Ronaldo: Jemi më të mirë se Barça

Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ndjen se triumfi i Los Blancos në La Liga është plotësisht i merituar, teksa nuk ngurron të pohojë se ekipi i tij ka qenë shumë më i mirë se sa Barcelona gjatë këtij sezoni.
Los Blancos mposhtën Athletic Bilbaon me rezultat 3-0 në San Mames të mërkurën, me ç’rast siguruan titullin e 32-të në histori të klubit, ndërsa Ronaldo ka pranuar se është i ngazëllyer që në koleksionin e tij tani mund të shtojë dhe titullin e kampionit të Spanjës.
“Unë tej mase i kënaqur. Ky është titulli im i parë në Spanjë dhe jam i ngazëllyer. Ne kemi arritur objektivat tanë dhe jemi të kënaqur që fituam La Ligën”.
“Kampionati është edhe më i vështirë kur luftoni me një klub si Barcelona, por ne ndjejmë se jemi më të mirë se të gjithë. Ne ishim më të mirë se Barcelona. Titulli i La Ligas është ajo që dëshirova më shumë. Unë kam tashmë dy Këpuca të Arta në shtëpi. Do të ishte mirë nëse e fitoj përsëri, por nuk është problem edhe nëse nuk e fitoj”, është shprehur Ronaldo.
Real Madridi për herë të fundit titullin e kampionit të Spanjës e fitoi në sezonin 2007/2008.

Klinsmann: Dua që Gjermania ta fitojë Euro 2012

Përzgjedhësi i SHBA-ve, Jurgen Klinsmann, shpreson që Gjermania të triumfojë në Euro 2012 dhe ndjen se njerëzit e Joachim Loeë janë më shumë se kurrë të gatshëm për ta fituar trofeun e madh.
 “Shpresoj që Gjermania të fitojë këtë herë. Besoj se tani ne kemi ekipin të fuqishëm në çdo repart, një ekip që mund të lë gjurmë në Euro dhe të fitojë shumë”.
“Mendoj se ne jemi të përkushtuar, kemi forcën e brendshme dhe pa marrë parasysh se çka del përpara, ne jemi në gjendje të fitojmë. Edhe nëse Spanja është kundërshtare”, ka deklaruar Klinsmann. 

Robben rinovon kontratën

Bayerni i Munichut ka bërë të ditur se Arjen Robben ka nënshkruar një kontratë të re që do ta mbajë atë në Allianz Arena deri në verën e vitit 2015.
 Kontrata e holandezit skadonte verën e vitit 2013 dhe pas shumë polemikave e grushtimeve me bashkëlojtarin e tij, Franck Ribery, Robben më në fund ka vendosur që të nënshkruajë rinovimin.
“Unë gjithmonë kam thënë se jam i lumtur te Bayerni. Për këtë arsye, më pëlqeu ideja që ta rinovoj kontratën më herët. Bayerni është sikur familje për mua. Dy prej fëmijëve të mi janë lindur në Munich dhe familja ime ndihet këtu sikur në shtëpi”
“Po ashtu, në sensin sportiv ky rinovim është vendim i drejtë për mua. Ne kemi ekip të mrekullueshëm dhe jam i sigurtë se ne do të kënaqemi me sezone tjera të mira në vijim”, është shprehur Robben në faqen zyrtare të klubit. 

“Interi mund të kualifikohet në LK”

Pasi përjetoi humbjen e parë nga Parma, trajneri i Interit, Andrea Stramaccioni, është shprehur edhe më tej optimist për gjasat e ekipit të tij për Ligën e Kampionëve.
 “Unë nuk mendoj se mund të vijmë në një përfundim për vendin e tretë edhe pas kësaj xhiroje”.
“Ne nuk mund të presim për të rikthyer ciklin fitues, ne duam të fitojmë tani, menjëherë, duke filluar nga e diela në derbi me Milanin. Është ndeshje e madhe për ne. Gjithë ajo që mund të bëjmë është të tentojmë t’i fitojmë tri ndeshjet e mbetura dhe më pas të shohim se ku do të përfundojmë”, ka potencuar Stramaccioni. 

Gullit: Anglia dhe Gjermania të sfidojnë Spanjën

Futbollisti legjendar holandez, Ruud Gullit, beson se Gjermania dhe Anglia mund të ekspozojnë rrezik të madh për Spanjën, që është dominuese e futbollit evropian.
 “Nëse bëjmë ndonjë sondazh anë e mbanë globit për fituesin e Euro 2012, atëherë sigurisht se Spanja do të llogaritet si favorite, kjo për shkak të dominimit ndaj kundërshtarëve dhe lojës me pasimet e shkurtra”.
“Por dy ekipe, një ekip anglez dhe një gjerman kanë treguar se spanjollët mund të mposhten përkundër lojës së mirë, ndërsa kjo mund të arrihet vetëm me anë të organizimit strategjik. Unë dua të them se pos atyre dy klubeve, janë edhe kombëtaret nga vendet përkatëse që mund të rrezikojnë seriozisht Spanjën në Euro këtë vit”, ka thënë Gullit.

“Messi meriton çdo çmim”

Ish-trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, beson se Lionel Messi meriton të fitojë çdo çmim individual pasi theu rekordin e Gerd Muller për numrin e golave të shënuar brenda një sezoni.
 “Unë nuk i di parametrat e Topit të Artë. Unë vetëm e di se Lionel Messi meriton ta fitojë çdo trofe”.
“Kontributi i Guardiolës për futbollin ka qenë i madh, jo vetëm për titujt që ka fituar, por edhe për filozofinë që ka reflektuar. Guardiola e mori vendimin që ishte më i miri për të, por mendoj se ky pushim do të jetë i shkurtër. Ai do të kthehet më i motivuar se kurrë”, ka thënë Pellegrini.

Konfirmohet pjesërisht aktakuza në ‘rastin Xharra’

Gjykata Komunale në Prishtinë e ka konfirmuar pjesërisht aktakuzën kundër Sami Lushtakut, Rexhep Hotit, Arizona Dibrës, Avni Azemit, Rizah Hajdarit dhe Qani Mehmedit. Të akuzuarit akuzohen për veprat penale Shkelje e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës, Kërcënim dhe Shpifje.
Pika e akuzës për veprën penale të Kërcënimit është konfirmuar për Sami Lushtakun, Rizah Hajdarin, Qani Mehmedin dhe Avni Azemin, kurse është hedhur poshtë për Rexhep Hotin dhe Arizona Dibrën, njofton EULEX-i.
Pika e akuzës për veprën penale të Shpifjes është hedhur poshtë nga aktakuza kurse procedura është ndërprerë ashtu që pala e dëmtuar ta ndjekë rastin me padi civile.
Pika e akuzës për veprën penale të Shkeljes së statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës është hedhur poshtë për të gjithë të akuzuarit.
Aktakuzën e kishte ngritur një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Rasti ka të bëjë me një fushatë të pretenduar të kërcënimeve kundër gazetares Jeta Xharra dhe një pjesëtari të personelit të saj në Balkan Investigative Reporting Network (BIRN) nga ana e gazetës Infopress në qershor 2009, pas transmetimit të një programi televiziv (të drejtuar nga Jeta Xharra) gjatë të cilit thuhet se ishte raportuar në mënyrë kritike për kryetarin e komunës së Skenderajt dhe për rajonin e Drenicës.
Prokurori Special dhe pala e dëmtuar kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në afat prej tri ditësh pasi t’u jetë dorëzuar ai.

Një “modus vivendi” për veriun

Kryetari i grupit parlamentar për Evropën Juglindore në Bundestagun gjerman, Peter Weiss, ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të bien dakord për një ‘modus vivendi’ për veriun e Kosovës.
Duke folur për zhvillimet e fundit në Kosovë, ai tha se përshkallëzimi i ditëve të fundit ndoshta do të kenë ngritje deri në ditën e zgjedhjeve në Serbi, për faktin se sipas tij, statusi i veriut të Kosovës është ende i diskutueshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Fatkeqësisht as në bisedimet teknike në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk janë arritur ende rezultate të kënaqshme dhe kjo tregon se është urgjentisht e nevojshme që qeveritë në Prishtinë dhe Beograd të bien dakord për një modus vivendi për veriun e Kosovës”, tha Weiss në një intervistë për Deutsche Welle.
“Përndryshe sa herë që të ketë zgjedhje në Serbi apo sa herë që të ketë zhvillime të reja do të paraqiten edhe vështirësi të reja dhe situatat e tilla para së gjithash do të shfrytëzohen nga përkrahësit e nacionalizmit nga të dyja palët”. 

OSBE - BE: Qeveritë të sigurojnë lirinë e shtypit!

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kërkon nga 56 qeveritë e shteteve anëtare, që të ndërmarrin hapa realë në sigurimin e lirisë së fjalës. Ndërsa, shefja për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, ka thënë se Censurimi dhe kërcënimi i redaktorëve, shkrimtarëve, gazetarëve ose kolumnistëve është i papranueshëm, ashtu siç është i papranueshëm përdorimi i dhunës dhe arrestimi tyre.
“Të gjitha shtetet pjesëmarrëse në OSBE duhet të tregojnë përkushtim për vlerat e tyre demokratike duke vepruar e jo vetëm me fjalë”, tha Dunja Mijatovic, përfaqësuese e OSBE-së për Liri të Mediave, në Tunizi, në një konferencë ndërkombëtare, ku shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.
Më tutje ajo theksoi se “autoritetet duhet ta bëjnë të qartë se sulmet dhe presionet psikike ndaj reporterëve, vrasjet e pazgjidhura, arrestimet arbitrare dhe burgosjet dhe ligjet drakoniane për shtyp, që e instalojnë censurën në Internet dhe jashtë tij, nuk kanë vend në shoqëritë moderne, që synojnë progres dhe prosperitet”.
Mijatovic ka theksuar se “të 56 shtetet pjesëmarrëse duhet ta mbrojnë lirinë e mediave si element vital, jo vetëm më 3 maj”.
Censurimi dhe kërcënimi i redaktorëve, shkrimtarëve, gazetarëve ose kolumnistëve është i papranueshëm, ashtu siç është edhe përdorimi i dhunës dhe arrestimeve të nxitura nga shteti që u bëhen atyre. Kështu thuhet në deklaratën e përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton në ditën botërore të lirisë së shtypit.
Ashton e vlerëson lartë punën e guximshme të gazetarëve, të cilët, shpesh në kushte shumë të rrezikshme, vazhdojnë të japin informacione të pavarura.

Kërkohet trajtim më i mirë për gazetarët dhe mediet

Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), me rastin e 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së shtypit, ka organizuar tryezë diskutimi me temën: “Sfidat e tanishme të gazetarisë në Kosovë”, në të cilën u tha se neni 37 dhe 38 i Kodit të ri penal dëshmojnë se ka mangësi në perceptimin e demokracisë.
Profesori i gazetarisë, Milazim Krasniqi, ka thënë se mediumet elektronike e të shtypura në Kosovë nuk kanë arritur standardet e dëshiruara të pavarësisë financiare.
Krasniqi ka thënë se nenet e Kodit Penal të miratuar së fundmi në Kuvendin e Kosovës, duhet të ndryshohen duke bartur përgjegjësinë tek vendimmarrësit brenda medies e jo që gazetarët të kenë përgjegjësi për produktin final të medies.
“Unë jam kundër adresimit të përgjegjësisë te gazetarët, po adresimi do të duhet të jetë te pronarët e medies eventualisht te redaktorët përgjegjës, sepse ata i bëjnë politikat editoriale dhe e finalizojnë produktin media”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, redaktori përgjegjës i informacionit në Radio Televizionin e Kosovës, Donat Syla, ka thënë se në mungesë të zhvillimit të mirëfilltë ekonomik, mediet në Kosovë janë në një gjendje të mjerueshme financiare.
“Duke parë si qenësor rolin e medies në Kosovë, konsideroj se shteti përmes mekanizmave të tij, duhet që të krijoj mundësi për zhvillimin e medies së lirë dhe të pavarur. Pra, përpos mediumit publik, trajtimi për të cilin nga ana e politikës lë për të dëshiruar, shteti duhet të krijoj burime financiare për të përkrahur edhe mediet private, duhet gjetur metoda në këtë drejtim që do të ndihmonin medien e lirë, por që nuk do ta cenonin pavarësinë editorale të tyre”, ka thënë Syla.
Ndërkaq, redaktori përgjegjës i informacionit në Radio Televizionin 21, Eugen Saraqini ka kërkuar që nenet 37 dhe 38 të hiqen nga Kodi Penal për të ndihmuar lirinë e medieve.
Edhe kryeredaktorja e gazetës “Kosova Sot”, Margarita Kadriu, po ashtu ka theksuar se nenet 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal e ngufasin lirinë e medies.
Në vazhdim të debatit qëndrimin e Unioni të Gazetarëve të Kosovës (UGK), në lidhje me situatën e medies dhe gazetarëve në Kosovë e ka paraqitur, Alban Zeneli, duke thënë se Kodi Penal duhet të rikthehet në Kuvendin e Kosovës për modifikim. Sipas tij, UGK përveç kërcënimeve dhe shantazhe nga grupe të ndryshme të politikës e biznesit që u bëhen gazetarëve, problem kryesor është statusi social i punëtorëve të medieve”, ka deklaruar Zeneli.
Në anën tjetër, studiuesja e medieve, Sahadete Limani- Beqaj, ka theksuar se prodhimi medial që i ofrohet publikut mund të varfërohet edhe më shumë me hyrjen në fuqi të neneve 37 dhe 38 të Kodit të ri Penal.
“Përmbajtja mediale që na servohet neve si publikë, mundëson që edhe sa i përket diversitetit, pluralitetit, reflekton shumë pak në pluralitet, shumë pak në diversitet. Mirëpo edhe sa i përket cilësisë jemi dëshmitarë që shpesh herë na servohet përmbajtje mediale që më të vërtetë mendohemi se nga kush dhe pse”, ka thënë Limani-Beqaj.
Edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës organizoi njëtryezë me temën ‘Respektimi i Kodit të Etikës në Kosovë-Garanci për shtypin e lirë”, të organizuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës.
Lëndët që ka të bëjnë me shpifjet nuk mund të gjykohen si penale, si dhe nuk ekziston liri e tepruar e shtypit, por vetëm liri apo kufizim i saj, u tha në tryezë.
Kryeredaktorët e shumë mediave në vend thanë se Kodi duhet të jetë udhërrëfyes për gazetarët dhe gazetarinë, dhe se duhet të shërbejë për të gjithë pa asnjë dallim. 

OSBE tërhiqet nëse serbët mbajnë zgjedhje lokale

Rreth 500 anëtarë të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) do të jenë të angazhuar në lehtësimin e procesit zgjedhor më 6 maj, gjatë të cilit për presidentin dhe parlamentin e Serbisë do të kenë të drejtë vote mbi 109 mijë qytetarë serbë të Kosovës, bënë të ditur përfaqësues të OSBE-së. Nëse serbët përpiqen të organizojnë zgjedhje lokale, Shefi i misionit të OSBE-së, Werner Almhofer , ka thënë se “OSBE-ja ia ka rezervuar vetës të drejtën që të tërhiqet nga roli i lehtësuesit”.
Në një konferencë për media, ata njoftuan se këtë mëngjes kanë arritur në vend të gjitha fletëvotimet dhe materiali tjetër zgjedhor, ndërsa sqaruan mënyrën se si do të votohet këtë të diel në 28 lokacione dhe 90 vendvotime në tërë territorin e Kosovës.
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Werner Almhofer, hodhi poshtë mundësinë që në vendvotime të jenë të pranishëm zyrtarë të shtetit serb, duke thënë se në secilin vendvotim do të ketë vetëm pjesëtarë të stafit të OSBE-së.
“Ne do t’i vendosim diku pesë njerëz në dhomë-tre janë qytetarë vendas. Të gjithë janë të angazhuar nga OSBE-ja; kjo është çështje që i takon ekskluzivisht OSBE-së. Në përbërjen tonë, tre do të duhej të ishin serbë lokalë dhe ne do t’i sjellim dhe nga dy ndërkombëtarë si koordinues dhe përkthyes”, tha ai, transmeton REL.
Marrëveshja e arritur për lehtësimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë ishte arritur më në fund të muajit të kaluar-marrëveshje kjo që nuk vlen dhe për zgjedhjet lokale të kundërshtuara nga Prishtina zyrtare dhe bashkësia ndërkombëtare.
Mirëpo, serbët e pjesës veriore të Kosovës janë zotuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale pavarësisht mungesës së mbështetjes nga qeveria serbe.
Almhofer foli për reagimin e parashikuar të OSBE-së në rast të zbatimit të një skenari të tillë në ditën e zgjedhjeve.
“Është esenciale që zgjedhjet të mbahen në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe duke respektuar plotësisht rolin e OSBE-së. Nëse nuk ndodh kjo, OSBE-ja ia ka rezervuar vetës të drejtën që të tërhiqet nga roli i tij lehtësues”, u shpreh ai.
Në ndërkohë, u ritheksua se për të pasur mundësi për pjesëmarrje në votime, serbëve kosovarë do t’u duhet vetëm një dokument i vlefshëm i Serbisë dhe që emri i votuesit të figurojë në listat e votuesve.
OSBE-ja është zotuar se rolin lehtësues për zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale e parlamentare serbe në Kosovë do ta zbatojë në përputhje me rolin e saj me rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Të vendosur për rikthimin e A2-shit

Drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), janë të vendosur për të vazhduar me punët për ta rikthyer në punë bllokun A2 të Termocentralit “Kosova A”, i cili kishte dalë jashtë prodhimit para dhjetëvjetëve.
Ata kanë thënë se djegia e shiritave transportues në bllokun A 3 të Termocentralit “Kosova A” nuk do të ndikoj në vazhdimin e punëve për të rikthyer njësinë A 2 në prodhim, e cila sipas tyre do të ndikonte në përmirësimin e furnizimit të konsumatorëve me rrymë.
Zëdhënësi i KEK-ut tha për Telegrafin se shumë shpejtë do të zëvendësohen shiritat e djegur të blloku A3 pasi kësi lloj të shiritave ka KEK-u. “Shiritat zëvendësohen edhe dy tri ditë, pasi që KEK-u ka kësi lloj të shiritave në depot e veta”, theksoi Buzhala.
Ai ka bërë të ditur se së shpejtë do të mblidhet komisioni profesional për vlerësimin e këtyre dëmeve nga zjarri, që të cilat janë minimale. 

Patatet e pashitura ndotin ambientin

Mbetja e qindra tonelatave patate të pashitura, që kultivuan fermerët vushtrrias sezonin e kaluar, është shndërruar në faktor ndotës të ambientit. Ato po hidhen në breg të lumit Sitnica përskaj Vushtrrisë.
Gjendje më e rënd po mbretëron në fshatin Pestovë, si territori ku më së shumti kultivohet kjo kulturë bujqësore. Në Drejtorinë Komunale për Inspeksion të Vushtrrisë, konfirmojnë se sivjet po kanë probleme më të mëdha në fshatin Pestovë, pikërisht nga hedhja e mbeturinave, ku për këtë ata thonë të jenë lajmëruar disa herë nga ana e banorëve të këtij fshati.
Zëdhënësi i Komunës në Vushtrri, Bahri Bivolaku, tha se inspektorati komunal vazhdimisht po inspekton në këtë fshatë, por ato mbeturina (patatet e kalbura) po hidhen gjatë natës dhe parandalimi thuajse është i pamundur, raporton Koha net.
Komuna e Vushtrrisë njihet si vendi ku më së shumti kultivohet patatja. Për një sezon në tokat e kësaj komuna mbjellën rreth 70 mijë tonë patate, sa është konsumi i tërësishëm i banorëve në Kosovë. Ndërsa rreth 70 mijë tonë të tjera patate prodhohen për tregun e jashtëm, ku në pamundësi të kësaj fermerët nga Kosova këtë vit kanë shfaqur disa herë revolte e tyre në institucionet vendore.

Vilanova: Ekipet e Mourinhos luajnë keq

Tashmë jemi në dijeni se trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, kishte rivalitet të jashtëzakonshëm me ish-bosin Blaugran, Pep Buardiola, por ky rivalitet vetëm sa do të rritet kur Tito Vilanova të jetë në krye të klubit katalanas.
 Vilanova, të cilit Mourinho i vuri gishtin në sy në Superkupën e Spanjës, mendon se portugezi është trajner defensiv dhe se nuk mund të pritet që ekipet e tij të luajnë futboll atraktiv.
“Nuk është e mundur që një trajner të thotë gjithçka që do për dikë dhe kur dikush përgjigjet, ai të kërcejë me ofendime. Tek e fundit, Mourinho është një trajner i futbollit, i cili kurrë nuk flet për futboll dhe neve nuk na pëlqen kjo”.
“Ekipet e Mourinhos kanë nga gjashtë lojtarë defensivë, katër mbrojtës dhe dy mesfushorë defensivë, të cilët janë të kthyer shumë prapa, e të cilët janë zakonisht futbollistë me fizik të përsosur. Katër lojtarët tjerë para tyre vetëm presin. Ju nuk mund të prisni që ekipet e Jose Mourinhos të luajnë futboll atraktiv”.
“Nuk është mirë kur trajnerët tentojnë të jenë protagonistë. Unë vetëm mund të kuptoj që një trajner dëshiron vëmendje për shkak se nuk ka përvojë dhe nuk e ka përjetuar atë që lojtarët përjetojnë në fushë. Ai do të dëshironte të ishte futbollit, pasi që kurrë nuk ka qenë futbollist”.
“Reali gjithmonë ka pasur lojtarë të mëdhenj. Është normale që ata të fitojnë diçka pas gjithë atij investimi të bërë. Është investimi më i madh në histori. Ata kanë transferuar lojtarët që kanë dashur. Ata kanë shpenzuar më shumë se gjysmën e shumës që kemi shpenzuar ne. Por, nuk ka asgjë në lojën e tyre që më pëlqen mua”, ka deklaruar Vilanova.

Allegri: Juve kontrollon kreun

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, është shprehur tejet i kënaqur me rrjedhën e luftës për titull edhe pse mendon se Juventusi e ka në kontroll luftën për titull në Serie A.
 “Juventusi ka ende gjithçka në duart e veta. Ne vetëm duhet të bëjmë më të mirën dhe të mbajmë garën të hapur, ndërsa shpresojmë për ndonjë lëshim tjetër të Juves edhe pse kjo është e vështirë të ndodhë”.
“Të shohim çfarë ndodh të dielën. Futbolli për këtë është i bukur, gjithçka mund të ndodhë në një ndeshje. Kjo është dëshmia se gjëja më e pamundur për t’u arritur, nëse arrihet është gjëja më e bukur dhe më e pa besueshme”, ka thënë Allegri.
Milani i shkon Interit në derbin lokal që pritet ta vendosë titullin dhe fatin e Interit për Ligën e Kampionëve dhe gjithë kjo para 80 mijë tifozëve Nerazzurë.

Liverpooli, humbje prej 50 mil. funtesh

Menaxheri i Liverpoolit, Ian Ayre, ka këmbëngulur se The Reds janë në formë mjaft të mirë financiare, përkundër faktit se klubi nga Anfield ka regjistruar humbje prej 49.4 milionë funtesh për këtë sezon.
 “Mendoj se njerëzit do të fokusohen në humbjen prej 50 milionë funtesh dhe se nuk ka biznes këtu, por më tregoni se cili klub nuk ka humbje”.
“Pjesa më e madhe e humbjes është për shkak të projektit të ish-pronarëve për ridizajnimin e stadiumit, i cili është defunksionalizuar. Me pronarët e rinj, gjithçka ndryshoi dhe për këtë ka pasur shpenzime që në këtë rast po reflektohen me humbje. Nëse nuk do të kishin qenë këto ndërrime në pronësi dhe në pankinë, atëherë sigurisht se do të kishim qenë në profit të madh”, ka deklaruar Ayre për Liverpool Echo.

Pardew: City nuk do ta ketë të lehtë

Menaxheri i Newcastle Unietd, Alan Pardew, ka paralajmëruar Manchester Cityn në prag të ndeshjes së të dielës.
City është në maje të tabelës me pikë të barabarta me United por me diferencë më të mirë të golave, dhe ka nevojë për fitore për të ruajtur kreun. Por Newcastle është duke luftuar për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve, dhe trajneri i skuadrës ka thënë se ata do të luftojnë për tre pikë në derbin e vikendit.
“Do të jetë një e diel e veçantë. Skuadra që lufton për titull kundër një skuadre që lufton për Ligën e Kampionëve. Nëse dikush do ta thoshte këtë në fillim të sezonit, nuk do ta besoja”.
“Ne meritojmë pozitën ku jemi, siç e meriton City si kandidat për titull. Të kthyer në shtëpi me paraqitjen tonë më të mirë në udhëtim, nëse luajmë siç luajtëm në shtëpi kundër United me tifozët tanë, do të jetë një ditë e veçantë për ne”, ka thënë Pardew. 

Juve refuzon Balotellin

Juventusi raportohet se i ka thënë Mino Raiolas, agjentit të sulmuesit të Manchester Cityt, Mario Balotelli, se ata nuk janë të interesuar të nënshkruajnë me italianin.
Goal shkruan se e ardhmja e 21-vjeçarit me Cityn është e pasigurt pas një mori incidentesh të nxitura nga italiani gjatë sezonit 2011/112, dhe se Roberto Mancini dëshiron ta largojë atë nëse në drejtim të tij vjen ndonjë ofertë e përshtatshme.
Italiani ka thënë se ai dëshiron të vazhdojë në Etihad Stadium, por Raiola tashmë është duke shikuar mundësitë për ta rikthyer atë në Serie A në fund të sezonit.
Sidoqoftë, Juventusi i ka thënë Raiolas se ata nuk është i interesuar për ta blerë sulmuesin. Juve është i interesuar për një emër të njohur në repartin e sulmin, por kanë frikë se prania e tij mund ta çrregullojë harmoninë në dhomën e veshjeve.
Një destinacion tjetër i mundshëm është edhe rikthimi i Balotellit te ish-klubi i tij, edhe pse nuk përjashtohet as Milani që disa herë është lidhur me transferimin e tij. 

Karanka: Kjo është periudha e Madridit

Zëvendëstrajneri i Real Madridit, Aitor Karanka, thotë se me fitimin e titullit të La Ligës fillon erë e re për skuadrën nga Santiago Bernabeu.
“Fundi i kohës së Barcelonës? Unë mendoj vetëm për Madridin. Ne po jetojmë në erën e Real Madridit tash”.
“Nuk ka qenë e lehtë. Ne kemi punuar fuqishëm në para-sezon dhe kemi dhënë shumë gjatë gjithë vitit. Ky është një grup spektakolar i lojtarëve dhe besoj se ata e meritojnë titullin”.
“Ne kemi bërë edhe një hap tjetër përpara këtë vit me këtë sukses. Kampioni i ligës është fitues për gjithë vitin. Ne duhet të vazhdojmë punën e mirë”.
“Është ndjenjë e mirë pas punës që kemi bërë këtë vit. Kjo skuadër ka karakter dhe ky grup i lojtarëve është shumë i fuqishëm. Ata na kanë sjellë neve këtu ku jemi”, ka thënë Karanka në konferencën për shtyp.

Papagalli i humbur tregon adresën e pronares

Një papagall i humbur në Japoni i është kthyer pronares së tij, pasi ka arritur ta tregojë adresën para atyre që e kanë gjetur.
Shpendi ishte larguar nga banesa e tij në qytetin Sagamihara dhe i ka rënë në supe një mysafiri në një hotel të afërt, i cili e ka dërguar në polici.
Zëdhënësi i policisë lokale ka treguar se papagalli e kishte përsëritur tri herë pa u ndalur qytetin nga vinte, lagjen në të cilën banonte, si edhe numrin e shtëpisë së pronares së tij.
Pronarja e tij, një 60-vjeçare, kohë më parë e kishte humbur një papagall, prandaj kur e ka marrë tjetrin, punën e parë që e ka bërë ia ka mësuar adresën. 

Ka pirë urinë për të mbijetuar

Daniel Chong nga San Diego ka qëndruar i paraburgosur për pesë ditë pa ushqim dhe ujë, sepse policët e kishin harruar në qeli. Në vend të ujit, ai e ka pirë urinën e tij për të mbijetuar.
Studenti 24-vjeçar ishte arrestuar së bashku me tetë të tjerë me dyshimin se kishin shitur pilula me ekstazi dhe lloje tjera droge, dhe armë.
Ai ka treguar se policët e DEA i kishin thënë se do të lirohej, madje njëri i kishte premtuar ta dërgojë në shtëpi me automjet.
Mirëpo, pasi e vendosën në një qeli për paraburgim të përkohshëm, policët e harruan! Në qelinë me dimensione tri metra me tri, pa dritare, Chong kishte bërtitur e goditur, por askush nuk e ka dëgjuar.
Kur është gjetur pas pesë ditësh, është dërguar në spital për shkak të dehidrimit dhe për shkak të perforacionit në mushkëri nga xhami i syzeve, të cilat i kishte thyer për të shkruar në dorë “më fal nënë”.
Avokati i tij ka bërë të ditur se Chong po planifikon të ngrejë padi kundër autoriteteve. 

Vendos të pushojë – e konsiderojnë të vdekur

Një punëtor ndërtimtarie në Poloni ia futi gjumë në ulësen e pasme të veturës së tij – ndërsa kur zgjua mori vesh se e kishin raportuar në polici si “trup të braktisur”.
Bartek Bablewski, 36 vjeç, ishte shtrirë të pushojë në automjetin e tij në Poznan, mirëpo trupi i tij i zhveshur u kishte rënë në sy kalimtarëve të tmerruar.
“Zakonisht fle gjatë pauzës së drekës... E kisha larguar këmishën sepse kisha të nxehtë dhe gjithmonë fle me krahët e vendosur mbi gjoks”, ka shpjeguar Bablewski.
Ai ka thënë se policia dhe ekipi paramjekësor kishin tentuar ta hapnin derën duke e frikësuar atë tej mase, ndërsa edhe ata janë frikësuar pasi që ai ka lëvizur.
Policët kanë kërkuar falje për aktin e tyre duke thënë: “Kishim disa thirrje nga njerëzit që thoshin se ishte një trup në veturë”. 

E tradhton tatuazhi

Një femër nga Ohio, e cila ka në ballë një tatuazh që shkruan ‘GOD’ (Zot), është arrestuar për ndjekjen e një oficereje burgu.
33-vjeçarja Jamie Calloway është akuzuar për ndjekjen e oficeres, të cilën kishte filluar “ta simpatizojë” gjatë qëndrimit në burgun e qarkut në Montgomery.
Sipas raportit të policisë, Calloway ia ka shpërthyer gomat e automobilit të oficeres, i ka telefonuar në shtëpi dhe i ka dërguar pako me postë.
Policia ka thënë se ajo ishte identifikuar me lehtësi për shkak të tatuazhit specifik në ballë dhe dhëmbëve të metaltë. 

Sonte arrin Galaxy S III

Në Londër çdo gjë është gati për spektaklin që do të mbaj Samsung sonte – më në fund do të zbulohet pasuesi i Galaxy S II, pajisja e cila, sipas të gjitha gjasave, do të quhet Galaxy S III.
Sipas informatave të mëhershme, dihet se evenimenti sipas kohës tonë do të filloj në orën 20 në Earl’s Court Exhibition Center në Londër. Samsung, gjatë një teaser-kampanje të paparë deri më sot paralajmëroi paraqitjen e “galaktikës së radhës”, duke mos përmendur askund se bëhet fjalë për pasuesin e Galaxy S II, bindshëm telefonit më të shitur me Android OS. Por, përmes kanaleve jozyrtare, më së shumti nga përfaqësuesit e operatorëve mobil, të cilët tashmë janë duke e formuar ofertën verore dhe vjeshtore, nuk ishte vështirë të konfirmohen supozimet më se të qarta – do të paraqitet i treti me radhë Galaxy S, smartphonei i cili me superioritet do të tejkaloj të gjithat që kemi parë deri me sot ...
Është e pabesueshme se si nga numri i pakufishëm i informatave të cilat kinse kanë “rrjedhur” nga Samsung për evenimentin që mbahet sonte, asnjëra nuk është konfirmuar, verifikuar, e besueshme... Rreth Galaxy S III me siguri të qind për qindtë, thënë të drejtën, nuk dihet asgjë – madje as nëse do të quhet kështu në të vërtetë. Samsung ka bërë një punë të mirë për ti bërë njerëzit nervoz dhe të padurueshëm për këtë pajisje të re, por agonia do të përfundoj sonte.

Narcisi shkakton probleme serioze të shëndetit

Bima narcis ka një kokëz që është helmuese, ndërsa, po ashtu, helmuese janë edhe pjesët e tjera të bimës.
Nëse ndodh hyrja e një sasie të madhe të kësaj bime në organizëm, atëherë mund të shkaktojë probleme serioze të shëndetit.
Një kurorë petalesh rrethon pjesën qendrore të lules në formë kupe apo trombe.
Më e përshtatshmja për t'u mbajtur në shtëpi është "Paperwhite", me lule të vogla të bardha.

Korrupsioni armiku kryesor i ambientit afarist

Niveli i lartë i korrupsionit në Kosovë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, po e dëmton shumë rëndë ekonominë e Kosovës. Ata thonë se kjo dukuri është njëra nga barrierat thelbësore në zhvillimin e sektorit privat. Për ta luftuar këtë dukuri, ata thonë se duhet filluar prej strukturave të larta të qeverisë
Drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, thotë se Kosova po vuan shumë nga dukuria e korrupsionit, dhe me një shkallë kaq të lartë të kësaj dukurie, siç thekson ai, është shumë e vështirë të arrihet zhvillim i gjithëmbarshëm ekonomik. “Përveç dëmeve financiare që korrupsioni i shkakton buxhetit të vendit, përveç dëmeve në efiçencë dhe në mosshfrytëzimin e resurseve në mënyrën më të mirë të mundshme, korrupsioni dëmton edhe ambientin afarist në Kosovë, pasi që kjo dukuri i jep mundësi që firmave jo të mira të marrin pjesë në treg dhe firmave që kanë aftësi gradualisht të shpërbëhen”, thekson Abdixhiku.
Korrupsioni në Kosovë, sipas Abdixhikut, po krijon një konkurrencë të pabarabartë mes akterëve në treg, dhe kjo konkurrencë e tillë, siç thekson ai, po rezulton me mungesë të mbledhjes së tatimeve si dhe jo shfrytëzim adekuat të resurseve.
Ndërkaq, sipas profesorit të ekonomisë Musa Limani, dukuria e korrupsionit në Kosovë është faktor kryesor që e bën Kosovën të ballafaqohet me gjendje të vështirë ekonomike. “Situatën shumë të rendë ekonomike dhe sociale unë mund të them se e ka sjellë pikërisht korrupsioni. Korrupsioni është shumë i shprehur dhe ndikon jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por në të gjitha sferat e jetës. “Mirëpo është një dukuri që është shumë vështirë të luftohet, për arsye se edhe ai që jep, edhe ai që merr, marrin përgjegjësi dhe është shumë vështirë tët zbulohet dhe të luftohet”, thekson profesor Limani.
Për ta evituar problemin e korrupsionit, profesori Limani thotë se duhet të krijohet infrastrukturë e mirë ligjore, që atyre personave të cilët janë pasuruar në mënyrë të dyshuar, t’iu konfiskohet pasuria. “Lidershipi aktual kosovar, duhet t’i kthehet interesit të këtij populli, dhe t’i lë garat mes veti, që të mos luftojnë të vijnë në pushtet, por të punojnë që ta ngritin zhvillimin ekonomik dhe ta zbusin gjendjen e rëndë sociale në vend”, thekson profesor Limani. 

Çmimet e naftës ndryshojnë pak

Kontratat e naftës janë lëkundur të enjten në vlera të vogla duke reflektuar si shqetësimin e investitorëve për ekonominë globale edhe pritshmërinë për stimul të ekonomisë nga bankat qendrore më të mëdha në botë. Presioni zhvlerësues për naftën vjen nga raporti i dobët i punësimit në Shtetet e Bashkuara që rrit pritshmërinë për rënie të konsumit.
Presioni vjen edhe nga raporti i dobët i prodhimit dhe i punësimit në eurozonë që ndikon negativisht në konsumin e naftës. Të dyja bashkë këta elementë shtojnë frikën dhe largojnë investitorët nga asetet me risk, klasë në të cilin përfshihet nafta.
Megjithatë masa e korrektimit mbështetet jo vetëm nga tensioni i qëndrueshëm në lidhen e mesme por edhe pritshmëria që të ketë injektimi të likuiditetit në sistem për të mbështetur ekonominë.
Nafta bruto Brent e Londrës për qershorin u rrit 15 cent në 118.35 dollarë për fuçi duke rikuperuar një pjesë të humbjes 1 për qind të sesionit të kaluar. nafta bruto amerikane për qershorin ra 10 cent në 105.12 dollarë për fuçi. 

Materiali zgjedhor i Serbisë arrin në Kosovë

OSBE-ja ka pranuar në qytetin serb, Kralevë, fletëvotimet dhe materialin zyrtar zgjedhor nga KQZ e Serbisë, për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, që do të mbahen më 6 maj edhe në Kosovë.
Sipas burimeve ndërkombëtare të gazetës “Koha Ditore”, dy kamionë si dhe dy furgonë në përcjellje të policisë së Serbisë kanë ardhur deri në pikëkalimin kufitar në Jarinje, ndërsa aty materiali zgjedhor është dërguar në Mitrovicë në përcjellje të Policisë së Kosovës.
Është hera e parë nga përfundimi i luftës që Komisioni Qendror Zgjedhor i Serbisë nuk organizon zgjedhje në Kosovë, por këtë tani po e bëjnë organizmat ndërkombëtar.

Në veri edhe zgjedhjet lokale serbe?

Në veri të Kosovës, ku serbët do të votojnë më 6 maj për kryetar dhe deputetë në parlamentin e Serbisë, do të mbahen edhe zgjedhjet lokale. Burime Kosovapressit nga veriu bëjnë të ditur se janë shtypur fletëvotimet dhe gjithçka është gati në komunat e Zveçanit dhe Zubin Potokut, ku do të mbahen edhe zgjedhjet lokale.
“Në Zveçan nga gjithsej 117 kandidatë për këshilltarë që ndodhen nëpër lista, do të zgjidhen 27 prej tyre, ndërsa në Zubin Potok do të konkurrojnë gjithsej rreth 90 këshilltarë për parlamentin lokal të kësaj komune”, kanë thënë burimet, duke shtuar se në veri ditën e zgjedhjeve do të hapen gjithsej 90 vendvotime në 28 lokacione të ndryshme.
Burimet më tej kanë shtuar se këtë vit do të ketë dukshëm më pak vendvotime sesa vitet e kaluara, ndërsa shumë pjesëtarë të MUP-it serb janë angazhuar për gjendjen e sigurisë ditën e zgjedhjeve.

“ÇOHU!”: Pushteti po e han shtetësinë e Kosovës

Janë bërë gati dy javë prejse Gazeta “Preportr” ka dalë me një raport hulumtues që tregon mbi shpërndarjen e mbi 100 milionë eurove të parasë publike, financuesve të partisë në pushtet, PDK-së. Brenda disa orësh, kjo parti ka marrë guximin t’i quajë shpifje raportet në të cilat gazetarët hulumtues të Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese (QKGH) si dhe hulumtues të Organizatës “ÇOHU!” i kanë përgatitur për gati gjysmë viti. Gati gjysmë viti puna e gjashtë hulumtuesve është njollosur si shpifje nga partia në pushtet, por për dy javë rresht nuk është dhënë asnjë argument dhe nuk është bërë asnjë përpjekje për ta konfirmuar këtë pretendim të PDK-së. Kjo është mënyra tipike e kualifikimeve që PDK-ja ka bërë në vazhdimësi për dhjetëra, apo edhe qindra raporte hulumtuese të gazetarëve e medies kosovare, thuhet në komunikatën e Organizatës “ÇOHU!”.
Në kumtesën për media Organizata “ÇOHU”, më tej thotë se, “duke kapur kanalet kryesore televizive nga të cilat informohet qytetari kosovar, para së gjithash televizioni publik, i mbushur me ithtarë të devotshëm të PDK-së, kjo parti po vazhdon që me arbitraritet t’iu përgjigjet raporteve të faktografuara për krime masive ekonomike”.
“Prodhim direkt i kësaj hajnie masive është një pushtet autoritar që bën kompromise politike në kurriz të shtetit pa i dhënë llogari askujt. Deputetë, anëtarë të kryesisë së Parlamentit, sindikalistë, po ashtu janë shndërruar në njerëz të kamur duke iu mbyllur kështu gojën edhe atyre që do të duhej të kërkonin llogari nga pushteti jo vetëm për manipulimin masiv të parasë publike, por edhe për kompromiset e vazhdueshme në kurriz të shtetësisë së Kosovës.
Më tej “ÇOHU!”, thotë se “skema e PDK-së në pushtet është e thjesht, por gjigante. Qindra miliona euro u janë shpërndarë kompanive që kanë financuar këtë parti, ose janë shpërndarë për kompanitë që janë themeluar enkas për tenderë publikë, e që kanë shërbyer si burim për shndërrimin e politikanëve në milionerë brenda dy mandateve. Sot liderët e Kosovës, madje bashkë me bodigardët e tyre e me zyrtarë nga të gjitha nivelet, kanë vlera pasurore marramendëse. Mbase, pushtetarët aktual kosovarë, janë politikanët e zyrtarët më të pasur në rajon, por i prijnë vendit më të varfër që po varfërohet edhe më shumë në vazhdimësi”.
“Produkti më i freskët final i korrupsionit masiv në Kosovë është fenomeni i parë botëror i organizimit të zgjedhjeve të një shteti në territorin e një shteti tjetër madje nën administrimin e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare, siç është OSBE. Kosova sot po e pranon legjitimitetin e shtetit serb në një pjesë të territorit si pasojë direkte e futjes masive në korrupsion të tërë spektrit politik në pushtet, edhe atë në të gjitha degët e pushtetit”, thuhet në komunikatë.

Nuk duan ta intervistojnë ish zyrtarin e sigurimit serb

Tribunali i Hagës nuk do ta ftoj për të dëshmuar në rastin “Haradinaj dhe të tjerët”, ish-zyrtarin e lartë të sigurimit serb në Kosovë, Zoran Stiojovic.
Trupi Gjykues në rastin “Haradinaj dhe të tjerët” ka marrë vendim që mos ta thërras Zoran Stijovicin për të dëshmuar në procesin gjyqësor kundër tre ish-eprorëve të UÇK-së.
Gjatë luftës në Kosovë, Zoran Stijovic ka qenë shef i sektorit të analistikës i shërbimit inteligjent të Serbisë. Ai ka qenë i angazhuar me detyrë në Kosovë, njofton KosovaTimes.
Në një dokument të Hagës që e ka parë Kosovatimes.net thuhet se Trupi Gjykues nuk do ta ftojë Stijovicin për arsye se Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj nuk dëshirojnë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre që bashkë me avokatët ta marrin në pyetje ish-agjentin serb.
Përndryshe, Stijovic është dëshmitarë i Prokurorisë së Hagës dhe ai ka dëshmuar kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në dy gjykimet kundër Ramush Haradinajt.
Tribunali i Hagës ka vendosur dje që më 11 qershor të dorëzohen deklaratat përmbyllëse me shkrim në rastin “Haradinaj dhe të tjerët” ndërsa seancat përfundimtare do të mbahen më 25 dhe 26 qershor.

Drews: Maunat me barna ruse nuk paraqisnin rrezik

Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, ka thënë se trupat e tij kanë vlerësuar se maunat me medikamente të ardhura nga Rusia nuk kanë paraqitur ndonjë rrezik për ambientin e qetë dhe të sigurt në Kosovë, prandaj dhe nuk kanë marrë asnjë veprim ndaj tyre. Ai ka përkujtuar se trupat e KFOR-it nuk kanë mandat që të kryejnë detyrat e policisë kufitare apo të doganave dhe se nganjëherë "pritjet janë më të mëdha se çfarë duhet të bëjë KFOR-i dhe çfarë jo".
Në këtë mënyrë ai i është përgjigjur shqetësimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili kishte shprehur brengën për lejimin e papenguar të kamionëve me mallra në kalimet ilegale kufitare nga Serbia në Kosovë.
Në mëngjesin e së hënës nëpërmjet rrugëve alternative të kufirit me Serbinë është futur një kamion, dërgesë nga Rusia, e deklaruar të ketë ngarkesë me barna dedikuar spitalit të Mitrovicës. Ministri Rexhepi menjëherë pati reaguar për këtë. Ai qe shprehur i indinjuar që KFOR-i, mision i NATO-s në Kosovë, ka lejuar një gjë të tillë, ngaqë, sipas tij, kamioni mund të ketë pasur edhe armatim brenda, transmeton Koha.net. 

Edhe dy muaj paraburgim për Mustafin

Një muaj pas arrestimit, gjyqtarët e EULEX-it kanë vendosur të mërkurën që t’ia vazhdojnë edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit shefit të Task-Forcës kundër korrupsionit në Prokurorinë Speciale të Kosovës, prokurorit Nazmi Mustafi.
Pos ndaj tij, e njëjta masë është vazhduar edhe për Reshat dhe Xhelal Zherkën, të cilët dyshohen se kanë qenë “sekserët” e prokurorit, njofton “Zëri”.
Ata dyshohen se kanë qenë ndërmjetësues në lëndët që po hetonte prokurori Mustafi për të kërkuar të holla tek personat që po hetonte prokurori dhe atë në këmbim të lirisë apo mosakuzimit.
“Kolegji i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një gjykatës vendor nga Gjykata e Qarkut në Pejë i ka vazhduar paraburgimin Nazmi Mustafit dhe dy të dyshuarve të tjerë, edhe për dy muaj, deri më 2 korrik”, ka njoftuar zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi.
Mustafi dhe dy personat e tjerë janë arrestuar një muaj më parë pas disa denoncimeve që janë bërë në prokurori. Deri më tani nga prokurori i EULEX-it, i cili po udhëheq me këtë rast, janë marrë në pyetje më shumë se dhjetë dëshmitarë.
Marrja në pyetje e dëshmitarëve do të vazhdojë edhe gjatë kësaj kohe sa Mustafi me shokë do të jenë prapa grilave.

KFOR-i neutral ndaj zgjedhjeve serbe

Pjesëtarët e KFOR-it do të jenë neutralë kundruall zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe në të njëjtën kohë do të jenë në gjendje gatishmërie për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt në gjithë territorin e vendit, ka bërë të ditur të mërkurën komandanti i këtyre trupave, gjenerali gjerman Erhard Drews.
Sipas tij, në pjesën dërrmuese të vendit në ditët në vijim përgjegjës për sigurinë do të jenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ndërkohë që KFOR-i do të ofrojë mbështetjen e duhur atje ku është e nevojshme.
"KFOR-i do të veprojë me dy parime. Parimi i parë është se as nuk do të jetë mbështetës i zgjedhjeve e as nuk do të jetë pengues i zgjedhjeve, por do të jemi neutralë në aspektin e zgjedhjeve. Ndërsa sa i përket parimit të dytë, ne do të jemi në gjendje gatishmërie dhe do të përqendrohemi që ta mbajmë një situatë të qetë dhe të sigurt, pa marrë parasysh se në cilën pjesë të Kosovës kanoset rreziku për situatën e sigurisë dhe pavarësisht nga ajo se kush do të jetë shkaktar i përshkallëzimit të situatës. Por po ashtu dëshiroj të potencoj se në bazë të gjitha informatave që kemi gjendja e sigurisë në pjesën dërrmuese të vendit do të sigurohet nga forcat policore dhe duhet të kemi besim të plotë", ka thënë Drews, pas takimit me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, transmeton Koha.net.
Paraprakisht ai ka takuar përfaqësuesit e Bashkësisë Islame, të Kishës Katolike dhe të Kishës Ortodokse Serbe, duke çmuar kontributin e tyre për tolerancë jo vetëm etnike por edhe fetare.
Drews ka përkujtuar se aktualisht përgjegjësinë për sigurinë në vend e kanë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, përderisa "KFOR-i qëndron si shtyllë shtesë, si garant, për rrethanat në të cilat organet e tjera të rendit nuk mund t'ia dalin" dhe sipas tij kjo vlen si për pjesën veriore të vendit ashtu edhe për atë jugore.
Në këtë drejtim Drews ka pohuar se përkrahje do të japin edhe trupat shtesë, që tashmë janë stacionuar në Kosovë dhe janë në gjendje gatishmërie për të vepruar atje ku ka nevojë. Gjenerali gjerman ka pranuar se do të ishte e logjikshme që në rrethanat aktuale të Kosovës ato trupa të vendosen në pjesën veriore, por ka theksuar se "këto trupa do të jenë të përqendruara në pjesën jugore dhe qendrore të Kosovës".
Për shkak të situatës në prag të zgjedhjeve serbe, KFOR-i gjatë ditëve të fundit është përforcuar me 700 ushtarë gjermanë dhe austriakë.

Kosova pajtohet, Serbia s’ia pranon nënshkrimin

Dialogu teknik mes Edita Tahirit dhe Borislav Stefanovicit, ndonëse ishte “në pauzë”, ka prodhuar një marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Atë për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Marrëveshja është ndërmjetësuar me Bashkimin Evropian dhe është diskutuar me OSBE-në vetëm pas arritjes së saj. Ndërmjetësues kanë qenë bashkëpunëtorët e ndërmjetësit të dialogut teknik, Robert Cooper, njofton “Koha Ditore".
Zyrtarë të lartë evropianë kanë shpjeguar për gazetën se vetë ndërmjetësi i dialogut teknik, Robert Cooper, ka qenë i informuar për detajet e marrëveshjes, por nuk ka qenë ndërmjetës personalisht në çdo takim, për shkak të angazhimit të tij në një mision.
Megjithatë, marrëveshja e nënshkruar nuk e përmban Kosovën si palë, për shkak se Serbia nuk pranon që të nënshkruhet aty ku nënshkruhet Kosova. Dokumenti është nënshkruar vetëm nga Serbia dhe OSBE-ja, dhe në të thuhet se OSBE-ja ka mbështetjen e autoriteteve të Kosovës.
Zyrtarët evropianë e kanë quajtur edhe marrëveshjen që do t`i mundësojë OSBE-së të organizojë zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale të Serbisë në Kosovë si marrëveshje teknik. 

EULEX-i do të arrestojë bandat kriminale në veri

Misioni EULEX i Bashkimit Evropian (BE) së shpejti do të dërgojë njësite speciale policore për arrestime masive të kriminelëve serbë në veri të Kosovës.
Burime diplomatike të afërta me misionin e BE-së në Prishtinë bëjnë të ditur se rreth 300 policë të cilat i përkasin njësiteve elitare do të fillojnë aksionin për arrestimin e kriminelëve serb të cilët veprojnë në këtë pjesë, dhe që përmes kontrabandës dhe veprave tjera penale përfitojnë miliona në dëm të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, transmeton agjencia e lajmeve INA.
“Në mesin e këtyre grupeve kriminale janë edhe shqiptarë, që bashkëpunojnë me botën e krimit në veriun e Kosovës”, tha diplomati perëndimor, duke paralajmëruar se një aksion i tillë do të zhvillohet pas zgjedhjeve të 6 majit në Serbi.
Vendimi i Brukselit vjen pas protestave të të rinjve mitrovicas kundër sjelljeve të EULEX-it në raport me kriminelët serbë në veriun e Kosovës.
Një muaj më parë dhjetëra studentë dhe nxënës, anëtarë të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal të Mitrovicës në bashkëpunim me Lëvizjen “Koha”, kanë protestuar para selisë së EULEX-it në Mitrovicë, në shenjë pakënaqësie me punën e këtij misioni i cili sipas tyre po i mbyll sytë para ngjarjeve makabre në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. 

Gazetarët bojkotojnë institucionet dhe partitë

Gazetarët të enjten, me rastin e 3 Majit, Ditës së lirisë së shprehjes do të bojkotojnë institucionet qendrore dhe subjektet politike, për të kërkuar kthimin në Kuvend të Kodit të ri penal, pasi sipas tyre, nenet 37 dhe 38 cenojnë lirinë e shprehjes.
Bojkot, sepse liria e shtypit nuk negociohet.
Bojkot, sepse me Kodin e ri Penal, liria e shtypit fundoset.
Bojkot, sepse Kodi i ri Penal duhet të rikthehet në Kuvend dhe nenet 37 e 38 duhet të hiqen.

Gjërat që meshkujt nuk i pranojnë

Ngjashëm sikurse femrat, edhe meshkujt kanë shprehitë e tyre të cilat nuk duan t’ia zbulojnë askujt, e në veçanti JO femrave.
Meshkujt masturbojnë shumë më shpesh sesa mendojmë
Edhe pse partneri juaj ndoshta nuk do t’ua pranojë, megjithatë shumica e meshkujve masturbojnë çdo ditë edhe atë disa herë. Nëse e gjeni mashkullin tuaj duke plotësuar nevojat e veta, mos bëni panik dhe mos e konsideroni këtë si tradhti ose perversitet, sepse kjo është teknika e tyre e relaksimit, sikurse që është për femrat dushi i ngrohtë i mbrëmjes.
Edhe meshkujt argëtohen me filmat romantikë
Rrallë ndonjë mashkull do ta pranojë hapur se i pëlqen të qeshet me komeditë romantike, mirëpo shumica e tyre i pëlqejnë filmat e tillë.
Ata duan të dinë gjithçka për ju
Po, po, nuk janë femrat të vetmet që duan ‘t’i fusin hundët’ në të kaluarën e të tjerëve. Ngjashëm sikurse agjentët sekretë, meshkujt do të shfrytëzojnë të gjitha burimet e mundshme për të ditur gjithçka për ju, ndërsa një shembull është Facebooku, i krijuar për informata të tilla. Jini të gatshme, sepse do t’ju pyesë për secilin shok që keni apo për ndonjë tjetër që dëshiron të shoqërohet me ju.
Edhe meshkujt kanë komplekse
Edhe pse femrat janë eksperte në zbulimin e të metave në dukjen e tyre, as meshkujt nuk qëndrojnë larg me këtë aftësi. Edhe ata vuajnë kur janë përpara pasqyrës dhe shohin barkun e tyre, i cili ka filluar të rritet dhe fillojnë ta pyesin veten: “Kur ka ndodhur kjo?”. Edhe ata i provojnë pantallonat dhe këmishët nga e kaluar, për të kuptuar nëse akoma kanë të njëjtin numër. Edhe pse këtë nuk do ta thonë asnjëherë, edhe ata vuajnë nga ndryshimet që i sjell jeta dhe mosha.

Lindsay Lohan rikthehet me Samantha Ronson?

Lindsay Lohan është ribashkuar me ish-të dashurën e saj, Samantha Ronson, gjatë një mbrëmje në New York.
Aktorja 25-vjeçare është parë shumë e afërt me ish-të dashurën e saj, me të cilën ajo ishte në lidhje lesbike për dy vite (2007-2009), para se ata të ribashkoheshin shkurtimisht edhe vitin e kaluar.
Dyshja raportohet se kanë dalë në klubin e natës Le Baron dhe “nuk kanë mundur të shkëputen” duke u argëtuar aty gjithë natën.
“Lindsay dhe Sam pëshpëritnin dhe qeshnin dhe u larguan nga klubi dorë për dorë. Ato nuk shqetësoheshin se kush i sheh dhe përfundimisht dukeshin se ishin në lidhje. Ishte si në ditët e vjetra, ato nuk ngopeshin me njëra tjetrën”, ka thënë burimi për X17 Online. 

Ledina: Di të gatuaj shumë mirë

Këngëtarja nga Shqipëria, Ledina Çelo, e cila tash e një vit është bërë nënë, ka pohuar se i pëlqen të gatuajë dhe se din të gatuajë shumë mirë.
“Gatuaj shumë mirë. I qaj specat e mbushur, ose patllëxhanët me mozzarella në furrë. Një ëmbëlsirë të cilën ma ka mësuar nëna ime, shëndetlinë, e qaj dhe këtë”, ka thënë këngëtarja gjatë një interviste për mediat shqiptare.
Përveç kësaj Ledina ka pohuar se pavarësisht që tashmë ka filluar me projekte të reja muzikore, ajo ndjen kënaqësi të jetë zonjë e shtëpisë.
“Të qenurit zonjë shtëpie më jep kënaqësi… Dhe pse tani sapo kam filluar sërish të rinis projektet e mia muzikore, po kjo s’do të thotë që të më pengojë. Për secilën gjej kohën e vet”, ka shtuar Ledina. 

Conte i frustruar pas barazimit ndaj Lecces

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, thotë se ata janë vetë fajtor pas barazimit 1-1 në takimin e mbrëmshëm ndaj Lecces.
Avantazhi prej tre pikësh i Bianconerëve ndaj Milanit në maje të tabelës tash është ngushtuar në vetëm një pikë pas barazimit befasues ndaj Lecces, që erdhi pas një gabimi të Gianluigi Buffon.
“Kështu është futbolli. Ishte një barazim kaotik, por nuk është hera e parë që kjo ndodh. Sot ishte radha jonë të pranojmë një gol të çuditshëm”.
“Është edhe një arsye se pse ne duhet të zhvillohemi, por është e qartë se ka pendime, pasi ne mund t’i ishim afruar edhe më shumë Scudettos”.
“Nëse në dy ndeshjet e fundit ne ia dalim mirë, atëherë do ta fitojmë titullin, përndryshe ekipi tjetër do të jetë më i mirë”, është shprehur Conte. 

Mourinho: Barca e di se ne e meritojmë titullin

Trajenri i Real Madridit, Jose Mourinho, e ka quajtur Barcelonën një “klub me traditë”, që e di se Reali e meriton titullin e këtij sezoni.
“Kam fituar titullin e ligës në Portugali, Itali dhe Angli, por ky ka qenë më i vështiri. Kam fituar shtatë tituj të ligave në përgjithësi dhe e di se si është”.
“Barcelona i ka fituar të gjitha ndeshjet, siç i ka hije një skuadre të shkëlqyeshme si ta. Ata kanë fituar deri në ditën e fundit. Ata janë një klub me një traditë të madhe, të cilët e dinë se ne merituam ta fitojmë titullin”, ka thënë Mourinho.

Rossi grushton lojtarin, shkarkohet nga Viola (video)

Fiorentina ka shkarkuar trajnerin Delio Rossi pasi ai ka humbur durimin dhe ka grushtuar mesfushorin Adem Ljajic në barazimin e mbrëmshëm 2-2 ndaj Novaras.
Mesfushori serb duartrokiti në mënyrë sarkastike dhe lëshoi një mori ofendimesh në drejtim të trajnerit kur u zëvendësua pas vetëm 36 minutash lojë. Kjo bëri që Rossi të humbë durimin dhe të sulmojë tinejxherin, duke e kapur atë për qafe dhe duke e rrëzuar gjatë një rrëmuje në karrigen e Violas.
“Fatkeqësisht ishte një incident serioz dhe është edhe më i mahnitshëm duke marrë parasysh se ai është një person i qetë, por ne duhej ta shkarkonim trajnerin”.
“Në vitet e fundit ky klub ka bërë gjëra të mrekullueshme me vlera të caktuara dhe fatkeqësisht ne duhej ta merrnim vendimin për ta shkarkuar taktikun”.
“Nesër (sot) ne do të marrim më shumë vendime dhe do të ketë kohë për të gjetur zëvendësimin”, ka thënë pronari i klubit, Andrea Della Valle. 

Cruyff: Guardiola bëri mirë që u tërhoq

Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, mendon se Pep Guardiola ka marrë vendimin e duhur kur vendosi të mos e vazhdojë kontratën me klubin.
“Mendoj se është vendim i mirë pasi kjo është një detyrë që të konsumon, puna që ai bëri ka qenë shumë mirë e realizuar dhe duhet fuqi për t’u vazhduar, veçanërisht në një kohë shumë të vështirë, pasi ka ndryshime të cilat duhet të bëhen”.
“Të lësh lojtarë jashtë dhe të jesh i detyruar të fitosh gjithë kohën, është e kushtueshme”, ka thënë Cruyff. 

Ronaldo i ngazëllyer me titullin e kampionit

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është i ngazëllyer që më në fund ka fituar titullin e parë të kampionit të Spanjës, pas fitores së mbrëmshme 3-0 ndaj Athletic Bilbao.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur. Ky është titulli im i parë në Spanjë dhe jam i ngazëllyer. Ne e kemi arritur objektivin tonë dhe të gjithë jemi të ngazëllyer që e kemi fituar La Ligën”.
“Ne të gjithë kemi një kënaqësi të madhe që kemi arritur objektivin tonë pasi kemi luftuar për dhjetë muaj. Liga është edhe më e vështirë kur ju luftoni për të me një skuadër si Barcelona, por ndjeni kënaqësi kur mposhti një prej skuadrave më të mira. Ne ishim ë të mirë se ata”.
“Titulli i ligës është ai të cilin e doja më së shumti. Kam dy çmime të Këpucës së Artë në shtëpi. Do të ishte mirë të fitoj edhe një tjetër, por nuk më vjen keq nëse nuk e arrij”, ka thënë portugezi. 

Gerrard kurrë nuk lodhet së luajturi kundër Chelseat

Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, thotë se ai kurrë nuk lodhet së luajturi kundër Chelseat.
Pasi janë përfshijë në aq shumë ndeshje të mëdha, skuadra e Gerrard to të përballet me Blutë edhe një herë, kësaj here të shtunën në finalen e Kupës FA në Wembley, që do të jetë një ndeshje edhe më e veçantë pasi luftohet për trofe.
“Nuk mendoj se ne ndonjëherë lodhemi duke luajtur ndaj tyre. Ato janë përballje fantastike, me të gjithë ata top lojtarë në fushë”.
“Ka një interesim të madh në ndeshje dhe kjo është një sfidë e vërtetë për të dyja ekipet. Duket se që ne të fitojmë diçka duhet t’i tejkalojmë ata”, ka thënë Gerrard për revistën zyrtare të Liverpoolit. 

Mbretërit sundojnë Spanjën!

Me fitoren prej 3-0 kundër Athletic Bilbaos në Estadio San Mames, Real Madridi është shpallur edhe matematikisht kampion i Spanjës për sezonin 2011/2012, dy javë pa përfunduar La Liga.
Javi Martinez e preku topin me dorë në zonë, ndërsa arbitri akordoi penalti në favor të mysafirëve, mirëpo goditjen e Cristiano Ronaldos e ndali portieri Iraizoz (12’).
Pas një aksioni të Los Blancos, Gonzalo Higuain e shënoi golin e parë në ndeshje, ndërsa asistues ishte Mesut Oezil (16’).
Numri dhjetë ishte realizues i golit të dytë pas një kundërsulmi të Mbretërve (20’), ndërsa meritorë për këtë gol ishin Alonso dhe Ronaldo, i cili e bëri asistin.
Pesë minuta brenda pjesës së dytë, Xabi Alonso dërgoi një harkim nga këndi dhe Cristiano Ronaldo e nguliti me kokë topin në rrjet (50’).
Në vazhdim të ndeshjes, baskët tentuan të bënin diçka dhe të shënonin së paku golin e nderit për tifozët e pranishëm në stadium, por nuk arritën ta bëjnë as këtë.
Pas kësaj fitoreje, Real Madridi ka 94 pikë, shtatë më shumë se Barcelona kur kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar. Kjo do të thotë se Los Merengues shpallen kampionë të Spanjës për të 32-tën herë në histori të La Ligas.
Ndërkaq, Jose Mourinho bëhet trajneri i parë në histori që i ka fituar katër kampionate të ndryshme elitare në Evropë (Portugali, Angli, Itali dhe Spanjë).