Të vendosur për rikthimin e A2-shit

Drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), janë të vendosur për të vazhduar me punët për ta rikthyer në punë bllokun A2 të Termocentralit “Kosova A”, i cili kishte dalë jashtë prodhimit para dhjetëvjetëve.

Ata kanë thënë se djegia e shiritave transportues në bllokun A 3 të Termocentralit “Kosova A” nuk do të ndikoj në vazhdimin e punëve për të rikthyer njësinë A 2 në prodhim, e cila sipas tyre do të ndikonte në përmirësimin e furnizimit të konsumatorëve me rrymë.
Zëdhënësi i KEK-ut tha për Telegrafin se shumë shpejtë do të zëvendësohen shiritat e djegur të blloku A3 pasi kësi lloj të shiritave ka KEK-u. “Shiritat zëvendësohen edhe dy tri ditë, pasi që KEK-u ka kësi lloj të shiritave në depot e veta”, theksoi Buzhala.
Ai ka bërë të ditur se së shpejtë do të mblidhet komisioni profesional për vlerësimin e këtyre dëmeve nga zjarri, që të cilat janë minimale.