Në një intervistë për “Epokën e Re”, Ramadani e ka akuzuar rëndë Qeverinë, e cila, sipas tij, së bashku me kontrabandistët serbë është duke e mbajtur peng veriun e Kosovës.
“AAK dyshon se njerëzit që janë duke e bërë këtë kontrabandë janë të lidhur direkt me këtë Qeveri”, ka thënë Ramadani, duke shtuar se kësaj Qeverie është duke i munguar strategjia gjithëpërfshirëse për veriun.
Sipas tij, për shkak të hetimeve për korrupsion, Qeveria e Kosovës është duke e shfrytëzuar veriun për propagandë politike.
“Nuk ka ministri dhe zyrë të kësaj Qeverie që nuk është duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit. Dhe si rrugëdalje në opinionin publik e kanë gjetur propagandën për veriun”, ka deklaruar Ramadani, duke shtuar se ligji i forcës duhet të aplikohet në tërë territorin e shtetit.
Ai ka thënë se zgjidhja e veriut duhet të gjendet brenda pakos së Ahtisaarit dhe duke i bërë presion Serbisë.