Këtë javë shkollat në Kosovë do të realizojnë aktivitete të ndryshme edukativo-arsimore (sipas zgjedhjes së tyre: debate, ekspozita, orë letrare, shfaqje teatrale, dhe aktivitete tjera) në përputhje me temën e përmendur.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, në shkollën e mesme teknike “ Fehmi Agani” në Klinë, të hënën ka shpallur të hapur aktivitetin “ Java e arsimit për të gjithë” me temë “Të rinjtë, shkathtësitë dhe puna”.
Ministri Buja tha se kjo javë është e karakterit global dhe i kushtohet kryesisht zhvillimit dhe aftësimit profesional të të rinjve, përkatësisht aftësimit të tyre për jetën. “Rezultati i juaj është evident ndonëse në kushte jo të mira, ndërkaq çështja e shkollave dhe arsimit profesional është brengë e të gjithë neve”.
“Ne si institucioni më i lartë arsimor i vendit po insistojmë që kjo të përmirësohet në vazhdimësi dhe në këtë kontekst kemi marrë iniciativën dhe do të themelojmë Agjencionin për Arsim dhe Aftësim Profesional, i cili do të avancojë më shumë këtë sektor të arsimit“, tha Buja.
“Porosia ime është që të mësoni sa më shumë. Kosova është dhe do të jetë vend i mundësive të mëdha dhe me perspektivë të ndritshme edhe për ju të dashur nxënës”, tha Buja, i cili ndau mirënjohje dhe shpërblime të veçanta për nxënësit e dalluar në mësim dhe punën praktike.