Edhe dy muaj paraburgim për Mustafin

Një muaj pas arrestimit, gjyqtarët e EULEX-it kanë vendosur të mërkurën që t’ia vazhdojnë edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit shefit të Task-Forcës kundër korrupsionit në Prokurorinë Speciale të Kosovës, prokurorit Nazmi Mustafi.

Pos ndaj tij, e njëjta masë është vazhduar edhe për Reshat dhe Xhelal Zherkën, të cilët dyshohen se kanë qenë “sekserët” e prokurorit, njofton “Zëri”.
Ata dyshohen se kanë qenë ndërmjetësues në lëndët që po hetonte prokurori Mustafi për të kërkuar të holla tek personat që po hetonte prokurori dhe atë në këmbim të lirisë apo mosakuzimit.
“Kolegji i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një gjykatës vendor nga Gjykata e Qarkut në Pejë i ka vazhduar paraburgimin Nazmi Mustafit dhe dy të dyshuarve të tjerë, edhe për dy muaj, deri më 2 korrik”, ka njoftuar zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi.
Mustafi dhe dy personat e tjerë janë arrestuar një muaj më parë pas disa denoncimeve që janë bërë në prokurori. Deri më tani nga prokurori i EULEX-it, i cili po udhëheq me këtë rast, janë marrë në pyetje më shumë se dhjetë dëshmitarë.
Marrja në pyetje e dëshmitarëve do të vazhdojë edhe gjatë kësaj kohe sa Mustafi me shokë do të jenë prapa grilave.