Ndaj raportit hulumtues në të cilin Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese dhe Organizata ÇOHU! kanë punuar me muaj të tërë partia në pushtet është përgjigjur me një gjysmë faqe komunikatë, vlerëson “Çohu”. Sipas kësaj organizate, vetë shpejtësia e reagimit të PDK-së, për dhjetëra faqe punë hulumtuese, "tregon se kjo komunikatë është lëshuar pa u lexuar raporti jonë përfundimtar”.
“Për më tepër, kjo komunikatë nuk ka përmbajtur asgjë konkrete, që do të mund të shërbente si përgjigje ndaj fakteve të nxjerra nga hulumtimi ynë. Nuk flet për asgjë konkrete, por komunikata pretendon ta mbrojë demokracinë nga Organizata ÇOHU! duke i dhënë opinionit përgjigjen e vetë instante, të gatuar prej kohe, sipas së cilës, gjithçka që ekspozon lidhjen e PDK-së me shpërndarjen e parasë publike financuesve të fushatave të saja elektorale është shpifje”, thuhet në reagimin e ÇOHU!
Sipas saj, PDK-ja ka pretenduar se po e mbron demokracinë duke dërguar një komunikatë të shkruar shpejt e shpejt si një përgjigje të një hulumtimi që ka përfshirë shikimin e mbi 500 tenderëve publik; leximin e dhjetëra deklaratave të pasurive të zyrtarëve publik; nxjerrjen dhe krahasimin e dhjetëra certifikatave nga biznes-regjistri; leximin e dhjetëra raporteve të auditimit; monitorimin për disa vite të raportimit të medieve dhe krahasimin e gjithë këtij materialit me të dhënat e paraqitura në raportet e auditimit të KQZ-së, ku pasqyrohen subjektet fizike dhe juridike që kanë financuar fushatat elektorale të PDK-së.
“Në këtë mënyrë, me këtë reagim të mjerë, PDK edhe njëherë tregon se jo vetëm është tërësisht jo-kompetente, por është arrogante dhe ka për dëshirë t’ia mbylli gojën çdokujt. Televizioni publik, i kthyer tashmë në një shërbyes të zakonshëm të PDK-së, pa qenë fare në konferencën për shtyp të ÇOHU! dhe QKGH, i ka kushtuar vëmendje më të madhe një gjysmë faqeje reagim të PDK-së, pa asnjë argument të vetëm, sesa raportit hulumtues me qindra fakte e dokumente. Kështu, PDK-ja, bashkë me RTK-në, kanë pretenduar se mund t’i hedhin hi syve opinionit duke nxjerrë reagimin tashmë universal se ‘çka nuk del nga PDK-ja është shpifje, është kundër shtetit dhe kundër demokracisë’”.
Organizata ÇOHU! dhe QKGH-ja, thuhet në reagim, qysh sot do të fillojnë punën që të shpërndajnë raportin hulumtues për mbi 100 milionët e shpërndarë për bizneset e PDK-së, dhe do ta pres PDK-në për të dhënë përgjigje mbi pikat, faktet, e argumentet të cilat përbëjnë shpifje.
“Ne do ta dorëzojmë këtë raport në Prokurorinë Speciale, në Kuvendin e Kosovës, natyrisht në PDK, por edhe tek partitë tjera dhe nga ata do të presim ose një demant përmbajtjesor, por jo të tipit ‘këto janë shpifje’, ose do të presim nga këto institucione që të ndërmarrin diçka për të ndaluar instrumentalizimin e parasë publike në funksion të PDK-së”.
Organizata ÇOHU! Thotë se nuk ka kuptim që një hulumtim që përfshinë 100 milionë euro të shpërndara mes bizneseve të partisë në pushtet, mund të kalohet me një gjysmë faqe reagim të vakët e pa përmbajtje.
“Ne kemi nxjerrë fakte që duhet të japin bazë për dyshime mbi futjen e tërë sistemit të prokurimit publik në një rrjet të krimit të organizuar dhe në korrupsion politik. Kjo natyrisht që kërkon vëmendjen e jo vetëm të gjyqësisë. por edhe të akterëve tjerë shoqëror, edhe të shoqërisë civile, edhe të institucioneve tjera që janë të thirrura për ta kontrolluar pushtetin ekzekutiv dhe menaxhimin e resurseve publike”.