nga provimet e viteve të kaluara, në mënyrë që ata të informohen më shumë rreth mbushjes së fletëpërgjigjeve dhe të bëhet një lloj njohje e maturantëve me testin e maturës.
Ndërsa, drejtori i departamentit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar, Agim Bërdyna , i cili ka folur rreth planit dinamik dhe teksteve shkollore, ka kërkuar nga DKA-të që të përcjellin shkallën e dëmtimit të teksteve nga nxënësit e nivelit fillor të arsimit, si dhe të sillen me kohë shënimet e nevojshme për pajisje me tekste shkollore nga shkollat private.
Mustafa ka folur rreth përzgjedhjes së Abetares së përbashkët “Shqipëri- Kosovë”, manifestimi i së cilës do të mbahet më 8 maj në Prizren, për shkak të rëndësisë që ka ky qytet gjatë gjithë historisë dhe si një vend që lidh dy kryeqytetet, ku të dy ministrat e Arsimit, Ramë Buja dhe Myqerem Tafaj do të bëjnë publike Abetaren e përzgjedhur. 

Gjermania zgjat mandatin e forcave të saj në Kosovë

Qeveria e Gjermanisë ka marrë vendim për zgjatjen edhe për një vit të mandatit të forcave të armatosura në Kosovë, të cilat ndodhen në kuadër të KFOR-it.
Vendimin e sotëm të qeverisë, deri në fund të muajit duhet ta konfirmojë edhe parlamenti federal i Bundestagut.
Aktualisht, në mesin e 5,700 forcave ndërkombëtare në Kosovë ndodhen 900 ushtarë gjermanë, çfarë është kontingjenti më i madh kombëtar.
Ditë më parë, Bundesveri (Forca Federale Mbrojtëse) ka dërguar 550 forca shtesë në Kosovë, të cilat do të kujdesen për situatën e sigurisë në prag dhe gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të Serbisë.
Kjo e fundit pritet të mbajë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale edhe në territorin e Kosovës, transmeton Rel.
Shpenzimet e zgjatjes njëvjeçare të mandatit të ushtarëve gjermanë në KFOR thuhet se kapin vlerën e 68 milionë eurove. 

Vetëvendosje art mbi gropat e Prishtinës

Lëvizja Vetëvendosje gjendjen e rëndë të rrugëve në Prishtinë e ka vlerësuar si paaftësi dhe neglizhencë të Komunës së Prishtinës.
Në aksionin e tyre simbolik për rrugët e Prishtinës, Vetëvendosje tha se pamja e tyre i ngjan në rastin më të mirë një instalacioni grotesk.
“Është e tepërt të përshkruajmë vështirësitë e ngasësve të makinave dhe këmbësorëve në aktivitetin e tyre të përditshëm. Ne aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë ndërmorëm sot një aksion simbolik. Shënjuam gropat në rrugët kryesore për dy qëllime, t’i bëjmë ato të dukshme për ngasësit dhe këmbësorët, por dhe për Komunën e cila ose është “e verbër” ose e ka kthyer vështrimin dika tjetër dhe s’mund të shohë”, thuhet në kumtesë.
Sipas tyre, gjatë dimrit Prishtina u kthye në një “qendër skijimi” si pasojë e të cilës qytetarët patën dhe pasoja të rënda shëndetësore, ndërsa tani gjatë pranverës, i gjithë qyteti ka marrë prej tymi për shkak të pluhurit të ndërtimeve e të rrugëve të pashtruara.
“Secili qytetar në një mënyrë ose tjetër paguan taksa të cilat përkthehen në buxhete komunale e me të cilat pritet së pari që të jetë e mirëmbajtur infrastruktura. Me këtë veprim tonin sot ne mund të eliminojmë shëmtinë e këtyre gropave por jo dhe pasojat që ato shkaktojnë në vetura e këmbësorë. Këtë duhet ta bëjë Komuna e Prishtinës, e cila me cilësinë e dobët të punëve që po kryen në rrugë po bënë që pas vetëm një dimri prapë rrugët të kthehen në një gjendje të mjerueshme me përplot gropa”, vlerëson Vetëvendosje. 

Zambrotta dëshiron të vazhdojë me Milanin

Gianluca Zambrotta dëshiron të qëndrojë te Milani – ka thënë agjenti Giuseppe Bonetto.
Mbrojtësit italian i skadon kontrata në fund të sezonit aktual, ndërsa ende nuk i është ofruar kontratë e re.
“Është vështirë të largohesh kur je te një klub si Milani. Gjërat janë vërtet mirë këtu”.
“E ardhmja fillon pas 30 qershorit. Klubi ka të drejtë që të presë përfundimin e kontratës së lojtarit dhe pastaj t’i shqyrtojë gjërat”, ka theksuar agjenti për Milan News

‘Messi është i dashuruar me topin’

Superylli i Real Madridit, Lionel Messi, është më i mirë se Cristiano Ronaldo, sepse është i dashuruar me topin – ka deklaruar Johan Cruyff.
Dy lojtarët kryesorë në botë kanë nga 43 gola të shënuar në La Liga dhe konkurrojnë për trofeun e golashënuesit më të mirë dhe po ashtu pritet të jenë në garë të ngushtë edhe për çmimin FIFA Topi i Artë.
"Messi ose Cristiano? Messi, sepse është i dashuruar me topin. Ai ka teknikë të pastër dhe është një djalosh i mirë”, ka thënë Cruyff për Cadena COPE.

Bielsa: Reali e meriton titullin

Trajneri i Athletic Bilbao, Marcelo Bielsa, thotë se Real Madridi ka qenë skuadra më e mirë në La Liga këtë sezon dhe meriton të shpallet kampion.
Argjentinasi ka pasur një raport të mirë me Pep Guardiolën dhe është një admirues i madh i stilit katalanas të lojës. Por thotë se Reali është meritor për titullin që pritet ta fitojë.
“Në aspekt të vlerësimit nëse ata janë ose jo më të mirë se Barcelona, ka shumë aspekte të cilat çdo person mund t’i interpretojë ndryshe”.
“Por, sigurisht, Real Madridi do ta fitojë titullin me të gjitha merituat dhe me të drejtë”, ka thënë Bielsa.
Ndeshja e sotme në mes të Athletic Bilbao dhe Real Madridi zhvillohet në stadiumin San Mames me fillim nga ora 22:00. 

Silva: Titulli është i joni

David Silva thotë se skuadra e tij është e gatshme ta fitojë Ligën Premier pasi ka mposhtur rivalin lokal, Manchester United, në shtëpi dhe në udhëtim këtë sezon.
“Ne jemi gati ta fitojmë titullin. Ne nuk përqendrohemi te United. Ne nuk kemi nevojë të mendojmë për United. Ne e kemi kaluar nivelin mental”.
“Mos më keqkuptoni, United është një skuadër e madhe, fantastike. Ata e kanë fituar titullin për një kohë të gjatë. Por ne i mposhtëm ata atje [Old Trafford] dhe i mposhtëm këtu [në Etihad Stadium]. Ne besojmë se mund ta fitojmë titullin”, ka thënë Silva.
Me edhe dy ndeshje të mbetura, City është në krye të tabelës së Ligës Premier me pikë të barabarta me United por me diferencë më të mirë të golave. 

Conte: Pirlo lojtari kryesor i Juves

Menaxheri i Juventusit, Antonio Conte, ka lavdëruar mesfushorin Andrea Pirlo duke e quajtur atë lojtarin kyç të skuadrës.
Pasi përfundoi dy herë në pozitën e shtatë në Serie A, Juventusi këtë sezon është në prag të fitimit të titullit, dhe Conte ka lavdëruar lojtarët, në veçanti ish-mesfushorin e Milanit.
“Stili jonë i lojës vjen nga dëshira për ta çuar lojën kah kundërshtari dhe është shumë më lehtë ta bëjmë këtë me lojtarë si Pirlo”.
“Ne kemi punuar intensivisht në lojën tonë por është përkushtimi i lojtarëve që e ka bërë të mundshëm të bëjmë gjithçka të realizohet”, ka thënë Conte në konferencën e djeshme për shtyp. 

Barca, 100 milionë për përforcime të verës

Menaxheri i ardhshëm i Barcelonës, Tito Vilanova, raportohet se do të ketë në dispozicion plot 100 milionë euro për harxhime në lojtarë të rinj gjatë verës.
Sipas sportives Sport, Blaugranët do të fitojnë vetëm 30 milionë nga buxheti i zakonshëm prej 50 milionë eurosh. Megjithatë, gazeta shkruan se zyrtarët e klubit janë të bindur se do t’i rigjenerojnë edhe 30 milionë euro të tjera nga shitja e lojtarëve.
Mbrojtësi i djathtë Daniel Alves tashmë është lidhur me një transferim te klubi i pasur rus Anzhi Makhachkala dhe besohet se klubi spanjoll është i gatshëm ta shndërrojë në para brazilianin. Barca po ashtu besohet se dëshiron ta shesë edhe Seydou Keita.
Dështimi i Barcelonës për të fituar Ligën e Kampionëve dhe La Ligën do t’ia kursejë klubit bonuset e parapara për lojtarët dhe stafin. Po ashtu largimi i Pep Guardiolës do të zvogëlojë harxhimet shtesë.
Si rezultat, Barcelona besohet se mund të ketë plot 100 milionë për të harxhuar dhe për ta rikthyer pozitën e fuqisë dominuese në futbollin evropian.
Barca tashmë është lidhur me një transferim të sulmuesit të Athletic Bilbao, Fernando Llorente, dhe mbrojtësit të Valencias, Jordi Alba.

Rummenigge: Robben do ta vazhdojë kontratën

Drejtori ekzekutiv i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, ka hedhur poshtë spekulimet se Arjen Robben përgatitet të largohet nga Allianz Arena në fund të sezonit, duke thënë se holandezi është në prag të vazhdimit të kontratës.
Anësori besohet se është afër për të nënshkruar një marrëveshje deri në vitin 2015, por së fundi u tha se është duke u rimenduar edhe një herë këtë pas përplasjeve me Franck Ribery në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit në Munich.
Dhe derisa Uli Hoeness së fundi shprehu dyshime nëse 28-vjeçari do të vazhdojë kontratën, Rummenigge ka qartësuar gjithçka duke thënë se holandezi është në prag të nënshkrimit.
“Ju garantoj se asnjë yll nuk do të largohet nga skuadra. Një marrëveshje [me Robben] është po thuajse e nënshkruar. Arjen do të qëndrojë te Bayerni për një kohë të gjatë”, ka thënë Rummenigge. 

Spalletti përjashton rikthimin në Serie A

Trajneri i Zenit St Petersburg, Luciano Spalletti, thotë se ai nuk është i interesuar të rikthehet në Serie A.
“Jo, në Itali atje ka shumë presion. Unë jam shumë i moshuar për t’u rikthyer atje dhe shoh po thuajse çdokënd duke u shkarkuar”.
“Përderisa nuk ka ndonjë befasi të madhe, jam shumë i lumtur këtu”, ka thënë Spalletti për La Repubblica.
Trajneri italian ka drejtuar Zenitin drejt dy titujve radhazi në kampionatin rus.

Gwen Stefani, e pëlqyera e Rita Oras

Rita Ora thotë se ikona e saj e stilit është Gwen Stefani, pasi gjithmonë e ka admiruar pamjen e saj me flokë bionde dhe të kuq të theksuar të buzëve.
“Gwen Stefani gjithmonë e bën si duhet. Dhe më pëlqejnë biondet. Flokët e mia natyrale janë shumë të zeza dhe kaçurrela, por i kam ndryshuar krejtësisht. Gjëja e parë që kam bërë kur kam dalë nga shkolla ishte të blej një shishe zbardhues të flokëve”, ka thënë këngëtarja me prejardhje shqiptare.
21-vjeçarja po ashtu ka thënë se i pëlqen të përziejë veshjet e rrugës me krijime të disenjatorëve të famshëm, por gjithmonë kujdeset të ketë vendosur edhe të kuq të buzëve.
“Më pëlqejnë veshjet. Kam veshje të rrugëve që mbushin dollapin tim të veshjeve dhe pastaj ‘këndin e artë’ të veshjeve të disenjatorëve: Mark Fast, Galliano, Oscar de la Renta. Më pëlqen koleksioni i ri i Kanye West. Por ajo që më dallon mua është buzëkuqi”, ka thënë Ora për revistën Grazia.

Së shpejti ‘Shpija e Kosovës 3’

Së shpejti pritet të fillojnë përgatitjet për edicionin e tretë të reality shou, “Shpija e Kosovës”.
Kësaj radhe “Shpija e Kosovës” pritet të jetë me një format më ndryshe se që jemi mësuar ta shohim.
Sipas burimeve të Telegrafit, konkursi për aplikantën që duan të jenë pjesë e këtij reality shou, do të publikohet së shpejti.
Në edicionin e dytë të “Shpija e Kosovës” fitues ishte Ylll Dervishi, i njohur si Buci. 

Limaj shpallet i pafajshëm

Trupi gjykues në rastin “Kleçka”, para pak çastesh i ka shpallur të pafajshëm për të gjitha pikat me të cilat akuzoheshin ish-luftëtarët e UÇK-së, deputetin e PDK-së Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarët e tij - Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi.
Ndaj katër të akuzuarve për krime lufte, i njohur si rasti “Kleçka”, trupi gjykues kishte vendosur kohë më parë që të vazhdonte gjykimi, me arsyetimin se ata gjatë kohës për të cilën akuzohen, kanë pasur pozita komanduese, njofton KosovaPress.

Kosova pret njohje nga shtetet myslimane

Kosova pret të njihet nga vendet myslimane në Afrikë dhe në Azi, përfshirë edhe vendet e prekura nga Pranvera Arabe, ka thënë për mediat turke, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Krasniqi javën e kaluar ishte në një vizitë në Turqi, ku kishte takime edhe me Kryeministrin Recep Tayyip Erdogan, si dhe Kryetarin e Parlamentit turk, Çemil Çiçek. Në një intervistë për ditoren turke Hurriyet Daily News, ai ka thënë se Turqia është një nga shtetet që i ka dhënë mbështetjen më të madhe Kosovës.
"Ne jemi duke biseduar me shtetet myslimane, si Pakistani, Indonezia dhe Bangladeshi; vendet afrikane dhe vendet që kanë kaluar nëpër Pranverë Arabe, si dhe me vendet e Amerikës së Jugut", tha Krasniqi.
Kosova, një vend i varfër me një popullsi shumicë shqiptare, shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008. Territori menjëherë u pranua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian. Krasniqi tha se Kosova ka marrë nga BE premtimet për liberalizim - brenda dy viteve - të vizave.
Kryeparlamentari thotë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë zbutur ende, për shkak të rezistencës së palës serbe për të ndërtuar marrëdhënie me Kosovën.
"Ne duam ta përmirësojmë dialogun me Serbinë, me ndihmën e BE-së. Megjithatë, politika e jashtme e politikanëve serbë në Beograd shikon kombet tjera në rajon".
Krasniqi tha gjithashtu se ka mundësi të mëdha dhe të reja në Kosovë për biznesmenët turq, dhe se Kosova pret që ata të bëjmë më shumë investime në Kosovë.
"Ka mundësi të reja që duhet të shfrytëzohen nga biznesmenët turq. Kosova është një vend i pasur, për shembull në aspektin e burimeve natyrore. Dhe, si një vend që e po merr veten nga lufta, Kosova ka nevojë për këto investime në mënyrë që ta riparojë ekonominë e sajë të dëmtuar", tha Krasniqi.

Sot vendoset për Limajn

Të mërkurën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë do të mbahet seanca përmbyllëse gjyqësore për rastin “Kleçka”, në të cilin janë të përfshirë deputeti, Fatmir Limaj, Naser Shala, Naser Krasniqi dhe Nexhmi Krasniqi.
Lajmin e ka konfirmuar për “Epokën e Re”, Tahir Rrecaj, avokat mbrojtës i Limajt.
Avokati Rrecaj ka shprehur optimizëm se trupi gjykues i kësaj gjykate do të shpallë një aktgjykim lirues për të gjithë të akuzuarit në rastin Kleçka.

Sekiraça strehohej në banesën e Zvonkos

Strehën më të sigurt Enver Sekiraça e kishte gjetur një kohë të gjatë në shtëpinë e Zvonko Veselinovicit. Dy njerëzit – sinonim të krimit, njëri shqiptar e tjetri serb, në veri të Kosovës ecnin e vepronin pa asnjë pengesë falë policëve të korruptuar në krye me ish-komandantin e stacionit policor të veriut, Milija Miloshevic.
Enver Sekiraça i kërkuar nga Interpoli ka qëndruar në shtëpinë e Veselinovicit në Mitrovicë dhe në Serbi afër kufirit me Kosovës, derisa lëvizja e lirë i ishte kufizuar edhe nikoqirit të tij, shkruan “Koha Ditore”.
Atëherë, Sekiraça, i kërkuar për vrasjen e policit Triumf Riza, kishte arritur ilegalisht të shkonte në Republikën e Irlandës. Zbulimi i vendit ku po fshihej, kishte rezultuar me nisjen e procedurave për ekstradimin e tij, të cilat mbetën në tentativë për shkak se ai është larguar në një vend që tash për tash nuk dihet se ku.
Më 12 nëntor të vitit të kaluar autoritetet irlandeze patën njoftuar ato kosovare se në shtetin verior evropian është arrestuar një person i quajtur Enver Sekiraça.
Enver Sekiraça (1973) i lindur në Prishtinë është shpallur person në kërkim që nga viti 2007 pas vrasjes së policit Trumf Riza në gusht të këtij viti.

Në Bruksel për legjislacionin e punësimit

Në kryesimin e ministrit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, të mërkurën ka udhëtuar për në Bruksel një delegacion ekspertësh të çështjeve sociale, të punës dhe punësimit si dhe të sferës së legjislacionit e pensioneve i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Ky delegacion më 3 dhe 4 maj do të merr pjesë në takimin sektorial të dialogut të stabilizim asocimit (DPSA) në inovacion, kapital njerëzor, politika sociale dhe shoqëri informative.
Nga ana e delegacionit të MPMS-së në këtë takim do të prezantohet progresi i arritur njëvjeçar në Kosovë, në fushën e legjislacionit që rregullon sferat që janë përgjegjësi e MPMS-së, si ato të çështjeve sociale, punës dhe punësimit, sigurisë në punë, çështjen e pensioneve si dhe të arriturat që janë evidentuar në vendin tonë në këto sfera.
Ky takim do të bashkëkryesohet nga ministri i MPMS-së, Nenad Rashiq, Ministria për Integrime Evropiane dhe Drejtoria për Zgjerim e Komisionit Evropian.

Fillon ndalimi i produkteve me mbishkrimin UNMIK/KOSOVO

Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë vendim që të ndalojë importin e produkteve në tregun e brendshëm me mbishkrimin UNMIK/KOSOVO. Ndalimi i eksportit ka filluar të zbatohet nga 1 maj.
Zyrtarët e MTI-së kanë bërë të ditur se subjektet të cilat kanë akoma në stoqet e tyre produkte me mbishkrimin UNMIK/KOSOVO do të mund t’i shesin deri më 1 qershor të këtij vitit.
Ndërsa, subjektet që tregtojnë produkte me këtë mbishkrim, pas datës 1 qershor 2012, do të ndërmerren masa konform ligjeve në fuqi.
Gjobat për këto veprime sipas Inspektoratit në MTI janë prej 2000 deri në 10000 euro.
Tani e tutje, në produkte, emri i shtetit importues duhet të jetë KOSOVË apo KOSOVO.

ATK privilegjon naftarët

Një nga bizneset më profitabile dhe me qarkullim shumë të madh ditor ende po arkëton të hyra pa arka fiskale. Fiskalizimin e naftarëve e kanë premtuar zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) qysh në muajin tetor të vitit të kaluar, mirëpo deri tani nuk është ndërmarr asgjë në këtë drejtim. As tani kur kanë kaluar gjashtë muaj nga premtimi i dhënë, zyrtarë nga ATK-ja nuk janë në gjendje të japin një datë të saktë se kur do të fillojë ky projekt. Edhe përfaqësues të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës kanë thënë se fiskalizimi ende nuk ka filluar, por thonë se është duke u punuar në këtë drejtim.
“Fiskalizimi i pikave shitëse të derivateve ende nuk ka filluar sepse procesi i certifikimit ende nuk ka përfunduar tërësisht. Pasi të ketë përfunduar certifikimi teknik i pajisjeve elektronike fiskale. Kompanitë janë të licencuara, mirëpo përveç këtij licencimi ata duhet të certifikojnë çdo pajisje para se të vendoset në funksion”, tha për “Lajm”, Valentina Bytyqi, zyrtare për komunikim me publikun në ATK.
Kryetari i kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Nazmi Bytyqi, tha se fiskalizimi ende nuk ka filluar, ai vetëm ka bërë të ditur se është duke u punuar në këtë drejtim, duke mos dhënë asnjë datë se kur fillon fiskalizimi. “Është duke u punuar për ketë çështje. Kemi takime çdo herë me zyrtarë të ATK-së dhe me Shoqatën. Nuk jemi të informuar se është përmendur ndonjë datë, as unë nuk mund të them një datë se kur do të fillojë fiskalizimi. Ne besojmë që të gjithë pronarët e pompave do të pranojnë që të pajisen me arka fiskale”, është shprehur Bytyqi.
Administrata Tatimore e Kosovës kishte bërë të ditur se pajisjet që do të instalohen nëpër pompat e derivateve janë më specifike se ato që janë instaluar deri tani. Sipas tyre, këto pajisje do të instalohen në brendi të pompës, në mënyrë që çdo gjë që kalon nëpër gypat e pompave të memorizohet në memorien fiskale.
Gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë futur derivate të naftës në vlerë prej 320 milionë eurove.
Në shënimet e Doganave të Kosovës ka qenë vlera e 86 milionë litrave mazut që janë futur në tregun e Kosovës gjatë vitit 2011. Naftë janë futur 347 milionë litra që kanë vlerë rreth 215 milionë euro, benzinë janë futur 101 milionë litra që kanë vlerë 57 milionë euro, si dhe 14 milionë litra vaj solar që kanë vlerë rreth 7 milionë euro. Në total, duke përfshirë periudhën katërvjeçare prej fillimit të 2008-ës e deri në fund të 2011-ës, sipas Doganave të Kosovës, vlera e derivateve të naftës që ka hyrë në Kosovë ka qenë 960 milionë euro. Gjatë kësaj periudhe katërvjeçare janë importuar mbi 2 miliardë litra derivate të naftës. Nafta importohet më së shumit nga Maqedonia e Greqia.
Një pjesë e saj importohet edhe nga Franca, Irani, India, Republika e Koresë, Rusia, Gjeorgjia, Turkmenistani, Azerbajxhani.

OPEC-u prodhon mbi 31 milionë fuçi naftë në ditë

Oferta për naftë e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) ka arritur në nivelin më të lartë të 4 viteve të fundit. Sipas informacioneve me burim autoritete të OPEC-ut, muajin e kaluar organizata prodhonte mesatarisht 31 milionë e 320 mijë fuçi naftë në ditë, ndërsa këtë muaj prodhimi u rrit në 31 milionë e 750 mijë fuçi në ditë.
Kjo shifër rezulton në 2 milionë fuçi më shumë se sa objektivi i ofertës për naftë, vendosur nga vendet e OPEC-ut. Ndërkohë që oferta për naftë e Iranit në tregjet ndërkombëtare ka rënë për shkak të masave detyruese, Iraku, Arabia Saudite, Libia, Angola dhe Nigeria kanë shtuar prodhimin e tyre ditor.
Autoritetet të kësaj organizate ndërkombëtare theksuan se gjatë dy muajve të fundit prodhimi i naftës në Iran është ulur në nivelin e vitit 1990, kurse muajin e kaluar ka rënë në 3 milionë e 150 mijë fuçi në ditë.
Kurse tregjet ndërkombëtare kaluan në rënie, pasi aspektativat janë për rritje akoma më shumë të prodhimit dhe ngadalësim të ekonomive. Në bursën e Londrës një fuçi naftë e tipit Brent ra në 119 dollarë, ndërsa në bursën e Nju-Jorkut një fuçi naftë e papërpunuar kushton 104 dollarë.

Enrique i pakënaqur me barazimin ndaj Chievos

Trajneri i Romës, Luis Enrique, është i zhgënjyer me barazimin e mbrëmshëm pa gola ndaj Chievos, që u dha fund shpresave të skuadrës për një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
“Kjo nuk është ndeshje futbolli dhe gjithçka dukej më shumë si një vaterpolo. Të dyja ekipet bëmë gjithçka që ishte e mundshme për të fituar, por nuk mund të bënin më shumë në këtë sipërfaqe [të lagësht]”.
“Nuk kam ndonjë pendim të veçantë për këtë sezon. Ne të gjithë e dimë se ishim të paqëndrueshëm me ngritje dhe ulje, por nuk mendoj se është e drejtë të diskutohet tash”.
“Ne gjithmonë kemi menduar për një ndeshje në kohë dhe gjithmonë kemi qëndruar afër pozitave të caktuara, por kemi zhvilluar disa ndeshje të gabuara dhe gjithmonë e kemi pranuar këtë”.
“Ne ishim afër për ta siguruar Ligën e Kampionëve, por nuk arritëm. Diçka sigurisht mungoi. Ne duhet të përmirësohemi në mbrojtje dhe duhet të jemi më të vendosur”, ka thënë Enrique. 

Di Matteo: Ta sulmojmë Newcastlen

Menaxheri i Chelseat, Roberto di Matteo, u ka thënë lojtarëve të tij të mos qëndrojnë në mbrojtje në ndeshjen e sotme kundër Newcastle United.
“Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të mendojmë kështu dhe mendoj se e kemi dëshmuar edhe më herët se ne nuk e bëjmë këtë, si në gjysmëfinale kundër Spurs para gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve, dhe te Arsenali dhe kështu me radhë”.
“Nuk mendoj se kjo është për ne. Ne e dimë se sa e rëndësishme është ndeshja për klubin dhe për lojtarët të cilët do të luajnë në të me një përkushtim të plotë”, ka thënë italiani. 

NBA: Boston barazon serinë

Boston Celtics i ka bërë ballë mungesës së yjeve në skuadër për të shënuar fitore ndaj Atlanta Hawks dhe për të barazuar në 1-1 sfidën në rundin e parë të playoffit të NBA-së.
Boston, edhe pse ishte në mungesë të të suspenduarit Rajon Rando, arriti të shënojë fitore 87-80 ndaj Atlanta Hawks. Paul Pierce mori rolin e liderit duke shënuar 36 pikë dhe 14 kërcime.
Dy ndeshjet e ardhshme tash zhvendosen në Boston me ndeshjen e tretë që zhvillohet të premten.
Chicago Bulls, që përfundoi lider në sezonin e rregullt në Konferencën Perëndimore, e që është pa liderin Derrick Rose për shkak të lëndimit, është mposhtur nga Philadelphia me rezultat 109-92, duke barazuar 1-1 serinë e ndeshjeve të playoffit.
Jrue Holiday shënoi 26 pikë për 76ers derisa Lou Williams kontribuoi me 20 pikë. Te Bulls më i miri ishte Joakim Noah me 21 pikë. Ndeshja e tretë zhvillohet të premten, tash në Philadelphia. 

Hana Cakuli me projekte të reja

 Hana Cakuli, e cila së fundmi realizoi këngën “Kopshti” në bashkëpunim me këngëtarin Kushtrim Hoxha, ka pohuar se është duke u përgatitur për projekte të reja muzikore.
“Jam në fillim të projektit. Kam filluar negociatat me producentë dhe muzikantë të ndryshëm që të sjell diçka për të gjithë publikun”.
“Nuk po e zbuloj tani. Dua që të mbetët surprizë e bukur dhe që publiku ta kuptojë vetëm kur gjithçka të jetë gati”, ka pohuar Hana për gazetën ‘Express’.
Sa i përket statusit të saj Hana Cakuli ka pohuar se ende është beqare.

Simpson bëhet nënë

Jessica Simpson më në fund ka lindur. Bukuroshja dhe i fejuari i saj, Eric johnson, kanë mirëpritur një vajzë, të cilën e kanë emëruar Maxwell.
“Eric dhe unë jemi të ngazëllyer t’ju zbulojnë lindjen e vajzës tonë, Maxwell Drew Johnson”.
“Ne jemi falënderues për gjithë dashurinë, mbështetjen dhe lutjet që i kemi pranuar. Kjo ka qenë përvoja më e madhe në jetët tona!!”, ka shkruar Simpson në faqen e saj. 

Recesioni evropian prek Bullgarinë

Rreziqet e vetme për drejtimin e zhvillimit të ekonomisë botërore kanë të bëjnë me Evropën, ndërsa Eurozonën e pret recesioni. Këtë e tregojnë sondazhet e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Arsyeja ka të bëjë me krizën e borxheve në vendet e BE-së, e cila ngadalëson zhvillimin e tyre ekonomik.
Në Bullgari kriza do të ndikojë më tepër mbi eksportin, i cili konsiderohej tërheqësi i rimëkëmbjes delikate të ekonomisë gjatë 2 viteve të fundit. Për shkak të kufizimit të tregjeve të eksportit të Bullgarisë, FMN-ja parashikon rritje të ekonomisë së Bullgarisë prej 0.8 përqindësh, me gjithë pritjet e qeverisë për 1.4 për qind.
Gjithsesi ka dritë në tunel. Sivjet pritet që investimet në Evropën Qendrore dhe Lindore të arrijnë 34 miliardë dollarë. Bullgaria mund të përfitojë nga këto para, tregojnë të dhënat e FMN-së.
Ngadalësimin e rritjes së ekonomisë së Bullgarisë e parashikojnë disa organizata hulumtuese, institucione zyrtare, vëzhgues të situatës ekonomike në vend dhe banka investuese evropiane, që interesohen për Bullgarinë. 

villas-Boas i gatshëm për Interin ose Romën

Ish-menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, raportohet se është i gatshëm të vazhdojë karrierën e tij në Itali.
Mediaset shkruan se portugezi është duke joshur Interin dhe Romën derisa përgatitet t’i rikthehet punës për sezonin e ardhshëm.
Përfaqësues të Villas-Boas janë duke nxitur menaxherin e Interit, Marco Branca, të fillojnë bisedat, edhe pse Nerazzurrët dëshirojnë t’i japin rast Andrea Stramaccionit ta dëshmojë veten deri në fund të sezonit. Nëse Interi përfundon në pozitën e tretë, ai do të mbetet në drejtim të skuadrës.
Villas-Boas vlerësohet lartë edhe nga drejtori gjeneral i Romës, Franco Baldini, dhe mund të pasojë Luis Enriquen, i cili ka dështuar ta kualifikojë klubin për në Ligën e Kampionëve këtë sezon. 

Dalglish i zhgënjyer me lojtarët

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, është i zemëruar me lojtarët e tij pas disfatës 1-0 nga Fulhami.
“Qasja e tyre nuk ishte e duhur dhe nëse ju keni një qasje të gabuar ju do të bëni një performancë të keqe dhe kjo është ajo që ne bëmë”.
“Mendoj se ky është vlerësimi i saktë. Unë jam fajtor po ashtu pasi kam ndryshuar shumë lojtarë për t’u përpjekur t’i jap secilit një mundësi në prag të ndeshjes së të shtunës (finale të Kupës FA)”.
“Mendoj se duke bërë këtë unë isha një faktor që kontribuoi në atë çfarë ndodhi, por ju duhet të jeni të drejtë. Unë u përpoqa të jem i drejtë dhe t’i jap secilit një mundësi – ndoshta e kisha gabim”.
“Kishte një ose dy anë pozitive, por kishte edhe shumë anë negative. Ne nuk mund të luajmë në atë tempo, ne duhet të luajmë në një tempo më të shpejtë se kjo. Ne nuk merituam asgjë”, ka thënë Dalglish pas ndeshjes së mbrëmshme. 

Mazzarri i kënaqur që lufton për top tresh

Napoli thotë se ai është i kënaqur që skuadra e tij vazhdon të jetë në garë për top tresh pas fitores 2-0 të mbrëmshme ndaj Palermos.
“Dua t’i falënderoj tifozët që na dhanë një mbështetje të fuqishme sot dhe jam i bindur se shumë prej tyre do të vijnë në Bologna, pasi ne duhet të fitojmë”.
“Kjo megjithatë varet nga Lazio pasi ata kanë një avantazh ndaj nesh në ndeshjet kokë-më-kokë”, ka thënë Mazzarri pas fitores ndaj Palermos.

Hart tall United: Nuk luajta kundër jush

Portieri i Manchester Cityt, Joe Hart, është ndjerë si spektator gjatë fitores së të hënës ndaj Manchester United.
“Unë nuk isha në ndeshje. United erdhi me një plan për ndeshjen dhe ne e prishëm duke shënuar një gol para fundit të pjesës së parë”.
“Ne i bëmë ballë presionit në pjesën e dytë dhe kërkuam të shënojmë sërish, andaj më dhemb ca që nuk fituam me më shumë se një gol diferencë”, ka deklaruar Hart.

Hodgson: Anglia pritet të fitojë në Euro 2012

Përzgjedhësi i ri i Anglisë, Roy Hodgson, thotë se pavarësisht kohës së shkurtër për përgatitje, nga ai pritet ta fitojë kampionatin evropian.
Ai ka vetëm gjashtë javë kohë përgatitje para ndeshjes së parë të Euro 2010 që Anglia e zhvillon më 11 qershor kundër Francës.
“Sigurisht se do të jetë vështirë. Por shpresoj se kam mjaft kohë në duar për të marrë vendimet e duhura. Lojtarët janë shumë mirë të njohur për mua, edhe pse nuk kam punuar me shumë prej tyre”.
“Ne gjithmonë shkojmë në turme për t’i fituar, pasi jemi një komb i madh i futbollit. Nuk do të jetë e lehtë, dhe do të jetë më vështirë këtu pasi personi që e kualifikoi skuadrën nuk është me ne dhe unë e kam marrë drejtimin në shkallën e fundit”.
“Por askush nuk pret nga ne diçka më pak se sa të përpiqemi ta fitojmë garën”, ka thënë Hodgson.

Napoli forcon pozitën e tretë

Me rezultat prej 2-0, Napoli e ka mposhtur Palermon në ndeshjen e të martës mbrëma që u zhvillua në Stadio San Paolo.
Vendasit i dhanë fund ndeshjes që në pjesën e parë me golat e Edinson Cavanit (16’) dhe Marek Hamsik (35’).
Pas kësaj fitoreje, Napoli ka 58 pikë, tri më shumë se rivalët për pozitën që dërgon në Ligën e Kampionëve – Udinese, Inter dhe Lazio, të cilët ndeshjet e kësaj xhiroje i zhvillojnë të mërkurën. 

Elvana: Kërcimi, pasion i imi

Këngëtarja nga Shqipëria, Elvana Gjata, e cila është konkurrente në “Dancing with the Stars”, ka pohuar se ky angazhim është shfaqur në kohën e duhur dhe në mënyrë profesionale.
“’Dancing with the stars’ është një pasion i madh i imi, shumë i hershëm, që vjen dhe shfaqet në kohën e duhur në mënyrë profesionale”, ka pohuar Elvana gjatë një interviste.
Këngëtarja e sheh spektaklin në fjalë si një mundësi të mirë për ta shfaqur edhe një talent tjetër të saj.
“Më shumë se sa një garë, për mua ‘Dancing’ është një mundësi shumë e mirë për të treguar një aftësi tjetër timen, që e bëj me shumë dashuri”, ka shtuar Elvana.

Statham pendohet për skenat e rrezikshme

Ylli i aksionit, Jason Statham, është penduar që ka vendosur t’i bëjë vetë skenat e rrezikshme filmike, pasi që tashmë gjithmonë pritet nga ai që të luajë skenat e vështira.
Aktori britanik është i njohur për marrjen e rreziqeve mbi supe në filmat, si “The Transporter” dhe “The Expendables”, mirëpo thotë se do t’i pëlqente sikur të mos kishte folur rreth skenave të rrezikshme.
“Kam bërë një deklaratë qesharake para disa vitesh se do t’i bëja vet skenat e rrezikshme dhe që atëherë po ndodh kështu. E bëra ‘The Transporter’ me Luc Besson dhe përfundova duke i bërë të gjitha”, ka theksuar Statham.