Rona në finale të Eurovision

Përfaqësuesja e Shqipërisë në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovision, Rona Nishliu, është kualifikuar në finalen e këtij evenimenti që po zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit.
Rona, e cila ishte e pesta në renditje, gjatë performancës së saj në natën e parë gjysmëfinale, mbizotëroi skenën dhe transmetoi ndjenja te publiku me një interpretim mjaft emocional, ndërsa mori ovacione për vokalin e jashtëzakonshëm. Ajo e meritoi kualifikimin, ishte e mrekullueshme, ndërsa zëri i saj bëri që salla të shpërthente me ovacione.
Sa i përket prezantimit skenik – ajo kishte veshur një fustan me një jakë të lartë, dhe një pelerinë të kaltër mbi pantallona të zeza. Skena ishte e errët, ku ngjyra dominuese ishte e kuqja.
Kënga “Suus” është një vepër e Florent Boshnjakut, ndërsa tekstin e ka shkruar vetë këngëtarja nga Kosova. Triumfi në Festivalin e Këngës në RTSH i ka mundësuar Ronës rrugëtimin drejt Bakusë, ku në garën e madhe të këngës evropiane përfaqëson Shqipërinë.
Dhjetë shtetet nga nata e parë gjysmëfinale që u kualifikuan në finale:
Rumania
Moldavia
Islanda
Hungaria
Danimarka
Shqipëria
Qiproja
Greqia
Rusia
Irlanda

Në gjysmëfinalen e parë të “Eurovision Song Contest 2012” konkurruan 18 këngë:
Mali i Zi: Rambo Amadeus – “Euro Neuro”
Islanda: Greta Salome & Jonsi – “Never Forget”
Greqia: Eleftheria Eleftheriou – “Aphrodisiac”
Letonia: Anmary – “Beautiful Song”
Shqipëria: Rona Nishliu – “Suus”
Romania: Mandinga – “Zaleilah”
Zvicra: Sinplus – “Unbreakable”
Belgjika: Iris – “Would You”
Finlanda: Pernilla – “Nar Jag Blundar”
Israel: Izabo – “Time”
San Marino: Valentina Monetta – “The Social Network Song” (“Oh Oh - Uh - Oh Oh”)
Qiproja: Ivi Adamou – “La La Love”
Danimarka: Soluna Samay – “Should've Known Better”
Rusia: Buranovskiye Babushki – “Party For Everybody”
Hungaria: Compact Disco – “Sound Of Our Hearts”
Austria: Trackshittaz – “Woki Mit Deim Popo”
Moldavia: Pasha Parfeny – “Lautar”
Irlanda: Jedward – “Waterline”

Pedro dëshiron të qëndrojë te Barca për shumë vite


Agjenti i Pedro Rodriguez ka thënë se klienti i tij nuk e ka ndërmend të largohet nga Camp Nou gjatë afatit kalimtar veror.
24-vjeçari ka pasur probleme me lëndime dhe me formën e tij në sezonin që lamë pas, ndërsa është thënë se ai mund të largohet nga Blaugranët.

“Nuk na ka ofruar askush kontratë, sepse klubet janë të vetëdijshme që është thuajse mision i pamundur për ta marrë Pedron nga Barcelona”.

“Sa u përket thashethemeve, ato janë thjesht – thashetheme. Qëllimi ynë dhe i Barcelonës është që Pedro të qëndrojë këtu për një kohë të gjatë”, ka thënë agjenti Antonio Sanz për Radio Club Tenerife.

Sneijder i vetofrohet Milanit

Wesley Sneijder është i gatshëm ta braktisë Interin gjatë verës dhe t’i bashkohet rivalit Milan – raporton Goal.com.
Agjenti i mesfushorit thuhet të ketë kontaktuar me Adriano Gallianin për ta informuar se holandezi është i gatshëm të kalojë te Rossonerët.

Nga ana tjetër, 27-vjeçari ka raporte të mira me Kevin-Prince Boateng, i cili pritet t’i ndihmojë në realizimin e transferimit.

Megjithatë, përkundër spekulimeve, janë disa gjëra të tjera që duhen diskutuar, mes tyre edhe shuma prej 25 milionë eurosh që duhet ta paguajë Milani për ta blerë atë.

“Goli i Henryt ishte vendimtar”

Portieri i Arsenalit, Wojciech Szczesny, ka lëvduar impakton pozitiv të legjendës së klubit londinez, Thierry Henry, gjatë momentit më kritik sezonal për Topçinjtë.
“Nëse po flasim për pikat kthyese të sezonit dhe duhet të komplimentoni një njeri, mendoj për Thierry Henryn. Kur ai erdhi këtu, ishte krejt ndryshe. Ishte pa çmim të kesh dikë në stërvitje, i cili ka bërë aq shumë për klubin dhe që një kohë ka qenë më i miri në botë”.

“Kur ai e shënoi golin e fitores ndaj Leeds, britma në stadium ishte më e fuqishme që kam dëgjuar ndonjëherë. Më pas ai shënoi golin e fitores ndaj Sunderlandit. Mendoj se ky gol ndryshoi sezonin tonë dhe arritëm në vendin e tretë”, ka thënë polaku

Chelseat i refuzohen 40 mil. për Lucas

Klubit londinez, Chelsea, i ishte refuzuar oferta prej 40 milionë eurosh për yllin e Sao Paolos, Lucas Moura, por Blutë mbeten favoritë për transferimin e tij, gjithnjë sipas presidentit të klubit brazilian.
19 vjeçari, i cili po lidhet me një kalim te Interi dhe Real Madridi si duket ka qenë edhe subjekt i interesimit të Chelseat, që është kthyer kah ka ardhur për shkak të presidentit të Sao Paolos, Juvenil Juvenacio.

“ Ne nuk e kemi pranuar ofertën, por sigurisht, për momentin, Chelsea mbetet favoriti më i madhpër Lucas. Interi e bëri ofertën prej 25 milionë eurosh, por kjo ofertë nuk ishte e mjaftueshme për ne”.

“Real Madridi është po ashtu i interesuar, kam pasur kontakte me Florentino Perez, i cili e adhuron lojtarin. Lucas është lojtar i madh që do të triumfojë në Europë, por Sao Paolo do ta shesë për ofertën më të madhe”, ka deklaruar Juvenacio

Hargreaves largohet nga City

Manchester City ka njoftuar se e ka lejuar Owen Hargreavesin që të largohet nga klubi.
31-vjeçari u transferua në Etihad Stadium në verën e kaluar pas përfundimit të kontratës me Manchester Unitedin, mirëpo problemet me lëndime ia kanë pamundësuar që të luajë.
Anglezi është paraqitur vetëm katër herë për kampionin e Ligës Premier dhe ka shënuar një gol.
Në sezonet e fundit, Hargreaves vazhdimisht ka probleme fitnesi dhe pas United edhe City e largon atë nga klubi.

Drogba: Gjithmonë në zemrën time!

Didier Drogba dhe Chelsea kanë konfirmuar se sulmuesi nga Bregu i Fildishtë do të largohet nga Stamford Bridge pas skadimit të kontratës së tij në qershor.
34-vjeçari u transferua te Blutë para tetë vitesh nga Marseille, ndërsa ka qenë njeriu kyç në triumfet e Chelseat duke fituar tre tituj të Ligës Premier, katër të FA Cup, dy të League Cup dhe së fundmi edhe Ligën e Kampionëve.
“Ka qenë një vendim shumë i vështirë për mua dhe jam shumë krenar për çfarë kemi arritur, por tash është koha për një sfidë të re për mua. Si ekip kemi arritur shumë dhe kemi fituar secilin trofe të mundshëm”.
“E shtuna ishte një moment i veçantë për të gjithë te klubi dhe për të gjithë tifozët, dhe unë jam shumë krenar të kem luajtur rol në sjelljen e aq shumë trofeve te ky klub, i cili ka qenë shtëpia ime në tetë vitet e fundit”.
“Dua ta shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë te klubi, sidomos Roman (Abramovichin) dhe bashkëlojtarët e mi, shumë prej të cilëve më janë bërë miq të ngushtë dhe do të jenë miqtë e mi përgjithmonë”.
“Gjithashtu dua të shpreh një falënderim të veçantë për tifozët e Chelseat, të cilët më kanë shfaqur aq shumë dashuri dhe mbështetje gjatë viteve”.
“Ia uroj gjitha të mirat klubit dhe të vazhdojë sukseset në të ardhmen – gjithmonë do të jeni në zemrën time”, ka thënë Drogba për faqen zyrtare të Chelseat.
Ndërkaq, shefi ekzekutiv i Bluve, Ron Gourlay, e ka thënë se Drogba është padyshim një legjendë e klubit dhe “gjithmonë do të jetë pjesë e familjes së Chelseat”.
Didier Drogba ka regjistruar 341 paraqitje për Chelsean duke shënuar 157 gola dhe është golashënuesi i katërt më i mirë në histori të klubit londinez.

Chiellini: Do të luaj ndaj Spanjës

Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka premtuar se do të jetë i gatshëm për sfidën e parë të Italisë në kuadër të Euro 2012, kundër Spanjës më 10 qershor.
Qendërmbrojtësi pësoi një lindin në ndeshjen e fundit sezonale në Serie A dhe ka pasur dyshime nëse ai do të mund të riaftësohet për Kampionatin Evropian.
“A ka rrezik që unë të mungoj në Evropian? Të mos tallemi. Do të jem i gatshëm në kohë”.
“Dua të jem i përgatitur të luaj ndaj Spanjës dhe do të arrij ta bëj këtë”, ka thënë 27-vjeçari për Corriere dello Sport.
Italia bën gara në Grupin C së bashku me Spanjën, Kroacinë dhe Irlandën.

Allegri: Ibra e Silva nuk largohen

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka përgënjeshtruar spekulimet se Rossonerët planifikojnë të shesin dyshen, Zlatan Ibrahimovic dhe Thiago Silva, gjatë kësaj vere.
“Klubi dhe presidenti janë të vendosur që ta mbajnë Milanin në nivel të lartë. Ibrahimovic dhe Thiago do të qëndrojnë këtu”.
“Thiago është i ri, ndërsa Ibrahimovic mund të japë edhe shumë. Ata janë dy kampionë rreth të cilëve Milani mund të ndërtojë një bazë për të ardhmen”.
“Klubi është duke punuar në zëvendësimin e atyre lojtarëve që u larguan”, ka thënë Allegri për Milan Channel

Ronaldo: Spanja, Gjermania dhe Holanda favorit për Euro 2012

Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se Spanja, Gjermania dhe Holanda janë favoritë për ta fituar Kampionatin Evropian të futbollit.
“Spanja ka një rast të mirë. Gjermania, Holanda, Italia, Portugalia, pse jo? Mirëpo tri të parat kanë shans të madh për të fituar: Spanja, Gjermania dhe Holanda”.
“Ne nuk kemi shumë presion. Presioni është mbi Spanjën, Gjermaninë dhe Holandën. Por jo mbi Portugalinë. Ne duhet ta shijojmë (kampionatin), të bëjmë më të mirën që mundemi dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Do të jetë shumë vështirë”, ka thënë portugezi.
Portugalia bën gara në Grupin B së bashku me Gjermaninë, Holandën dhe Danimarkën.

Mourinho vazhdon kontratën me Realin

Real Madridi ka zbuluar me anë të faqes zyrtare se ka mbyllur me sukses negociatat me Jose Mourinhon, i cili tash është i lidhur me klubin spanjoll deri në vitin 2016.
Trajneri kontrovers më herët kishte kontratë deri në vitin 2014 dhe me vazhdimin dyvjeçar të saj u jep fund spekulimeve për të ardhmen.
Mourinho i është bashkuar Madridit nga Interi në verën e vitit 2010 dhe drejtoi Los Blancos në triumfin në Kupën e Mbretit në sezonin e parë të tij në klub.
Ish-menaxheri i Portos dhe Chelseat këtë sezon i dha Madridit titullin e parë që nga sezoni 2007/08, duke mbledhur numër rekord të pikëve, 100 nga 39 ndeshje.
Mourinho është trajneri i parë në histori që fiton tituj të ligës në Portugali, Angli, Itali dhe Spanjë. 

Casillas: Vështirë ta fitojmë Euron

Iker Casillas beson se mbrojtja e titullit të kampionit të Evropës do të jetë shumë më vështirë se sa triumfi katër vite më parë, pasi Spanja më nuk ka elemente të befasisë në skuadër.
“Problemi është se tash ne nuk do të shkojmë në euro ngjashëm siç shkuam katër vite më parë. Ne ishim të njohur atëherë, por ne ishim në gjendje që gradualisht t’i befasojmë njerëzit dhe ta fitojmë turneun. Por tash gjithkush në futboll e njeh Spanjën”.
“Isha më optimist në Kupën Botërore se që jam tash. Ka përpjekje për t’u bërë i vetmi ekip që fitojmë tre gara të njëpasnjëshme dhe kjo do të jetë tmerrësisht e vështirë”.
“Por mendoj se Del Bosque dhe ekipi po ia dalin mirë. Ne jemi favoritë dhe mendoj se do të shkojmë ta mbrojmë këtë”, ka thënë Casillas.
Spanja është në grup Me Italinë, Republikën e Irlandës dhe Kroacinë në Euro 2012

Vokrri: Hap i madh për futbollin e Kosovës

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, e ka quajtur hap të madh për futbollin kosovar vendimin e FIFA-s për ta lejuar përfaqësuesen dhe klubet e Kosovës të zhvillojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare.
“Ky është një hap një hap i madh drejt pranimit të plotë të futbollit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë”, është shprehur Vokrri në konferencën e sotme të shtypit.
“Ne edhe mbrëmë jozyrtarisht e kemi pasur lajmin, por duhet të ishim tepër të kujdesshëm karshi opinionit. Ndaj sot kemi marrë lajmin zyrtar nga zyra e z. Blatter dhe këtë lajm e kënaqësi po e ndajmë me ju”, ka thënë Vokrri.
I pyetur nga gazetarët për kontributin e zëvendëskryeministrit Behxhet Pacolli, Vokrri ka thënë nuk ka njohuri për rolin e tij në këtë proces, por ka falënderuar këdo që ka dhënë kontribut në çfarëdo mënyre për futbollin e Kosovës.
Federata e Futbollit të Kosovës tash do të punojë në drejtim të gjendjes së kundërshtarit për miqësoren e parë të përfaqësueses së Kosovës në garat ndërkombëtare.

Ronaldo e vlerëson veten me 10-she

Cristiano Ronaldo beson se ai ka pasur një sezon të përkryer me Real Madridin pasi e ndihmoi skuadrën të fitojë titullin e La Ligës për sezonin 2011/12.
Pavarësisht se humbi trofeun Pichichi, për shënuesin më të mirë të ligës, dhe dështoi të fitojë Ligën e Kampionëve, portugezi mendon se ka kaluar një sezon të përkryer, edhe pse është optimist se mund të shijojë sezone edhe më të mira.
“Në aspektin individual, sezoni im ka qenë një 10-she e përkryer. Në aspektin kolektiv, ka qenë nëntëshe pasi ne kemi mundur të fitojmë më shumë trofe, si Ligën e Kampionëve për shembull”.
“Qëllimi im është t’ia dal më mirë sezonin e ardhshëm. E di se do të jetë vështirë të shënoj më shumë se 46 gola në La Liga, por gjithçka mund të ndodhë në futboll”.
“Vërtet besoj se mund të përmirësohem ende. E di se do të jetë vështirë për shkak të gjithë atyre rekordeve që kemi thyer, por kurrë nuk i dihet”, ka thënë portugezi. 

Usher qan në gjykatë

Këngëtari amerikan, Usher, ka qarë në një gjykatë në Atlanta, pasi avokati i ish-gruas së tij e kishte akuzuar se është baba i keq dhe se më shumë mendon për t’u argëtuar sesa të kujdeset për fëmijët.
Krijuesi i hitit “Scream” po përballet në gjykatë me Tameka Foster në lidhje me kujdestarinë e dy fëmijëve të tyre.
Për të dëshmuar se këngëtari është baba i keq, avokati i palës kundërshtare kishte nxjerrë në gjykatë disa fotografi ku shihej Usher nëpër ndeja ‘të çmendura’ në Evropë.
Ekipi i ish-gruas së tij e ka akuzuar atë , po ashtu, edhe për përdorim të drogës, madje kanë thënë se këngëtari merr drogë edhe para fëmijëve.
Usher i ka kundërshtuar të gjitha akuzuat. 

Rafaeli, femra më seksi sipas Maxim

Ish-e dashura e aktorit Leonardo Dicaprio, Bar Rafaeli, është zgjedhur femra më seksi e vitit 2012 nga revista Maxim, dhe është “e lumtur dhe e nderuar” me këtë titull.
26-vjeçarja ka shprehur ngazëllim e saj përmes profilit të saj në Twitter.
“Shumë e lumtur dhe e nderuar që jam numri 1 në #Maximhot100! Falemnderit @maximmag! Kjo është shumë ngazëlluese”, ka shkruar Bar.
Modelja izraelite ndiqet nga Olivia Munn, e treta rreshtohet Mila Kunis, ndërsa Katy Perry pushton pozitën e katërt.
Edicioni i ri i revistës me listën e femrave më “hot” në botë do të dalë më 29 maj. 

Cyrus: Seksi është gjë e bukur

Ish-aktorja e serisë “Hannah Montana”, Miley Cyrus, mendon se seksi është gjë e bukur dhe duhet të shijohet njëjtë nga të gjitha palët e përfshira.
Aktorja është e dëshpëruar nga mënyra se si shumë femra e shohin aktin seksual, dhe të cilat mendojnë se kjo gjë është një shërbim për meshkujt.

“Vajza të cilat vërtet e bazojnë vlerën e tyre në favoret seksuale që mund t’ia bëjnë dikujt, kjo më bën të dëshpëruar. Pasi seksi në fakt është gjë e bukur”, ka thënë Cyrus, duke shtuar se prindërit nuk duhet të ngurrojnë t’i edukojnë fëmijët rreth seksit.
“Fëmijët kanë televizor, andaj e dinë se çfarë është seksi. Andaj edukoni ata dhe lejoni ta kuptojnë... është gjë e bukur, dhe është magjike, dhe është kështu kur ju lidheni me dikë”.
“Dhe nuk është se sa vlen ti. Vlera juaj nuk bazohet në këtë, ju vleni në bazë të asaj se si ndjeni për veten”, ka shtuar më tej 19-vjeçarja. 

Sekretet e skuqjes

Shumica e amviseve dinë të skuqin, por ekzistojnë disa sekrete të vogla që asnjëherë nuk duhet t'i harrojnë.
* Gjithmonë nxeheni mirë vajin, në të cilin do të skuqni. Nëse vaji nuk është i nxehtë aq sa duhet, atëherë ushqimet do të thithin sasi më të mëdha të tij.
* Lërini ushqimet ta kullojnë mirë vajin e tepërt mbi pecetë thithëse të spërkatur me kripë të trashë. Në këtë mënyrë, ushqimet do të dalin me më pak vaj.
* Kini kujdes që të mos hidhni sasi të mëdha ushqimi në tiganin ku do të skuqni, sepse në këtë mënyrë ato do të nxjerrin më tepër lëngje, duke e shndërruar skuqjen në zierje.
* Vaji i ullirit konsiderohet vaji më i shëndetshëm dhe më i mirë për skuqje. Shumica e amviseve nuk e përdorin për shkak të kostos së lartë, por një zgjidhje e mirë është ta përzieni atë me vaj luledielli ose vaj kikiriku, në masë 1 :3.
* Asnjëherë mos e përdorni të njëjtin vaj më tepër se tri herë.
* Asnjëherë mos e lini tiganin të pakontrolluar gjatë skuqjes.
* Skuqja është procesi më i rrezikshëm i gatimit. Mbani gjithnjë afër një kapak, për ta mbuluar tiganin, në rast se merr flakë.

Gjumi i pamjaftueshëm trash fëmijët

Dihet që sasia e pamjaftueshme e gjumit ose gjumi me kualitet të dobët mund të shkaktojë trashjen dhe është e dukshme që fëmijët nuk janë përjashtim.
Fëmijët, të cilët zgjohen natën dhe të cilëve pastaj u lejohet të flenë në krevatin e prindërve, kanë më pak rrezik për të grumbulluar kilogramë të tepërt, pohojnë shkencëtarët nga Danimarka.
Në hulumtim kanë marrë pjesë 500 fëmijë në moshën prej dy deri gjashtë vjet. Të gjithë fëmijët kanë pasur rrezik të shtuar nga grumbullimi i kilogramëve të tepërt, ndërsa arsyet më të shpeshta kanë qenë pesha e tepërt e lindjes dhe pesha e tepërt e nënës para shtatzënisë.
Fëmijët në atë moshë shpesh zgjohen në mes të natës, ndonjëherë edhe disa herë. Shkencëtarët kanë vëzhguar nëse tek fëmijët ndikon mbështetja e prindërve ashtu që fëmijëve t’u lejojnë të vazhdojnë gjumin në krevatin e tyre.
Fëmijët të cilët nuk kanë fjetur kurrë në shtratin e prindërve të tyre kanë pasur rrezik më të madh nga grumbullimi i kilogramëve të tepërt, ndërsa shkencëtarët besojnë që kjo është për shkak të gjumit të parehatshëm. 

Urbanmag.net – portal shqiptar për arkitekturë

Zhvillimit të arkitekturës, urbanistikës, dizajnimit të enterierit e shumë aspekteve të tjera tanimë do ti kontribuojë lansimi i një portali informativ dhe promocional për arkitektët dhe profesionistët që lidhen me këto fusha.
Urbanmag.net i lansuar kohë më parë do ti japë mbështetje në radhë të parë profesionistëve në fushën e arkitekturës duke ju ofruar hapësirë për promovimin e projekteve te tyre. Portali siç edhe duket mëton që të rrisë kualitetin duke krijuar një standard të ri në këto fusha, e që do ti kontribuojë zhvillimit të tyre në hapësirën ku ne jetojmë.
URBANmag.net përveç publikimit të projekteve, kritikave dhe shkrimeve në fushën e arkitekturës do të ofrojë edhe një hapësirë për produktet dhe materialet te cilat ekzistojnë në tregun e Kosovës, në mënyrë qe të gjithë vizitorët të mund të informohen për produktet të cilat mund ti gjejnë në treg.
URBANmag.net është portali i parë në web hapësirën shqiptare i cili ofron hapësira për përdorues për fushat të cilat i trajton portali, hapësira të cilat menaxhohen vetë nga përdoruesit duke iu mundësuar atyre promovimin e projekteve te tyre. Në më pak se një muaj, shohim që pjesë e këtij portali janë bërë shumë emra te njohur te fushës se arkitekturës ne Kosovë.
Andaj ne në ketë portal shohim një vegël të rëndësishme për arkitektin si dhe një ndihmesë të madhe për të gjithë ata që kanë nevojë për shërbime të këtyre natyrave.

Kabina interesante telefonike (Foto)

Një nga operatorët telefonikë në Brazil ka ardhur deri tek ideja që kabinat telefonike t’i shndërrojë në vepra artistike.
Qindra kabina telefonike në Sao Paolo këto ditë kanë fituar një dukje të re, ndërsa artistët i kanë quajtur “Veshi i madh”. 

“Përditësimi i statusit tuaj në Facebook mund të presë”

Nëpër rrugët e New Yorkut janë vënë shenja përmes të cilave paralajmërohen këmbësorët që të kenë kujdes gjatë ecjes nëpër rrugë dhe të mos shfrytëzojnë ‘telefonat e mençur’ për qasje në Facebook.
Njujorkezët e fiksuar pas rrjetit social (sikurse e gjithë bota) e kanë zakon të përcjellin se çfarë po ndodh në Facebook dhe gjatë ecjes nëpër qytet shkruajnë komente apo e freskojnë ‘murin’ e tyre.
Në njërën nga shenjat paralajmëruese shkruan: “Kini kujdes kur po ecni, përditësimi i statusit tuaj në Facebook mund të presë”.
Megjithatë, kjo fushatë nuk ka rezultuar e suksesshme. Kalimtarët janë parë duke kaluar pranë shenjave e duke mos i shikuar aspak ato, pasi kanë qenë të zënë me profilin e tyre.
Ideja për këto shenja është e artistit të rrugës, Jay Shells, i cili në vitin 2010 ka filluar fushatën për përmirësimin e jetës së njerëzve. Nga shenjat tjera të tij, veçojmë ato që i thërret njerëzit të çojnë pantallonat e tyre dhe duhanxhinjtë që të mos i hedhin cigaret në rrugë.

Vendparkimi që kushton një milion dollarë

Në New York ka dalë në shitje vendparkimi që kushton një milion dollarë.
Vendparkimi, i cili ndodhet në një garazh në Manhattan, kushton gjashtë herë më shumë se sa një shtëpi në SHBA.
Besohet se blerësi i parkimit – prej shtatë metrash të gjatë, 3.6 metra të gjerë dhe 4.5 metra të lartë – të jetë njëri nga banorët në kompleksin luksoz të ndërtuar mbi garazh.
New York Post raporton se garazhet janë shumë të shtrenjta në Manhattan, duke qenë se është vështirë për të gjetur vende për parkim.

Politikanë shtojnë milionat!

Në krye të listës së pasanikëve të politikës qëndron lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i cili njëherit është edhe zëvendëskryeministër, me 176 milionë euro pasuri; pastaj deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramiz Kelmendi, pronar i zinxhirit të hipermarketeve ETC me 56 milionë euro pasuri; deputeti i LDK-së, Hashim Deshishku, me 13 milionë euro pasuri; deputeti i “Vetëvendosjes”, Florin Krasniqi, me pasuri të vlerësuar rreth 10 milionë euro, etj.
Kosova, sipas raporteve ndërkombëtare është një nga vendet më të korruptuara të Evropës. Pasuria e zyrtarëve është publikuar të hënën nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, përderisa nga viti 2007, kur e kanë deklaruar pasurinë, pasuria e politikanëve është shumëfishuar, shkruan gazeta Zëri.
Grabovci dhjetëfishoi pasurinë
Pasuria e shefit të deputetëve të partisë në pushtet(PDK), Adem Grabovci, në vitin 2012 ka arritur në mbi 1.6 milionë euro. Pasuria e paluajtshme e Grabovcit është vlerësuar 1 milionë e 630 mijë euro, vetura të markave Audi A6, BMË dhe Golf 6, 21 mijë euro para të gatshme në bankat në vlerë prej 21 mijë euro. Ndërsa të ardhurat vjetore familjare të tij janë rreth 30 mijë euro.
Në vitin 2007 Grabovci kishte qenë shumë më i varfër. Ai në atë kohë kishte deklaruar një banesë në vlerë prej 120 mijë euro dhe një veturë 12 mijë euro. Për pesë vjet pasuria e Grabovcit është dhjetëfishuar.
sh- komandanti i UÇK-së, Azem Syla, ka deklaruar 170 mijë euro pasuri të paluajtshme, 30 mijë euro veturë të markës “Landrover”.
Deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, ka deklaruar 255 mijë euro pasuri të paluajthshme dhe 17 mijë euro veturë.
Më i varfër se të gjithë deputetët është lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti, i cili nuk ka deklaruar pasuri të paluajtshme. Ai ka deklaruar pagë vjetore nga Kuvendi prej më pak se 18 mijë euro dhe 1384 euro në vit të ardhura si kolumnist në gazetën “Zëri”.
Ismet Beqiri nuk e ka deklaruar pasurinë
Shefi i deputetëve të LDK-së, Ismet Beqiri, nuk e ka deklaruar pasurinë. Ndërsa bashkëpartiaku i Beqirit, Arben Gashi, ka deklaruar 150 mijë euro pasuri të paluajtshme, 35 mijë euro vetura, 15 mijë euro para të gatshme në banka. Ndërsa shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ka deklaruar 460 mijë euro pasuri të paluajtshme, vetura në vlerë prej 15 mijë euro.
Berat Buzhala më i pasur se Thaçi
Ish- gazetari, Berat Buzhala, i cili është deputet i PDK-së në Kuvend, nuk ua lëshon rrugën shumë politikanëve për pasuri. Ai madje është më i pasur se lideri i partisë dhe njëherit kryeministër, Hashim Thaçi.
Pasuri e paluajtshme e Buzhalës është 720 mijë euro, 39 mijë euro vetura, ndërsa para të gatshme 6000 euro. Të hyrat vjetore si deputet i Kuvendit dhe analist për media në IPKO të Buzhalës janë 50 mijë euro.
Numri dy i AAK-së, Blerim Shala, ka deklaruar pasuri të paluajtshme 100 mijë euro, 220 mijë euro para të gatshme, 5000 euro veturë të markës “Passat”.
Bashkëpartiaku i Shalës, Daut Haradinaj, ka deklaruar 210 mijë euro pasuri të paluajtshme, 50 mijë euro vetura, 11 mijë euro para të gatshme.
Deputeti i PDK-së nga Ferizaj, Elmi Reçica, ka deklaruar pasuri e paluajtshme në vlerë prej 215 mijë euro, veturë 15 mijë euro dhe 7000 euro para të gatshme.
Deputeti i “Vetëvendosjes” Florin Krasniqi ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 6.7 milionë euro, vetura 50 mijë euro, aksione në kompani të ndryshme 3.2 milionë euro dhe rreth 23 mijë euro para të gatshme.
Ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 900 000 euro, 45 mijë euro vetura.
Hashim Deshishku nga LDK ka deklaruar pasuri të palujtshme në vlerë prej 6.7 milionë euro dhe aksione në kompani të ndryshme në vlerë prej 6.5 milionë euro.
Latif Gashi nga PDK ka deklaruar pasuri të paluajtshme 340 mijë euro dhe 56 mijë euro vetura.
Ish-zëvendëskryeministri Lutfi Haziri ka deklaruar pasuri të paluajtshme 1 milion e 650 mijë euro dhe 100 mijë euro para të gatshme.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, ka deklaruar pasuri e paluajtshme në vlerë prej 320 mijë euro, veturë në vlerë prej 14 mijë euro dhe 17 mijë euro para të gatshme.
Rexhep Selimi i “Vetëvendosjes” ka deklaruar pasuri të paluajtshme 150 mijë euro dhe veturë 22 mijë euro.
Kelmendi, deputeti më i pasur
Pasuri dhjetëramilionëshe ka deklaruar deputeti i AAK-së, Ramiz Kelmendi. Pasuria e paluajtshme e tij është 46 milionë euro, 8 milionë euro pasuri të luajtshme dhe 2.8 milionë euro para të gatshme.
Kelmendi ka deklaruar edhe detyrime financiarë në vlerë prej 13 milionë euro, përderisa të hyrat e tij dhe bashkëshortes janë rreth 85 mijë euro.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, ka banesë në vlerë prej 200 mijë euro dhe 88 mijë euro para të gatshme.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, ka pasuri të paluajtshme në vlerë prej 500 mijë euro, vetura në vlerë prej 41 mijë euro dhe 105 mijë euro para të gatshme.
Djali i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, Uka, ka pasuri të paluajtshme në vlerë prej 2.2 milionë euro dhe veturë në vlere prej 25 mijë euro.
Xhavit Haliti nga PDK ka pasuri të paluajtshme 2.1 milionë euro, 32 mijë euro pasuri të luajtshme dhe 160 mijë euro para të gatshme.
Ish-ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti, ka pasuri të paluajtshme 320 mijë euro, vetura 10 mijë euro.
176 milionë euro pasuria e Pacollit
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka vetëdeklaruar se ka në pronësi tokë për ndërtimin e shtëpisë e cila ka vlerë prej 157 mijë euro, shtëpi në ndërtim në vlere prej 220 mijë euro, 180 mijë euro tokë bujqësore, 80 mijë euro shtëpi, 13 mijë euro veturë si dhe 22 mijë euro para të gatshme në bankë.
Zëvendësi i tij, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministër i Kosovës, ka deklaruar se ka 80 milionë euro aksione në kompani anonime që operojnë jashtë Kosovës, tokë 90 mijë euro, lokal afarist 700 mijë euro, tokë 111 mijë euro, tokë 223 mijë euro, tokë 73 mijë euro, tokë 244 mijë euro, lokal 89 mijë euro, lokal 900 mijë euro, tokë 126 mijë euro, tokë 44 mijë euro, tokë 336 mijë euro, tokë 326 mijë euro, tokë 6,6 milionë euro shtëpi 16 milionë euro, “Hotel Iliria” 24 milionë euro, “Hotel Grand” 3,3 milionë euro, vetura 194 mijë euro, kapital në Bankën Ekonomike 17 milionë euro, kapital në kompaninë e sigurimeve “Siguria” 22 milionë euro, si dhe 3, 6 milionë euro para të gatshme.
Edhe zëvendëskryeministri tjetër i Kosovës, Bujar Bukoshi, ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi në vlere prej 400 mijë euro, ambulancë 200 mijë euro, vresht dhe tokë 55 mijë euro, banesë 60 mijë euro, tokë 4500 euro, veturë 1000 euro si dhe para të gatshme 4100 euro.
Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, në formularin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ka deklaruar se ka në pronësi shtëpi 232 mijë euro, 80 mijë euro tokë, 500 mijë euro tokë dhe shtëpi familjare, dy vetura në vlerë prej 62 mijë euro, si dhe 96 mijë euro para të gatshme.
Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane, ka deklaruar se ka në pronësi dy banesa në vlerë prej 140 mijë euro, si dhe një veturë në vlerë prej 6500 euro.
Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë dhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, ka deklaruar se ka në pronësi 2 shtëpi në vlerë prej 400 mijë euro, tokë 17 mijë euro, veturë “Audi” 12 mijë euro, si dhe para të gatshme 7 mijë euro.
Bedri Hamza, ministër i Financave, ka deklaruar se ka në pronësi tokë pune prej 100 mijë euro, banesë 70 mijë euro, dy vetura në vlerë prej 20 mijë ero, si dhe 34 mijë e 500 euro para të gatshme në bankë.
Ramë Buja, ministër i Arsimit, ka deklaruar se ka në pronësi një banese në vlere prej 133 mijë euro, shtëpi 100 mijë euro, oborr 15 mijë euro, veturë 21 mijë euro.
Dardan Gashi, ministër i Planifikimit Hapësinor, ka deklaruar se ka në pronësi një banesë e cila ka vlere prej 500 mijë euro, shtëpi 230 mijë euro, shtëpi 300 mijë euro, veturë 7000 euro, 34 mijë euro para të gatshme dhe aksione në letra me vlerë.
Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë, ka deklaruar banesë prej 100 mijë euro, lokal prej 48 mijë euro, dy vetura 33 mijë euro, para të gatshme 3300 euro.
Ibrahim Makolli, ministër i Diasporës, ka deklaruar se ka në pronësi një banesë në vlere prej 60 mijë euro, veturë 5 mijë euro, para të gatshme 600 euro.
Mimoza Kusari, ministre e Tregtisë dhe Industrisë dhe zëvendëskryeministre e Qeverisë së Kosovës ka deklaruar 200 mijë euro banesë, 70 mijë euro shtëpi, 4500 euro para të gatshme.
Ferid Agani, ministër i Shëndetësisë, ka banesë në Prishtinë në vlere prej 150 mijë euro, banese 65 mijë euro, truall 25 mijë euro, automjet 15 mijë euro, inventarë në ambulance 10 mijë euro, inventar në shtëpi 10 mijë euro, stoli ari 3 mijë euro, para të gatshme rreth 1500 euro.
Agim Çeku, ministër i FSK-së, 2 shtëpi 300 mijë euro, 3 banesa 175 mijë euro, shtëpi dhe tokë 110 mijë euro, 3 vetura 19 mijë euro, para të gatshme rreth 2500 euro.
Radoica Tomiq, ministër për Kthim, vetëm një veturë 10 mijë euro.

Deputetët milionerë

1.Ramiz Kelmendi(AAK)
Pasuri e paluajtshme 46 milionë euro
Pasuri e luajtshme 8 milionë euro
Para të gatshme 2.8 milionë euro
Detyrime 13 milionë euro
2. Hashim Deshishku(LDK)
Pasuri e paluajtshme 6.7 milionë euro
Aksione 6.5 milionë euro
3. Florin Krasniqi(VV)
Pasuri e paluajtshme 6.7 milionë euro
Vetura 50 mijë euro
Aksione 3.2 milionë euro
Para të gatshme 23 mijë euro
Huazime 1.6 milionë euro
4. Ukë Rugova(Lista Ibrahim Rugova)
Pasuri e paluajtshme 2.2 milionë euro
Automobil 25 mijë euro
5. Xhavit Haliti (PDK)
Pasuri e paluajtshme 2.1 milionë euro
Pasuri e luajtshme 32 mijë euro
Para të gatshme 160 mijë euro
6. Lutfi Haziri (LDK)
Pasuri e paluajtshme 1 milion e 650 mijë euro
Para të gatshme 100 mijë euro
Të hyra familjare vjetore më pak se 30 mijë euro
7. Adem Grabovci(PDK)
Pasuria e paluajtshme 1 milion e 630 mijë euro
Vetura: Audi A6, BMË, Golf 6
Para të gatshme në banka 21 mijë euro
8. Fatmir Limaj(PDK)
Pasuri e paluajtshme 900 000 euro
Vetura 45 mijë euro
Kredi 40 mijë euro
Paga mujore 1300 euro
Pasanikët e Qeverisë

1. Behgjet Pacolli 176 milionë euro
2. Dardan Gashi 1 milion e 67 mijë euro
3. Besim Beqaj 970 mijë euro
4. Bujar Bukoshi 720 mijë euro
5. Hashim Thaçi 670 mijë euro
6. Agim Çeku 600 mijë euro
7. Hajredin Kuçi 435 mijë euro
8. Mimoza Kusari 274 mijë euro
9. Ramë Buja 270 mijë euro
10. Bedri Hamza 225 mijë euro
Pasuria e deklaruar më 2007
Hashim Thaçi = 360 000 euro
Fatmir Limaj = 900 000 euro
Adem Grabovci= 132 000 euro
Ramë Buja= 150 000 euro
Skënder Hyseni= 350 000 euro
Krasniqi, Hoxhaj, Rexhepi,...nuk e deklarojnë pasurinë
Pasurinë nuk e kanë deklaruar kryekuvendari Jakup Krasniqi, Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme, Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, Sllobodan Petroviq, Fehmi Mujota, ministër i Infrastrukturës, Nenad Rashiq, ministër i Punës, Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, Mahir Jagxhillar, ministër i Administratës Publike.
Presidentja veç 778 euro në bankë
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ndonëse jeton në Prishtinë, ajo fare nuk e ka deklaruar shtëpinë, apo banesën e saj. Në formularin e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) presidentja ka deklaruar se ka në pronësi një veturë “Golf” në vlerë prej 6000 euro, si dhe 778 euro para në një bankë komerciale në vend.
Guvernatori me 13 llogari bankare
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, aktualisht e mban primatin për numër të madh të llogarive bankare. Guvernatori ka deklaruar se ka në shfrytëzim 13 llogari bankare në të cilat ai ka më shumë se 52 mijë euro.
Po ashtu, guvernatori ka deklaruar se ka në pronësi dy banesa, vlera e të cilave është 130 mijë euro, si dhe 33 ari tokë në vlere prej 13 mijë euro.

Dihen disa nga kandidatët për kryetar të Kaçanikut

Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë i kanë bërë publike emrat e kandidatëve për kryetar të Kaçanikut. Partia Demokratike nuk ka vendosur ende, Vetëvendosja e anuloi paralajmërimin që sot do ta bëjë publik kandidatin, kurse, AKR-ja, pritet të vendos nëse do ta garojë me kandidat të vetin, apo jo.
Në media është përmendur emri i Besim Ilazit si kandidat i PDK-së për Kaçanikun, por zyrtarët e kësaj partie pa dashur ta komentojnë, kanë thënë se ende nuk dihet saktësisht.
Ndërkohë, LDK-ja edhe pse nuk e ka publikuar zyrtarisht, përmes zëdhënësit të saj Fidan Jupolli, ia konfirmoi se kandidati i saj do të jetë Sahit Bela.
“Kandidati ynë zyrtar për zgjedhje të parakohshme në Kaçanik është inxhinieri Sahit Bela, është anëtar i kryesisë së LDK-së dega në Kaçanik. Jemi të sigurtë në fitoren e kandidatit tonë, shpresojmë se edhe qytetarët e Kaçanikut do të dalin masovikisht të votojnë dhe ta pranojnë si alternativën e vetme kandidatin e LDK-së”, tha Jupolli, për Radio Kosovën.
Ndërsa, AAK-ja në një konferencë për media ka bërë të ditur se në Kaçanik do të garojë me Tahir Çakën. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi tha se Çaka e ka mbështetjen e strukturave më të larta të partisë. Ndërsa vetë Çaka tha se shumëçka është në anën tij në këtë garë për të parin e komunës.
“E kam përvojën, bagazhin politik, ekonomik, patriotik dhe qytetari i Kaçanikut është shumë i bindur se me Tahir Çakën mund të shkojë komuna përpara”, tha ai.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar për sot prezantimin e kandidatit të saj, por e anuloi për shkak të ngjarjes tragjike në Himarë. Sidoqoftë, është raportuar se Vetëvendosje do të garojë me Shukri Lutën.
Nga ana tjetër, zyrtarë të Aleancës Kosova e Re kanë mohuar raportimin në media se kandidat i kësaj partie do të jetë Naser Troni. Shefja e Grupit Parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani tha se Troni është tërhequr, ndërsa la të hapur mundësinë që AKR-ja mos të dalë me kandidat të vetin.
“Sot pritet që definitivisht të dihet a do të dalë AKR-ja me një kandidat të vetin apo s’do të dalë për zgjedhjet në Kaçanik, por do të jetë në kompetencat e degës së Kaçanikut kë duan ata ta kandidojnë”, tha Selmani.
E para që e ka bërë publik emrin e kandidatit për Kaçaniku, është Lidhja Demokratike e Dardanisë, e cila do të garojë me kryetaren e degës, Elife Murseli.
Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kaçanik mbahen pas largimit të Xhabir Zharkut nga ky post.
Gjykata Supreme ditë më parë vërtetoi aktgjykimin Gjykatës së Qarkut në Prishtinë për fajësinë e Zharkut për kryerjen e veprës penale të zhvatjes dhe posedimit të paligjshëm të armës. Ai ishte dënuar me tri vjet burg dhe i ishte shqiptuar gjoba prej 1,500 euro për akuzën e posedimit të paligjshëm të armës. 

Shqiptarët dhe serbët, peng i së kaluarës

Mbyllja e çështjeve të lëna pezull do t’ia lehtësonte si Kosovës ashtu edhe Serbisë ballafaqimin me të kaluarën. Një pajtim shqiptaro-serb është i mundur dhe diçka e tillë është e dëshirueshme edhe nga Bashkimi Evropian. Për, liderët e Kosovës pajtimi nënkupton ndërtimin e raporteve si shtete të pavarura, por jo koncesione të reja në kurriz të Kosovës. Këto ishin disa nga vlerësimet që u dhanë në konferenca “Ballafaqimi me të Kaluarën dhe Pajtimi – Çfarë lloj mekanizmi për kërkimin e së vërtetës i duhet Kosovës?”, e organizuar nga ICO dhe Ministria e Drejtësisë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se mbyllja e çështjeve të hapura mes Kosovës dhe Serbisë do t’i ndihmonin të dyja vendet që ta përballojnë më lehtë të kaluarën e tyre, edhe pse sipas tij, Serbia ka kohë që refuzon ta hapë një kapitull të tillë.
“Çështjet e hapura në mes Kosovës dhe Serbisë, siç janë njohja reciproke e njëra-tjetrës, respektimi i sovranitetit dhe tërësisë territoriale, por edhe kërkimi i faljes si akt moral nga Serbia, edhe pse kanë kaluar 13 vite pas përfundimit të luftës sonë, këto janë pengesa të cilat gjatë afrimit tonë ballafaqohemi dhe do të ballafaqohemi më tutje. Unë mendoj se me mbylljen e këtyre çështjeve të lëna pezull, Kosova do ta kishte shumë më lehtë për ballafaqim me të kaluarën e saj, por gjithsesi edhe Serbia, e cila vazhdimisht refuzon ta hapë këtë kapitull”, ka thënë Kuçi, raporton Kosovapress.
Ai ka shtuar se Kosova nuk mund të jetë peng i barrierave që i vë Serbia apo kushdo tjetër asaj, Kosova nuk mund ta lë anash ballafaqimin me të vërtetën, riparimin e dëmeve të luftës, drejtësinë penale duke e pritur vullnetin e mirë të shtetit fqinj.
Ndërsa i pyetur nga gazetarët se kjo nismë për pajtim a i paraprinë asaj që është biseduar kohëve të fundit për një dialog me serbët e pjesës veriore të Kosovës, Kuçi ka thënë se kjo nuk ka të bëjë fare me atë që quhet dialog politik. Sipas tij, kjo ka të bëjë më shumë për të krijuar një pasqyrë për të kaluarën apo për ta ndërtuar një të ardhme në paqe dhe në harmoni me njëri-tjetrin.
Ndërsa, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka thënë se edhe pse shtetet që dikur ishin armiq në mes vete, tash kanë synime që së bashku të hyjnë në BE.
“Ballafaqimi me të kaluarën dhe pajtimi janë çështje që janë në thelb në bazë të projektit evropian. Zotëri Kuçi na e rikujtoi se Bashkimi Evropian është rezultat i drejtpërdrejtë i vendosmërisë evropiane pas luftës së Dytë Botërore për të parandaluar çfarëdo konflikti në të ardhmen në Evropë. Synimi fillestar ishte që t’i lidhte vendet në mes njëra tjetrës dhe ta bënte konfliktin e pamundur. Është ide fundamentale e politike e Bashkimit Evropian", tha Zbogar.
"Armiqtë e të kaluarës kanë për synim që të integrohen plotësisht, të krijojnë marrëdhënie të mira, të mundësojnë qarkullim të mirë të mallrave dhe kjo e gjitha që të shkojnë në dobi të qytetarëve të tyre dhe kjo mund të ndodh me të kuptuarit e përbashkët të së kaluarës dhe me vizionin e përbashkët për të ardhmen”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se pajtimi ka rëndësi për Bashkimin Evropian pasi që pa proceset e tjera integruese nuk mund të ndodhin. Ai tha se pajtimi i ka disa procese, si çështja e personave të zhdukur, çështjet e arsimimit, përmbajtja e teksteve shkollore që e pasqyrojnë historinë etj. Duke folur për të kaluarën, ai ka thënë se mënyra se si e trajtojmë të kaluarën ndikon edhe në krijimin e të ardhmes.
Ndërkaq, shefi i ICO-së, Piter Feith, ka thënë me këtë rast se kjo është një çështje shumë e ndjeshme pasi që Kosova ka kaluar nëpër një periudhë kohore që ishte shumë e rëndë dhe e dhimbshme në fund të viteve të 90-ta dhe shumë kujtime nga ajo kohë janë ende me neve. Ai ka shtuar se janë të vetëdijshëm se në situatën aktuale, duke pasur parasysh raportet me Serbinë, kjo nuk është e lehtë.
Feith tha se ky është proces që merr kohë dhe shtoi se nuk mund të parasheh rezultate të shpejta dhe se kjo mund të marrë gjenerata por është me rëndësi që qeveria ka shprehur vullnetin për të nisur këtë proces. 

Cliff: Serbia s’mund ta pengojë Kosovën

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë sot në Mitrovicë se Kosova duhet t’i përmbush obligimet e veta, ndërkohë që BE-ja nuk do të lejojë që Serbia të bllokojë rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Mitrovica është komunë specifike në Kosovë, me probleme që nuk i kanë komunat e tjera, andaj edhe situata këtu dhe sfidat me të cilat ballafaqohen qytetarët, kërkojnë angazhim dhe mobilizim shumë më të madh. Kështu është thënë të martën gjatë vizitës që një delegacion nga Britania, i përbërë nga Stephen O’Brien, zëvendës ministër i Departamentit për Zhvillim Ndërkombëtar (DFID) të Britanisë, pastaj ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ian Cliff dhe shefi i DFID-së në Prishtinë, Richard Taylor, i kanë bërë qytetit të Mitrovicës, raporton Kosovapress.
Zv. ministri i DFID-së të Britanisë, Stephen O’Brien, ka thënë se, ndonëse kjo është hera e parë që e viziton Kosovën, informatat për gjendjen këtu dhe në Mitrovicë nuk i kanë munguar, pasi ato i ka marrë rregullisht nga ambasadori Cliff dhe DFID-ja.
Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare dhe Britania janë të përkushtuara që Kosova të ndihmohet në zhvillimin e saj, që të bëhet një shtet funksional dhe për këtë arsye janë mbështetur shumë projekte zhvillimore, që janë realizuar deri tash.
O’Brien ka thënë se, “për Kosovën që ka pasur konflikt në të kaluarën, është mirë të ketë qeverisje të mirë dhe se përfaqësuesit e popullit duhet të ofrojnë gjënë e duhur për qytetarët, sepse vetëm kështu mund të nxiten investitorët e jashtëm për të realizuar këtu projektet që e përmirësojnë jetën e qytetarëve”.
Ndërkaq, ambasadori i Britanisë Ian Cliff, ka thënë se Kosova duhet t’i përmbush obligimet e veta, ndërkohë që BE-ja nuk do të lejojw që Serbia të bllokojw rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati ka potencuar ndihmën e vazhdueshme të Britanisë, duke theksuar veçanërisht interesimin, mbështetjen dhe këshillat e ambasadorit Cliff për Mitrovicën dhe qytetarët e saj.
Kastrati ka potencuar si probleme kryesore mungesën e lëvizjes së lirë në pjesën veriore të qytetit, pamundësinë e qasjes së qytetarëve në pronat e tyre atje, pastaj rindërtimin e shtëpive, mosfunksionimin e organeve të drejtësisë etj.
Kreu i komunës gjithashtu ka përmendur përpjekjet e mëdha të shqiptarëve që në realitetin e ri të integrohen edhe pjesëtarët e komuniteteve tjera që jetojnë këtu, “por serbët, të nxitur nga Beogradi, nuk kanë shprehur interesim për këtë, madje kanë refuzuar shumë privilegje që u janë ofruar’.

Thaçi: Kosova, atdhe i të gjithë qytetarëve të saj

Gjendja e minoriteteve në Kosovë, me fokus të veçantë në kthimin e të zhvendosurve, ishte temë e bisedës në takimin e sotëm të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me komisionarin e lartë të OSBE-së për minoritetet, Knut Vollebaek.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe rezultatet e arritura dëshmojnë më së miri se Republika e Kosovës është bërë model në rajon për respektimin e të drejtave të njeriut, duke integruar në mënyrën më afirmative të mundshme komunitetet në institucionet dhe shoqërinë kosovare.
Në takim me Komisionarin e lartë të OSBE-së, kryeministri Thaçi, duke folur për minoritete, tha se Qeveria e Kosovës po punon vazhdimisht në inkurajimin e të gjithë të zhvendosurve për t’u kthyer në shtëpitë dhe pronat e tyre.
“Qeveria është e gatshme që edhe më tej të bashkëpunojë ngushtë me OSBE-në dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, për të përmirësuar pozitën e pakicave”, citohet të ketë thënë Thaçi, në njoftimin e lëshuar nga zyra e Kryeministrit.
Kryeministri bëri thirrje sërish tek Serbia që të heq presionin nga serbët e Kosovës dhe të kërkojë nga ta integrimin në institucionet e Kosovës.
“Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, me mundësi të barabarta dhe afirmative për komunitetet”, theksoi Thaçi.
Komisionari i lartë për minoritete në OSBE, Knut Vollebaek shprehu bindjen që Qeveria e Republikës së Kosovës edhe më tej do të angazhohet për integrimin e minoriteteve në shoqërinë kosovare, si e vetmja rrugë e prosperitete të Kosovës. 

Korrupsioni në polici, pasojë e emërimeve politike

Korrupsioni shfaqet atëherë kur politika mundohet të ndikojë në radhë të parë në emërimin e zyrtarëve operativë, në mënyrë që ata të jenë të nënshtruar ndaj objektivave të tyre politike dhe në momentin kur politika mundohet që të diktojë operacionet, apo hetimet e policisë. Kështu është thënë në tryezën e organizuar nga Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), me ç’rast u publikua Pakoja e Instrumenteve mbi Integrimin e Policisë.
Darko Stancic, ndihmësdrejtor dhe Shef i Operativës të Evropës Juglindore, ka thënë se duke rritur aftësinë e policisë në luftën kundër krimit, përmirësohet siguria publike dhe forcohet sundimi i ligjit dhe besimi i publikut tek policia.
Sipas tij, ndikimi politik, posaçërisht gjatë procesit të emërimeve, të përzgjedhjes ndër forcat policore është shumë i fuqishëm dhe se kjo është arsyeja kryesore pse në polici ka afera korruptive. Stancic ka thënë se për të parandaluar këtë dukuri duhet të ketë një agjenci monitoruese, mbikëqyrëse që merret edhe me emërimin e niveleve të pozitave në këtë organizatë policore dhe se procedurat duhet të jenë të qarta dhe të zbatueshme për të ndihmuar reduktimin apo uljen e këtyre rreziqeve.
“Korrupsioni shfaqet atëherë kur niveli politik mundohet që të ndikojë në radhë të parë emërimin e zyrtarëve operativ në mënyrë që ata të jenë të nënshtruar ndaj objektivave të tyre politike dhe në momentin kur niveli politik mundohet që të diktojë operacionet apo hetimet e policisë. Siç e thash, e keni në kaptinën 3 dhe ne mendojmë se ekzistojnë mundësitë të reduktimit të këtyre rreziqeve nëse kemi një qasje pjesëmarrëse dhe një involvim të shoqërisë civile, e cila është shumë e rëndësishme”, ka thënë Stancic, raporton Kosovapress.
Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se publikimi i DCAF ndihmon në avancimin e mëtutjeshëm të Policisë së Kosovës, porse ai është shprehur i kënaqur me performancën aktuale të Policisë së Kosovës.
“Kjo është organizuar nga Qendra për Kontrollim Demokratik të Policisë dhe Zhvillim të Sektorit të Sigurisë nga Gjeneva dhe e financuar nga qeveria Norvegjeze, ku e kanë bërë një publikim shumë të rëndësishëm për policinë tonë që të avancohet edhe më shumë. Ne jemi të kënaqur me performancën që ka deri më tani Policia e Kosovës dhe mund të them se është më e avancuar se disa në rajon, mirëpo ky publikim dhe ky bashkëpunim do të ndihmojë që edhe më tutje atë respekt që e gëzojnë nga qytetarët ta zbatojnë në mënyrën më të mirë dhe të jenë më profesional dhe më të kujdesshëm”, ka thënë ai.
Shpend Maxhuni, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka thënë se kjo punëtori do t’i ndihmojë Policisë së Kosovës për të krijuar qasje të reja me synimin e parandalimit dhe luftimit, çdo herë kur paraqiten dyshimet për përfshirjen e ndonjë zyrtari policor në afera korruptive.
Ky publikim, që vlerësohet si shumë i rëndësishëm për ngritjen e cilësisë së shërbimeve brenda policore, është financuar nga Ministria e Norvegjeze e Punëve të Brendshme.
Ndryshe, Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), u themelua nga qeveria zvicerane në tetor të vitit 2000. Misioni i Qendrës është të promovojë qeverisjen e mirë dhe reformimin e sektorit të sigurisë në përputhje me standardet demokratike. 

Lunacek: Udhërrëfyesi gjatë javëve të ardhshme

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek ka deklaruar sot se në javët në vijim Kosova do të marr udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Në një ligjëratë për studentët e Universitetit AAB përmes videkonference, Lunacek i ka siguruar ata se Parlamenti Evropian lufton për të drejtat e kosovarëve që edhe ata të udhëtojnë lirshëm në Bashkimin Evropian, sikurse gjithë qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Raportuesja në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek u ka thënë studentëve se është në duart e tyre që të ndërtojnë Kosovën.
Për më tepër, ajo ka shtuar se në Parlamentin Evropian është e përkushtuar që së bashku me shumë koleg, ta sjell Kosovën dhe tërë pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor më afër Bashkimit Evropian.
“Sigurisht se ne flasim për liberalizimin e vizave për ju, flasim për të drejtën tuaj për të udhëtuar në të gjitha pjesët e Bashkimit Evropian posaçërisht për ju si të rinj dhe është e rëndësishme në këtë kontekst dhe në kontekstin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave të cilin vendi I juaj do të marr në të ardhmen e afërt në javët në vijim. Kjo është me rëndësi për vendin tuaj ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Të jeni të sigurt se ne si Parlament Evropian luftojmë për të drejtat tuaja që ju të udhëtoni lirshëm në Bashkimin Evropian, ashtu si bëjnë gjithë qytetarët tjerët të Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Lunacek, raporton Kosovapress.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se gjatë këtyre viteve Kosova nuk ka humbur kohë, por ka humbur mundësi për t’u integruar, ashtu siç kanë bërë shtetet tjera në rajon.
Ai ka theksuar se Kosova e ka një qartësi shumë më të madhe nga 2 dhjetori i vitit të kaluar sa i përket integrimeve evropiane.
Sipas tij, Kosova po hyn në pritjet e ditëve të fundit për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave.
Ndërkohë, për mundësin e zgjatjes së kohës edhe për një muaj a po dy, Haziri ka thënë se duhet të ketë durim, pasi që, siç ka thënë ai, udhërrëfyesi si dokument nuk e zgjidh problemin dhe se ai është vetëm një dokument për Qeverinë dhe Parlamentin se çfarë detyra kanë për të kryer që të mund ta fitojnë këtë të drejtë.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli ka thënë se Kosovës gjithmonë i janë vënë detyra shtesë, për dallim prej shteteve tjera të rajonit.
Ai ka thënë se është përgjegjësi e të gjithëve realizimi i objektives evropiane për shkak se në fund të fundit të gjithë duhet të japin kontributin e vet. 

Britania e Madhe partner i fuqishëm i Kosovës

Situata aktuale politike në Kosovë, përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për çuarjen përpara të reformave në politikë, ekonomi dhe legjislacion ishin disa nga temat për të cilat u bisedua në takimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me Stephen O’Brian, nënsekretar i shtetit në DFID për çështje evropiane.
Kryeministri Thaçi vlerësoi lartë mbështetjen që ka dhënë DFID-i që nga periudha e pasluftës, duke theksuar se kjo mbështetje ishte kruciale në mënyrë të veçantë për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Siç thuhet në njoftim, kryeministri Thaçi ka prezantuar vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e plotë të agjendës evropiane të integrimit.
Ndërsa , O’Brian tha se ka mbetur i impresionuar nga përkushtimi që ka parë në Kosovë, si dhe i përpjekjeve që po bënë Qeveria e Republikës së Kosovës që të reformojë vendin dhe të hyjë në mesin e vendeve përparimtare të Evropës, thuhet në kumtesë.
Ai siguroi kryeministrin Thaçi se Britania e Madhe do të vazhdoj të jetë një partner i fuqishëm për Kosovën edhe në të ardhmen, duke e ndihmuar që të jetë një shtet i përkushtuar për qytetarët e saj.