Lugina nuk voton për president të Serbisë

Derisa subjekte e individë të ndryshëm po zyrtarizojnë kandidaturat e tyre për president të Serbisë, subjektet politike shqiptare në Luginë të Preshevës nuk e kanë ndërmend të ftojnë elektoratin e tyre për të votuar për presidentin e ardhshëm të Serbisë, në zgjedhjet që mbahen me 6 maj.
“Partitë shqiptare nga Presheva dhe Bujanoci me gjasë nuk do të mbështesin asnjë kandidat në zgjedhjet për kryetarë të Serbisë”, deklaroi sot kryetari i Bashkimit Demokratik të shqiptarëve (BDSH) Rahmi Zulfiu, për agjencinë serbe Beta.
“Partitë shqiptare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të marrin pjesë si Koalicion i shqiptarëve të Luginës së Preshevë”, ka thënë Zulfiu, duke potencuar se në nivelin e koalicionit ende nuk është marr zyrtarisht vendimi lidhur me këtë,por me gjasë do të mbetet gjendja çfarë ka qenë viteve te kaluara-një pjesë e partive shqiptare nuk mbështesin asnjë kandidatë për kryetarë të Serbisë.
Ai shtoi se pret se shumica e shqiptarëve votues nuk do të dalin në zgjedhjet presidenciale.

Bllaca dëshmon në procesin e tij

Ish -gjenti i vetëshpallur i SHIK-ut, Nazim Bllaca do të dëshmojë për katër ditë në procesin e njohur si “Bllaca 2” ndaj Sadik Abazit dhe të tjerëve, që akuzohen për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe tentim vrasjen ndaj Adem Salihaj dhe Ismet Arifit.

Në ftesën e gjykatës, që Bllaca e ka postuar në profilin e tij në Facebook, ai ftohet të dëshmojë më 12, 13, 26 dhe 27 prill, transmeton Indeksonline.
Në këtë proces deri tani kanë dëshmuar e veja e Ibush Kllokoqit, Ismet Arifi, djali i tij, bashkëshortja e tij dhe Adem Salihaj, momentalisht kandidat për kryetar të Ferizajt nga LDK.

Hoxhaj ngushëlloi ministren pakistaneze

Pas tragjedisë, ku humbën jetën 130 ushtarë pakistanezë, nga një ortek dëbore në rajonin e Gajarit në Himalaje, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram ngushëllimi ministres së Punëve të Jashtme të Pakistanit, Hina Rabbani Khar.
Në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, Hoxhaj i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta ministres pakistaneze, duke theksuar pikëllimin e qytetarëve të Kosovës për këtë tragjedi të shkaktuar nga forcat natyrore.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, po ashtu, ka shprehur solidaritetin e plotë të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës me familjarët e viktimave, Qeverinë dhe popullin pakistanez, në këto ditë të vështira.
Hoxhaj ka shprehur konsideratat më të larta për autoritetet pakistaneze për përpjekjet që po bëjnë për tejkalimin e kësaj situate tragjike.

Biberisti në hall me Azem Sylën

Kryetarit të komunës Biberist të Zvicrës i ka ardhur në majë të hundës rasti i Azem Sylës."Njerëzit e tillë dëmtojnë ata që vërtetë kanë nevojë për ndihmë, shumë prej tyre bashkatdhetarë të tij", ka thënë Blaser, kryetar i Komunës Biberist
"Sa të marrë jemi ne zviceranët! Si do t`i përgjigjem unë një bashkëqytetari që jeton në teh të ekzistencës nëse më pyet lidhur me rastin Syla!", ka shpërthyer ai të hënën në mbledhjen e Këshillit të Komunës.
Rasti aktual "i tejkalon të gjitha të deritashmet, si për nga shuma e parave sociale të shfrytëzuara ashtu dhe për nga paturpësia", ka thënë Blaser, raporton gazeta "Solothurner Zeitung", transmeton Albinfo.ch.
Njerëzit e tillë përveç që kushtojnë me para dhe me angazhim, dëmtojnë veçanërisht ata persona që me të vërtetë kanë nevojë për ndihmë. Dhe ata, në një numër të konsiderueshëm janë bashkatdhetarët e tij ose njerëz të tjerë që mbështeten në vullnetin tonë të mirë", ka shtuar ai.
Rasti i deputetit kosovar Azem Syla vazhdon të mbetet aktual në mediat zvicerane. Së pari ishte padia e bërë kundër tij për abuzim të ndihmave sociale dhe atyre suplementare. Pastaj erdhi vendimi i autoriteteve për migracion që atij t`i tërhiqet leja e përhershme e qëndrimit (viza C) dhe që ai të lëshojë Zvicrën. Syla ka ushtruar të drejtën e ankesës në Gjykatën Federale, që është shkalla më e lartë e gyqësisë së vendit, kundër vendimit të fundit.
Dhe, në kohën kur po pritet veprimi i kësaj ankese, komuna e vogël, Biberist e Solothurnit, ku Syla ka pasur vendbanimin, e sheh veten të viktimizuar nga e gjithë kjo!
Arka e kompensimeve e Kantonit të Solothurnit (Akso) po i kërkon komunës Biberist t`ia kthejë asaj paratë e ndihmave sociale që i janë dhënë Azem Sylës përmes entit social të kësaj komune. Bëhet fjalë për një shumë prej afër 120 mijë frangash, shkuan gazeta "Solothurner Zeitung"
Por komuna Biberist, që është vendbanim zyrtar i Sylës, kundërshton të bëjë këtë kompensim. Kështu ka vendosur Këshilli komunal. Njëherësh ky këshill do të bëjë ankesë kundër kërkesës së Akso-s për kthimin e parave.
Avokati i angazhuar nga komuna do t`i kërkojë Akso-s që të pezullojë procedurën e kërkimit për kthimin e parave deri në vendimin përfundimtar lidhur me lëndën penale për Azem Sylën. Po kështu avokati po e shqyrton mundësinë nëse edhe komuna mund të ngrejë padi kundër Sylës.

Prokurimi - korruptimi

Ligji për prokurimin publik siguron mënyrën efikase, transparente dhe të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike. Ky ligj, gjithashtu ka për qëllim të sigurojë integritetin dhe përgjegjësinë e zyrtarëve publikë dhe personave tjerë që janë të përfshirë në aktivitete të prokurimit, që vendimet e individëve të mos ndikohen nga interesat personale. Por, brenda sistemit të prokurimit, ka të atillë që duket se këto fjali i kanë kuptuar në mënyrë të kundërt, thonë zyrtarë të organizatave joqeveritare dhe njohës të rrethanave ekonomike.
Njohësit e rrethanave thonë se zyrtarët e prokurimit çdo fjalie,ia kanë shtuar parashtesën "mos": mos-transparencë, mos-efikasitet dhe mos-shfrytëzim i drejtë i parasë publike.
Haki Shatri, ekspert për çështje ekonomike, njëherësh ish-ministër i Ekonomisë, thotë se sfera më e përshtatshme për zhvillimin e korrupsionit dhe pasurimin e zyrtarëve qeveritarë, është fusha e prokurimit.
Për fat të keq, thotë Shatri, edhe institucionet që thirren në parandalimin e korrupsionit, janë politizuar dhe si të tilla, ndihmojnë personat që të arrijnë qëllimin e tyre, të keqpërdorimit të parasë publike.
“Legjislacioni nuk është fajtor, rregullativa është e rregulluar, mirëpo nuk ka gatishmëri, as nuk ka vendosmëri për të respektuar ligjin dhe të punohet me paranë publike ashtu siç parashihet me rregulla”, thotë Shatri për Rel. 
Fusha e tenderimit është terreni më i përshtatshëm për keqpërdorimin e parasë publike, thotë Shatri, duke shtuar se këtu është i ndërtuar një rrjet deri në nivelet më të larta shtetërore.
“Ata që punojnë si nëpunës aty, punëtorë të Zyrës së prokurimit mund të realizojnë ndonjë përfitim të ulët, por kryesisht punojnë për shefat e tyre. Tenderët që janë të një vlere të ulët, deri në 100 mijë euro, i bëjnë personat nën kategorinë e ministrave. Ndërsa, si të kalohet kjo kuotë, kalon në kompetencë të ministrit dhe këtu dihet se vetëm me fjalë të tij, jepet tenderi dhe normalisht paguhet mito, siç po flitet dhe është konstatuar disa herë, e që është e jashtë ligjshme”, thekson Shatri.
Hulumtime rreth parregullsive në prokurimin publik ka bërë edhe Organizata Joqeveritare “FOL”. Fisnik Kalaja, nga kjo organizatë, thotë se prokurimi publik është njëra nga top-fushat më të korruptuara në Kosovë dhe kjo, sipas tij, është dëshmuar me fakte, pasi tashmë për shkak të involvimit në afera të ndryshme korruptive janë nën hetime apo arrestuar zyrtarë të lartë të ekzekutivit.
Ndërkaq, sa i përket fushës së tenderimit, Kalaja thekson se shumica e bizneseve vendore që kanë financuar gjatë fushatës zgjedhore partitë politike që janë në pushtet, janë shpërblyer me kontrata milionëshe nga institucionet, pa përfillur procedurat e prokurimit publik.
“Kjo është e vërtetë, madje kemi qenë dëshmitarë se si publikisht këto biznese që kanë financuar partitë politike në fushatat e tyre për zgjedhje, kanë dërguar letra publike te drejtuesit e institucioneve duke iu kërkuar atyre tashmë shpërblim me kontrata, pasi që kanë financuar partitë politike”, pohon Kalaja. 
Sipas raportit vjetor të publikuar nga Lëvizja “Fol”, të quajtur “Monitoruesi i Prokurimit Publik 2011”, janë paraqitur shkelje të shumta që janë bërë në sistemin e prokurimit publik.
Sipas këtij raporti, në ministri të ndryshme të Qeverisë janë gjetur 30 raste të mosrespektimit të procedurave ligjore sa i përket dhënies së tenderëve, në ndërmarrjet publike 9 raste, ndërsa në Zyrat e prokurimit në komunat e Kosovës, kjo lëvizje ka hasur në 37 raste të keqpërdorimit të parasë publike.

BE-ja gabon nëse e pranon Serbinë

Bashkimi Evropian do të bënte gabim në qoftë se do ta pranonte Serbinë në gjirin e vet pa e ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës. Kështu tha zëvendëskryetari i komunës Linz të Austrisë, Klaus Luger, i cili me bashkëpunëtorë ka vizituar Mitrovicën.
Gjatë takimit me delegacionin e Linz-it, kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati i njoftoi mysafirët me historikun e qytetit, duke theksuar se Mitrovica ishte dikur njëra ndër komunat më të zhvilluara në vend, por që më nuk është i tillë, pasi që forcat serbe gjatë luftës së fundit shkatërruan tërë industrinë dhe metalurgjinë e saj, si dhe shkaktuan dëme jashtëzakonisht të mëdha në të gjitha fushat.
Në fokus të fjalës së tij, kryetari Kastrati kishte gjendjen aktuale të rëndë ekonomike-sociale, duke theksuar se numri i të papunëve është shumë i madh dhe se pasojat e luftës ende nuk janë tejkaluar. Ai me këtë rast tha se në komunë janë ende të pa rindërtuara edhe 280 shtëpi të pronarëve shqiptarë që ekstremistët serbë i kishin shkatërruar gjatë luftës.
Lidhur me situatën aktuale të sigurisë në komunë, ai ju tha mysafirëve se ka përmirësime, por ende ka mjaft probleme të theksuara, sidomos sa i përket qarkullimit të lirë, që po i shkaktojnë ekstremistët serbë, madje duke mbajtur me muaj të tërë barrikada në rrugët kryesore.
Zëvendëskryetari i komunës së Linzit, Luger, tha se Austria është e angazhuar që të ndihmoj Kosovën në fusha të ndryshme. Sa i përket Mitrovicës, ai tha se ajo është e prezantuar mjaftë në media për shkak të zhvillimeve që ndodhin këtu dhe është mirë që austriakët e kanë kuptuar se këtu nuk bëhet fjalë për konflikt ndëretnik, por që këto probleme i shkaktojnë struktura tjera nga jashtë Kosova.
Luger u interesua të mësojë nga kryetari Kastrati se cilat janë mjetet politike që mund të ndërmerren për integrimin e serbëve në realitetin e ri dhe për bashkimin eventual të qytetit.
“Kjo është një punë e mundimshme, pasi që serbët nuk duan t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, e të cilat janë të mëdha. Serbët që jetojnë në pjesën veriore të qytetit janë të diskriminuar pozitivisht nga institucionet e Kosovës”, tha Kastrati.
Rol negativ në këtë drejtim, tha Kastrati, janë duke luajtur struktura paralele joligjore serbe të instaluara nga Serbia, të cilat nuk i lejojnë qytetarët serbë që integrohen.
Mysafirët nga Austria premtuan se do të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme e sidomos në atë të arsimit. Ata gjithashtu thanë se BE-ja do të bënte gabim në qoftë se do ta pranonte Serbinë në gjirin e vet pa e ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës.

Thaçi vendos lule në varrezën e ushtarit të panjohur në Arlington

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës së tij në Washington, ka vendosur kurorë lulesh në varrezën e ushtarit të panjohur, në Kompleksin e Varrezave Ushtarake në Arlington.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi është pritur nga zyrtarë të lartë të Ushtrisë Amerikane, dhe ka marrë pjesë në ceremoninë e vënies së kurorës, ceremoni kjo e rezervuar vetëm për zyrtarët më të lartë të shteteve të huaja.
Gjatë kësaj ceremonie, kryeministri Thaçi theksoi se Republika e Kosovës e çmon lartë angazhimin e Ushtrisë Amerikane në Republikën e Kosovës, dhe çmon lartë po ashtu heronjtë që kanë rënë gjatë kësaj sakrifice, që ka bërë ushtria Amerikane.
Para udhëheqësve të lartë të Ushtrisë Amerikane, Thaçi prezantoi Librin e Pavarësisë, i cili libër tani është në eksponat publik, dhe do të shihet nga miliona vizitorë nga anembanë botës.
Kryeministri Thaçi gjithashtu vizitoi edhe varrin e të ndjerit Presidentit Kenedi, ku gjithashtu ka bërë respektin dhe nderimin më të lartë.
Varrezat Kombëtare të Arlingtonit nderojnë të gjithë ata që kanë shërbyer për Kombin Amerikan, dhe ofron një nder dhe paqe për heronjtë.
Varrezat shtrihen në një hapësirë të madhe në fushat e Arlingtonit, dhe ofrojnë paqe për mbi 14,000 veteranët dhe heronjtë, duke përfshirë edhe disa nga ata që kanë humbur jetën në Luftën Civile.

Barca ngushton diferencën

Barcelona e ka mposhtur Real Zaragozan me rezultat 4-1 në Estadio de la Romareda, për ta ngushtuar diferencën e pikëve me Real Madridin.
Në minutën e 24 skena i takoi portierit blaugran, Victor Valdes, i cili shkaktoi penalti, por edhe e mbrojti goditjen e Carlos Arandas.
Mirëpo, disa minuta më pas, Aranda përmirësoi gabimin e tij duke i kaluar vendasit në epërsi (30’).
Ky gol vetëm sa i motivoi mysafirët, të cilët fillimisht barazuan rezultatin me anë të Carles Puyol (36’) dhe më pas kaluan në epërsi me anë të Lionel Messi (39’).
Fundi i pjesës së parë ishte ‘tragjik’ për Mineron, i cili pas ndërhyrjes në Alexis, u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë (45’) duke e lënë skuadrën me një lojtar më pak në gjithë pjesën e dytë.
Në gjysmën tjetër, Alexis Sanchez nxori një penalti, ndërsa Leo Messi shënoi nga pika e bardhë (86’). Pedro Rodriguez vendosi rezultatin e fundit të takimit duke shënuar në minutat shtesë (90’+2).
Vetëm tre pikë është dallimi mes dy skuadrave të para në tabelën e La Ligas, mirëpo Real Madridi të dielën zhvillon ndeshjen e kësaj xhiroje - derbin kundër Valencias. 

Hughes: City do ta fitojë titullin... dikur

Trajneri i QPR, Mark Hughes, ka thënë se Manchester City do të arrijë që në një të ardhme të afërt ta fitojë titullin e Ligës Premier.
‘Pasanikët’ gjendet pesë pikë prapa Djajve të Kuq, ndërkohë që të dielën City luan kundër Arsenalit, ndërsa United ndaj QPR-së. Prandaj gjasat janë që të zgjedhurit e Alex Ferguson të distancohen edhe më shumë në tabelë duke e lënë ekipin e Roberto Mancinit pa e fituar Kampionatin anglez edhe këtë sezon.
“Në një moment në një të ardhme të afërt, ata do ta fitojnë, pa kurrfarë dyshimi. Sepse ata kanë burimet për ta bërë atë. Do të ndodhë për ta”.
“Ata duhet të kalojnë nëpër procesin e fitimit të të drejtës për të fituar tituj. Ata e kanë fituar një - Kupën FA – dhe ai ishte një hap i madh, sepse duhet të mësohesh se si të fitosh tituj dhe i pari është i vështirë”, ka thënë ish-trajneri i Cityt. 

Allegri: Gara për titull është e hapur

Përkundër humbjes së pozitës së parë në tabelën e Serie A, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka thënë se gara për titull është e hapur.
Rossonerët kanë humbur primatin, pasi u mposhtën nga Fiorentina, ndërsa nga ana tjetër Juventusi e mposhti Palermon.
“Duhet ta pranojmë këtë rezultat, duke pasur parasysh se ka edhe shumë ndeshje për t’u zhvilluar dhe gjithçka është e hapur”, ka deklaruar Allegri. 

Ancelotti shpreson që Kaka t’i bashkohet PSG-së

Carlo Ancelotti ka përsëritur dëshirën e tij për ta transferuar yllin e Real Madridit, Kaka, te Paris Saint-Germain.
Klubi francez është lidhur me brazilianin edhe në të kaluarën, ndërsa Ancelotti që ka punuar me 29-vjeçarin te Milani, ka thënë edhe një herë se dëshiron që ta transferojë atë në Parc des Princes.
“Shpresoj që Kaka të vijë në Paris, por nuk besoj se ai do të vijë këtë verë”.
“Nëse Real Madridi ka vendosur që ta lëshojë, ne do t’ia hapnim derën”, ka thënë italiani për Le Parisien

Në krye është Juventusi

Me rezultat prej 2-0, Juventusi e ka mposhtur Palermon në Stadio Renzo Barbera, për ta marrë primatin në Kampionatin italian.
Bianconerët e dominuan ndeshjen në fraksionin e parë duke krijuar rast pas rasti, megjithatë shkuan në pushim pa shënuar gol.
Sicilianët nga ana tjetër arritën që gjatë pjesës së parë të mbyllnin hapësirat dhe t’ua mohonin golin mysafirëve.
Në gjysmën e dytë, lojtarët me fanellat bardhezi vazhduan me presionin dhe me lojën e tyre të mirë, ndërsa kësaj radhe arritën edhe të shënojnë.
Pas një harkimi nga këndi të Andrea Pirlos, më së larti kërceu Leonardo Bonucci, i cili me ndihmën e shtyllës e kaloi Juventusin në epërsi (56’).
Pas disa rasteve të tjera për mysafirët dhe pas një shansi të mirë të vendasve, Fabio Quagliarella e mori topin nga Alessandro Matri dhe e vulosi takimin (69’).
Në vazhdim, ra tempi i lojës duke qenë se Bianconerët morën atë që deshën, ndërkaq sicilianët nuk mund të bënin më shumë.
Pas kësaj fitoreje, Juventusi pozicionohet në krye të tabelës, me një pikë më shumë se Milani që u mposht nga Fiorentina. 

Dortmundi lider, e ndjek Bayerni

Dortmundi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në transfertë te Wolfsburgu me rezultat 3-1, duke mbajtur vendin e parë, shtatë javë pa përfunduar Bundesliga, teksa nga ana tjetër vazhdon të përcillet nga Bayerni i Munichut që po ashtu shënoi fitore.
Dortmundi kaloi në epërsi herët në Volkswagen Arena. Robert Lewandowski shënoi pas 22 minutash lojë për 1-0. Në pjesën e dytë Gundogan (49’) dyfishoi epërsinë, ndërsa Mandzukic realizoi për vendasit (60’) për 2-1, duke mbajtur të pa sigurtë takimin deri në fund, e të cilin e përfundoi Lewandowski me golin e tij për 3-1 (90’) dhe rezultatin përfundimtar.
Bayerni nga ana tjetër ka pasur telashe me Augsburgun, pasi bavarezët përkundër epërsisë pranuan një gol nga mysafirët. Mario Gomez tregoi se është në formë të hatashme me golin e tij në minutën e parë, teksa Ja Cheol Koo barazoi gjithçka për 1-1 (23’).
Bayerni kërkoi me ngulm golin dhe e gjeti atë në pjesën e dytë, teksa realizator përsëri ishte Mario Gomez (60’), i cili shënoi golin e fitores për 2-1.
Shtatë javë pa përfunduar Bundesliga, Dortmundi e sheh veten në vendin e parë me 66 pikë, tri pikë më pak se Bayerni në vendin e dytë. 

Fitore heroike e Chelseat

Chelsea ka arritur të shënojë fitore të madhe në Stamford Bridge ndaj Wiganit me rezultat 2-1, në një sfidë tejet dramatike e cila u vendos në minutat shtesë
I gjithë takimi shkoi me dominim të Bluve, ku shkëlqeu portieri mysafir, i cili bëri disa intervenime kruciale.
Branislav Ivanovic kaloi në epërsi Chelsean pas 62 minutash lojë me asistimin e Raul Meireles. Sidoqoftë, në fund dominimi i vendasve nuk vleu për asgjë, pasi Diame shënoi për 1-1 dhe shokun në tribunat e stadiumit Stamford Bridge.
Mirëpo, kur ke lojtarë të mëdhenj në ekip gjithçka është e mundur. I tillë është Juan Mata, i cili shënoi për 2-1 në minutën e fundit shtesë (90+2’).
Me këtë fitore Chelsea prek pozitën e pestë me 56 pikë, tre pikë më pak se vendi i tretë Tottenhami që barazoi ndaj Sunderlandit. 

Liverpooli dështon të fitojë

Liverpooli përsëri ka dështuar të shënojë fitore para tifozëve të vet, kësaj radhe ndaj Aston Villës, ekip ndaj të cilit The Reds nxorrën vetëm një barazim me rezultat 1-1.
The Reds u gjendën shpejt në disavantazh. Christopher Herd shfrytëzoi mundësinë për të realizuar për 1-0 dhe zhgënjimin në tribunat e Anfield (10’).
Liverpooli u transofrmua në pjesën e dytë me tri zëvëndësime të cilat i bëri Kenny Dalglish, e të cilat u treguan të suksesshme. Luis Suarez barazoi shifrat pas 82 minutash lojë dhe përkundër rasteve, rezultati përfundimtar mbeti 1-1.
Me këtë barazim Liverpooli ka 43 pikë në vendin e tetë dhe nuk ka gjasa për ndonjë vend që dërgon në garat evropiane.

Milani lëshon nga dora titullin

Milani ka rrezikuar seriozisht pozitën e parë në tabelën e Serie A, pas humbjes së pësuar në San Siro ndaj Fiorentinës me rezultat 2-1.
Milani e filloi takimin duke e dominuar, ndërsa me kohë dhe arriti deri te goli. Kush tjetër pos Zlatan Ibrahimovic kaloi në epërsi Milanin (31’) për 1-0 dhe atë që u mendua të jetë fitore e lehtë e Rossonerëve.
Sidoqoftë, një start i keq në pjesën e dytë përkeqëson gjërat. Stevan Jovetic pas një kundërsulmi shënoi nën këmbët e Abbiatit për 1-1 (47’).
Milani hedh gjithçka në sulm për të shënuar fitore dhe për të vazhduar luftën për titull, kurse përkundër rasteve të shumta, Fiorentina u tregua e fortë në mbrojtje.
Hedhja në sulm i është hakmarrë në fund Milanit, pasi nga afërsia ish-sulmuesi i Juventusit, Amauri (89’) shënoi për 2-1 dhe fitoren e madhe të Fiorentinës në San Siro.
Kështu, Amauri i bën një favor të madh Juventusit, pasi aktualisht Bianconerët kanë dy pikë më pak se sa lideri Milani, ndërsa me një fitore eventuale ndaj Palermos sonte mbrëma, Juventusi mund ta shohë veten lider.

Barazon Interi

Është ndalur Interi. Cagliari ka arritur që në Trieste para 10 mijë tifozëve të Interit të nxjerrë një barazim prej 2-2 që ua vështirëson punët Nerazzurëve në luftë për një vend në garat evropiane.
Gjithçka në këtë takim u zhvillua në shpejtësi dhe Interi tregoi karakter përkundër barazimit, duke u kthyer dy herë nga disavantazhi.
Davide Astori kaloi në epërsi Cagliarin pas një harkimi nga këndi (5’), por gëzimi i Cagliarit zgjati vetëm një minut, pasi Diego Milito me kthim shënoi për 1-1 (6’).
Në pjesën e dytë shohim fotografi të njëjtë. Lojë të baraspeshuar të dominuar në posedim nga Interi, por shënojnë futbollistët në cilësi të vendasit. Mauricio Pinilla shënoi me kokë për 2-1 duke i dhënë epërsinë Cagliarit (61’).
Dy minuta pas golit përjashtohet Pinilla dhe Cambiasso barazoi rezultatin në minutën e 64 për 2-2, që mbeti dhe epilogu përfundimtar i takimit.
Interi ka 45 pikë në vendin e shtatë, dy pikë më pak se Roma që ka 47 pikë në vendin e gjashtë. 

EL të shkrihet për LK të zgjeruar?

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, është duke e shqyrtuar idenë e shuarjes së Europa League, për të krijuar një Ligë të Kampionëve të zgjeruar e të përbërë prej 64 ekipeve.
Gjithë kjo pritet të ndodhë në vitin 2016 sipas të përditshmes gjermane Bild, e cila citon burimet pranë presidentit të UEFA-s, të cilit nuk po i pëlqejnë fitimet e ulëta nga Europa League.
Platini dëshiron kështu të rrisë numrin e ekipeve në garën elite të futbollit evropian, Ligën e Kampionëve, nga 32 në 64 ekipe në vitin 2016 dhe kështu me sukses të shkrihet Europa League.
Kështu kampionate të njohura si ato të Spanjës, Anglisë dhe Gjermanisë do të kishin nga gjashtë vende kualifikuese në Ligën e Kampionëve.
Kjo ide është po ashtu edhe në favor të kampionateve të ulëta si Superliga e Shqipërisë dhe Superliga e Kosovës, që në një të ardhme do të kishin më shumë vende kualifikuese në Ligën e Kampionëve.
Nëse ndodh ky ndryshim i madh në garën më prestigjioze evropiane, atëherë do të ishte ndryshimi më i madh nga UEFA që prej ndërrimit të emrit dhe formatit të garës në vitin 1992. 

Kosova ka nisur të plaket

Kosova përbën popullatë të re në moshë. Vetëm 7 për qind e popullatës i takon moshës mbi 65-vjeçare. Ndërkaq, nataliteti në Kosovë është në rënie, çka do të thotë se popullata po shkon drejt plakjes graduale.
 Dita Botërore e Shëndetit Kosovën e gjen në situatë jo të mirë, thonë profesionistët shëndetësorë. Ndërsa, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, deklaron se gjendja shëndetësore e popullatës në Kosovë “nga viti në vit është duke u përmirësuar”.
Slogani i kësaj dite është “Shëndeti i mirë ju shton jetë viteve”. Sami Uka, nga OBSH, thotë se askush në Kosovë nuk është i kënaqur me shërbimet që ofrohen nga institucionet.
“Nuk është intenca të zgjatet jeta, por të ngrihet cilësia e atyre viteve të jetës”, thotë ai për Radio Evropa e Lirë. “Vuajmë nga mungesa e organizimit, menaxhimit të shërbimeve shëndetësore, mungesa e sigurimeve shëndetësore - që vështirëson pozitën ekonomike dhe shëndetësore të popullatës në përgjithësi, e në veçanti të popullatës së moshuar me pensione shumë të ulëta”.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë një hulumtim, lidhur me këtë ditë, që të dihet se si qëndron Kosova në aspektin shëndetësor.
“Nga hulumtimi me mbi 1860 respodentë, ka dalë se gjendja e tyre shëndetësore është e vështirë dhe se jetojnë në kushte të dobëta financiare... Këto nevojitet të dalin si rekomandime nga ky hulumtim: përmirësimi i gjendjes së tyre, sidomos gjendja financiare, si dhe qasja dhe sigurimi i të gjitha barnave për këtë kategori”, bën të Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së.
Agani thotë se në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, kanë arritur rezultate në përmirësimin e sistemit shëndetësor. Ndërsa, për Ramadanin shëndetësia nuk është prioritet i Qeverisë, andaj edhe “Dita Botërore e Shëndetit nuk e gjen Kosovën në nivel të kënaqshëm”.
Zyrtarët nga IKSHP thonë se me hulumtimin e bërë kushtuar Ditës Botërore të Shëndetit, kanë dashur të japin sinjal që popullata po shkon drejt plakjes graduale dhe rënies së natalitetit.

Jahjaga: Unë jam faktor uniteti

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në njëvjetorin e zgjedhjes së saj në detyrën e presidentes së vendit, organizoi një takim me gazetarë.
“E dini se para një viti vendi hyri në një krizë politike, për pamundësinë e zgjedhjes se Presidentit në Kuvend. Unë pata nderin të jem e përzgjedhura e partive politike dhe për të parën herë në historinë e Kosovës të jem një presidente jashtë partiake, të jem faktor uniteti i popullit dhe gjithashtu të jem e pranueshme për gjithë spektrin politik dhe nacional të Kosovës”, u tha Jahjaga gazetarëve.

“E di që ju keni dëshirë që Presidentja e vendit të jem prezent më shumë në media dhe në opinion. Mirëpo, unë gjithmonë kam kujdes që në të gjitha paraqitjet e mia publike të them porosinë e caktuar apo ta përçoj mesazhin institucional. Nuk është arsyetim. por Presidentja e vendit shpreh publikisht vetëm qëndrimet zyrtare dhe ju e dini se ato ndërtohen me një procedurë të veçantë: Presidentja nuk shpreh mendimet dhe pikëpamjet e saj”
Jahjaga tha se i përmbushur të gjitha detyrat në kuadër të bashkërendimit dhe koordinimit në raport me Qeverinë, Kuvendin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Forcës së Sigurisë, me partitë politike, me shoqërinë civile dhe me komunitetin akademik dhe profesional.
“Të gjitha këto aktivitete të mia ashtu, si edhe vizitat jashtë vendit, vizitat shtetërore, zyrtare dhe të punës, ashtu si edhe në vizitat në komuna të Kosovës, ju i keni përcjellë dhe i keni prezantuar në media”, ka thënë presidentja e Kosovës, e cila ka përsëritur se do të jetë faktor uniteti, se “do t’i zgjidhë krizat”, dhe se në asnjë rast nuk do të jetë “pengesë për çfarëdo marrëveshje”.
Jahjaga nuk është deklaruar nëse do të kandidohet në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa në pyetjen nëse do të jap dorëheqje në momentin kur të shpallen ato, presidentja u përgjigj: “Presidenti i vendit e lëshon pozitën apo e lëshon rolin e presidentit posa që presidenti apo presidentja e porsazgjedhur e merr mandatin. Do të ketë një pranim-dorëzim të detyrës të rregullt sikurse që bëhet në të gjitha vendet e tjera evropiane”.
Presidentja tha se nuk do të ketë ndarje, shkëmbim të territoreve apo popullsisë, e as zgjedhje lokale serbe në territorin e Kosovës.
“Nuk ka ndarje të Kosovës dhe nuk ka ndarje të Serbisë. Nuk ka shkëmbim të territoreve dhe as të popullsisë, as në mes të Kosovës dhe në mes të Serbisë”, ka thënë presidentja Jahjaga.
“Zgjedhjet lokale (serbe) nuk do të mbahen në territorin e Kosovës. Ky është qëndrim zyrtar i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe i përkrahur edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Kurse, ne si institucione të Republikës së Kosovës e kemi thënë dhe e përsërisim, se për shtetasit apo qytetarët që kanë dyshtetësi, është e drejtë që kjo të bëhet duke i respektuar standardet evropiane”, ka thënë ajo.
“Zakonisht, në çdo shtet kjo mund të realizohet përmes ambasadave. Edhe për shtetin fqinj të Serbisë, do të ishte më së lehti që ta ketë ambasadën dhe t'i realizojë këto zgjedhje”. 

David Silva i relaksuar për rinovimin

Mesfushori i Manchester Cityt, David Silva, është i kënaqur te Manchester City dhe pret që klubi anglez të hapë bisedimet për rinovimin e kontratës me të përfunduar sezoni.
“Unë e di se City dëshiron të flasë me agjentin tim në fund të sezonit për kontratën e re, por jam i relaksuar”.
“Unë kam edhe dy vite në kontratën aktuale dhe jam i kënaqur këtu. Unë kam përparuar si lojtar që prej largimit tim nga Valencia dhe tani po luftoj për tituj. Ky ishte synimi im kur u largova nga La Liga”, ka deklaruar Silva.

Mancini i pa sigurtë për të ardhmen

Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka pranuar se ai ndjen që mund të shkarkohet në çdo moment në rast të dështimit ndaj Arsenalit.
“Nëse ai do të më shkarkonte në fund të sezonit, ose vitin e ardhshëm, atëherë do të thosha që secili menaxher që punon me Khaldoon Al-Mubarak është me fat. Ai është njeri i mirë. Kjo nuk ma ndryshon mendimin tim për të ose klubin”.
“Por, unë nuk kam problem, pasi do të vazhdoj të bëj punën time. Jam i sigurtë se ky klub është në maje. Me dy-tri lojtarë pas këtij sezoni, ne do të fillojmë të fitojmë tituj dhe atë tri tituj në vit. Kjo kohë ka ardhur”, është shprehur Mancini.

Pique mungon ndaj Zaragozës

Barcelona ka konfirmuar se mbrojtësi Gerard Pique, do të mungojë në ndeshjen e të shtunës ndaj ish-klubit, Real Zaragoza, pasi pësoi një dëmtim në kofshën e majtë.
Mbrojtësi e pësoi dëmtimin në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Milanit në Camp Nou dhe tani edhe zyrtarisht u konfirmua mungesa e Piques në sfidën e lehtë ndaj Zaragozës.
Barcelona në La Romareda do të kërkojë tri pikë për të bërë presion ndaj Real Madridit, që të dielën pret Valencian në Bernabeu.

Kuyt të largohet nga Liverpooli?

Dirk Kuyt mund të largohet nga Liverpooli për një shumë simbolike prej 1 milionë funtsh gjatë verës së ardhshme.
The Sun shkruan se klauzola në kontratën e Kuyt ia lejon atij që të largohet për shumën e lartpërmendur, por jo për ndonjë skuadër të kampionatit anglez.
Roma nuk e ka fshehur interesimin për Kuyt, përderisa edhe Galatasaray dhe Fiorentina janë po ashtu të interesuara. Feyenoordi dëshiron ta kthejë në Holandë Kuytin, por problem është paga e tij e lartë. 

Ancelotti: Milani do ta fitojë titullin

Trajneri i PSG-së, Carlo Ancelotti, është vënë në përkrahje të ish-klubit të tij, Milanit, duke thënë se Rossonerët do të mbajnë nervat deri në fund për ta fituar titullin.
“Lufta për titull është e pa sigurtë. Është në dorë të Milanit që të fitojë ndeshjet e mbetura dhe të mbajë këtë diferencë prej dy pikësh. Ata do ta fitojnë titullin, jam i sigurtë për këtë”.
“Eliminimi i tyre nga Liga e Kampionëve do t’u japë shtytje të madhe për të fituar titullin. Rossonerët kanë më shumë energji mendore tani. Në vitin 2004 ne ishim eliminuar nga Deportivo pas fitores prej 4-1 në San Siro. Ky ishte shok i madh psikologjik, por u rikthyem dhe fituam Empolin me një gol të vonshëm. E më pas fituam edhe titullin”, ka thënë Ancelotti.

Heidi Klum aplikon për divorc

Supermodelja Heidi Klum ka aplikuar për divorc nga bashkëshorti Seal, vetëm dy muaj pas lajmit shokues të ndarjes së çiftit.
Klum ka folur për dallime të mëdha mes tyre si arsyet kryesore të padisë së saj në një gjykatë të Los Angelesit të premtën, teksa rastin e ka marrë në dorë avokatja Laura Wasser.
Sipas një marrëveshje të nënshkruar nga çifti, ata do të ndahen menjëherë, pa pasur nevojë për të ndarë pasurinë. Klum ka kërkuar që fëmijët të kujdesen nga të dyja palët. Ajo po ashtu ka kërkuar që t’i kthehet mbiemri i saj Klum në rend të parë në dokumentet identifikuese.
Sipas spekulimeve, bukuroshja gjermane është në lidhje me Thomas Hayo, drejtorin kreativ të emisionit Germanys Next Top Model.

Wikipedia braktis Google Maps

Wikipedia u është bashkëngjitur një numrit të madh të kompanive të cilat kanë vendosur që të zëvendësojnë Google Maps në shërbimet e veta me OpenStreet Map.
Ky vendim është marrë pasi që Google në muajin mars filloi të paguaj shfrytëzuesit e mëdhenj për qasjen në Maps API, i cili deri atëherë ishte pa pagesë. Në të vërtetë, Google kërkon në mes 4 dhe 10 dollarë për çdo 1,000 ngarkime shtesë të faqeve në të cilat Google Maps shfletohet më shumë se 25,000 herë në dite.
Për shkak të kësaj Wikipedia ka vendosur që të zëvendësoj Google Maps me OpenStreetMap, i cili shpesh referohet si Wikipedia e hartave.
Vendime të ngjashme kanë marrë Foursquare, i cili publikoi gjatë muajit shkurt se do të zëvendësoj Google Maps API me OpenStreetMap, dhe Apple, i cili gjithashtu për nevojat e aplikacionit të vet iPhoto në iPad dhe iPhone vendosi që të kaloj në OpenStreetMap. 

Shtohet prostitucioni vendor

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti janë arrestuar 38 persona të cilët dyshohen për marrje me prostitucion.
Ramadan Ahmeti, shef i njësisë Qendrore të hetimeve në Drejtorinë për trafikim të qenieve njerëzore, thotë se pjesa më e madhe e femrave prostituta zakonisht janë nga shtresat më të vobekta të shoqërisë.
“Shumica nuk kanë shtëpi, ose kanë qëndrim të përkohshëm dhe tretman të refugjates”, thotë Ahmeti për Kosovapress, sipas të cilit viteve të fundit është shtuar numri i viktimave më nënshtetësi kosovare.
Sociologu Fadil Maloku thotë se trafikimi dhe prostitucioni i femrave në Kosovë është pasojë e gjendjes së rëndë socio-ekonomike në vend.
Sipas tij, në vend mungon edhe një edukim dhe informim i duhur rreth rreziqeve nga prostitucioni, gjë që u mundëson grupeve të “trafikantëve të hyjnë nëpër ambiente shkollore e të mashtrojnë femrat duke u bërë oferta të rrejshme - qoftë për fejesë apo për punësim”.
Ahmeti thotë se hetuesit nuk kanë hasur në ndonjë rast kur grupe kriminale kanë rekrutuar vajza të shkollave të mesme.
“Informacione ka, mirëpo nuk janë krijuar si raste”, thotë ai. 

Kushtetuesja pret “emisarët” e PDK-së e të LDK-së

Një frikë e kishte shprehur Enver Hasani muajin e shkuar, tek fliste rreth procesit të zëvendësimit të dy gjyqtarëve të Kushtetueses - politizimin procesit, e për pasojë edhe zvarritjen e tij. Shtyrja e parë ka ndodhur të premten.
Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e nominimeve të kandidatëve për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ka vendosur të përsërisë ftesën publike për paraqitje të propozimeve për gjyqtarë. Nuk është dhënë një arsyetim.
Një burim i Kohës Ditore, i afërt me procesin, ka thënë se dy partitë më të mëdha, PDK-ja e LDK-ja, janë marrë vesh që t’i bashkojnë votat në Kuvend kur të vijë koha e votimit të të nominuarve. Marrëveshja, sipas tij, parasheh që secili subjekt ta çojë në Kushtetuese nga një.
“Komisioni është dashur ta përsëriste ftesën publike, sepse nga të propozuarit e deritashëm nuk është një që mund të ketë mbështetjen e LDK-së. Njeriu i PDK-së ka qenë i propozuar në konkurrimin paraprak”, ka thënë ky burim.

“Të zbulohet fjalë e re për Messin”

Përzgjedhësi i Argjentinës, Alejandro Sabella, beson se Lionel Messi është aq i mirë, sa që meriton një fjalë të re ekskluzive për ta përshkruar talentin e tij.
Messi ka shënuar 58 gola në të gjitha garat këtë sezon, një statistikë kjo e jashtëzakonshme e argjentinasit, e cila nuk ka kaluar pa u lëvduar nga selektori argjentinas.
“Akademia mbretërore e Spanjës duhet të zbulojë një fjalë të re për ta definuar Lionel Messin. Për mua, si trajner i tij, është privilegj ta drejtoj”, ka theksuar Sabella. 

Conte: Ta shikojmë veten

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, u ka sugjeruar lojtarëve të tij që ta shikojnë vetëm veten dhe të mos mendojnë fare për Milanin para ndeshjes që zhvillohet sonte mbrëma ndaj Palermos.
“Pa marrë parasysh luftën për titull, ne duhet të shikojmë vetëm veten dhe kur ne fitojmë, atëherë të gjithë jemi të kënaqur, sidomos pasi luajmë mirë”.
“Ne e dimë se do të kemi kundërshtarë të vështirë deri në fund, por ne do të punojmë dhe jam i bindur se do ta fitojmë titullin”, ka potencuar Conte. 

Allegri: Ta harrojmë Barcën

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, u ka bërë thirrje lojtarëve të tij që të mos mendojnë për eliminimin nga Liga e Kampionëve dhe të fokusohen në sfidën ndaj Fiorentinës.
“Ne duhet ta harrojmë eliminimin nga Liga e Kampionëve. Ne duhet të mendojmë për pikët dhe fitoret në ndeshjet e ardhshme, duke filluar nga Fiorentina, që nuk do të jetë ndeshje e lehtë”.
“Ne ndjejmë se duhet të bëjmë ashtu sikur vitin e kaluar, kur e kemi pasur prapa Interin dhe Napolin për dy pikë. Ne duhet të mbesim të qetë, kemi 64 pikë dhe askush nuk na i ka dhuruar. Do të jetë betejë e madhe deri në fund dhe ne kemi obligim, që edhe pa fitoret kokë më kokë ndaj Juventusit, ta fitojmë titullin”, është shprehur Allegri. 

Aksidenti i Balotellit - prapaskenat

Një tinejxher, makina e të cilit ishte goditur nga vetura Bentley e Mario Balotellit ka deklaruar për The Sun se ai ka menduar se do të vdesë pas aksidentit me asin e Manchester Cityt.
Danny Campbell, një tifoz i Manchester United, ka thënë se Balotelli e drejtoi makinën e tij me shpejtësi marramendëse para se ta godiste veturën e tij, një Opel Corsa të thjeshtë.
“Nëse goditja do të ishte më pranë ulëses së shoferit, atëherë unë do të kisha vdekur. Makina ime u rrotullua 360 shkallë dhe unë u shokova”, ka theksuar Danny.
Danny shton më tej se nuk ka gjasa që ai ta rregullojë veturën e tij Opel Corsa në vlerë prej 1700 funte, teksa i pa dëmtuar nuk mbeti as Bentley i Balotellit në vlerë prej 120 mijë funtesh.
Më pas Danny po ashtu ka pranuar se futbollisti kontravers italian ka qenë me një brunetë në makinën e tij dhe për një orë sa qëndroi në vendin e aksidentit, as që u interesua të shohë gjendjen e tij.
Balotelli nuk është brengosur aq për këtë aksident, pasi të nesërmen në stërvitje shkoi me veturën e tij rezervë, një Range Rover në vlerë prej 45 mijë funtesh.

Thaçi: Nuk do të ketë zgjedhje të majit!

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë, ndërsa ka ftuar OSBE-në që të mundësojë pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të Serbisë për të gjithë ata që kanë nënshtetësi të dyfishtë.
Në një deklaratë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, Thaçi ka thënë se do ta respektojë shtetësinë e dyfishtë dhe dëshirën e atyre për të votuar.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se ishte i kënaqur me vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara, ku është takuar miqtë e vjetër, sekretaren Hillary Clinton dhe nënkryetarin Joseph Biden, që i kanë dhënë mbështetje të plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Pograjc, zëvendëskomandant i KFOR-it?

Pritet që oficeri slloven, Bojan Pograjc, të bëhet zëvendëskomandant i forcave të KFOR-it në Kosovë.
Sipas portalit slloven 24ur.com, komandanti i deritashëm për zhvillim, arsimim dhe aftësim të Ushtrisë sllovene në Shkollën e kadetëve në Maribor, do të jetë zëvendësi i ri i komandantit të forcave të NATO-s në Kosovë.
Ministria sllovene e Mbrojtjes nuk e ka vërtetuar e as mohuar këtë lajm, i cili pritet ta bëhet publik pas vizitës së nesërme të ministrit Ales Hojs në Kosovë.
Nëse Pograjc bëhet zëvendës i komandantit Erhard Drews, ky do të jetë posti më i madh që Sllovenia ka marrë deri tash në aleancën e NATO-s.
Për këtë vend kanë konkurruar edhe Austria e Italia. Ndërsa, Sllovenia ka afro 300 ushtarë në Kosovë.

Cassano: Iniesta më telefonoi

Sulmuesi i Milanit, Antonio Cassano, ka zbuluar se ai ka pranuar një telefonatë nga mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, pas operimit të bërë në nëntor.
29 vjeçari ishte pranë fundit të karrierës së tij pas operimit të detyrueshëm në zemër nëntorin e kaluar, ndërsa pranoi se ende është tepër i ngazëllhyer nga përkrahja e treguar nga kolegu i tij Blaugran.
“Iniesta më telefonoi para operacionit. Më pas unë e kuptova se sa shumë njerëz janë kujdesur për mua”, ka theksuar Cassano. 

Cavani: Do të qëndroj te Napoli

Sulmuesi i Napolit, Edinson Cavani, ka dhënë një indikacion të fortë se ai do të qëndrojë në klub edhe në të ardhmen, duke deklaruar se ai ndjen që napolitanët mund të shkojnë larg sezonin e ardhshëm.
“Trajneri Walter Mazzarri ka bërë punë të mirë këtu dhe ka krijuar një ekip që mund të bëjë gjëra të shkëlqyera”.
“Ne jemi duke synuar majen dhe mendoj se jemi në gjendje që të luftojmë për të gjithë titujt sezonin e ardhshëm”, ka thënë Cavani. 

Van Persie: Shumë gola ndaj Cityt

Sulmuesi i Arsenalit, Robin Van persie, pret që ndeshja ndaj Manchester Cityt të jetë një sfidë me shumë gola.
“Ju ndjeni se Manchester City dëshiron të shënojë gola, për shkak të gjendjes tabelare. Ata mund të shënojnë tri-katër gola, ashtu sikurse ne”.
“Kjo e bën ndeshjen interesante si tifoz, pasi ne mund të shënojmë deri në pesë gola. Mos u befasoni nëse ndeshja përfundon me rezultat të barabartë 5-5”, ka thënë Van Persie. 

Zenden: Barca më e mirë se Chelsea

Ish-reprezentuesi i Holandës, Boudewijn Zenden, mendon se Barcelona është ekipi më i mirë në botë dhe shtoi se cilësia e Blaugranëve është tejet e lartë për Chelsean.
“Barcelona është favorite për ta fituar Ligën e Kampionëve. Ata janë më të mirë se Chelsea. Ata kanë më shumë cilësi dhe është përparësi e madhe që ndeshja e dytë zhvillohet në Camp Nou”.
“Ndeshja mes Bayernit dhe Realit është më e nivelizuar. Është e vështirë të thuash se kush do të kualifikohet. Unë do të vë paratë e mia për Realin, sepse finalja kundër Barcës do të ishte e mirë. Ato janë dy ekipet më të mira të momentit”, ka thënë Zenden. 

Kim nuk mohon lidhjen me Kanye West

Ylli televiziv amerikan, Kim Kardashian, ka rritur spekulimet se ajo është në lidhje me Kanye West, pasi refuzoi që të konfirmonte apo hedhte poshtë pyetjet rreth kësaj çështje gjatë një interviste të premtën.
Bukuroshja me origjinë nga Armenia, e cila besohet se është në lidhje me reperin Kanye West, kohë më parë ishte ndarë nga bashkëshorti Kris Humphries dhe ende pa u divorcuar zyrtarisht, ajo është parë shpesh nëpër New York me reperin e “Niggas In Paris” dhe Kim tani ka shtuar zërat spekulativ.
“Unë respektoj tërësisht dhe kuptoj se duhet të bëni këso pyetjesh, por unë kam thënë më parë se Kanye dhe unë jemi vetëm miq që prej disa vitesh dhe e dini si, unë nuk mbylli asgjë për të ardhmen, kështu që...më pëlqen kënga e re”, u përgjigj Kim teksa komentoi këngën e re të Kanye West, “Theraflu”, ku tërthorazi pranon të jetë në dashuri me bukuroshen. 

Victoria joshëse në stil kinez (foto)

Victoria Beckham nuk është moshuar ende aq shumë sa për të mos e llogaritur ndër femrat më atraktive në botë, ndërsa këtë mund ta vërtetojnë më mirë fotografitë e fundit të realizuara për revistën Bazaar.
37 vjeçarja e realizoi këtë seancë fotografish me fotografin kinez Chen Man, një prej fotografëve lider të modës në tërë Kinën.
Këto fotografi nuk janë të rastësishme, pasi Victoria do të shkojë në Kinë javën e ardhshme për të promovuar linjën e saj më të fundit të modës VB. 

Meshkujt dhe femrat nuk qajnë njëjtë

Femrat të qarën e kanë të kushtëzuar biologjikisht, kështu që ato gjatë jetës "lëshojnë" dukshëm më shumë lot se meshkujt. ndërsa me kontrollin mikroskopik mund të vërehet edhe dallimi gjinor në ndërtimin e gjëndrave të lotëve, shpjegojnë shkencëtarët.
Duke studiuar dallimin, konkret në mes lotëve mashkullorë dhe femërorë dhe lotëve në përgjithësi, kanë zbuluar që kanali i lotit te mashkulli është më i madh se te pjesëtaret e gjinisë "më të butë", prandaj te femrat lotët ndahen dhe rrjedhin ose rrëshqasin nëpër faqe, shpjegon dr. Louann Brizendine nga Universiteti California.
Lotët e meshkujve nuk ndahen, por rrjedhin, si pikat. Lotët e tyre janë më të mëdhenj dhe bien në sasi më të madhe; dhe më të shpejtë. Rrethanat shoqërore si dhe dallimet individuale kushtëzojnë se sa do ta ketë vështirë individi' të përmbajë dëshirën dhe nevojën për të qarë.
Djemtë për dallim nga vajzat kanë mekanizim e ndërtuar ashtu që ato sinjale udhëtojnë më ngadalë, ndërsa për shkak të rregullave shoqërore ata gjatë rritjes edhe më shumë mësojnë si të mbajnë kontrollin dhe t'i shtypin lotët. Për këtë arsye, hulumtimet e kohës së fundit tregojnë që rrethi reagon më pozitivisht ndaj meshkujve sesa ndaj femrave që qajnë, sepse konsiderohet se ata për këtë shkak janë më të ndjeshëm dhe "më të mirë" se meshkujt e tjerë.
"Edhe pse mekanizmi i formimit të lotëve dhe qarjes nuk është tërësisht i qartë për shkencëtarët, dihet që njerëzit janë specia e vetme, që qan lot emocionalë" thotë dr. Ad Vingerhoets nga Universiteti Tilhurg.

Qëndrimi në diell zvogëlon rrezikun për kancer të gjirit

Nëse qëndroni në diell mesatarisht tre orë në ditë, mund të zvogëloni rrezikun e kancerit të gjirit për 50 për qind.
Të dhënat më të reja tregojnë se ekspozimi i rregullt ndaj rrezeve të diellit mund të ketë efekt të fuqishëm kundër kancerit të gjirit duke stimuluar prodhimin e vitaminës D në lëkurë.
Testimet laboratorike kanë treguar se qelizat e gjirit kanë aftësi që ta shndërrojnë vitaminën D në hormon, i cili ka veti antikancerogjene.
Shkencëtarët kanadezë kanë krahasuar 3.100 femra që vuajnë nga kanceri i gjirit me 3.470 femra të shëndosha te të cilat nuk është diagnostikuar ky tumor malinj.
Pjesëmarrëset në studim janë pyetur për kohën që e kanë kaluar në diell gjatë ditëve verore në katër faza jetësore: si tinejxhere, nga mosha 20 deri në 30 vjeçare, nga mosha 40 deri në 50 vjeçare dhe nga mosha 60 deri në 74 vjeçare,
Rezultatet kanë treguar se femrat të cilat kanë kaluar së paku 21 orë në javë të ekspozuara ndaj rrezeve ultravjollce në moshë të re, kanë qenë për 29 për qind më pak të rrezikuara për t’u sëmurë nga kanceri i gjirit.
Për femrat të cilat kanë kaluar më shumë kohë në diell në moshën 40 dhe 50-vjeçare, rreziku kishte rënë për 26 për qind, ndërsa për ato mbi moshën 60 vjeçare, qëndrimi në diell e përgjysmon rrezikun për shfaqjen e tumorit.
Njëkohësisht është vërtetuar se personat të cilët kanë marrë sasinë e rekomanduar të vitaminës D, kanë më pak rrezik për t’u sëmurë nga sëmundjet e zemrës, dhe janë më pak të prirë për infarkt të zemrës ose goditje në tru.
Ndërkohë, një studim amerikan, në të cilin kanë marrë pjesë rreth 119.000 persona të rritur dhe që ka zgjatur rreth dy dekada, është vërtetuar se meshkujt të cilët marrin dozë ditore prej 600 IUD të vitaminës D, janë për 16 për qind më pak të rrezikuar që të vuajnë nga problemet e zemrës ose të pësojnë goditje në tru.
Vërejtje: Megjithatë, duhet pasur kujdes që gjatë qëndrimit në diell të mbrohemi në mënyrë të duhur që të mos shkaktohet ndonjë dëmtim i lëkurës apo sëmundje e saj.

Dyfishohet profiti i Samsung Electronics

Samsung Electronics ka publikuar se gjatë çerekut të parë do të ketë profit rekord, kryesisht duke iu falënderuar shitjes së telefonave të vet “të mençur”.
Profiti total i kompanisë ishte 5.8 bilion won, respektivisht rreth 5.15 miliard dollarë, që është gati dyfish në krahasim me një vit më parë. Të hyrat totale të kompanisë ishin 45 bilion won.
Në veçanti theksohet shitja jashtëzakonisht e mirë e Galaxy Note, pajisjes e cila është një miks i telefonit klasik “të mençur” dhe tabletit. Deri tani janë shitur rreth 5 milion copë pajisje të këtilla i cili u bë burim i papritur i profitit për kompaninë. Gjithashtu ata theksuan se pritet vazhdimi i shitjes së mirë të Note edhe gjatë çerekut të dytë.
Samsung rezultatet jozyrtare të afarizmit i publikoi të premten, derisa ata zyrtar pritet të publikohen me 27 prill.

Draskovic: As Kosova në Serbi, e as Serbia në BE

Lideri i Partisë së Përtëritjes Serbe, Vuka Draskovic, përsëriti se Serbia nuk mundet të vazhdoj më me politikën “edhe BE, edhe Kosovë”
“Kjo politikë humbëse po zhvillohet që 12 vite”, ka thënë ai për Novosti. “Kjo është zgjatje e rrugës anësore: as Kosova në Serbi e as Serbia në BE”.
Sipas tij, Serbia duhet të merret me Evropën, standardet evropiane dhe mbrojtjen “e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë”.
“Vetëm kjo është e mundur”, thotë ai.