Loew nuk shqetësohet nga humbja

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Loew, nuk është i shqetësuar pas humbjes prej 5-3 nga Zvicra në një ndeshje miqësore.“Jemi të zhgënjyer me rezultatin. Bëmë shumë gabime, mirëpo kemi edhe dy javë për t’u përgatitur dhe unë nuk jam i shqetësuar”.

“E dinim se do të na mungonte freskia para kësaj ndeshjeje, pas seancave intensive stërvitore në ditët e kaluara”.

“Komunikimi ynë ishte i dobët dhe kështu pranuam pesë gola. Ishte vetëm një ndeshje miqësore, megjithëse ka shumëçka për të mësuar nga kjo lojë”, ka thënë Loew.

Gjermania do të konkurrojë me Danimarkën, Holandën dhe Portugalinë në Grupin B.

Pirlo: Italia si Juventusi

Mesfushori italian, Andrea Pirlo, mendon se përfaqësuesja e tij i ngjan klubit ku luan, Juventus dhe ka kualitetet e mjaftueshme për ta kërkuar triumfin në Poloni dhe Ukrainë.Bianconerët i befasuan të gjithë duke fituar titullin e Serie A për sezonin që lamë pas dhe duke arritur në finale të Kupës së Italisë, ndërsa Pirlo mendon se edhe kombëtarja e tij mund të rezultojë e suksesshme në Euro 2012.

“Italia është shumë e fortë mentalisht. Kjo skuadër është sikur Juventusi. Kemi gjithçka që na duhet për të shkuar larg në Euro 2012 dhe unë jam i bindur se mund të jemi të suksesshëm”.

“Ne nuk jemi nga favoritët për ta fituar garën, por objektivi ynë është që të shkojmë deri në fund. Jam i bindur se Italia mund të arrijë deri në gjysmëfinale”.

“Spanja është favorit, ndërsa Holanda, Gjermania dhe Franca janë po ashtu skuadra të shkëlqyera”, ka thënë mjeshtri i mesfushës.

Marwijk: Heitinga fajtor për disfatën

Trajneri i Holandës, Bert van Marwijk, ka fajësuar John Heitinga-n për rolin e mbrojtësit në disfatën e mbrëmshme 2-1 nga Bulgaria.Holandezët kaluan në epërsi përmes Robin van Persiet, por Ivelin Popov barazoi para fundit të pjesës së parë, ndërsa mysafirët befasuan me fitore kur Ilyain Mitsanski shënoi në minutën e 93-të, as një pasimi të gabuar të Heitinga.
 
“30 minutat e fundit më kanë zemëruar. Një pasim si ai i Heitinga është i ndaluar. Ju nuk mund ta bëni atë. Tash ne kemi humbur dhe kjo nuk është gjë e mirë”, ka thënë Marwijk.
 
Holanda të mërkurën do të përballet me Sllovakinë në një ndeshje tjetër përgatitore për Euro 2012.

Del Bosque le jashtë Soldadon dhe Adrianin

Trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque, ka zbuluar 23 lojtarët të cilët do të udhëtojnë në Euro 2012 muajin e ardhshëm.Spanjolli ka bërë nëntë ndryshime në grup, duke shtuar lojtarë në Barcelonës dhe Athletic Bilbaos në listën e tij pasi ata ishin të përfshirë në finalen e Kupës së Mbretit të premten.
 
Sulmuesi i Atletico Madrid, Adrian Lipez, i cili kishte një paraqitje të shkëlqyeshme në fitore e mbrëmshme 2-0 ndaj Serbisë, është lënë jashtë nga Del Bosque, derisa as sulmuesi i Valencias, Roberto Soldado, nuk është përfshirë.
 
Më herët gjatë muajit, Del Bosque kishte dhënë shenja se Pedro kishte gjasa të mos përfshihej në skuadër, por sulmuesi i Barcelonës është përfshirë, pasi shënoi dy gola në fitoren 3-0 të Barcelonës në finale të Kupës së Mbretit.
 
Spanja do ta fillojë kampionatin evropian më 10 qershor kundër Italisë, para se më pas të takohet me Republikën e Irlandës (14 qershor) dhe Kroacisë (18 qershor).
 
Skuadra e plotë e Spanjës që do të udhëtojë në Poloni dhe Ukrainë
 
Portierë:
Iker Casillas (Real Madrid)
Pepe Reina (Liverpool)
Victor Valdes (Barcelona)
 
Mbrojtës: 
Raul Albiol (Real Madrid)
Jordi Alba (Valencia)
Alvaro Arbeloa (Real Madrid)
Sergio Ramos (Real Madrid)
Juanfran Torres (Atletico Madrid)
Gerard Pique (Barcelona)
Javi Martinez (Athletic Bilbao)
 
Mesfushorë:
Sergio Busquets (Barcelona)
Xavi (Barcelona)
Andres Iniesta (Barcelona)
Xabi Alonso (Real Madrid)
Santi Cazorla (Malaga)
Cesc Fabregas (Barcelona)
David Silva (Manchester City)
Jesus Navas (Sevilla)
Juan Mata (Chelsea)
 
Sulmues: 
Pedro (Barcelona)
Alvaro Negredo (Sevilla)
Fernando Torres (Chelsea)
Fernando Llorente (Athletic Bilbao)

Del Bosque: Mungesa e Villas, goditje e madhe

Trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque, thotë se atyre do t’u mungojë sulmuesi i Barcelonës, David Villa, në Euro 2012.Villa është shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në ekipin e Spanjës me 51 gola në 82 ndeshje, por nuk ka luajtur që nga dhjetori dhe javën e kaluar përfundimisht u përjashtua një rikthim i tij, edhe pse ai duket i gatshëm fizikisht.
 
“Ne kemi përvojë me këtë lloj lëndimi por nuk deshëm t’i prishim shpresat e tij. Çdokush na thoshte se ai po ia del mirë me përgatitjet fizike dhe gjithçka do të jetë në rregull me ekipin kombëtar, andaj kjo ishte një hap prapa”.
 
“Kishte po ashtu të tillë që thoshin se ai nuk do t’ia dalë, por e dija se ai ishte diçka shumë i veçantë. Ai ka qenë jetësor në triumfin në Euro dhe Kupën Botërore, andaj nuk është e çuditshme që ne shpresonim se ai do t’ia dalë”, ka thënë Del Bosque.
 
Spanja mbrëmë mposhti Serbinë në kuadër të miqësoreve përgatitore për kampionatin evropian.

Rummenigge: Çdo mëngjes mendoj për humbjen në finale të LK

Shefi ekzekutiv i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, ka thënë se humbja nga Chelsea në finale të Ligës së Kampionëve i kujtohet çdo ditë.
“Kur zgjohem, mendimet e mia të para janë gjithmonë për humbjen nga Chelsea”.
“Dhimbja te klubi ynë është e fortë, më e fortë saqë kur humbëm nga Manchester Unitedi në finalen e vitit 1999”.
“Mendoj se humbja do të na shqetësojë për shumë kohë. I kam humbur dy finale të Kupës së Botës, 1982 dhe 1986, dhe nga përvoja ime, e di se koha shëron plagët”, ka deklaruar Rummenigge për Welt am Sonntag

Pandora thyen rekordin e të hyrave dhe përdoruesve

Shumica e njerëzve e preferojnë Pandora’n si shërbimin e saj muzikor për telefonat e mençur mobil.
Të paktën këtë e thotë vetë Pandora, e cila ka deklaruar një rritje në 71.5 për qind të pjesëmarrjes së tregut në SHBA. 
Gjithashtu, Pandora ka deklaruar se numri i përdoruesve të këtij shërbimi në SHBA ka arritur në 150 milionë. 
Megjithatë, kjo nuk është e tëra, pasi që Pandora gjithashtu është aplikacioni i dytë më i famshëm në Apple iOS, sepse të gjithë duket se e shkarkojnë këtë aplikacion tani. 
Vetëm gjatë vitit 2012-2013, Pandora ka shtuar rreth 51.9 milionë përdorues aktiv, dhe kjo paraqet një rritje prej 53 për qind krahasuar me një vit më herët, e cila biznesit i ka sjell 80.8 milionë dollarë, 70.5 prej të cilave kanë ardhur nga reklamimi.

Pippo: Milani gjithmonë në zemrën time

Sulmuesi italian, Filippo Inzaghi, ka thënë se Milani do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën e tij.
Legjenda e sulmit largohet nga San Siro, pas 11 vitesh që barti fanellën kuqezi, ndërsa thotë se nuk do t’i harrojë Rossonerët.

“Milani do të mbetet gjithmonë pjesë e jetës sime dhe në zemrën time”.

“Shpresoj që Milani të jetë pjesë e të ardhmes sime, jo si lojtar, por shpresoj si drejtor”.

“Nëse nuk kthehem te Milani në një të ardhme të afërt, atëherë do të kthehem më vonë, sepse Milani më ka dhënë gjithçka”, citon La Repubblica fjalët e Inzaghit.

Vettel të nënshkruajë me Ferrarin?

Piloti gjerman i Formula 1, Sebastian Vettel, nga viti 2014 do ta vozisë bolidin e Ferrarit – njofton portali Sportal.
Sipas burimeve të afërta me dy herë kampionin e botës, piloti i Red Bull pritet të nënshkruajë një parakontratë me Ferrarin, e cila e detyron atë që pas skadimit të kontratës me skuderinë aktuale (në vitin 2014) të kaloje te ekipi italian.

Ndërkaq, sipas marrëveshjes, shefat e Ferrarit detyrohen që të ndërtojnë një bolid konkurrues për fitimin e titullit.

Plani është që Ferrari të krijojë partneritetin Fernando Alonso-Sebastian Vettel, ndërsa vendin e gjermanit te Red Bull, pritet ta zë britaniku Lewis Hamilton.

Juve shqyrton transferimin e Maxi Lopez

Juventusi është duke shqyrtuar mundësinë e transferimit të sulmuesi të Catanias, Maxi Lopez – shkruan Tuttosport.
Kampioni i Italisë është në kërkim të një sulmuesi, në mënyrë që të konkurrojë në Ligën e Kampionëve, ku ka munguar për dy vite.

Mattia Destro i Genoas është nga emrat që përmenden, ndërsa gazeta e afërt me klubin torinez njofton se edhe argjentinasi Lopez është në planet e drejtuesve bardhezi.

21-vjeçari luajti si i huazuar te Milani në gjysmën e dytë të sezonit 2011/2012, mirëpo Rossonerët vendosën që të mos e blejnë atë.

Lavezzi dëshiron të largohet nga Napoli

Anësori i Napolit, Ezequiel Lavezzi, dëshiron të largohet nga San Paolo gjatë afatit kalimtar veror – ka thënë bashkëlojtari i tij, Christian Maggio.
Paris Saint-Germain dhe Inter janë klubet e interesuara për argjentinasin, ndërsa Maggio ka thënë se lojtarët e Napolit janë njoftuar për planet e Lavezzit për t’u larguar.

“Ne e dimë qe një kohë se ‘Pocho’ dëshiron të largohet nga klubi”.

“Fakti se klubet e mëdha po shprehin interesim për transferimin e lojtarëve, si Lavezzi dhe Edinson Cavani, tregon se futbolli i Napolit po vlerësohet”, ka thënë Maggio në një konferencë me gazetarë.

Muniesa, Roberto dhe Tello në planet e Atleticos

Lojtarët e rinj të Barcelonës, Marc Muniesa, Sergi Roberto dhe Cristian Tello, u kanë rënë në sy drejtuesve të Atletico Madrid – shkruan AS.
Pas moskualifikimit në Ligën e Kampionëve, ‘Los Colchoneros’ planifikojnë ta përforcojnë skuadrën, në mënyrë që në sezonin e ri të luftojnë për pozitat e para.

Trajneri Diego Simeone dëshiron lojtarë të rinj në secilën pozitë, ndërsa tre lojtarët e Barcës i konsideron si mjaft të vlefshëm për skuadrën e tij.

Kutcher e Moore të bashkohen?

Edhe pse në nëntor të vitit të kaluar deklaroi se do të shkurorëzohet nga Ashton Kutcher, aktorja Demi Moore deri më tash nuk ka bërë diçka të tillë.
Sipas njoftimeve më të reja, ata mund të pajtohen dhe të bëhen sërish bashkë.

“Ata ende duhen dhe ndoshta pajtohen. Kërkesa e tyre për divorc aktualisht nuk është doke u proceduar”, ka thënë një burim.

Çifti së fundmi është takuar në një festë ditëlindjeje të një miku të tyre, ndërsa të pranishmit kanë thënë se përqafimi i tyre kishte zgjatur më shumë se një minutë.

West i jep këshilla mode Kardashianit

Reperi Kanye West i jep të dashurës së tij, Kim Kardashian, këshilla mode, në mënyrë që ajo më lehtë t’i zgjedhë rrobat që vesh.
“Kanye vazhdimisht flet me Kim për stilin e saj të veshjes. Ai mendon se ajo duhet të vishet më shumë sikur ai dhe të rrezikojë më tepër me zgjedhjen e rrobave”.

“Shpesh i thotë asaj se duhet të evoluojë si ikonë e modës. I thotë se ajo shumë shpesh zgjedh tesha ‘të sigurta’”, ka thënë një burim për The Sun.

Propozimi më origjinal i të gjitha kohërave? (Video)


Isaac Lamb, 31 vjeç, ka bërë propozimin më origjinal të viteve të fundit, ndërsa për këtë akt i kanë ndihmuar 60 miq.
Aktori nga Portlandi e ka ulur të dashurën e tij, Amy Frankel (koreografe dhe valltare) në pjesën e pasme të automjetit dhe i ka kërkuar të vë në vesh dëgjueset dhe i ka kërkuar të shijojë momentet e ardhshme...

E gjithë ceremonia është xhiruar, ndërsa videoja është vendosur në YouTube më 25 maj dhe deri më tani e kanë shikuar më shumë se një milion e gjysmë herë.

Era ngre në ajër aeroplanin e parkuar (Video)


Nëse i keni frikë fluturimet, mos e shikoni këtë. Një video amatore ka kapur çastin kur era e fortë ngre në ajër një aeroplan të parkuar në një aeroport në Kaliforni.
Videoja e postuar në YouTube tregon momentin kur erërat me shpejtësi mbi 100 km/h patën kontakt me një aeroplan që po qëndronte në vend.

Normalisht, gjatë ngritjes aeroplani fluturon mes erës dhe lëvizja e ajrit në krahë e ngre atë në qiell. Por videoja tregon se si një aeroplan mund të ngrihet edhe kur nuk është në lëvizje, nëse era është mjaftueshëm e fortë.

Nga lëvizja, aeroplani u gjet të nesërmen 45 gradë i zhvendosur nga pozicioni fillestar.

Megjithatë, më pas u mësua se aeroplani në fjalë e ka përfunduar misionin në ajër dhe është planifikuar të shkatërrohet, ndaj një pjesë e mirë e pjesëve të brendshme janë hequr. Kjo e bën peshën e tij më të lehtë krahasuar me aeroplanët normalë.

Berisha priti Jahjagën në Durrës

Zhvillimet e fundit politike në rajon ishin temë e bisedës në takimin mes kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i zhvilluar të dielën në rezidencën qeveritare në qytetin e Durrësit.
Nga zyra për informim e kryeministrit Berisha bëhet e ditur kreu i ekzekutivit të Shqipërisë ka shprehur kënaqësinë që takohej me presidenten Jahjaja dhe vlerësoi rolin e kontributin e saj në konsolidimin e Republikës së Kosovës, si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Duke diskutuar për zhvillimet nё rajon, Berisha dhe Jahjaga vlerёsuan se progresi i gjithanshëm i Kosovës ka bёrё qё ajo të shndërrohet në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti e bashkëpunimi nё rajon.

Në takim u diskutua mbi zgjerimin e bashkëpunimit të shkëlqyer në të gjithë fushat midis Shqipërisë dhe Kosovës si interesi jetik i qytetarëve të dy vendeve.

Presidentja Jahjaga i shprehu kryeministrit Berisha ngushёllimet mё tё thella pёr humbjen e jetёve nё aksidentin tragjik nё Himarё, njё ngjarje qё tronditi thellё tё gjithё qytetarёt e Kosovёs.

Thaçi e Berisha urojnë Rona Nishliun

Kryeministri i Kosovës, Hahim Thaçi dhe ai i Shqipërisë, Sali Berisha, kanë uruar këngëtaren Rona Nishliu, për suksesin e arritur dhe përfaqësimin dinjitoz në festivalin evropian të këngës “Eurovision 2012”.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim shpreh urimet më të mira për suksesin e këngëtares kosovare, Rona Nishliu, e cila i përfaqësoi në mënyrë dinjitoze vlerat e Kosovës nën flamurin kombëtar shqiptar në festivalin e Këngës Evropiane ‘Eurovision’”, thuhet në urimin e kryeministrit Thaçi

Më tej në urim thuhet se, talenti i rrallë i interpretimit i Ronës dhe emocionet që ajo i përcolli në skenën e Bakusë i lanë të mahnitur teleshikues nga të gjitha vendet e Evropës, të cilët përmes votave të tyre bënë që këngëtarja kosovare të radhitet lartë në këtë garë.

“Rona Nishliu është shembulli më i mirë i suksesit të të rinjve të Kosovës, të cilët kanë vlera dhe potencial të madh në të gjitha fushat, me theks të veçantë në art, kulturë dhe në sport”, thuhet ndër të tjera në urimin e Thaçit.
Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e ka uruar këngëtaren shqiptare, duke e cilësuar si zërin absolut të kompeticionit evropian të këtij viti.

Kryetari i Qeverisë i telefonoi menjëherë pas përfundimit të festivalit, këngëtares Rona Nishliu dhe i përcolli urimet më të përzemërta për suksesin e shkëlqyer si dhe për përfaqësimin dhe interpretimin dinjitoz, raporton noa.al.

“Për shqiptarët, por jo vetëm për ata, ajo ishte zëri absolut i Festivalit dhe se i kishte përfaqësuar shqiptarët në mënyrën më të mrekullueshme”, tha Berisha, duke uruar edhe ekipin shqiptar për suksesin e arritur në Festivalin Evropian të këngës "Eurovision 2012"

Bashkëpunim i akademive diplomatike të Kosovës dhe të Kroacisë

Në Dubrovnik të Kroacisë, prej 24 deri më 26 maj, ka zhvilluar punimet Forumi i 15 Diplomatik i Dubrovnikut në të cilin morën pjesë diplomatë, ambasadorë, akademikë, zyrtarë të lartë qeveritar nga më shumë se tridhjetë vende të botës. Forumi i zhvilloi punimet në temën “Diplomacia dhe Diologu Ndërkulturor”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës (MPJ) u përfaqësua në këtë Forum nga zëvendësministri Ibrahim Gashi dhe Sylë Ukshini, drejtor për Marrëdhënie Rajonale.

Gjatë punimeve të Forumit, delegacioni i MPJ-së i kryesuar nga zëvendësministri Gashi zhvilloi takime jo formale me përfaqësues të qeverive dhe të botës akademike nga shumë vende të botës, thuhet në njoftimin e lëshuar nga MPJ.

Gashi pati një takim me kryetarin e Parlamentit të Maltës, Michael Frend, me kryetarin e Senatit të Universitetit të Bukureshtit, Vlad Nistor, dhe me drejtorin e Akademisë Diplomatike të Londrës, Nabil Ayad.

Ditën e fundit të punimeve të Forumit u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit dhe i Bashkëpunimit ndërmjet Akademisë Diplomatike të MPJ-së së Republikës së Kosovës dheAkademisë Diplomatike të MPJ–së së Kroacisë.

Roma kërkon Pellegrinin

Roma ka bërë interesim për trajnerin e Malagas, Manuel Pellegrini.
Lajmin e ka konfirmuar vetë agjenti i trajnerit kilian, Jesus Martinez.
“Roma na ka kontaktuar për të kuptuar si është situata. Duhet t’ia kujtoj çdokujt se Pellegrini ka një kontratë dhe dëshiron ta respektojë atë”.
“Nuk ka asgjë më shumë për t’u shtuar tash”, ka thënë agjenti.

Ronaldo: Nëse fitoj Euron, fitoj Topin e Artë

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, mendon se triumfi në Euro 2012 do t’ia sigurojë atij Topin e Artë.
“Nuk jam ai që vlerëson se kush meriton ta fitojë Topin e Artë, por mendoj se kam kaluar një sezon fantastik. Ne kemi fituar ligën më të vështirë në botë”.
“Pajtohem me atë çfarë ka thënë Mourinho, por ajo çfarë dua tash është të kem një Kampionat Evropian të shkëlqyeshëm. Kjo mund të më ndihmojë në Topin e Artë, edhe pse sinqerisht nuk është një gjë që më shqetëson mua shumë”.
“Jam i kënaqur me sezonin që kam pasur, por tashmë mendoj për të ndihmuar vendin tim”, ka thënë Ronaldo.

Allegri nuk është penduar për Pirlon

Massimiliano Allegri
Trajneri i Mialnit, Massimiliano Allegri, ka mbrojtur edhe një herë vendimin e tij për të lejuar Andrea Pirlon të largohet drejt Juventusit.
“Ishte një vendim i marrë edhe nga Andrea dhe klubi. Nëse Juve nuk do ta kishte fituar Scudetton, atëherë ju gazetarët nuk do të kishit vazhduar gjithë kohën me këtë tregim”.
“Vitin e kaluar Pirlo nuk luajti pasi nuk ishte në formë të mirë, por ne e fituam titullin dhe askush nuk u ankua atëherë”, ka thënë Allegri.

Ozil: Sezoni më i mirë në karrierën time


Ylli i Real Madridit, Mesut Ozil, thotë se sezoni i kaluar ishte më i miri në karrierën e tij, pasi ndihmoi kubin spanjoll të fitojë titullin e La Ligës.
“Ka qenë sezoni më i mirë në karrierën time. Ndjenja e të fituarit të titullit me Real Madridin ishte i mrekullueshme, por kampanja nuk ka përfunduar ende. Tash dua të fitoj Kampionatin Evropian”.
“Ndjehem mirë. Synimi jonë është titulli. Nëse nuk do të ishte ky, nuk do të garonim. Kushtet për të përgatitur veten janë të përkryera dhe ne jemi krejtësisht të përqendruar në turne”.
“Ne ishim të dytët në vitin 2008 dhe të tretët në vitin 2010. Ne dështuam në synimin tonë dhe, si rezultat, përfundimi i dyti do të ishte zhgënjim”, ka thënë Ozil. 

Malaga pas Del Pieros

Malaga është e interesuar në shërbimet e sulmuesit në largim të Juventusit, Alessandro Del Piero.
Nëse do të transferohej te Malaga, Del Piero do të kishte mundësinë për ta testuar veten edhe në La Liga në moshën 37-vjeçare, si edhe të luante në Evropë.
Klubi spanjoll ka një mbështetje të fuqishme financiare dhe ka fituar biletën për kualifikimet paraeliminatore të Ligës së Kampionëve pasi përfundoi në pozitën e katërt në tabelë. 

Fabregas, 10 ditë jashtë fushe

Barcelona ka zbuluar se Cesc Fabregas do të kalojë 10 ditë jashtë fushe për shkak të një lëndimi muskulor.
Mesfushori 25-vjeçar u inkuadrua si zëvendësues në fitoren 3-0 të Barcës kundër Athletic Bilbao në finalen e Kupës së Mbretit.
Por testet e fundit treguan se Fabregas ka pësuar probleme të muskulit të krahut, dhe do të duhet të qëndrojë jashtë fushe për një javë deri në 10 ditë.
Kjo do të thotë se Cesc do të mungojë në miqësoret e radhës së Spanjës, kundër Koresë Jugore dhe Kinës, nëse përfshihet në ekipin e Vicente del Bosque për Euro 2012, që do të zbulohet gjatë ditës së sotme. 

Rona ua dedikon suksesin viktimave të Himarës

Rona Nishliu, e cila mbrëmë shkëlqeu në festivalin evropian të këngës, Eurosong, ua ka dedikuar këngën viktimave të tragjedisë së Himarës.
Ditë më parë në Himarë humbën jetën 13 njerëz (11 studente) dhe 26 të tjerë u plagosën, pas përmbysjes së autobusit. Rona ka gjetur kohë për t’u solidarizuar me viktimat, duke postuar një “status” në Facebook, një ditë pas performancës së saj në skenën evropiane.
“Suus në Eurosong dedikim 13 shpirtrave që humbën jetën në tragjedinë e Himarës! Falemnderit të gjithëve për mbështetjen e fuqishme. Falemnderit që besuat në Suus. Ju dua ♥”, ka shkruar Rona në profilin e saj në Facebook.
Këngëtarja kosovare u rendit e pesta në Evropë në spektaklin e mbrëmshëm të zhvilluar në Baku të Azebajxhanit me këngën e saj “Suus”.

Raste të votimit familjar

Përfaqësuesit e organizatës jo qeveritare “Demokracia në Veprim”, në konferencën e dytë për media, njoftuan se procesi zgjedhor në Ferizaj po zhvillohet i qetë dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar, që do të ndikonte në procesin zgjedhor. Megjithatë gjatë monitorimit të zgjedhjeve, ata kanë raportuar për disa parregullsi, siç është votimi familjar.
“Edhe më tutje po shtihet një numër i qytetarëve, të cilët po kanë probleme me listat e votuesve. Rastet e tilla janë evidentuar në qendrën 2513D dhe 2510D. Po ashtu edhe më tutje po vazhdohet një trend i rasateve të shumta të votimit familjar”, ka thënë Besnik Ramadani nga “Demokracia në Veprim” e cila po monitoron procesin e votimit në komunën e Ferizajt, raporton Kosovapress.
Sipas tij, deri në këtë periudhë, në qendrën 2516D, është vërejt një person i paautorizuar që është në këtë qendër, pranë pikave të votimit.
Kurse sa i përket deklaratave të partive politike, se nëpër qendra ka presion tek komisionerët dhe drejtuesit e qendrave, Ramadani ka thënë se deri më tash nuk kanë ndonjë informacion të tillë.

Muja me dy rroga

Mujë Rugova vazhdon të marrë dy paga nga buxheti i Kosovës: atë të rektorit të UP-së dhe një tjetër si anëtar i Bordit të KEK-ut
Vitin e kaluar, kur Rugova kishte deklaruar pasurinë e tij, ka treguar se është edhe anëtar i Bordit të KEK-ut. Jetullah Aliu, drejtor i Departamentit të parandalimit të konfliktit të interesit, pati thënë se do të nisin hetimet ndaj Rektorit, me dyshimin se ai është futur në konflikt interesi. Madje, ai pati thënë se për këtë rast Agjencia Kundër Korrupsionit shumë shpejt pritet të marrë edhe një vendim.
Dhe kjo ndodhi: AKK tha se Rektori nuk është zhytur në konflikt interesi!
Prandaj, Rugova edhe këtë vit ka marrë guximin që të deklaroj rrogën dhe t’i mbajë dy vende të punës në institucione publike. Në deklarimin e tij të pasurisë mbetet pothuajse gjithçka e njëjtë: tokat e trashëguara, rroga e Rektorit - 18 mijë euro në vit - dhe rroga tjetër si anëtar i Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës - 9 mijë e 200 euro në vit!

Dialogu në pikëpyetje

Mjegullohet fati i dialogut teknik mes Prishtinës dhe Beogradit. Zyra e kryenegociatores kosovare, Edita Tahiri, ka kohë që nuk përgjigjet në interesimin e gazetarëve për këtë cështje.
Njëri nga këshilltarët e zonjës Tahiri tha se duhet t’i drejtohemi zyrës së kryeministrit, sepse tani gjërat kanë marrë tjetër drejtim, pa specifikuar se për çfarë konkretisht bëhet fjalë.
Diçka e tillë vë në pikëpyetje edhe faktin nëse Edita Tahiri do të vazhdojë jetë në krye të këtyre negociatave apo jo.
Burime zyrtare nga Kryeministria, duke folur në kushte anonimiteti, thanë për Top Channel se deri në këtë fazë nuk është bërë asnjë ndryshim në përbërjen e ekipit negociator. Por, burimet në fjalë nuk përjashtojnë mundësinë që kjo të ndodhë të ardhmen, pasi edhe vetë procesi i dialogut është pezulluar.
Duke komentuar shtypin e ditës së shtunë në Kosovë, i cili kryesisht flet për largimin e mundshëm të Edita Tahirit, por edhe ndërmjetësit të BE-se Robert Cooper, burime qeveritare thonë se nuk janë njoftuar nga BE-ja as për ndërrimin e ndërmjetësit të saj.
Deklarata zyrtare më e fundit mbetet ajo e kryeministrit pak ditë më parë. Hashim Thaci tha se Qeveria e tij nuk do të vazhdojë dialogun me qeverinë e Beogradit, pa u zbatuar marrëveshjet e arritura, në mënyrë të veçantë ajo për përfaqësimin rajonal dhe menaxhimin e integruar të kufijve.
Një tjetër qëndrim për këtë mban parlamenti i Kosovës i cili i ka rekomanduar qeverisë që të kushtëzojë bisedimet me zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Kosova “humbë” shtetasit e saj

Sipas statistikave të Divizionit për Shtetësi të MPB-së, nga viti 2011 e deri më tani. 4 mijë e 269 persona janë liruar nga nënshtetësia e Kosovës. Në të njëjtën periudhë janë refuzuar vetëm 244. Edhe pse disa nga bashkatdhetarët tanë pohojnë se në disa shtete, në situatat kur aplikohet për marrje të shtetësisë refuzimi për lirim nga shtetësia e mëparshme nuk prishë punë, autoritetet e Kosovës nuk e aplikojnë këtë metodë. Ata kështu e zvogëlojnë në vazhdimësi numrin e banorëve.
Liridon Neziri, udhëheqës i Divizionit për Shtetësi, në Ministrin e Punëve të Brendshme, ka thënë për Kosovapress se gjatë vitit 2011 ka qenë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që kanë aplikuar për t’u liruar nga shtetësia e Kosovës.
“Arsyeja e lirimit është zgjedhja e këtyre personave për mbajtjen e një nënshtetësie të ndonjë vendi evropian, që nuk lejon mbajtjen e dyshtetësisë”, ka thënë Neziri.
Numri i refuzimeve, karshi aty që janë aprovuar, del të jetë shumëfish më i vogël. Ndërsa, arsyet e refuzimit ndodhin kryesisht tek aplikacionet për fëmijë, prindërit e të cilëve ende nuk janë të liruar nga nënshtetësia e Kosovës.
I pyetur se përse nuk ka më shumë refuzime, përderisa refuzimi nuk paraqet problem për aplikuesin që ta fitojë nënshtetasin e një vendi tjetër, Neziri deklaron se kjo nuk parashihet në politikat dhe kriteret e këtij departamenti.
Për të marrë një shpjegim në lidhje më procedurat të cilët kërkohen nga vendet e BE-së, posaçërisht nga shteti i Gjermanisë, Kosovapress i është drejtuar me pyetje Ambasadës gjermane në Prishtinë. Milena Wendering thotë se sipas ligjit të shtetit gjerman për nënshtetësi, personat të cilët planifikojnë të marrin nënshtetësinë gjermane, fillimisht duhet ta dorëzojnë nënshtetasin e tyre të mëhershme.
“Kjo gjë nganjëherë nuk mund te realizohet. Por, autoritet gjermane do ta shqyrtojnë çdo rast individualisht”, ka bërë të ditur Wendering.
Ndryshe nga zyrtari i Divizionit për Shtetësi, një shtetas i Gjermanisë dhe njëkohësisht i Kosovës ka rrëfyer përvojën e tij.
Vebi Kajtazi nga Gjilani ka thënë se më 2004 ka aplikuar për t’u pajisur me nënshtetësi gjermane. Për shkak se në atë kohë qytetarët e Kosovës trajtoheshin si qytetarë të Serbisë, autoritetet gjermane i kishin kërkuar pëlqimin e Serbisë për lirim nga shtetësia. Duke përdorur lidhjet e tij, ai kishte aplikuar për lirim të shtetësisë në Vranjë të Serbisë, ku ishte e zhvendosur e ashtuquajtura administratë e komunës së Gjilanit. Sipas Kajtazit, autoritetet e Vranjës e kishin refuzuar lirimin nga nënshtetësia, me arsyetimin se nuk kishte mbaruar shërbimin ushtarak!
“Ky refuzim më mërziti shumë, pasi mendoja se do të refuzohej edhe shtetësia gjermane. Pasi shkova në Gjermani, zyrtarëve të atjeshëm u tregova që më ishte refuzuar lirimi nga nënshtetësia e Serbisë. Derisa prisja edhe refuzimin e tyre, u befasova nga reagimin i qetë i zyrtares. ‘Mirë, ti e ke bërë tënden. As refuzimi nuk paraqet problem. Ne mund ta japim shtetësinë gjermane, mirëpo nuk mund të garantojmë për problemet që mund t’i kesh me shtetin serb, nëse shkon atje. Për çdo vend tjetër, jashtë Serbisë, shteti gjerman të ofron mbështetjen, si ndaj çdo qytetari tjetër të tij’”, ka thënë Kajtazi.
Nëse vazhdon me këtë ritëm aprovimi i kërkesave të bashkatdhetarëve tanë për lirim nga nënshtetësia e Kosovës, atëherë në pesë vitet e ardhshme Republika e Kosovës do të humbë mbi 21 mijë qytetarë.

Edhe Capello në radarin e Chelseat

Mediat britanike shkruajnë se Fabio Capello është një prej favoritëve për të marrë në drejtim Chelsean.
Daily Mail shkruan se nëse Pep Guardiola refuzon Chelsean, Roman Abramovich mund të kthehet kah Capello.
Miliarderi rus dëshiron të bëjë ndryshime në ekipin që fitoi Ligën e Kampionëve, për të krijuar një skuadër të së ardhmes.
Madje ka tentime te Chelsea për ta sjellë Capellon pa bërë edhe një ofertë për Guardiolën. Vetë italiani nuk e ka fshehur dëshirën se dëshiron t’i kthehet punës dhe se ka qenë i kënaqur me jetën në Londër gjatë kohës sa drejtoi Anglinë.

Torres: Dua Kupën Botërore të Klubeve

Sulmuesi spanjoll Fernando Torres thotë se ai do të mbetet te Chelsea dhe se synon të fitojë edhe më shumë trofe me Blutë.
Torres tashmë ka kthyer shikimin kah Superkupa Evropiane dhe Kupa Botërore e Klubeve.
“Tash shpresoj ta fitoj Kupën Botërore të Klubeve, do të jetë e mahnitshme. Jam po ashtu i ngazëllyer për të fituar edhe titull tjetër të Ligës së Kampionëve, por me skenar e kam shkruar këtë. Dhe, tashmë ëndërroj, Liga Premier do të ishte shumë e veçantë”, ka thënë spanjolli.
“Ju do të përballeni me Atletico Madrid në Superkupën Evropiane – duke luajtur kundër skuadrës tuaj origjinale. Emocionalisht jam duke i numëruar ditët e mbetura për këtë ndeshje. Shpresoj të luaj dhe jo siç ka ndodhur në rastet tjera. Do të jetë e çuditshme, por e bukur në të njëjtën kohë”, ka shtuar Torres.

Zidane: Reali tash ta fitojë Ligën e Kampionëve

Zinedine Zidane thotë se Real Madridi tash e ka radhën ta fitojë Ligën e Kampionëve, pasi fitoi titullin e kampionit të Spanjës.
Djelmoshat e Jose Mourinhos ia morën titullin Barcelonës pas katër vitesh, dhe jo duke thyer rekordin e pikëve (100 gjatë një sezoni), por edhe duke shënuar numrin më të madh të golave në ligë brenda një sezoni (121 gola).
“Për një skuadër të thyejë rekordin, në numra të golave të shënuar si edhe në pikë, duke fituar 32 nga 38 ndeshjet, është mrekulli. Ka qenë një aventurë e jashtëzakonshme, për të qenë pjesë e këtij projekti”.
“Për tre ose katër vite ne nuk ishim kampionë dhe kur dikush luan te Real Madridi, objektivi duket të avancojë dhe ta përmbysë këtë trend”.
“Ajo çfarë lojtarët kanë bërë gjatë gjithë sezonit, ka qenë diçka e jashtëzakonshme”, ka thënë francezi. 

Sagna: Van Persie do të qëndrojë

Bacary Sagna është i bindur se Robin van Persie do të luajë për Arsenalin edhe sezonin e ardhshëm.
Pasi shënoi 30 gola në Ligën Premier duke i ndihmuar Topçinjtë të sigurojnë pozitën e tretë në tabelë., Sagna mendon se sulmuesi, i cili ka edhe një vit në kontratën e tij, do t’ia besojë të ardhmen e tij Arsenalit.
“Jam i bindur se Robin do të qëndrojë. Ai ishte një profesionist i kompletuar që nga fillimi deri në fund (të sezonit) dhe na ndihmoi neve të arrijmë pozitën e tretë”.
“Ne duam ta mbajmë. Çdokush është shumë falënderues për të, për të çfarë ka bërë për klubin dhe sa i rëndësishëm është”.
“Ai është kapiteni jonë dhe e merr rolin e tij dhe përgjegjësitë shumë seriozisht. Ai na jep neve gjithçka si lojtar edhe kapiten”, ka thënë Sagna për Daily Mirror.

Chelsea, gati 15 milionë për Guardiolën

Chelsea raportohet se është i gatshëm t’i paguajë Pep Guardiolës plot 15 milionë funte në sezon.
Daily Express thotë se Chelsea është i paepur të bëjë edhe ofertën e tretë për të bindur spanjollin të marrë në drejtim klubin.
Një burim i afërt me pronarin e Chelseat, Roman Abramovich, ka thënë se 41-vjeçari spanjoll është zgjidhja e parë e miliarderit rus, pas triumfit të tij në Kupën e Mbretit.
Guardiola së fundi tha se edhe pse synon të pushojë një vit, do të jetë i hapur për të dëgjuar ofertat.

Muntari do të vazhdojë me Milanin

Sulley Muntari do të nënshkruajë kontratë dyvjeçare me Milanin – ka bërë të ditur agjenti i tij, Federico Pastorello.
Mesfushori ganez iu bashkua Rossonerëve në janar në formë huazimi nga Interi, ndërsa ka bërë paraqitje mbresëlënëse duke shënuar tre gola në 13 paraqitje në Serie A.
Muntarit i skadon kontrata me zikaltrit në fund të qershorit, ndërsa përfaqësuesi i tij ka konfirmuar se ai do ta zgjasë qëndrimin te Milani.
Muntari do të vazhdojë me Milanin në dy vitet e ardhshme. Rinovimi është thjesht formalitet dhe nuk do të ketë probleme”, ka thënë Pastorello për MilanNews.

Theron ka menduar të heqë dorë nga aktrimi

Charlize Theron për pak sa nuk e kishte refuzuar rolin në filmin “Snow White and the Huntsman” kur e kishte kuptuar se do të bëhej nënë e djalit të adaptuar, Jackson.
36-vjeçarja adoptoi foshnjën tashëm gjashtëmuajshe Jackson në muajin mars dhe është kënaqur që nuk e ka lënë filmin, pasi tash që është bërë prind mendon se është bërë edhe një person më kreativ.
“Kur për të parën herë dëgjova se djali po vinte në jetën time, nuk doja të bëj film. Por ai më ka ndryshuar mua dhe më ka bërë një person shumë më kreativ”.
“Më pëlqen aq shumë që jam nënë. Nuk ka asgjë më të mirë se sa të rrotullohesh vërdallë me foshnjën”, ka thënë Theron. 

Anna Faris dëshiron familje të madhe

Aktorja Anna Faris thotë se ajo dëshiron të ketë familje të madhe me shumë fëmijë.
Ylli i filmit “The Dictator” dhe burri i saj, aktori Chris Pratt, janë duke planifikuar shumë vëllezër e motra për fëmijën e tyre të parë.
“Do të doja të kem tetë fëmijë. Ka mundësi të mos mundem t’i përballoj kaq shumë, por dua të kem shumë fëmijë. Ne duam ta populojmë botën”, ka thënë Anna.

Njerëzit e bukur janë egoistë dhe partnerë të këqij jetësorë

Edhe pse për shumicën e njerëzve personat, si Kate Moss, Natalie Portman, Brad Pitt e George Clooney, konsiderohen si partnerë idealë në ëndrrat e tyre, një hulumtim ka treguar se duhet të hiqni dorë nga një ëndërr e tillë.
Sipas një eksperimenti shoqëror, njerëzit me fytyrë simetrike, të cilët konsiderohen të bukur, janë egoistë nga natyra.
Shkencëtarët nga Universitetet e Edinburghut, Barcelonës dhe Madridit, teorinë e tyre e kanë bazuar në dilemën- në të cilën dy persona nuk duan të bashkëpunojnë edhe pse mund të përfitojnë nëse punojnë së bashku.
Rezultatet e këtij studimi kanë treguar se personat me linja simetrike të fytyrës, janë më pak të prirë që të bashkëpunojnë dhe më shpesh e zgjedhin opsionin vetjak.
“Personat me fytyrë simetrike janë më të shëndetshëm dhe më atraktivë, po ashtu janë autonomë dhe më vështirë bashkëpunojnë me të tjerët apo kërkojnë ndihmë”, pohojnë autorët e studimit.
Po ashtu, është treguar se këta persona kanë nivel më të lartë të testosteronit, gjë që lidhet me agresivitet dhe se meshkujt që i takojnë këtij grupi nuk janë lojtarë ekiporë.

Çrregullimet e ushqyerjes shkurtojnë jetëgjatësinë

Është njoftuar se personat me çrregullim të ushqyerjes, siç është anoreksia dhe bulimia, kanë rrezik më të shtuar për vdekje të parakohshme, në raport me personat që nuk i kanë këto probleme.
Duke analizuar 36 studime, të cilat kanë pasur të bëjnë me çrregullimet e ushqyerjes, është treguar pesëfishim i shkallës së mortalitetit te personat me anoreksi, ndërsa te personat me bulimi dhe çrregullime të tjera të ushqyerjes, kjo shkallë e vdekshmërisë ishte dyfish më e madhe, në raport me personat që nuk kanë çrregullim të ushqyerjes.
Po ashtu, personat me anoreksi të diagnostikuar në vitet e njëzeta të jetës, janë për 18 herë më të rrezikuar nga vdekja e hershme në raport me moshatarët e tyre që nuk i kanë këto probleme.
Ende nuk dihet se cila është arsyeja kryesore, por dihet se çrregullimi i ushqyerjes për një kohë të gjatë, sjell deri te pasojat serioze fizike. Po ashtu, dihet se 20 për qind e vdekjeve mes njerëzve me anoreksi, shkaktohen me vetëvrasje, duke qenë se një përqindje e madhe e tyre vuajnë nga çrregullimet psikike, siç janë ato opsesivo-kompulsive, depresioni dhe anskioziteti.
Kështu, për t’u pritur përmirësim i gjendjes së këtyre pacientëve, duhet të mjekohen të gjitha problemet fizike dhe mendore që shoqërohen me të, e jo vetëm anoreksia. 

LG shet 3 milionë telefona me LTE

Me sa duket, LG e ka lidhur fatin e saj me telefonat LTE të pajisur me internet të shpejtë mobil, dhe kjo strategji deri tani i ka prodhuar rezultate, pasi që prodhuesi aziatik po feston për 3 milioënë telefona të shitur LTE, në mbarë botën.
Megjithatë, kur mendojmë për këtë arritje të LG-së, gjithashtu duhet pasur parasysh arritjet e rivalëve të tregut, si Apple apo Samsung, prodhues të cilët e kanë ndryshuar tërësisht industrinë si dhe po e dominojnë atë.

Sipas LG, përdoruesit kryesor të telefonave të bazuar në teknologjinë LTE vijnë nga Korea e Jugut dhe Amerika Veriore, ndërsa kompania thotë se deri në fund të vitit ajo do të jetë prezente edhe në 20 shtete tjera të botës.

Hapen qendrat e votimit në Ferizajt

Komisioni Komunal Zgjedhor në Ferizaj, ka bërë të ditur se janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimit dhe se nuk ka pasur ndonjë vonesë apo parregullsi.
Qytetarët e Ferizajt do të votojnë sot në raundin e dytë për të zgjedhur kryetarin e komunës së tyre. Ata të mund të votojnë për kandidatin e LDK-së, Adem Salihaj, dhe atë PDK-së, Agim Aliu.

Të hapura do të jenë 128 vendvotime, përfshirë edhe 4 vendvotime mobile. Të drejtë vote kanë 95 mijë e 449 qytetarë.

Rezultatet preliminare nga KQZ do të mund të publikohen rreth orës 23:00.

Qeveritarët, të paprekshëm nga drejtësia

Pavarësisht nga skandalet e shumta dhe shkeljet e vazhdueshme të ligjit nga zyrtarët e lartë shtetërorë dhe raportimit të tyre nga mediat e vendit, pothuajse të gjitha rastet harrohen pak kohë pas publikimit dhe si të tilla mbesin vetëm në arkivat e gazetave dhe të televizioneve kosovare.
Derisa mediat raportojnë vazhdimisht për keqpërdorimin e parasë publike, keqpërdorimin e pozitave zyrtare dhe për shkeljen e ligjit, Prokuroria e Shtetit nuk e merr mundin as t’i hetojë këto raste, ndërsa gjyqësori deri më tash nuk ia ka arritur që ta dënojë qoftë një zyrtar të vetëm në mesin e “të fortëve” të shtetit, shkruan “Zëri”.

Ndërkaq, dorëheqja si përgjegjësia morale e ministrave dhe e zyrtarëve të lartë shtetërorë, e cila në vendet demokratike është “institucion në vete”, në Kosovë as që vjen në shprehje.

Duke shfrytëzuar këtë mosveprim të institucioneve të drejtësisë, shumë prej zyrtarëve të lartë shtetërorë sot janë bërë edhe milionerë.

Vetëm gjatë muajve të fundit mediat kanë raportuar për dhjetëra raste kur ministrat kosovarë kanë shkelur ligjin me të “dy këmbët”, e të nesërmen kanë dalë në publik pa u skuqur fare, ndërsa Prokuroria e Shtetit nuk ka dhënë as shenjat më të vogla se ka nisur hetimet.

Për ekspertët e drejtësisë dhe anëtarët e partive opozitare këto shkelje janë tregues se si gjyqësori kontrollohet nga qeveria dhe se kjo e fundit nuk ka vullnet që ta forcojë drejtësinë.

Mitrovica veriore edhe me Kuvend të Përkohshëm

Embrioni i Mitrovicës veriore nuk do të zërë fill vetëm me Zyrën Administrative të themeluar me vendim të Qeverisë këtë javë. Pas saj do të pasojë edhe konsolidimi i një Kuvendi të Përkohshëm.
Kuvendit nuk do t’i jepet menjëherë emërtimi i tillë, me synimin për të evituar refuzimin e serbëve të veriut të Mitrovicës për t’u përfaqësuar në të, e të cilët vazhdojnë të mbajnë lidhje të forta me Serbinë dhe të mos njohin autoritetin e shtetit të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore. Pararendës do ta ketë këshillin konsultativ. Përgatitjet për ta formuar këtë organizëm tashmë kanë nisur.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka shpallur një konkurs për zyrtarë mbështetës të “Kuvendit të Përkohshëm”. Zyrtari do të ndihmojë udhëheqjen e Kuvendit në hartimin e dokumenteve dhe në çështjet tjera administrative që lidhen me rendin e ditës të propozuar për çdo seancë. Po kështu ai do të ndihmojë në përgatitjen teknike, si dhe do të merret me punë administrative dhe me aspekte teknike e shërbime të tjera logjistike për seancat.

Tri kushtet e Lajcakut: Siklet për Serbinë!

Drejtori menaxhues në Shërbimin Evropian të Veprimit me Jashtë, Miroslav Lajcak, politikanëve serb ua ka përcjellë kërkesat e reja të BE-së të cilat Serbia duhet t’i përmbushë.
Siç raporton “Novi Magazin”, Lajcak Beogradit ia ka bërë me dije tri kushte që duhet t’i përmbushë, para se të fillojnë negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE. Siç ka thënë burimi i këtij portali, “kushtet janë të pamundshme të përmbushen nga Serbia”.

“Press” shkruan se Vuk Jeremici, i cili është takuar me Lajcakun, e ka informuar Boris Tadicin se “tri kushtet janë të papranueshme”. Njëri prej kushteve ka të bëjë me kërkesën gjermane për eliminimin e institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës.

Sipas gazetës, lideri i Partisë Demokratike të Serbisë, pra Tadic, është i shqetësuar nga këto kushte sa që heziton ta ketë postin e kryeministrit të ri të Serbisë. Ai po konsultohet me të tjerët në mënyrë që për këto gjëra ta ketë një qëndrim të unifikuar kombëtar. Sot do të takohet me liderët e koalicionit të mbledhur rreth Partisë Socialiste të Serbisë, për të diskutuar rreth “ultimatumit të Lajcakut”.

Tomislav Nikolic, presidenti i ri i Serbisë, i cili të enjten u takua gjithashtu me Lajcakun, ka thënë se nuk ka njohuri nëse BE gjatë rrugëtimit të Serbisë në Union do të kërkojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Arbri triumfon në Big Brother

Arbër Zeka është fitues i edicionit të pestë të “Big Brother Albania” që përfundoi të shtunën mbrëma.
25-vjeçari nga Prishtina ka arritur të fitojë zemrat e të gjithëve në shtëpinë më të madhe në Shqipëri, ashtu që në natën finale grumbulloi më shumë vota në raport me konkurrentët tjerë për të dalë fitues.
Në finalen e “Big Brother 5”, krahas Arbrit ishin kualifikuar edhe Genta, Françeska, Ermali dhe Liami, ndërsa ky i fundit ishte konkurrenti final i djalit nga Kosova, por numri më i madh i votave, ashtu edhe siç ishte pritur, i takoi 25-vjeçarit.
Arbri e bëri publikun për vete duke qenë shembull për të gjithë, me një stil tipik urban dhe sjellje të matura, reflektim të duhur mbi realitetin, si edhe në rrethanat dhe situatat intriguese.
Në natën finale të BB5, pas disa momenteve të këndshme, erdhi edhe radha e eliminimeve. Banori që kishte marrë më pak vota nga publiku dhe që e la i pari shtëpinë ishte Ermali. Menjëherë pas Ermalit, doli edhe e dashura e tij, Françeska, duke qenë banorja e dytë më pak e votuar nga pesë finalistët.
Nga tre banorët e mbetur – Genta, Arbër dhe Liam – publiku vendosi që Genta, të ishte banorja e radhës e eliminuar.
Pas televotimit të fundit dhe përballjes vendimtare mes Arbrit dhe Liamit, ishte Arbri ai qe mori edhe fitoren e merituar të kësaj loje që tërhoqi vëmendjen maksimale të publikut në këto tre muaj.
“Jemi te dy fitues!” – këto ishin fjalët e para të Arbrit pas fitores. 

Rona e pesta – fiton Suedia

Rona Nishliu është renditur e pesta në edicionin e sivjetmë të Festivalit Evropian të Këngës – Eurovision që u zhvillua në Baku të Azerbajxhanit.
Kënga “Suus” grumbulloi 146 pikë, dhe kështu regjistron rekord, si kënga me pozicionimin më të mirë në histori të Shqipërisë në këtë eveniment evropian.
Sikurse në natën e parë gjysmëfinale edhe në mbrëmjen kryesore të kësaj gare, përfaqësuesja e Shqipërisë bëri një performancë mahnitëse dhe mjaft emocionale, ndërsa këtë e dëshmuan edhe njëherë ovacionet e publikut gjatë kohës kur ajo interpretonte.
Sido që të jetë, edhe në këtë edicion vazhdoi politika e votimit të shteteve fqinje, megjithatë vendi që zuri Shqipëria është për t’u admiruar.
Eurovisionin për vitin 2012 e fitoi kënga “Euphoria” e përfaqësueses nga Suedia, Loreen, e cila grumbulloi 372 pikë.