Kryetarit të komunës Biberist të Zvicrës i ka ardhur në majë të hundës rasti i Azem Sylës."Njerëzit e tillë dëmtojnë ata që vërtetë kanë nevojë për ndihmë, shumë prej tyre bashkatdhetarë të tij", ka thënë Blaser, kryetar i Komunës Biberist
"Sa të marrë jemi ne zviceranët! Si do t`i përgjigjem unë një bashkëqytetari që jeton në teh të ekzistencës nëse më pyet lidhur me rastin Syla!", ka shpërthyer ai të hënën në mbledhjen e Këshillit të Komunës.
Rasti aktual "i tejkalon të gjitha të deritashmet, si për nga shuma e parave sociale të shfrytëzuara ashtu dhe për nga paturpësia", ka thënë Blaser, raporton gazeta "Solothurner Zeitung", transmeton Albinfo.ch.
Njerëzit e tillë përveç që kushtojnë me para dhe me angazhim, dëmtojnë veçanërisht ata persona që me të vërtetë kanë nevojë për ndihmë. Dhe ata, në një numër të konsiderueshëm janë bashkatdhetarët e tij ose njerëz të tjerë që mbështeten në vullnetin tonë të mirë", ka shtuar ai.
Rasti i deputetit kosovar Azem Syla vazhdon të mbetet aktual në mediat zvicerane. Së pari ishte padia e bërë kundër tij për abuzim të ndihmave sociale dhe atyre suplementare. Pastaj erdhi vendimi i autoriteteve për migracion që atij t`i tërhiqet leja e përhershme e qëndrimit (viza C) dhe që ai të lëshojë Zvicrën. Syla ka ushtruar të drejtën e ankesës në Gjykatën Federale, që është shkalla më e lartë e gyqësisë së vendit, kundër vendimit të fundit.
Dhe, në kohën kur po pritet veprimi i kësaj ankese, komuna e vogël, Biberist e Solothurnit, ku Syla ka pasur vendbanimin, e sheh veten të viktimizuar nga e gjithë kjo!
Arka e kompensimeve e Kantonit të Solothurnit (Akso) po i kërkon komunës Biberist t`ia kthejë asaj paratë e ndihmave sociale që i janë dhënë Azem Sylës përmes entit social të kësaj komune. Bëhet fjalë për një shumë prej afër 120 mijë frangash, shkuan gazeta "Solothurner Zeitung"
Por komuna Biberist, që është vendbanim zyrtar i Sylës, kundërshton të bëjë këtë kompensim. Kështu ka vendosur Këshilli komunal. Njëherësh ky këshill do të bëjë ankesë kundër kërkesës së Akso-s për kthimin e parave.
Avokati i angazhuar nga komuna do t`i kërkojë Akso-s që të pezullojë procedurën e kërkimit për kthimin e parave deri në vendimin përfundimtar lidhur me lëndën penale për Azem Sylën. Po kështu avokati po e shqyrton mundësinë nëse edhe komuna mund të ngrejë padi kundër Sylës.