Bayerni konfirmohet si gjysmëfinalist

Bayern Munichu ishte i jashtëzakonshëm edhe në ndeshjen kthyese çerekfinale të Ligës së Kampionëve duke mposhtur Olympique de Marseille me rezultat 2-0.
Takimi i parë i zhvilluar në Stade Velodrome përfundoi me rezultat 2-0 në favor të bavarezëve, ndërsa pas fitores në Allianz Arena, ata kualifikohen në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm prej 4-0.
Ivica Olic realizoi dy herë në pjesën e parë (13’ dhe 37’), ndërsa asistues ishin Franck Ribery dhe David Alaba.
Në gjysmëfinale, sipas të gjitha gjasave, Bayern Munichu do të luajë kundër Real Madridit.

Është Barcelona!

Me rezultat prej 3-1, Barcelona ka triumfuar kundër Milanit në ndeshjen kthyese çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Takimi i parë i zhvilluar në San Siro përfundoi pa gola, ndërsa pas përballjes në Camp Nou, në gjysmëfinale kualifikohen katalunasit.
Blaugranët e dominuan gjysmën e parë që nga fillimi. Pas një gabimi të mbrojtjes mysafire dhe ndërhyrjes së gabuar të Luca Antoninit në Lionel Messin, arbitri akordoi penalti.
Argjentinasi mori përgjegjësinë për të shënuar golin e 50-të në karrierë në garën më të madhe evropiane për klube (11’).
Përkundër sulmeve të vazhdueshme të katalunasve, mbrojtja kuqezi arriti të përballojë, dhe në rastin e tyre të parë, Rossonerët e barazuan rezultatin. Antonio Nocerino pranoi një top nga Zlatan Ibrahimovic për të heshtur tifozët në Camp Nou (33’).
Megjithatë, angazhimi i lojtarëve të Milanit u hodh poshtë, kur gjyqtari akordoi një tjetër penalti, kësaj radhe të diskutueshme, të cilën e konvertoi sërish në gol Messi (41’).
Mysafirët e filluan mirë gjysmën e dytë të takimit duke tentuar t’i ndëshkonin vendasit, mirëpo ata harruan se luanin kundër Barcelonës.
Pas një goditjeje të Lionel Messit në drejtim të portës, topi u devijua për të shkuar te Andres Iniesta dhe spanjolli me qetësi shënoi golin e tretë për vendasit (53’).
Në vazhdim, Rossonerët u angazhuan që ta ndryshonin rezultatin, mirëpo nuk patën fuqi ta bënin këtë.
Në gjysmëfinale, Barcelona do të luajë me fituesin e sfidës Chelsea-Benfica.

2-1 pas gjysmës së parë

Fraksioni i parë i ndeshjes kthyese çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndërmjet Barcelonës dhe Milanit ka përfunduar me rezultat 2-1 në favor të vendasve.
Në takimin që po zhvillohet në Camp Nou, Blaugranët e dominuan gjysmën e parë që nga fillimi i ndeshjes. Pas një gabimi të mbrojtjes mysafire dhe ndërhyrjes së gabuar të Luca Antoninit në Lionel Messin, arbitri akordoi penalti.
Argjentinasi mori përgjegjësinë për të shënuar golin e 50-të në karrierë në garën më të madhe evropiane për klube (11’).
Në rastin e tyre të parë, Rossonerët e barazuan rezultatin. Antonio Nocerino pranoi një top nga Zlatan Ibrahimovic për të heshtur tifozët në Camp Nou (33’).
Gjyqtari akordoi një tjetër penalti, kësaj radhe të diskutueshme, të cilën e konvertoi sërish në gol Messi (41’).
Në sfidën tjetër, Bayern Munichu avancon me rezultat 2-0 kundër Marseille. Të dy golat i ka shënuar Ivica Olic (13’ dhe 37)... 

Pepe: Meritoj të luaj për Realin

Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, ka deklaruar se nuk po mendon të largohet nga Santiago Bernabeu.
Portugezi ka marrë kritika të shumta për sjelljet e tij në fushë, mirëpo ai mendon se meriton ta bartë fanellën e Los Blancos dhe se kurrë nuk ka menduar për largim.
“Të gjithë kemi të meta, por unë nuk mendoj se kam ndonjë që më pengon të luaj për këtë klub”.
“Unë e jap trupin dhe shpirtin tim për ta mbrojtur këtë klub për të gjithë tifozët që vijnë të na shikojnë”.
“Asnjëherë nuk kam menduar që të largohem. Vërtet më pëlqen të jem te Madridi, tifozët më duan dhe unë i dua”.
“Sapo kam nënshkruar kontratë të re vitin e kaluar dhe shpresoj që ta respektoj atë”, ka thënë Pepe.

Mourinho përsërit: Do të kthehem te Interi, por...

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka përsëritur se do të kthehet te Interi në të ardhmen, por ka sqaruar se asnjëherë nuk ka thënë se do të largohet nga Santiago Bernabeu para përfundimit të kontratës së tij.
Portugezi është jashtëzakonisht i respektuar në Giuseppe Meazza, nga ku u largua në vitin 2010, pasi ua fitoi të tre titujt e mundshëm brenda një sezoni (Serie A, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve).
“Unë jam tifozi më i madh i Interit. Ai klub është shtëpia ime. Është vërtetë, e kam thënë këtë (që do të kthehem te Interi). Kur? Aktualisht nuk ka asgjë për të diskutuar sa i përket të ardhmes time”.
“Unë ende kam një kontratë për edhe dy vite të tjera te Reali dhe asnjëherë nuk kam thënë se nuk do të qëndroj në Madrid”, ka sqaruar Mourinho. 

Milani duhet të sulmojë

Mesfushori i dikurshëm i Milanit, Federico Giunti, mendon se kuqezinjtë duhet të shkaktojnë presion kundrejt Barcelonës në Camp Nou.
Barazimi me gola ose fitorja do t’i dërgonte Rossonerët në gjysmëfinale, ndërsa Giunti ka thënë se Milani nuk duhet të luajë lojë defensive.
“Milani mund të luajë për kualifikim në Camp Nou, megjithëse është e vërtetë që Barca në shtëpi është krejt ndryshe nga ajo që e pamë në ndeshjen e parë”.
“Shpresoj që të gjithë lojtarët kryesorë të Milanit të jenë qind për qind në formë, sepse për të fituar ata duhet të jenë të freskët”.
“Për të vazhduar tutje, Milani nuk duhet vetëm të mbrohet, por duhet të shkaktojë presion dhe të vrapojë shumë në gjysmën e Barcës dhe të marrë avantazhin”, ka shpjeguar ish-mesfushori i Milanit për Goal.com

Vazhdon lobimi për njohjen e Kosovës nga Egjipti

Universiteti i Fayoumit në Egjipt, ka organizuar simpoziumin me titull “Kosova midis të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes”, në të cilin ka marrë pjesë edhe Beqir Ismaili, këshilltar i Jashtëm i ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Fillimit të punimeve të këtij simpoziumi i ka paraprirë shfaqja e një dokumentari për Kosovën. Më pas pjesëmarrësit në këtë simpozium kanë theksuar marrëdhëniet e mira midis dy popujve dhe i kanë bërë thirrje qeverisë egjiptiane për shpejtimin e njohjes së Kosovës.
Gjithashtu, udhëheqësit e Universitetit të Fayoumit kanë shprehur interesim për thellimin e bashkëpunimit veçanërisht me Universitetin e Prishtinës, por edhe me universitetet e tjera kosovare.

Rama: Projektligj për Luginën e Preshevës

Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen e grupit kuvendar të partisë së tij, njoftoi të martën deputetët e PS-së për depozitimin e një projektligji nga ana e opozitës, që parashikon miratimin e fondeve për hapjen e një shkollë dhe një materniteti në Luginën e Preshevës.
“Nevoja është emergjente për jetën e bashkëkombësve tanë atje (Luginë të Preshevës). Për ne ky është një gjest solidariteti. Kur është fjalë për t’u ardhur në ndihmë një komuniteti shqiptar, jemi të gjithë bashkë të motivuar për të bërë më të mirën në Kuvend pa asnjë dallim mes mazhorancës dhe opozitës”, tha Rama në fjalën e tij.
Ky projektligj do t’i dorëzohet së shpejti kryetares se Parlamentit te Shqipërisë, Jozefina Topallit. Me anë të këtij projektligji grupi nismëtar i deputetëve të Partisë Socialiste propozon miratimin e fondeve që shteti shqiptar do të japë në ndihmë për ndërtimin e një materniteti dhe një shkolle në Komunën e Preshevës, Republika e Serbisë.
Sipas Presheva.com, nisma mbështetet në Nenin 8 (1) të Kushtetutës ku thuhet se: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.
Ndërkohë që Rezoluta e Parlamentit Evropian e 9 janarit 2012 përcakton qartë nevojën për përmirësimin rrënjësor të gjendjes dhe pjesëmarrjes në jetën publike të pakicës shqiptare që jeton në Luginën e Preshevës. Sikundër për përmirësimin e jetës ekonomike dhe shoqërore të kësaj zone.
Shqiptarët në Preshevë (rreth 80-100 mijë banorë), nuk kanë maternitet dhe detyrohen të shfrytëzojnë spitalin e qytetit serb të Vranjës, i cili ndodhet 70 km larg, ku ballafaqohen jo rrallëherë me diskriminim etnik. Ndërkohë, në Preshevë ka një shkolle të re fillore, shkolla fillore “Ibrahim Kelmendi” e cila është aktualisht shkolla më e ngarkuar në tërë Serbinë. 

Kuçi: Kosova do ta imitojë Perëndimin, jo Serbinë

Kosova nuk do ta imitojë Serbinë, por politikën evropiane të perëndimit, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, pas takimit që zhvilloi me Sekretarin e përgjithshëm të Shërbimit Sprovues të Evropës, Leo Tiges.

“Kosova është e përgjegjshme për obligimet që i merr nga partnerët ndërkombëtarë, SHBA dhe partnerët evropian, dhe nuk bënë politikë ad-hoc. Dhe e keqja më e madhe do t’i ndodhte Kosovës nëse do ta imitonte Serbinë, sepse politika e vrazhdë e gabuar e Serbisë, e ka sjell Serbinë këtu ku është. Kosova do ta imitojë perëndimin e jo Serbinë”, tha ai.
I pyetur rreth arrestimit të shefit të Task-Forcës i cili akuzohet për korrupsion, Kuçi deklaroi se “askush nuk është mbi drejtësinë dhe se qëllimi i atyre që bëjnë ndjekje në drejtësi është të fitojë e drejta dhe jo rasti”.
Ndërkaq, gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm, të Shërbimit Sprovues të Evropës, Kuçi ka marrë mbështetje të vazhdueshme që dënimet alternative që janë në Kosovë, të jenë në përputhje të plotë me standardet evropiane.
Tiges deklaroi se sanksionet alternative luajnë rol të madh në luftimin e krimeve dhe kryerjen e veprave të rënda.
“Unë vijë nga një vend ku shërbimi sprovues ekziston për më shumë se 100 vjet, ndërsa ju keni filluar këtë shërbim diku rreth 5 vjet më parë. Mirëpo ky fillim ju jep mundësinë që ti mënjanoni gabimet që ne i kemi bërë në vendin tonë”, tha Tiges. 

Konfirmohet përkrahja amerikane për FSK-në

Krerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ministri i FSK-së Agim Çeku, zëvendësministri Shemsi Veseli dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati kanë pritur sot në një takim pune një delegacion të lartë ushtarak të SHBA-vë, i prirë nga Kontraadmirali Jeffrey Harbeson.
Ministri Çeku dhe komandanti i FSK-së, gjenerali Kastrati, e kanë falënderuar Qeverinë Amerikane për ndihmën që po japin për Kosovën dhe Forcën e Sigurisë. Ata njoftuan Kontraadmiralin Jeffrey Harbeson për zhvillimet e FSK-së, për përmbushjen e kapaciteteve operacionale dhe për zhvillimin e FSK-së, thuhet në një kumtesë të FSK-së.
Kontraadmirali Jeffrey Harbeson ka shprehur kënaqësinë e veçantë për arritjet e FSK-së dhe ka premtuar se edhe në të ardhmen SHBA-ja do ta ndihmojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve operacionale.

Kryeprokurori: Hetimet për Mustafin i vazhdon EULEX-i

Kryeprokurori i Shtetit, njëherësh kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi ka reaguar lidhur me rastin e arrestimit të prokurorit Nazmi Mustafi, duke shprehur indinjatë të thellë për këtë rast.
Kabashi vlerësoi se kjo është një goditje për sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, por gjithashtu shprehu bindjen se për këtë sistem do të ishte goditje edhe më e rëndë sikur të mos e merrnim me seriozitet dhe përkushtim të plotë hetimin e këtij rasti që nga momenti kur kanë pranuar informatën e parë.
“Me anë të kësaj deklarate shpreh indinjatën e thellë, për faktin se një prokuror i sistemit prokurorial dhe njëherësh udhëheqës i task forcës antikorupcion, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka rënë në kundërshtim me ligjin dhe dyshohet të ketë kryer vepra penale, për luftimin e së cilave vepra kishte pozitë kyçe në sistemin prokuroria”, shprehet Kabashi.
Ai bëri të ditur se me kërkesën e tij hetimin e rastit e ka filluar një prokuror vendës i Prokurorisë së Qarkut në Pejë, në bazë të informacioneve të marra nga Policia e Republikës së Kosovës.
Mirëpo, pasi hetimet kanë rezultuar me të dhënat, se në këtë rast i dyshuari është prokuror, janë pajtuar me kryeprokuroren e EULEX-it që këto hetime t’i vazhdojnë prokurorët e EULEX-it në Prokurorinë e Qarkut në Pejë.
Prokurori i Shtetit ka shprehur vendosmërinë dhe përkushtimin e tij të pakompromis për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe atë në radhët e prokurorëve dhe të punësuarve në sistemin prokurorial.
“Kam informata se ekzistojnë edhe raste të tjera të natyrës së njëjtë, me të njëjtin prokuror, andaj i ftoj publikisht të gjithë ata që kanë prova apo informata lidhur me këtë rast, që të na ndihmojnë duke i paraqitur informatat që i kanë tek kryeprokurori i Shtetit, prokurori i rastit në Prokurorinë Publike të Qarkut në Pejë apo në Policinë e Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Kryeprokurori i shtetit duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, ka kërkuar nga Zyra e Inspektoratit Gjyqësor dhe Prokurorial dhe nga Komisioni Disiplinor i Këshillit Prokurorial të Kosovës që menjëherë të fillojnë procedurën disiplinore kundër prokurorit Nazmi Mustafi, si dhe ta trajtojnë këtë rast me prioritet absolut, sepse veprimet e prokurorit paraqesin në të njëjtën kohë edhe shkelje të Kodit të Etikës për Prokurorë, që mund ta vë në pikëpyetje integritetin e sistemit prokurorial të vendit. 

Agim Aliu – kandidat i PDK-së për kryetar të Ferizajt

Dega e PDK-së në Ferizaj ka pritur ditën e fundit që të dalë me emrin e kandidatit të saj për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Ferizajt që pritet të mbahen më 29 prill. Dega e PDK-së në Ferizaj ia ka dhënë besimin Agim Aliut për kandidat për kryetar të kësaj komune, transmeton Koha.net.
Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht ka njoftuar se kandidat i kësaj partie për kryetar komune të Ferizajt do të jetë Adem Salihaj.
Ndërkohë edhe Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se Faton Topalli është kandidati nga radhët e kësaj lëvizjeje.
Edhe AAK-ja ditë më parë ka zyrtarizuar kandidatin e saj, Naim Ferati për kryetar të Ferizajt. 

Reali nuk e largon Higuainin

Real Madridi nuk është duke menduar ta largojë Gonzalo Higuainin në afatin kalimtar veror- ka deklaruar Emilio Butragueno.
AS raportoi të martën se Mbretërit ia kanë ofruar Manchester Cityt argjentinasin dhe 10 milionë euro në shkëmbim të Sergio Agueros.
“Thashethemet duken të pashmangshme. Por ne jemi të kënaqur me Higuanin”.
“Ai është një sulmuesi i klasit botëror dhe ne duam që të qëndrojë këtu për shumë vite”.
“Ai ka ardhur këtu si shumë i ri dhe ne e konsiderojmë si një lojtar të klubit. Ai ka pasur gjithmonë sjellje të mirë, pavarësisht nëse ka luajtur ose jo”, ka thënë drejtori i Realit.

Giovinco dëshiron fanellën e Del Pieros

Sulmuesi i Parmës, Sebastian Giovinco, ka pranuar se ia ka vënë syrin numrin ikonik ‘10’ të Alessandro Del Pieros te Juventusi.
Legjenda bianconere po kalon sezonin e fundit me Zonjën e Vjetër, pasi drejtuesit e klubit nuk do t’i ofrojnë vazhdimin e kontratës, ndërsa Giovinco, i cili është në bashkëpronësi të dy klubeve, ka përsëritur dëshiron e tij për t’u bërë pasardhësi i Del Pieros.
“Kthimi në Torino? Është ende herët për të menduar, sepse fillimisht duhet të zgjidhet çështja me bashkëpronësinë”.
“Po ashtu, varet nga projekti që do të më ofrohet, por unë nuk mendoj për asgjë tjetër tash për tash. Juve ka kaluar një sezon të shkëlqyer dhe shpresoj që të përfundojë edhe më mirë”.
“Në sezonin e ri fanella me numrin 10 e Del Pieros do të jetë e lirë? Është një fanellë të cilën e dua, por është ende herët për të menduar për të”, ka deklaruar Giovinco për Mediaset Premium

Galliani: Messi do të pensionohet te Barca

Shefi ekzekutiv i Milanit, Adriano Galliani, ka deklaruar se do të ishte i gëzuar tej mase po ta transferonte superyllin e Barcelonës, Lionel Messi, në San Siro.
“Do të jepja gjithçka për ta transferuar Messin, por është e pamundur”.
“Ai është një simbol i Barcës dhe pasi kam folur me të, më ka thënë se është shumë i lumtur te klubi i tij”.
“Mendoj se ai do të pensionohet te Barca”, ka deklaruar Galliani për Mundo Deportivo.

‘Aguero duhej të shkonte te Reali’

Legjenda argjentinase, Diego Maradona, konsideron se sulmuesi i Manchester Cityt, Sergio Aguero, duhet të shkojë te Real Madridi për të treguar gjithë potencialin e tij.
Dhëndri i Maradonas është njëri nga lojtarët kyçë te City, mirëpo trajneri i Al Wasl mendon se Santiago Bernabeu është destinacioni i duhur për të.
“Edhe pse po ka sukses te City, gjëja më e mirë për të do të ishte sikur të nënshkruante për Madridin, ai bëri një gabim”, citon AS fjalët e Maradonas. 

Puyol: Milani, ndeshja e sezonit

Kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol, e sheh ndeshjen e sotme përballë Milanit si më të rëndësishmen e sezonit.
“Kjo është ndeshja më e rëndësishme e vitit. Është një finale dhe nuk ka hapësirë për gabime. Ne mendojmë të luajmë lojën tonë, duke marrë parasysh se po përballemi me një skuadër të madhe”.
“Ata janë të rrezikshëm. Për këtë arsye ne duhet të bëjmë një ndeshje të madhe për të tejkaluar çdo pengesë”.
“Barazimi, përveç nëse është 0-0, do të na dëmtojë neve, por ne luajmë në Camp Nou, ku kemi mbështetjen e publikut që nga minuta e parë. Sigurisht do të përpiqemi të shënojmë me nguti”.
“Është vështirë, por nëse ne kalojmë në epërsi, ne do të kërkojmë më shumë gola”, ka thënë Puyol.

Hamsik zhgënjyer me paraqitjen ndaj Juves

Marek Hamsik thotë se ai ka qenë në një formë të dobët në disfatën 3-0 nga Juventusi të dielën mbrëma.
“Pjesa e parë e ndeshjes ishte e ekuilibruar. Të dyja ekipet krijuan disa mundësi. Fatkeqësisht, në pjesën e dytë, Juve kaloi në avantazhin dhe pastaj arriti të shënojë edhe dy të tjerë”.
“Nuk isha në maje të lojës time, një natë më parë kisha ethe, por megjithatë, para ndeshjes u ndjeva mirë”, ka thënë Hamsik. 

Kërkohet fuqizim i mbikëqyrjes së AKI-së

Në organizimin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF) dhe në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), në Prishtinë është mbajtur tryeza “Nxitja e mbikëqyrjes së inteligjencës në Kosovë: ndërmjet transparencës dhe sekretit”.
Drejtori ekzekutiv i QKSS, Florian Qehaja, ka prezantuar të gjeturat e raportit analitik “Qeverisja e AKI-së” si pjesë e projektit të DCAF-it për Fuqizimin e Mbikëqyrjes së Inteligjencës në Ballkanin Perëndimor. Ai ka thënë se me gjithë konsolidimin e vazhdueshëm të AKI-së, hulumtimi ka theksuar kryesisht mungesën e transparencës si dhe rëndësinë dhe rrolin e bashkëpunimit mes trekëndëshit Kuvend, AKI dhe Shoqëri Civile.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Florin Krasniqi, ka theksuar se Kosova ka humbur mjaft nga mungesa e debatit profesional në drejtim të fuqizimit të mbikëqyrjes së inteligjencës, duke u fokusuar shumë në çështjet e politikës ditore.
Përkundër bashkëpunimit të mirë mes AKI-së dhe Komisionit Parlamentar, sipas Krasniqit, AKI duhet të mbetet një institucion kombëtar pa “partizime” dhe politizim të brendshëm, si rrezik potencial që i kanoset këtij institucioni.
Kryeinspektori i AKI-së, Agron Selimaj, ka theksuar se AKI është e hapur për bashkëpunim brenda mandatit dhe kufizimeve që i ka, kurse ka kundërshtuar në parim nevojën për të pasur transparencë më të madhe. Sipas tij, kufiri rreth transparencës dhe sekretit është edhe çështje perceptimi, prandaj ky debat do të ekzistoj edhe në të ardhmen.
Selimaj ka përgëzuar fillimin e një debati të vlefshëm nga QKSS dhe ka inkurajuar ngritjen e rrolit të shoqërisë civile në këtë drejtim.
Në tryezë kanë marrë pjesë edhe ekspertë ndërkombëtarë, Agnes Vadai – ish zv.ministre e Mbrojtjes e Hungarisë dhe ish- shefe e Komisionit për Siguri Nacionale në Kuvendin Nacional të Hungarisë, aktualisht deputete në Kuvendin Nacional të Hungarisë, Aidan Wills - ekspert nga DCAF, Dyfian Jones - ekspert i mbikëqyrjes parlamentare nga Mbretëria e Bashkuar si dhe Arjan Durmishi nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë.

Kërkohet fuqizim i mbikëqyrjes së AKI-së

Në organizimin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF) dhe në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), në Prishtinë është mbajtur tryeza “Nxitja e mbikëqyrjes së inteligjencës në Kosovë: ndërmjet transparencës dhe sekretit”.
Drejtori ekzekutiv i QKSS, Florian Qehaja, ka prezantuar të gjeturat e raportit analitik “Qeverisja e AKI-së” si pjesë e projektit të DCAF-it për Fuqizimin e Mbikëqyrjes së Inteligjencës në Ballkanin Perëndimor. Ai ka thënë se me gjithë konsolidimin e vazhdueshëm të AKI-së, hulumtimi ka theksuar kryesisht mungesën e transparencës si dhe rëndësinë dhe rrolin e bashkëpunimit mes trekëndëshit Kuvend, AKI dhe Shoqëri Civile.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Florin Krasniqi, ka theksuar se Kosova ka humbur mjaft nga mungesa e debatit profesional në drejtim të fuqizimit të mbikëqyrjes së inteligjencës, duke u fokusuar shumë në çështjet e politikës ditore.
Përkundër bashkëpunimit të mirë mes AKI-së dhe Komisionit Parlamentar, sipas Krasniqit, AKI duhet të mbetet një institucion kombëtar pa “partizime” dhe politizim të brendshëm, si rrezik potencial që i kanoset këtij institucioni.
Kryeinspektori i AKI-së, Agron Selimaj, ka theksuar se AKI është e hapur për bashkëpunim brenda mandatit dhe kufizimeve që i ka, kurse ka kundërshtuar në parim nevojën për të pasur transparencë më të madhe. Sipas tij, kufiri rreth transparencës dhe sekretit është edhe çështje perceptimi, prandaj ky debat do të ekzistoj edhe në të ardhmen.
Selimaj ka përgëzuar fillimin e një debati të vlefshëm nga QKSS dhe ka inkurajuar ngritjen e rrolit të shoqërisë civile në këtë drejtim.
Në tryezë kanë marrë pjesë edhe ekspertë ndërkombëtarë, Agnes Vadai – ish zv.ministre e Mbrojtjes e Hungarisë dhe ish- shefe e Komisionit për Siguri Nacionale në Kuvendin Nacional të Hungarisë, aktualisht deputete në Kuvendin Nacional të Hungarisë, Aidan Wills - ekspert nga DCAF, Dyfian Jones - ekspert i mbikëqyrjes parlamentare nga Mbretëria e Bashkuar si dhe Arjan Durmishi nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë.

LDD mbështet kandidatin e LDK-së në Ferizaj

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)-së dhe ajo e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) kanë nënshkruar marrëveshje parazgjedhore sipas të cilës, kjo e fundit do ta mbështesë kandidatin e LDK-së, Adem Salihaj në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune.
Faik Grainca, nënkryetar i degës së LDK-së ka thënë se këto janë dy parti që i bashkon filozofia politike prandaj edhe mund të funksionojnë padyshim së bashku, ndërsa nënkryetarja e degës së LDD-së, Sinavere Rysha ka thënë se pas dorëheqjes se ish-kryetarit të komunës, Bajrush Xhemaili, LDD-ja menjëherë ka marrë masa që të përgatitet për zgjedhjet e e jashtëzakonshme në Ferizaj, transmeton Kosovapress.
“Mirëpo, gjatë konsultimeve me kryesinë e degës në Ferizaj, e kemi parë të arsyeshme që interesin nacional ta vendosim para atij individual dhe me këtë mënyrë kemi vendosur ta mbështesim kandidatin për këto zgjedhje, Adem Salihajn”, ka thënë Rysha.
Të pyetur nga gazetarët se nëse parashihej ndarja e posteve në marrëveshjen e nënshkruar, Grainca dhe Rysha kanë thënë se këto opsione i kanë lënë të hapura. 

LDD mbështet kandidatin e LDK-së në Ferizaj

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)-së dhe ajo e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) kanë nënshkruar marrëveshje parazgjedhore sipas të cilës, kjo e fundit do ta mbështesë kandidatin e LDK-së, Adem Salihaj në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune.
Faik Grainca, nënkryetar i degës së LDK-së ka thënë se këto janë dy parti që i bashkon filozofia politike prandaj edhe mund të funksionojnë padyshim së bashku, ndërsa nënkryetarja e degës së LDD-së, Sinavere Rysha ka thënë se pas dorëheqjes se ish-kryetarit të komunës, Bajrush Xhemaili, LDD-ja menjëherë ka marrë masa që të përgatitet për zgjedhjet e e jashtëzakonshme në Ferizaj, transmeton Kosovapress.
“Mirëpo, gjatë konsultimeve me kryesinë e degës në Ferizaj, e kemi parë të arsyeshme që interesin nacional ta vendosim para atij individual dhe me këtë mënyrë kemi vendosur ta mbështesim kandidatin për këto zgjedhje, Adem Salihajn”, ka thënë Rysha.
Të pyetur nga gazetarët se nëse parashihej ndarja e posteve në marrëveshjen e nënshkruar, Grainca dhe Rysha kanë thënë se këto opsione i kanë lënë të hapura. 

Barroso dhe Rasmussen biseduan për Kosovën

Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmussen kanë biseduar për bashkëpunimin e ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Aleancës Veriatlantike, me ç’rast kanë biseduar edhe për situatën në Kosovë,
Temë kryesore e takimit ka qenë përgatitja e samitit të ardhshëm të NATO në Çikago dhe tërheqja e trupave të NATO-së nga Afganistani, thuhet në kumtesën e lëshuar nga kabineti i Barrosos, transmeton Blic.
Thuhet se është biseduar për tema të interesit të përbashkët të BE-së dhe NATO-s, “veçmas për Kosovën”, por nuk janë dhënë detaje se çfarë konkretisht është biseduar.

KDI: Shuhen shpresat tek 'supermekanizmat' antikorrupsion

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), ka reaguar në lidhje me arrestimin nga Policia nën dyshimin për korrupsion të shefit të Task Forcës kundër korrupsionit (të themeluar nga Kryeministri), prokurorin Nazmi Mustafi dhe të një personi të dytë. Sipas tyre, kjo ngjarje ka rritur dyshimet e publikut se vetë politika është e përfshirë në afera korruptive si dhe ka krijuar zhgënjim dhe humbje të shpresave tek qytetarët e Kosovës se korrupsioni mund të luftohet në këtë vend.
Duke respektuar tërësisht parimin e pafajësisë derisa gjykata të vendos ndryshe, KDI vlerëson se arrestimi i shefit të Task Forcës kundër korrupsionit, nën dyshime për korrupsion vetëm si AKT dëmton rëndë përpjekjet dhe shpresat për sundimin e shtetit të së drejtës në Kosovë.
KDI po ashtu thekson se ky rast dëshmon edhe njëherë për dështimin e mekanizmave të shumëfishtë të krijuara nga Institucionet politike në Kosovë (Presidenca, Qeveria dhe Parlamenti), për luftimin me efikasitet të korrupsionit duke e vënë seriozisht në pikëpyetje nevojën për ekzistencën e mëtutjeshme të tyre, pasi sipas tyre, këto “supermekanizma” janë krijuar vetëm për efekte mediatike dhe për konsum të brendshëm politik.
“Andaj KDI/TIK kërkon që institucionet shtetërore të kontribuojnë në mbështetjen dhe forcimin e organeve ndjekëse dhe gjyqësorit, si pushtet i pavarur, i përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës, pushtet i cili sot është në gjendje jo të mirë, duke u ballafaquar me mungesë të stafit profesional, mungesë te prokurorëve dhe gjyqtarëve, mungesë te sigurisë dhe ajo që është me e rëndësishme me mungesë pavarësie nga ndikimet politike”, thekson KDI. 

Rikonfigurimi i EULEX-it fuqizon gjyqësorin

Rikonfigurimi i misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit do të përfshijë fuqi më të mëdha ekzekutive në procedimin lëndëve, krijimin e Odës së Veçantë Penale për krime lufte si dhe një strukturë të veçantë të gjykatësve dhe prokurorëve, që do të punojnë në Prokurorinë dhe Gjykatën e Qarkut në veri.
Kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci ka thënë se për këto, autoritetet kosovare kanë pasur pajtim të gjithanshëm në Bruksel.
Reduktimi i EULEX-it në qershor të këtij viti do të sjellë shtim të përgjegjësive të gjykatësve dhe prokurorëve vendorë. Peci pret që pas ristrukturimit të EULEX-it të fillojë një fazë më intensive e koordinimit të veprimeve me komponentin e drejtësisë të këtij misioni.
Këto ndryshime, sipas Pecit, përfshijnë krijimin e trupave të tjerë në të cilat do të kenë përgjegjësi të shtuara gjykatësit dhe prokurorët kosovarë.
“Duhet të koordinohen më tepër veprimet dhe një funksionalizim më efikas i veprimeve sidomos në rastet e krimeve të luftës dhe krimit të organizuar. Do të krijohet një dhomë e veçantë penale në kuadër të departamentit për krime të rënda. Në të do të fokusohen të dyja palët ”, i ka thënë Peci, Radio Kosovës.
Ndërkaq zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi thotë se ende po shqyrtohet çështja e ristrukturimit të misionit dhe komponentët e saj.
“EULEX-i po hyn në një fazë të re të ristrukturimit. Ende nuk mund të flasim për shifra ose detyrat e reja, por mund të them se prioritet mbetet forcimi i gjykatave në veri”, ka thënë Krasniqi.
Por, sa i përket gjykatave në veri kreu i gjyqësorit në Kosovë, Enver Peci, ende është shumë skeptik. “Është vështirë të them se sa është serioze kjo tani. Prej fillimit kemi qenë këmbëngulës se mosfunksionimi i gjykatave atje ka shkaktuar anarki”, ka thënë ai.
Ristrukturimi i misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit gjithashtu pritet të përfshij edhe mbetjen e EULEX-it pa strukturën e gjykatësve dhe prokurorëve që kanë punuar më herët si staf i misionit të OKB-së në Kosovë.

Mesazhi për Pashkët: Kujdes vëllazëror për të mirën e përbashkët

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, me rastin e festës së Pashkëve ka porositur që "brenda një shoqërie duhet të prijnë për angazhim që në të: të mbizotërojë dashuria për njëri tjetrin, kujdesi vëllazëror për të mirën e përbashkët, shpërndarja e drejtë e të mirave që disponon toka, shteti e kombi, etj.".
Më tej ai porosit që një shoqëri e cila dëshiron të mbetet në shërbim të qenies njerëzore e në dobi të kombit, "duhet ta ketë synim të mirën e përbashkët, rritjen shpirtërore, kulturore e profesionale të personit, ruajtjen e pasurive të trashëguara dhe zhvillimin permanent të vendit".
“Sot, ndihemi shumë keq dhe në të vërtetë është për t'u shqetësuar, ngase në shtetin tonë të ri mbizotëron një bindje (apo një fakt) se kemi ndryshuar shtetin, por s'kemi arritur të ndryshojmë mentalitetin e pushtetit, për të qenë në dobi dhe shërbim të njeriut. Kemi arritur institucionet tona t'i vejmë nën kontroll të njerëzve tanë, mirëpo s'kemi arritur t'i formojmë ata që të shërbejnë në to, me përgjegjshmëri dhe drejtësi, prandaj shumë prej tyre, mundësitë që u jep pozita, i vejnë në shërbim të vetvetes, të grupit ose të klanit që i takojnë, ndërsa vetëm ajo çka mbetet, vihet në shërbim të gjithëve", thekson në mesazhin e tij Imzot Gjergji.
Në fund të mesazhit Imzot Gjergji shpreh dashurinë e gjithë Kishës në Kosovë, për njerëzit në nevojë, "sadopak t'i ngushëllojë zemrat e pikëlluara nga vuajtja e përditshme, zemrat e dëshpëruara nga pamundësia për t'i marrë të drejtat e garantuara, zemrat e frikësuara nga hakmarrja, zemrat e trishtuara nga mungesa e sigurisë për pronën, familjen dhe jetën”. 

UNMIK-u pengon ndërtimin e objektit të gjendjes civile

Ndërtimi i objekteve të gjendjes civile nëpër fshatrat e Mitrovicës nuk po shkon mirë. Derisa komuna lëshon leje ndërtimi, ajo e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës ndalon një gjë të tillë.
Sipas dokumentit të lëshuar nga Zyra për punët e Inspeksioni ndërtimorë, UNMIK ka kërkuar nga punëkryesi i objektit për gjendjen civile në Suhodoll që të ndërpriten punimet me arsyetim se nuk ka leje ndërtimi.
Në anën tjetër, komuna e Mitrovicës ka theksuar se përpos që ata nuk i njohin ato dokumente, vendimi i UNMIK-ut është i gabuar pasi që nuk është fshati Suhodoll por Zyra po ndërtohet në territorin e fshatit Gushavc.
“Ne punën do ta kryejmë dhe nuk merremi me ata pasi që ne jemi të interesuar që sa më parë t’i kryejmë këto objekte dhe qytetarëve t’u ofrohen kushte sa më të mirë për jetesë në këto fshatra”, ka thënë Avdullah Bejtullahu, drejtor i Drejtorisë për Administratë, njofton Koha. Komuna e Mitrovicës ka filluar ndërtimin e dy objekteve për zyre të gjendjes civile në Mitrovicë.
Një objekt i tillë ka filluar të ndërtohet në Shupkovc, ndërsa një tjetër në fshatin Gushavc.

Opozita nuk kthehet në Kuvend

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, me nënkryetaret dhe shefat e grupeve parlamentare, nuk ka sjell ndonjë rezultat për kthimin e opozitës në Kuvend. Shefat e grupeve parlamentare të opozitës kanë deklaruar se nuk do të kthehen në seancë, përderisa nuk hiqet nga rendi i ditës Projektligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Karasniqi, të martën, pas takimit të kryesisë nuk ka folur për media, ashtu siç ka vepruar zakonisht.
Seanca e radhës e Kuvendit mund të mbahet më 5 prill, ku pritet që ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ta informojë Kuvendin, lidhur me arrestimin e dy policëve të Kosovës nga xhandarmëria serbe.
Por, opozita ka njoftuar, se nëse nuk do të hiqet nga rendi i ditës projektligji që kanë kërkuar, ata nuk do marrin pjesë as në seancën ku do të flas Rexhepi.

Sindikata e RTK-së reagon ndaj vonesës së pagave

Sindikata e RTK-së ka shprehur shqetësimin dhe ka reaguar ndaj menaxhmentit të Radio Televizionit të Kosovës për shkak të mos përmbushjes se obligimeve kontraktuale ndaj punëtorëve të RTK-së, për muajin mars 2012.
Fadil Hoxha, kryetar i SPPRTK-së, përmes një kumtese për media thekson se çfarëdo vonese e mëtutjeshme në paga, do të jete e papranueshme për punëtorët e RTK-së dhe do të përcillet me radikalizim të veprimeve, deri në dorëheqjen e të gjithë përgjegjësve.
“Paga për pjesën dërmuese të punëtorëve të RTK-së është alternativa e vetme ekzistenciale. Problemet serioze në RTK, të ngritura në vazhdimësi nga Sindikata e RTK-së, e të cilat Menaxhmenti i RTK-së mundohej t’i maskonte, tanimë kanë filluar të dalin në sipërfaqe”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.
Sipas tij, m ungesa totale e nikoqirllëkut tregon se ky menaxhment, që nga fillimi, tërë fatin e RTK-së, të tashmen dhe të ardhmen e saj, e ka lënë në duar të disa faktorëve dhe qarqeve të caktuara jashtë RTK-së.
“I drejtohemi për herë të dytë Kuvendit të Republikës së Kosovës me kërkesën e njëjtë, që urgjentisht të formojë një komision hetues parlamentar me qëllim të konstatimit të gjendjes reale financiare me të cilën po përballet RTK-ja. Fati i RTK-së, dhe i 550 punëtorëve të saj (495 anëtarë të Sindikatës) nuk duhet të vazhdojë të mbetet në duart e disa personave, të cilët gjatë gjithë mandatit të deritanishëm kanë shkuar drejt dështimit dhe pothuajse aspak drejt profesionalizmit”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.

Selimi: Serbia sfidoi sistemin e sigurisë në Kosovë

Serbia sfidoi sistemin e sigurisë në Kosovë, me aktin e arrestimit të dy policëve të Kosovës nga xhandarmeria serbe, thotë ish-drejtori i policisë së Kosovës, aktualisht deputet i PDK-së, Behar Selimi.
Ai thekson nevojën që të qartësohen më mirë kompetencat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në raport me forcën ndërkombëtare në Kosovë, në mënyrë që të mos cenohet integritetit territorial i vendit.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Behar Selimi thotë se me arrestimin e dy policëve kosovarë është atakuar territori dhe sovraniteti i Kosovës. Në një intervistë për RTK-në, Selimi tha se është sfiduar sistemi i sigurisë në Kosovë. Madje ai tha se në këtë rast është sfiduar edhe inteligjenca e KFOR-it.
“KFOR-i ka të dhëna të ndryshme, informacione të ndryshme sa i përket sulmeve eventuale në integritetet. KFOR-i megjithatë i ka ikur informacionit se mund të ndodh edhe kjo e të futen dhe të arrestojnë edhe policë që patrullojnë për ta luftuar kontrabandën”.
Selimi thekson nevojën e rishikimit të gjithë sistemit të sigurisë, e sidomos për veriun të përfshihen elementet e ndjeshmërisë, meqë me Serbinë Kosova ka raporte jo të mira. Ai theksoi se akti i arrestimit të policisë duhet të drejtohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Ai po ashtu thotë se duhet të qartësohen kompetencat për kontrollin e vijës kufitare prej 386 kilometra edhe me Serbinë, në mënyrë që të mbrohet integriteti territorial i Kosovës.
“Të sqarohen kompetencat që të fillohet procesi i bartjes së përgjegjësive, që të përgatiten njësitet tona për ta mbrojtur integritetin territorial. Aktualisht këtë mandat e kemi me Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi. Këtu duhet sqaruar rregullat e të gjitha njësive dhe rregullat e gjithë sektorit të sigurisë”.
Madje ish drejtori i policisë thotë se tani e tutje institucionet e Kosovës duhet të jenë më të vendosura edhe sa i përket dialogut me Serbinë. Ai tha gjithashtu se duhet t’i bëhet e qartë edhe Bashkimit Evropian se pavarësisht vullnetit dhe gatishmërisë për bashkëpunim, ekziston një fund me përballjet e veprimeve të rënda dhe të vazhdueshme të Serbisë në raport me Kosovën. 

Presidentja injoroi “Ditët e Shqipes”

Ish-guerilët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët 13 vjet më parë nën komandën e Agim Ramadanit-Katanas, e thyen kufirin ndërmjet shqiptarëve, sot ndihen të indinjuar dhe të zhgënjyer nga vendimi i presidentes, Atifete Jahjaga, për të mos organizuar manifestimin tradicional “Ditët e Shqipes”.
Në një konferencë për medie, Shoqata e Veteranëve të Luftës të “Brigadës 138 Agim Ramadani”, konsiderojnë se Jahjaga me vendimin për të mos organizuar manifestimin për “Kosharen”, Jahjaga ka dëmtuar imazhin e saj si presidente.
“Në emër të 2549 bashkëluftëtarëve të Brigadës 138 Agim Ramadani, në emër të familjeve të 114 dëshmorëve dhe 380 invalidëve të luftës së Betejës së Koshares, ndihemi të indinjuar thellë ndaj vendimit të presidencës Jahjaga, e cila përkundër traditës prej kohësh të Presidencës për shënimin e manifestimit “Ditët e Shqipes”, ajo theu këtë traditë që në shënimin e trembëdhjetëvjetorit të përkujtimit të sakrificës së dëshmorëve dhe luftës heroike të thyerjes së kufirit në Koshare, nuk gjeti vullnetin dhe moralin unifikues - kushtetues për ta vazhduar traditën për arsye të pakuptimta, ndër to edhe financiare”, thuhet në reagim.
Kërkesa drejtuar Presidencës ishte bërë më 01 mars 2012 e plotësuar edhe më 14 mars 2012, madje as që është menduar në refuzimin e saj, transmeton “Zëri”. “I bëjmë me dije presidentes dhe institucionit që përfaqëson, se refuzimi i kërkesës sonë ka dëmtuar rëndë imazhin e saj si presidente. Lufta e Koshares, siç thuhet më tej në reagim, është një nga betejat më të rëndësishme të luftës së UÇK-së, që shënoi heqjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe paralajmëroi çlirimin përfundimtar të Kosovës.
“Beteja që shënoi unitetin brendakombëtar të luftës sonë çlirimtare. Lufta jonë si e tillë përbën aktin më madhor që të gjithë pa dallim duhet të përulemi pranë varreve të dëshmorëve, sakrificës sublime të tyre që është krenari kombëtare dhe jo t’i injorojmë ata, siç e bëri presidentja”, thuhet më tej.
Ndryshe veteranët e 138-shit njoftojnë familjet e dëshmorëve dhe bashkëluftëtarët se këtë vit manifestimet për epopenë e Luftës së Koshares do të mbahen nën patronatin e kryeministrit Hashim Thaçi, sipas planit për shënimin e aktiviteteve të manifestimit “Ditët e Shqipes”. 

Tadic kushtëzon dorëheqjen me Kosovën

Nëse merr garanci të forta ndërkombëtare se “në Kosovë nuk do të ketë konflikte dhe sulme të reja mbi serbët”, kryetari i Serbisë, Boris Tadic do të jap dorëheqje sot ose nesër, ndërsa më 6 maj do të mbaheshin edhe zgjedhjet presidenciale në Serbi, ka thënë për mediat serbe një burim i afërt me presidentin serb, Tadic.
Madje edhe para shpalljes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare (13 mars), Tadic dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt si dhe kreu i partisë ishin për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, burimi i gazetës Blic ka thënë se lideri i demokratëve ende nuk ka marrë vendim përfundimtar për këtë, për faktin se në rast të incidenteve dhe trazirave në Kosovë, ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë nuk ka mandat të plotë për veprim.
Detyrat e presidentit të shtetit, në një situatë të tillë do t’i kalonin kryetares së Kuvendit të Serbisë, Slavica Gjukic-Dejanovic. Ajo dje ka thënë se “është e gatshme të kryejë atë funksion”
Përveç Tadicit, aktualisht janë edhe tre kandidat të tjerë për president të Serbisë: Tomislav Nikolic, kryetar i përparimtarëve serb, Ivica Dacic, i socialistëve dhe Istvan Pastor, lider i Lidhjes Hungareze të Vojvodinës.

Plan për pengimin e zgjedhjeve serbe

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi ka thënë se Polica e Kosovës e ka bërë projektplanin me të cilin do ta pengojë Serbinë për të mbajtur zgjedhjet lokale në Kosovë.
“Zgjedhjet lokale janë ndaluar, kurse serbët me shtetësi të dyfishtë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare, po që se ato i organizon OSBE”, ka thënë Rexhepi për Reuters, citojnë mediat serbe.
Rexhepi ka thënë se në ditën e zgjedhjeve, më 6 maj, “do të jemi të gatshëm nëse Serbia bën ndonjë përpjekje për të mbajtur votimet, njësit tona do të veprojnë, do të konfiskojnë materialin zgjedhor dhe do t’i ndalojnë ato".

U rrëmbyen brenda territorit të Kosovës

Para mbërritjes në fshatin Pantinë të Vushtrrisë, dy policët e liruar, të hënën në orët e paradites me vendim të një gjykate të Serbisë, janë marrë në pyetje për disa orë në Stacionin policor në Lluzhan të Podujevës. Sipas burimeve, ata kanë rrëfyer versionin e tyre të rrëmbimit, 130 metra brenda territorit të Kosovës. Në atë bisedë atyre u është kërkuar që të mos flasin asgjë me media për ngjarjen.
“Në atë zonë rrëmbimi ka ndodhur 130 metra brenda territorit të Kosovës. Policët serbë kanë rrethuar zonën. Sapo kanë dalë për t’i hequr pengesat në rrugë, 13 policë të Serbisë kanë ndërhyrë dhe i kanë arrestuar”, ka thënë një koleg i policëve të rrëmbyer në kushte anonimiteti, transmeton Koha.net.

Thaçi ia prishi Tadicit agjendën në SHBA

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi prej sot po qëndron për vizitë në SHBA me ftesë të Shtëpisë së Bardhë dhe administratës amerikane. Vizita e tij i ka prishur agjendën presidentit serb Boris Tadic, i cili këto ditë gjithashtu pritej të qëndrojë për vizitë në Washington.
Analisti politik serb, Obrad Kesiq, ka deklaruar për B92 se edhe Tadic këtë javë duhej të vizitonte presidentin Obama, por ajo nuk ka ndodhur sipas tij, sepse delegacioni serb nuk ka dashur që vizita e tij të jetë e përafërt me ardhjen e kryeministrit Thaçi në Washington, njofton INA.
Sipas tij, kjo vizitë ka rëndësinë e saj për kryeministrin Thaçi, pas arritjes së marrëveshjes midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Kryeministri Hashim Thaçi sipas të gjitha gjasave më 6 prill do të takohet me Presidentin amerikan, Barack Obama.
Thaçi është i shoqëruar nga ministri i jashtëm Enver Hoxhaj dhe ministrja për Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku. Gjatë qëndrimit në SHBA, delegacioni kosovar do të ketë takime edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, zëvendës-presidentin amerikan Joe Biden, sekretaren amerikane Hillary Clinton, ish-sekretaren Madeleine Albright si dhe takime me kongresistë e senatorë amerikanë. 

PDK s’merret vesh për kandidatin

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) duket se po e ka shumë të vështirë që ta caktoj një kandidat që do të mund të trashëgoj Bajrush Xhemajlin në komunën e Ferizajt.
Ndonëse, në orët e vona të mbrëmjes të së hënës, ka pasur dy përpjekje për të mbledhur Kryesinë e Degës së PDK-së në Ferizaj, me qëllim që të caktojnë kandidatin e kësaj parti për kryetar komune, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të caktuar për 29 prill, nismat kanë dështuar, për shkak të mospajtimeve të brendshme, raporton "Zëri".
Kreu i PDK-së në Ferizaj, rreth orës 21.00 i ka deklaruar “Zërit” të ketë shtyrë mbledhjen e Kryesisë për të martën paradite, pa shpalosur arsyet e mundshme për një hap të tillë.
Burime të besueshme brenda këtij subjekti në Ferizaj, kanë bërë të ditur se “heshtat po thyhen” ndërmjet dy grupimeve, përplasje këto që janë shprehur edhe me akuza e cilësime nga më të ndryshmet gjatë ditës edhe përmes Facebookut.
Njëra palë, kërkon vetëm konfirmimin nga Dega të kandidaturës së Agim Aliut, (aktualisht kryekuvendar i KK-së), sipas preferencës edhe të kryesisë në Prishtinë, ndërsa tjetra këmbëngulë që kandidat i PDK-së për kryetar të jetë kreu i degës, Ylber Topalli.
Ndërkaq, përplasjet në PDK-në e Ferizajt, po ndiqen me interesim të shtuar nga subjektet rivale. Gjatë ditës, bëhet e ditur të jetë arritur një koalicion parazgjedhor LDK-LDD, që pritet të zyrtarizohet ndërkohë.
Përderisa Vetëvendosje, ka njoftuar se kandidat i këtij subjekti në garë për kryetar është caktuar Faton Topalli, i caktuar përmes zgjedhjeve të brendshme, ku kanë marrë pjesë mbi 50 për qind e anëtarësisë.

Bankat dhe shitjet përmes internetit

Transaksionet bankare dhe financiare, shitblerja dhe punësimi janë detyrat kryesore të shfrytëzuesve të internetit në mbarë globin, njofton agjencia e lajmeve Reuters, duke u bazuar në një hulumtim ndërkombëtar të kryer nga Ipsos Global Public Affairs.
Rreth 60 për qind e njerëzve në 24 vende shfrytëzojnë internetin për të kontrolluar xhirollogaritë bankare dhe asetet financiare. Shitblerja ka arritur në 48 për qind, kurse punësimi në 41 për qind. “Është e lehtë. Mund ta bësh kurdo dhe kudo, meqë pjesa dërmuese e transaksioneve janë pa pagesë”, shpjegon Keren Gotfrid nga Ipsos Global public Affairs, duke folur për mundësitë që ofron një system elektronik banker.
Suedezët më së shumti shfrytëzojnë shërbimet online të bankave, të pasuar nga francezët, kanadezët, australianët.
Britanikët dhe gjermanët gjenden në krye të listës për shitblerje në internet, me një shkallë prej 74 për qind, të pasuar nga suedezët, amerikanët dhe koreano-jugorët.
Polakët janë të parët për të kërkuar punë në internet, në një shkallë prej 61 për qind. Pas tyre vijnë hungarezët, afrikano-jugorët dhe meksikanët.
Hulumtuesit në Ipsos thonë se të gjitha këto të dhëna mund të shihen edhe si pasqyra në ç’gjendje janë vendet, ku është zhvilluar anketimi.

Kapen për kulturat pranverore

Nuk dihet saktë përqindja e sipërfaqeve kultivuese që duhet të mbillen me kultura pranverore, ndërsa furnitorët e imputeve të ndryshme janë të familjarizuar, apo kanë krah partiak. Këto janë pak nga ato vlerësime që ka dhënë Departamenti i Bujqësisë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për punën e ministrisë së Bujqësisë, duke e quajtur joprofesional.
Këta të fundit kanë përgjigje për krejt akuzat që u janë bërë. Thonë se këtë vit për herë të parë do të subvencionohen disa mbjellje pranverore, ndërsa për imputet thonë që kushdo që din ndonjë rast ta lajmërojë, por që sipas tyre ato vazhdimisht testohen nga ekspertë të kësaj fushe.
Kryesuesi i Departamentit të Bujqësisë në AAK, Imer Rusinovci ka pohuar të martën se janë të rrejshme premtimet se bujqësia është prioritet, pasi sipas tij, shumë sipërfaqe po shndërrohen në djerrina. “Nese shikoni statistikën vetëm shkallën e importit të drithërave në përgjithësi dhe grurit, në veçanti që ka pasur nga korriku deri tek viti i ri, ju bënë të kuptoni se rreth 50 për qind të nevojave ushqyese të popullatës me grurë janë importuar”, tha ai.
Këshilltari në Ministrinë e Bujqësisë, Adil Behramaj thotë se ata shërbehen me të dhënat e komunave, dhe çdo vit u shpërndahen komunave formularët sa i përket sipërfaqeve që planifikohet të mbillen.
Ai bënë të ditur se vitin e kaluar kanë qenë rreth 110 mijë hektarë, ndërsa për këtë vit ende nuk janë plotësuar të dhënat nga të gjitha komunat. “Mbjelljet pranverore ne si ministri, për herë të parë këtë vit do t’i subvencionojmë, në kuadër të këtyre subvencionimeve janë kultura e misrit, e lulediellit, kolzës dhe sojës, që janë kultura vajore, dhe për herë të parë do ta subvencionojmë edhe prodhimtarinë e farës së grurit që është për mbjellje, që është mbjellë në vjeshtë, mirëpo sipërfaqet e mbjella do t’i përkrahim tani”, theksoj Behramaj.
Por, Departamenti i Bujqësisë në AAK, thonë se ka edhe shumë probleme të tjera. Rusinovci shprehet se ky sektor është i anashkaluar dhe qëllimisht po lihet në varshmëri të importit. 

Banka Botërore mbështet ndërtimin e Kosovës së Re

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim një delegacion të Bankës Botërore të udhëhequr nga zëvendëspresidenti për Evropë dhe rajonin e Azisë Qendrore, Philippe Le Houerou, e në përbërje të të cilit ishin edhe zotëri Dimitris Tsitsiragos, zëvendës president i International Finance Corporation )IFC) dhe Michel Wormser, zëvendëspresident i Multilateral Investment Guarantee Agency (MIGA).
Presidentja Jahjaga tha se mirëpret interesimin e shtuar të Bankës Botërore (BB) për Kosovën që dëshmon përkushtimin e këtij institucioni të rëndësishëm financiar ndërkombëtar për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit.
Presidentja Jahjaga tha se ndihma e Bankës Botërore për Kosovën në përmirësimin e klimës për investime, të krijimit të vendeve të reja të punës dhe forcimin e menaxhimit të financave publike është e një rëndësie të posaçme.
Ajo tha se e mirëpret gatishmërinë e Bankës Botërore për të ndihmuar Kosovën në fushën e energjisë dhe në veçanti të projektit “Kosova e Re”, që është thelbësor për të ardhmen e furnizimit me energji elektrike. Presidentja Jahjaga tha se me mbështetjen e Bankës Botërore Kosova do të mund të adresojë edhe çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit dhe do të bëjë përparime në këtë projekt madhor.
Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe rajonin e Azisë Qendrore, Philippe Le Houerou, tha se Banka Botërore është e interesuar të vazhdojë projektet e saj në Kosovë dhe ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të saj si dhe krijimin e vendeve të reja të punës që do të zvogëlonte shkallën e papunësisë e të varfërisë.
Le Houerou tha se Banka Botërore do të ndihmojë në veçanti projektet që kanë të bëjnë me energjinë, duke mbështetur ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re”, si një projekt i rëndësishëm për vendin.

Rahoy: Spanja e vendosur për reduktim të deficitit

Spanja ndodhet përballë një pune të madhe, por nuk do të heqë dorë nga objektivi i tij për reduktimin e deficitit publik, tha Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy duke mbështetur buxhetin 2012 që parashikon kursimin e 27.3 miliardë eurove.
"Është absolutisht thelbësore, një objektiv nga i cili ne nuk do të heqim dorë, reduktimi i deficitit publik me 5.3 për qind këtë vit'', pohoi Rahoy duke paraqitur buxhetin 2012 që do të jetë më rigorozi në historinë e vendit.
Kryeministri konservator përsëriti se Spanja do të rikthehet në një vend që respekton angazhimet e saj dhe do të zërë vendin që i takon duke pranuar se do të përballet me një detyrë të vështirë, me objektivin për të krijuar sa më shumë vende pune, ndërkohë që papunësia ka arritur përqindje rekord me 22.85 për qind.
Qeveria spanjolle miratoi javën e kaluar projektbuxhetin 2012 që parashikon një deficit publik me 5.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një objektiv që iu vendos nga Brukseli.

Zejet me rëndësi të madhe

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e MTI-së, Mimoza Kusari Lila, priti delegacionin nga Oda Zejtare e Koblenc-it (OZK) të Gjermanisë, që e shoqëronte deputetja Flora Brovina. Në takim u bisedua për format e mundshme të kooperimit të bizneseve zejtare të Kosovës me ato të Koblencit.
Ministrja Mimoza Kusari-Lila fillimisht i njoftoi mysafirët rreth synimeve të saj dhe institucionit që ajo e drejton se pikësynim është ngritja e interesimit të investitorëve për mundësitë afariste që ekzistojnë në Kosovë, si dhe avancimi i fushave të caktuara ekonomike me përvoja të avancuara.
Po ashtu, ajo potencoi se zejet përbejnë një rendësi të madhe, e që rëndësia e tyre lidhet jo vetëm me të sotmen, por edhe me të kaluarën.
Ndërkaq, presidenti i përgjithshëm i Odes Zejtare të Koblecit, Werner Wittlich, theksoi se Oda Zejtare është prezente që shume vite në Evropën Juglindore dhe ushtron punën e saj me angazhim shumë të lartë. Ai theksoi se me përvojën e tyre ata do të mund të kontribuojnë në zhvillimin e këtij aktiviteti në Kosovë.
Ministrja Kusari-Lila, gjithashtu bëri të ditur se me zhvillimin e mëtejshëm të industrisë, zejet do të jenë pjesë komplementare e proceseve të mëtejshme industriale në të cilat do të përfshihet Kosova.

Stopohet ngritja e çmimit të naftës

Çmimi i naftës të martën ën tregjet ndërkombëtare ka ndaluar së rrituri për dallim nga dita e hënë. Nafta e papërpunuar e Londrës e po ashtu edhe ajo shënuan rënie të çmimit për 3 për qind.
Nafta Brent ka rënë me 0.3 për qind në 125.07 dollarë për fuçi pas rritjes me 2.55 dollarë një ditë më parë.
Ndërsa nafta bruto amerikane ra 0.3 për qind në 104.96 dollarë për fuçi, për dallim ku të hënën u mbyll me rritje 2.21 dollarë.

Sa kem prona jashtë?

Kthimi i pronave nga ish- Jugosllavia deri tani ka mbetur vetëm në letër. Institucionet e Kosovës ende nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim, përveç që kanë formuar një komision. Themelimin e këtij komisioni e kanë bërë Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Këto dy institucione janë bërë bashkë në këtë komision për t’i identifikuar pronat e ndërmarrjeve shoqërore që gjenden tash në shtetet e dala nga shthurja e ish-Jugosllavisë.
Sipas AKP-së, janë gjithsej 55 Ndërmarrje Shoqërore që kanë më tepër se 155 asete në republikat e ish-Jugosllavisë.
Kurse, në bazë të një dokumenti që e ka siguruar gazeta Lajm, në republikat e ish-Jugosllavisë gjenden 172 prona të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës. Sipas kësaj liste, më se shumti prona të ndërmarrjeve kosovare ka në Serbi, ku janë gjithsej 104, pastaj në Mal të Zi 42, në Bosnjë e Hercegovinë 15, në Kroaci 6, në Maqedoni 4 dhe në Slloveni 1.
Artan Behrami, zëdhënës në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), tha se Institucionet e Republikës së Kosovës kanë filluar përgatitjet për të kërkuar kthimin e pronave që i takojnë në bazë të legjislacionit, por edhe praktikave demokratike. “Institucionet kompetente në Kosovë kanë bërë identifikimin e shumicës së pronave dhe ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, si dhe jemi në proces të identifikimit të pronave të tjera eventuale të Kosovës në ish-republikat jugosllave”, ka thënë Behrami.
Të njëjtën gjë e kanë thënë edhe zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. “Sipas të dhënave që ekzistojnë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit janë 55 Ndërmarrje Shoqërore që kanë më tepër se 155 asete në republikat e ish- Jugosllavisë”, tha Ylli Kaloshi, zyrtar i lartë për marrëdhënie me publikun dhe media në AKP. 

Guardiola: Nuk do të mbrohemi ndaj Milanit

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ata do të kërkojnë fitore në ndeshjen e sotme çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Milanit.
“Situata është e thjeshtë. Kushdo që fiton do të shkojë në gjysmëfinale. Perceptimin të cilin e kam është se ne duhet ta ngrejë lojën tonë duke menduar se Milani mund të shënojë kundër nesh”.
“Në ditët e fundit e kam studiuar se si ne mund të krijojmë shumë shanse pa qenë të dëmtuar në mbrojtje. Nuk brengosem nëse ne pranojmë gol, por duhet të gjej mënyrat për të krijuar sa më shumë shanse”.
“Ne do të përpiqemi të sulmojmë në mënyrën më të mirë dhe sa më shpesh. Mendoj se edhe nëse do të ishte 3-0 ne nuk do të ndalonim, do të kërkonim edhe një gol tjetër”, ka thënë Guardiola. 

Mourinho: Armiqtë më motivojnë

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se ai ka nevojë për “armiq” për të arritur sukses në futboll.
“Është më mirë. Nuk mendoj se është vendimtare, por është më mirë. Veçanërisht kur ju jeni në një moment suksesi dhe keni tendencë të relaksoheni: nëse e dëgjoni atë zhurmë, nëse mendoni se njerëzit përpiqen ta shfrytëzojnë avantazhin e momenteve tuaja të vështira, kjo ndihmon. Po, do të pëlqeja të kem armiq”.
“Por dua të qartësoj se fjala armik nuk është për shkak të jetës time personale, por kur them armiq mendoj në futboll. Që nga fëmijëria ne fillojmë të shtyhemi, dhe madje edhe miqtë e mi ishin armiq në atë kohë”.
“Adrenalina është diçka të cilën trupi juaj e kërkon për t’u relaksuar, preferoj të dëgjoj ca ‘zhurmë’ nga armiqtë e mi”, ka thënë Mourinho për Corriere della Sera.

Tevezi drejt Anzhit

Manchester City raportohet se dëshiron t’ia ofrojë sulmuesin Carlos Tevez klubit të pasur rus, Anzhi Makhachkala.
Sports Illustrated shkruan se Anzhi planifikon të investojë rreth 300 milionë euro në transferime të reja gjatë tre sezoneve të ardhshme. Dhe, në mesin e shumë yjeve që lidhen me kalim në kampionatin rus, përmendet edhe Tevez.
Agjentët e argjentinasit raportohet se tashmë kanë biseduar me Anzhin për transferimin e sulmuesit i cili sapo është rikthyer në fanellën e Cityt pas mungesës gjashtëmujore për shkak të mosmarrëveshjeve me menaxherin Roberto Mancini.

NBA: Fitojnë Clippers, mposhten Thunder dhe Bulls

Randy Foye ka shënuar tetë trepikësha për të ndihmuar Los Angeles Clippers të shënojë fitore 94-75 në udhëtim te kampioni i NBA-së, Dallas Mavericks.
Foye shënoi pikët më të larta të ndeshjes, 28, derisa Clippers (32 f itore dhe 21 disfata) siguruan një fitore impresive në udhëtim dhe siguruan avantazhin prej dy ndeshjeve në pozitën e katërt të Konferencës së Perëndimit, derisa Mavericks bien në të gjashtin.
Memphis Grizzlies (29 fitore dhe 22 disfata), ka tejkaluar Dallasin (30 fitore dhe 24 disfata) për të siguruar pozitën e pestë të perëndimit, duke mposhtur liderin e Konferencës, Oklahoma City Thunder me rezultat 94-88. Për Thunder (40 fitore dhe 13 disfata), kjo ishte humbja e parë pas gjashtë fitoreve radhazi.
Disfatë ka pësuar edhe skuadra tjetër lidere e NBA-së, ajo e Lindjes, Chicago Bulls, që u mposht me rezultat 99-93 ndaj Houston Rockets.