Rrëfimi për zmbrapsjen e opozitës

Jakup Krasniqi vetëm rrinte dhe me dorë e fërkonte gojën. Ismet Beqiri vazhdimisht ka lëvizur. Adrian Gjini (AAK) e mbante kokën ulur dhe me duar e shtypte kokën. Adem Grabovci (PDK) vazhdimisht i shikonte me një buzëqeshje përfaqësuesit e opozitës, duke i injoruar”. Ismet Beqiri (LDK) i tha Adem Grabovcit se nuk është mirë të na i gjuani amerikanët në qafë. Xhavit Haliti (PDK) thoshte se është mirë që këtu janë edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes që ta shohin edhe këta se çka është presioni.

Më pak se pesë minuta kohë i janë dashur një zyrtari të lartë amerikan në Kosovë, që t’i rrëzojë “përtokë” dy partitë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), raporton Zëri.
Këmbëngulësia e tyre se nuk do t’i votojnë, dhe madje as t’i pranojnë si pika të rendit të ditës dy ligjet, atë për Banka dhe Institucione Financiare dhe Ligjin për Ndërtime, ka marrë fund vetëm pasi para tyre është “kollitur” zyrtari i lartë amerikan.
Njëri nga të pranishmit në takimin që të dy ditë më parë (të enjten) ka zhvilluar zyrtari amerikan me anëtarët e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka treguar në kushte anonimiteti çdo detaj të takimit.
Ky person ironizon me, siç thotë ai, amortizatorët e butë të LDK-së dhe AAK-së, ndërsa thekson se për herë të parë në jetë ka lakmuar që të jetë në vend të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët nuk janë frikësuar nga amerikani.