Daniel Chong nga San Diego ka qëndruar i paraburgosur për pesë ditë pa ushqim dhe ujë, sepse policët e kishin harruar në qeli. Në vend të ujit, ai e ka pirë urinën e tij për të mbijetuar.
Studenti 24-vjeçar ishte arrestuar së bashku me tetë të tjerë me dyshimin se kishin shitur pilula me ekstazi dhe lloje tjera droge, dhe armë.
Ai ka treguar se policët e DEA i kishin thënë se do të lirohej, madje njëri i kishte premtuar ta dërgojë në shtëpi me automjet.
Mirëpo, pasi e vendosën në një qeli për paraburgim të përkohshëm, policët e harruan! Në qelinë me dimensione tri metra me tri, pa dritare, Chong kishte bërtitur e goditur, por askush nuk e ka dëgjuar.
Kur është gjetur pas pesë ditësh, është dërguar në spital për shkak të dehidrimit dhe për shkak të perforacionit në mushkëri nga xhami i syzeve, të cilat i kishte thyer për të shkruar në dorë “më fal nënë”.
Avokati i tij ka bërë të ditur se Chong po planifikon të ngrejë padi kundër autoriteteve.