Mposhtet Barca

Me rezultat 1-0 në favor të Bluve, ka përfunduar sfida e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve, mes Chelseat dhe Barcelonës, që u zhvillua të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge.
Ashtu siç bëjnë gjithmonë, Blaugranët e dominuan ndeshjen që nga minuta e parë, megjithatë ishin Blutë ata që u treguan paksa më të rrezikshëm në fillim të takimit.
Rastin e parë të vërtetë e pati Alexis Sanchez, i cili e paraboloi portierin Cech, por topin e goditi transversalen. Menjëherë pas, John Terry ka mundur t’i dënojë mysafirët, mirëpo nuk u tregua i efektshëm në zonë. Pasiguria në mbrojtje ka mundur t’u kushtojë katalunasve, megjithatë ishte Dani Alves ai që disa herë i shpëtoi dy qendërmbrojtësit, Puyol e Mascherano.
Nga ana tjetër, faza ofensive e mysafirëve vazhdonte të jetë e jashtëzakonshme. Përmendim një rast të mirë të Cesc Fabregas dhe goditjen me kokë të Lionel Messit. Ishte po Fabregas që mundi ta kalojë Barcelonën në epërsi kah fundi i pjesës së parë, mirëpo Ashley Cole shpëtoi gol të sigurt.
Përkundër lojës më të mirë të Barcelonës, suksesi në 45 minutat e para ishte në favor të Chelseat. Pas një kundërsulmi të shpejtë të Bluve, Didier Drogba pranoi një top nga Ramires për t’i çuar në ekstazë tifozët vendas (45’+2).
Në gjysmën e dytë skuadra mysafire vazhdoi ta administronte lojën në tentativë për të realizuar, mirëpo mbrojtja vendase ishte shumë e sigurt.
Leo Messi tentoi disa herë që të bënte diçka, por pa sukses. Mbrojtësi i krahut Adriano provoi depërtimin dhe goditjen, ndërsa në vend ishte Cech.
Nga rastet më të mira të kësaj pjese ishte ai i Alexis Sanchez, kur Fabregas i dërgoi një top të mrekullueshëm, por kiliani u vonua më shumë sa që duhej.
Salomon Kalou ka mundur shumë lehtë ta dyfishojë epërsinë e vendasve, megjithatë e dërgoi topin përmbi portë. Nga ana tjetër, Cech bëri një intervenim vendimtar kur pas një goditjeje të lirë të Messit, Puyol pati rast ta barazonte rezultatin. Një rast të bukur për të shënuar e pati edhe Pedro në minutat shtesë, por topi e goditi vetëm shtyllën.
Ndeshja kthyese që zhvillohet në Camp Nou do të vendosë se kush do të luajë në finale. Kjo nuk është një epërsi që nuk mund ta përmbysë Barcelona, ndërsa pozitive për Chelsean është mospranimi i golit në terren të vet.

Robben i kënaqur për interesimin e Juves

Anësori i Bayern Munichut, Arjen Robben, është i entuziazmuar që po lidhet me një kalim te Juventusi.
Klubi nga Torino konsiderohet si destinacion i mundshëm i holandezit nëse ai vendos të largohet nga Allianz Arena, ndërsa 28-vjeçari është i kënaqur që Bianconerët interesohen për të.
“Jam i lumtur te ky klub, por ende nuk kam nënshkruar kontratë të re dhe në futboll gjithçka mund të ndodhë”.
“Juventusi po kalon një sezon të shkëlqyer. Ata kanë ndërtuar një skuadër të re, që është shumë e fortë dhe janë përmirësuar shumë”.
“Jam i kënaqur që një klub si ky po interesohet për mua”, ka thënë Robben për Sky Sport Italia.

Mourinho lavdëron Guardiolën

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, e ka përshkruar rivalin e Barcelonës, Pep Guardiola, si një “djalosh të mençur”.
Pas disfatës nga Bayern Munich në takimin e mbrëmshëm, Mourinho është pyetur për të dhënë mendimin e tij për trajnerin e Barcelonës.
“Ai është një djalosh i mençur dhe e di se si t’i fitojë ndeshjet në ligë si edhe në Ligën e Kampionëve. Ai e di saktësisht si duhet bërë kjo”, ka thënë Mourinho. 

Cech: Edhe Messi është njeri

Portieri i Chelseat, Petr Cech, është i bindur se skuadra e tij do të mund të përballet me rrezikun që do të paraqesë Lionel Messi në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.
“Nuk jam i shqetësuar për Xavin ose Iniestan... Për mua, Busquets dhe Messi janë ata që Chelsea duhet t’i ndalë”.
“Messi me formën e tij aktuale është rrezik i madh. Ai është padyshim njëri nga lojtarët më të mirë në botë, por kam thënë edhe më parë se nuk ka skuadër të pamposhtur”.
“Teknika e tij me top është e jashtëzakonshme, por më e rëndësishmja, ai mund të reagojë ashtu si të zhvillohet ndeshja. Edhe në momentin e fundit të mundshëm në çdo situatë, ai mund ta gjejë zgjidhjen ideale. Ka shumë mënyra se si Messi mund ta përfundojë një sulm”.
“Mirëpo, nga ana tjetër, edhe ai është njeri dhe nëse luajmë me 100 për qind, do të jemi në gjendje të mbrohemi nga ai”, ka thënë çeku për faqen zyrtare të tij.

Materazzi rreth Del Pieros: Nuk ka respekt në futboll!

Ish-mbrojtësi i Interit dhe Italisë, Marco Materazzi, e ka akuzuar Juventusin rreth trajtimit që po i bën kapitenit, Alessandro Del Piero, duke thënë se Bianconerët duhet t’ia mundësojnë legjendarit që t’i kompletojë 20 vite me fanellën bardhezi.
Drejtuesit e Zonjës së Vjetër kanë deklaruar se nuk kanë më nevojë për lojtarin që ia fali karrierën këtij klubi, madje duke luajtur edhe në Serie B, ndërsa Materazzi ka reaguar për të thënë se ikona bardhezi meriton më shumë respekt.
“Kjo nuk më befason. Mirënjohja në futboll ka vdekur për vite të tëra”.
“Mendoj se Alex mund t’i kalonte 20 vite te klubi i njëjtë, gjë që do të ishte një arritje historike, mirëpo drejtuesit e Juves ishin të qartë dhe Del Piero nuk është i marrë”, ka deklaruar Materazzi përSky Sport Italia.
Del Piero iu bashkua Juventusit në vitin 1993 nga Padova, ndërsa në ndeshjen ndaj Lazios arriti shifrën prej 700 paraqitjesh me këtë fanellë.

Nesta: Nuk shkoj te Juventusi

Qendërmbrojtësi i Milanit, Alessandro Nesta, ka heshtur spekulimet që e lidhin atë me një kalim te Juventusi.
“Do të shohim, se çfarë do të bëj për të ardhmen time do të vendos në fund të sezonit”.
“Me siguri se nuk do të shkoj te Juve, kjo është e qartë. Gjithçka që është shkruar, nuk është e vërtetë. Unë nuk kam agjent, prandaj nëse dikush më dëshiron, duhet të flasë drejtpërdrejtë me mua”.
“Askush nuk më ka kontaktuar, nuk kam nevojë të shkoj te Juve dhe ata nuk kanë nevojë për mua. Nuk ka kurrfarë problemi për këtë”, ka thënë Nesta për Milan Channel.

Puna e prokurorisë vlerësohet e shkëlqyeshme!

Prokuroritë e Republikës së Kosovës, në vitin 2011 kanë ngritur dhe avancuar punën e tyre në të gjitha aspektet, atë të efikasitetit, azhuri tetit dhe kualitetit. Ato kanë punuar me 61% të kapaciteteve të prokurorëve dhe me mungesë të theksuar dhe adekuat të stafit mbështetës.
 Kështu tha të mërkurën kryeprokurori i Shtetit, njëherësh kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi, në ceremoninë e prezantimit të raportit të punës së prokurorive të Republikës së Kosovës për vitin 2011.
“Rezultatet sa i përket efikasitetit të punës janë të shkëlqyera. Çdo prokuror komunal mesatarisht ka zgjidhur 647 kallëzime penale, ndërsa ata të qarkut mesatarisht nga 119 kallëzime penale. Duhet të veçoj se prokuroritë me efikase të shkallës së parë janë ajo komunale e Gjilanit me 997 kallëzime mesatarisht për një prokuror dhe ajo e qarkut në Prishtinë me 175 kallëzime për një prokuror”, ka thënë Kabashi duke shtuar se Prokurorët në Zyrën e Prokurorit të Shtetit kanë kryer 99% të lëndëve të pranuara në punë.
“Rezultatet e punës sa i përket kualitetit janë po ashtu të shkëlqyera. Gjatë vitit raportues prokuroritë kanë akuzuar 25.865 persona. Lidhur me këto dhe akuzat nga vitet e më parme gjykatat kanë marrë vendime të shkallës së parë kundër 20.705 personave prej të cilave vetëm 286 persona apo 1,6% të personave ndaj së cilëve kanë marrë vendime të shkallës së parë, kanë liruar nga aktakuza”.
Kabashi tha se për kualitetin e shkëlqyer të akuzimeve tregon edhe procedura që zbatohet pran gjykatës për konfirmimin e akuzues. Ai tha se nga të gjitha akuzuat e parashtruara, që i nënshtrohen procedurës së konfirmimit, nuk janë konfirmuar vetëm akuzuat kundër 83 personave, që është vetëm 1.5%, nga numri i personave të akuzuar me akte të tilla akuzuese.
Gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Prokurorive të Kosovës, kryeprokurorja e EULEX-it, Jaroslava Novotna, theksoi se puna prokuroriale në Kosovë ka shënuar progres të dukshëm, siç edhe është thënë në raportin vjetor. Ajo, gjithashtu, shtoi se EULEX-i është këtu për të kontribuar në avancimin e mëtejmë të këtij progresi. “Prokurorët e EULEX-it do të japin ndihmën e tyre edhe për dy vite të tjera dhe do të punojnë me juve në realizimin e objektivave të reja të misionit përmes mentorimit, monitorimit dhe këshillimit, si dhe mandatit tonë ekzekutiv”, tha Novotna.

Ambasadori Ismajli do të pritet nga presidenti Obama

Presidentja e Republikës e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar të mërkurën një takim me ministrin e Punëve të jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ambasadorin e ri të Kosovës në SHBA, Akan Ismajli.
 Presidentja Jahjaga dhe ministri i Jashtëm Hoxhaj diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës dhe i dhanë mbështetje në misionin e tij, ambasadorit të ri në SHBA, Akan Ismjali.
Me këtë rast, ambasadori Ismajli ka marr letrat kredenciale nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Kjo e fundit e udhëzoi ambasadorin Ismajli që t’ia përcjell dëshirat e saj më të mira presidentit Barack Obama për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për të avancuar dhe dinamizuar marrëdhëniet speciale ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori Ismajli pritet që me 2 maj 2012 t’ia dorëzoi letrat kredenciale presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. Para nisjes për në Shtetete e Bashkuara, Ismajli do të ketë takime edhe me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Drews: Jo aksion si më 25 korrik 2011

Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, vlerëson se situata në veriun e Kosovës është tensionuar në prag të zgjedhjeve të Serbisë, ndërsa ka porositur të gjitha palët që ta ruajnë qetësinë.
Shefi i Trupave paqeruajtëse të NATO-së në Kosovë, gjenerali Drews, vlerësoi se situata në veri të vendit mbetet e tensionuar, ndërsa trupat e KFOR-it po e kryejnë punën e vet për t’i ofruar siguri popullatës në këtë pjesë të territorit të Kosovës.
“Kam ardhur këtu që t’i vizitoj ushtarët e KFOR-it që janë të vendosur te lagjja ‘Tre rrokaqiejt’. Pas shpërthimeve gjendja është qetësuar dhe u jam shumë mirënjohës ushtarëve të mi që me prezencën e tyre kanë krijuar një mjedis të sigurt. Do të ketë ushtarë aq sa unë e shoh të nevojshme. Nuk do të kisha thënë që pas ngjarjeve të fundit gjendja është përkeqësuar, por ne duhet të theksojmë se gjendja vërtetë është e tensionuar dhe secili për vete është pak sa i nevrikosur dhe secili qytetar po tensionohet më shumë aq sa po afrohen zgjedhjet serbe”, tha gjenerali Erhard Drews, për RTV21.
Gjenerali i KFOR-it, Erhard Drews kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të jetë e përmbajtur dhe të mos ndërmarrë ndonjë aksion si ai i 25 korrikut të vitit të kaluar, duke marrë parasysh pasojat e këtij operacioni.
“Ne të gjithë i dimë pasojat e 25 korrikut të vitit të kaluar dhe nuk besoj që njëri prej nesh e dëshiron një rezultat të tillë. Dhe, unë kam besim të madh në maturinë e qeverisë së Kosovës dhe besoj që me këtë maturi duhet të veprojmë”, shton Drews. “Pra, unë kam besim të plotë në qeveri. Ata në mënyrë të pjekur duhet t’i shfrytëzojnë mundësitë për të parandaluar zgjedhjet e Serbisë në pjesën veriore dhe natyrisht të sillen në mënyrë të duhur dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtarë”, ka shtuar ai.
Këto komente komandanti i KFOR-it i ka bërë pas vizitës në veriun e vendit, me ç’rast u takua edhe me serbët të cilët po qëndrojnë në tendat pranë barrikadës tek ura e Ibrit. 

Mourinho: Pep e di si ka fituar

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka përsëritur edhe një herë se Barcelona favorizohet nga gjyqtarët, si në La Liga, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
“Guardiola është një djalosh i mençur dhe e di se si ka fituar aq shumë ndeshje në gara të ndryshme”.
“Ai e di me saktësi si ka arritur ta bëjë atë”, citon Sky Italia fjalët e portugezit. 

‘Po të mos ishte Messi – Ronaldo do të ishte më i miri’

Trajneri i Palmeiras, Luiz Felipe Scolari, ka thënë se Cristiano Ronaldo do të ishte futbollisti më i mirë në botë po të mos ekzistonte Lionel Messi.
Scolari, i cili e ka drejtuar Portugalinë gjatë viteve 2003-2008, ka thënë fjalë të mëdha për superyllin e Real Madridit.
“Disa njerëz nuk e duan, sepse është lojtar i shkëlqyer, është i bukur dhe ka bërë seks me shumë femra. Njerëzit bëhen xhelozë”.
“Gjëja e vetme e keqe për jetën e Ronaldos është Messi. Po të mos ishte ai, Ronaldo do të ishte lojtari më i mirë në botë për pesë vite rresht”.
“Ai është një person dhe një mik i shkëlqyer. Atij i pëlqen të bëjë shaka, mirëpo është një profesionist i jashtëzakonshëm”, ka thënë Scolari për Arena SporTV.

Torres: Ëndërron trofeun e LK

Sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres, ka deklaruar se do të ishte një realizmi ëndrre sikur skuadra e tij të triumfonte në Ligën e Kampionëve.
Për të arritur në finalen e Munihut, Blutë fillimisht kanë punë me Barcelonën në kuadër të gjysmëfinales, ndërsa ndeshja e parë zhvillohet të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge.
“I di ambiciet që ka ky klub në kuptimin e fitimit të Ligës së Kampionëve, por janë po të njëjtat ambicie që i kam edhe unë. Është diçka për të cilën kam ëndërruar si fëmijë”.
“Asnjëherë nuk kam menduar për fitimin e Kupës së Botës (me Spanjën), sepse mendoja se është e pamundur. Por tash e kam arritur atë dhe e di çfarë ndjenje është, prandaj fitimi i Ligës së Kampionëve do të ishte një realizim i ëndrrës”, ka thënë 28-vjeçari.

Brazil: Facebook e kalon Google

Gjatë muajit janar, Facebook e ka tejkaluar rivalin e saj, rrjetin social të Google, Orkut, në tregun Brazilian.
Mirëpo, gjatë këtij muaji, rrjeti më i madh social në botë – Facebook e ka tejkaluar në përgjithësi rivalin e saj Google në Brazil.
Të dhënat e Experian Hitwise tregojnë se Facebook ka pasur një rritje dramatike gjatë vitit të kaluar, ndërsa shërbimet e Google, siç është rrjeti social Orkut, tashmë është duke rënë në vizita, pasi që tani faqja rangohet si e treta në Brazil.
Megjithatë, statistikat thonë se rënia e Google në Brazil duket se ka ndodhur më ngadalë sesa rritja e shpejtë e Facebook. 

Thaçi: Kurrfarë zgjedhjesh serbe në Kosovë!

Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi është mbajtur sot mbledhja e 70-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në hapje të mbledhjes, Thaçi ka thënë se nuk do të ndodh pretendimi i Serbisë për të mbajtur zgjedhje në Kosovë.
“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë është dhe do të mbetet shumë i qartë, Serbia me pretendimin e vet për të organizuar zgjedhje në Kosovë, nuk do t’ia arrij qëllimit”, pohoi Thaçi duke shtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të përdorë gjithë mekanizmin e vet kushtetues dhe ligjor që diçka e tillë të mos ndodh.
“Kur flas se nuk do të mund të organizoj Serbia zgjedhje në Kosovë, flas edhe për zgjedhje lokale, edhe për zgjedhje të përgjithshme edhe presidenciale”.
Më pas Qeveria sipas rendit të ditës ka miratuar Projektligjin për Taksën Rrugore dhe Ekologjike të Automjeteve.

Gjini, Kuçit: Mos ke probleme me harresë

Në seancën e Kuvendit të Kosovës për gjendjen në veri, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini kanë pasur një debat të ashpër.
E plotësuar: Pas deklaratave të Kuçit se Qeveria është kujdesshme për të mos i frikësuar qytetarët në veri, Gjini iu drejtua Kuçit, duke thënë se mos “ke probleme me amnezi”, pas sipas tij ditë më parë ka folur edhe për mundësinë e intervenimit në veri, ndërsa tash për kujdes që të mos i frikësojnë qytetarët atje.
Pas kësaj, ishte reagimi i Kuçit i cili theksoi “di edhe unë të flas si në rrugë po nuk ma lejon kultura”.
Kuçi u shpreh se memorien e ka të zhvilluar shumë mirë, por tha se nuk do ta përdorin logjikën e frikësimit të qytetarëve, por të shkelësve të ligjit.
Duke folur për veriun, Kuçi iu drejtuar Gjinit “Pse se kryjshi çështjen e veriut sa ishit në pushtet...”.
Kuçi në këtë seancë duke folur për veprimet atje, tha se nuk janë institucionet e Kosovës që i dhënë urdhër EULEX-it e KFOR-it, por kanë bashkëpunim me këto institucione.
Ai deklaroi se çelësi i problemit është në Beograd.
E plotësuar: Partitë opozitare në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për veriun theksuan se gjendja atje është më e keqe se disa vite më parë, ndërsa theksuan se shpëtimi i vetëm i vendit është dorëheqja e kësaj qeverie që sipas tyre ka përkeqësuar çdo çështje.
Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri theksoi se gjendja në veri të Mitrovicës është e rëndë. Ai deklaroi se atje vazhdon të mos funksionojnë institucionet e shtetit, ndërsa qytetarët po terrorizohen dhe kjo sipas tij ka një adresë, Beogradin që është financues.
Ai kërkoi disa veprime urgjente, si funksionimin e gjykatave, mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe qarkullimin e lirë në veri, presion për lirimin e shqiptarëve të arrestuar në Serbi, të nxirren para ligjit bashkëpunëtorët ekomomik me kriminelët e veriut, EULEX-i e KFOR-i t’i ushtrojnë detyrat sipas mandatit, etj.
Edhe Visar Ymeri, shef i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes tha se po të kishin qenë këta deputetë të sinqertë dhe po ta kishin menduar vërtetë se situata në veri është e jashtëzakonshme atëherë do ta nënshkruanin kërkesën e tyre për seancë të jashtëzakonshme javën e kaluar.
“Po na thuhet se veriu në njëfarë forme funksionon kështu siç është që prej vitit 1999. Por kur kthehemi pak në histori do ta shohim se tërheqja e institucioneve të Kosovës nga atje është bërë gradualisht dhe me hapa. Sikur të ketë qenë e planifikuar...”, u shpreh Ymeri.
“Një pjesë e konsiderueshme e tyre ka ndodhur në Kosovën me të njëjtin kryeministër, Hashim Thaçin. Tash e katër vite e gjysmë të drejtimit të qeverisë nga ai strukturat ilegale të Serbisë janë toleruar vazhdimisht të veprojnë, terrorizojnë, vrasin, dhunojnë e plaçkitin çdo gjë shtetërore, publike e private në atë pjesë të vendit. Njëlloj sikur në kohën e qeverive të mëparshme. Tash e katër vite e gjysmë kjo qeveri e ka përkeqësuar çdo gjë në të cilën ka prekur, por edhe ato aspekte ku ajo nuk ka vepruar. E tash deputetët e saj na thërrasin në seancë, për ta zëvendësuar mungesën e veprimit qeveritar e institucional atje”, tha ai, duke shtuar se kjo qeveri e ka vetëm një mënyrë për ta shpëtuar Kosovën, e kjo sipas tij, është dorëheqja e saj.
Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini se veriu i Kosovës është reflektim i qeverisë. Ai tha se qeveria çdo gjë që e ka bërë ka qenë false, duke u zhveshur kështu Kosovën prej mundësisë për t’u marrë me veten.
Duke iu referuar raportit të ministrit Rexhepi, shefi i GP-së së AAK-së tha se Qeveria e Kosovës tërë kohën e shfrytëzon për të kamufluar, për t’i hedhur hi syve qytetarëve të vendit dhe për Qeverinë tha Gjini për çdo gjë të gjithë kanë faj përveç atyre.
Sipas tij, akuzimi i Serbisë për çështjet në veri është paaftësi e institucioneve për t’u marrë me problemet.
Duke shprehur qëndrimin se siguria në veri është më e keqe, veriu më pak i integruar, strukturat ilegale më të sigurta, më pak shqiptarë në veri se në vitin 2008, Gjini tha se me këtë qeveri në pushtet Kosova po shkon drejt zhbërjes, për atë që është munduar me shekuj. 

Loja e rrezikshme me tela gjemborë

Grupe serbësh, në orët e vona të së martës kanë vendosur tela gjemborë te barrikada në hyrje të fshatit Rudar të Zveçanit. Në këtë mënyrë nga ana jugore pengohej qarkullimi i banorëve shqiptarë të tri fshatrave të Zveçanit: Zhazhë, Boletin dhe Kelmend.
Banorët e këtyre fshatrave kanë larguar telat nga aty. Fatmir Kelmendi, përfaqësues i fshatit Kelmend, thotë se këto veprime të strukturave ilegale serbe e kanë tensionuar shumë situatën.
Banorët i kanë vërejtur serbët rreth orës 19:30 duke vendosur telat gjemborë në hyrje të rrugës, që shpie për këto tri fshatra.
“Kjo ka ndikuar në tensionimin e situatës, meqë banorët e këtyre tri fshatrave e kanë rrugën kryesore atë, e cila para dy vjetësh ishte asfaltuar me mbështetje të Qeverisë së Kosovës”, ka sqaruar ai, transmeton koha.net.
Serbët janë vendosur matanë barrikadës, ka thënë Kelmendi, i cili më tej ka shtuar se për këtë rast ka lajmëruar edhe Policinë e Kosovës, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes.
Disa orë pas largimit të telave, serbët prapë i kanë rivendosur ato, për t’u larguar sërish nga shqiptarët. Kjo ka ndodhur disa herë gjatë natës.
Kelmendi shtoi se pos Policisë së Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i nuk kanë dalë fare në terren.

PK do t’i ndalojë zgjedhjet lokale serbe!

Ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi, tha se Policia e Kosovës nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë.
Në një deklaratë për radion "Kontakt Plus" të Mitrovicës, ai tha se policia me ndihmën e KFOR-it dhe të EULEX-it do të bëjë gjithçka që të ndalohen këto zgjedhje dhe se gjatë intervenimit nuk do të ketë përshkallëzim të situatës.
"Nuk e besoj. Ne do të fokusohemi në konfiskimin e materialeve dhe në veprimet preventive që janë me ligj të rregulluara. Nuk duam tensione, por edhe ata që organizojnë zgjedhjet duhet të jenë më të arsyeshëm," tha ministri.
Rexhepi nuk specifikoi se kur do të kryhet aksioni i policisë, duke theksuar se kjo është pjesë e planit operativ për të cilin nuk mund të paraqes detajet. 

Zhvillimet në veri, praktika të kohës së Milosevicit

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke folur për zhvillimet në veri të Kosovës, tha mbrëmë se bëhet fjalë për "rikthimin e praktikave tipike të kohës së Milosevicit - policë të shtrirë dhe të lidhur si armiq, një akt terrorist ndaj një qytetari dhe familjes së tij".
Berisha po ashtu deklaroi se megjithëse Serbia ndodhet në një periudhë elektorale, veprimet e tilla absolutisht nuk mund t'i justifikojë.
Ai tha se shpreson që marrëveshja e arritur në Bruksel, të zbatohet në interesin më të mirë të Prishtinës dhe Beogradit. "Vlerësoj faktin që Beogradi hoqi dorë nga zgjedhjet lokale në Veri të Mitrovicës", citohet të ketë thënë Berisha.
Edhe për problemet e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë Berisha tha se edhe ato janë në përputhje me të gjithë dokumentet ndërkombëtare.
"Mendoj që këto komuna meritojnë dhe do të kenë një mbështetje më të madhe nga qeveria shqiptare në interes të zhvillimit të tyre dhe qëndrimi ynë ndaj kufijve është shumë i qartë. Ne jemi për respektimin e plotë të kufijve aktualë", theksoi Berisha në një konferencë me gazetarë. 

Ndeshja Juve-Roma shitet për 40 minuta

Biletat për ndeshjen në të cilën Juventusi do ta presë në fushë të vet Romën janë shitur krejtësisht.
Janë dashur më pak se 40 minuta që të gjitha biletat e dala në shitje dje për këtë ndeshje të harxhohen.
Shitjet ishin shtyrë deri dje pasdite pasi Federata Italiane nuk e kishte konfirmuar kohën dhe datën e takimit.

Ribery: Ende nuk jemi në finale

Franck Ribery ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij të Bayern Munich të mos gëzohen para kohe pasi ata ende nuk janë kualifikuar në finale të Ligës së Kampionëve pavarësisht fitores 2-1 ndaj Real Madridit.
“Mendoj se fitorja në shtëpi ndaj Madridit ishte e rëndësishme për vetëbesimin tonë. Ishte shumë kënaqësi, veçanërisht me publikun që na mbështeti, por ne jemi vetëm në gjysmë të rrugës. Ndeshja në Madrid do të jetë, shumë, shumë e vështirë”.
“Nuk mendoj se goli i tyre do të ndryshojë shumë sa i takon taktikave tona në ndeshjen e kthimit. Ne do të qëndrojmë kompakt, siç bëmë sonte. Madridi do të duhet të na sulmojë neve dhe kjo duhet të na japë mundësi në kundërsulme”, ka thënë francezi për UEFA.

Busquets: Do ta sulmojmë Chelsean

Sergio Busquets thotë se Barcelona nuk do ta ndryshojë stilin e zakonshëm sulmues të lojës për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Chelseat që zhvillohet sonte në Stamford Bridge.
“Sfida jonë është ta ruajmë stilin dhe sistemin tonë të lojës dhe të harrojmë në atmosferën. Ne duam të shënojmë gola, pasi kjo e bën më të lehtë të përballemi në ndeshjen e kthimit”.
“Chelsea është një klub i madh dhe gjysmëfinalja do të jetë e tillë. Asnjë skuadër nuk është favorit i pastër në këtë shkallë të garës. Njerëzit mund të na shohin neve si favoritë, por ne duhet të mbetemi të fokusuar nëse dëshirojmë të arrijmë në finale”, ka thënë Busquets për Daily Mirror. 

Ibra i bindur se Juve do të rrëshqasë

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, është i bindur se Juventusi do të humbë pikë para fundit të sezonit.
Juve është një pikë para Milanit në tabelën e Serie A me edhe gjashtë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.
“Ka edhe gjashtë ndeshje në ligë dhe ne do të bëjmë gjithçka për të nxjerrë maksimumin e pikëve. Ne jemi këtu dhe duhet të mbetemi të fokusuar dhe të përgatitemi mirë për secilën ndeshje”.
“Ne mund të kemi një pikë më pak, por nëse përqendrohemi, mund ta kthejmë avantazhin. Ndeshjet e kaluara kundër Catanias dhe Fiorentinas ishin të tilla që duhej t’i kishim fituar”.
“Është e rëndësishme që të mos përsërisim ato gabime dhe të japim më të mirën nga vetja në ndeshjet e ardhshme. Shpresoj se ne do të kthehemi në fushë të dielën dhe se unë do të shënoj”, ka thënë suedezi. 

Cesc: Barca ishte zgjidhje e qëlluar

Ish-kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, është i ngazëllyer me vendimin për t’u rikthyer në shtëpi te Barcelona, nga ku u largua si 10-vjeçar në vitin 1997.
Fabregas, i cili iu bashkua Barcelonës verën e kaluar në një marrëveshje e cila raportohet se ka arritur shifrën e 40 milionë funteve, thotë se në Nou Camp ai po e jeton ëndrrën.
“Është më mirë se që kam pritur dhe kam luajtur shumë më shumë se që kam pritur”.
“Erdha këtu të mësoj, të bëhem lojtar dhe person më i mirë dhe po ashtu të përjetoj javë si kjo – Chelsea në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pastaj Real Madridin në një ndeshje në të cilën, nëse fitojmë, kthehemi në garën për titull, të pasuar sërish nga Chelsea”.
“Kjo e gjitha është diçka e re për mua. Bashkëlojtarët e mi janë mësuar më shumë, por për mua ta përjetoj këtë situatë është ëndërr. Kam mësuar shumë taktikisht. Tash e di pozitën time në fushë. Ndjehem më i pjekur si lojtar”, ka thënë Fabregas. 

Di Matteo: Duhet të jemi të përkryer

Menaxheri i Chelseat, Roberto di Matteo, thotë se ata duhet të jetë “të përkryer” për të pasur ndonjë shans të mposhtin rivalin e sotëm të Ligës së Kampionëve, Barcelonën.
“Është e drejtë të thuhet se ne kemi nevojë për dy ndeshje të përkryera. Por mendoj se fakti që ne kemi luajtur mirë në gjashtë javët e kaluara na jep neve besim se mund të bëjmë dy ndeshje të përkryera në këtë sfidë”.
“Është sfida më e madhe për cilido menaxher të luajë kundër skuadrës më të mirë në botë, por edhe për çdo lojtar të jetë në gjendje të garojë me një prej skuadrave më të mira në botë”, ka thënë Di Matteo.

Në Munich vidhen këpucët e lojtarëve të Realit

Dhoma e zhveshjeve e Real Madridit në Allianz Arena kishte qenë cak i vjedhësve para ndeshjes së mbrëmshme të Ligës së Kampionëve përballë Bayern Munich.
Gjashtë palë këpucë, përfshirë tre të cilat i takonin Cristiano Ronaldos ishin vjedhur në objektin e Bayernit disa minuta para fillimit të ndeshjes.
Klubi gjerman ende nuk ka dhënë deklaratë për incidentin, ku edhe Mesut Ozil dhe Karim Benzema i humbën këpucët e tyre, pavarësisht se dhoma e veshjes ishte e monitoruar përmes kamerave.

Aragona Band në bashkëpunim me Rozana Radin

Bendi kosovar Aragona Band kanë përgatitur projektin e tyre më të ri muzikorë. Kësaj radhe grupi vjen në bashkëpunim me këngëtaren nga Shqipëria, Rozana Radi.
Gjatë një prononcimi për Telegrafi, Shpend Haxhijakupaj, anëtar i Aragona Band, ka pohuar se kënga është incizuar dhe së shpejti pritet të shoqërohet edhe me videoklip.
Kënga titullohet “Tepër jemi dashtë” dhe është punuar nga Kico Beatz, ndërsa teksti është shkruar nga Rozana.
Aragona Band, së fundmi kanë realizuar këngën “Vajza anonime”, e cila është pritur mjaft mirë nga publiku.

Bieber nuk do të bëhet reper

Justin Bieber thotë se ai nuk do të lansojë karrierë të reperit pasi kjo muzikë nuk dëgjohet gjithkund.
18-vjeçari thotë se pavarësisht se e pëlqen muzikën rep, ai kurrë nuk do t’i shfrytëzojë aftësitë e tij për të realizuar incizime në këtë zhanër, pasi ka frikë se mund t’i humbasë disa nga fansat e tij.
“Shumë vende nuk e dëgjojnë muzikën rep. Kjo është shumë më e madhe në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada por jo gjithkund tjetër”.
“Unë jam këngëtar – ky është pasioni im, të bëj rep është diçka që më pëlqen ta bëj për kënaqësi”, ka thënë Biebeer.

LDK: Qeveria Thaçi e pasionuar në përgatitjen e strategjive

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësoi të mërkurën se Qeveria Thaçi 2 ka filluar mandatin pa ndonjë plan qeverisës, duke kërkuar kështu që të ndërpritet praktika e përgatitjes së strategjive, pasi sipas LDK-së vendit i duhet një qeveri e përgjegjshme, që ka vizion, që integron objektivat zhvillimore në një plan të përgjithshëm dhe që i orienton resurset e vendit drejt atyre objektivave.
LDK përmes një kumtese për media thekson se premtimet e dhëna gjatë zgjedhjeve asnjëherë nuk u kthyen në plan pune të qeverisë, duke pohuar se plani i vetëm që ka kjo qeveri është Plani i Bullgarisë, i përgatitur gjatë një fundjave nga disa anëtarë të kabinetit qeveritar.
“Qytetarët në veri kanë nevojë për siguri për jetë normale, e jo përgatitje të strategjive kundër krimit. Bujqit në Kosovë duhet të sigurohen se produktet e tyre do të gjejnë tregun e duhur dhe nuk do kenë pengesa për eksport të produkteve. Të papunët kanë nevojë për masa konkrete që të rrisin shpresat se një ditë do të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre. Studentët duhet të kenë shpresa se do gjejnë punë pas diplomimit, e jo t’ju drejtohen zyrave të punësimit për tu regjistruar si të papunë. Këtij vendi i duhet kthyer shpresat e humbura nga Qeveria Thaçi”, thekson LDK.
Sipas kësaj partie, përgatitja e strategjive është bërë mani për Qeverinë e Kosovës. “Gjatë vitit 2012 planifikohet të përgatiten 41 strategji të ndryshme (bazuar në Planin Vjetor të Dokumenteve Strategjike për vitin 2012 të Qeverisë së Kosovës)”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.

Kroacia mbështet forcimin e shtetësisë së Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur një delegacion të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Kroacisë, i cili po qëndron për një vizitë pune në Kosovë, ndërsa me këtë rast është konfirmuar mbështetja e shtetit kroat për forcimin e shtetësisë së Kosovës.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se në takimin që ministri Hoxhaj zhvilloi me delegacionin kroat, të kryesuar nga Nebojsa Koharovic, drejtor Gjeneral i Çështjeve Bilaterale në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, u bisedua për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, social e arsimore mes dy shteteve.
Hoxhaj ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të përfituar nga eksperienca e suksesshme e Kroacisë në proceset integruese të Kosovës.
Ndërsa, udhëheqësi i delegacionit kroat, Nebojsa Koharovic dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Ibrahim Gashi, kanë dhënë një deklaratë për medie.
Koharović ka shprehur mbështetjen e plotë të Republikës së Kroacisë jo vetëm për pavarësinë e Kosovës, por edhe për të gjitha proceset e tjera që lidhen me forcimin e shtetësisë së Kosovës.
Ai ka theksuar gatishmërinë e plotë të Kroacisë për të mbështetur Kosovën në proceset integruese në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Ne si Qeveri e Kroacisë, mbështesim fuqishëm Kosovën në të dy këto procese integruese sepse Kosova jo vetëm që e meriton nga faza dhe dimensionet e reformave që janë ndërmarrë gjatë katër vjetëve pas pavarësisë, por pasi që është edhe një shtet që është i paevitueshëm në çdo lloj procesi të stabilizimit të rajonit tonë”, tha Koharovic.
Ai vlerësoi po ashtu se Kosova është një nga partnerët e Kroacisë në rajon, duke theksuar rëndësinë e thellimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve në aspektin politik, ekonomik por edhe në raportet sociale mes qytetarëve të të dyja vendeve.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Ibrahim Gashi tha se vizita e delegacionit kroat në Kosovë ka karakter pune dhe se gjatë takimeve konsultative do të vlerësohet shkalla e bashkëpunimit midis dy vendeve tona.
“Republika e Kosovës është shumë e interesuar që të thellojë bashkëpunimin, të rris numrin e marrëveshjeve bilaterale ndërmjet dy shteteve si dhe të përfitoj nga përvoja e Kroacisë në procesin e shtetndërtimit e mbi të gjitha nga eksperienca kroate në procesin e integrimit evropian, ku Kroacia në fakt ka kryer me shumë sukses këtë proces dhe është në fazën finale të anëtarësimit”, tha Gashi, duke shtuar se eksperienca e Kroacisë është e vlefshme jo vetëm për Kosovën, por edhe për të gjitha vendet e rajonit. 

Serbia “ndërpret” hetimet kundër Thaçit e Çekut

Prokurori serb për krime lufte, Vladimir Vukcevic, tha se do të shqyrtohen të gjitha urdhër-arrestet e luftës sepse “po krijohet përshtypja se ato janë procese politike”.
"Reliktet e luftërave të viteve nëntëdhjetë janë procese në mungesë kundër personave të panjohur, të motivuar nga rrethanat politike në atë kohë. Unë mendoj se janë shumë njerëz në këto urdhër-arreste, dhe se kur vjen koha e pajtimit, ne duhet së bashku të rishqyrtojmë të gjitha këto lista nga lufta. Ato diskreditojnë vendin tonë dhe krijojnë përshtypjen se këtu po zhvillohen proceset politike”, tha Vukcevic për Danas.
I pyetur se çfarë po ndodhë me hetimet kundër Hashim Thaçit dhe Agim Çekut, “për krime lufte kundër serbëve gjatë konfliktit me UÇK-në më 1998 dhe 1999”, Vukcevic tha se "hetimet kanë një ndërprerje, dhe se lëndët në atë kohë ishin të përgatitura keq".
"Ka pas shkelje të rënda të procedurave, sidomos për Çekun... Kjo nuk do të thotë se ata nuk janë përgjegjës për shumë krime, por se hetimet nuk është dashur të bëhen para kamerave, pa avokatë e gjëra të ngjashme”
I pyetur nëse ai pret të zbulohen autorët dhe urdhëruesit e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Vukcevic thotë se “bashkë me kolegët amerikanë po bëjmë gjithçka që është e mundur për të ardhur deri te zgjidhja e këtij rasti”.
"Në asnjë moment nuk jemi ndalë. Në fjalën përfundimtare të Prokurorisë, të cilin keni pas rast ta dëgjoni javën e kaluar në rigjykimin e kësaj lënde, thuhet qartë se kush ka urdhëruar këtë krim: Vlastimir Dordevic, i cili nga Tribunali i Hagës pret vendimin e shkallës së dytë, dhe të gjithë personat në zinxhirin komandues janë përmendur në padinë tonë. Problemi është, e këtë e kemi cekur, se ish policët dhe pjesëmarrësit tjerë të këtij krimi po e mbulojnë njëri-tjetrin”.

A ka keqpërdorim të të dhënave personale?

Mbrojtja e të dhënave personale në Kosovë është e garantuar me Kushtetutë. Neni 36 mbron privatësinë dhe garanton mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa neni 3 përcakton në mënyrë eksplicite se fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe mjeteve e tjera të komunikimit janë të drejta të pacenueshme.
Ato, në raste të caktuara mund të kufizohen vetëm përkohësisht, dhe atë me vendim të gjykatës, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për vijimin e procedurës penale, apo edhe për të garantuar sigurinë kombëtare të vendit, në mënyrë të përcaktuar me ligj, shkruan Evropa e Lirë.
Por, pavarësisht gjithë kësaj, në Kosovë, ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, i miratuar nga Kuvendi i Kovës në vitin 2010, sipas njohësve të çështjeve të telekomunikacionit dhe përfaqësuesve të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ka nivel shumë të ulët të zbatueshmërisë, dhe moszbatimi i tij, thonë ata, lë hapësira të mëdha për keqpërdorim të të dhënave personale.
Eksperti i telekomunikacionit, dikur udhëheqës në PTK, Agron Dida, thotë se Kosova ka infrastrukturë shumë të dobët të ligjeve për mbrojtjen e të dhënave personale.
Ai thekson se shkelja e privatësisë në Kosovë nuk bëhet vetëm në aspektin e telefonisë, por edhe në aspektin e të dhënave, kur ka të bëjë me komunikime digjitale, siç është interneti.
Të dhënat personale, qytetarët e Kosovës i kanë dhënë edhe kur është bërë regjistrimi i përdoruesve të telefonave mobil.
Në Kosovë janë katër operatorë mobil: “Vala”, “Ipko”, “Z-Mobile” dhe “D3”. Prej tyre, operatori i parë mobil i licencuar në Kosovë - Vala (ish- Vala 900), operon në Kosovë që prej vitit 2000.
Krahasuar me operatorët tjerë të telefonisë mobile, Vala ka numrin më të madh të konsumatorëve, që është mbi 1 milion konsumatorë. Megjithatë, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale të konsumatorëve të tyre, zyrtarë të këtij mekanizmi të telefonisë mobile nuk janë deklaruar.
Ndërkaq, përfaqësues të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), deklaruan se deri më tani nuk ka ndonjë ankesë nga qytetarët se të dhënat e tyre janë keqpërdorur.
Drejtuesi i ART-së , Ekrem Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se regjistrimi i përdoruesve të telefonave mobil është bërë sipas rregullores në fuqi.
“ART nuk ka pranuar asnjë shqetësim apo ankesë nga një përdorues apo operator mobil, se të dhënat personale që kanë qenë të obliguara t’i renditen rregullores për regjistrimin e përdoruesve të telefonisë mobile, janë keqpërdorur”, thekson Hoxha.
Në anën tjetër, hulumtues të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thonë se gjatë grumbullimit të të dhënave personale të regjistrimit të përdoruesve te telefonave mobil, nuk është përfillur fare ligji për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Ne e kemi vërejtur se kanë ndodhur disa procese, siç është regjistrimi i përdoruesve të telefonisë mobile, po ashtu ka qenë edhe regjistrimi i popullsisë që ka ndodhur, por që në bazë të intervistave që i kemi bërë më zyrtarët përkatës, është vërejtur se nuk është marrë përsipër ligji për mbrojtjen e të dhënave personale”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Mentor Vrajolli, hulumtues në qendrën kosovare për studime të sigurisë.
Agjencia shtetërore për mbrojtjen e të dhënave personale është themeluar një vit pas miratimit të këtij ligji. Kjo agjenci është themeluar që t’u japë këshilla organeve publike dhe private për çështjet lidhur me mbrojtjen e të dhënave, të përkrahë të drejtat themelore për mbrojtjen e të dhënave personale.
Ruzhdi Jashari, kryesues i kësaj agjencie, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbrojtja e të dhënave personale është një lëmi e re në Kosovë, dhe përballë saj ka shumë sfida. Ai thotë se nuk ka nevojë për shqetësim sa i përket keqpërdorimeve, pasi që, siç thotë ai, mekanizmat për mbrojtjen e këtyre të dhënave janë duke treguar punë të suksesshme.
Ndryshe, sipas studimeve të bëra nga Qendra Kosovare për Studime të sigurisë, deri më tani nuk ka pasur asnjë kriter për verifikimin e rasteve të grumbullimit të të dhënave personale, në mënyrë të paautorizuar, sikurse edhe nuk ka pasur ndonjë kontroll adekuat për mënyrat se si procedohen të dhënat e grumbulluara në rastet kur ekziston një autorizim i tillë.

Vekaric kërcënon: Do t’ju arrestojmë

Zëvendësprokurori serb për krime lufte, Bruno Vekaric, ka thënë se “qytetarët e Kosovës, të dyshuar për krime lufte, duhet të jenë të kujdesshëm, sepse i pret arrestimi sipas urdhër-arresteve sekrete të Serbisë”.
"Ne kemi ende lëndë të të dyshuarve për krime lufte”, ka thënë Vekaric për REL në gjuhën serbe, duke refuzuar të përgjigjet se cili është numri lëndëve të tilla.
Për akuzat për krime lufte kundër Mark Koshnjetit, ai thotë se “ato janë të bazuara dhe se shumë shpejtë do të vërtetohen nga dëshmitarët”.
"Do të vijnë shumë dëshmitarë, të dëmtuar, që të bëjnë identifikimin. Kjo do të bëhet nesër, pra atëherë do të keni informata të reja”, ka thënë Vekaric.

BERZH: Shqiptarët konsumojnë më pak, kujdes me borxhin

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) parashikon një rritje ekonomike prej vetëm 1.2 për qind këtë vit për Shqipërinë. Shifra është publikuar në një raport të BERZH-it me temë ‘Kriza dhe Tranzicioni’, ku pasqyrohet ecuria dhe zhvillimet ekonomike të 29 vendeve të Evropës Qëndrore dhe Azinë.
Parashikimi i BERZH-it për rritjen ekonomike është më pesimist se ai Bankës Botërore, që flet për një rritje të ekonomisë sonë gjatë 2012, me 2 për qind. Peter Sanfey, përfaqësues i BERZH-it, i cili prezantoi raportin përcakton si faktor ndikues në krizë rritjen e borxhit duke këshilluar të bëhet kujdes, pasi ai ndikon direkt në rritjen ekonomike të vendit.
Sipas BERZH-it në raportin për vitin 2 011 ku janë testuar familjet në rajon për ndikimet e krizës nënvizohet se në Ballkan 40 për qind e familjeve thonë se kriza ka ndikuar shumë, ndërsa në Shqipëri 60 për qind e familjeve kanë pohuar se kriza ka ndikuar në jetesën e tyre dhe për këtë arsye kanë ulur konsumin e ushqimeve, mallrave të luksit apo reduktim të vizitave vizita mjekësore.
BEZH-i thekson gjithashtu se ka shumë pasiguri në parashikim, pasi gjërat ndryshojnë dita ditës, ndaj dhe ky raport nuk është përfundimtar. 

Punëtorët e Sharrcem kërcënojnë me ndërprerje të prodhimit

Punëtorët e çimentores "Sharrcem" në Han të Elezit kanë protestuar për të tretën herë, të martën, afro dy orë, ndërsa kanë deklaruar se do t'i përshkallëzojnë veprimet nëse menaxhmenti i fabrikës nuk i përfill kërkesat e tyre.
"Sot edhe një herë ia kam dorëzuar drejtorit të përgjithshëm kërkesat e punëtorëve në formë të shkruar, ndërsa në plan është ndërprerja e prodhimit nëse menaxhmenti i fabrikës nuk i plotëson ato ndërkohë", ka theksuar Sabit Sallahu, kryetar i Sindikatës së të punësuarve të "Sharrcemit", pa dhënë ndonjë datë sa i përket jetësimit të këtij kërcënimi. Sallahu ka deklaruar se do të vazhdohet me protesta deri në çastin kur menaxhmenti i fabrikës të përcaktohet për anulimin e vendimit për zvogëlimin e bonuseve, sikundër edhe për shfuqizimin e vendimit tjetër për heqjen nga listat e pagave të 86 punëtorëve në pushim me pagesë dhe të 21 të tjerëve me status të pensionistëve të parakohshëm.
"Një orë kemi protestuar para objektit të administratës së fabrikës dhe një orë në repartin e paketim-ngarkimit", ka thënë Sallahu.
Për një orë nuk ishte lejuar të ngarkohet me çimento asnjë kamion. Kryesindikalisti Sallahu ka sqaruar se punëtorët janë të pakënaqur edhe me vendimin e menaxhmentit për kontraktimin e një kompanie private për paketimin e thasëve me çimento dhe ngarkimin e kamionëve të blerësve me to.
"Punëtorët e këtij reparti i ka brengosur kontraktimi i kësaj kompanie pasi druajnë se do të mbesin pa vendet e tyre të punës pas skadimit të afatit për mos largimin nga puna të asnjërit punëtor të fabrikës, më 2013", ka nënvizuar Sallahu, raporton Koha.
Në këtë kontekst, është rikujtuar se në paragrafët e kontratës së privatizimit të "Sharrcemit" figuron edhe zotimi i blerësit për t'ua ruajtur vendet e punës të gjithë punëtorëve për 3 vjetët në vijim. Gjiganti "Sharrcem", prodhuesi i vetëm i çimentos në Kosovë, është shitur për 30 milionë euro. 

BE-ja mbështet zhvillimin ekonomik

Perspektiva evropiane e Kosovës, veçanërisht marrëveshja e tregtisë së lirë ishin temë kryesore e diskutimit në mes të ministres së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Mimoza Kusari-Lila si dhe shefit të zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar.
Në takimin e parë të saj me shefin e ri të BE-së në Kosovë, ministrja Kusari – Lila e njoftoj Zhbogarin për reformat që janë duke ndodhur në kuadër të ministrisë që ajo drejton për përgatitjen më të mirë të misionit verifikues që pritet të vij në qershor të këtij viti.
Më tutje, zëvendëskryeministrja e informoj Zhbogar për agjendën e gjerë zhvillimore që është duke e drejtuar MTI me fokus të veçantë në projektet e përbashkëta siç janë: projektin për përkrahjen e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, zhvillimi i projektit të Brezovicës, funksionalizimi dhe zhvillimi i projektit Mbështetja e BE-së për Zhvillimin Ekonomik Rajonal në Kosovë. Ajo foli edhe për reformat e administratës publike në kuadër të MTI-së. “Reformat që jemi duke ndërmarrë lidhur me administratën publike, me theks të veçantë ngritjen e kapaciteteve në departamentin e tregtisë do të jenë kruciale për marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe integrimit Evropian”, tha Kusari-Lila.

Po ashtu ata kanë diskutuar edhe për reformat e të bërit biznes. Ministrja e njoftoj shefin e BE-së në Kosovë për një varg reformash që janë ndërmarrë deri tani me qëllim të lehtësimit të ambientit për të bërë biznes duke thënë se këto reforma do të thellohen edhe më tej deri sa të arrijmë të jemi vendi më i mirë në rajon për të bërë biznes.

Nga ana tjetër shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, shprehu përkrahjen e plotë për reformat e ndërmarra nga MTI dhe ofroj bashkëpunimin e mëtejmë të zyrës që ai drejton për projektet ekzistuese si dhe projektet potenciale. “Zyra e BE-së mbetet e përkushtuar të përkrah zhvillimin ekonomik dhe integrimin e Kosovës në BE”, theksoi Zhbogar.

Zyra e BE-së në Kosovë është një partnerët kryesor të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Tregtia dhe Agjencia për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme mbeten projekte kyçe që kjo zyrë financon.

Diddy reperi më i pasur në botë

Moguli i muzikës rap, Sean Combs, i njohur si P Diddy, ka kryesuar listën vjetore të revistës Forbes për më të pasurit e muzikës hip-hop.
Pasuria e yllit dhe producentit të muzikës sipas kësaj reviste vlerësohet rreth 550 milionë dollarë.
Babai i ri, Jay-Z, vjen i dyti me një pasuri prej 460 milionë dollarësh.
Ndërkohë reperët tjerë, të cilët së fundi shkëlqyen në festivalin Coachella, Dr. Dre, Bryan 'Birdman' Williams dhe 50 Cent, mbyllin top pesëshin. 

Rovena Stefa: Djemtë e Prishtinës më të bukur

Këngëtarja Rovena Stefa, e cila kohëve të fundi ka lënë Tiranën për të jetuar në Prishtinë, ka pohuar se në Prishtinë çunat janë shumë të bukur.
“Do të them në Prishtinë, por nëse do të flasim për të tjera qytete, se nëse do të thoshin në Prizren, apo në Shkodër, do të thosha për qytetin e dytë. Por, them në Prishtinë, pasi në Tiranë ka më shumë femra të bukura”, ka thënë Rovena.
Ndërsa e pyetur se ku do ta bëjë martesën në Tiranë apo Prishtinë, ajo është përgjigjur në kufirin Qafë-Morinë.
“Në kufirin Qafë-Morinë-Kukës-Prizren. Nuk e di, varet, dasma tri orë është larg, mund të bëhet në Prishtinë, edhe në Tiranë, i kënaqim të gjithë të ftuarit, pse jo”, ka shtuar Rovena për ‘Kosova Sot’. 

Reagon familja e Almedës

Pas publikimit të lajmit për një lidhje të mundshme mes modeles shqiptare Almeda Abazi dhe futbollistit turk Sergen Yalacin, ka reaguar familja e Almedës duke demantuar atë dhe duke thënë se kjo është vetëm një thashetheme.
“Për faktin se Almeda për momentin ndodhet në reality shou ‘Survivor’ dhe nuk ka të drejtë të japë informatë deri në mbarim të këtij shou, unë po ju drejtohem sinqerisht se ajo nuk ka nisur asnjë lidhje dashurie me askënd”.
"Kjo është vetëm spekulim dhe mes saj dhe Sergen Ylacin nuk ka dashuri. Ata mund të jenë vetëm miq dhe asgjë më shumë”, është shprehur nëna e Almedës për ‘Zëri’.
Almeda përveç këtij reality shou ajo ka qenë edhe pjesë e "Dancing with the stars" në Turqi, ku zuri vendin e tretë.

Rita thotë “How We Do”

Këngëtarja kosovare Rita Ora, pas publikimit të këngës R.I.P, ajo sërish ka sjell një tjetër projekt të ri muzikor.
“How We Do”, titullohet kënga më e re e Ritës. Këngë kjo e punuar nga Roc Nation.
Kjo këngë tashmë ka filluar të klikohet menjëherë në YouTube, dhe është vënë menjëherë në shitje në ITunes.
Më poshtë sjellim këngën “How We Do” nga Rita Ora.

10 rregullat e takimit të parë

Jeni mërzitur nga darkat romantike të cilat nuk ju çojnë asgjëkundi? Tani erdhi momenti që të merrni në dorë fatin e takimeve të para. Në ç’mënyrë?
Ju zbulojmë 10 rregulla që do ta bëjnë telefonin tuaj të tingëllojë madje që në të nesërmen.

* Mbyllni gjithmonë celularin kur ai mbërrin në takim.
* Përpiquni të jeni sa më korrekte në takimin tuaj.
* Mos përmendi në bisedë asnjë nga ish të dashurit tuaj.
* Mos pini kurrë shumë, pasi do të humbisni pikë përpara tij, sado pijanec qoftë.
* Mos përmendi ndonjë koleksion veshje që keni mbi krevat dhe se cili ju mungon.
* Kërkoni të ndani më dysh llogarinë dhe mos u ofendoni nëse ai e pranon këtë.
* Bëjeni atë të qeshë. Ndjenja e humorit është edhe ajo po kaq e rëndësishme sa edhe ju.
* Mos porosisni kurrë fruta deti. Mund të jetë një përzgjedhje tepër elegante, por e vështirë për t’u ngrënë.
* Mos përdorni në asnjë mënyrë fjalën ‘cikël’, duke pasur parasysh menstruacionet e as shprehjen ‘ora biologjike’.
* Mos u ngatërroni në analiza karakteresh që bazohen tek shenja e horoskopit.

Frutat e malit mbrojnë nga sëmundja e Parkinsonit

Frutat e malit siç janë dredhëzat, boronicat dhe manaferrat përmbajnë materie të veçanta të cilat reduktojnë rrezikun nga zhvillimi i sëmundjes së Parkinsonit.
Hulumtimi është kryer nga ana e ekipit të Universitetit Harward dhe Universitetit East Anglia dhe është publikuar në revistën Neurology. Shkencëtarët kanë përcjellë 130.000 meshkuj dhe femra për periudhën 20-vjeçare. Në fund të periudhës 800 prej tyre kanë pasur sëmundjen e zhvilluar të Parkinsonit.
Duke analizuar ushqyerjen e tyre, mënyrën e jetës dhe shprehitë kanë përfunduar që ato që kanë konsumuar më së shumti flavonoide kanë për 40 për qind rrezik më të vogël nga zhvillimi i sëmundjes së Parkinsonit.
Duke shikuar vetëm frutat e malit, të cilat janë një nga burimet e flavonoideve, me konsumimin e tyre rreziku reduktohet për 25 për qind.
Flavonoidet mbrojnë nga dëmtimet e shkaktuara nga mplakja, reduktojnë probabilitetin e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, tensionit të lartë të gjakut dhe formave të caktuara të kancerit.
Shkencëtarët pohojnë që rezultatet nuk janë përfundimtare, sepse duhet të vërtetohen nga ana e institucioneve të mëdha epidemiologjike dhe klinike.

Ish shfrytëzuesit e iPhoneit dhe Androidëve më së shpeshti blejnë WP7

Sipas rezultateve të anketës të cilën e ka bërë faqja WPCentral, 60% e blerësve në SHBA të pajisjeve të bazuara në Windows Phone janë ish pronarë të pajisjeve të Apple dhe të atyre të bazuar në Android.
Në hulumtim janë përfshirë më shumë se 3,500 shfrytëzues të pajisjeve të bazuara në Windows Phone, prej të cilëve gati 30% ishin më parë pronar i një iPhone, e 27% të një telefoni të bazuar në Android. Ish shfrytëzuesit e BlackBerryt përbëjnë rreth 10% të të anketuarve, 12% më parë kishin telefon me Symbian, e pak mbi 6% telefon të HP me WebOS.
Rreth 15% të tjerë kishin telefona “të zakonshëm” celularë. 

Pilotit i duket Venera sikur aeroplan

Pilotit të kompanisë “Air Canada” planeti Venera i është dukur si aeroplan tjetër që po i vjen përpara, prandaj e ke kthyer përnjëherë aeroplanin Boeing 767-300 duke lënduar 16 njerëz.
Aeroplani po udhëtonte nga Toronto në drejtim të Cyrihut dhe bartte 95 pasagjerë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit.
Pasi kishte bërë një sy gjumë, piloti ishte zgjuar i dezorientuar dhe bashkëpiloti e kishte informuar se në trajektoren e tyre fluturonte edhe një aeroplan amerikan mallrash. Ndërsa piloti i përgjumur e kishte parë Venerën dhe në moment e ka ulur për 120 metra Boingun duke kujtuar se planeti që shihej ishte pikërisht aeroplani tjetër.
Ai ka arritur që të reagojë dhe ta stabilizojë aeroplanin, megjithatë ka lënë të lënduar disa pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit. 

Parkon në katin e dytë

Shpeshherë vozitësit i parkojnë automjetet vend e pa vend, mirëpo një vozitës nga Sao Paolo e ka ndalur automjetin e tij në murin e jashtëm të katit të dytë të një ndërtese.
Dëshmitarët okularë kanë treguar se vozitësi e kishte humbur kontrollin gjatë kalimit nëpër një urë që gjendet pranë ndërtesës dhe kishte fluturuar drejt saj.
Në dhomën ku ka goditur ka qenë një foshnje gjashtëmujore, por fatmirësisht ka qenë në skajin tjetër të dhomës dhe ka shpëtuar e pa lënduar.
Ndërkaq, vozitësi ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në spital për mjekim. /

Dashuria e një qeni (Video)

Një qen i zi është xhiruar duke ruajtur trupin e një qeni tjetër në rrugë, të cilin e kishte goditur një automjet në Kaliforni.
Personi që e ka bërë xhirimin ka vërejtur se qeni i gjallë i kishte qëndruar pranë qenit të ngordhur, në mënyrë që të pengonte shkeljen e tij nga automjetet tjera.
Më pas të njëjtën gjë e ka bërë edhe xhiruesi duke thirrur edhe policinë dhe shërbimet për mbrojtjen e kafshëve. 

Mourinho i shqetësuar me golat e Bayernit

Jose Mourinho është i shqetësuar me mënyrën se si ata pranuan dy gola nga Bayern Munichu në disfatën e mbrëmshme 2-1 në Ligën e Kampionëve, por shpreson se në ndeshjen e kthimit gjithçka do të jetë ndryshe.
“Real Madridi gjithmonë luan për të fituar dhe skuadra është e gatshme të përgjigjet në një ndeshje në të cilën publiku sigurisht do të dëshirojë të na ndihmojë. Besoj se barazimi do të ishte më i drejtë, por ky është futbolli: kush shënon fiton. Nuk është me rëndësi nëse ju e bëni këtë në të parën ose në të fundit”.
“Rezultati nuk është i keq pasi ky nuk na detyron neve të bëjmë rikthim historik në shtëpi. Ne do të duhet të nxjerrim një rezultat normal dhe mendoj se jemi të gatshëm të përgjigjemi. Ne do të fillojmë të përgatitemi për këtë pas ndeshjes së të shtunës”.
“Ne deshëm të fitojmë sonte. Ne pranuam një gol nga ndalimi në pjesën e parë, gjatë të cilës ne luajtëm në mënyrën më të mirë. Pastaj barazuam dhe menduam se është vështirë të fitohet edhe pse ne dhamë më të mirën”.
“Të dyja skuadrat bënë gabime dhe Bayerni shënoi kur dukej se ndeshja do të përfundonte me barazim. Goli i tyre i parë ishte nga pozita jashtë loje, por unë nuk mund ta kritikoj gjyqtarin për këtë. Nuk ndjehem negativ për këtë”, ka deklaruar portugezi.

Pjesëtarë të MUP-it zhvendosen, “Obraz” paralajmëron ardhjen në veri

Gjashtë pjesëtarët e MUP-it serb, Jovan Arsic, Nebojsha Rasic, Sinisha Mihajlovic, një i katërt me nofkën “Piko” dhe dy të tjerë (emrat e pakonfirmuar) janë larguar nga banesat e tyre te “Tre rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës.
Burime të gazetës “Koha Ditore”, kanë bërë të ditur se urdhrin për t`u zhvendosur pjesëtarët e MUP-it e kanë marrë pas shpërthimit që ka ndodhur tek “Tre Rrokaqiejt” e ku ka mbetur i vrarë Selver Haradinaj.
Lëvizja e një njësiti të ROSU-s që i ka shkuar në përforcim ROSU-s në Mitrovicë, në natën e 12 prillit, katër ditë pas shpërthimit, ka shqetësuar jo vetëm prezencën ndërkombëtare në Kosovë, por edhe strukturat e Serbisë në veri të lumit Ibër.
Sipas burimeve të gazetës, informatat e tilla, kanë bërë që pjesëtarët e MUP-it të largohen të paktën nga “Tre Rrokaqiejt”.
Por largimi i pjesëtarëve të MUP-it nuk i ka lënë shumë që të gëzohen qytetarët shqiptarë në veri të Ibrit. Grupi çetnik që mban emrin “Obraz” (Fytyra), ka paralajmëruar se do të niset për në veri të Kosovës. Njoftimin ua kanë dërguar me letër para dyerve të shtëpive, qytetarëve shqiptarë të asaj pjese.
“Koha Ditore” ka raportuar ditë më parë se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë marrë vesh para disa muajsh që të mos lejojnë përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës gjatë zgjedhjeve të Serbisë. Sipas marrëveshjes që është konfirmuar nga zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, qëllimi i strukturave ilegale në veri, që janë degë të partive radikale, është që të provokojnë konflikt ndëretnik, ngase do të avanconte pozitën e tyre si në zgjedhjet e Serbisë, ashtu edhe në dialogun për veriun që pritet të nisë pas zgjedhjeve në shtetin fqinjë.
Sipas marrëveshjes, Qeveria e Kosovën nuk do të dërgojë ROSU-n në veri, derisa Serbia do të ndalë ardhjen e grupeve çetnike në veri.
Përndryshe, burime ndërkombëtare kanë shpjeguar për “Kohën Ditore” se gjatë kësaj kohe, paralajmërime për t`u nisur drejt Kosovës kanë bërë edhe grupe të tjera famëkëqija.
Sipas burimeve të gazetës, përveç organizatave ultranacionaliste dhe të shpallura si ilegale edhe nga shteti serb “Obraz” (fytyra), “Srpski Cetnicki Pokret” (Lëvizja Çetnike Serbe), janë edhe disa grupe të tjera ekstremistësh, siç janë “Delije” (Trimat) dhe ‘Grobari’ (Varrmihësit) që mund të pritet që të rrisin aktivitetin e tyre në veri gjatë kësaj kohe. Sipas të njëjtave burime, pjesë e dy organizatave çetnike, janë edhe familjarë të përfaqësuesve të veriut të Kosovës, që janë liderë të institucioneve ilegale të Serbisë. 

Jaksic: Nuk heqim dorë nga zgjedhjet

Zgjedhjet lokale të Serbisë do të mbahen patjetër në komunat e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Shtërpcës, thotë Marko Jaksic, nënkryetar i të ashtuquajturës kuvend i bashkësive të Kosovës.
“Besojmë se kjo qeveri tradhtare, e cila merret me shitjen e territorit të vet, do të zbres nga froni. Qeveria kombëtare... jo vetëm që do t’i njoh zgjedhjet, por edhe në komunat tjera do t’i formojë qeveritë lokale”, thotë ai për Alo.
“Është idiotike dhe qesharake që për heqjen dorë nga zgjedhjet lokale, foli së pari ministri për Kosovën, Goran Bogdanovic, ndërsa më herët kryetarja e Kuvendit i shpalli në tërë territorin. Referimi te Rezoluta 1244 është i paqëndrueshëm, për shkak se ky dokument ka ekzistuar edhe në vitin 2008, kur ne kemi pasur zgjedhje lokale në Kosovë”.
Krstimir Pantic, i ashtuquajtur kryetar i Mitrovicës, ka thënë se moszbatimi i zgjedhjeve lokale do të thotë “eksod i qetë i serbëve, fillimisht të atyre në jug të ibrit, e pastaj në veri ku ata janë shumicë”.