“Ndëshkohet” kryeneçësia e Beogradit

Injorimi që i është bërë sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së në Beograd nga Boris Tadic dhe ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic, i është kthyer bumerang vetë Beogradit.

Udhëheqësit shtetërorë serbë kanë menduar që me sjellje injoruese dhe duke insistuar vazhdimisht që vetëm UNMIK-u të organizojë votimin e serbëve të Kosovës për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, do ta bindin bashkësinë ndërkombëtare në favor të kërkesës së tyre, shkruan “Zëri”.
Diplomati italian ka qenë shefi i parë i UNMIK-ut pasi Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008, pozitë që kohë më parë e la për t’u bërë sekretar i përgjithshëm i OSBE-së me seli në Vjenë.
Javë më parë, Lamberto Zannier fillimisht e kishte vizituar Kosovën për të marrë qëndrimin kosovar rreth mundësisë që serbët e Kosovës të hedhin votën e tyre në kuadër të zgjedhjeve të gjashtë majit, dhe më pas ishte nisur drejt Beogradit. Atje, shteti serb raportohet se është sjellë shumë keq me të, duke e injoruar pothuajse në tërësi.
Pas kësaj, lajmin e keq për pushtetin serb se votimin e serbëve të Kosovës nuk do e organizojë UNMIK-u, ua ka dhënë javën e kaluar një nga zyrtarët e lartë të OKB-së nga New York, Peter Schmitz.
“Mospritja në takim të Zannierit as nga Boris Tadic e as nga Vuk Jeremic, ka qenë një nga elementët kyç të këtij vendimi. Injorimi që i është bërë Zannierit në Beograd ka ashpërsuar sidomos evropianët dhe më pas zyrtari i lartë i OKB-së, Peter Schmitz, e viziton Beogradin dhe i jep qëndrimin final ndërkombëtar, pra që OSBE-ja do të krijojë mundësitë që serbët e Kosovës të votojnë më 6 maj”, i ka thënë “Zërit” një nga zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës.
Zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë e konfirmojnë gjithashtu se ideja që OSBE-ja të merret me mundësinë e votimit të serbëve të Kosovës ka qenë e qeverisë në Prishtinë. Këtë e thotë edhe ministrja për Integrime, Vlora Çitaku, e cila thotë se ideja është mbështetur në bazë të rezolutës së Parlamentit, Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisaarit, të cilat garantojnë mundësinë e dyshtetësisë për qytetarët serbë të Kosovës.