Një krua i shekullit XV para Teatrit Kombëtar

Para Teatrit Kombëtar në Prishtinë është zbuluar një krua, i cili sipas llogaritjeve të arkeologëve daton nga shekulli XV.
Kroi është zbuluar gjatë zhvillimit të punimeve në ndërtimin e Sheshit “Ibrahim Rugova” në kryeqytet.
Ndërsa drejtori Muzeut të Kosovës dhe ai i Arkeologjisë presin që ky krua të rehabilitohet, pasi sipas tyre ai është simbol i Prishtinës, transmeton Koha.net. 

Dallime për rrugëtimin evropian të Kosovës

Zyrtarët shtetërorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të shtunën, kanë shprehur kundërshtime të shumta teksa kanë paraqitur vizionet e tyre për procesin e integrimit evropian të Kosovës, para pjesëmarrësve të konferencës rajonale të Forumit Alpbach mbi të ardhmen e vendeve të Evropës Juglindore. Përderisa përfaqësuesit e institucioneve vendore kanë insistuar se dialogu me Beogradin është pjesë e rëndësishme e rrugës evropiane të Kosovës, aktivistët e shoqërisë civile kanë insistuar se ky proces duhet të bazohet në aplikimin e reformave që kanë ndikim në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
Zëvendës ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka pranuar se në shoqërinë kosovare mungon emëruesi i përbashkët për rrugën që duhet të ndjek Kosova drejt integrimit në BE dhe ka paraqitur qëndrimin se dialogu, në këtë rast me Serbinë, është njëri prej elementeve kyçe në këtë drejtim.
“Dialogu është pjesë fondamentale e rrugës së Kosovës për në BE”, ka thënë Selimi, edhe pse ka sqaruar se me këtë vizion nuk janë pajtuar as opozita e as pjesa më e madhe e shoqërisë civile. Ai ka shtuar se nuk është hequr dorë nga dialogu me Beogradin, pavarësisht nga çmimi, ngase është mjet për ndërtimin dhe avancimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, transmeton Koha.net.
Me këto konstatime nuk është pajtuar Haki Abazi nga “Rockfeller Brothers Fund”, i cili ka shprehur mendimin se “integrimi evropian nuk mund të paraqitet si qëllim i fundit, por duhet të përmbushet me përmbajtje që paraqet reforma të thella në sektorë të ndryshëm, që duhet të rezultojnë me përmirësimin e jetesës së secilit qytetar”.
Ai ka përkujtuar se në dy-tre muajt e fundit dialogu Prishtinë-Beograd është prezantuar si forma më e mirë për ecjen përpara, por që megjithatë është parë se “ka qenë vetëm një vendnumërim”.
“Masat e marra sidomos nga ana e Qeverisë së Serbisë kanë rrezikuar edhe më tutje lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe arrestimet që ka bë Qeveria e Kosovës, të paargumentuara mirë, ka bërë që ajo të përdoret për kozmetikë dhe për bujë mediale dhe jo për një funksionalitet të ligjit dhe rendit në Kosovë”, është shprehur Abazi.
Në anën tjetër përmes një letre drejtuar pjesëmarrësve të konferencës rajonale të Forumit Alpbach, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek ka shprehur bindjen se përkushtimi i Brukelit në lidhje me perspektivën evropiane të Kosovës është i qartë, pa asnjë dykuptimësi dhe sfida e mos njohjes nga pesë vendet e BE-së, duhet të përmbyllet së shpejti me njohjen e shtetësisë së saj.
Ajo ka shkruar se viti 2012 është viti i mundësive për Kosovën, i cili duhet që ti shërbej edhe pesë shteteve hezituese që të heqin dorë nga qëndrimi “neutral ndaj statusit.”
“Bashkëpunimi në vend të konfrontimit është parimi kryesor mbi të cilën është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe jam e bindur se jetësimi i tij i përpiktë do të mundësoj edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në gjirin e familjes evropiane”, ka thënë Lunacek.
Mirëpo sipas saj duhen liderë të guximshëm si në Serbi e Kosovë por edhe brenda BE-së që ta aplikojnë këtë parim në praktikë.
“Na duhen liderë të guximshëm në Serbi dhe Kosovë, por edhe në BE veçanërisht në mesin e pesë shteteve hezituese, të cilat duhet ti japin fund tregimit të pikëllueshëm të mosnjohjes së Kosovës, e cila i mban qytetarët e Kosovës pezull dhe krijon më shumë pakënaqësi sesa problemet aktuale ekonomike apo sociale”, ka theksuar Lunacek.
Konferenca rajonale e Forumit Alpbach mbi të ardhmen e vendeve të Evropës Juglindore është hapur, të premten, në Prizren, me vlerësime dekurajuese për situatën aktuale rreth procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me shtetet ballkanike.
Çështjet e brendshme të komunitetit evropian që kanë kulmuar me krizën ekonomike sipas panelistëve kanë ngadalësuar dinamikën dhe dëshirën për shtim të numrit të vendeve anëtare, përderisa Kosova vazhdon të mbetet në kërkim të zyrtarizimit të marrëdhënieve kontraktuare me BE-në.

Jovanovic: Tadici e Nikolici janë njësoj!

Kandidati i koalicionit “Kthesa” për president të Serbisë, Cedomir Jovanovic ka thënë se kandidatët e Partisë Demokratike dhe asaj Përparimtare Serbe, Boris Tadic dhe Tomislav Nikolic janë të njëjtë.
“Në fillim të fushatës i kam bërë ftesë Tadicit që të jetë president i të gjithë qytetarëve për të udhëhequr Serbinë. Nikolicit, që të tregojë të vërtetën për Kosovën”, ka thënë Jovanovic.
Ai ka thënë se po që se zgjidhet president i Serbisë do të shkojë në Kosovë për të hapur horizont të ri për serbët dhe shqiptarët. 

AVONET fton qytetarët në zgjedhje

Me moton “Shfrytëzo të drejtën tënde – Dil voto”, Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë civile AVONET në komunën e Ferizajt u bën thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës se Ferizajt, të cilat mbahen të dielën më 29 prill.
AVONET falënderon të gjithë kandidatët e partive politike të cilët garojnë për të parin e komunës që kanë zhvilluar një fushat të qetë , pa tendenca dhe më këtë kanë treguar vullnetin e mirë për të ruajtur imazhin e qytetit Ferizajt, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë civile AVONET.
AVONET duke i bë thirrje qytetarëve për të dalë në zgjedhje, ju bënë thirrje edhe partive politike që të tregojnë kulturë të mirëfilltë qytetare.
“Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë civile AVONT, ka një numër të madh të anëtarëve dhe të gjithë kanë shprehur gatishmërinë që të publikojnë çdo parregullsi dhe ta bëjnë publike përmes mediave, të cilat vazhdimisht do të janë prezente në komunën e Ferizajt”, thuhet në kumtesë.

Bale paralajmëron largimin

Gareth Bale ka thënë se mund të largohet nga Tottenhami nëse skuadra nuk arrin të kualifikohet në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Klube të shumta janë të interesuara për shërbimet e anësorit, ndërsa mes tyre edhe dy gjigantët spanjollë, Barcelona dhe Real Madrid.
“Nëse nuk kualifikohemi (në Ligën e Kampionëve), duhet të ulemi dhe të diskutojmë se çfarë është më mirë për mua”, ka thënë uellsiani për Football Focus.

Malouda mund të largohet

Anësori i Chelseat, Florent Malouda, nuk e di nëse do të qëndrojë në Stamford Bridge në sezonin e ardhshëm.
31-vjeçari ishte jashtë planeve të Andre Villas-Boas gjatë kohës sa ishte trajner, ndërsa tani e ka gjetur veten prapa Salomon Kalou nën drejtimin Roberto Di Matteos.
Njoftimi rreth transferimit të Marko Marin nga Werder Bremeni e kufizon edhe më shumë minutazhin që mund t’i jepet francezit.
“Kam edhe një vit në kontratë dhe ka shumë dyshime për atë që do të ndodhë. Është e pamundur për mua që ta pozicionoj veten për sezonin e ardhshëm sa i përket zgjedhjes (për të luajtur)... Gjithçka po zhvillohet shumë shpejtë këtu”, ka thënë Malouda përLe Parisien

Ibra nuk e dëshiron Guardiolan te Milani

Zlatan Ibrahimovici është i gatshëm të largohet nga Milani, nëse Silvio Berlusconi e angazhon Pep Guardiolan në postin e trajnerit.
Guardiola do të largohet nga Barcelona në fund të sezonit, ndërsa La Gazetta dello Sport ka raportuar se Rossonerët do të përpiqen ta angazhojnë atë në San Siro.
Duke ditur mosmarrëveshjet e të kaluarës në Camp Nou mes Ibras dhe Pep, mediat spekulojnë se sulmuesi do të largohet nëse ndodh diçka e tillë.
Mirëpo, thuhet se Berlusconi dëshiron të ndërmjetësojë në rregullimin e raporteve mes Ibrahimovicit dhe Guardiolas, pasi që i dëshiron të dy te klubi. 

Barazon Arsenali – Newcastle rrezikon pozitën e katërt

Me rezultat prej 1-1, Arsenali ka barazuar si mysafir i Stoke Cityt, ndërkohë që Newcastle United është mposhtur me rezultat 4-0 nga Wigan Athletic.
Peter Crouch kaloi Stoken në epërsi (10’), ndërsa Robin van Persie e barazoi rezultatin (15’).
Ndërkaq, me golat e Victor Moses (13’ dhe 15’), Shaun Maloney (36’) dhe Franco Di Santo (45’+2), Wigani ka triumfuar përballë Newcastle.
Pas kësaj xhiroje, Arsenali ka 66 pikë dhe gjendet në pozitën e tretë, ndërsa Newcastle United një pozitë më poshtë ka 62 pikë.
Tottenhami me fitore eventuale ndaj Blackburnit do të pozicionohet në vend të katërt me pikë të barabarta me Newcastle, ndërsa Chelsea nëse mposht QPR-në, do të jetë vetëm një pikë larg vendit të katërt që çon në Ligën e Kampionëve. 

PSG në bisedime me Kaka e Higuain

Mediat franceze raportojnë se Paris Saint-Germain ka filluar bisedimet me dyshen e Real Madridit, Kaka dhe Gonzalo Higuain.
Sipas L'Equipe, presidenti i klubit francez, Nasser Al Khelaifi, në javën e kaluar është takuar me dy lojtarët dhe është përpjekur që t’i bindë ata që të kalojnë në Parc des Princes.
PSG është në kërkim të lojtarëve me nam në mënyrë që të lë gjurmë në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm. 

Karanka: Guardiola i takon të kaluarës

Asistent-trajneri i Real Madridit, Aitor Karanka, mendon se Pep Guardiola tashmë i takon të kaluarës së futbollit spanjoll.
“Liga spanjolle ka ekzistuar pa Guardiolan dhe tash do të vazhdojë pa Guardiolan”.
“Numrat e tij janë aty pas katër vitesh. Mirëpo, ai tash është pjesë e historisë, ndërsa kampionati do të vazhdojë gjithmonë”, ka thënë Karanka në konferencën për media.

Conte beson në titull

Juventusi mund të triumfojë në garën për titullin e kampionit të Italisë – ka thënë trajneri Antonio Conte.
Zonja e Vjetër gjendet tre pikë larg përcjellësit të parë, Milan, ndërsa në katër ndeshjet e mbetura ka sfida relativisht më të lehta (Juve luan ndaj Novara, Lecce, Cagliari dhe Atalanta; ndërsa Milani kuan ndaj Siena, Atalanta, Inter, Novara).
“Besoj në Scudetto, duke marrë parasysh pozitën ku gjendemi tash. Të mos harrojmë nga erdhëm, ky është një burim krenarie”.
“E kemi mundësinë të shkruajmë një faqe të rëndësishme në historinë e Juventusit”, ka deklaruar Conte në një konferencë me gazetarë. 

Konfirmohet nënshkrimi i Marin me Chelsean

Chelsea ka konfirmuar transferimin e Marko Marin nga Werder Bremeni.
23-vjeçari ka arritur marrëveshje personale me Blutë dhe gjatë afatit kalimtar veror do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me klubin nga Stamford Bridge.
Largimin e tij nga Werderi e ka konfirmuar edhe menaxheri gjeneral i klubit, Klaus Allofs, ndërsa shuma e transferimit thuhet të jetë rreth 7-8 milionë euro. 

Ferguson: Ndaj Cityt, derbi i derbive

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka folur për magnitudën e duelit të së hënës ndaj Manchester Cityt, i cili për të është derbi i të gjitha ndeshjeve derbi këtë sezon.
“E marta në punë do të jetë dita më e rëndësishme për tifozët e të dyja palëve”.
“Kjo ndeshje është në gjakun e këtyre tifozëve. Unë e di të gijthë tifozët do të kishin dhënë gjithçka për ta fituar këtë ndeshje. Ky është derbi i të gjitha ndeshjeve derbi”, ka thënë Ferguson. 

United pas Kagawas

Manchester United është duke e menduar ofertën për mesfushorin e Dortmundit, Shinji Kagawa, pasi mediat gjermane raportojnë se klubi nga Signal Iduna Park ka humbur shpresat që ta mbajë japonezin edhe për sezonin e ardhshëm.
Presidenti i Dortmundit, Dr. Reinhold Rauball ka pranuar se ai ka frikë që Kagaëa nuk do të nënshkruajë rinovimin e kontratës, përderisa United sipas Bild tashmë ka përgatitur një kontratë prej 95 mijë funtesh në javë për japonezin.
United është në pole pozicion për të nënshkruar me Kagawan, i cili në të kaluarën është lidhur edhe me ekipe si Chelsea dhe Arsenal. 

Neuer: E dita ku do të gjuajë Ronaldo

Portieri i Bayernit të Munichut, Manuel Neuer, ka zbuluar se ai e ka studiuar mënyrën e goditjes së penaltive nga ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, duke thënë se kjo i ka ndihmuar që ai ta presë penaltinë e futbollistit më të kompletuar në botë në gjysmëfinalen e madhe të zhvilluar në Bernabeu.
“Unë gjithmonë përgatitem për situata të tilla. Trajneri jonë i portierëve, Toni Tapalovic, më tregoi në laptopin e tij para ndeshjes se si Ronaldo i merr penaltitë e tij”.
“Unë mësova se Ronaldo preferon të gjuajë topin në këndin e poshtëm të anës së majtë të portës. Gjatë gjuajtjes së penaltive, e kam ditur se ai do të kërkojë anën e tij të preferuar”, është shprehur Neuer për Bild.

Totti: Enrique ka besimin tim

Kapiteni i Romës, Francesco Totti, ka thënë se Luis Enrique dhe pronarët amerikanë kanë përkrahjen e plotë të tij.
“Pronarët amerikanë dëshirojnë të bëjnë gjëra të mëdha, ata kanë investuar shumë dhe jam krenar që jam pjesë e projektit të tyre për të cilin do të flasim shumë në të ardhmen. Drejtorët e rinj duket se po angazhohen për ta bërë klubin edhe më të madh. Baldini është lider i madh dhe ai dëshiron të fitojë. Sabatini është vazhdimisht prezent në zhveshtore”.
“Në ndërkohë, trajneri është njeri fantastik, një njeri i sinqertë dhe lojal, ai thotë atë që e mendon. Ju mund t’i thuani pa problem atë që mendoni dhe ai pranon gjithçka, është normale që ai së pari dëgjon të tjerët. Ai është një njeri në në të cilin mund të mbështeteni”, ka thënë Totti. 

Kompany: Derbi me United, i dyti pas El Clasicos

Mbrojtësi i Manchester Cityt, Vincent Kompany, beson se derbi i Mançesterit është dueli i dytë më i madh në botë pas El Clasicos së zhvilluar javë më parë mes Barcelonës dhe Real Madridit.
“Është e pamundur të mos i njohim derbit. Para se të shkoni në ndonjë klub ju shikoni përballjet dhe mendoj se pas El Clasicos, ndeshja më e madhe në botë është derbi i Mançesterit”.
“Kur flas këtë, mund të them se kemi përvojë në ndeshjet e mëdha. Por, është çmenduri, pasi ju e dini se ju shikojnë 400 milionë njerëz. Janë telefonatat po ashtu, të gjitha”, ka thënë Kompany. 

Fillon karrierën duke mundur një serb

Një fillim më të mirë në karrierë nuk mund të kërkosh. Kështu sigurisht mendon edhe Naim Tërbunja, i cili në mënyrë triumfale ka mposhtur boksierin serb, Vladimir Spasojeviç.
Ishte ky vetëm dueli i parë i Tërbunjës në boksin profesionist dhe ai zgjati vetëm katër raunde, pasi Spasojeviç ishte i pa fuqishëm, tejet i dobët për Tërbunjën. Ky duel është zhvilluar në Linkoping të Suedisë, me tërbunjën që u vlerësua lart për paraqitjen e tij.
27 vjeçari Tërbunja, i cili mbron ngjyrat e Suedisë, ka pasur përkrahjen e shumë shqiptarëve në palestër, të cilët vetëm sa e kanë motivuar drejt startit fenomenal të karrierës profesioniste. 

Gerrard: Suspendimi i Suarez lëndoi ekipin

Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, ka thënë se suspendimi i Luis Suarez me tetë ndeshje nga FA e preku ekipin duke ndikuar kështu në rezultatet e klubit nga Anfield.
“Mendoj se shumë jemi prekur si ekip kur Suarez u suspendua, sepse ai është një prej lojtarëve më të mirë në botë. Nëse humbisni një prej lojtarëve më të mirë në botë, sigurisht se do të ndikojë në ekip. Ishte humbja e një lojtari që lëndoi më shumë se gjithçka tjetër”.
“Kemi pasur momente të vështira këtë sezon. Kampionati ka qenë shumë i vështirë, sepse ne kemi qenë aq të pa qëndrueshëm dhe jemi në një pozicion ku nuk duhet të jemi të tillë”, është shprehur Gerrard. 

Pirlo: Lufta për titull, e veçantë

Mesfushori i Juventusit, Andrea Pirlo, ka pranuar se është ndjenjë e veçantë fakti që Milani është duke luftuar me ekipin e tij për titullin në Serie A, vetëm një vit pasi mesfushori u largua nga San Siro.
“Ne e kemi ditur se do të jetë luftë deri në fund. Sigurisht, pasi kam luajtur për dhjet vjet, ndihem në mënyrë të veçantë. Janë bërë përmirësime ndehsje pas ndeshje, të cilat ngritën besimin tonë”.
“Unë menjëherë jam ndjerë pjesë e këtij ekipi, sepse unë i kam njohur shumë prej bashkëlojtarëve që një kohë të gjatë. Për më shumë, të luash për një ekip të ri vetëm se të shton motivimin”, ka deklaruar Pirlo.

Ferguson: Torturuese të lësh lojtarët në shtëpi

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka thënë se zgjedhja e lojtarëve, cilët do të luajnë dhe cilët jo në sfidën ndaj Manchester Cityt të hënën është një proces mjaft torturues për të.
“Të gjithë janë të gatshëm përpos Paul Pogbas, i cili është jashtë ekipit për gjithë sezonin e mbetur. Mendoj se të gjithë lojtarët duan të luajnë në këtë takim për të lënë gjurmë. Duhet të lë shumë lojtarë në pankinë që meritojnë formacionin startues”.
“Unë mund të vë në lojë vetëm 11 lojtarë dhe të kem shtatë zëvëndësues, kështu që tri-katër lojtarë do të mbesin në shtëpi. Është gjithmonë vështirë për mua. Të lësh lojtarë të mirë në pankinë është torturuese. Vërtet kështu është”, ka thënë Ferguson. 

Ancelotti konfirmon interesimin për Suarez

Bosi i Paris Saint-Germain, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar interesimin e tij për transferimin e sulmuesit të Liverpoolit, Luis Suarz.
“Suarez është sulmues i mirë po”, është përgjigjur në pyetjen për sulmuesin e Liverpoolit strategu i klubit francez, i cili nuk po heziton të flasë hapur për transferet.
Lufta për titull në Ligue 1 është intensifikuar, pasi para PSG që është në vendin e dytë gjendet Montpellier, me pesë pikë më shumë dhe një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Super videoklip nga Elvana Gjata

Pop ylli, Elvana Gjata, ka lansuar videoklipin e ri të këngës “Gjaku Im”, i cili për dallim nga videoklipet tjera sjell bukuroshen shqiptare me një imazh të ri.
Elvana shfaqet me një imazh më mistik, duke pasqyruar kohërat e lashta dhe një dimension të ri, diçka që nuk është parë më herët nga artistët shqiptarë.
Pa dyshim, Elvana me këtë videoklip ka dashur të tregojë se përpos talentit të saj muzikor, posedon edhe talent artistik. 

D.U.D.A vjen me “Letër nga Fansi”

Reperi i grupit Double G Army, D.U.D.A, ka lansuar projektin e tij më të ri, “Letër nga Fansi”.
Kënga e re e reperit shumë të adhuruar nga publiku kosovar është pa videoklip, ndërsa vlen të përmendet se që në ditën e parë të lansimit ka ngjallur ndjesinë pozitive te fansat e grupit Double G Army.
Kënga e re “Letër nga Fansi” që tani ka filluar të krahasohet me hitin “Nano” që e ngriti Dudën kur ishte në fillimet e karrierës së tij. 

Rita Ora shkëlqen në New York

Ajo nuk konsiderohet më Rihanna e ardhshme, por Rita Ora e parë. Është pop ylli nga Kosova ajo që ka shkëlqyer edhe njëherë dhe ka impresionuar në New York, në një prej klubeve të natës më prestigjioze në botë.
VH1 raporton se Rita Ora ka ndezur masën në Neë York, duke kënduar hitete e saj të reja. Sipas mediumit të lartpërmendur, Rita ka treguar edhe njëherë se nuk është vetëm një yll që dëshiron t’i përkushtohet popit, pasi ndërroi zhanret vazhdimisht gjatë natës.
“Është një gjë që më inspiron. Dhe ata janë njerëzit të cilëve nuk u intereson asgjë dhe bëjnë atë që duan”, ka thënë Rita Ora pasi performoi këngën “Shine Your Light".

Nëse keni probleme me ereksionit, ndoshta vuani zemra

Ekspertët pohojnë që çdo pacient, i cili vjen me disfunskion erektil konsiderohet pacient kardiovaskular, gjithnjë deri sa nuk dëshmohet ndryshe.
Nëse keni probleme me arritjen ose mbajtjen e ereksionit, ndoshta vuani nga sëmundjet koronare. Një hulumtim ka treguar që meshkujt problemet me ereksionit fillojnë t'i ndjejnë me muaj apo vite para se të kuptojnë që kanë probleme me zemrën.
Arteria mund të ngushtohet ose ngurtësohet, kështu që penisi nuk furnizohet mjaftueshëm me gjak. Ekspertët në vitet e fundit kanë zbuluar një numër të madh të dëshmive të besueshme të cilat tregojnë në lidhjen e ereksionit dhe shëndetin e zemrës. Nëse keni probleme me arritjen ose mbajtjen e ereksionit, më së miri do të ishte të shkoni te mjeku. 

Hard Drive Sq modernist

Kompania Freecom (pjesë e grupit Mitsubishi Chemical) lëshoi në shitje një disk interesant të jashtëm të quajtur Har Drive Sq.
Dizajni modern i shtëpizës është nënshkruar nga Arman Emami (produkti fitoi edhe shpërblimet si Reddot 2012, iF Design Award 2012 GOLD dhe Universal Design Award 2012), e si material gjatë ndërtimit janë përdorur alumini dhe plastika.
Në shtëpizë është vendosur një disk me format 3.5-inçësh që punon pa zhurmë dhe me shpenzim të ulët të energjisë, derisa furnizimi i ndarë mundëson, krahas kompjuterëve, kyçjen e pajisjeve edhe në televizor, set-top-box dhe elektronikën tjetër multimediale. Ndërfaqja për këtë synim është USB 3.0.
Me pajisjen Freecom dërgon edhe softuerin Nero Backup dhe aplikacionin green button, i cili ul shpenzimin e energjisë, dhe në mënyrë automatike kalon pajisjen në mënyrën kursyese të punës kur ajo nuk po përdoret. Në dispozicion janë kapacitetet prej 1, 2 dhe 3 TB me çmimet e propozuara prej 150, 185 dhe 240 euro dhe atë me garanci dy vjeçare. 

Apple do të bie

“Apple do të bie në epokën post-Jobs” shkruan George Colony, drejtori ekzekutiv i Forrester Research.
Dhe ai i jep disa arsye për këtë, duke thënë se Jobs ka lënë trashëgimi të vlefshme për pasardhësin e tij, Tim Cook, i cili ende mbahet me produktet e famshme si iPhone dhe iPad. 
Mirëpo, sipas Colony, kur këto produkte të jenë për një kohë më të gjatë në treg, atëherë do të vërehet mungesa e liderit të kompanisë, të cilin sot nuk e ka. 
Megjithë pohimet e George Colony, Apple raportoi dyfishimin e profitit për tre muajt e parë të vitit, pikërisht për shkak të 35.1 milionë iPhone-ëve të shitur, si dhe 11.8 milionë iPad-ëve, dhe 7.7 milionë iPod-ëve, të cilat së bashku i kanë tejkaluar parashikimet e shitjeve. 
Sipas parashikimeve të analistit kryesor të tregut në SHBA, fati i Apple do të jetë i ngjashëm me atë të kompanive si Sony dhe Kodak, të cilët ishin në majat e suksesit me liderët e tyre, ndërsa merr shembull edhe rënien e shpejtë të kompanisë Disney, pas vdekjes së liderit të saj Ëalt Disney.

I porsalinduri ia tregon babait gishtin e mesëm (Video)

Sjellja ‘rebele’ zakonisht është karakteristikë te adoleshentët, mirëpo një foshnje ia ka treguar gishtin e mesëm babait të vet menjëherë pas lindjes.
I emocionuar me djalin e porsalindur, babai krenar mori kamerën dhe filloi ta xhirojë fëmijën teksa qëndronte i shtrirë në gjoksin e nënës.
Në këtë moment emotiv, foshnja e lëvizi dorën dhe bëri një “gjest të pakëndshëm”.
“Mos ma tregoi gishtin e mesëm?”, ka thënë babai duke qeshur. 

Gjithçka gati për zgjedhjet në Ferizaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se gjithçka është gati për mbajtjen e zgjedhjeve të së dielës të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Ferizajt. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha përgatitjen janë kryer me kohë, në mënyrë që të dielën, më 29 prill, të gjitha qendrat dhe vendvotimet të hapen në ora 7 të mëngjesit dhe mbyllen në ora 19:00.
“Të gjitha përgatitjet, ashtu siç parashihen me Ligj për zgjedhjet lokale janë bërë nga ana e KQZ-së. Janë 25 qendra të votimit, kurse 124 vendvotime me gjithsej 95.449 votues, aq sa i përmban lista votuese. Pritjet tona janë që me siguri që nuk do të ndryshojë dalja e votuesve, krahasuar me zgjedhjet paraprake”, ka bërë të ditur Daka.
Kryetarja e KQZ-së, thotë po ashtu se për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve janë certifikuar 1.514 vëzhgues, prej të cilëve vetëm 6 janë ndërkombëtarë, kurse të tjerët u përkasin partive politike dhe organizatave joqeveritare.
Si zakonisht, zgjedhjet pritet të vëzhgohen nga koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.
Besnik Ramadani nga Demokracia në Veprim tha për REL se ky koalicion ka monitoruar gjithë javën e fushatës dhe ka vërejtur disa parregullsi, por të cilat nuk kanë qenë të natyrës që do ta dëmtonin procesin zgjedhor.
“Ka qenë një fushatë shumë e qetë, pa presione, pa incidente të mëdha. Megjithatë, ne i kemi evidentuar edhe disa parregullsi, të cilat janë më shumë vazhdimësi e përvojës së kaluar si përdorimi i fëmijëve në fushatë, pjesëmarrja e fëmijëve nëpër takime, pastaj parregullsi shqetësuese ka qenë shfrytëzimi i resurseve publike, si dhe vendosje të posterëve në objekte publike dhe dëmtim të posterëve”, sqaron Ramadani.
Sa i përket ditës së diel, Demokracia në Veprim do ta ketë si synim parësor monitorimin e ecurisë së zgjedhjeve, shton Ramadani, duke e vënë në plan të dytë çështjen e shpalljes së shpejtë të rezultateve, siç veprojnë zakonisht organizatat që merren me vëzhgim.
“Demokracia në Veprim ka akredituar gjithsej 34 vëzhgues, Pra, vëzhguesi ynë do të jetë në çdo qendër të votimit në Ferizaj. Ne jemi mobilizuar dhe shpresojmë që dita e zgjedhjeve të shkojë në frymën e fushatës elektorale”, thekson Ramadani.
Ndryshe, zgjedhjet për kryetar të Ferizajt pasuan dorëheqjen e kryetarit Bajrush Xhemajli për shkak të një procesi gjyqësor ndaj tij.
Në garë për kryetarin e Ferizajt marrin pjesë gjashtë kandidatë të partive politike, një nga iniciativat qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Draskovic: Kosova fqinj i veçantë i Serbisë

Kryetari i Lëvizjes për Ripërtëritjen serbe, Vuk Draskovic, në mitingun e Koalicionit "Kthesa" në Beograd, tha se “duhet vënë pikë politikës Milosevicit ndaj Kosovës, politikës patriotike pa njohjen formale të pavarësisë së Kosovës".
Drashkovic ka thënë se Serbia duhet ta trajtojë Kosovën si fqinj të veçantë dhe të afërt, me të cilin do të krijojë dhe mbajë bashkëpunim të plotë ekonomik dhe në lëmi të tjera, transmeton agjencia shtetërore serbe Tanjug.
"Kthesa do të thotë edhe kthesë në politikën e urrejtjes, sepse populli serb duhet të pajtohet me popullin shqiptar”, porositi Draskovic.

Parandalimi i mizorive - punë e të gjitha kombeve

Të gjitha tragjeditë e tmerrshme që iu kanë ndodhur miliona njerëzve, të cilët janë vrarë në mizoritë masive, mendja njerëzore është më së miri në gjendje t’i kuptojë, duke i kujtuar individët që kemi parë me sytë tanë, qoftë personalisht ose në fotografi, shkruan kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në revistën “Foreign Policy".
 Në fjalimin e tij madhështor, rreth parandalimit, si dhe ndëshkimit të gjenocidit, presidenti amerikan Barak Obama, e bëri këtë, duke sjellë dy imazhe të personave që iu kishin nënshtruar akteve të çnjerëzimit.
E para ishte "një fotografi e vjetër", që ai vetë e kishte parë gjatë vizitës së Buhenvaldit, në të cilën "burrat dhe djemtë shtriheshin në krevatet prej druri, dhe dallonin fare pak nga skeletet”, përfshirë edhe 16-vjeçarin Elie Uisel.
E dyta ishte vuajtja që xhaxhai i madh i Obamës kishte përjetuar si ushtar në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai "ishte i tronditur nga ajo që pa, kur ndihmoi për të çliruar Ohrdrufin, pjesë e Buhenvaldit".
Dhe, unë i duartrokas Obamës, për deklaratën se "parandalimi i krimeve masive dhe gjenocidit është një interes i sigurisë kombëtare dhe përgjegjësi thelbësore morale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës."
Megjithatë, kur mendoj në lidhje me krimet masive, imazhet më të gjalla që më vijnë në mendje janë ato të bashkatdhetarëve të mi dhe grave, të refugjatëve kosovarë nga konfliktet e viteve ’90, të cilët u qëlluan dhe u granatuan dhe vërshuan përtej kufirit për të gjetur siguri në Shqipëri.
Dhe, kur mendoj se si të parandalohen tragjedi të tilla, duket qartë se Amerika nuk mund ta bëjë këtë e vetme dhe se "përgjegjësia thelbësore morale" na takon të gjithë neve.
Obama ka angazhuar Shtetet e Bashkuara për të bërë gjërat e duhura për këtë kauzë të madhe. Ai shpalli krijimin e një Bordi për Parandalimin e Mizorive, me qëllim të përqendrimit të vëmendjes dhe burimeve të çdo agjencie të qeverisë amerikane në parashikimin dhe parandalimin e mizorive para se ato të ndodhin.
Ai ka iniciuar sanksione të reja kundër atyre që përdorin teknologjinë e informacionit për abuzim të të drejtave të njeriut. Ai ka kërkuar një vlerësim nga zbulimi kombëtar për rrezikun nga mizoritë masive, ka udhëzuar Departamentin e Thesarit që të vendosë mjetet financiare kundër mizorive, dhe ka urdhëruar ushtrinë që të përfshijë parandalimin e mizorive në doktrinën e saj.
Ndërsa janë për t’u përshëndetur, megjithatë veprimet e një kombi të vetëm kurrë nuk do të jenë të mjaftueshme për parandalimin e mizorive të ardhshme. Kjo duhet të jetë, siç ka thënë Obama "puna ... e të gjitha kombeve". Ajo duhet të përfshijë çdo vend, në çdo kontinent, nga kombet e vogla si Kosova deri te fuqitë e mëdha ekonomike, politike dhe ushtarake.
Ne ishim të shqetësuar të gjithë nga aktet çnjerëzore që ndodhën në vendet e përmendura nga Obama, mes tyre Kamboxhia, Ruanda, Bosnja dhe Darfuri. Kapaciteti për mizori nuk njeh kufij rajonale, dhe kështu nuk duhet të kursehet as dëshira për të marrë masa për të shpëtuar jetën dhe për t’i evituar vuajtjet.
Në Kosovë, ne jemi duke punuar shumë për të parandaluar përsëritjen e këtyre gjërave të tmerrshme duke kërkuar krijimin e një demokracie të hapur dhe multi-etnike. Ne kemi hyrë në një dialog konstruktiv me Serbinë për të mbyllur kapitullin e errët të së kaluarës sonë dhe për të filluar një të ri të bazuar në paqe, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë.
Gjatë vizitës sime zyrtare në Shtetet e Bashkuara në fillim të këtij muaji, kam propozuar krijimin e një komisioni për të vërtetën dhe pajtimin për të ndihmuar shqiptarët dhe serbët të lënë të kaluarën e hidhur prapa. Ne jemi të gatshëm të punojmë me të gjithë fqinjët tanë, përfshirë Serbinë, për të siguruar se të gjitha krimet masive janë ndalur përgjithmonë.
Kombe të tjera të botës duhet të gjejnë një mënyrë për të bërë kolektivisht dhe ndërkombëtarisht atë që Obama i ka angazhuar Shtetet e Bashkuara ta bëjnë në bazë kombëtare. Duke punuar përmes organizatave ndërkombëtare - globale dhe rajonale - Kombet e botës duhet të krijojnë borde homologe me Bordin e Amerikës për Parandalimin e Mizorive. Ne duhet të bëjmë më shumë në shkëmbimin e informacionit mbi kërcënimet për mizori dhe në koordinimin e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i parandaluar ato.
Si pjesë e kësaj përpjekjeje, Kombet e Bashkuara duhet të zgjerojnë rolin e këshilltarit special për parandalimin e gjenocidit në një bord të OKB-së ekuivalent me Bordin e Parandalimit të Mizorive.
Në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, funksionet e Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut duhet të zgjerohen për të kryer një funksion të ngjashëm për 56 shtetet pjesëmarrëse të organizatës në Evropë, në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Amerikën e Veriut.
Siç na kujton me të drejtë presidenti Obama, "Kurrë më "është një sfidë për kombet. Është në dorë të të gjithë neve për t'iu përgjigjur kësaj sfide.

Mbi 213 mijë lëndë ‘mrizojnë’ në gjykata

Pavarësisht emërimit dhe riemërimit të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, numri i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë i lartë në gjykatat e Kosovës. Janë rreth 213 mijë lëndë të pazgjidhura që presin nëpër sirtarët e gjykatave.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, ka thënë për KosovaPress se kjo gjendje është pasojë e mungesës së gjyqtarëve. Për më tepër, ai ka shtuar se numri më i madh i rasteve të grumbulluara nëpër gjykata janë lëndë të ekzekutimeve dhe në këtë drejtim “gjykatat janë duke u përballur me një situatë të pakëndshme, sa i përket besimit të qytetarëve”.
“Numri i lëndëve është duke u grumbulluar. Faktikisht, lëndët pas viti 2008, 2009, 2010, 2011, kanë mbetur, pa u proceduar, sepse me këtë numër të gjyqtarëve nuk kemi arritur t’i procedojmë me kohë dhe ashtu qysh kërkon edhe procedura”, ka thënë Peci.
Sipas tij, numri më i madh i lëndëve të grumbulluara është nëpër gjykatat komunale, ndërsa shkaqet dhe arsyet, siç thotë ai, janë të natyrave të ndryshme.
“Gjykatat e rregullta të Kosovës gjatë vitit 2011 kanë pasur në punë 295 mijë 842 lëndë, ndërkaq nga kjo shifër, 209 mijë e 448 lëndë kanë qenë të trashëguara. Nga shifra e përgjithshme që ka qenë 295 mijë 842 lëndë, gjyqësori i Kosovës gjatë vitit 2011 ka arritur t’i zgjidh vetëm 82 mijë 805 lëndë. Kurse, mbetur për t’u zgjidhur në vitin vijues edhe 213 mijë e 37 lëndë”, ka thënë Peci.
Ai konsideron se kjo problematik me lëndët e vjetra vjen edhe si rezultat i abuzimeve dhe keqpërdorimeve të detyrës nga ana e gjyqtarëve.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, thekson se ministria që ai drejton është duke punuar për krijimin e infrastrukturës, por, sipas tij, “nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të gjyqësorit”.

Azem Sylës i mohohet qëndrimi në Zvicër

Gjykata Federale e Zvicrës, si instanca më e lartë gjyqësore në vend, ka hedhur poshtë ankesën që deputeti nga Kosova, Azem Syla, kishte bërë pas vendimit që një gjykatë më e ulët kishte marrë për t`ia mohuar atij qëndrimin në Zvicër.
Gjykata Administrative e kantonit të Soloturnit me një vendim që kishte marrë në muajin shkurt, i kishte marrë mbrapa Azem Sylës lejen e qëndrimit të përhershëm (C) në Zvicër, shkruan Express.
Këtë vendim gjykata në fjalë e kishte mbështetur me atë se Syla kishte shfrytëzuar ndihmën sociale dhe kompensimet, me gjithë faktin se ai ishte zgjedhur deputet në Parlamentin e Kosovës. Sipas llogarive të bëra nga organet kompetente del se Azem Syla gjatë afër dhjetë viteve ka marrë rreth 400 mijë franga nga shteti zviceran. Syla, sipas vendimit të fundit të Gjykatës Federale, duhet të lëshojë Zvicrën deri në mesin e muajit maj.
Gjykata Federale nuk e ka marrë fare në shqyrtim ankesën e Azem Sylës. Ata e kanë arsyetuar këtë me faktin se Syla që nga nëntori i vitit 2010 ka zyrtarizuar qëndrimin në Kosovë, në mënyrë që të mund të merrte pjesë në zgjedhjet e atjeshme parlamentare. Vetëm në periudhën nga 21 shkurti deri më 7 prill 2011, ai ka marrë pjesë në 6 seanca parlamentare dhe ka pasur paraqitje në televizion.
Veç kësaj, ai kishte dorëzuar banesën e tij në Zvicër dhe kishte gjetur strehim në banesën e të bijës. Në Kosovë, Syla ka një shtëpi të veten. Me këtë mund të vihet në përfundim se ai jo vetëm që është i integruar si është më së miri në Kosovë, por atje e ka të siguruar ekzistencën, thuhet në vendimin e Gjykatës Federale të Zvicrës. 

Liberalizimi i vizave: Kur pranvera vonohet!?

Derisa burimet thonë se Prishtina zyrtare nuk do ta marrë udhërrëfyesin edhe për një kohë, drejtuesit e Ministrisë së Integrimeve Evropiane thonë se kjo do të bëhet në fund të pranverës
Institucionet e Kosovës ka gjasa që së paku edhe një kohë të gjatë të mos e marrin udhërrëfyesin apo listën e kushteve që Kosova duhet t'i plotësojë për të përfituar liberalizimin e vizave.
Burime të "Zërit" të afërta me Bashkimin Evropian, thonë se në Bruksel ka filluar të flitet që Kosovës t'i shtyhet edhe për një kohë marrja e udhërrëfyesit, pavarësisht se sipas premtimeve publike të zyrtarëve evropianë një gjë e tillë tashmë do të duhej të kishte ndodhur.
"Ju e dini që komisionerja për çështje të brendshme të BE-së, Cecilia Malstrom, ka deklaruar se Prishtina do ta marrë udhërrëfyesin në pranverën e hershme, por ne sot jemi në mes të pranverës dhe ky dokument as që përmendet. Tash së fundi ka filluar të flitet për pranverën e vonshme, por sipas të gjitha gjasave kjo çështje do të shkojë deri në verë", ka thënë burimi i gazetës.